Skip to main content

Krijimi i brezit të ardhshëm të vullnetarëve

Një projekt i financuar nga BE-ja në Kosovë po mbështet zbatimin e vullnetarizmit në shkolla.

Rina Recica është 14 vjeç dhe është një nga nxënëset e shkëlqyera të vitit të saj në shkollë. Përveç studimeve, ajo është edhe shumë e përfshirë me çështje dhe problematika sociale si mbrojtja e mjedisit dhe të drejtat e njeriut. Me kalimin e viteve, ajo dhe miqtë se saj kanë kontribuar rregullisht në veprimtari vullnetare në shkollën e saj. “Ne organizojmë rregullisht nismën për pastrimin e oborrit të shkollës dhe kemi bërë postera kundër bullizmit. Por, gjithnjë kam pasur ndjesinë që nuk po bëjmë mjaftueshëm dhe që mund të bëjmë më tepër,” shpjegon Rina.

Kjo ndryshoi kur një organizatë jofitimprurëse e quajtur TOKA iu qas shkollës për të organizuar klube të të nxënit nëpërmjet shërbimit (klube për punë vullnetare) me ndihmën e dy prej mësuesve të tyre. “Kjo na ndihmoi shumë,” shprehet Rina “duke qenë se tani zhvillojmë veprimtari më të rregullta dhe më të mirë-koordinuara, si dhe patëm mundësinë të njohim persona të tjerë në shkollë që zhvillojnë veprimtari vullnetare për të cilët nuk kishim dijeni më parë”.

“Arsyeja përse filluam këtë program është shumë e thjeshtë. Synimi ynë ishte t’i bënim të rinjtë më aktivë për sa i përket çështjeve që lidhen me komunitetin dhe të kontribuojmë edhe në arsimin e tyre informal.”

Programi i të nxënit nëpërmjet shërbimit filloi në Kosovë pesë vite më parë dhe në tre vitet e fundit është zbatuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Shkurtimisht, programi synon të ndihmojë të rinjtë të përfshihen më shumë në vullnetarizëm ndërkohë që përvetësojnë njohuri, vlera dhe aftësi të reja; si mendimi kritik, komunikimi, zgjidhja e problemeve, aftësitë sociale, vendimmarrja, drejtimi dhe përmirësimi i vetë-efikasitetit dhe ndërgjegjësimit për qytetari aktive.

Hatixhe Zeka, që është menaxherja e programit shpjegon se shumë vende e kanë vullnetarizmin të përfshirë në sistemin e tyre formal të arsimit nëpërmjet programeve të të nxënit nëpërmjet shërbimit. Megjithatë, Kosova është një nga ato vende që nuk e kanë vullnetarizmin pjesë të arsimit të tyre formal. “Arsyeja përse filluam këtë program është shumë e thjeshtë. Synimi ynë ishte t’i bënim të rinjtë më aktivë për sa i përket çështjeve që lidhen me komunitetin dhe të kontribuojmë edhe në arsimin e tyre informal,” shprehet Hatixhe.

Në fillim, programi filloi me një thirrje për pjesëmarrje të hapur për të gjithë mësuesit në të gjithë Kosovën, e ndjekur nga gjashtë ditë trajnim për kandidatët e përzgjedhur rreth mënyrave të koordinimit dhe fillimit të veprimtarive vullnetare në shkollë. Më pas, mësuesit e trajnuar u rikthyen në shkollat e tyre dhe filluan të organizonin klubet vullnetare me nxënësit e tyre. Veprimtaritë vazhduan me takime javore, ku mësuesit dhe nxënësit filluan të flasin për veprime konkrete vullnetarizmi. Me mbështetjen e programit, gjatë takimeve, mësuesit provuan të përdornin module të caktuara trajnimi në mënyrë që anëtarë e klubit të tyre të përgatiten më mirë për veprimtaritë e vullnetarizmit.

Moduli i parë kishte të bënte me reflektimin për aftësitë dhe kapacitetet e pjesëmarrësve, moduli i dytë prezantoi ciklin e përgatitjes për veprimin vullnetare, duke përfshirë analizën e nevojave të komunitetit dhe si të zhvillojmë ide që trajtojnë problemet, dhe moduli i tretë reflektonte rreth sukseseve dhe boshllëqeve të projektit. Klubet vullnetare në secilën prej shkollave të përzgjedhura takohen rregullisht përgjatë disa muajve dhe përveç se mësojnë aftësi të reja, secili nga klubet zbaton të paktën një projekt vullnetar deri në fund të programit. Gjithashtu, secili nga projektet u mbështet financiarisht me një kontribut simbolik sipas nevojës.

“Ishte vërtet frymëzuese të shikoje përpjekjet dhe pasionin që si mësuesit ashtu edhe nxënësit patën për projektet e vullnetarizmit – dhe ka akoma edhe më shumë interes për klubet e reja që do të nisin së shpejti.”

Lidhur me projektin

TOKA ka zbatuar programin e të nxënit nëpërmjet shërbimit që nga viti 2017. Në këtë program, TOKA ka përfshirë 2,500 të rinj të moshave 12-17 vjeç prej më shumë se 80 shkolla në 20 komuna të Kosovës. Këta të rinj janë pjesë e klubeve të vullnetarëve të të nxënit nëpërmjet shërbimit që mbështetet nga TOKA. Këto klube drejtohen nga mësuesit ose anëtarë të shoqërisë civile mbi moshën 18 vjeçare, që janë trajnuar në metodologjinë e të nxënit nga përvoja, që e integron të nxënit nga përvoja. Ky program i ekspozon të rinjtë ndaj përvojave konkrete duke zbatuar projektet e të nxënit nëpërmjet shërbimit, duke krijuar kataloge të nevojave të komunitetit të tyre, zgjidhur ose reduktuar problemet e komunitetit të tyre, vendosjes së qëllimeve dhe objektivave, hartimit të buxheteve dhe monitorimit dhe vlerësimit të projekteve. Që nga vitit 2019, projekti është mbështetur nga European Union Office në Kosovë nëpërmjet Instrument for Democracy and Human Rights EIDHR.

Në pesë vite, projekti arriti të niste 29 klube të të nxënit nëpërmjet shërbimit në 15 bashki në të gjithë Kosovën, duke angazhuar 60 drejtues klubesh për të nxënit nëpërmjet shërbimit me më shumë se 500 anëtarë vullnetarë që iu bashkuan klubeve. Gjatë vitit shkollor u zbatuan 60 projekte të të nxënit nëpërmjet shërbimit në komunitete të ndryshme në të gjithë Kosovën.  Si rezultat, mbi 50,000 persona të cenueshëm janë mbështetur në mënyrë direkte dhe indirekte nëpërmjet projekteve që janë zbatuar si pjesë e klubeve të vullnetarizmit. “Ishte vërtet frymëzuese të shikoje përpjekjet dhe pasionin që si mësuesit ashtu edhe nxënësit patën për projektet e vullnetarizmit – dhe ka akoma edhe me shumë interes për klubet e reja që do të nisin së shpejti.” shprehet Hatixhe.

Programi përfshiu edhe studentët nga Fakulteti i Arsimit dhe Departamenti i Psikologjisë nga Universiteti i Prishtinës, që do të bëhen mësuesit dhe psikologët e të ardhmes. Ata përfituan edhe nga teknikat e mësimdhënies informale të ofruara si pjesë e klubeve. Sipas Hatixhesë, ndikimi i përgjithshëm i projektit ishte i trefishtë: mësuesit mësuan metodologji të reja të mësimdhënies që kanë treguar që janë edhe efikase edhe praktike dhe ata i shfrytëzojnë këto përfitime në orët e tyre të zakonshme mësimore; anëtarët e klubit fituan vetëbesim më të lartë në koordimin dhe në aftësitë analitike dhe aftësitë e buta; dhe studentët e Fakultetit të Arsimit dhe Departamentit të Psikologjisë morën eksperiencë të vlefshme në lehtësimin e veprimtarive të të nxënit nga përvoja, si menaxhimi i të rinjve, klubit dhe zbatimi i projektit në komunitetet e tyre.

Hatixhe shpjegon që mbështetja e BE-së për këtë program ishte vendimtar dhe jo vetëm nga pikëpamja financiare. “Mbështetja e BE-së shtoi besueshmërinë dhe rëndësinë e programit te palët e interesit në nivelin e bashkisë dhe atë qendror dhe i dha një shtysë tjetër të rëndësishme në tre vitet e fundit,” shprehet ajo.

Ta çojmë prindërimin një hap më tej

BE-ja dhe Unicef-i bashkojnë forcat për të mbështetur Malin e Zi që të zhvillojë një program efikas për zhvillimin në fëmijërinë e hershme, duke përmirësuar mirëqenien e fëmijëve dhe duke përkrahur kujdestarët.

Mišo Obradović-i  është baba i dy fëmijëve dhe një aktor i mirënjohur në Mal të Zi. Atij i pëlqen të kalojë kohë me vajzën e tij katër-vjeçare dhe djalin një-vjeçar. Sidoqoftë, pavarësisht dëshirës për të qenë një prind i përkryer, pati probleme komunikimi me vajzën e tij. “Gjatë drekës, vajza ime qëndronte për një kohë të gjatë në tryezë, një problem ky që e hasin shumë prindër, por nuk dija si mund ta zgjidhja më së miri këtë problem,” thotë Mišo.

 

Ai pranon se u përpoq ta zgjidhte vetë këtë çështje në mënyra të ndryshme – që nga ‘korruptimi’ i së bijës me ëmbëlsira, deri te kërcënimi me ndëshkim. Sidoqoftë, kuptoi se kjo metodë nuk po jepte rezultatet e synuara. “Nganjëherë, humbja durimin. Herë të tjera, kisha më tepër durim se ç’duhej dhe në ato raste, vaktet nuk mbaronin kurrë,” thotë ai.

“Vendosa të aplikoj për programin Caring Families, jo vetëm për shkak të këtij problemi specifik, por edhe prej dëshirës së përgjithshme për të qenë një prind më i mirë me fëmijët e mi,” shpjegon ai. Duke përdorur parimet e programit, bashkë me këshillat e ekspertëve dhe bisedat me baballarët e tjerë që kishin marrë pjesë në program, Mišo mësoi si ta motivonte të bijën që të përfundonte vaktin e saj, duke përdorur stimuj pozitivë. “Ajo e pranoi qetësisht këtë situatë të re dhe unë vendosa të ruaja qetësinë, kështu që tani nuk acarohemi më po të vonohemi në tavolinë një orë e gjysmë pas vaktit të drekës.”

“Programet e prindërimit, jo vetëm që ndihmojnë me reduktimin e disiplinës së ashpër, por gjithashtu u mësojnë fëmijëve të mos përdorin dhunën. Prindërit janë një model sjelljeje për fëmijët, prandaj rritja e këtyre të fundit në familje jo të dhunshme mund të kontribuojë për formimin e komuniteteve jo të dhunshme.”

‘Caring Families’ është një program prindërimi që i nxit prindërit të krijojnë marrëdhënie të sigurta me fëmijët e tyre, por edhe t’i ruajnë ato. Programi financohet drejtpërdrejt nga BE-ja, si pjesë e projektit ‘Early Childhood Development’, i vënë në zbatim nga Unicef-i. Ida Ferdinandi është oficere e ‘Early Childhood Development’ të Unicef-it në Mal të Zi dhe shpjegon se programet e prindërimit janë njohur botërisht si disa prej strategjive kryesore për të parandaluar dhunën ndaj fëmijëve. “Në fakt, programet e prindërimit jo vetëm që ndihmojnë me reduktimin e disiplinës së ashpër, por gjithashtu u mësojnë fëmijëve të mos përdorin dhunën, sepse prindërit janë një model sjelljeje për fëmijët, prandaj rritja e këtyre të fundit në familje jo të dhunshme mund të kontribuojë për formimin e komuniteteve jo të dhunshme.”

Ida shpjegon se në botë ekzistojnë mjaft programe si ky, të bazuar te provat, por zakonisht, është e vështirë të fitosh akses për këto programe, pasi tarifa e licensimit është shumë e lartë. Për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetit, bashkë me ekspertë të universiteteve të ndryshme dhe Unicef-in, krijuan këtë program specifik (‘Parenting for Lifelong Health’, të quajtur ‘Caring Families in Montenegro’), si një program i licensuar dhe i bazuar te provat, por me burime të hapura për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të tilla si Mali i Zi.

Në Malin e Zi, programi ka pesë vjet që zbatohet. Me dy cikle në vit, programi u ka ardhur në ndihmë më shumë se 800 prindërve në shtatë bashki.  700 nga prindërit e kanë përfunduar me sukses programin. Një studim që vlerësoi ndikimin e programit te pjesëmarrësit, tregon se pati një reduktim prej më shumë se 70% të prindërimit të dhunshëm, një reduktim prej 30% të problemeve të sjelljes te fëmijët dhe një reduktim prej 45% të depresionit prindëror. “Ndikimi i projektit është fantastik,” thotë Ida.

Një version online i programit ‘Caring Families’, i titulluar ‘ParentChat’, u testua gjatë periudhës së COVID-19-ës, për të zbutur ndikimin e COVID-19-ës te fëmijët dhe prindërit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.

“Po përpiqemi të krijojmë kapacitete burimesh njerëzore, që programi të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme.  Po punojmë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë për një strategji zhvillimi në fëmijërinë e hershme, në mënyrë që programi të integrohet në politikat dhe veprimtarinë e qeverisë, si çdo shërbim tjetër i ofruar.

Lidhur me projektin

Nisma për zhvillimin në fëmijërinë e hershme në Mal të Zi është një program tre-vjeçar që do të zgjasë deri në korrik të vitit 2023. Financohet nga Bashkimi Evropian me 1 milion euro dhe zbatohet nga Unicef-i, në bashkëpunim me Ministritë e Shëndetësisë, Arsimit, Punës dhe Mirëqenies Sociale. Falë nismës, BE-ja dhe Unicef-i do t’i ndihmojnë autoritetet malazeze të zhvillojnë dhe zbatojnë një strategji kombëtare për zhvillimin në fëmijërinë e hershme të, duke rritur kështu edhe ndërgjegjësimin e përgjithshëm për rëndësinë e zhvillimit në fëmijërinë e hershme. Do të rriten kapacitetet shëndetësore, të mbrojtjes dhe të shërbimeve të edukimit, për t’u ofruar shërbimet e duhura familjeve dhe fëmijëve të vegjël, duke përfshirë këtu edhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Prindërit dhe kujdestarët do të kenë mundësinë të fitojnë njohuri dhe aftësi të reja nëpërmjet programit, duke ua lehtësuar kujdesin për fëmijët e tyre në mënyrë pozitive dhe të përgjegjshme.

Programi ‘Caring Families’ në Malin e Zi po zbatohet nga qendra kujdesi shëndetësor parësor që kanë zyra këshillimi, si dhe nga kopshtet, shkollat fillore dhe disa organizata të shoqërisë civile. Unicef-i gjithashtu po punon për zgjerimin e programit, që të sigurojë qëndrueshmërinë e tij. Programi po ofron trajnim për lehtësuesit e ri vendas, me qëllim krijimin e një grupi trajnerësh kombëtarë, që të mos mbështeten vetëm tek ekspertët ndërkombëtarë për të zbatuar programin. “Po përpiqemi të krijojmë kapacitete burimesh njerëzore, që programi të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe po punojmë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë për një strategji zhvillimi në fëmijërinë e hershme, në mënyrë që programi të integrohet në politikat dhe veprimtarinë e qeverisë, si çdo shërbim tjetër i ofruar,” thotë Ida.

Mišo thotë se modeli i prindërimit ka ndryshuar që nga koha kur ishte fëmijë dhe se baballarët duan të përfshihen më shumë në rritjen e fëmijëve të tyre. “Dua të bëhem një baba që u qëndron pranë fëmijëve të tij gjatë periudhave delikate të jetës së tyre dhe që i udhëzon për vendimet që i presin në jetë,” thotë ai.

T’i japim një shtysë bujqësisë dhe blegtorisë në Malin e Zi

Fondet e BE-së hapin vende të reja pune dhe prodhojnë produkte më cilësore

Milenko Nedić-i (47) shërbente dikur në ushtri. Në vitin 2005, reformat e qeverisë çuan në shkarkimin e tij dhe 3,000 kolegëve të tjerë dhe, kështu, u gjend i papunë brenda ditës. Kur iu desh të vendoste ç’të bënte më pas, atij iu kujtua se prindërit e tij ishin marrë më parë me bujqësi dhe blegtori, dhe se ky ishte i vetmi zanat tjetër që njihte.

Ai dhe bashkëshortja e tij morën një kredi bankare dhe blenë tri lopë, me të cilat hapën fermën e tyre të vogël. Fillimi ishte i vështirë, sepse kredia kishte një normë të lartë interesi, dhe çifti nuk kishte aftësitë e duhura. Më pas, për Milenko-n dhe bashkëshorten e tij u shfaq një mundësi për të zgjeruar dhe stabilizuar biznesin e tyre, me mbështetjen nga ‘Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit për Zhvillimin Rural’ (IPARD II), i BE-së. “Nëpërmjet programeve IPARD, kam arritur të përfundoj mekanizimin tonë dhe pajisjen me sisteme për mjeljen dhe të gjitha aparaturat e nevojshme për fermën. Gjatë thirrjes së fundit, më mbështetën me një shumë prej rreth 48,000 eurosh, të cilat i plotësova me kontributin tim prej 32,000 eurosh,” thotë Milenko. Tani, ai ka rreth 40 lopë dhe zotëron një prej fermave më të mëdha në rajon.

“Para se të fillonte të vihej në zbatim programi IPARD II, kishim vetëm dy ose tri fabrika përpunimi që përmbushnin standardet kombëtare të sigurisë ushqimore. Tanimë, kemi mbi 21 objekte që përmbushin standardet. Ky fakt tregon ndikimin pozitiv që ka pasur IPARD II-shi në Mal të Zi,”

Ushqim më i sigurt

Historia e Milenko Nedić-it nuk është e vetmja histori suksesi e IPARD II-shit në Mal të Zi. Deri më tani, të paktën 254 fermerë kanë përdorur fondet e IPARD II-shit dhe kanë përfituar nga përmirësimet e kushteve të punës në ferma. Gordana Dujović-i nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujit shpjegon:- “Para se të fillonte të vihej në zbatim programi IPARD II, kishim vetëm dy – tri fabrika përpunimi që përmbushnin standardet kombëtare të sigurisë ushqimore. Tanimë, kemi mbi 21 objekte që përmbushin standardet. Ky fakt tregon ndikimin pozitiv që ka pasur IPARD II-shi në Mal të Zi”. Sipas Gordanës, nëpërmjet mbështetjes së IPARD II-shit, deri më tani janë hapur edhe mbi 100 vende të reja pune, që janë zënë kryesisht nga të rinjtë.

Aktualisht, Mali i Zi po përdor fondet e vëna në dispozicion nga programi IPARD II, që mund të shfrytëzohen deri në fund të vitit 2023, ndërsa BE-ja, së fundmi, ka miratuar programin IPARD III për Malin e Zi, për periudhën 2021-2027. Gordana është e bindur se IPARD III-shi do të korrë edhe më shumë sukses se programet e mëparshme. “Po e fillojmë IPARD III-shin me shumë më tepër përvojë dhe njohuri të fituara gjatë vënies në zbatim të thirrjeve nëpërmjet programit IPARD II. Ne, bashkë me përfituesit, kemi shumë më tepër përvojë dhe besoj se përfitimet do të rriten ndjeshëm. Është planifikuar edhe akreditimi i masave të reja, që do t’u japin mundësi përfituesve të marrin më shumë mbështetje, si edhe shtetit të tërheqë më shumë nga fondet e BE-së të vëna në dispozicion për Malin e Zi,” thotë ajo.

“Ferma na siguron një jetesë të mirë. Kërkon shumë punë dhe shumica e parave të fituara duhet të ri-investohen sërish në prodhim, por ferma po zhvillohet.”

Lidhur me programin

Si pjesë e ‘Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit’ (IPA), i projektuar për të mbështetur reformat në vendet në proces aderimi në BE, ‘Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit për Zhvillimin Rural’ (IPARD), përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë të këtyre vendeve. Nëpërmjet këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë teknike dhe financiare, për t’i bërë sektorët e tyre bujqësorë dhe zonat rurale më të qëndrueshme dhe në përputhje me politikat e përbashkëta bujqësore të BE-së.

Milenko është i bindur se pa projektet IPARD, nëntë nga dhjetë fermerëve do t’u duhej të hiqnin dorë nga bujqësia. Sipas tij, shumica e fuqisë punëtore nuk kanë dëshirë të merren me bujqësinë dhe blegtorinë, kështu që mekanizimi i siguruar nëpërmjet thirrjeve të IPARD-it është një kontribut i rëndësishëm. “Ferma na siguron një jetesë të mirë. Kërkon shumë punë dhe shumica e parave të fituara duhet të ri-investohen sërish në prodhim, por ferma po zhvillohet,” thotë Milenko.

Kampi i skautistëve në Maqedoninë e Veriut, i hapur për aventura

Një projekt i financuar nga BE-ja nxit përmirësimin e ambienteve dhe shërbimeve në një kamp skautistësh në Strugë

Kampi i Skautistëve Krste-Jon mund të gjendet në një zonë të mrekullueshme: pranë pyjeve dhe plazhit të liqenit të Ohrit. Gjithashtu, ndodhet afër qendrës së qytetit të Strugës. Kampi i skautistëve u hap në vitet ‘70 me një infrastrukturë shumë të thjeshtë dhe investimi i parë shtesë u bë vetëm në vitin 2003, kur bashkia financoi ndërtimin e godinës së parë prej betoni me tetë dhoma.

“Kishim probleme madhore me infrastrukturën: nuk kishim tualete, ujë të ngrohtë apo ndriçim.”

Marjan Glavinceski është drejtuesi i organizatës së shoqërisë civile Krste-Jon Struga, që menaxhon kampin. Ai shpjegon se pavarësisht mjedisit të mrekullueshëm ku ndodhet kampi, për turistët nuk ishte edhe aq tërheqës. “Kishim probleme madhore me infrastrukturën: nuk kishim tualete, ujë të ngrohtë apo ndriçim.”

Fatmirësisht, tre vjet më parë u hapën mundësi të reja për këtë kamp skautistësh, kur stafi i menaxhimit të kampit vendosi të kërkonte mbështetje për të përmirësuar kushtet e tij. Këtë mbështetje e morën nga Bashkimi Evropian dhe së bashku, e shndërruan kampin në një nga vendet më tërheqëse në Ballkanin Perëndimor.

Projekti ‘Local and Regional Competitiveness’, i financuar nga BE-ja, e mbështeti kampin për të përmirësuar infrastrukturën e tij fizike, si dhe për të krijuar atraksione të reja për vizitorët. Deri më sot, kampi ka ndërtuar shtatë shtëpiza të ngritura mbi këmbalecë, zgjeruar godinën aktuale dhe përmirësuar infrastrukturën e sheshit të tendave. Si rezultat, kampi tani mund të strehojë deri në 200 vizitorë njëherazi, duke u siguruar tualete të përshtatshme e ujë të ngrohtë.

Projekti gjithashtu nisi shërbime të reja turizmi aventuresk, duke përfshirë këtu zhytje me skafandra, ture çiklistike e marshimi në këmbë dhe lundrim me kajak. Projekti ndihmoi me blerjen e pajisjeve për këto atraksione dhe mbështeti trajnimin e instruktorëve. “Tani mund t’i mbajmë vizitorët të zënë gjatë qëndrimit të tyre: nëse qëndrojnë për pesë ditë, çdo ditë do të kenë rastin të bëjnë diçka ndryshe. Zhytja me skafandra në liqenin e Ohrit është atraksioni më i kërkuar nga vizitorët për momentin,” thotë Marjani.

“Mbështetja nga BE-ja ishte thelbësore. Ne jemi një organizatë e vogël që funksionon brenda zonës dhe nuk kishim potencial për t’u zgjeruar pa këtë mbështetje.”

Lidhur me projektin

‘Local and Regional Competitiveness Project’ (LRCP) është një projekt investimi katër-vjeçar, i financuar nga një grant i Bashkimit Evropian (Instrument for Pre-Accession Assistance – IPA II). Projekti ofron një qasje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e turizmit dhe menaxhimin e destinacionit. Do të dhurojë fonde investimi dhe do të rrisë kapacitetin për të mbështetur fuqizimin e sektorit, investimet për destinacione dhe mirëqenien e destinacionit specifik. Objektivi i LRCP-së është të rrisë kontributin e turizmit për zhvillimin ekonomik të zonës dhe kapacitetin e qeverisë dhe institucioneve publike për të nxitur zhvillimin e turizmit dhe lehtësuar menaxhimin e destinacioneve.

Marjani shpjegon se për shkak të projektit, numri i vizitorëve është rritur mjaft dhe vitin e shkuar, numri i vizitorëve të huaj ishte më i lartë se i atyre nga Maqedonia. “Mbështetja nga BE-ja ishte thelbësore. Ne jemi një organizatë e vogël që funksionon brenda zonës dhe nuk kishim potencial për t’u zgjeruar pa këtë mbështetje,” thotë Marjani.

Kampi i investoi fitimet e vitit të shkuar për përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe, në të ardhmen, ka në plan të prezantojë atraksione të reja si fluturimi me deltaplan. “Duam të zhvillohemi më tej dhe të bëhemi një element i rëndësishëm në tregun e turizmit aventuresk në Ballkanin Perëndimor,” thotë Marjani.

Aplikacioni Bebbo, një instrument online për prindërit në Mal të Zi

Një aplikacion online që jep këshilla të besueshme prindërimi, tanimë ofrohet falas për të gjitha familjet në Mal të Zi.

Maja Miranović-i është nëna e një vajze pesë-vjeçare dhe si të gjithë prindërit, është e interesuar për metodat më të mira të prindërimit pozitiv, duke përfshirë këtu shëndetin, sigurinë, zhvillimin dhe të nxënin e së bijës. Sidoqoftë, nuk është gjithmonë e lehtë të gjesh këshilla të besueshme prindërimi, për arsye se ka shumë burime zyrtare dhe jozyrtare informacioni. Që prej shkurtit të këtij viti, Maja e ka përdorur aplikacionin për celular Bebbo për t’iu përgjigjur shumicës së pyetjeve kryesore që ka për prindërimin pozitiv.

“Duke qenë se jetojmë në një epokë ku komunikohet me anë të internetit dhe përdorimi i rrjeteve sociale po rritet, kemi prirjen të bombardohemi me informacione dhe këshilla që vijnë nga burime të shumëllojshme, prandaj nuk e verifikojmë dot menjëherë besueshmërinë e disa prej këtyre informacioneve. Aplikacioni Bebbo më kursen kohë dhe energji, sepse gjithçka që gjej në të, vjen nga një institucion i besuar, kështu që ua rekomandoj të gjithë prindërve që njoh,” thotë Maja.

Aplikacioni Bebbo është një instrument online falas që doli në shkurt të këtij viti dhe Maja ishte pjesë e një grupi testimi prindërish, që e provuan ‘Bebbo-n’ dhe dhanë sugjerimet e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të aplikacionit. Që në momentin kur doli aplikacioni, Maja e ka përdorur rregullisht dhe ua ka rekomanduar prindërve të tjerë. Ajo i quan këshillat dhe artikujt në aplikacionin Bebbo ‘konkrete, koncize, të verifikuara dhe të besueshme.’ “Shumë prej ‘lojërave të mprehtësisë’, të sugjeruara për një moshë të caktuar, jo vetëm që na e bënë kohën më të këndshme dhe e argëtuan time bijë, por gjithashtu më bënë të kuptoj se fëmija im është i aftë të mendojë në një mënyrë që nuk e kisha vënë re deri në atë moment,” thotë Maja.

“Aplikacioni është shkarkuar më shumë se 7,800 herë në Mal të Zi. Prindërit e kanë vlerësuar mesatarisht 4.53 nga 5. Këto të dhëna dëshmojnë që prindërit janë të kënaqur nga aplikacioni, por sidoqoftë, ne planifikojmë ta pasurojmë vazhdimisht Bebbo-n me përmbajtje të reja dhe të përpiqemi ta bëjmë të dobishëm për sa më shumë prindër dhe profesionistë të jetë e mundur.”

Prindërimi profesional, i përmbledhur në një aplikacion

Aplikacioni Bebbo u zhvillua dhe u nxor nga ‘Zyra Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore’ e UNICEF-it, me kontributin e Bashkimit Evropian. Aplikacioni është modeluar për të ndihmuar prindërit e fëmijëve nën moshën gjashtë vjeç me këshilla të thjeshta rreth tematikave si ushqyerja me gji, ndërprerja e ushqimit me gji, shëndeti, të ushqyerit, imunizimi, të mësuarit, lodrat dhe lojërat për fëmijë, piketat zhvillimore dhe prindërimi pozitiv. Mjetet e dobishme dhe interaktive ndihmojnë shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve. Ida Ferdinandi, Zyrtare e UNICEF-it për Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme në Mal të Zi, shpjegon se janë shumë të kënaqur me rezultatet dhe përgjigjet e deritanishme të prindërve. “Aplikacioni është shkarkuar më shumë se 7,800 herë në Mal të Zi. Prindërit e kanë vlerësuar mesatarisht 4.53 nga 5. Këto të dhëna dëshmojnë që prindërit janë të kënaqur nga aplikacioni, por sidoqoftë, ne planifikojmë ta pasurojmë vazhdimisht Bebbo-n me përmbajtje të reja dhe të përpiqemi ta bëjmë të dobishëm për sa më shumë prindër dhe profesionistë të jetë e mundur,” thotë Ida.

Ida shpjegon më tej se e gjithë përmbajtja është zhvilluar dhe shpallur e vlefshme nga ekspertë të zhvillimit në fëmijërinë e hershme dhe një ekip i madh profesionistësh, duke përfshirë këtu zhvillues, ekspertë të psikologjisë së fëmijëve dhe praktikantë. Për më tepër, zyra e UNICEF-it në Mal të Zi punoi për përshtatjen e aplikacionit me nevojat specifike të vendit.

“Na u desh ta përshtatnim përmbajtjen me kontekstin tonë, kështu që lidhëm partneritet me Institutin e Shëndetit Publik, që verifikoi dhe redaktoi disa artikuj, si dhe krijoi përmbajtje të re. Për shembull, përshtatëm kalendarin e vaksinimit, i cili është shumë ndryshe nga ai i shteteve të tjera, agjendën e pediatrisë, shërbimet shëndetësore të vëna në dispozicion dhe informacionet rreth numrave të telefonit dhe linjave telefonike. Na u desh t’i përshtateshim situatës, në mënyrë që njerëzit në Mal të Zi të mund të përfitojnë shërbime të plota nga aplikacioni Bebbo,” thotë Ida.

“Mbështetja financiare nga BE-ja ishte e dobishme si për zhvillimin e aplikacionit në nivel rajonal, ashtu edhe për prezantimin e Bebbo-s në nivel vendor. Aplikacioni është modeluar mjeshtërisht, me shumë veçori që plotësojnë nevojat e ndryshme që mund të kenë prindërit. Për të gjithë procesin, u nevojitën muaj të tërë pune të palodhur nga një ekip shumë i madh profesionistësh. Për përshtatjen vendore të aplikacionit, përdorëm burime nga projekti “EU and UNICEF for Early Childhood Development in Montenegro”.

Lidhur me projektin

Aplikacioni i prindërimit u zhvillua nga UNICEF-i. Projekti “Mitigating the impact of COVID-19 on children and families in the Western Balkans and Turkey”, i financuar nga BE-ja, nxiti zhvillimin e disa veçorive shtesë dhe përmirësimeve të aplikacionit, si dhe inkurajoi ndihmën teknike të vazhdueshme për zyrat e shtetit në Ballkanin Perëndimor, gjatë fazës së përshtatjes. UNICEF-i dhe ‘European Commission Directorate-General for Neighbourhood and Enlargement Negotiations’ nisi projektin në vitin 2021. Synon të fuqizojë shëndetin kombëtar, arsimin, zhvillimin e fëmijërisë së hershme dhe sistemet e mbrojtjes së fëmijëve, për të siguruar ofrimin e shërbimeve themelore për fëmijët vulnerabël dhe familjet e tyre, si përgjigje e menjëhershme dhe afatgjatë e rimëkëmbjes nga COVID-19-a. Në Malin e Zi, përshtatja e aplikacionit u financua nëpërmjet projektit “EU and UNICEF for Early Childhood Development in Montenegro,” (2020-2023).

Sipas Idës, zhvillimi i aplikacionit ishte shumë i vështirë, për sa i përket fondeve dhe ekspertizës. “Mbështetja financiare nga BE-ja ishte e dobishme si për zhvillimin e aplikacionit në nivel rajonal, ashtu edhe për prezantimin e Bebbo-s në nivel vendor. Aplikacioni është modeluar mjeshtërisht, me shumë veçori që plotësojnë nevojat e ndryshme që mund të kenë prindërit. Për të gjithë procesin, u nevojitën muaj të tërë pune të palodhur nga një ekip shumë i madh profesionistësh. Për përshtatjen vendore të aplikacionit, përdorëm burime nga projekti “EU and UNICEF for Early Childhood Development in Montenegro,” thotë Ida.

Ajo shpjegon se Instituti i Shëndetit Publik po mendon të marrë përsipër menaxhimin afatgjatë të aplikacionit. Ndërkohë, UNICEF-i dhe Instituti i Shëndetit Publik po krijojnë përmbajtje të re dhe po e publikojnë në aplikacion.

Promovimi i të drejtave të njeriut në një mjedis tradicional

Një organizatë në Shqipëri po ndihmon promovimin e të drejtave të njeriut dhe vullnetarizmit rinor, me mbështetjen e një projekti të financuar nga BE-ja.

Bashkia e Dibrës ndodhet në një rajon malor, në brigjet e lumit të Drinit të Zi, në verilindje të Shqipërisë, pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut. Dibra është prekur ndjeshëm nga emigracioni, veçanërisht ai i të rinjve, që thonë se nuk mund të gjejnë punë në Dibër. Sidoqoftë, një organizatë lokale joqeveritare, Local Action Group (LAG), ka vite që punon për ta bërë vendin më interesant për të rinjtë, duke u ofruar një mundësi për të dhënë kontributin e tyre për shoqërinë dhe për të qenë më aktivë.

Erblina është një 21-vjeçare nga Dibra, që aktualisht po studion për mjekësi në Tiranë. Ajo ka qenë pjesë e Local Action Group që në moshën 16 vjeç dhe akoma vazhdon të kontribuojë kur vjen në shtëpi për pushime. Ajo shpjegon se ka qenë aktiviste që në klasën e nëntë. ”Kam përfituar shumë nga vullnetarizmi: më ka ndihmuar të bëhem kjo që jam sot. Kur ofron ndihmë dhe sheh se kontributi yt jep rezultate, ndihesh shumë mirë,” thotë ajo.

“Vendosëm që duhej të bënim diçka për të mbushur zbrazëtinë, nëpërmjet mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut.”

Rritja e kapacitetit për të nxitur veprimtarinë brenda zonës

Local Action Group u themelua në vitin 2016. Në atë kohë, Kimetja punonte si mësuese dhe njëkohësisht për Kryqin e Kuq Ndërkombëtar. Ajo shpjegon se Dibra është një ndër rajonet më të varfra të Shqipërisë, ku, përveç varfërisë, ka edhe probleme me mentalitetin tradicional, që ndikon te të drejtat e njeriut. Ajo vuri re se nuk po bëheshin shumë përpjekje për ta trajtuar këtë problem. “Vendosëm që duhej të bënim diçka për të mbushur zbrazëtinë, nëpërmjet mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut,” thotë ajo.

Duke qenë se përfaqësonin një organizatë lokale në një zonë të thellë, Kimetja dhe miqtë e saj nuk kishin përvojën e duhur për të drejtuar një OJQ apo mundësi për të fituar aftësitë e nevojshme. Fatmirësisht, atyre iu dha një mundësi nga projekti ‘Technical Assistance to Civil Society Organisations’ (TACSO), i financuar nga BE-ja, misioni i të cilit është të rrisë kapacitetet dhe të fuqizojë rolin e organizatave të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor.

Me njohuritë e fituara nëpërmjet TACSO-s, LAG-u ka arritur të zbatojë dhe të japë kontributin e tij për komunitetin, nëpërmjet projekteve që përqendrohen te të drejtat e njeriut dhe tematika të tjera. Projekti i tyre i parë, që përqendrohej te parandalimi i dhunës në familje dhe që gjithashtu ishte financuar nga BE-ja, ishte një ndër më të rëndësishmit për Kimeten. Ajo shpjegon se, meqenëse Dibra është një rajon tepër tradicional, gratë ngurronin të flisnin hapur rreth rasteve të dhunës familjare dhe abuzimit nga burrat në familjet e tyre. “Gratë në zonat rurale e kanë shumë të vështirë të flasin hapur për dhunën apo të kërkojnë ndihmë. Fakti që përfaqësonim një organizatë lokale na ndihmoi shumë për këtë aspekt, pasi pranoheshim më lehtë në ambientet familjare, bënim vizita nga shtëpia në shtëpi, flisnim me shumë gra vulnerabël dhe i përkrahnim ato në mënyra të ndryshme.

“Projekti EU TACSO na është gjendur pranë që ditën e parë dhe ka qenë çelësi i suksesit tonë.”

Lidhur me projektin

‘Technical Assistance to Civil Society Organisations in the Western Balkans and Turkey’ (TACSO) është një projekt rajonal, i financuar nga BE-ja, që rrit kapacitetet dhe fuqizon rolin e organizatave të shoqërisë civile (OShC-ve). Projekti ndihmon OShC-të të marrin pjesë në mënyrë aktive në proceset demokratike në rajon dhe gjithashtu krijon një mjedis të sigurt për shoqërinë civile dhe zhvillimin e pluralizmit të medias.

Projekti po zhvillohet në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbi dhe Turqi. TACSO-ja është pjesë e ‘Civil Society Facility EU mechanism’, që ofron mbështetje për OShC-të në vendet që nuk janë bërë akoma pjesë e BE-së. OShC-të luajnë një rol të rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe shihen si pjesëmarrësit kryesorë që mbështesin procesin e aderimit të vendit të tyre.

 

Për Kimeten, suksesi më i madh i organizatës mund të jetë përfshirja e të rinjve në aktivitetet e tyre. Organizata ka aktualisht mbi 300 vullnetarë aktivë që japin kontribut rregullisht. “Dibra nuk ka organizata rinore apo përfaqësim të rinisë në nivel vendor. Duke i përfshirë në aktivitetet e organizatës sonë, u dhamë mundësinë të ndihmojnë të tjerët, por edhe të shprehen,” thotë Kimetja.

Sidoqoftë, Kimetja thekson se pa mbështetjen e TACSO-s, nuk do të ishte realizuar mbase asnjë prej këtyre projekteve. TACSO-ja e trajnoi ekipin e saj në mënyra të ndryshme, duke përfshirë këtu shkrimin e propozimeve të projekteve, menaxhimin financiar të projekteve, metodat më të mira për të përdorur vullnetarët, teknikat e komunikimit të mbulimit digjital dhe shumë aftësi të tjera. Ajo thotë:- “Projekti EU TACSO na është gjendur pranë që në ditën e parë dhe ka qenë çelësi i suksesit tonë.”

Ushqim i shëndetshëm dhe me çmim të përballueshëm për të rinjtë

Një projekt i BE-së mbështet shkollat e mesme profesionale që të prodhojnë ushqim të shëndetshëm dhe pa alergjenë.

Obeziteti është një fenomen që po shtohet gjithmonë e më shumë te rinia e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë. Sipas artikujve shkencorë, të publikuara në të dyja vendet, gati 15% e të rinjve vuajnë nga obeziteti dhe mbi 35% e tyre ndodhen në një gjendje ‘para-obeziteti’. Nga ana tjetër, deri në 10% e popullsisë nuk toleron ushqime të caktuara dhe shfaq reaksione alergjike që dëmtojnë shëndetin. Studimi shkencor doli në përfundimin se shkaku kryesor i këtyre të fundit është konsumi në rritje i ushqimeve të yndyrshme, prandaj anëtarët e organizatës jo-qeveritare Limitless Association nga Serbia kanë marrë përsipër të kontribuojnë për përmirësimin e kësaj situate.

Së bashku me dy shkolla të mesme profesionale të qyteteve ndërkufitare të Rumës në Serbi dhe Zvornikut në Bosnjë dhe Hercegovinë, Limitless Association ka nisur një projekt që synon nxitjen e punësimit të të rinjve në zonën ndërkufitare, duke ofruar produkte të reja ushqimore. Krahas punësimit, projekti gjithashtu synon të krijojë një shumëllojshmëri ushqimesh të shëndetshme dhe të sigurta për të rinjtë dhe grupet vulnerabël, me çmime të përballueshme dhe brenda mundësive të tyre.

“Fatkeqësisht, në zonën ndërkufitare, ushqimi i shëndetshëm dhe pa alergjenë thuajse nuk ekziston, kështu që na u desh të merrnim masa.”

Aventura të reja, plot me vlera ushqyese

Jovan Jovanović-i është menaxheri i projektit te Limitless Association. Ai shpjegon se patën idenë të kombinonin objektivin e rritjes së punësimit për të rinjtë e rajonit ndërkufitar me misionin për të ofruar ushqim të shëndetshëm për rininë, veçanërisht për të rinjtë e grupeve vulnerabël që përballen me sfida financiare. “Fatkeqësisht, në zonën ndërkufitare, ushqimi i shëndetshëm dhe pa alergjenë thuajse nuk ekziston, kështu që na u desh të merrnim masa.”

Shkolla e Mesme Profesionale “Branko Radičević” nga Ruma dhe Shkolla e Mesme Profesionale “Petar Kočić” nga Zvorniku janë të dyja pjesë e projektit dhe ofrojnë trajnime kateringu, si dhe një përvojë të fituar prej dekadash në punën me të rinjtë. Pavarësisht kësaj, u mungojnë pajisjet dhe ekspertiza më e fundit për t’u mësuar nxënësve si të përgatisin ushqim të shëndetshëm. Fillimisht, projekti i ndihmoi të rinovonin kuzhinat e tyre, duke i pajisur me aparatura bashkëkohore. Më pas, projekti nisi dy programe trajnimi dhe ndihme profesionale rreth ushqyerjes së shëndetshme dhe ushqimeve pa alergjenë, si për mësuesit, ashtu dhe për nxënësit.

Ushqimi i shëndetshëm, i prodhuar në shkolla nga nxënësit, do të ofrohet në restorantet e shkollave me çmime të përballueshme. Jovani shpjegon se këto restorante do të regjistrohen si ndërmarrje sociale, gjë që do të sigurojë edhe qëndrueshmërinë e tyre. Restorantet do të jenë jofitimprurëse, por, me të ardhurat që do të nxjerrin, do të jenë në gjendje të blejnë lëndë të para cilësore për përgatitjen e ushqimit. Njëkohësisht, nxënësit do të fitojnë mjaft përvojë, kështu që, kur të diplomohen, do të jenë të përgatitur për tregun e punës.

“Mbështetja nga BE-ja ishte thelbësore për marrjen përsipër të këtij projekti, duke qenë se asnjëra prej shkollave apo qeverive vendore nuk do të kishte arritur ta vinte atë në zbatim me mënyra të tjera.”

Lidhur me projektin

“Healthy and safe gastronomic products as potential for new employment”, e financuar nga BE-ja, është mbështetur si pjesë e Cross-border Programme Serbia – Bosnia and Herzegovina 2014- 2020, për alokimet e Instrument for Pre-accession Assistance (IPA II), për vitet 2016, 2017 dhe 2018. Projekti filloi në maj 2022 dhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2022.

Limitless Association ka vënë re mungesën e ushqimit organik, të shëndetshëm dhe pa alergjenë në shkollat në rajonin ndërkufitar, prandaj projekti do të marrë përsipër edhe aktivitete që promovojnë njohuritë specifike të të diplomuarve nga këto shkolla në tregun e punës. Projekti do të nxjerrë një portal uebi të tregut për hotelierët, që do t’u mundësojë punonjësve të lidhen drejtpërdrejt me nxënës të kualifikuar, ekspertiza e të cilëve do të garantohet nga shkolla.

Ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian me mbi 250,000 euro. Jovani shpjegon se asgjë prej këtyre nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e BE-së. “Mbështetja nga BE-ja ishte thelbësore për marrjen përsipër të këtij projekti, duke qenë se asnjëra prej shkollave apo qeverive vendore nuk do të kishte arritur ta vinte atë në zbatim me mënyra të tjera,” thotë ai. Ai shpreson se aktivitetet e marra përsipër si pjesë e projektit do të shërbejnë si shembull për shkollat në qytetet e tjera të Serbisë dhe se qeveria do t’i përdorë këto shembuj për ta shumëfishuar këtë projekt.

Të përforcojmë bashkëpunimin me shoqërinë civile

Qeveritë vendore në Shqipëri po rrisin kapacitetin e tyre për të menaxhuar bashkëpunimin me shoqërinë civile, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Raporti i Komisionit Evropian për ecurinë e Shqipërisë gjatë vitit 2016 tregoi se qeverisë vendore i mungonte kapaciteti i mjaftueshëm për të siguruar bashkëpunimin e duhur apo financimin e shoqërisë civile. Raporti vuri në dukje nevojën për ndryshimet e duhura strukturore administrative dhe ligjore, si dhe për kapacitete më të mëdha njerëzore për të siguruar një mjedis më të mirë për bashkëpunimin ndërmjet shoqërisë civile dhe qeverisë vendore.

Stela Mardusha ka punuar prej tetë vitesh si specialiste në Departamentin e Integrimit Evropian, në Bashkinë e Shkodrës. Ajo përshkruan vështirësitë që kishte dikur bashkia për disbursimin e fondeve dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile. “Nuk kishim ndonjë metodologji specifike për bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile (CSO-të). Kjo na e bënte të vështirë të synonim projektet e CSO-ve, me prioritete dhe rezultate të përcaktuara qartë,” thotë Stela.

‘Regional Programme on Local Democracy in the Western Balkans’ (ReLOaD) është një nismë rajonale, e financuar nga Bashkimi Evropian dhe e vënë në zbatim nga UNDP-ja në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në vitin 2017, ReLOaD-i në Shqipëri u bëri thirrje bashkive të aplikonin për t’u bërë pjesë e programit mbështetës, që synonte t’i ndihmonte të rritnin efikasitetin e kapacitetit administrativ dhe njerëzor për bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile. Bashkia e Shkodrës ishte një ndër 35 bashkitë që aplikuan dhe ndër 12 bashkitë që përfituan mbështetje.

“Ka një mal me punë për të bërë, por në fund, gjithçka ia vlen, sepse ofron një mundësi për të punuar nga afër me shoqërinë civile.”

Për Stelën, risia kryesore dhe më e rëndësishme e prezantuar nga programi ishte metodologjia LOD dhe manuali që u miratua nga Këshilli i Bashkisë, në fillim të bashkëpunimit me programin ReLOaD. “LOD” është akronimi për ‘Local Democracy’ dhe është një instrument në përputhje me rregullat e BE-së për financimin e veprimtarive të jashtme dhe garantimin e një procedure të hapur, mundësive të barabarta për të gjithë kandidatët, qartësisë dhe transparencës. Manuali fillon me caktimin e prioriteteve dhe përfshin bërjen e thirrjes, menaxhimin e projektit, vënien në zbatim dhe vëzhgimin e ecurisë. “Ka një mal me punë për të bërë, por në fund, gjithçka ia vlen, sepse ofron një mundësi për të punuar nga afër me shoqërinë civile,” thotë Stela.

Fuqizimi i burimeve njerëzore për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve

Rritja e kapacitetit të stafit të bashkive partnere dhe CSO-ve në zonën e ciklit të menaxhimit të projekteve ishte një ndër shtyllat themelore të programit ReLOaD. Krahas prezantimit të metodologjisë LOD, programi mbështeti edhe bashkitë partnere që të trajnonin stafin e tyre për zbatimin e metodologjisë. Trajnimi përfshiu njohuri teknike për hartimin e raporteve dhe buxheteve, si dhe zbatimin e monitorimin e projekteve, duke u bazuar te standardet e Bashkimit Evropian dhe aftësi të tjera të nevojshme. Stela thotë se ky trajnim, jo vetëm që e solli më pranë organizatave të shoqërisë civile, por edhe e ndihmoi të formonte praktika të mira pune.

Bashkitë e Shkodrës dhe Tiranës u përshtatën shumë shpejt, zbatuan me sukses metodologjinë LOD dhe tani luajnë rolin e mentorit për bashkitë e reja partnere.

“Pas një përvoje pesë-vjeçare, u bëj thirrje kolegëve të mi që të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur nga mundësia që ofron ReLOaD-i . Për administratën, është një mundësi e shkëlqyer të nxëni: është një kurs afatgjatë, përfituesit prej të cilit janë administratat lokale, organizatat e shoqërisë civile dhe vetë shoqëria.”

Lidhur me projektin

‘Regional Programme on Local Democracy in the Western Balkans’ (ReLOaD) është një nismë rajonale, e financuar nga Bashkimi Evropian dhe e vënë në zbatim nga UNDP-ja. Programi synon të konsolidojë demokracitë pjesëmarrëse dhe procesin e integrimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, duke nxitur shoqërinë civile të marrë pjesë në mënyrë aktive në vendimmarrje dhe duke ndërtuar një mjedis të sigurt ligjor dhe financiar për shoqërinë civile dhe pluralizmin e medias. Gjithashtu, punon për të përforcuar partneritetet ndërmjet qeverive vendore dhe shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor, duke përmirësuar një model të suksesshëm financimi të organizatës së shoqërisë civile, që është transparent, bazohet te projekti dhe buron nga buxhetet e qeverisë vendore drejt një përfshirjeje më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje dhe në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve lokale.

Gjatë tre viteve të para, programi ReLOaD siguroi fonde edhe për organizatat lokale joqeveritare. Më shumë se 5,000 qytetarë shkodranë përfituan nga nismat që promovojnë gjithëpërfshirjen sociale, fuqizimin e grave, turizmin, kulturën dhe rininë. Kjo skemë grantesh u dha mundësinë edhe zyrtarëve të bashkisë të vinin në zbatim metodologjinë LOD dhe njohuritë e fituara gjatë trajnimit.

Stela thotë se ka mësuar shumë gjëra nga ky rrugëtim i suksesshëm dhe se është gati t’i ndajë ato me kolegët e saj në bashkitë e tjera partnere ReLOaD, që janë bërë pjesë e tij në vitin 2021. “Pas një përvoje pesë-vjeçare, u bëj thirrje kolegëve të mi që të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur nga mundësia që ofron ReLOaD-i.  Për administratën, është një mundësi e shkëlqyer të nxëni: është një kurs afatgjatë, përfituesit prej të cilit janë administratat lokale, organizatat e shoqërisë civile dhe vetë shoqëria,” thotë Stela.

Sipërmarrësit e rinj në lulëzim zhvillojnë aftësi përtej kufijve

Gjimnazistët e zonës së kufirit ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut rrisin mundësitë për karrierë me përkrahjen e BE-së.

Marina Djorić sapo është diplomuar në shkollën e mesme të ekonomisë dhe tregtisë në Vranjë, Serbi. Ndër opsionet e shumta të studimit, ajo zgjodhi turizmin. “Që nga viti i parë e në vazhdim, kuptova se ky ishte profesioni i së ardhmes që po më thërriste,” thotë Marina. Gjatë studimeve të tyre për turizmin, Marina dhe bashkëmoshatarët e saj mësuan për tema si menaxhimi i turizmit, marketingu dhe sipërmarrja, por, sidoqoftë, mungonte një element i rëndësishëm edukativ: një mundësi për t’i vënë këto aftësi në praktikë në jetën e përditshme. Kjo mundësi u ofrua nëpërmjet një projekti të financuar nga BE-ja gjatë vitit të fundit të studimeve, pikërisht në kohën kur Marinës dhe miqve të saj u nevojitej kjo përkrahje.

Një tjetër mangësi në dispozitat edukative ishin edhe pajisjet e vjetra IT të shkollës, të cilat nuk punonin siç duhet. Për këtë arsye, projekti gjithashtu e ndihmoi shkollën me pajisjet. Sidoqoftë, Marina thekson se përfitimi më i rëndësishëm për të ishte përvoja praktike e punës.

“Për shembull, ne kishim një punishte të përbashkët, kështu që nisëm një garë me nxënësit e shkollave të tjera, për të zhvilluar ide për bizneset start-up dhe për të paraqitur një propozim për biznes, si dhe një film të shkurtër rreth ideve tona.  Mua dhe një kolegut tim na erdhi një ide për një shitore ëmbëlsirash. Na u desh të bënim kërkime dhe të vizitonim shitoret e ëmbëlsirave të zonës për të kuptuar se si funksionojnë bizneset e tyre, për të identifikuar shembujt më të mirë dhe për t’i futur ato në propozimin tonë. Kjo na ndihmoi të kuptonim shumë më qartë se si funksionojnë idetë e zhvillimit të biznesit,” thotë Marina.

“Për shkak të mungesës së pajisjeve apo mundësive për përvojë praktike në shkolla, nxënësve iu desh të qëndronin edhe një vit apo më tepër pas diplomimit, që nëpërmjet internship-eve, të përmirësonin aftësitë e tyre para se të fillonin punë. Ne donim të jepnim kontributin tonë për ta kapërcyer këtë problem.”

Aftësitë praktike dhe njohuritë për një fillim më të mbarë në karrierë

Jovan Jovanović-i është menaxheri i projektit për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, të financuar nga BE-ja, me titullin “Qendrat për zhvillimin inovativ të sipërmarrjes sociale: perspektivat bashkëkohore për integrimin social të të rinjve”. Ideja e projektit u shfaq për të kapërcyer sfidat lidhur me mungesën e pajisjeve dhe mundësitë për punë praktike dhe internship-e për nxënësit e shkollës së mesme, të pranishme në të dyja anët e kufirit. “Për shkak të mungesës së pajisjeve apo mundësive për përvojë praktike në shkolla, nxënësit duhet të qëndronin edhe një vit apo më tepër pas diplomimit, që nëpërmjet internship-eve, të përmirësonin aftësitë e tyre para se të fillonin punë. Ne donim të jepnim kontributin tonë për ta kapërcyer këtë problem,” thotë Jovani.

Përveç shkollës së mesme në Vranjë, projekti mbulon edhe shkollën e mesme Pero Nakov në Kumanovë, në Maqedoninë e Veriut. Në të dyja shkollat, projekti i ka bazat në një qendër për zhvillimin inovativ të sipërmarrjes sociale. Ai i pajisi këto qendra me teknologji moderne, duke u ofruar kështu mësuesve trajnim shtesë për të nxënin rreth sipërmarrjes sociale dhe moderne. Projekti gjithashtu ofroi mbështetje specifike për profilet e edukimit ekonomik që mësoheshin në këto shkolla. Në të dyja shkollat, projekti nisi sipërmarrje sociale që mund të gjenerojnë të ardhura dhe njëkohësisht t’i ndihmojnë nxënësit të marrin përvojë të mjaftueshme praktike para se të diplomohen.

Për shembull, shkolla në Kumanovë ka një seksion për dizajn grafik, por nuk ka asnjë lloj printeri profesional, ku studentët të mund të shohin realizimin e veprave të tyre. Projekti e furnizoi këtë shkollë me makineri printimi që mund të printojnë edhe në filxhanë, tekstile apo materiale të tjera. Modelet e krijuara nga studentët tanimë do të printohen dhe do të nxirren në treg. Po ashtu, shkolla në Vranjë ka një seksion kulinarie, të cilin projekti e furnizoi me pajisje gatimi moderne e profesionale. Kjo shkollë do të nxjerrë së shpejti në treg edhe produktet e saj ushqimore të shijshme. “Seksione të tjera, si ai i shitjeve, i financave apo i reklamave do të jenë pjesë e këtyre sipërmarrjeve sociale, ku studentët do të mund t’i përdorin aftësitë e tyre në situata të jetës së përditshme dhe do të gjenerojnë të ardhura për shkollat,” thotë Jovani.

“Përkrahja nga BE-ja është thelbësore për sa i përket kontributit financiar por edhe për qëndrueshmërinë afatgjatë.”

Lidhur me projektin

Objektivi i përgjithshëm i projektit “Qendrat për zhvillimin inovativ të sipërmarrjes sociale: perspektivat bashkëkohore për integrimin social të të rinjve”, i financuar nga BE-ja, është të mbështesë të rinjtë me mundësi për t’i vënë idetë e tyre në praktikë dhe t’i nxisë që të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të nisin sipërmarrje sociale. Projekti synon ta përmbushë këtë qëllim nëpërmjet aktiviteteve, si ngritja e qendrave për sipërmarrjen në shkolla, trajnimi i mësuesve, vënia në zbatim e vizitave studimore të nxënësve dhe pajisja e shkollave me aparatura moderne. Vlera totale financiare e projektit arrin mbi 170,000 euro dhe financohet nëpërmjet Programit për Bashkëpunimin Ndërkufitar mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut (IPA).

Së fundmi, projekti do të nxjerrë një platformë uebi, ku, përveç studentëve, do të përfitojnë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të). Portali do të përfshijë baza të dhënash nga NVM-të e rajonit, ku do të jenë në gjendje të paraqesin produktet e tyre. Për më tepër, faqja do të ketë një hapësirë, ku nxënësit do të mund të prezantojnë veten dhe aftësitë e tyre nëpërmjet videove të shkurtra. “Në këtë mënyrë, do të jemi në gjendje të nxisim bashkëpunimin ekonomik në rajonin ndër-kufitar dhe njëkohësisht të rrisim mundësitë për punësimin e nxënësve,” thotë Jovani.

Jovani thotë se mbështetja financiare nga BE-ja ishte hapi thelbësor për sjelljen e këtij projekti në jetë, duke qenë se, zakonisht, këto shkolla marrin fonde nga qeveritë përkatëse vetëm për nevoja emergjente, të tilla si rregullimi i çative që pikojnë. Ai shton se, vetë fakti që projekti përkrahet nga BE-ja, ndihmon për qëndrueshmërinë e tij – ‘vula aprovuese’ e financimit të BE-së jep një lloj garancie që projekti bazohet mbi analiza të detajuara dhe standarde të larta, gjë që nënkupton se autoritetet vendore, qendrore dhe organizatat e tjera e marrin projektin më seriozisht.

“Përkrahja nga BE-ja është thelbësore për sa i përket kontributit financiar, por edhe për qëndrueshmërinë afatgjatë,” thotë Jovani.

Prodhimi i ushqimeve të lehta me energji diellore

Një kompani nga BH-ja ka fituar pavarësi energjitike thuajse të plotë duke instaluar panele diellore me mbështetjen e BE-së.

Kompania Voćar nga Brčko u themelua mbi 30 vjet më parë. Në gjuhën boshnjake, emri i kompanisë do të thotë “kultivues frutash” dhe farat e kompanisë u mbollën nga Avdo Musić-i shumë dekada më parë. Ai ishte një ndër prodhuesit më me famë të kumbullave në rajon dhe shiste kumbulla natyrale dhe të thata në tregjet vendase. Në vitin 1989, kur Jugosllavia socialiste filloi të liberalizohej ekonomikisht dhe qytetarët lejoheshin të hapnin kompani private, djali i tij Meho vendosi ta çonte biznesin një hap më tej duke regjistruar dhe hapur zyrtarisht kompaninë Voćar. Voćar-i tanimë prodhon një gamë të gjerë ushqimesh të lehta, që nga vaferët e kokoshkat e deri tek gjalpi i kikirikut. Slogani i kompanisë është “Për një shije më të mirë jete!”.

Tani, kompania drejtohet nga nipi i Avdos, Esed Musić-i. Esedi shpjegon se rrugëtimi nga rritja e kumbullave deri tek prodhimi i ushqimeve të lehta ishte mjaft i vështirë. Si shumë familje të tjera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, edhe e tyrja humbi thuajse gjithçka dhe, kur mbaroi lufta, iu desh të niste çdo gjë nga fillimi. Pikërisht gjatë kohës që rinisën punën, u erdhi ideja të provonin të zgjeronin gamën e produkteve të tyre. “Në atë kohë nuk kishte thuajse fare prodhim në Bosnjë dhe Hercegovinë: gjithçka vinte nga jashtë shtetit. Papritmas, u krijua një treg i madh, kështu që vendosëm ta shfrytëzonim këtë mundësi dhe të përqendroheshim tek zëvendësimi i produkteve të importuara,” thotë Esedi.

“Po të kishim instaluar vetë një sistem panelesh diellore, do të kishim një barrë shumë të madhe financiare mbi supe. Mbështetja nga Bashkimi Evropian ishte vërtet thelbësore: na dha shtysën që na nevojitej për të vazhduar me planifikimin e punës tonë dhe zhvillimit afatgjatë.”

Pas luftës, Voćar-i nisi punën me pesë punonjës, ndërsa tani ka 60 punonjës me orar të plotë dhe shumë bashkëpunëtorë të jashtëm që përfitojnë nga bashkëpunimi me kompaninë. Pas 30 vjetësh, kompania prodhon mbi 100 produkte të ndryshme që u ofrohen klientëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe atyre në Shtetet e Bashkuara, Australi, shtetet e Bashkimit Evropian, etj.

Sidoqoftë, pandemia ndikoi tek operacionet e kompanisë njëlloj si tek ekonomia globale. Esedi thotë se gjatë krizës filluan të mendonin si të shkurtonin shpenzimet që të mund të ruanin qëndrueshmërinë financiare. Shpenzimi i parë që u erdhi ndërmend ishte fatura e energjisë elektrike, por çdo investim kishte kosto dhe nuk dukej shumë praktike tentimi i investimit në një kohë të atillë.

Megjithatë, në vitin 2021, me ndihmën e projektit EU4AGRI, të financuar nga BE-ja, një ëndërr e vjetër e parealizuar e kompanisë Voćar u bë realitet, duke qenë se arritën të investonin për një sistem panelesh diellore që u dha mundësinë të plotësonin rreth 65% të nevojave totale të energjisë elektrike. “Po të kishim instaluar vetë një sistem panelesh diellore, do të kishim një barrë shumë të madhe financiare mbi supe. Mbështetja nga Bashkimi Evropian ishte vërtet thelbësore: na dha shtysën që na nevojitej për të vazhduar me planifikimin e punës tonë dhe zhvillimit afatgjatë,” thotë Esedi.

“Produktet tona prodhohen me ndihmën e energjisë së gjelbër dhe për këtë jemi shumë krenarë.”

Lidhur me projektin

Projekti EU4AGRI është një nismë katër-vjeçare (2020-2024) që synon modernizimin e sektorit agro-ushqimor, hapjen e vendeve të reja të punës bashkë me ruajtjen e vendeve aktuale dhe mbështetjen e rimëkëmbjes nga kriza e COVID-19-ës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Vlera totale e projektit të financuar nga BE-ja është mbi 20.25 milion euro dhe është vënë në zbatim me bashkëpunimin dhe bashkë- financimin e Agjencisë Çeke të Zhvillimit dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në BH.

Deri më tani, projekti EU4AGRI ka mbështetur fermerët dhe ndërmarrjet e BH-së me 45 investime me vlerë rreth 5,5 milion euro, mbi 3,2 milion euro prej të cilave u financuan nga Bashkimi Evropian.

“U vendosën panele diellore në çatitë e godinave tona të prodhimit dhe magazinave, që ishin ideale për shkak tëvendndodhjes dhe formës së çative,” shpjegon Esedi. “Centrali ynë fotovoltaik zë një hapësirë prej 1000 m2 dhe prodhon 150 KW energji elektrike, gjë që na jep shumë dorë për pavarësinë tonë energjitike. Shpenzimet e ngritjes së centralit fotovoltaik arrinin rreth 83,000 euro, nga të cilat 54,000 euro u mundësuan nga projekti EU4AGRI dhe 29,000 euro nga Voćar-i.

Një vlerë tjetër e këtij projekti ishte reduktimi i emetimit të dioksidit të karbonit (CO2) me rreth 76%, duke ulur kështu edhe ndikimin negativ në mjedis. Siç thotë Esedi, “Produktet tona prodhohen me ndihmën e energjisë së gjelbër dhe për këtë jemi shumë krenarë.”

Rezultatet e deritanishme e kanë nxitur Voćar-in të plotësojë nevojat e energjisë elektrike ekskluzivisht nga burimet e ripërtërishme edhe në të ardhmen. Esedi shpjegon, “Kemi edhe çati të tjera të pashfrytëzura që plotësojnë kriteret për instalimin e një centrali fotovoltaik dhe duam të arrijmë 100%pavarësi energjitike. Në këtë mënyrë, do të mund të kontribuojmë edhe më tepër për mbrojtjen mjedisore”.