Skip to main content

Rikthimi i qëndisjes me ar

Sipërmarrja moderne e femrave dhe një mjeshtëri e lashtë malazeze po ndërthuren me mbështetjen e BE-së.

Qëndisja malazeze me ar është përdorur në kostumet tradicionale prej më shumë se tre shekujsh, por rrezikohej të harrohej krejtësisht për shkak të ndryshimeve të shijeve dhe të një ndërprerjeje në kalimin e mjeshtërisë nga brezat e vjetër tek ata më të rinj. Një arsye tjetër ishte sepse edhe kur njerëzit dëshironin sende të qëndisura me ar, zbukurimi me ar i kostumeve kombëtare apo këmishëve prej mëndafshi, të cilat edhe të pastolisura kishin shpenzime të mëdha, ishte shumë i shtrenjtë.  Sidoqoftë, kohët e fundit mjeshtëria është nxitur nga nisma e një organizate malazeze për shoqërinë civile dhe nga mbështetja e Bashkimit Evropian.

Biserka Raičević është rreth të gjashtëdhjetave dhe i përket një familje malazeze që ruan traditat, veçanërisht ato të lidhura me artizanatin. Edhe pse punoi si ekonomiste për pjesën më të madhe të jetës, ajo vazhdoi të praktikonte, gjatë kohës së lirë, edhe artizanatin tradicional që kishte mësuar gjatë viteve të vajzërisë.  Sidoqoftë, ajo nuk e kishte provuar kurrë më parë qëndisjen me ar, kulmin e traditës artizanale malazeze. Kjo gjë ndryshoi kur ajo iu bashkua punishtes së ngritur me mbështetjen e projektit ReLoAD, të financuar nga BE-ja.

“Qëndisja me ar kërkon shumë durim dhe mjeshtëri tepër të veçanta e të vështira.”

Ringjallja e metodave të harruara

Biserka shpjegon se dëgjoi për punishten nga bashkëshorti i saj, i cili e kishte parë lajmërimin në rrjetet sociale dhe duke e ditur dashurinë e saj për artizanatin, e nxiti drejt kësaj mundësie. Ajo nuk ishte e sigurt nëse duhet të aplikonte, duke qenë se qëndisja me ar është shumë e vështirë por edhe e shtrenjtë, për shkak të përdorimit të fijeve të arit. Sidoqoftë, e mori këtë vendim, e nxitur nga një ndjesi respekti dhe dashurie të madhe për traditën, edhe pse përvoja i mësoi që qëndisja me ar kërkon “shumë durim dhe një mjeshtëri tepër të veçantë e të vështirë”, sikurse thotë ajo.

Trajnimi u organizua nëpërmjet projektit të  financuar nga BE-ja “Ruajtja dhe zhvillimi i mjeshtërisë tradicionale malazeze – qëndisja me ar” dhe përfshiu gra të moshave dhe prejardhjeve të ndryshme sociale. Ekspertë më të vjetër të zejes punuan si trajnues për të transmetuar diturinë e tyre. Krahas trajnimit, projekti përfshiu gjithashtu edhe mbështetje për komunikimin dhe krijimin e një plani marketingu për të promovuar qëndisjen me ar, si dhe nxjerrjen në treg të një botimi që jep detaje për historinë dhe rëndësinë e kësaj mjeshtërie.

“Ky trajnim ishte frymëzim shumë i madh për mua. “

About the project

The “Preservation and development of the traditional Montenegrin craft – gold embroidery” project is implemented by the Institute for Entrepreneurship and Economic Development in cooperation with the Association of arts and crafts NIT. The project was supported by the Regional Programme for Local Democracy (ReLOaD), funded by the European Union and implemented by the United Nations Development Programme.

The project aims to promote Montenegrin gold embroidery through the development of a marketing plan, improving the economic and social status of women through sharing gold embroidery skills, and popularising gold embroidery through cooperation with fashion designers.

“Ky trajnim ishte frymëzim shumë i madh për mua.” thotë Biserka, dhe, me aftësitë që kishte fituar nga projekti, vendosi të hapte një biznes të vogël, për t’ua treguar dhe vënë në dispozicion sa më shumë njerëzve këto krijime të bukura. Dizenjot me qëndisma të arta janë thelbësore për shumicën e produkteve në biznesin e saj, RB Ethno Fashion Hand Made, përfshirë edhe sendet për përdorim të përditshëm, si çantat, shallet, apo maskat.

Përveç aktiviteteve të prodhimit dhe shitjeve, Biserka ka ngritur edhe punishte falas, ku ndihmon për transmetimin e kësaj mjeshtërie grave të tjera të komunitetit të saj. “Unë besoj se kjo traditë duhet të mbijetojë, prandaj interesohem që këtë metodë ta mësojnë sa më shumë të rinj,” thotë ajo.

Një grua në krye të zhvillimeve të shpejta të shërbimeve TIK në Kosovë

Zvogëlimi i hendekut digjital gjinor: përfaqësimi më i madh i femrave në TIK është thelbësor për këtë sektor të dominuar nga eksportet

Sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Kosovë po ndryshon me hapa të shpejtë, kryesisht për shkak të kërkesës gjithmonë e më në rritje dhe zgjidhjeve që po ofrojnë kompanitë. Nivelet e larta të përdorimit të internetit po japin rezultate për Kosovën, veçanërisht për rininë e saj dhe bizneset në zhvillim (TIK).

Në vitin 2021, Eurostat-i raportoi se 96% e grupmoshës 16-74 vjeç së popullsisë në Kosovë , kishte përdorur internetin në tre muajt në vazhdim, gjë që e rendit Kosovën ndër të parat në rajon për përdorimin e internetit, madje disa pikë më lart se mesatarja e Bashkimit Evropian. Ky kontekst është një parakusht për përparimin e transformimit digjital të shumë shërbimeve në shoqëri, por jo domosdoshmërisht vetëm në Kosovë. Shumë kompani të vendosura në kryeqytetin e Prishtinës po ofrojnë shërbime TIK në distancë për Evropën dhe Amerikën e Veriut. Në fakt, shumë prej tyre nuk kanë fare klientë vendas, një tipar ky që reflektohet te një studimi i Shoqatës së Informatikës STIKK,  që konfirmon faktin se mbi 90% e këtyre shërbimeve eksportohen.

“Më parë, TIK-u konsiderohej si punë burrash, por tanimë kjo gjë po ndryshon me ritme të shpejta.”

Zvogëlimi i hendekut digjital gjinor

Një efekt i rritjes të tij të mirëpritur është fakti që po ofron punësim për një shoqëri të goditur nga papunësia dhe se këto punë po ndalojnë emigrimin e të rinjve nga Kosova. Sektori po bëhet gjithmonë e më shumë gjithëpërfshirës.

Gratë po e gjejnë veten në qendër të sektorit, duke filluar që nga pozicionet teknike të zhvillimit e deri tek menaxhimi dhe politikë-bërja në TIK. Një shembull është edhe Iliriana Ibraj, e cila drejton sektorin e rritjes të biznesit të LinkPlus-it, një ndër kompanitë pionere, që eksporton shërbime prej thuajse një dekade.

“Më parë, TIK-u konsiderohej si punë burrash, por tanimë kjo gjë po ndryshon me ritme të shpejta,” thotë Ibraj, e cila shton se ndihet mirë në këtë sektor, nga ku mund të ofrojë një këndvështrim tjetër. Gratë përbëjnë më shumë se një të tretën e pesëdhjetë punëtorëve në biznesin e saj. “Numri në rritje i grave në TIK po ndryshon mentalitetin dhe stereotipat në vendin e punës, por edhe në lidhje me klientët, ku një pikëpamje që nuk vjen nga burrat mund të sjellë ndryshim.”

Mundësitë për të ndryshuar raportin e femrave që marrin pjesë në sektor fillojnë me edukimin, ku lëndët e STEM-it (Shkenca, Teknologjia, Energjia dhe Matematika) po rikthehen sërish si profesione që ofrojnë mundësi punësimi. Përveç universiteteve tradicionale, ekzistojnë edhe qendra inovacioni, nisma private dhe donatorë ndërkombëtarë që po sjellin sërish edukimin STEM te rinia. Një ndër to është edhe projekti i financuar nga BE-ja, që nxit konkurrencën e sektorit TIK në Kosovë dhe që ka trajnuar rreth 100 mësues dhe 1,000 studentë. Shumica e pjesëmarrësve janë certifikuar për zhvillimin e faqeve të internetit, sigurinë kibernetike dhe gjuhët e programuara, të cilat nevojiten për t’u punësuar në vendet e lira të punës në TIK.

Elementi tjetër i punës së projektit me sektorin është fuqizimi i lidhjeve me kompanitë me qendër në Bashkimin Evropian.

“Një nga strategjitë tona të rritjes vjen nga besimi se mund të zgjerohemi së bashku me partnerët e ardhshëm brenda BE-së.”

Lidhur me projektin

Qëllimi kryesor i projektit të Mbështetjes së BE-së për Konkurrencën e Sektorit të TIK-ut në Kosovë është të nxisë konkurrencën e bizneseve digjitale dhe tradicionale të Kosovës, duke ndihmuar zgjerimin e sektorit TIK të Kosovës që do të sjellë rritje dhe hapje vendesh të reja pune.

Projekti gjithashtu synon të jetë ura lidhëse midis aftësive të biznesit digjital dhe tradicional në një mënyrë të qëndrueshme që plotëson nevojat e tregut dhe nxit konkurrencën mes tregjeve digjitale dhe tradicionale të Kosovës, si dhe të rrisë eksportin e bizneseve të TIK-ut dhe bizneseve tradicionale në Kosovë, nëpërmjet përdorimit të TIK-ut.

TIK-u eliminon kufijtë

Shërbimet më popullore të eksportit të kompanive të vendosura në Kosovë përfshijnë konsultime rreth Teknologjisë së Informacionit, zhvillimin e dizajnit të faqeve të internetit, shërbimet celulare dhe e-tregtinë. LinkPlus ua ofron këto shërbime klientëve që operojnë brenda BE-së, por edhe atyre në tregjet e Amerikës së Veriut. E ardhmja e kompanisë, që po kërkon të bashkëpunojë me kompanitë e tjera që kohët e fundit kanë marrë pjesë në mbledhjet biznes-biznes, duket e sigurt.

“Një nga strategjitë tona të rritjes vjen nga besimi se mund të zgjerohemi së bashku me partnerët e ardhshëm brenda BE-së,” shpjegon ajo. “Kemi përcaktuar kontaktet fillestare, duke u përqendruar te sektorët ku jemi specializuar dhe tanimë zotërojmë më shumë njohuri për tregjet dhe pjesëmarrësit kryesorë.” Ajo thotë se është e kënaqur me prezantimet fillestare të mundësisë për investime në Kosovë, ku përfshin edhe rininë e Kosovës, klimën e të bërit biznes, afërsinë me vendet e BE-së, përdorimin e euros si monedhë dhe marrëdhëniet miqësore me klientët, të cilët i sheh si tiparet përcaktuese të shoqërisë së saj.

Ajo gjithashtu tha se angazhohet edhe për përmirësimin e pozicionit të grave, si mision personal, dhe se përdor nismën “DigiWomen”, ku është anëtareje bordi, si një platformë që bashkon gratë në Teknologjinë e Informacionit e që funksionon si model për t’u ndjekur. “Nëse duam të arrijmë barazinë gjinore, gjëja më e rëndësishme është të jemi shembulli i  frymëzimit të brezave të rinj: ndryshimi duhet të burojë nga ne në mënyrë që të përmirësohet shoqëria.”

Një recetë e vjetër djathi bie në duart e klientëve të rinj

Djathëbërësit nga Bosnia dhe Hercegovina shtojnë prodhimin e tyre dhe fuqinë punëtore me anë të mbështetjes së BE-së.

Kur Tomislav Puđa ishte 20 vjeç, babai i tij ndërroi jetë, kështu që ai mori përsipër të vijonte traditën familjare të bërjes së djathit. Familja Puđa është specialiste për prodhimin e djathit Livno, i cili është një djathë i fortë i bërë nga qumështi i lopës, i deles apo nga përzierja e të dyve. Djathi vjetrohet në mënyrë natyrale nën lëkurën e tij në një kallëp në formë rrote, për të paktën 60 ditë dhe merr një shije të theksuar, e cila mund të jetë paksa e hidhur. Receta u fut në rajonin e Livnos për të kënaqur shijet e fisnikërisë perandorake në kohën e sundimit Austro-Hungarez.

“Babai im gjithmonë e ka pasur ëndërr të zgjeronte biznesin dhe të kishte një baxho të vogël. Unë dhe vëllai im vendosëm ta bëjmë këtë ëndërr realitet.”

Nga një artizanat djathi në një ndërmarrje të madhe

Gjyshi dhe gjyshja e Tomislavit e prodhonin djathin në sasi të vogla në qilarin e tyre. Në vitet 1970, ata vendosën ta tregtonin këtë produkt dhe ta shisnin në rajonet turistike përgjatë bregut Adriatik. Edhe pse sasitë nuk ishin të mëdha, shitjet mjaftonin për të mbajtur familjen. Babai i Tomislavit e vazhdoi këtë traditë dhe Tomislavi e ndihmonte.

“Babai im gjithmonë e ka pasur ëndërr të zgjeronte biznesin dhe të kishte një baxho të vogël. Unë dhe vëllai im vendosëm ta bëjmë këtë ëndërr realitet”- thotë Tomislavi.

Baxhoja Puđa Eco Cheese u themelua në vitin 2003 dhe që atëherë, e ka zgjeruar aktivitetin. Sot, baxhoja prodhon mbi dhjetë lloje djathërash dhe ka fituar disa çmime ndërkombëtare për cilësi, ndër të cilat spikat një medalje ari nga Panairi Ndërkombëtar i Djathit i zhvilluar në Austri në vitin 2014.

Në vitin 2019, e shtyrë nga ideja e modernizimit të procesit të prodhimit dhe fuqizimit të pozicionit të baxhos në tregun vendas dhe të huaj, ndërmarrja Puđas iu përgjigj një thirrjeje publike për grante, të publikuar në projektin EU4Business, financuar nga BE-ja dhe qeveria gjermane dhe e vënë në zbatim nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe organizata gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar, GIZ. Falë projektit EU4Business, baxhoja i zëvendësoi fuçitë e vjetruara të djathit me të tjera, më të reja dhe moderne, mori makineri për prerje dhe peshim dhe rafte të reja në ambientet e vjetrimit dhe instaloi sisteme për ruajtjen e mikroklimës në baxho. Rikonstruksioni ka kontribuar gjithashtu për cilësinë e përgjithshme të procesit të prodhimit në baxho.

Vlera totale e këtij investimi shkon mbi 380,000 euro, nga të cilat, 150,000 euro u ofruan nga Bashkimi Evropian në formën e granteve. Pajisjet moderne kanë përmirësuar cilësinë dhe procesin e punës, kanë ulur shpenzimet e prodhimit dhe gjithashtu kanë kontribuar për rritjen e produktivitetit. “Teknologjia moderne ka minimizuar gabimet, gjë që është shumë e rëndësishme për sa i përket ruajtjes së cilësisë. Diçka që vumë re menjëherë ishte se pajisjet e reja e shfrytëzojnë më mirë qumështin, gjë që do të thotë se sot ne përftojmë më shumë djathë nga e njëjta sasi qumështi. Si rezultat, konkurrenca e tregut tonë është përmirësuar mjaft,”- thotë Tomislavi. Përmirësimet e arritura nëpërmjet projektit EU4Business krijojnë gjithashtu mundësi të tjera për zgjerimin e prodhimit dhe tregtimit të djathit jashtë kufijve të Bosnie dhe Hercegovinës.

“Njerëzit janë pasuria jonë më e madhe. Në sajë të makinerive të reja, punëtorët tanë kanë kushte më të mira pune dhe mund të punojnë më shpejt e më lehtë.”

Lidhur me projektin

EU4Business është një projekt i BE-së që synon të fuqizojë kapacitetin e Bosnies dhe Hercegovinës për rritjen ekonomike dhe punësimin, duke nxitur konkurrencën dhe risinë në sektorët e përzgjedhur. Ky projekt ka një buxhet prej 16.1 milion eurosh: 15 milion euro të financuara nga Bashkimi Evropian dhe 1.1 milion euro nga Republika Federale e Gjermanisë.

EU4Business është pjesë e Strategjive për Zhvillim Vendor – Vetëqeverisje Vendore dhe Zhvillim Ekonomik në Bosnie dhe Hercegovinë të Programit të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ).

Në baxho punojnë gjithsej rreth 40 persona, duke përfshirë këtu edhe shtatë të punësuar falë investimit të EU4Business. Punëtorët e rinj rritën nivelet e prodhimit, por siguruan edhe një cilësi më të mirë të kontrollit të produkteve. Siç thotë Tomislavi, “Njerëzit janë pasuria jonë më e madhe. Në sajë të makinerive të reja, punëtorët tanë kanë kushte më të mira pune dhe mund të punojnë më shpejt e më lehtë.

Më merr për dore

Me anë të mbështetjes së BE-së, një sipërmarrës fillestar ka krijuar një “dorezë-smart” për të rritur pavarësinë e njerëzve me dëmtime shikimi.

Nikola Krstić është një sipërmarrës i ri nga Serbia, shpikja e të cilit ka bërë bujë të madhe kohët e fundit në tregun ndërkombëtar. Në më pak se dy vjet, Nikola që ishte nxënës në shkollë të mesme arriti të bëhej CEO i një kompanie. Shpikja e tij është një “dorezë-smart”, nëpërmjet së cilës, njerëzit e verbër dhe pjesërisht të verbër mund të orientohen, të njohin ngjyrat, kartëmonedhat dhe objekte të tjera, si dhe të japin sinjale me anë të të cilave, miqtë apo gardianët mund të ndjekin lëvizjet e tyre.

Historia e kësaj shpikjeje nis në kohën kur Nikola ishte akoma në shkollë të mesme dhe mori pjesë në një konkurs ku të rinjtë mund të formulonin dhe të propozonin ide inovative biznesi. Shpikja e tij u frymëzua nga fakti që ai kishte dëmtim shikimi në një sy. “Ideja në vetvete ishte shumë spontane, pasi e kisha pasur këtë problem që nga lindja,”- thotë Nikola.

“Formulimi i idesë ishte vetëm fillimi. Kishim ende një rrugëtim të gjatë përpara”

Një mbështetje e domosdoshme

Sidoqoftë, në botën e startup-eve, nuk mjafton kurrë vetëm të kesh një ide rreth asaj që dëshiron të bësh dhe njohuri bazë se si ta bësh realitet. “Formulimi i idesë ishte vetëm fillimi. Kishim ende një rrugëtim të gjatë përpara,”- thotë Nikola. Ai dhe ekipi i tij kishin nevojë për mbështetje për sa i përket ekspertizës dhe financimit për ta zhvilluar më tej idenë.

Potenciali i idesë së Nikolës u vu re nga Fondi për Inovacion në Serbi që, nëpërmjet Programit për Zhvillim të Hershëm me financim nga Bashkimi Evropian, mbështeti zhvillimin e produktit novator, të cilin Nikola e titulloi Anora.

Nikola shpjegon se fondet janë përdorur kryesisht për të krijuar pjesët fizike të dorezës, pajisjet kompakte elektronike të së cilës ofrojnë të gjitha funksionet e nevojshme për përdorim të përditshëm nga një i verbër. Gjithashtu patën mundësi të investonin më shumë për modelimin e dorezës dhe si rezultat, tanimë kanë një model të thjeshtë, ndërtuar me një material cilësor, i cili, pavarësisht përdorimit të përditshëm, mund të rezistojë për shumë vjet. “Mjetet më të rëndësishme, si pjesët fizike dhe modeli i dorezës, u mundësuan nëpërmjet mbështetjes së BE-së,”- thotë ai.

Doreza përmban dhjetë funksione themelore. Ndër to  është identifikimi i objekteve në hapësirë dhe kthimi i sinjaleve me dridhje, bazuar në largësinë e objekteve, njësoj si një radar. Për më tepër, doreza identifikon ngjyrat, kartëmonedhat dhe të tregon datën e orën. Ajo gjithashtu ndihmon për orientimin dhe nëse personat që e kanë veshur humbasin rrugën, doreza u dërgon vendndodhjen e tyre miqve ose kujdestarëve.

“Mbështetja nga BE-ja ishte thelbësore, duke qenë se më parë isha thjesht një maturant, por tani jam drejtues i një kompanie që po krijon një produkt të domosdoshëm që do të njihet botërisht.”

Lidhur me projektin

Serbia është një ndër vendet e para në rajon që ka përqafuar të ashtuquajturën nevojë të domosdoshme për inovacion– idenë që pjesëmarrja e suksesshme në ekonominë botërore, bazuar te njohuria, ka nevojë për aftësinë për të përshtatur dhe përmirësuar kapacitetet teknologjike dhe studimore nëpërmjet bashkëpunimit të sektorit publik dhe atij privat. Fondi i saj për Inovacion, i cili ka qenë aktiv që nga viti 2011, është pioner për zbatimin institucional të kësaj nevoje, kryesisht duke rritur kapacitetin e startup-eve dhe të burimeve të disponueshme për rritjen e tyre.  Që kur Fondi nisi operimin në vitin 2011, Bashkimi Evropian i ka dhënë një shtysë të madhe financimit të inovacionit në Serbi dhe fuqizimit të lidhjeve ndërmjet sektorit privat dhe atij të kërkimit. Deri më tani, Instrumenti i Para-anëtarësimit (IPA) ka caktuar fonde me vlerë 17 milion euro për këto programe.

Kompania Anoris Technology, nën drejtimin e Nikolës ka lidhur marrëveshje për prodhimin dhe shpërndarjen e dorezës-smart Anora në ShBA dhe, së shpejti, po planifikojnë të hapin atje një filial të kompanisë. Gjithashtu, po zhvillohen komunikime dhe koordinime me partnerët në shtetet e BE-së.

Nikola shpjegon se strategjia e tyre është ofrimi falas i produktit për përdoruesit përfundimtarë, me shpenzime të mbuluara nga bizneset me përgjegjësi publike, organizatat e ndihmës, apo institucionet qeveritare. Me mbështetjen e qeverisë, në Serbi janë gati të shpërndajnë falas rreth 5,000 doreza. Sipas Nikolës, asgjë prej këtyre nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e Evropës. “Mbështetja nga BE-ja ishte thelbësore, duke qenë se më parë isha thjesht një maturant, por tani jam drejtues i një kompanie që po krijon një produkt të domosdoshëm që do të njihet botërisht,”- thotë ai.

Kompania e veshjeve të natës që zgjohet nga një përparim digjital

Një sipërmarrëse rome nga Serbia zgjeron biznesin e saj online me mbështetjen e BE-së.

Sladjana Vasić është një sipërmarrëse rome nga Kraljevo, një qytet në Serbinë Qendrore. Kompania e saj prodhon të brendshme prej pambuku dhe veshje nate të titulluara Arilje, emri i të cilave vjen nga një qytet i vogël në perëndim të vendit, ku prodhohen fije cilësore pambuku . Kompania e saj është një biznes familjar, të cilin ajo e drejton bashkë me dy djemtë dhe bashkëshortin.

Ata kanë tregtuar produkte pambuku për mbi 15 vite dhe, në vitin 2014, filluan të prodhonin të brendshme dhe veshje nate, të cilat i shisnin në dyqanin e familjes në qendër të qytetit. Megjithatë, dy vjet më parë, iu desh ta ndryshonin këtë strategji shitjesh.

“Nuk po nxirrnim të ardhura dhe nuk po arrinim t’i shisnim produktet tona, as me shumicë, as në dyqanin tonë.”

Ta shndërrojmë krizën në një mundësi

Me fillimin e pandemisë së COVID-19-ës, Sladjanës iu desh të mbyllte dyqanin, pa e ditur se kur mund ta rihapte. “Nuk po nxirrnim të ardhura dhe nuk po arrinim t’i shisnim produktet tona, as me shumicë, as në dyqanin tonë,”- thotë ajo.

Në atë periudhë, ajo u kontaktua nga Nisma për Zhvillimin e Sipërmarrjes Rome (REDI). Kjo nismë e financuar nga BE-ja, që vinte në zbatim programin e quajtur Përparimi Digjital Rom, punonte me komunitetet rome të Ballkanit Perëndimor, për të përforcuar aftësitë e tyre digjitale. Ata i ofruan ndihmë Sladjanës për ta kthyer strategjinë e saj të shitjes së produkteve në shitje online, gjë të cilën ajo pranoi ta provonte por me ngurrim. “Në fillim nuk isha e bindur se mund t’i shisja produktet online sepse këto nuk janë produkte luksi, por njerëzit e REDI-t më vërtetuan të kundërtën. Tani i bëjmë shitjet online dhe në të vërtetë, po shkojnë mjaft mirë,” thotë Sladjana.

REDI nisi programin Përparimi Digjital Rom për të ndihmuar kalimin online të bizneseve tradicionale, si dhe formalizimin e tyre. Programi i pajisi sipërmarrësit romë, si Sladjana, me mjete digjitale dhe aftësitë e duhura për t’i çuar bizneset e tyre një hap më para dhe për të nisur zhvillimin online të aktiviteteve sipërmarrëse. Sipërmarrësit që kaluan nëpërmjet këtij programi morën paketa digjitale, trajnime individuale dhe ndihmë mentoruese nga ekspertët e REDI-t.

“Romët nuk duhet të lihen mbrapa, kështu që shpresoj të shoh edhe më shumë programe të tilla.”

Lidhur me projektin

Projekti i 2020-s për Integrimin Rom, zbatuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur, synon të zvogëlojë hendekun socio-ekonomik ndërmjet popullsisë rome dhe jo-rome në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi.

Orhan Usein është Shef i Zyrës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për Projektin e Integrimit të Romëve. Ai shpjegon se është fuqizimi i komunitetit rom është shumë i rëndësishëm, në mënyrë që të përdorin aftësi digjitale dhe të ndjekin trendet më moderne të biznesit. Programet edukuese të tilla, si Përparimi Digjital Rom, i cili u mbështet nga nisma për Integrimin Rom financiarisht dhe me burime njerëzore, mund ta përshpejtojnë këtë proces dhe të rrisin përfshirjen e qytetarëve romë në promovimin, formimin dhe vënien në zbatim të Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor. “Romët nuk duhet të lihen mbrapa, kështu që shpresoj të shoh edhe më shumë programe të tilla.”

Pavarësisht faktit që pandemia e COVID-19-ës sa vjen e ngadalësohet dhe izolimet nuk praktikohen më, shitjet online të Sladjanës sa vijnë e rriten. Ajo ëndërron që ta zgjerojë kompaninë e saj edhe më shumë dhe ta kthejë në një markë të mirënjohur. Mesazhi i saj për të tjerët është frymëzues: “Dua t’u them të gjitha biznesmeneve rome se gratë mund të punojnë po aq sa burrat e madje edhe dhe më shumë. Kështu që vazhdoni, punoni. Punoni me gjithë zemër, jepni gjithë ç’mundni dhe është e sigurt që do të keni sukses.”

Një rikujtim për shëndetin

Një projekt i financuar nga BE-ja ndihmon për rritjen e nivelit të vaksinimit të fëmijëve në Bosnje dhe Hercegovinë

Emina Pleh nga Goražde i përfundoi të gjitha vaksinimet e vajzës së saj më të madhe, por kur erdhi koha për vaksinimin e djalit, kishte nisur pandemia e COVID-19-ës, kështu që vendosi të priste. Në fillim të vitit të shkuar, ajo mori një telefonatë nga Instituti Boshnjak i Shëndetit Publik të Kantonit Podrinje, ku i rikujtuan që djali kishte nevojë të imunizohej dhe e referuan te shërbimi i pediatrisë për më shumë informacion. “Ata thanë që duhet ta bënim para se të fillojë kopshtin, kështu që e bëmë,” thotë Emina.

Emina është një ndër rreth 500 prindërit e Kantonit Podrinje që u telefonuan nga Instituti Publik i Shëndetit për t’i kujtuar rreth vaksinimeve të pakryera. Kjo nismë është pjesë e Programit për Zbutjen e Ndikimit të Pandemisë së COVID-19-ës në Jetën e Fëmijëve dhe Familjeve të tyre në Turqi dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Prindërit janë më të prirur për ta kryer vaksinimin e fëmijëve të tyre, nëse i kujton. Ky komunikim mungonte.”

Shlyerja e mungesës së komunikimit

Fatima Čengić është një  Specialiste e Programit me Unicef-in në Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo shpjegon se

Unicef-i ka punuar për shumë vjet drejt përmirësimit të imunizimit në Bosnje dhe Hercegovinë dhe ka kryer studime dhe analiza për të kuptuar arsyet pse prindërit shmangin vaksinimin e fëmijëve të tyre. Arsyet kryesore për këtë fenomen ishin informimi i pamjaftueshëm nga profesionistët e shëndetit për përfitimet dhe rreziqet e vaksinimit, por edhe harresa nga prindërit. “Prindërit janë më të prirur për ta kryer vaksinimin e fëmijëve të tyre, nëse i kujton. Ky komunikim mungonte,” thotë Fatima.

Për këtë arsye, Unicef-i filloi të krijonte strategji komunikimi, duke përfshirë këtu edhe zhvillimin e nxjerrjen e një aplikacioni online, që u rikujton prindërve agjendat e vaksinimit. Sidoqoftë, kur filloi pandemia e COVID-19-ës, vendosën ta nxisnin stafin ndihmës të dedikuar të përdorte një qasje tjetër. Fillimisht, stafi rishikoi të gjitha kartelat shëndetësore të fëmijëve të lindur në periudhën 2014-2020 që ishin trajtuar në qendrat shëndetësore të Goražde-s, Prača-s dhe Ustikolina-s. U hartua një listë me gjithë ata që nuk kishin kryer ndonjë prej vaksinimeve të detyrueshme. Më pas, prindërit u morën në telefon, u këshilluan të kontaktonin pediatrit e tyre dhe, së fundmi, qendrat vendore shëndetësore u dhanë të gjithë informacionin e nevojshëm për imunizimin, si dhe mbi lënien e një takimi.

“Jam shumë e sigurt se qendrat shëndetësore nuk do t’u kishin dhënë prioritet vaksinimeve të fëmijëve po të mos kishte qenë nisma jonë me mbështetjen e BE-së.”

Lidhur me projektin

Programi për Zbutjen e Ndikimit të Pandemisë së COVID-19-ës në Jetën e Fëmijëve dhe Familjeve të tyre në Turqi dhe në Ballkanin Perëndimor është një nismë dy-vjeçare e nisur në vitin 2021 nga Unicef-i dhe Komisioni Evropian.

Qëllimi i kësaj nisme është fuqizimi i shëndetit kombëtar, arsimit, zhvillimit të fëmijërisë së hershme dhe sistemeve për mbrojtjen e fëmijëve për t’u siguruar shërbime parësore fëmijëve vulnerabël dhe familjeve të tyre në kuadër të rigjenerimit afatshkurtër apo afatgjatë nga COVID-19-a. Nëpërmjet këtij programi  me vlerë 5 milion euro, pritet që 490,000 fëmijë dhe prindër të kenë akses më të mirë te shërbimet publike që promovojnë zhvillimin e fëmijërisë së hershme, arsimit, shëndetit dhe mbrojtjes, si pjesë e procesit të rigjenerimit nga COVID-19-a.

Që atëherë, projekti është zgjeruar deri në Kantonin e Sarajevës, ku zbatohet në tetë qendra të tjera shëndetësore. Në nga vizitat e fundit nga programi vuri re se, nga 500 vaksinimet e zhvilluara në një qendër shëndetësore në dhjetor, 175 ishin bërë nëpërmjet këtij projekti. “Kjo nënkupton se rreth një e treta e vaksinimeve që u bënë për një muaj ishin rezultat i projektit tonë dhe ky është sukses i madh,” thotë Fatima.

Fatima shpjegon se vaksinimi ishte një problem kritik për sistemin shëndetësor në Bosnje dhe Hercegovinë, duke qenë se një nga aktivitetet e para të rregullta që u ndërpre gjatë periudhës së pandemisë ishte vaksinimi i fëmijëve. Ajo beson se projekti dhe mbështetja e BE-së kanë një ndikim thelbësor dhe shton:-“Jam shumë e sigurt se qendrat shëndetësore nuk do t’u kishin dhënë prioritet vaksinimeve të fëmijëve po të mos kishte qenë nisma jonë me mbështetjen e BE-së.”

Energji e ripërtërishme për Kosovën

BE-ja mbështet ngritjen e një impianti ngrohjeje qendrore në Gjakovë, me energji të ripërtërishme

Në vitin 1980, kur u ndërtua, impianti i ngrohjes qendrore Ngrohtorja SHA ishte krenaria e qytetit të Gjakovës. Ky ishte qyteti i vetëm në Kosovë, përveç kryeqytetit, me një sistem modern ngrohjeje qendrore që punonte me karburante të rënda. Sidoqoftë, ngrohja me naftë u bë gjithmonë e më pak e leverdisshme dhe u rrit ndërgjegjësimi për ndotjen që shkaktonte. Si rezultat, në vitet në vazhdim, menjëherë pas luftës së Kosovës në vitin 1999, Ngrohtorja e ndaloi thuajse krejtësisht ngrohjen për qytetarët e Gjakovës, ndërsa më vonë e siguronte vetëm disa orë në ditë.

Në fillimin e dekadës së fundit, lindi një grimcë shprese që kompania mund të ofronte edhe njëherë ngrohje të qëndrueshme, kur, me mbështetjen e BE-së, kompania e ngrohjes qendrore Ngrohtorja nisi një studim realizueshmërie për ofrimin e energjisë cilësore dhe ekologjike të ngrohjes për banorët vendas.

“Kur ideja u bë publike për herë të parë, ishim shumë të entuziazmuar por, në të njëjtën kohë, ndjenim dhe njëfarë skepticizmi, meqenëse për shumë vite kompania nuk kishte ofruar ngrohje cilësore.”

Albana Skivjani është menaxherja e përgjithshme e kompanisë. Gjatë kohës që nisi studimi paraprak, ajo nuk ishte menaxhere akoma, por si qytetare e Gjakovës dhe si kliente e kompanisë së ngrohjes qendrore, ajo e mban mend mirë entuziazmin që shihej te populli. “Kur ideja u bë publike për herë të parë, ishim shumë të entuziazmuar, por në të njëjtën kohë, shikonim dhe njëfarë skepticizmi, meqenëse për shumë vite kompania nuk kishte ofruar ngrohje cilësore,”- thotë Albana.

Studimi paraprak vërtetoi se ekzistonte një mundësi e vërtetë që të rivendosej një sistem ngrohjeje qendrore në Gjakovë dhe në të njëjtën kohë, të përdorej një burim energjie ekologjik.

Fjala magjike ishte biomasa!

Ngrohja me biomasë përdor lëndë organike, si karburanti, për stacione energjie për ngrohje apo për prodhim elektriciteti. Në rastin e Gjakovës, plani ishte të përdoreshin mbetje druri (copa druri) dhe mbetje të përftuara nga krasitja e hardhive, të cilat gjenden me bollëk në këtë zonë. Sidoqoftë, pavarësisht disponueshmërisë së biomasës në zonë, e cila mund të përdorej si karburant, projekti nuk ishte i lehtë për t’u realizuar. Shpenzimet për teknologjinë ishin shumë të larta dhe nevojitej edhe një nivel i lartë ekspertize që të funksiononte kjo teknologji. Bashkimi Evropian ndërhyri dhe mbështeti projektin me rreth 15 milion euro.

Impianti i ri, i cili prodhon nxehtësi dhe energji elektrike, u inaugurua në vjeshtën e vitit 2021, duke u bërë kështu një pionier i së ardhmes së energjisë dhe një prej të paktave sisteme bashkëkohore që punojnë me biomasë në Ballkanin Perëndimor. Këtë dimër, energjia e prodhuar nga impianti ka mundësuar ngrohje 24-orë për shumicën e klientëve të kompanisë së ngrohjes qendrore Ngrohtorja SHA.

“Personalisht dhe në emër të gjithë banorëve të qytetit tonë, shpreh mirënjohjen e madhe për BE-në, që nëpërmjet këtij projekti, na siguroi ngrohje për dekadat e ardhshme, duke dhënë kështu një shembull të mirë për qytetet e tjera.”

Lidhur me projektin

Me anë të programit të Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit (IPA), të vitit 2015, Bashkimi Evropian investoi mbi 15 milion euro për aktivitete përgatitore dhe për ngritjen e impiantit të ngrohjes me biomasë në qytetin e Gjakovës . Projekti do të ketë një ndikim të madh ekonomik dhe mjedisor në qytet: kostot vjetore të operimit për Ngrohtoren SHA pritet të ulen me 35%-50%, ndërkohë që niveli i përgjithshëm i ndotjes së zonës do të ulet me mbi 90%.

Sipas Albanës, një nga sfidat kryesore ishte të mësohej si të përdorej teknologjia e re, duke qenë se shumica e punonjësve nuk kishin pasur përvoja të mëparshme me të. Sidoqoftë, kjo pengesë u kapërcye me mbështetjen e projektit të financuar nga BE-ja, që ofroi trajnim të specializuar për stafin, që të përdornin këtë teknologji. Albana shpjegon se këtë dimër, për herë të parë pas shumë vitesh, ishin në gjendje të ofronin energji 24-orë për klientët e tyre. “Klientët tanë, bashkë me të gjithë të tjerët në qytet, janë shumë të entuziazmuar, sepse përveç pajisjes me ngrohje, qyteti nuk është më i ndotur si më parë,”- thotë Albana. Ngrohja e vazhdueshme që vjen nga impianti pati rëndësi të madhe veçanërisht këtë vit, për shkak të krizës globale të energjisë, ku çmimet e energjisë u rritën dhe pati ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.

“Personalisht dhe në emër të të gjithë banorëve të qytetit tonë, shpreh mirënjohjen e madhe për BE-në, që nëpërmjet këtij projekti, na siguroi ngrohje për dekadat e ardhshme, duke dhënë kështu një shembull të mirë për qytetet e tjera,”- thotë Albana.

Ndihma për mjedrat e shijshme të Bosnje dhe Hercegovinës që po pushtojnë tregun e BE-së

Një ndërmarrje bujqësore në Bosnje dhe Hercegovinë ka rritur kapacitetin e saj të prodhimit me anë të mbështetjes nga BE-ja.

Për më shumë se dy dekada, Nebojša Radović nga Bratunac-i i Bosnje dhe Hercegovinës është marrë me rritjen e mjedrave. Sot, bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij e ndihmojnë në plantacionin e mjedrave. Për shkak të të ardhurave shtesë që ato sjellin, Nebojša shpjegon se: “Mjedrat janë shumë të rëndësishme për ne. Bashkëshortja ime nuk ka profesion tjetër, ndërsa profesioni im i parë nuk mjafton për të mbuluar të gjithë shpenzimet e jetesës. I kemi mësuar edhe fëmijët si të rrisin mjedra.”

Nebojša është një prej shumë nënkontraktorëve të ndërmarrjes së familjes, Herbos Nature, e cila është marrë me mbledhjen e frutave të pyllit që prej vitit 2006. Që nga viti 2012, është marrë gjithashtu edhe me blerjen, përpunimin dhe shitjen me shumicë të mjedrave, kërpudhave dhe erëzave. Sot, ka një rrjet me më shumë se 1,000 nënkontraktorë nga i gjithë vendi.

“Teksa ndërmarrja jonë zmadhohej gjithmonë e më shumë, natyrisht që kishim probleme, por me hyrjen e pandemisë, vështirësitë u shtuan mjaft, sidomos për nënkontraktorët tanë.”

Nxitja e zhvillimit në kohë krize

Maida Hadžiavdić nga Herbos Nature shpjegon se ndërmarrja ka vite që zmadhohet me hapa të sigurt, por si të gjitha bizneset e tjera, edhe ata u përballën me vështirësi në vitin 2020, kur filloi pandemia e COVID-19-ës. “Teksa ndërmarrja jonë zmadhohej gjithmonë e më shumë, natyrisht që kishim probleme, por me hyrjen e pandemisë, vështirësitë u shtuan mjaft, sidomos për nënkontraktorët tanë,”- thotë Maida.

Pikërisht në atë periudhë, pati një thirrje për propozime rreth mbështetjes së ndërmarrjeve bujqësore në Bosnje dhe Hercegovinë, nismë nga projekti EU4AGRI, i financuar nga BE-ja. Herbos Nature aplikoi dhe përfitoi mbështetje, duke përfshirë këtu blerjen e pajisjeve për ndërmarrjen dhe nënkontraktorët e tyre, apo ndihma të tjera të kësaj natyre, për përmirësimin e kushteve të punës, duke arritur kështu një total prej 114,000 eurosh.

Si një prej nënkontraktorëve të Nature, Nebojša-s iu dhanë në dorëzim pajisje të vlefshme, të financuara nga BE-ja, për të lehtësuar sadopak punën e familjes dhe për ta bërë atë më efikase. “Që prej kohës që EU4AGRI më dhuroi një plug të motorizuar, shpenzimet e mia janë ulur,”- shpjegon Nebojša.

“EU4AGRI na ka ndihmuar ta zgjerojmë tregun tonë. Përveç filialeve në Ustikolina dhe Bratunac, tanimë kemi hapur edhe një tjetër në Travnik. Kemi futur në punë më shumë punonjës dhe kemi filluar të bashkëpunojmë me nënkontraktorë të tjerë.”

Lidhur me projektin

Projekti EU4AGRI është një nismë katër-vjeçare (2020-2024) që synon modernizimin e sektorit agro-ushqimor, hapjen e vendeve të reja të punës bashkë me mbajtjen e vendeve aktuale dhe mbështetjen e rigjenerimit nga kriza e COVID-19-ës në Bosnje dhe Hercegovinë. Vlera totale e projektit të financuar nga BE-ja arrin mbi 20 milion euro dhe është vënë në zbatim me anë të bashkëpunimit dhe bashkë-financimit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Agjencisë Çeke të Zhvillimit.

Projekti i dha gjithashtu mundësinë ndërmarrjes të përfitonte nga pajisjet e reja dhe ndihmesave të tjera. “Mbështetja nga EU4AGRI na ka ndihmuar të zgjerojmë tregun tonë. Përveç filialeve në Ustikolina dhe Bratunac, tanimë kemi hapur edhe një tjetër në Travnik. Kemi futur në punë më shumë punonjës dhe kemi filluar të bashkëpunojmë me nënkontraktorë të tjerë,”- thotë Maida. Me anë të pajisjeve dhuruar nga programi EU4AGRI, ndërmarrja ka modernizuar edhe proceset e prodhimit.

Njësoj si Maida 23-vjeçare, shumica e punonjësve të ndërmarrjes janë profesionistë të rinj të trajnuar, të cilët kanë për detyrë të sigurohen që të gjitha proceset e punës të zhvillohen në standardet më të larta. Mbi 95% e prodhimit është i destinuar për eksport në vende si: Franca, Gjermania, Polonia, Serbia, Sllovenia, Zvicra dhe Turqia. “Pajisjet e reja kanë përmirësuar kushtet e prodhimit dhe na kanë ndihmuar të përmbushim kriteret e klientëve tanë,”- thotë Maida. “Jemi të lumtur që kemi marrë pjesë në projektin EU4AGRI dhe që kemi kontribuar për qëndrueshmërinë e sektorit të ushqimit dhe bujqësisë në BH.”

Ndryshon zbatica për artizanatin tradicional

Ndërtimi i anijeve malazeze prej druri kthehet në një markë të njohur botërisht

Për një kohë, Petar Bokovac ishte njeriu i vetëm në brigjet malazeze që përdorte teknikat e lashta të ndërtimit të anijeve prej druri. Ai nuk  ishte trajnuar profesionalisht për ndërtimin e anijeve por, që prej viteve ‘60, kryente shërbime riparimi duke përdorur mjeshtërinë tradicional të ndërtimit të varkave prej druri në punishten e tij Bokovac Calafat, në Tivar.

Riparimi i varkave nuk kishte ndonjë përfitim të madh, por  njëzet vjet më parë, Petar dhe djali i tij, Nenad-i, ndërtuan anijen e tyre të parë të peshkimit 30-tonëshe. Më pas, gruaja e Nenadit, Miroslavka, vendosi t’i bashkohej kompanisë dhe ta çonte biznesin në një nivel tjetër, duke e kthyer kështu Punishten Bokovac Calafat në një markë botërore . Miroslavka mori përsipër reklamimin e anijeve prej druri, të ndërtuara nga bashkëshorti i saj dhe babai i tij, gjë që e promovoi mjeshtërinë e tyre – një element i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe potencialit turistik – te komuniteti vendas, autoritetet dhe tregu ndërkombëtar.

“Ajo që mund të ofronim ishte qasja jonë unike.”

Paraqitja e mjeshtërisë vendase për botën

Miroslavka shpjegon se kur hodhi për herë të parë idenë e reklamimit të prodhimit të anijeve prej druri sipas mënyrës tradicionale, komuniteti vendas pati dyshime serioze për të. “Ata pyetën se kush do të interesohej për anijet tona prej druri në këto kohë, ku shikojmë vetëm jahte moderne dhe teknologji të avancuar,”- thotë ajo.

Sidoqoftë, ajo nuk u dorëzua. “Mendova se ajo që mund të ofronim ishte qasja jonë unike.”

Për të ruajtur ekskluzivitetin e markës, familja Bokovac duhet të përmbushë kushtin e përdorimit të materialeve me origjinë malazeze për më shumë se 80% të materialit të përdorur për ndërtimin e anijes. Druri që përdoret për ndërtim është kryesisht ai i manit, i cili njihet mjaft mirë në brigjet malazeze dhe të cilin, familja Bokovac e quan “tiku Malazez”(teak). Është jashtëzakonisht i lehtë në peshë, por edhe shumë i fortë, tipar thelbësor për cilësinë e produktit përfundimtar, duke qenë se druri duhet të kalojë nëpër disa faza të rëndësishme përpunimi para se të përdoret në anije. Miroslavka thotë: “Nuk është gjithmonë e lehtë të blesh dru mani, por duke qenë se gjithmonë e më shumë njerëz në zonën tonë po mësojnë se nevojiten këto materiale, po rritet edhe numri i telefonatave nga pronarët që rrisin pemë mani në tokat e tyre dhe ofrojnë t’i shesin.”

Gjatë viteve të fundit, eventi i ndërtimit të anijeve që tërhoqi vëmendjen e shumicës së mediave në Mal të Zi dhe në rajon, ishte lajmi se Punishtja Bokovac Calafat ishte vlerësuar nga familja mbretërore e Abu Dabit nëpërmjet një porosie për tri anije: një e vogël me një motor, një tjetër vetëm një metër më e gjatë se e para dhe një e tretë 10 metra e gjatë. Nenad-i dhe Petar-i punuan shumë me ekipin e tyre për t’i përmbushur të gjitha kriteret dhe që arritën t’i mbaronin të gjitha mjetet lundruese në kohë. Me mbërritjen e varkave në Emiratet, familja Bokovac u bë një markë e njohur në rang botëror.

“Projekti ReLOaD na ndihmoi me reklamimin e mëtejshëm të këtij zanati në sytë e komunitetit tonë dhe gjithë botës. Ç’është më e rëndësishmja, na ndihmoi t’ua trashëgonim këtë mjeshtëri brezave më të rinj.“

Lidhur me programin

Programi Rajonal për Demokraci Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) financohet nga Bashkimi Evropian dhe vihet në zbatim nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim. ReLOaD tanimë ndodhet në fazën e tij të dytë, e cila do të zgjasë deri në vitin 2024.

Kohët e fundit, punishtja Calafat ka bashkuar forcat me projektin ReLOaD, të financuar nga BE-ja dhe ka nisur misionin për promovimin e kësaj tradite përgjatë gjithë bregut malazez. Projekti Cattaro Sail ofroi trajnim për të rinjtë për ndërtimin e anijeve dhe promovimin e lundrimit me anë të lajmërimeve dhe rrjeteve sociale. Finalja e madhe ishte eventi “Ditë Lundrimi” dhe Regata e Kotorit. Ky projekt i dhuroi varka lundrimi Muzeut Detar dhe kështu u hodh një hap i madh drejt ruajtjes së kësaj zejeje historike dhe vlerës së saj për turizmin. Mirovlaska thotë për punishten Calafat: “Projekti ReLOaD na ndihmoi me reklamimin e mëtejshëm të këtij zanati në sytë e komunitetit tonë dhe të të gjithë botës. Ç’është më e rëndësishmja, na ndihmoi t’ua trashëgonim këtë mjeshtëri brezave më të rinj.“

Fjala calafat mund të gjendet në Greqisht dhe Arabisht dhe që prej kohëve të lashta, i është referuar zejtarit të mjeteve lundruese, të specializuar për mirëmbajtjen e një skeleti druri. Më vonë, ky term filloi t’u referohej ndërtuesve më me përvojë dhe më të respektuar të anijeve. Punishtja Bokovac është e vetmja në botë që ka të drejtë të përdorë emrin “Calafat”. Për ta, ashtu si edhe për Malin e Zi, është një nder ta mbajnë këtë traditë gjallë.

Të ndihesh krenar, më shumë se një herë në vit

Të prekësh zemrat e njerëzve përmes aktivizmit në mbështetje të një nga komuniteteve më të diskriminuara në Shqipëri. “Vaksina kundër homofobisë është dashnia” ishte slogani i përdorur këtë vit gjatë aktiviteteve që celebronin diversitetin dhe krenarinë e të gjithë personave gej, lesbike, biseksualë, transgjinor, “queer” dhe interseks (LGBTI) në Shqipëri. Ajo ishte një thirrje e komunitetit LGBTI për të kuptuar dhe pranuar atë që Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI e përshkruan si një vit të vështirë, plot pasiguri, frikë dhe izolim gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit. Aleanca është një ndër organizatat kryesore që drejton aktivitetet në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë (IDAHOT), të cilat zhvillohen gjatë javës që përkon me datën 17 maj.   Xheni Karaj, drejtuesja e Aleancës, është një ndër aktivistet kryesore prej më shumë se një dekade. Nismat e këtij viti janë përqendruar në shfaqjet publike dhe performancat artistike. “Komuniteti ynë duhet ta dijë që ne jemi këtu për t’i mbështetur ata, dhe 17 Maji është rasti i duhur për të dalë publikisht,” shprehet Karaj. “Ata nuk duhet të ndihen në turp apo në faj”.

“Familja duhet të jetë një vend i sigurt [për personat LGBTI]. Përmes artit përpiqemi t’u fitojmë zemrat njerëzve në mënyrë që të ndryshojmë mendimin e tyre.”

Ndër aktivitetet kryesore të programit ishte një monodramë “queer” e vënë në skenë në një nga qendrat kulturore të kryeqytetit, Tiranë. Drama trajtonte një nga frikat më të mëdha të personave LGBTI në Shqipëri, duke përfshirë vetëpranimin dhe rëndësinë e pranimit të familjes. “Familja duhet të jetë një vend i sigurt. Përmes artit përpiqemi t’u fitojmë zemrat njerëzve në mënyrë që të ndryshojmë mendimin e tyre,” shprehet Karaj. Ajo është anëtarja e parë e komunitetit LGBTI në vend e cila zbuloi publikisht identitetin e saj seksual si lezbike. Karaj merr motivimin për punën e saj nga guximi i personave LGBTI për të sfiduar shoqërinë konservative shqiptare. Paralelisht me rritjen e ndërgjegjësimit, organizatat LGBTI kanë përfshirë edhe institucionet publike për t’u angazhuar në mënyrë strategjike për eliminimin e diskriminimit kundër personave LGBTI në mbarë vendin. Studimet zbulojnë se personat LGBTI diskriminohen dhe përjashtohen dy herë më shumë se pjesa tjetër e popullsisë. Me mbështetjen e programit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës, Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, organizatat e shoqërisë civile të tilla si Aleanca janë në gjendje të ndërtojnë lidhjen ndërmjet komunitetit dhe institucioneve ligjzbatuese. Një shembull i kësaj është Drejtoria e Policisë së Shtetit që ka caktuar pika kontakti me komunitetin LGBTI dhe ka përmirësuar protokollet për raportimin e rasteve të krimeve të urrejtjes. Mundësitë e dialogut ndërmjet komunitetit dhe policisë nxiten nëpërmjet nismave të programit, në Shqipëri dhe mbarë rajonin. Këshilli i Evropës së fundmi ka përshtatur dhe përkthyer në gjuhën shqipe një manual për të orientuar policinë se si të përgjigjet në mënyrë profesionale ndaj këtyre rasteve dhe ka organizuar aktivitete për të ngritur kapacitetet e policisë. Ky manual nxit ngritjen e një sërë nismash ndjekëse që do të trajtojnë diskriminimin, pabarazinë dhe do të forcojnë gjithëpërfshirjen brenda policisë si dhe marrëdhënien ndërmjet policisë dhe qytetarëve. Këto nisma udhëhiqen nga standardet e BE-së dhe Këshillit të Evropës në respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

 “Hera e vetme që orientimi seksual u përmend gjatë fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme ishte kur kundërshtarët politikë donin të fyenin njëri-tjetrin”.

Rreth programit Nisma “Promovimi i diversitetit dhe barazisë në Shqipëri” synon forcimin e mekanizmave të diskriminimit në vend, duke përfshirë promovimin/mbrojtjen më të mirë të të drejtave të personave LGBTI dhe luftimin e gjuhës së urrejtjes, në përputhje me standardet dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës. Aktivitetet gjithashtu synojnë të mbështesin negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian në fushën e të drejtave themelore. Programi financohet nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës në kuadër të Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (Instrumenti Horizontal II) 2019-2022, një përpjekje e përbashkët e dy organizatave që u mundëson përfituesve të përmbushin agjendat e tyre të reformës në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë në përputhje me standardet evropiane. Në kuadër të luftës për një shoqëri të lirë dhe të barabartë për të gjitha identitetet seksuale dhe gjinore, Aleanca vlerëson se sfida kryesore institucionale është me partitë politike. Pothuajse dhjetë vjet më parë, me mbështetjen e Këshillit të Evropës, u propozuan ndryshime në dy ligje kyçe që lejojnë martesën e të njëjtit seks dhe njohjen e gjinisë për personat transeksualë. Megjithatë, Kuvendi asnjëherë nuk i ka marrë parasysh këto. “Nuk ka aspak vullnet politik,” shprehet Karaj, e cila duket e zhgënjyer por jo e habitur. Aleanca u kërkoi të gjitha partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e përgjithshme për vitin 2021 rreth planeve të tyre për përmirësimin e statusit të komunitetit LGBTI, por pati vetëm heshtje. Siç shprehet Karaj, “Hera e vetme që orientimi seksual u përmend gjatë fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme ishte kur kundërshtarët politikë donin të fyenin njëri-tjetrin”. OJQ-ja ndërmori një fushatë publike duke drejtuar gishtin te politikanët që përdorën praktika të tilla në fushatën e fundit zgjedhore dhe gjatë vitit të kaluar. Një atmosferë e tillë do të thotë që anëtarët e komunitetit shkurajohen për të raportuar abuzim, ngacmim dhe dhunë në familje. Megjithatë, sipas Xheni Karaj, personat LGBTI në Shqipëri janë një komunitet rezilient, të cilët mbeten aktivë pavarësisht presionit të madh në jetën e përditshme. Komuniteti ka një shërbim online në mbështetje të komunitetit ku ofrohet këshillim dhe ndihmë ligjore. Solidariteti me njerëzit në nevojë është rritur gjatë pandemisë, kryesisht me ndihmën e donatorëve. Mesazhi që ata të gjithë përcjellin është “Krenar”. Në anglisht përkthehet “Proud”.