Skip to main content

Krahu robotik që arrin mirë-ushqyerjen e peshqve

Një laborator i mbështetur nga BE-ja u dha mundësinë vëllezërve nga Mali i Zi të krijojnë një pajisje për menaxhimin e sasisë dhe cilësisë së ushqimeve për peshqit.

Bogdan dhe Goran Maksimović janë vëllezër nga Nikshiqi, në Malin e Zi. Më i riu, Bogdani, është ekspert IT-je, ndërkohë që vëllai i tij më i madh, Gorani, është elektricist dhe peshkatar i apasionuar pas punës së tij. Në momentin që bashkuan forcat, ata krijuan një ushqyes peshku modern. “Procesi i sotëm i ushqyerjes së peshkut është paksa i vjetruar, njëlloj siç ka qenë 50 vite më parë. Njerëzit nuk dinë as sa peshq kanë në pellg, e jo më për sa ushqim kanë nevojë, prandaj ndërtuam një sistem, i cili ndihmon për kursimin e ushqimit dhe, rrjedhimisht, edhe të parave,” thotë Gorani.

Gorani shpjegon më tej se, kur nuk ke dijeni se sa ushqim u nevojitet peshqve, mund të shkaktosh probleme të tjera. Për shembull, ushqimi i tepërt mund të ndotë ujin dhe të shkaktojë ngordhjen e peshqve. “Tanimë, të gjitha këto probleme janë zgjidhur,” thotë Gorani. Pajisja e ushqyerjes së peshqve, të cilën ai e modeloi me vëllain e tij, mund të përdoret për të programuar dhe monitoruar sasinë e ushqimit që u jepet peshqve. Bazuar mbi këtë informacion, pajisja mund të llogarisë edhe sasinë e ushqimit që u nevojitet në ditë. Makineria punon me panele diellore, prandaj kursen energji, është e lëvizshme dhe mund të përdoret në pellgje në vende të largëta, si malësitë.

“Na u desh të prezantonim dhe shpjegonim nga fillimi koncepte të tilla si risia, start-up-et dhe teknologjia. Gjithsesi, arritëm të krijonim një lloj epiqendre për energjinë pozitive, idetë, projektet e aftësitë dhe jemi shumë të kënaqur nga kjo.”

Një vend për risi

Pajisja për ushqyerjen e peshkut u krijua dhe u testua në Qendrën Tehnopolis për Risi dhe Sipërmarrje në Nikshiq, qendër për zhvillimin e kompanive start-up dhe sipërmarrjes. Kohët e fundit, projekti i financuar nga BE-ja me titullin “Të përmirësojmë infrastrukturën për kërkimet dhe risinë, që mund të përdoren për të nxitur zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM-të)” e përkrahu Tehnopolis-in, duke ngritur një laborator të ri modelimi industrial, një laborator bioteknologjik dhe një qendër të dhënash. Modeli 3D për ushqyesin e peshqve u krijua në laboratorin e modelimit industrial, i cili është i pajisur me printerët më modernë 3D, makineri CNC dhe një krah robotik.

Đorđije Brkuljan-i drejton Qendrën për Aktivitetet e Programit, Kërkimet dhe Zhvillimin në Tehnopolis, e cila u themelua në vitin 2014 nga qeveria e Malit të Zi, si një kompani jofitimprurëse me përgjegjësi të limituar, e zotëruar nga qeveria. Đorđije shpjegon se fillimi ishte shumë i vështirë për shkak të vendosjes në Nikshiq, ku nuk kishte pasur asnjë lloj aktiviteti në lidhje me teknologjinë para nisjes së Tehnopolis-it. “Na u desh të prezantonim dhe shpjegonim nga fillimi koncepte të tilla si risia, start-up-et dhe teknologjia. Gjithsesi, arritëm të krijonim një lloj epiqendre për energjinë pozitive, idetë, projektet e aftësitë dhe jemi shumë të kënaqur nga kjo,” thotë Đorđije.

Đorđije shpjegon se grupi i synuar është shumë i gjerë dhe përfshin fëmijë të vegjël, të rritur të moshës së mesme dhe të vonë, nxënës, start-up-e, sipërmarrës, ekipe zhvillimi, ndërmarrje mikro, të vogla, e të mesme, prodhues bujqësorë, institucione, investitorë, partnerë vendas dhe rajonalë, e të tjerë.

“Aktualisht, qendrën e të dhënave, laboratorin bioteknologjik dhe laboratorin e modelimit industrial në qendrën tonë e përdorin rreth 40 novatorë. Të gjitha këto janë të financuara nga BE-ja.”

Lidhur me projektin

Projekti “Të përmirësojmë infrastrukturën për kërkimet dhe risinë, që mund të përdoren për të nxitur zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM-të), i financuar nga BE-ja, mbështeti Tehnopolis-in me rritjen e kapacitetit të infrastrukturës së laboratorit biokimik, laboratorit për modelim industrial dhe qendrën e të dhënave. Si rezultat, projekti arriti të krijojë një platformë inovative për të mbështetur shërbimet dhe produktet e reja në Malin e Zi, si dhe për të nxitur konkurrencën e NVM-ve aktuale, duke ndihmuar njëkohësisht edhe me zhvillimin e NVM-ve krejtësisht të reja me orientim teknologjik. Buxheti total i projektit arrin 818,000 euro.

Deri më tani, Tehnopolis-i ka vënë në zbatim rreth 30 projekte, nga të cilat 16 janë akoma në proces e sipër. Mbi 90% e fondeve për këtë projekt janë mundësuar nga BE-ja, e cila e ka mbështetur Tehnopolis-in me rreth 4 milion euro nëpërmjet programeve të ndryshme gjatë këtyre pesë viteve të fundit. “Aktualisht, qendrën e të dhënave, laboratorin bioteknologjik dhe laboratorin e modelimit industrial në qendrën tonë e përdorin rreth 40 novatorë. Të gjitha këto janë të financuara nga BE-ja,” thotë Đorđije.

“Ne po zhvillojmë edhe burimet tona njerëzore, për t’u siguruar që të kemi njerëz me aftësitë e duhura për të punuar me këto pajisje. Kjo do të thotë se, në të ardhmen e afërt, do të jemi në gjendje t’u ofrojmë përkrahje edhe më të madhe fermerëve, novatorëve dhe NVM-ve që duan të përmirësojnë procesin e tyre të prodhimit dhe të konkurrojnë në treg,” përfundon ai.

Po të japim më shumë dashuri, gradualisht do i japim fund urrejtjes

Personat e famshëm në Serbi po i bashkohen betejës kundër gjuhës së urrejtjes online, drejtuar LGBTQ-së dhe grupeve të tjera të shënjestruara

“Bllokoje urrejtjen. Jep dashuri” është slogani i një nisme të re të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës (CoE), e cila synon të luftojë gjuhën e urrejtjes, duke përfshirë këtu edhe sasinë në rritje të materialeve negative online, veçanërisht në mediat sociale. Duke pranuar që dallimi midis lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes dhe përcaktimit se çfarë është e përshtatshme dhe ku nevojiten filtrat do të jetë një betejë e vështirë, fushata synon t’u mësojë përdoruesve të mediave sociale t’u kushtojnë vëmendje përmbajtjeve që postojnë në faqet e tyre apo në platformat e tjera publike.

Nisma ka si qëllim të trajtojë forma të ndryshme të gjuhës së urrejtjes që shënjestrojnë komunitete të caktuara dhe grupe sociale vulnerabël. Si kudo në Ballkanin Perëndimor, edhe në Serbi fushata ka përfshirë figura publike që veprojnë dhe flasin në rolin e ambasadorëve të ndryshimit. Njerëzit që janë të famshëm për arritjet e tyre në arte, aktrim, sporte dhe fusha të tjera, po i inkurajojnë audiencat dhe ndjekësit e tyre të diskutojnë dhe të përqafojnë sjelljet pozitive në shoqëri të shumëllojshme, të përpiqen të ndryshojnë stereotipet dhe të promovojnë barazinë. Drejtuesit e fushatës besojnë se kjo mund të sjellë një ndryshim që është nevojitur prej kohësh në opinionin publik dhe të reduktojë gjuhën problematike online.

“U bëjmë thirrje njerëzve të mendohen dy herë para se të postojnë diçka online: kini parasysh se narrativat toksike mund të përhapen shumë shpejt, por pasojat e tyre mund të jenë fatale, sepse mund të nxisin urrejtjen dhe madje të inkurajojnë përdorimin e dhunës ndaj një individi apo një grupi, pavarësisht qëllimit që mund të keni pasur në fillim.”

Ninoslav Mladenović-i nga departamenti i KE-së kundër diskriminimit, është një anëtar i ekipit që po punon për projektin “Promovimi i Diversitetit dhe Barazisë në Ballkanin Perëndimor”. Ai shpjegon se, është e rëndësishme që ky mesazh të shpërndahet tek njerëzit, të cilët nuk janë në dijeni të dëmit që po shkaktojnë (mbase të paqëllimshëm) dhe t’u bëjnë të ditur se si pohimet e tyre mund t’i ndikojnë të tjerët. “U bëjmë thirrje njerëzve të mendohen dy herë para se të postojnë diçka online: kini parasysh se narrativat toksike mund të përhapen shumë shpejt, por pasojat e tyre mund të jenë fatale, sepse mund të nxisin urrejtjen dhe madje të inkurajojnë përdorimin e dhunës ndaj një individi apo një grupi, pavarësisht qëllimit që mund të keni pasur në fillim.”

Të mendojmë për gjurmën digjitale

Fushatës rajonale të KE-së iu dha një dimension shtesë në Serbi, ku përdoruesve online të medias iu bë një pyetje-slogan: “Çfarë gjurme digjitale lini?”. Kjo ka bërë që përdoruesit të mendohen para se të publikojnë diçka, duke u rikujtuar se kjo e fundit qëndron aty dhe nuk zhduket menjëherë, pavarësisht nëse inkurajon dhunë apo simpati.

“Është e rëndësishme të kemi fuqinë e nevojshme për t’i përdorur hapësirat tona publike për të promovuar simpatinë, mirëkuptimin dhe respektin reciprok, pasi kjo është padyshim ajo që i mungon shoqërisë sonë. ”

Lidhur me programin

Ky program mbështet pjesëmarrësit më të rëndësishëm vendorë dhe institucionet përfituese në Serbi apo kudo tjetër në Ballkanin Perëndimor, në luftën kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes ndaj minoriteteve, njerëzve të komunitetit LGBTI dhe grupeve të tjera vulnerabël të shoqërisë. Gjithashtu, mbështet edhe përpjekjet e përfituesve nga Serbia dhe Ballkani Perëndimor në kontekstin e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, në fushën e të drejtave themelore. Programi financohet nga Bashkimi Evropian/ Instrumenti Horizontal i Këshillit të Evropës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022.

Slaven Došlo, një nga figurat më të shquara në botën e aktrimit, iu bashkua fushatës kombëtare si ambasador për të shpërndarë mesazhin e gjithëpërfshirjes. “Është e rëndësishme të kemi fuqinë e nevojshme për t’i përdorur hapësirat tona publike për të promovuar simpatinë, mirëkuptimin dhe respektin reciprok, pasi kjo është padyshim ajo që i mungon shoqërisë sonë,” tha Došlo në një intervistë për mediat, si pjesë e fushatës. Aktori i famshëm ka luajtur role që trajtojnë problematika që ai beson se duhen trajtuar, të tilla si abuzimi i të drejtave të njeriut dhe pabarazia. Kur Slaven Došlo luajti rolin e një personazhi nga komuniteti LGBTI, u përball me një valë kritikash e madje me mesazhe urrejtjeje nga përdorues interneti që e barazuan aktorin me personazhin e tij.

Kjo lloj gjuhe urrejtjeje nuk i habit organizatorët e fushatës “Bllokoje urrejtjen. Jep dashuri”. Sipas një studimi të publikuar nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, përfituese e grantit të KE-së këtë vit, më pak se 20% e qytetarëve në Serbi kanë sjellje pozitive ndaj komunitetit LGBTI, dhe 50% e të intervistuarve kanë sjellje negative. Një ndër rekomandimet e studimit është krijimi i një strategjie që përfshin përdoruesit nën moshën 40 vjeç të mediave online dhe rrjeteve sociale, për të influencuar anëtarët e tjerë të shoqërisë.

Ky rekomandim po vihet tashmë në zbatim në fushatë, nëpërmjet pjesëmarrjes së një grupi specifik influencuesish – Ambasadorëve të Rinj Evropianë ‘kundër urrejtjes’ (YEA). Rrjeti i tyre promovon aktivizimin e të rinjve brenda komuniteteve të tyre vendase, si një forcë e jashtëzakonshme e ndryshimit social. YEA-të kanë marrë pjesë në marshimet LGBTI, shfaqje filmash, diskutime rreth marrëdhënieve brenda së njëjtës gjini dhe metodave për të përmirësuar pozitën e anëtarëve të komunitetit LGBTI, që janë ndër grupet më të diskriminuara të shoqërisë. Rreth 25 Ambasadorë të rinj Evropianë, anëtarë të rrjetit, janë trajnuar nga ekipi i Këshillit të Evropës për të rritur ndërgjegjësimin e tyre për gjuhën e urrejtjes dhe për të përforcuar aftësitë e zhvillimit të narrativave të së drejtave të njeriut gjatë fjalimeve publike dhe bashkëveprimit në mediat sociale.

Për të ndryshuar perceptimet dhe sjelljet ndaj komunitetit LGBTI, nevojitet një nismë shumëdimensionale. Mladenović-i shpjegon se e nisën veprimtarinë në maj, para Ditës së Evropës, dhe vazhduan me vizitat shkollore për të rritur ndërgjegjësimin për dëmet që mund t’i shkaktojë shoqërisë gjuha e urrejtjes.

Krahas aktiviteteve për rritjen e ndërgjegjësimit, KE-ja punon me partnerë për të sjellë ndryshime strukturore dhe të rregullta në sistem. Një shembull është edhe bashkëpunimi me institucionet vendore, me qëllimin e rritjes së kapacitetit të tyre për të normalizuar të drejtat e LGBTI-së në dokumentet e politikave vendore dhe aktet nënligjore.

Jo të gjithë ne mund të bëjmë ndryshime të tilla në nivel politikash, por fushata na rikujton se mund ta bllokojmë urrejtjen dhe të japim dashuri. 

Shfrytëzimi i inteligjencës artificiale për sigurinë në tren

Njihuni me robotin hekurudhor, të shpikur nga një ekip shkencëtarësh nga Serbia për të mbajtur pasagjerët të sigurt!

Për të qenë në përputhje me rregulloret hekurudhore ndërkombëtare, lokomotivat duhet të inspektohen vazhdimisht. Kjo mund të përfshijë inspektimin vizual, matje më të detajuara ose hapjen e një pjese të mjetit të transportit. Lloji i inspektimit varet nga seria e lokomotivave dhe koha apo distanca në të cilën kanë udhëtuar. Normalisht, inspektimet vizuale kryhen në një gropë nga një inspektor hekurudhor, i cili përdor një elektrik dore për ndriçim. Por shpesh, kjo nuk është aq e lehtë sa ç’duket.

Gjatë viteve të fundit, liberalizimi i tregut të makinerive të mallrave hekurudhore në Serbi ka sjellë në treg një numër të madh makinerish hekurudhore të shkallës së vogël. Shumica prej tyre janë të specializuara në mënyrë relative me produkte specifike mallrash transporti dhe me një numër të limituar lokomotivash, vagonësh dhe burimesh shërbimi. Sidoqoftë, rregullat e inspektimit janë akoma të vlefshme, pavarësisht përmasave të makinerisë së mallrave. Duke qenë se makineritë nuk zotërojnë depo me gropa inspektimi, mjetet e transportit duhet të hiqen nga qarkullimi me ditë apo javë të tëra, që t’u nënshtrohen inspektimit në depot kolektive. Kjo shkakton vonesa, ndërprerje shërbimesh dhe humbje të ardhurash. Për ta kapërcyer këtë sfidë, një grup shkencëtarësh nga Serbia kanë bërë çmos për të gjetur një zgjidhje.

“Vendosëm ta çonim më tutje këtë ide, kështu që i gjithë procesi i operimit u përmbyll me mbështetjen e inteligjencës artificiale, pra, të një roboti.”

Profesor Aleksandar Miltenović nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike – Universiteti i Nishit në Serbi – është kreu i ekipit të shkencëtarëve që kanë krijuar ATUVIS-in (Autonomous Train Undercarriage Visual Inspection System). Kjo është një zgjidhje e zgjuar dhe efikase, e bazuar tek inteligjenca artificiale, që do të lejojë inspektimin e trenave në qarkullim por do të shmangë proceset e kushtueshme të mirëmbajtjes që marrin shumë kohë, pasi trenat duhen hequr nga shërbimi për t’i kaluar mbi gropën e inspektimit. Roboti i shpikur nga Profesor Miltenović dhe ekipi i tij mund të ngjitet poshtë trenit, të shkrepë foto dhe të nxjerrë në mënyrë automatike një raport rreth gjendjes së mjetit të transportit.

Profesor Miltenović-i shpjegon se, pas një kërkese nga makinistët privatë hekurudhorë, kaluan mbi pesë vite duke punuar për këtë zgjidhje. Fillimisht, krijuan një pajisje më primitive, e cila përfshinte një zgjidhje mekanike, të bazuar te kamera, por që ende kishte nevojë për ndihmën e njerëzve. “Sidoqoftë, vendosëm ta çonim më tutje këtë ide, kështu që i gjithë procesi i operimit është përmbyllur me mbështetjen e inteligjencës artificiale, me pak fjalë, të një roboti,” thotë Miltenović.

Nga prototipi në treg

Asgjë nga këto nuk do të kishte qenë e mundur pa përkrahjen e skemës së financuar nga BE-ja ‘Proof of Concept’ (EU4TECH PoC). Kjo skemë ndihmon avancimin e teknologjive entuziazmuese, duke përkrahur ekipe publike hulumtimi dhe ndërmarrje të vogla e të mesme, të cilat zotërojnë ide në fazën ‘Proof of Concept’, duke përfshirë këtu nëpërmjet prototipeve dhe licensimit, me synimin final për t’i futur në treg. Përkrahja me prototipe nga EU4TECH PoC për ATUVIS-in ishte përqendruar te verifikimi i realizueshmërisë së inspektimit në terren të vështirë dhe tek aftësia e kamerës në përbërje të tij, e cila ishte pjesë e sistemit për t’u përshtatur me çfarëdolloj pozicioni nën shasi, si dhe në pozicionet anësore. Për më tepër, EU4TECH PoC e ndihmoi ekipin të hulumtonte për mundësinë e patentimit të shpikjes dhe të qartësonte modelin e duhur të biznesit.

“Në momentin që përfunduam projektin EU4TECH, aplikuam për më shumë fonde dhe morëm një rezultat pozitiv. Pa EU4TECH-un, ideja jonë do të mbetej akoma në letër.”

Lidhur me projektin

EU4TECH Proof of Concept (PoC) Ballkani Perëndimor ishte një projekt dy-vjeçar shumë-vendësh i Instrumentit për Para-Anëtarësimin (IPA), i financuar nga BE-ja nëpërmjet Western Balkans Enterprise and Development Innovation Facility (WBEDIF). Projekti mbulonte të gjashta ekonomitë e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Projektet e mbështetura vinin si rezultat i organizatave të hulumtimit publik dhe start-up-eve/NVM-ve.

WBDEIF-ja është një prej instrumenteve të sektorit privat që përkrahet nga Western Balkans Investment Framework (WBIF) – një nismë e përbashkët e BE-së, organizatave financiare, donatorëve dypalësh dhe përfituesve, që synon harmonizimin dhe bashkëpunimin në investimet për zhvillimin socio-ekonomik të rajonit dhe kontributet për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

WBIF-ja është mjeti kryesor për vënien në zbatim të Planit ambicioz Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, të financuar nga BE-ja. Plani përqendrohet te nxitja e konkurrencës në sektorin privat dhe rritja e mbështetjes për hulumtime dhe risi.

Me anë të përkrahjes së EU4TECH-ut, ekipi arriti të krijonte prototipin e ri, i cili ishte shumë më i avancuar se i mëparshmi. “Në momentin që përfunduam projektin EU4TECH, aplikuam për më shumë fonde dhe morëm një rezultat pozitiv. Pa EU4TECH-un, ideja jonë do të mbetej akoma në letër.”

Për fazën tjetër dhe njëkohësisht të fundit për zhvillimin e idesë së tyre, ekipi nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike Nish mori 300,000 euro, si mbështetje nga Fondi për Inovacion në Serbi, i cili bashkë-financohet dhe nga Bashkimi Evropian. Brenda dy vitesh, po planifikojnë ta vënë ATUVIS-in në dispozicion për tregun hekurudhor. “Kur fillova universitetin në fund të viteve ‘90, nuk e mendoja kurrë se do të krijonim robotë për këto lloj qëllimesh. Akoma më duket si ëndërr,” thotë Profesor Miltenović.

Mbrojtja e të drejtave të njerëzve në lëvizje

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, një OJQ malazeze ka përkrahur emigrantët me shërbime ligjore falas.

Irfani* është një 30 vjeçar me origjinë nga Maroku, por  ai thotë për vendlindjen e tij se “Të drejtat e njeriut nuk respektoheshin, nuk kishte vende pune: ekonomia ishte e dobët. Gjithçka ishte si mos më keq!”. Ai u arratis nga Maroku në vitin 2011 dhe u drejtua fillimisht për në Turqi, duke përdorur një fluturim të zakonshëm. Së shpejti, iu desh ta linte atë shtet dhe më pas, pati kontaktin e parë me kontrabandistët. Ata e transferuan për në Greqi e më pas në Shqipëri, derisa më në fund mbërriti në Malin e Zi. “Jeta ime ishte në duart e kontrabandistëve. Ata mund të kishin bërë ç’të donin me mua; nuk mund të bëja asgjë. I lodhur nga arratisja, mbërrita në Malin e Zi dhe nuk kisha fuqi të vazhdoja më tutje,” shton Irfani.

Irfani tanimë jeton në Malin e Zi prej më shumë se 10 vitesh. Shumë shpejt pas mbërritjes, ai gjeti një punë në një hotel, ku ra në dashuri me një malazeze me emrin Jovana*. Tani janë të martuar dhe kanë dy fëmijë të mrekullueshëm. Ndërkohë, Irfani mësoi edhe gjuhën malazeze dhe, në shumë aspekte, u ndje vërtet pjesë e shoqërisë në shtëpinë e tij të re. Sidoqoftë, kjo nuk vlente për aspektin ligjor. Ai kishte të drejtë të aplikonte për shtetësi malazeze, por për shkak të ndërlikimeve ligjore dhe faktit që ligje të caktuara janë në konflikt me njëri-tjetrin, ai akoma nuk është në gjendje ta ushtrojë këtë të drejtë. Për ta zgjidhur këtë problem, ai trokiti në derën e Qendrës Ligjore të OJQ-së malazeze, që ofron ndihmë ligjore për të huajt që kërkojnë azil në Malin e Zi, nëpërmjet një projekti të financuar nga BE-ja, të titulluar “Avokati Im – Ndihmë Ligjore Profesionale Falas për Migrantët”, në bashkëpunim me Caritas-in. Tani ai po merr ndihmë ligjore nga ata në lidhje me këtë çështje.

“Ngaqë numri i migrantëve që duan të qëndrojnë në Malin e Zi është i vogël, qeveria akoma nuk ka një politikë për integrimin e tyre në aspektin edukativ dhe të punësimit.”

Shërbime ligjore falas për ata në nevojë

Luka Kovačević-i është drejtori i Qendrës Ligjore të OJQ-së, e cila u themelua në vitin 2007, me synimin për të mbështetur të shpërngulurit dhe refugjatët e luftërave në ish-Jugosllavi. Në atë kohë, Mali i Zi nuk kishte as infrastrukturën ligjore më bazike për azilkërkuesit dhe as një plan qeveritar për t’u ofruar përkrahje azilkërkuesve apo refugjatëve. Fillimisht, Luka dhe ekipi i tij e mbështetën qeverinë për t’i kapërcyer këto pengesa dhe, më pas, qeveria prezantoi infrastrukturën ligjore që është në fuqi deri më sot.

Por, ndërkohë, filluan të vinin në Malin e Zi migrantë nga pjesë të tjera të botës që kishin nevojë për përkrahje. Sipas statistikave të Qendrës Ligjore të OJQ-së, mbi 95% e refugjatëve në vend po e përdorin Malin e Zi si rrugë tranziti dhe vetëm një numër i vogël i tyre vendosin të qëndrojnë, duke qenë se shumica synojnë shtete me mundësi më të mira ekonomike. Por ata që qëndrojnë, kanë nevojë për përkrahje. Luka shpjegon se qeveria nuk mund të bëjë shumë për t’i ndihmuar. “Ngaqë numri i migrantëve që duan të qëndrojnë në Malin e Zi është i vogël, qeveria akoma nuk ka një politikë për integrimin e tyre në aspektin edukativ dhe të punësimit.”

Mbështetja e ofruar për këta migrantë dhe të tjerë që e shohin Malin e Zi vetëm si një rrugë tranziti, është arsyeja pse OJQ-ja e Lukës nisi projektin e financuar nga BE-ja, “Avokati Im – Ndihmë Ligjore Profesionale Falas për Migrantët”, në bashkëpunim me Caritas-in.

“Kemi bërë mbi 146 vizita në terren: kemi qenë në të gjitha bashkitë malazeze, duke vizituar dhe ndihmuar migrantët në vendet zyrtare dhe jozyrtare të grumbullimit. Migrantët që ndihmuam vitin e shkuar, vinin nga Afganistani, Algjeria, Irani, Maroku e vende të tjera.”

Lidhur me projektin

Projekti i financuar nga BE-ja, “Avokati Im – Ndihmë Ligjore Profesionale Falas për Migrantët”, nisi në fillim të vitit 2020 dhe përfundoi më korrik 2021. Vlera financiare e projektit arriti mbi 130,000 euro. Projekti synon të mbrojë të drejtat e kategorive të ndryshme të migrantëve, nëpërmjet ofrimit të ndihmës ligjore, informacionit, konsultimit, ndihmave humanitare, mbështetjes psiko-sociale si dhe përpjekjeve për të rritur kapacitetin e organizatave të shoqërisë civile vendase dhe institucioneve përkatëse për të ndjekur politikat për menaxhimin e migrimit, integrimin e të huajve të cilëve u është siguruar mbrojtje ndërkombëtare dhe ri-integrimin e të kthyerve pas ripranimit.

*Emri është ndryshuar për të ruajtur privatësinë

Nëpërmjet këtij projekti, u mbështetën 677 përfitues, që nga migrantët e parregullt dhe njerëzit që kërkonin mbrojtje ndërkombëtare në Mal të Zi, e deri tek të kthyerit që ktheheshin në bazë të marrëveshjeve të ri-pranimit. Krahas ndihmës ligjore falas, migrantëve iu shpërndanë 350 pako ndihmash humanitare. “Kemi bërë mbi 146 vizita në terren: kemi qenë në të gjitha bashkitë malazeze, duke vizituar dhe ndihmuar migrantët në vendet zyrtare dhe jozyrtare të grumbullimit. Migrantët që ndihmuam vitin e shkuar, vinin nga Afganistani, Algjeria, Irani, Maroku e vende të tjera,” thotë Luka.

Ta themi historinë siç duhet

Programi Drejtësia Tranzicionale në Ballkan i ka sjellë informacion të besueshëm publikut të Ballkanit Perëndimor për më shumë se dhjetë vite.

Kula në Kroaci dhe Hrtkovci në Serbi janë dy fshatra të Ballkanit Perëndimor që kanë një tragjedi të përbashkët. Në vitin 1992, pasi shpërtheu konflikti i armatosur në ish-Jugosllavi, serbët dhe kroatët nga Kula në Kroaci dhe Hrtkovci në Serbi shkëmbyen shtëpitë dhe u shpërngulën në fshatrat e njëri-tjetrit. Kjo u përshkrua si një “zhvendosje e njerëzishme”, por në të vërtetë ishte një shkëmbim i detyruar i popullsisë në mes të një lufte. Historia e këtyre dy fshatrave u portretizua në filmin dokumentar, “Shtëpia jote ishte streha ime”, i publikuar nga Rrjeti Ballkanik i Raportimit Investigativ (BIRN).

Dokumentari u krijua si pjesë e programit Drejtësia Tranzicionale në Ballkan, një platformë rajonale ebashkëfinancuar nga BE-ja. Platforma publikon lajme online që flasin për problematikat vendase të lidhura me krimet e luftës, duke përmirësuar kështu konceptimin e publikut të gjerë për problematikat e drejtësisë tranzicionale në ish-Jugosllavi.

“Jemi e vetmja media në rajon që flet me detaje për gjyqet e krimeve të luftës dhe që bazohet vetëm te faktet. Mendoj se kjo është një ndër gjërat më të rëndësishme që ka arritur me sukses drejtësia tranzicionale nëBallkan gjatë dhjetë viteve të fundit.”

Mbi dhjetë vite raportim i krimeve të luftës

Nejra Mualomerović, partnere e programit, shpjegon se qëllimi kryesor i programit është të sigurojë një transmetim të rregullt dhe të përditësuar të informacionit lidhur me problematikat e drejtësisë tranzicionale (kryesisht me gjyqet e krimeve të luftës) në rajon. Kjo është arritur falë një rrjeti të përkushtuar korrespondentësh nga e gjithë ish-Jugosllavia dhe kontribuesish nga mediat e tjera, organizatat e shoqërisë civile, institucionet qeveritare e akademitë. “Jemi e vetmja media në rajon që flet me detaje për gjyqet e krimeve të luftës dhe që bazohet vetëm te faktet. Mendoj se kjo është një ndër gjërat më të rëndësishme që ka arritur me sukses drejtësia tranzicionale në Ballkan gjatë dhjetë viteve të fundit,” thotë Nejra.

Sidoqoftë, duke qenë se numri i gjyqeve të krimeve të luftës është ulur, programi ka filluar të zhvillojë aktivitete të tjera me të njëjtin qëllim, duke përdorur përvojën dhe informacionin që zotëron. Një nga projektet e tyre është një bazë të dhënash për varret masive. Ekipi i programit ka filluar ta përpilojë këtë që në vitin 2020, duke u përballur me vështirësitë për shkak të numrit të madh të varreve masive dhe informacionit të parregullt. Nejra shpjegon që për shkak se informacioni nuk ndodhej në një vend të vetëm dhe pjesa më e madhe e tij vihej në dispozicion vetëm në kopje të printuara, stafit të programit iu desh të vizitonte institucione dhe organizata të shumta. Ata shkuan edhe me një fotograf te vendndodhjet e varreve masive, për t’i regjistruar dhe për t’i ruajtur në bazën e të dhënave. Më pas, informacioni u bë publik.

Gjatë këtyre vizitave, u bë i qartë fakti se shumica e vendndodhjeve të varreve masive nuk ishin të shënuara, nuk përkujtoheshin dhe nuk kishte akses te to. Disa prej tyre ndodheshin në prona private, disa ishin kthyer në vendgrumbullime mbeturinash, ndërsa në disa të tjera ishin ngritur kisha,” thotë Nejra.

Megjithatë, ekipi ka arritur të gjejë, filmojë, fotografojë dhe të ruajë me dhjetëra vendndodhje në bazën e të dhënave dhe puna vazhdon akoma.

“Mendoj se të gjithë njerëzit që kanë punuar me BIRN-in gjatë këtyre dhjetë viteve, e kanë parë punën e tyre edhe nga pikëpamja e ndikimit që do të ketë te brezat e ardhshëm dhe te mënyra e të parit të historisë prej tyre.”

Lidhur me projektin

Programi Drejtësia Tranzicionale në Ballkan është një platformë rajonale që synon të përmirësojë konceptimin që ka publiku i gjerë për problematikat e drejtësisë tranzicionale në shtetet ish-Jugosllave (Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia). Programi mbështetet nga Bashkimi Evropian, Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe Ambasada e Mbretërisë së Holandës.

Një nga nismat më të fundit të programit është Muzeu i Shtëpisë së Reporterëve, që do të hapet në Sarajevë këtë vjeshtë. Do të jetë muzeu i parë i pavarur rajonal jofitimprurës në Ballkan, që do të tregojë historinë gjithëpërfshirëse të shpërbërjes së Jugosllavisë, luftërave të saj, si dhe pasojave të këtyre të fundit nga një perspektivë gazetareske. Muzeu do të hapet në një godinë trekatëshe në qendrën e qytetit, me një hapësirë prej 600 m2. Dy katet e para do të shërbejnë si ekspozita të përkohshme që do të tregojnë historitë e krimeve të luftës që janë kryer në ish-Jugosllavi, duke përfshirë këtu historitë e refugjatëve, spastrimit etnik, gjenocidit, kampeve të luftës, si dhe të jetës së gazetarëve gjatë kësaj lufte. Kati i tretë do të shërbejë si një hapësirë komunitare për gazetarët dhe pjesëtarët e tjerë të shoqërisë civile e publikut të gjerë dhe do të përdoret për diskutime lidhur me gazetarinë konfliktuale dhe rolin e medias në ditët e sotme.

Nejra është në dijeni të faktit që, tematikat e drejtësisë tranzicionale nuk janë të lehta për t’u folur. “Por, unë mendoj se të gjithë njerëzit që kanë punuar me BIRN-in gjatë këtyre dhjetë viteve, e kanë parë punën e tyre edhe nga pikëpamja e ndikimit që do të ketë te brezat e ardhshëm dhe te mënyra e të parit të historisë prej tyre,” thotë ajo.

Të luftojmë ndotjen përtej kufirit

Bashkitë ndërkufitare në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi bashkojnë forcat për luftën kundër ndotjes

Zonat kufitare të Likovës në Maqedoninë e Veriut dhe të Preshevës në Serbi janë të dyja bashki me popullsi të vogël: Likova ka 13,000 banorë, ndërsa Presheva 27,000. Duke qenë se shumica e banorëve të tyre jetojnë në zona rurale, ata kanë kulturë, tradita e sistem ekonomik të ngjashëm dhe lidhje të forta familjare e miqësie. Sidoqoftë, kanë edhe të njëjtin problem të rëndësishëm: një nivel të lartë ndotjeje që vjen nga vend-grumbullimet e paligjshme të mbeturinave.  Në bashkinë e Preshevës gjenden 11 vend-grumbullime të paligjshme mbeturinash dhe shtatë të tilla në Likovë.

Të dyja bashkitë kanë një sistem për grumbullimin e mbetjeve, që është organizuar nëpërmjet kompanive të shërbimit publik. Sidoqoftë, këto kompani nuk i mbulojnë krejtësisht bashkitë e tyre përkatëse. Kompania Pisha në Likovë mirëmban dhjetë fshatra nga 22 fshatrat e banuara në zonën ku është rënë dakord të grumbullohen mbetje, ndërsa kompania Moravica në anën serbe të kufirit mbulon 11 fshatra nga 34 të tilla të banuara në bashki. Problemi në rritje i fshatrave, të cilave nuk u është ofruar shërbim, nuk u arrit të shqyrtohej në nivel bashkiak për shkak të mungesës së fondeve dhe koordinimit dhe për këtë arsye, dy bashkitë vendosën të kërkonin mbështetje të jashtme për të menaxhuar problemin.

“Duke marrë parasysh përmasat relativisht të vogla të bashkive, numri i njerëzve me sëmundje ngjitëse ishte shumë i lartë dhe për ne ishte e dukshme që një ndër arsyet kryesore për këtë ishin vend-grumbullimet e paligjshme të mbeturinave dhe mjedisi i ndotur.”

Të bashkojmë forcat për një mjedis më të mirë

Aleksandar Gumberovski është menaxher projekti me bashkinë e Likovës. Ai shpjegon se, në bazë të të dhënave zyrtare, të marra nga Spitali Rajonal në Vranjë, numri i personave me sëmundje ngjitëse në bashkinë e Preshevës ishte 20 në vitin 2017, 30 në vitin 2018 dhe 35 vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019. Në anën e tij të kufirit, në Likovë, numri i njerëzve me sëmundje ngjitëse ishte 23 në vitin 2017, 38 në vitin 2018 dhe 42 vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019, gjë që dëshmon për rritje të vazhdueshme të infektimit edhe atje. “Duke marrë parasysh përmasat relativisht të vogla të bashkive, numri i njerëzve me sëmundje ngjitëse ishte shumë i lartë dhe për ne ishte e dukshme që një ndër arsyet kryesore për këtë ishin vend-grumbullimet e paligjshme të mbeturinave dhe mjedisi i ndotur,” thotë Aleksandar-i.

Për shkak të madhësive të tyre dhe ekonomisë kryesisht rurale, asnjëra prej bashkive nuk zotëron fonde të mjaftueshme për të mbuluar në mënyrën e duhur të gjitha shërbimet për banorët dhe kjo është arsyeja pse nuk arritën të ofronin shërbime për grumbullimin e mbetjeve për të gjithë qytetarët . Sidoqoftë, duke qenë se në bashkinë e Likovës pati një përvojë të mirë mbështetjeje nga donatorët, ata bashkuan forcat me bashkinë fqinje të Preshevës në anën serbe të kufirit dhe vendosën të aplikonin për financim nga BE-ja, që t’i ndihmonte me këtë problem.

Ata krijuan bashkarisht një projekt të titulluar “Më Pak Mbeturina, Më Pak Rrezik, Më Shumë Shëndet” dhe morën mbështetje nga programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Maqedoni e Veriut – Serbi, të financuar nga BE-ja. Nëpërmjet projektit, ata blenë dy kamionë të mëdhenj për grumbullimin e mbetjeve, 20 kontejnerë më të mëdhenj për grumbullimin e mbetjeve dhe mbi 1700 kazanë të vegjël për t’i shpërndarë në familjet e rajonit.

“Këto bashki janë të pazhvilluara dhe ka mungesë fondesh për thuajse çdo sektor. Për këtë arsye, mbështetja e BE-së luan rol shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve tona, madje ndonjëherë edhe për ato më të thjeshtat.”

Lidhur me projektin

Projekti i bashkëpunimit ndërkufitar “Më Pak Mbeturina, Më Pak Rrezik, Më Shumë Shëndet”, i financuar nga BE-ja, nisi në fillim të vitit 2021 dhe do të vazhdojë deri në fund të vitit 2022. Vlera e përgjithshme e projektit arrin mbi 250,000 euro, rreth 85% prej të cilave janë financuar nga BE-ja. Objektivat specifikë të këtij projekti përfshijnë:

rritjen e kapacitetit për të menaxhuar rreziqet e krijuara nga njeriu dhe ato të lidhura me asgjësimin e mbetjeve të ngurta dhe me mbrojtjen e mjedisit; rritjen e kapacitetit dhe përmirësimin e qasjes së institucioneve ndaj shërbimeve për organizimin e mbetjeve; rritjen e ndërgjegjësimit tek banorët vendas për pasojat e ndotjes; dhe uljen e sëmundjeve ngjitëse.

Përveç mbështetjes me pajisje, projekti do të nisë gjithashtu edhe një fushatë ndërgjegjësimi me fletëpalosje dhe video, për të ndryshuar zakonet e qytetarëve që lidhen me mjedisin, duke i inkurajuar të përdorin kazanët e sapo-blerë për mbetjet e tyre.

Ky nuk është projekti i parë i financuar nga BE-ja nga i cili ka përfituar bashkia e Likovës. Aleksandar-i shpjegon se, bashkia është në kufi edhe me Bullgarinë dhe Kosovën dhe për këtë arsye, ata kanë qenë pjesë e programeve të tjera për bashkëpunim ndërkufitar. “Këto bashki janë të pazhvilluara dhe ka mungesë fondesh për thuajse çdo sektor. Për këtë arsye, mbështetja e BE-së luan rol shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve tona, madje ndonjëherë edhe për ato më të thjeshtat,” thotë ai.

Një përvojë në jetën e kafshëve të egra hapet për biznes

Me anë të mbështetjes së BE-së, zona ndërkufitare mes Malit të Zi dhe Serbisë është gati të mirëpresë turistët që adhurojnë natyrën.

Para pandemisë, Mali i Zi kishte rreth dy milionë vizitorë të përvitshëm dhe mbi shtatë milionë qëndrime gjatë natës në vit. Ky mund të konsiderohet një sukses i madh për një shtet me një popullsi prej vetëm 600,000 personash. Këta vizitorë përqendrohen kryesisht te rajonet e mrekullueshme bregdetare për pushime verore ose te vendpushimet e skive në veri. Sidoqoftë, Mali i Zi ofron edhe shumë mundësi të tjera emocionuese për turizmin e kafshëve të egra, veçanërisht në rajonin verilindor në kufi me Serbinë, i cili është pak i njohur. OJQ-ja Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve (CZIP) nga Podgorica, së bashku me partnerët nga Mali i Zi dhe Serbia, po punon për hapjen e zonës si një destinacion për adhuruesit e kafshëve të egra.

Kudo në botë, jeta e kafshëve të egra dhe vëzhgimi i shpendëve janë kthyer në aktivitete turistike gjithmonë e më popullore dhe rëndësia e tyre po njihet në të njëjtën shkallë sa dhe tregje të tjera të sigurta të turizmit. Sidoqoftë, për shkak të zonës relativisht të izoluar dhe rrjetit të dobët të transportit, infrastruktura e turizmit është e pazhvilluar këtu, pavarësisht se aty ndodhen katër parqe natyrore.

“Duke qenë se kishte mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit, por edhe nevojë për mbështetje, vendosëm të vepronim që ta hapnim këtë peizazh përrallor për vizitorët.”

Plotësimi i nevojës për zhvillimin e turizmit

Lejla Abdić është ambientaliste dhe menaxhere projekti në Qendrën për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve. Ajo shpjegon se, bashkë me kolegët e saj, e dinin shumë mirë që rajoni ishte i pazhvilluar për nga infrastruktura e turizmit dhe aktivitetet në natyrë. “Duke qenë se kishte mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit, por edhe nevojë për mbështetje, vendosëm të vepronim që ta hapnim këtë peizazh përrallor për vizitorët,” thotë Lejla.

Me këtë synim në mendje, ata aplikuan për thirrjen ndërkufitare për bashkëpunim të Malit të Zi/ Serbisë, “Projekti Hoo – Krijimi i Përvojave me Bufët dhe Kafshët e Tjera të Egra”, financuar nga BE-ja.  Meqenëse popullata e shpendëve të rajonit është shumë e pasur, fokusi kryesor i projektit të tyre ishte tek aktivitetet e lidhura me vëzhgimin e shpendëve, nëpërmjet krijimit të hartave dhe sinjalistikave të shtigjeve ku shihen shpendët. Ata gjithashtu po punojnë për trajnimin dhe motivimin e vendasve që të përfshihen në bizneset e lidhura me turizmin e kafshëve të egra, si dhe për krijimin e markave dhe promovimin e produkteve të turizmit, të cilat u zhvilluan si pjesë e projektit.

“Rajoni ka pasuri unike turizmi të kafshëve të egra, që nuk janë shfrytëzuar ende, por së shpejti ato do të promovohen në nivel vendor dhe ndërkombëtar, në mënyrë që vizitorët të mund t’i shijojnë.”

Lidhur me projektin

“Projekti Hoo: Krijimi i Përvojave me Bufët dhe Kafshët e Tjera të Egra” filloi në shkurt 2021. Qëllimi kryesor i projektit është të inkurajojë turizmin e kafshëve të egra, të bazuar te trashëgimia natyrore në zonën ndërkufitare mes Serbisë dhe Malit të Zi. Vlera totale e projektit është 262,029 euro dhe planifikohet të zgjasë 24 muaj. Përveç shumë gjërave të tjera, projekti parashikon të krijojë dy itinerare turizmi të kafshëve të egra, trajnimin e guidave turistike për kafshët e egra, vizita studimore dhe vëzhgimi të shpendëve dhe ngritjen e një platforme digjitale për të promovuar turizmin e kafshëve të egra në rajon.

Lejla shpjegon se zona e projektit mund t’u ofrojë shumë turistëve që adhurojnë natyrën. Për shembull, bufët kanë forcën e nevojshme tërheqëse për një përvojë të bukur turistike. Kjo zonë shërben si banesë edhe për shumë shpendë të tjerë po aq tërheqës, të tillë si shqiponjat e arta dhe perandorake, shkabat grifonë, fajkonjtë pelegrinë, thëllëzat e malit, thëllëzat e fushës, si dhe specie të rralla shpendësh, që kanë nevojë për komplekse më të mëdha pyjore natyrore si habitatet e tyre. “Rajoni ka pasuri unike të turizmit të kafshëve të egra, që nuk janë shfrytëzuar ende, por së shpejti ato do të promovohen në nivel vendor dhe ndërkombëtar, në mënyrë që vizitorët të mund t’i shijojnë.”

Lejla shpjegon më tej se, projekti po korr një sukses të madh nga pikëpamja e bashkëpunimit ndërkufitar. Organizatat partnere do të zhvillojnë guida studimi dhe aktivitete koordinimi, për të lidhur komunitetet, bizneset dhe operatorët turistikë në të dyja anët e kufirit. “Në fund të ditës, zhvillimi i rajonit lidhet ngushtë me bashkëpunimin ndërkufitar,” thotë ajo.

Prezantimi hudhrës hercegovinase në botë

Nëpërmjet një projekti të financuar nga BE-ja, një kompani nga Bosnja dhe Hercegovina është kthyer në lider të tregut rajonal për prodhimin e hudhrës.

Mbi 300 ditë me diell në vit dhe toka e pasur me gëlqerorë janë vetëm disa prej tipareve që e shquajnë nga të tjerët terrenin përreth qytetit të Ljubinje-s në jug të Bosnjës dhe Hercegovinës. Shumë dekada më parë, fushat në Ljubinje ishin të mbjella me duhan hercegovinas, cilësia e të cilit siguronte një jetesë të përshtatshme për popullin e këtij rajoni. Megjithatë, për shkak të rënies së investimeve për industrinë vendase të duhanit, fermerëve iu desh ta diversifikonin produktin e tyre.

Kjo nuk ishte shumë e vështirë, duke qenë se toka është shumë pjellore. Ata u përqendruan te hudhra, e cila prej shekujsh, është prodhuar dhe përdorur në rajon, si për gatim, edhe për të luftuar sëmundjet. Mundësia për biznesin e hudhrës u vu re nga Farmavit-a, një kompani nga rajoni i Ljubinje-s që vendosi të provojë jo vetëm rritjen, por edhe përpunimin e këtij produkti, për ta shpërndarë më pas në tregje më të gjera.

“Analizat e kryera nga institucionet me famë botërore kanë treguar se, për nga vetitë dhe ndikimi që ka te shëndeti, hudhra hercegovinase renditet në pesë më të mirat në botë.”

Teknologji moderne për përmirësimin e prodhimit

Stefan Šalvarica është menaxheri përgjegjës për prodhimin dhe përpunimin e hudhrës në kompani, së cilës iu bashkua në vitin 2020. Kompania u themelua në vitin 2000 dhe në fillim, prodhonin kryesisht ushqim për gjedhët. Por, pasi panë mundësinë e prodhimit të një game më të gjerë kulturash, vendosën të provonin diçka më interesante dhe të përshtatshme për tregje më të mëdha. “Analizat e kryera nga institucionet me famë botërore kanë treguar se, për nga vetitë dhe ndikimi që ka te shëndeti, hudhra hercegovinase renditet në pesë më të mirat në botë,” thotë Stefani.

Sot, Farmavit-a është kompani lider për prodhimin e hudhrës në Bosnje dhe Hercegovinë. ata prodhojnë më së shumti për eksport, edhe në BE. Gjatë rrugëtimit të tyre drejt suksesit të arritur, ata u mbështetën edhe nga nisma EU4 Business, e financuar nga BE-ja dhe e vënë në zbatim nga PKBZh-ja. Nëpërmjet kësaj mbështetjeje, kompania i dha zgjidhje një problemi madhor me burimet e ngrohjes, si dhe me problemin me avullin e formuar në procesin e trajtimit termal të hudhrës, që e kishte vështirësuar prodhimin. “Falë ventilimit dhe ajrit të kondicionuar në ambientet tona, tanimë arrijmë ta largojmë avullin brenda pak minutave. Gjithashtu, në të shkuarën, një pjesë e madhe e punës bëhej me dorë, por tani, me ndihmën e makinerive të reja, proceset e mbushjes, etiketimit dhe mbylljes së kavanozave janë përmirësuar dhe përshpejtuar,” shpjegon Stefani.

Kompania zotëron plantacionet e veta të hudhrës, por në të njëjtën kohë blen sasi të caktuara nga nën-kontraktorët e saj në Hercegovinë.  Pas blerjes, hudhra dërgohet për analiza para se të kthehet në produkt të gatshëm për klientët në raftet e supermarketeve në Bosnje dhe Hercegovinë, me markën “Aromë Hercegovine”.

“Falë projektit EU4Business, ia kemi dalë të përmirësojmë kushtet e punës dhe prodhimin, të ulim shpenzimet dhe të ofrojmë produkte unike për klientët tanë. Duke qenë se kemi përmirësuar prodhimin e hudhrës, sasia jonë vjetore e prodhimit është rritur me 10 tonë.”

Lidhur me projektin

EU4Business është një projekt i BE-së që synon të rrisë kapacitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës për të fuqizuar ekonominë dhe punësimin, duke përqafuar konkurrencën dhe risinë në sektorët e përzgjedhur. Ka një buxhet prej 16.1 milionë eurosh: 15 milion euro, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe 1.1 milion euro nga Republika Federale e Gjermanisë.

EU4Business është pjesë e Strategjive për Zhvillim Vendor – Vetëqeverisje Vendore dhe Zhvillim Ekonomik në Bosnje dhe Hercegovinë të Programit të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ).

Stefan shpjegon më tej se, prodhojnë gjithashtu edhe puré dhe marinada që përmbajnë hudhër me erëza, vaj ulliri dhe vaj luledielli. Për më tepër, falë projektit EU4Business, tanimë ata prodhojnë të ashtuquajturën hudhër të zezë. Hudhra e zezë është rezultat i fermentimit të hudhrës së freskët. Në këtë proces të përshpejtuar vjetrimi, hudhra ndryshon ngjyrën, karamelizohet dhe vetitë e saj theksohen. Kjo lloj hudhre vlerësohet shumë në tregun botëror dhe me blerjen e makinerisë së fermentimit falë mbështetjes së BE-së, kompania Farmavit u bë prodhuesi i vetëm i kësaj lloj hudhre në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Falë projektit EU4Business, ia kemi dalë të përmirësojmë kushtet e punës dhe prodhimin, të ulim shpenzimet dhe të ofrojmë produkte unike për klientët tanë. Duke qenë se kemi përmirësuar prodhimin e hudhrës, sasia jonë vjetore e prodhimit është rritur me 10 tonë,” thotë Stefani.

Përveç planeve për marinada të reja dhe futjen e hudhrës së zezë dhe asaj të freskët në tregun ndërkombëtar, kompania Farmavit  vijon të investojë për plane madhore, për të ruajtur pozicionin e tyre si lider i tregut. “Kemi investuar fonde tona shtesë për të blerë pajisje që do të na ndihmojnë për prodhimin e kapsulave të xhelatinës, të mbushura me ekstrakt hudhre. Do të bëhemi kompania e parë në rajon që prodhon suplemente dietike të këtij lloji,” thotë Stefani, i kënaqur.

Kompania Farmavit  u mbështet nëpërmjet projektit EU4Business me 150,000 BAM, ndërkohë që vlera e investimit arriti një total prej 300,000 BAM.

Atmosfera e xhazit rikthen në jetë hapësirat kulturore

Nismat muzikore që lindën gjatë pandemisë, lulëzojnë me anë të mbështetjes së BE-së

Kur të rinjtë e Pejës në Kosovën perëndimore u nxitën të organizonin evente të reja për të përfshirë më shumë qytetarë kulturalisht, ata improvizuan me ato që kishin: një godinë të vjetër kinemaje, artistë të mirënjohur dhe vullnetarizëm. Dhe kështu, nisma e udhëhequr nga OJQ-ja Anibar u përqendrua te zhanri muzikor themelet e të cilit u ngritën mbi improvizimin – xhazi. Si për ta bërë këtë nismë edhe më të pasigurt, seria e tyre e koncerteve të xhazit ishte planifikuar të fillonte në fund të vitit 2020, në mes të pandemisë së COVID-19-ës. Sidoqoftë, pavarësisht të gjitha pengesave, lindi aktiviteti kulturor më i ri në qytet, Peja Jazz.

“Gjithmonë i kisha thënë vetes se, do të kthehesha në Pejë vetëm nëpërmjet eventeve kulturore.”

Personi kryesor për realizimin e  Peja Jazz-it ishte Dardan Selimaj, përgjegjës për shumë evente kulturore në Kosovë gjatë njëzetë viteve të fundit. Për të, ideja e xhazit në Pejë ishte e vështirë të refuzohej. “Gjithmonë i kisha thënë vetes se, do të kthehesha në Pejë vetëm nëpërmjet eventeve kulturore,” thotë Dardani për qytetin, nga i cili vjen familja e tij dhe ku ka pak evente të kësaj natyre. “Në qytete më të vogla, ku në pjesën më të madhe të vitit nuk ndodh asgjë, brezi i ri meriton të marrë pjesë në koncerte, të cilat mund t’i frymëzojnë të bëhen dikushi në jetë – muzikantë apo pjesë e një bande muzikore – dhe në këtë mënyrë të tejkalojnë kufijtë,” thotë Dardani. Në të shkuarën, një numër i madh muzikantësh që ishin rritur në Pejë zgjodhën një rrugëtim të ngjashëm. Ata shërbyen si frymëzim për Dardanin dhe e shtynë të pranonte rolin e përgjegjësit për një event si Peja Jazz-i.

Përtej idesë frymëzuese, ishte i pashmangshëm fakti që do të kishte shumë pengesa rrugës, veçanërisht në një vit kur nisi një pandemi. Koncertet duhet të përfundonin brenda orëve të para të mbrëmjes dhe kishin një numër të limituar vendesh për t’u ulur, në mënyrë që të respektonin rregullat në fuqi të sigurisë publike. Sidoqoftë, ky kontekst kishte edhe avantazhet e veta.

“Duke qenë se 2020-a ishte një vit kur artistët i ndërprenë të gjitha shfaqjet, çdo gjë mbeti në vend në skenën kulturore, kështu që ata u bënë më kreativë dhe krijuan vepra të reja,” thotë Dardani, me zë të entuziazmuar se do të njihte xhevahiret muzikore  të krijuara gjatë muajve të izolimit.

“Ne shfaqëm katër koncerte dhe secili prej tyre me albume të reja: të gjitha brenda edicionit të parë,” thotë ai, me bindjen se një ndodhi e tillë është e vështirë të përsëritet. Sidoqoftë, një element që u arrit të përsëritej një vit më vonë, në edicionin e dytë, ishte përkushtimi ndaj koncerteve cilësore. Gjatë kësaj kohe, duke qenë se performuesit rajonalë dhe ata të vendosur në BE mund të udhëtonin, Peja Jazz-i kaloi përtej kufijve të Kosovës.

 “Fakti që Peja Jazz-i është organizuar nën patronazhin e Anibar-it, është në favor të qëndrueshmërisë së tij, si nga pikëpamja organizative, ashtu edhe për frymëzimin e performuesve të ardhshëm.”

Lidhur me projektin

Projekti i Partneritetit Qytetar-Publik për Qeverisjen Novatore të Infrastrukturës Publike në Pejë, Prizren dhe Mitrovicë synon të përmirësojë gjendjen aktuale të hapësirave kulturore, si dhe të krijojë hapësira të reja anë-e-kënd Kosovës. Përveç shumë roleve të tjera, projekti shërben edhe si një ndërhyrje e rëndësishme për demokratizimin e politikave kulturore dhe urbane në Kosovë dhe u ofron më shumë qytetarëve pjesëmarrje në jetën publike.

Investimi për organizatat, jo për individët, për evente të shëndetshme kulturore

Mbajtja e një eventi muzikor ndikon në jetën kulturore të një qyteti të vogël si Peja në shumë mënyra. Së pari, zhvillimi i Peja Jazz-it në kinemanë e vetme në qytet ndihmoi për parandalimin e ndërhyrjeve të mundshme në godinën madhështore. Së dyti, i hapi rrugën qytetit drejt përfitimeve të tjera të ndërthurura, si turizmi dhe shkëmbimet kulturore. Ç’është më e rëndësishmja, u kthye në një mundësi për të transformuar brezat më të rinj, duke i ndërgjegjësuar më shumë për potencialin e tyre, nëpërmjet kontaktit me artistë të njohur.

“Fakti që Peja Jazz-i është organizuar nën patronazhin e Anibar-it, është në favor të qëndrueshmërisë së tij, si nga pikëpamja organizative, ashtu edhe për frymëzimin e performuesve të ardhshëm,” thotë Dardani, i cili është i gatshëm t’ua transmetojë njohuritë e tij të menaxhimit vullnetarëve në eventet muzikore. Ai u referohet sukseseve që ka korrur Anibar-i në fushën e animacionit, ku të rinjtë kanë kaluar nga mësimi i hapave fillestarë tek shfaqja e animacioneve në festivalet e përvitshme. Anibar-i po mëson nga përvojat lidhur me prezantimin e aktiviteteve të reja kulturore në qytete si Peja dhe tanimë ka partneritet me organizata të tjera në Kosovë e më gjerë për të përmirësuar gjendjen aktuale të hapësirave kulturore. Me financimin e BE-së, synimi i tyre është të jenë më të përgatitur si aktorë kulturorë për menaxhimin e infrastrukturës publike, si dhe të rrisin bashkëpunimin me qeveritë vendore për përdorimin e qëndrueshëm të infrastrukturës, politikave dhe financave publike.

Në gjurmët e rrëqebullit të Ballkanit në rrezik zhdukjeje

Një ekip gazetarësh të Maqedonisë së Veriut fitojnë çmimin prestigjioz të BE-së për hetimin e tyre të kërcënimeve me të cilat përballet rrëqebulli i rrezikuar.

Rrëqebulli i Ballkanit është një lloj maceje e egër që klasifikohet si një specie në rrezik kritik zhdukjeje. Besohet se vetëm rreth 45 individë nga kjo specie ekzistojnë ende në rajon. Gjuetia pa leje, degradimi i terrenit dhe aktivitetet e ndërtimit janë kërcënime serioze për macen më të madhe të rajonit.

 

Rrëqebulli i Ballkanit mund të gjendet në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë. Edhe pse gjuetia apo lëndimi i rrëqebullit të Ballkanit ndalohet me ligj në të tria shtetet, një hetim zbuloi se situata është shumë më ndryshe në praktikë. Një ekip gazetarësh nga radioja maqedonase MOF doli në përfundimin se, në fakt, kjo kafshë nuk mbrohet siç duhet dhe gjendet në rrezik serioz zhdukjeje.

Hetimi i tyre zgjati disa muaj dhe prodhoi një artikull, të titulluar “Në ndjekje të gjurmëve të rrëqebullit të Ballkanit – një artikull investigativ me dy pjesë”. Artikulli paraqet një pamje të zymtë të situatës së rrëqebullit të Ballkanit që rrezikohet vazhdimisht nga gjuetia e paligjshme. Ekipi investigativ gjeti rrëqebuj të balsamosur në muret e restoranteve pranë habitatit natyror të kafshës, rrëqebuj që mbaheshin në kafaze si tërheqje për turistët dhe dyshime për përfshirjen e zyrtarëve të policisë në gjueti. Për më tepër, hetimi tregoi se, përveç kërcënimeve nga gjuetia e paligjshme, rrëqebulli i Ballkanit po rrezikohet gjithashtu nga hedhja e paligjshme e mbetjeve dhe nga aktivitetet e ndërtimit si rrugët dhe hidrocentralet në parqet natyrore dhe përreth tyre.

”Në rajonin tonë kemi legjislacion të shkëlqyer në letër, por shpesh ky legjislacion nuk vihet në zbatim siç duhet.”

Njohja e përpjekjeve

Ekipi i gazetarëve që drejtoi dhe botoi artikullin investigativ përbëhej nga Bojan Shashevski, Daniel Evrosimoski, Emilija Petreska dhe Jasmina Jakimova. Jasmina shpjegon se frymëzimi i tyre erdhi nga dëshira për të treguar një histori që rrallëherë raportohet dhe gjithashtu për të hetuar nëse ligjet për mbrojtjen e natyrës dhe kafshëve të egra po zbatoheshin siç duhet. ”Në rajonin tonë kemi legjislacion të shkëlqyer në letër, por shpesh ky legjislacion nuk vihet në zbatim siç duhet.”

Bazuar te reagimet nga lexuesit, artikulli korri një sukses të madh dhe gjithashtu fitoi Çmimin e BE-së për Gazetarinë Investigative në Maqedoninë e Veriut për vitin 2021. Çmimi u dha nëpërmjet projektit të financuar nga BE-ja, të quajtur “Fuqizimi i Lajmeve Cilësore dhe Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi,” dhe juria e përshkroi artikullin si produkt të një studimi të shkëlqyer.

Në ceremoninë e çmimeve, Emilija Petreska nga radioja MOF tha, “Është zhgënjyese të marrësh vesh se, edhe pas më shumë se një viti që kur publikuam artikullin, institucionet akoma nuk kanë reaguar ndaj zbulimeve. . . Çfarë të ardhmeje po planifikojmë nëse vazhdojmë të shkatërrojmë ekosistemet, habitatet natyrore të rrëqebullit të Ballkanit dhe trashëgiminë natyrore që kemi dhe – si rrjedhim – veten?”.

“Çmimi kishte rëndësi të madhe për ne, jo për paratë, por për njohjen: është një ndjesi e mrekullueshme të dish se përpjekjet e tua janë bërë të ditura”

Lidhur me projektin

Synimi i projektit të financuar nga BE-ja për “Fuqizimin e Lajmeve Cilësore dhe Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi,” është të shtojë besimin e qytetarëve te media dhe të krijojë një mjedis të sigurt për gazetarët, që këta të fundit të mund të prodhojnë lajme të pavarura nëpërmjet trajnimit, mentorimit, ndihmës teknike dhe financiare, si dhe botimit. Projekti është zhvilluar që në vitin 2019 në shtetet kandidate të mundshme si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia.

Jasmina shpjegon se, duke qenë se ishin një organizatë e vogël mediash, ekipi i saj u habit kur u thanë se kishin fituar çmimin e parë. “Çmimi kishte rëndësi të madhe për ne, jo për paratë, por për njohjen: është një ndjesi e mrekullueshme të dish se përpjekjet e tua janë bërë të ditura,” thotë ajo.

Çmimet e BE-së për gazetarinë investigative kanë si synim të përgjithshëm kremtimin dhe promovimin e rezultateve të jashtëzakonshme të gazetarëve investigativë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, si dhe rritjen e shikueshmërisë së gazetarisë cilësore investigative nga publiku i këtyre shteteve.