Skip to main content

Biznes i ri gjatë një krize ekonomike

Një biznes i ngritur nga një i ri sipërmarrës në Serbi po shënon rritje pavarësisht klimës sfiduese të biznesit. Strahinja Tirnanić, 31 vjeç, është një sipërmarrës nga Serbia. Ai e filloi karrierën e tij si administrues uebi në një shoqëri që menaxhon një portal punësimi online, dhe shumë shpejt i ngjiti shkallët e suksesit duke u ngritur në detyrë si Menaxher Marketingu dhe PR dhe Zhvillues Biznesi. Në këtë çast, ai kuptoi se mund të ngrinte dhe të drejtonte një biznes të tijin. “Idenë e drejtimit të një biznesi e kam pasur prej kohësh. Pas gjashtë vjetësh përvojë në biznes, arsim të vazhduar, dhe një bazë të mirë me kontakte biznesi, vetëbesimi im u rrit. Vendosa se kishte ardhur koha ta hidhja këtë hap në sipërmarrje.” – thotë ai. Hedhja e këtij hapi Sipas kërkimeve të tij, tregut i mungonin shërbimet e konsulencës në marketing dhe menaxhim. Ishin pikërisht fushat ku ai kishte më tepër aftësi. Ai zhvilloi një plan biznesi, dha dorëheqjen, dhe regjistroi shoqërinë e tij të konsulencës, me specializim në këto fusha. Megjithatë, si shumë të rinj sipërmarrës në Ballkanin Perëndimor, atij i nevojitej mbështetje, në veçanti për të eksploruar tregjet e reja jashtë Serbisë dhe për të mësuar se si menaxhohen projektet në distancë. Promovimi në kohën e duhur në median sociale e prezantoi me programin e financuar nga BE-ja, Erasmus për të Rinjtë Sipërmarrës (EYE). “Në Facebook lexova rreth një dite informimi për programin në qytetin tim. Duke qenë se po shkoja në Zvicër për pushime, i kontaktova organizatorët dhe iu kërkova që të caktonim një takim pasi të kthehesha. Ata ranë dakord, dhe ndërkohë që po nisesha për në Gjenevë, ndjeva se po fillonte rrugëtimi im në biznesin ndërkombëtar!”

“Vendosa se kishte ardhur koha ta hidhja këtë hap në sipërmarrje.”

Projekti që mbështeti Strahinjan quhej StartUp2. Lehtëson shkëmbimin, të nxënit, dhe rrjetëzimin e sipërmarrësve të rinj. Shkëmbimi realizohet gjatë qëndrimit jashtë vendit me një sipërmarrës me përvojë, që e ndihmon sipërmarrësin e ri të përvetësojë aftësitë e nevojshme për të drejtuar një firmë të vogël. Kjo ishte pikërisht ajo që kërkonte Strahinja. Drejt Sllovenisë Ai zgjodhi të vizitonte Slloveninë për shkëmbimin e tij, dhe përzgjodhi Klubin e Biznesit Luksemburg – Slloveni (LSBC) si organizatën pritëse. Atë e tërhoqi shumëllojshmëria e veprimtarive, mënyrat e reja të punës, si dhe mjedisi krijues dhe ndërkulturor. “Isha i sigurt se do të ishte një sfidë e shkëlqyer për mua, dhe prisja me padurim që të eksploroja Slloveninë dhe mjedisin e biznesit.” Ai qëndroi në Slloveni për tre muaj dhe pati një përvojë, që ai e quan si periudha më e bukur e karrierës dhe jetës së tij. Duke pasur këshilltarë në mbarë botën, LSBC-ja ka përvojë fantastike në veprimtaritë në distancë. Një ndër gjërat më të rëndësishme që Strahinja thotë se ka mësuar gjatë shkëmbimit ishte se si t’i menaxhonte njerëzit në distancë. Gjithashtu, ai i përmirësoi aftësitë e tij digjitale për të rritur produktivitetin dhe efikasitetin. Megjithatë, është rrjeti i njerëzve ai që Strahinja e konsideron si vlerën më të madhe nga shkëmbimi. Rrjetet krijojnë biznese Gjatë qëndrimit të tij, Strahinja mori pjesë në shumë aktivitetet biznesi dhe punoi për zgjerimin e rrjetit të tij. Si rrjedhojë, sistemi i tij për Menaxhimin e Marrëdhënieve me Klientët tanimë përfshin emrat e 60 drejtuesve që ka takuar në aktivitete të ndryshme. Një emër që e krenon në veçanti është sipërmarrësi amerikan i mirënjohur në mbarë botën dhe themeluesi i shumë bizneseve, Jeff Hoffman! Strahinja u kthye me pesë klientë dhe partnerë nga Sllovenia me të cilët bashkëpunon ende. Një nga këta partnerë është PGB.global, një biznes i ri për teknologjitë digjitale, i cili sipas tij është klienti më i madh. Që prej asaj kohe, ai ka punësuar dy kolegë të rinj, është zhvendosur në zyra të reja, dhe ka fituar dy klientë të rinj. Pavarësisht pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, Strahinja ka parë rritje të konsiderueshme gjatë gjashtë muajve të fundit. Ai i jep merita të veçanta projektit StartUp2 për suksesin e tij. “Unë besoj se suksesi është rezultat i aftësisë sonë për të punuar në distancë dhe fokusit tonë në tregun ndërkombëtar. Këto janë ato që mësova në LSCB në Slloveni.” – thotë ai.

“Unë besoj se suksesi është rezultat i aftësisë sonë për të punuar në distancë dhe fokusit tonë në tregun ndërkombëtar. Këto janë ato që mësova në LSCB në Slloveni.”

StartUp2 mbështetet nga Erasmus për të Rinjtë Sipërmarrës (EYE), që është një program shkëmbimi ndërkufitar që iu jep sipërmarrësve të rinj apo aspirantë mundësinë të mësojnë nga sipërmarrës me përvojë, që drejtojnë biznese të vogla në vende të tjera pjesëmarrëse. Vendi pritës përfiton nga pikëpamje dhe mundësi të reja për të krijuar lidhje me partnerë të huaj dhe për të mësuar rreth tregjeve të reja. Serbia merr pjesë në program, krahas vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor. Strahinja është një nga të rinjtë e shumtë që kanë përfituar nga StartUp2. Deri tani, projekti ka mbështetur 128 sipërmarrës nga vende të ndryshme me trajnime në detyrë, ka lehtësuar dhe ka konsoliduar biznese të reja të suksesshme, si dhe ka ndihmuar firmat e mëdha në hyrjen e tyre në tregje evropiane. Drejtohet nga një konsorcium prej tetë partnerësh nga Finlanda, Franca, Italia, Letonia, Portugalia, Serbia, Spanja, dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe bashkërendohet nga CESIE (Qendra Evropiane e Studimeve dhe Nismave) nga Italia. Qendra për Zhvillimin e Biznesit nga Kragujevac është partneri i projektit në Serbi.

Një marrëdhënie tridhjetë vjeçare, dhe bredhi më i vjetër në evropë

Përpjekjet për të ruajtur bredhin më të vjetër në Evropë mbështeten nga Bashkimi Evropian. Picea omorika, e njohur ndryshe si bredhi serb, është një pemë fosile në një zonë të vogël në kufirin midis Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës Në vitin 1955 u shpall specie e mbrojtur, por shkencëtarët shprehen se do të zhduket shumë shpejt nëse nuk adresohen problematikat me ruajtjen e saj. Nga pikëpamja evolucionare, është pema më e vjetër ekzistuese në Evropë, por si për ironi nuk është identifikuar deri në vitin 1875, çka e bën një ndër pemët e fundit të zbuluara. Profesor Milan Mataruga nga Universiteti Banja Luka në Bosnjë-Hercegovinë është një nga shkencëtarët kryesorë që punojnë për ruajtjen e kësaj bime të rrallë. “Për Picea omorika mësova për herë të parë kur isha student në Fakultetin e Pylltarisë në Universitetin e Beogradit në vitin 1991. Zhvilluam një vizitë në zonën ku pema është endemike, dhe ishte dashuri me shikim të parë. Më mbërtheu menjëherë bukuria e kësaj bime të rrallë, dhe që atëherë u bë specia ime e parapëlqyer.” – thotë ai. Që prej asaj kohe, Profesor Mataruga ka ëndërruar që të merrte pak kohë dhe të punonte për ruajtjen e Picea omorika. Hera e fundit kur ka ndodhur diçka e ngjashme ishte thuajse shtatëdhjetë vjet më parë, në vitin 1951, dhe profesori e dinte se nevojiteshin një gamë e re nismash. Megjithatë, midis detyrimeve akademike dhe familjare, dhe me mungesën e fondeve, ai nuk mundi të gjente një mënyrë për të realizuar ëndrrën e tij.

Më mbërtheu menjëherë bukuria e kësaj bime të rrallë, dhe që atëherë u bë specia ime e parapëlqyer.”

Bashkëpunimi Mundësia i erdhi në vitin 2019 kur Profesor Mataruga filloi të punonte në një projekt të financuar nga BE-ja, që përqendrohej në ruajtjen e kësaj specieje të rrallë endemike. Projekti merret me vlerësimin e statusit të popullsisë së Picea omorika, propozimin e masave për ruajtjen e saj, dhe ndërgjegjësimin e rajonit rreth konservimit të saj, veçanërisht të të rinjve në zonën ku rritet Picea omorika. Zonat e projektit ndodhen në të dyja anët e lumit Drina, dhe projekti do të mbrojë njëzet habitate të Picea omorika-s në rajonin ndërkufitar. Veprimtaritë zhvillohen në bashkëpunim me ndërmarrjen publike të Parkut Kombëtar “Tara” në Serbi dhe ndërmarrjen publike “Pyjet e Republikës Srpska” në Bosnjë-Hercegovinë. Marijana Josipović nga Parku Kombëtar “Tara” shpjegon se qëllimi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në ruajtjen e biodiversitetit të zonës, duke përfshirë edhe mbrojtjen e Picea omorika. Ajo shpjegon se partnerët e projektit bashkëpunojnë për të mbështetur mbijetesën e këtyre specieve nëpërmjet përmirësimit të menaxhimit të habitateve të kërcënuara të Picea omorika, dhe ndërgjegjësimit rreth rëndësisë së specieve në rrezik.

“Ruajtja e bimës është një trashëgimi për brezat e ardhshëm.”

Krijimi i një trashëgimie Dr. Jelena Aleksić, nga Instituti i Gjenetikës Molekulare dhe Inxhinierisë Gjenetike në Beograd, thekson nevojën për një studim gjenetik gjithëpërfshirës, një plan menaxhimi dhe një strategji afatgjatë, në mënyrë që Picea omorika të mbijetojë në këto zona. Edhe Profesor Mataruga merr parasysh planin afatgjatë. Ai thotë se një rezultat i rëndësishëm i projektit është përfshirja vullnetare e studentëve. Ai e di nga përvoja se çfarë ndikimi mund të ketë kjo pemë e paçmuar mbi brezat e rinj, duke e përmbyllur: “Ruajtja e bimës është një trashëgimi për brezat e ardhshëm.” Projekti mbështetet përmes Programit Ndërkufitar të mbështetur nga BE-ja – Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Mësimi rreth artit të biznesit në një vend të pazakontë

Një sipërmarrës i ri nga Serbia udhëton në një fshat të vogël në Spanjë për të mësuar artin e biznesit. Torralba de Ribota ka vetëm 120 banorë dhe ekonomia e saj është shumë larg gjallërueses. Ky fshat në verilindje të Spanjës nuk ka dyqane dhe ka vetëm një bar, dhe burimi kryesor i të ardhurave për banorët është bujqësia. Por një sipërmarrës 31-vjeçar serb, Mladen Savković, vendosi të kalonte një muaj atje për të përmirësuar aftësitë e tij në biznes. Mladen është profesionist i marrëdhënieve me publikun (PR), i cili pas një përvoje 10-vjeçare si gazetar dhe profesionist i pavarur në PR për veprimtari artistike dhe kulturore, vendosi të hapte agjencinë e tij të PR-it. Megjithatë, Mladen kuptoi se i nevojitej mbështetje për të pasur performancë më të mirë. “Lexova një histori të një gruaje nga Serbia e cila kishte themeluar një shoqëri, që prodhon makarona artizanale. Për të përmirësuar biznesin e saj, ajo kishte aplikuar për të marrë financim nga BE-ja që të shkonte për disa muaj në Siçili ku do të mësonte zanatin nga ekspertët. Kjo m’u duk zgjidhja ideale për mua! Ndaj, fillova të hulumtoja se si ia kishte arritur,” – thotë ai.

“Mendova që nëse mëson si ta angazhosh audiencën atje, mund ta angazhosh audiencën kudo.”

Kështu Mladen zbuloi projektin MOVE-YE, që financohet nga programi COSME i Bashkimit Evropian. Si shumë të rinj të tjerë, Mladen e shfrytëzoi mundësinë e një vizite pune në një vend të BE-së. Duke qenë se flet spanjisht, Spanja ishte zgjedhje e padiskutueshme. Cili ishte destinacioni? Ideja e tij e parë ishte Madridi ose Barcelona. Ai shpjegon që kishte shumë shoqëri që pranuan ta prisnin dhe shumica ishin në fushën e turizmit, teknologjisë së informacionit, dhe sektorë të tjerë. Megjithatë, atë e tërhoqi një mundësi në sektorin kulturor në Torralba de Ribota. “Më intervistuan dy zonja që drejtojnë Festivalin Saltamontes të artit dhe muzikës në fshat, dhe më lanë mbresa. Ky është një fshat i vogël dhe ato kishin arritur të organizonin një festival të suksesshëm arti! Mendova me vete që nëse mëson si ta angazhosh audiencën atje, mund të angazhosh çdo audiencë kudo, dhe vendosa që ishte mundësia e duhur për mua.” Mladen kaloi një muaj duke punuar në Festivalin Saltamontes. Ai e pa rëndësinë e promovimit të artit dhe kulturës jashtë zonave urbane, ku ende përbën një pjesë jetike të përditshmërisë, por disi më ndryshe. “Jam më i ndërgjegjësuar rreth rëndësisë së ndërveprimit me komunitetin vendor dhe vëmendjen ndaj nevojave dhe interesave të tyre kulturore.” – thotë ai.

“Jam më i ndërgjegjësuar rreth rëndësisë së ndërveprimit me komunitetin vendor dhe vëmendjen ndaj nevojave dhe interesave të tyre kulturore.”

Projekti MOVE-YE (Mobilizimi i Vlerave dhe Ideve Sipërmarrëse në Evropë) i financuar nga BE-ja synon të përmirësojë kulturën sipërmarrëse dhe rrjetëzimin e sipërmarrësve evropianë. Me financimin e programit COSME, ofron mundësi për sipërmarrësit e rinj dhe me përvojë që të vëzhgojnë praktika të ndryshme biznesi, të kuptojnë tregje të reja, dhe të ndërkombëtarizojnë e të sjellin risi në biznesin e tyre përmes një skeme mobiliteti ndërkufitar. Le ta sjellim përvojën në shtëpi Mladen punon kryesisht me institucione që organizojnë aktivitete dhe festivale kulturore. Tani ai po planifikon që t’i prezantojë klientët e tij në Serbi me metodat e angazhimit të audiencës të cilat i mësoi në Spanjë. “Mund të bësh një ekspozitë dhe ta lësh me kaq, por unë mësova se është e rëndësishme të punosh me audiencën dhe të përqendrohesh tek angazhimi i komunitetit më intensivisht. Përvoja në Festivalin Saltamontes më bëri të gjeja ide që mund t’i zbatoj në Serbi.” – thotë ai.

Një kompani e vogël që dëshiron të mbetet e tillë

Një biznes serb i veshjeve që ndërthur krijimtarinë me dizajnin ekologjik po lulëzon me mbështetjen e BE-së. Regenerik është një valë e re e markave inovative të veshjeve që po fiton terren në Serbi. Shoqëria prodhon veshje urbane dhe aksesorë të bërë me dorë nga materiale si fibra natyrore dhe materiale të ricikluara dhe të biodegradueshme. Ky lloj prodhimi nuk është shumë i zakontë në Serbi, ose në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Danica Tomić është një nga themelueset e Regenerik. Ajo u diplomua në arkitekturë dhe deri para një viti nuk i kishte shkuar kurrë nëpër mend se do të merrej me diçka tjetër. Pas diplomimit, iu dha mundësia për zhvillimin e stazhit në një firmë arkitekturore, por u mërzit shumë shpejt me natyrën e detyrave administrative që iu caktoheshin stazhierëve. Danica-s i vlonte dëshira për të bërë diçka krijuese. Nga arkitektura te moda Kur një mik i ngushtë i sugjeroi ta linte punën dhe t’i bashkohej atij në një biznes të ri, ajo ra dakord por me një kusht, që në biznesin e ri të kishte mundësi të vinte në jetë krijimtarinë e saj. Shumë shpejt, ekipit iu bashkua edhe motra e saj dhe treshja e sapoformuar kishte shumë energji, por i mungonte një ide specifike biznesi. Ato as që ia kishin idenë se ku duhej të drejtoheshin për këshilla.

“Kur mora pjesë në trajnimin e parë, nuk kisha një ide të qartë për llojin e biznesit që doja të nisja… Unë jam arkitekte, por pasioni im ka qenë gjithmonë dizajni i veshjeve.”

Danica është një person proaktiv, kështu që filloi menjëherë të bënte kërkime në internet dhe t’iu kërkonte miqve të saj këshilla për fillimin e një biznesi. Një mik i tregoi asaj për një program mbi bizneset e reja të financuar nga Bashkimi Evropian, i cili mbështeste sipërmarrësit e rinj për të zhvilluar aftësitë e tyre të biznesit. “Kur mora pjesë në trajnimin e parë, nuk kisha një ide të qartë për llojin e biznesit që doja të nisja… Unë jam arkitekte, por pasioni im ka qenë gjithmonë dizajni i veshjeve, dhe pas diskutimit dhe analizës me mentorët mbi kursin vendosa të filloja Regenerik”, shprehet Danica. Po ashtu, përmes këtyre trajnimeve Danica përmirësoi aftësitë e saj lidhur me zhvillimin dhe prezantimin e produktit, si dhe mësoi mbi menaxhimin e biznesit. Duke ndërthurur këto njohuri me pasionin e saj, ajo dhe miqtë e saj prezantuan me sukses biznesin e tyre. Që prej asaj kohe, biznesi i tyre është zgjeruar, duke punësuar punonjës shtesë që punojnë së bashku për prodhimin e produkteve Regenerik.

“Ndihem më mirë dhe më rehat kur e di që edhe personat e tjerë do të rriten së bashku me ne. Kjo është ideja themelore e Regenerik: punë e përbashkët, përfitime të përbashkëta dhe mbrojtje e mjedisit.”

Gjithashtu, projekti synonte të ndikonte në punësueshmërinë e të rinjve në planin afatgjatë. Partnerët e projektit punuan për zhvillimin e kapaciteteve të mbi 120 organizatave të shoqërisë civile në Ballkanin perëndimor, në mënyrë që ato të mund të bashkëpunonin për zhvillimin dhe zbatimin e qasjeve inovative për punësueshmërinë dhe punësimin e të rinjve. Projekti u zhvillua nga Belgrade Open School, së bashku me partnerë nga Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi, dhe Qendrën Ndërkombëtare Olof Palme (Suedi).   Të qenit i vogël është zgjidhja më e mirë Danica nuk ëndërron të ketë një kompani të madhe. Ajo thotë se do të ishte e kënaqur nëse biznesi i saj do të rritej gradualisht, në mënyrë që të angazhonte sa më shumë njerëz për të punuar në prodhimin me dorë të produkteve Regenerik. “Ndihem më mirë dhe më rehat kur e di që edhe personat e tjerë do të rriten së bashku me ne, dhe ky është thelbi i idesë së Regenerik: punë e përbashkët, përfitime të përbashkëta dhe mbrojtje e mjedisit” pohon ajo. Programi i trajnimit që ndoqi Danica u organizua nga projekti WeB4YES, i financuar nga BE-ja. Pas pjesëmarrjes në këtë projekt, përveç Danica-s, mbi 1,000 të rinj nga Ballkani Perëndimor kanë përfituar nga aftësitë e reja dhe kanë prezantuar biznese të reja, ose janë punësuar në kompani të tjera.

Rrjedhshmëri në një mjedis të qëndrueshëm biznesi

Një kompani maqedonase për prodhimin e muzikës, që iu mëson muzikantëve artin e biznesit të muzikës. Luka Gorgievski, 26 vjeç, është anëtar i grupit muzikor “Funk Shui” nga Maqedonia e Veriut. Formuar në vitin 2010, grupi e përshkruan muzikën si rrjedhshmëri. Duke folur mbi atë që e frymëzoi të bëhej muzikant, Luka u shpreh: “U mahnita kur kuptova se njerëzit kishin mënyra të tjera komunikimi përveç fjalëve. Është një privilegj i rrallë.”
“Duke e ditur këtë, e admiroj dhuntinë që gëzoj dhe përpiqem t’i bëj njerëzit të buzëqeshin, të kërcejnë dhe të largojnë druajtjen. Dhe kjo është pikërisht ajo që ndjejnë ata. Rastisi që mësova si mund ta bëja të funksiononte më së miri.” – shton ai. Grupi ka regjistruar disa këngë dhe është i mirënjohur në Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, gjatë rrugëtimit të tyre muzikor, ata janë përballur me shumë sfida. Gjatë diskutimit mbi sfidat, Luka u shpreh “Çfarë nuk ishte sfidë do të ishte pyetje më e mirë. Kemi kaluar sfida të panumërta!”

“U mahnita kur kuptova se njerëzit kishin mënyra të tjera komunikimi përveç fjalëve. Është një privilegj i rrallë.”

Mësimi i biznesit të artit  
Aspekti i biznesit në punën e grupit ishte një nga sfidat kryesore. Funk Shui e zgjidhi këtë problem duke bashkëpunuar me një menaxhere të muzikës profesionale. Gorjana Jordanovska, e cila punon për Password Production, një shoqëri për menaxhimin e muzikës, shpjegon se shumica e artistëve në Maqedoninë e Veriut “nuk kanë edukimin e duhur mbi biznesin e muzikës”. “Ata nuk dinë si ta shesin veten. Nuk dinë si të punojnë në botën e muzikës profesionale. Ata thjesht dinë të bëjnë muzikë.” – shprehet ajo.

“Ata nuk dinë si ta shesin veten….. Thjesht dinë të bëjnë muzikë.”

  Jo vetëm për muzikantët Krahas kësaj, HEMI do të lehtësojë publikimin e përmbajtjes dhe promovimin e lajmeve, duke krijuar lidhje ndërmjet artistëve të ardhshëm dhe të njohur, promovuesve të festivaleve, menaxherëve të aktiviteteve kulturore, shkollave të muzikës dhe më gjerë, brenda një komuniteti të përbashkët për marketingun në muzikë. Projekti filloi në vitin 2019 dhe do të vijojë deri në fund të vitit 2023. Deri në fund të këtij viti, projekti do të mbështesë muzikantët duke prezantuar një platformë për promovimin dhe edukimin e artistëve të rinj mbi biznesin. Projekti do të ofrojë gjithashtu Inkubatorin e Risive Muzikore REMI, ku muzikantët do të mësojnë si të përdorin TIK-un dhe marketingun në internet për të promovuar muzikën e tyre më tej, si dhe të përmirësojnë aftësitë në menaxhimin dhe zhvillimin e biznesit për të kapërcyer sfidat aktuale dhe të ardhshme në industrinë e muzikës. Ndaj, teksa muzika e Lukës i shtyn njerëzit të buzëqeshin dhe të kërcejnë, Gorjana dhe kolegët e saj sigurohen që ai dhe artistët e tjerë në rajon punojnë në një mjedis të sigurt biznesi.
Password Production vendosi ta adresonte këtë sfidë në mënyrë sistematike, me qëllim që t’i ndihmonte klientët dhe muzikantë të tjerë me edukimin mbi biznesin e muzikës. Në bashkëpunim me partnerë nga Çekia, Estonia, Greqia, Hungaria, Polonia, Rumania, Serbia dhe Sllovenia, ata filluan projektin e titulluar “Qendra për Shkëmbimin e Risive Muzikore në Evropën Qendrore dhe Juglindore” (HEMI). Projekti financohet nga programi i Bashkimit Evropian, me titull “Evropa Krijuese”.  
“Projekti HEMI ofron ekspertizë, konsulencë dhe module trajnimi për profesionistët e muzikës në Evropën Qendrore dhe Juglindore, duke iu përgjigjur nevojave aktuale dhe të ardhshme të sektorit në rajon dhe në Evropë.” – shprehet Gorjana.  
Gorjana beson se ky projekt do të jetë kontribut i rëndësishëm në zhvillimin profesional të komunitetit të muzikantëve. Përveç aksesit në konsulencë profesionale për edukimin mbi biznesin, artistët do të kenë mundësinë të performojnë në festivalet e organizatave partnere, në nëntë vendet ku zbatohet projekti.

Qytete që lidhen përmes artit

Si po e ndihmon një projekt një artist maqedonas për t’u lidhur me homologët në BE dhe për të promovuar punën e tij jashtë vendit. Goce Ilievski është një artist nga Shkupi, Maqedonia e Veriut, që punon me forma të artit kontemporan, tradicional dhe digjital. Ai ka zhvilluar 12 ekspozita solo dhe ka marrë pjesë në ekspozita në grup brenda dhe jashtë vendit, dhe ka fituar shumë çmime për pikturat e tij në vaj, bojëra uji dhe fotografi. Megjithatë, udhëtimi i tij profesional ka pasur peripecitë e veta. Goce shpjegon se megjithëse familja dhe miqtë e tij kanë qenë gjithmonë mbështetës, është shumë e vështirë të jetosh dhe të fitosh jetesën si artist në Maqedoninë e Veriut.“Tregu këtu është i kufizuar, por për fat të mirë interneti na hap kaq shumë dritare mundësish. Pjesa më e madhe e të ardhurave të mia vjen nga vendet e tjera, dhe duke u fokusuar në internet mund të aplikoj për shumë projekte dhe të promovoj punimet e mia te audienca të reja. Në të kundërt, do të ishte shumë e vështirë që të jetoja vetëm me artin tim.” Frymëzimin më të madh artistët e marrin nga shkëmbimi me kulturat e tjera, dhe vizitat në vende të tjera të hapin dritare për të shpalosur më gjerë punën tënde. Goce nuk bën përjashtim në këtë aspekt, dhe kur pa njoftimin për të marrë pjesë në projektin CreArt të financuar nga BE-ja, ai aplikoi menjëherë. CreArt (Rrjeti i Qyteteve për Krijimtari Artistike) është një rrjet që përfshin qytete evropiane dhe institucione kulturore publike dhe private. Artistët që morën pjesë në aktivitetet e CreArt u përzgjodhën përmes thirrjeve të hapura, dhe përfituan mundësitë për qëndrim, trajnim dhe promovim në qytetet pjesëmarrëse.

“Pjesa më e madhe e të ardhurave të mia vjen nga vendet e tjera, dhe duke u fokusuar në internet mund të aplikoj për shumë projekte dhe të promovoj punimet e mia te audienca të reja. Në të kundërt, do të ishte shumë e vështirë që të jetoja vetëm me artin tim.”

Frymëzimi dhe lidhjet Aplikimi i Goce-s ishte i suksesshëm dhe projekti i dha atij mundësinë që të vizitonte Kaunasin, Lituani, ku ai qëndroi për një muaj dhe ekspozoi punimet e tij. “Megjithëse periudha e qëndrimit nuk ishte më e mira, pasi bënte shumë ftohtë, njerëzit ishin shumë të këndshëm dhe të dashur. Më pëlqeu edhe pejsazhi, si dhe mënyra se si funksiononte komuniteti dhe sistemet e tyre infrastrukturore.” Përpos frymëzimit dhe pasurimit kulturor, ky udhëtim i mundësoi Goce-s të kapërcente shqetësimin e tij kryesor profesional, pra t’i shiste punimet e tij jashtë vendlindjes, Maqedonisë së Veriut.

“Kjo ishte një përvojë shumë e vlefshme, pasi tashmë kam kanale dhe mundësi shtesë për të shitur artin tim përmes lidhjeve dhe aftësive të mia të fituara rishtazi.”

Krijimi i qyteteve “kulturalisht të gjalla” Partneri koordinues i rrjetit CreArt është një fondacion kulturor spanjoll, Fundacion Municipal De Cultura – Ayuntamiento De Valladolid. Institucioni partner në Maqedoninë e Veriut është qyteti i Shkupit, i cili iu bashkua projektit në fazën e dytë të tij. Goce është një nga 380 artistët dhe 65 kuratorët që kanë marrë pjesë tashmë në aktivitete të rrjetit, që prej prezantimit të tij para tetë vitesh.   I financuar nga Programi Creative Europe i Bashkimit Evropian, motoja e CreArt është: “Kur është kulturalisht i gjallë, qyteti është më i shëndetshëm dhe më i lirë”. Kërkimi i kryer nga rrjeti ka treguar vlerën e krijimtarisë artistike për zhvillimin vendas, jo vetëm për krijimin e vendeve të punës, por edhe për tërheqjen e investitorëve dhe kontributin në inovacionin social. Përmes shtimit të mundësive për operatorët kulturorë, kjo platformë bashkëpunuese po luan një rol kyç në zhvillimin krijues, social dhe ekonomik të qyteteve në mbarë Evropën.   Vizita e tij studimore përfshiu trajnime ku ai mësoi për vendosjen e lidhjeve ndërmjet artistëve dhe agjentëve të shitjeve nga vende të ndryshme, dhe për promovimin e bashkëpunimit të përbashkët artistik midis kufijve.“Kjo ishte një përvojë shumë e vlefshme, pasi tashmë kam kanale dhe mundësi shtesë për të shitur artin tim përmes lidhjeve dhe aftësive të mia të fituara rishtazi,” shprehet Goce, duke shtuar se beson se ky ishte ndoshta përfitimi kryesor i përvojës së tij.

Mundësi të reja punësimi për personat me aftësi të kufizuara në Bosnjë-Hercegovinë

Njihuni me Rubinën, diagnoza e së cilës i ndryshoi jetën, por nxiti edhe një fillim dhe biznes të ri. Ndonëse jemi mësuar të dëgjojmë mbi njerëz që largohen nga fshati për të gjetur punë në qytetet e Bosnjë-Hercegovinës, rrallëherë ndodh e kundërta. Një nga ata persona që bënë të kundërtën është 38-vjeçarja, Rubina Dzanovic. Rubina u diplomua në Dizenjim Grafik, por nuk arriti kurrë të gjente një vend pune. Ajo lindi e jetoi në Sarajevë, deri diagnoza dëshpëruese e sklerozës së shumëfishtë i ndryshoi rrjedhën e jetës. “Ndihesha mirë psikologjikisht. Megjithatë, fizikisht isha shumë e dobët për shkak të sëmundjes kronike. Ndjeja dhimbje dhe nuk vija gjumë në sy.” – thotë ajo. Mjekët i këshilluan që të lehtësonte dhimbjet duke kaluar disa kohë në ajrin e pastër të fshatit. Si rrjedhojë, Rubina filloi ta vizitonte rregullisht fshatin e të ëmës, ku ndodhej një burim termal. “Sa herë që shkoja në fshat, ndihesha më mirë. Për këtë arsye, filluam të kalonim më shumë kohë atje, dhe një ditë, unë dhe im shoq vendosëm të zhvendoseshim në fshat njëherë e përgjithmonë.” – shprehet ajo.

“Sa herë që shkoja në fshat, ndihesha më mirë. Për këtë arsye, filluam të kalonim më shumë kohë atje, dhe një ditë, unë dhe im shoq vendosëm të zhvendoseshim në fshat njëherë e përgjithmonë.”

Mbështetje e vogël me ndikim të madh
Zhvendosja nga qyteti në fshat u shoqërua me sfida të shumta. Me kursimet e tyre, familja bleu një lopë dhe filloi të merrej me blegtori familjare. Megjithatë, iu duhet të gjenin një mënyrë për të fituar para. Ngritja e një biznesi familjar ishte zgjedhja e duhur, dhe me nxitjen e fqinjit të tyre, ata blenë disa lopë të tjera dhe filluan të prodhonin djathë. Kjo veprimtari filloi të pëlqehej dhe shitjet u shtuan, çka i bëri të kërkonin mbështetje shtesë.  
Ndonëse nuk i pëlqejnë platformat e mediave sociale, herë pas here Rubina e përdor Facebook-un. Një ditë asaj i tërhoqi vëmendjen një reklamë në lidhje me një thirrje për propozime, financuar nga BE-ja në kuadër të projektit “P.O.W.E.R.”, zbatuar nga Caritas Bosnjë-Hercegovinë, që mbështet punësimin e personave me aftësi të kufizuara.  
Pasi diskutoi me të shoqin, Rubina vendosi të kërkonte informacione të mëtejshme. Ajo kontaktoi Caritas Bosnjë-Hercegovinë, e cila ishte organizata vendore zbatuese e projektit. Organizata konfirmoi se Rubina i plotësonte kushtet e projektit dhe shpjegoi se procedura e aplikimit ishte vërtet e thjeshtë. Duke mos pasur asgjë për të humbur, Rubina vendosi të përgatiste një propozim dhe paraqiti aplikimin e saj.
Për të qenë me efikasë në biznesin e tyre, iu nevojitej një traktor me dy rrota. Duke e pasur këtë pajisje, ata mund t’i kushtonin më shumë kohë prodhimit të qumështit dhe djathit, si dhe pasurimit të gamës së produkteve. “Falë projektit, ne morëm një traktor me dy rrota që na ka ndihmuar jashtë mase. Im shoq tani mund të punojë më shpejt dhe më me efikasitet. Thënë me fjalë të tjera, na ka ndihmuar shumë.” – shprehet Rubina me kënaqësi.
Shoqëria e Rubinës, “Rubi Milk”, kryesisht shet djathë artizanal dhe qumësht duke dërguar porosi në Sarajevë. Falë traktorit me dy rrota, tani kanë filluar të kultivojnë edhe perime. “Njerëzit interesohen për perime organike dhe të freskëta, ndaj menduam që t’i shtonim në listën tonë të produkteve. Ishte një ide e shkëlqyer, që klientëve tanë iu pëlqeu jashtë mase. Tani, krahas djathit, ofrojmë edhe perime të freskëta.”

“Me mbështetjen dhe mundësitë e duhura, personat me aftësi të kufizuara mund të japin kontribut të vyer në shoqëri.”

  Projekti P.O.W.E.R. u zbatua si pjesë e Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar të BE-së midis Bosnjë – Hercegovinës dhe Malit të Zi. Mbi 100 persona me aftësi të kufizuara kanë përfituar nga projekti, duke rritur kapacitetet e tyre profesionale përmes mentorimit dhe trajnimit, mbështetjes së drejtpërdrejtë në blerjen e pajisjeve, këshillimit të karrierës, përdorimit të një platforme ndërvepruese për zhvillimin e karrierës, dhe punësimin ose mbështetjen e drejtpërdrejtë në punësi Ofrimi i mundësive të duhura Për shumë persona me aftësi të kufizuara ose probleme shëndetësore, gjetja dhe mbajtja e një vendi pune përbën sfidë. Zlatko Mihalic nga Caritas Bosnjë-Hercegovinë shpjegon se objektivi i P.O.W.E.R. është t’i tregojë shoqërisë se personat me aftësi të kufizuara ndajnë të njëjtat të drejta si personat pa aftësi të kufizuara në aksesimin e mundësive të punësimit. “Me mbështetjen dhe mundësitë e duhura, personat me aftësi të kufizuara mund të japin kontribut të vyer në shoqëri. Megjithatë, ata përballen me shumë sfida duke filluar nga stigmatizimi i përhershëm deri tek instrumentet mbështetëse të pamjaftueshme.” Me mbështetjen e duhur, përfituesit mund të zgjerojnë dhe të rritin biznesin dhe të përmirësojnë jetën e tyre.

Gjeni punën e ëndrrave në Cloud

Modeli i ri i trajnimit digjital adreson mospërputhjen e aftësive dhe papunësinë tek të rinjtë. Përqindja e papunësisë tek të rinjtë në Ballkanin Perëndimor është ndër më të lartat në Evropë, nga 28.3% në Shqipëri në 55.4% në Kosovë (Eurostat 2018). Megjithatë, nga ana tjetër shumë vende pune mbeten bosh. Një zgjidhje parashikon aftësimin e të rinjve përmes kurseve të trajnimit, që përqendrohen tek aftësitë specifike të kërkuara. Këtë qasje ndoqi organizata rinore serbe, “RES POLIS” (Qendra për të Rinjtë dhe Zhvillimin Social), e specializuar në hapjen e mundësive të arsimit joformal për të fuqizuar të rinjtë.   “Në Serbi po përballeshim me një paradoks.” – shpjegon Boris Negeli nga RES POLIS. “Nga njëra anë kishim përqindje të lartë papunësie, ndërsa nga ana tjetër, në sektorin e TI-së mungonin punonjës me aftësitë e duhura. Zgjidhja ishte e thjeshtë për ne: programet arsimore të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, përgjegjës për trajnimin e personave të papunësuar, duhet të përfshinin trajnimin në TIK.”Kjo ishte ajo që e frymëzoi nismën “Ideo Punën Tënde”, nga RES POLIS në vitin 2009. Objektivi ishte zhvillimi dhe testimi i programeve arsimore në TIK, në fushat ku mungojnë punonjës me aftësitë e duhura. Që prej asaj kohe, “Ideo Punën Tënde” është rritur ditë pas dite. Kjo nismë mbështetet nga programi ERASMUS+ i Bashkimit Evropian, që promovon bashkëpunimin në arsimin, trajnimin dhe punën e të rinjve, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Projekti përfshin organizata partnere nga Franca, Italia, Shqipëria dhe Qiproja, të cilat sjellin ekspertizë të shumëllojshme. Duke qenë se shumë vende në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë përballen me sfida të ngjashme, ndarja e përvojave është jetike. Janë zhvilluar kurse trajnimi në fusha të shumëllojshme, si: dizenjimi grafik, dizenjimi i faqeve të internetit, programimi, modelimi 3D, dhe animimi i lojërave. Në këto kurse pranohen personat e grupmoshës 18 – 30 vjeç, në veçanti të rinjtë nga grupe të pafavorizuara. Kandidatët e suksesshëm i kryejnë trajnimet në një prej vendeve partnere në mënyrë që të përftojnë përvojë ndërkombëtare.

“Nga njëra anë kishim përqindje të lartë papunësie, ndërsa nga ana tjetër, në sektorin e TI-së mungonin punonjës me aftësitë e duhura. Zgjidhja ishte e thjeshtë për ne: programet arsimore të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, përgjegjës për trajnimin e personave të papunësuar, duhet të përfshinin trajnimin në TIK.”

Thyerja e rrethit vicioz Eriseldi, një 26-vjeçar nga Shqipëria, është një nga të rinjtë që kanë aplikuar për një kurs trajnimi. “Ndonëse jam diplomuar në Teknologji Informacioni, në vend që të ushtroja profesionin tim, më është dashur të punoj në fabrikë.” – shprehet ai. Eriseldi shpjegon se kurrikula universitare përfshinte shumë teori, por nuk i ofronte mjaftueshëm aftësi praktike.

“Synimet e mia profesionale ndryshuan pasi dëgjova për “Ideo Punën Tënde”. Ishte pikërisht ajo që kërkoja.”

Motivim për të ardhmen Me kërkesat në rritje, RES POLIS gjithnjë shikon drejt së ardhmes. Programet vlerësohen rregullisht për të garantuar se adresojnë sfidat e sektorit të TIK-ut në planin afatgjatë. Qëllimi përfundimtar është që programet arsimore të TIK-ut të bëhen pjesë e portofolit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit për trajnimin e personave të papunësuar. Kjo gjë e futi Eriseldin në një rreth vicioz, ku i duhej përvojë për të filluar karrierën e tij, por nuk kishte asnjë mënyrë për të përftuar përvojë pa u punësuar fillimisht. “Megjithatë, synimet e mia profesionale ndryshuan pasi dëgjova për “Ideo Punën Tënde”. Ishte pikërisht ajo që kërkoja.” – shprehet Eriseldi. Eriseldi ndoqi trajnimin 10-ditor, pjesë e nismës “Ideo Punën Tënde” në Serbi dhe në Itali, që e pajisi me aftësi dhe pikëpamje të reja të nivelit ndërkombëtar. Shumë shpejt, ai mori një ofertë pune nga InTech, një kompani TI-je me seli në Tiranë, ku realizoi trajnimin praktik gjatë projektit. Pasi përvetësoi përvojën e punës, Eriseldi vendosi të ushtronte profesionin e tij në mënyrë të pavarur duke ofruar shërbime TI-je për klientë vendas dhe ndërkombëtarë. Planet e tij për të ardhmen përfshijnë ngritjen e një biznesi, ku do të punësojë edhe persona të tjerë.