Skip to main content

Shpalosja e kajmakut unik të Gackos përpara botës

Një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian po ndihmon një OJF në Bosnjë-Hercegovinë me markën dhe promovimin e kajmakut tradicional me një recetë unike.

Gacko është një komunë e vogël me rreth 8,000 banorë në juglindje të Bosnjë-Hercegovinës. Njihet kryesisht për minierën e qymyrit dhe termocentralin e saj, që ofron mundësitë më të shumta për vende pune në zonë. Megjithatë, Gacko ka edhe një mënyrë unike dhe karakteristike të prodhimit të kajmakut, një lloj kremi djathi që prodhohet dhe konsumohet në mbarë Ballkanin Perëndimor.

Metoda tradicionale e prodhimit të kajmakut është duke vluar qumështin ngadalë, dhe më pas duke e zierë për dy orë në zjarr shumë të ulët. Pasi hiqet nga zjarri, kremi skremohet dhe lihet të ftohet, si dhe të thartohet paksa, për disa orë ose ditë. Ndryshe nga kjo metodë tradicionale prodhimi, me recetën e Gackos, kajmaku maturohet për disa muaj në një cohë prej lëkurës së deles ose dhisë. Si rrjedhojë, kajmaku i Gackos ndryshon ngjyrë nga i bardhë në të verdhë, merr një trajtë të fortë, por jo të ngurtë, ka një shije paksa të kripur dhe një aromë karakteristike, që e përfton gjatë stazhionimit. Kur hiqet nga coha, djathi është i thatë dhe i thërrmueshëm.

“Kajmaku ynë është një produkt shumë i vyer dhe unik, ndaj ne dëshirojmë ta mbrojmë dhe ta promovojmë.”

Megjithatë, pak njerëz e kanë mundësinë ta shijojnë këtë produkt unik, pasi kryesisht shitet në tregjet ose restorantet e rajonit të Gackos. Duke e pasur parasysh këtë fakt, Shoqata e Prodhuesve të Kajmakut të Gackos ka filluar një nismë për të shpalosur kajmakun e Gackos përpara botës. Dragana Milović është kryetarja e Shoqatës së themeluar në vitin 2021. Në fillim, shoqata përbëhej nga nëntë anëtarë dhe tani ka 24, shumica prej të cilave janë gra nga rajonet rurale. Prodhimi i bulmetit, duke përfshirë kajmakun, është burimi kryesor i të ardhurave për 90% të tyre.

Sipas Draganës, objektivi i Shoqatës është që produkti i tyre të ketë markën e vet dhe të njihet në nivelin vendor dhe rajonal. Për ta arritur këtë objektiv, duhen ndjekur procedura specifike. Procedura e parë është ngritja e një sistemi për gjurmueshmërinë e prodhimit, i cili do të garantonte përcaktimin e markës së produktit nga institucionet kompetente. Shoqata beson se marka e kajmakut do ta bëjë më të njohur, si dhe do të rritë kërkesën dhe çmimin. Aspirata e anëtarëve të Shoqatës është të përmirësojnë situatën e tyre materiale duke prodhuar kajmak, veçanërisht në zona rurale. Rrjedhimisht, duhet të standardizohet prodhimi, e ndërkaq, duhet të ruhet tradita dhe shija e veçantë e kajmakut të rajonit. “Kajmaku ynë është një produkt shumë i vyer dhe unik, ndaj ne dëshirojmë ta mbrojmë dhe ta promovojmë.” – shprehet Dragana.

“Mbështetja që kemi marrë nga BE-ja dhe UNDP-ja përmes projektit ReLOaD2 kishte rëndësi madhore, pasi na ka mundësuar t’i afrohemi qëllimit të markës dhe promovimit të kajmakut të Gackos te më shumë njerëz.”

Lidhur me projektin

Programi Rajonal për Demokraci Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2) është vazhdim i nismave të mbështetura nga BE-ja, si: Projekti për Forcimin e Demokracisë Vendore (LOD 2009 – 2016) dhe Programi i zgjeruar Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD, 2017-2020). Objektivi i përgjithshëm i projektit është të forcojë demokracitë me pjesëmarrje dhe të nxitë integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke fuqizuar shoqërinë civile dhe duke nxitur rininë që të marrë pjesë aktive në proceset vendimmarrëse, si dhe duke përmirësuar mjedisin mbështetës ligjor dhe financiar për shoqërinë civile.

Së fundmi, Shoqata përfitoi mbështetje për nismën e tyre nga një projekt i financuar nga BE-ja. Programi Rajonal për Demokraci Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2) zbatohet në 63 qeveri vendore në Ballkanin Perëndimor dhe komuna e Gackos është një nga 13 njësitë partnere të qeverisjes vendore në Bosnjë-Hercegovinë, dhe financohet nga Bashkimi Evropian, nën zbatimin e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Mbështetja nga projekti përfshinte trajnimin për higjienën dhe cilësinë e qumështit, ushqyerjen e përshtatshme të bagëtive, si dhe ruajtjen e të dhënave mbi foragjeret për bagëtitë dhe sasinë e qumështit. Pjesëmarrësit u trajnuan gjithashtu për metodën e krijimit të një sistemi të gjurmueshmërisë së prodhimit në procesin e prodhimit të kajmakut të Gackos, si dhe për kërkesat e përcaktimit të markës. Krahas kësaj, projekti i ofroi Shoqatës pajisje për përpunimin dhe analizimin e qumështit, çka është një faktor kyç në kontrollin e cilësisë.

Zbatimi i këtij projekti është hapi i parë drejt përcaktimit të markës së kajmakut të Gackos. Është një çështje shumë e rëndësishme si për komunitetin vendas, ashtu edhe për rajonin, pasi blegtoria është burimi kryesor i të ardhurave në rajonin e Gackos. “Mbështetja që kemi marrë nga BE-ja dhe UNDP-ja përmes projektit ReLOaD2 kishte rëndësi madhore, pasi na ka mundësuar t’i afrohemi qëllimit të markës dhe promovimit të kajmakut të Gackos te më shumë njerëz.” – shprehet Dragana Milović.

Rritja e punësueshmërisë së të kthyerve të cenueshëm në Maqedoninë e Veriut

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet riintegrimin e efektshëm të të kthyerve të cenueshëm nga BE-ja, duke iu kushtuar vëmendje të veçantë anëtarëve të komunitetit rom në Maqedoninë e Veriut.

Demir Demireli është një 38-vjeçar i kthyer nga Evropa, dhe kërkon një vend pune në sektorin e ndërtimit në qytetin e tij të lindjes në Maqedoninë e Veriut. Me përfundimin e sezonit të verës, kërkesa në këtë sektor po bie, duke e lënë Demirin me një pagë në rënie e sipër dhe muaj të gjatë dimri përpara, çka i shkakton vështirësi në kujdesin ndaj bashkëshortes së tij të sëmurë dhe katër fëmijëve të tyre. “Sigurisht që dua një punë me kohë të plotë, një punë të mirë… Dua që të kem një rrogë të rregullt… Por nuk di as të shkruaj, as të lexoj.” – shprehet Demiri.

Sipas UNDP-së, numri i personave me situata të ngjashme nuk është i vogël në Maqedoninë e Veriut. Shumica e të kthyerve janë romë, të cilët ishin larguar nga vendi për shkak të varfërisë, papunësisë, dhe diskriminimit. Sipas vlerësimeve të kryera nga UNDP-ja në vitin 2021, shumica e azilkërkuesve dhe të kthyerve i përkasin grupmoshës 30 – 44 vjeç dhe kanë nivel të ulët arsimor. Punësimi veçohet si sfida më e madhe e raportuar nga të kthyerit. Krahas kësaj, është një faktor i rëndësishëm që garanton mirëqenie ekonomike dhe sociale për qytetarët e cenueshëm.

 

“Duke folur me të kthyerit, ne kuptuar që gjashtë muaj e parë pas kthimit të tyre janë shumë të rëndësishëm, pasi përbëjnë periudhën kur vendosin të largohen sërish nëse përballen me sfida serioze. Ne gjithashtu kemi kuptuar që gjatë këtyre gjashtë muajve të parë, ata përfitojnë pak ose aspak mbështetje nga institucionet apo organet e tjera.”

Kjo është arsyeja përse UNDP-ja ka filluar një projekt me një qasje gjithëpërfshirëse, që iu garanton të kthyerve dhe romëve perspektivën për punësim. Projekti i mbështet institucionet me zgjidhje për riintegrimin ekonomik dhe social të të kthyerve të cenueshëm. Financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, dhe Serbi. Suzana Ahmeti nga UNDP në Maqedoninë e Veriut shpjegon se nevoja për këtë lloj projekti ishte e dukshme, pasi mënyra se si trajtohen të kthyerit aktualisht është shumë e posaçme dhe nuk ekziston një sistem, që përqendrohet te problemet dhe nevojat e tyre. Krahas kësaj, mbështetja e shtetit për riintegrim është thuajse e padukshme gjatë 6-12 muajve të parë.  “Duke folur me të kthyerit, ne kuptuar që gjashtë muaj e parë pas kthimit të tyre janë shumë të rëndësishëm, pasi përbëjnë periudhën kur vendosin të largohen sërish nëse përballen me sfida serioze. Ne gjithashtu kemi kuptuar që gjatë këtyre gjashtë muajve të parë, ata përfitojnë pak ose aspak mbështetje nga institucionet apo organet e tjera.” – shprehet Suzana.

Projekti i ka filluar tanimë ndërhyrjet për përmirësimin e situatës. Sikundër e shpjegon Suzana, së pari u ndërgjegjësuan institucionet vendore dhe qendrore rreth problemeve të të kthyerve. Në nivelin e qeverisë qendrore, ata filluan ngritjen e një organi specifik koordinimi, që do të trajtonte problemet e të kthyerve. Në nivelin vendor, u integrua tema e të kthyerve në strategjitë e zhvillimit vendor ekonomik, me një buxhet specifik të alokuar për mbështetjen e tyre. Arritjen më të madhe në këtë drejtim Suzana e konsideron masën e punësimit, sipas së cilës të kthyerit konsiderohen grup i cenueshëm specifik, që kërkon shërbime shtesë në kuadër të planit kombëtar të punësimit, i cili është një dokument i rëndësishëm strategjik në nivelin qendror. “Kjo është një ndërhyrje specifike dhe e prekshme, dhe së shpejti do të fillojmë me zbatimin konkret, që përfshin trajnimin mbi aftësitë joprofesionale dhe elemente të ngjashme.” – shprehet Suzana.

 “Të kthyerit përbëjnë kapital të vyer njerëzor për punëdhënësit. Nuk është e njëjta situatë si më parë, kur mijëra njerëz kërkonin një vend pune. Gjërat kanë ndryshuar paksa.”

Lidhur me projektin

Projekti për riintegrimin e të kthyerve në Ballkanin Perëndimor përqendrohet tek adresimi i barrierave institucionale kyç për riintegrimin e të kthyerve të cenueshëm, dhe faktorët shtytës të përjashtimit social dhe ekonomik dhe migracionit nga Ballkani Perëndimor, si: mundësitë e kufizuara të punësimit, punët me pagë të ulët, sektori i madh informal, si dhe cilësia e ulët e shërbimeve sociale. Projekti është pjesë e Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA) II për Veprime Shumëkombëshe, mbështetjes së BE-së për të Drejtat Themelore të Komunitetit Rom, si dhe Riintegrimit të të Kthyerve, zbatuar nga UNDP-ja, Banka Botërore, dhe Këshilli i Evropës.  Objektivi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në riintegrimin e efektshëm të të kthyerve të cenueshëm nga BE-ja, duke iu kushtuar vëmendje të veçantë anëtarëve të komunitetit rom. Mbështetja e të kthyerve romë do të kontribuojë edhe në zvogëlimin e hendekut ekzistues socioekonomik midis grave, burrave, dhe fëmijëve romë.

Të kthyerit dhe romët përballen me sfida edhe kur kanë ide të mira biznesi dhe frymën e sipërmarrjes për të ngritur bizneset e tyre.  Shpesh ata kanë kapital të kufizuar financiar dhe rrjete të pamjaftueshme biznesi, që janë të nevojshme për të ngritur një biznes. Krahas kësaj, atyre iu mungojnë edhe njohuritë dhe aftësitë menaxhuese në fushën e planifikimit të biznesit, menaxhimit financiar, legjislacionit, rregulloreve për taksat, etj.  Shumë ide të mira biznesi nga të kthyerit dhe romët mbeten joformale në mungesë të një mbështetjeje sistematike. Për t’i mbështetur, sidomos të kthyerit e rinj dhe risiprurës me ide që mund të sjellin të ardhura dhe vende pune, projekti ofron grante për start-up-e, me qëllim që të ndihmojë në hapjen e bizneseve të reja ose në formalizimin e atyre ekzistuese. Projekti gjithashtu ofron mbështetje të shënjestruar për të mbështetur aftësitë e menaxhimit të biznesit, njohuritë për të administruar një biznes formal, si dhe aksesin në rrjete sipërmarrësish.

Suzana shpjegon se për shkak të dinamikës së migracionit në rritje, shoqëritë tregtare po e vlerësojnë çdo ditë e më shumë disponueshmërinë e punonjësve të aftë. Për këtë arsye, projekti kërkon të investojë edhe më tepër në arsimin e të rriturve, sepse sipas Suzanës, shumica e të kthyerve nuk e kanë përfunduar arsimin fillor apo të mesëm. “Të kthyerit përbëjnë kapital të vyer njerëzor për punëdhënësit. Nuk është e njëjta situatë si më parë, kur mijëra njerëz kërkonin një vend pune. Gjërat kanë ndryshuar paksa.” – shprehet Suzana.

EU4Schools risjell shpresën në Shqipëri

Një program i financuar nga BE-ja ndihmon në rinovimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.

Mëngjesi i 26 nëntorit 2019 e gjeti Shqipërinë në agoni, pas një tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës Richter. Ky tërmet vrau 51 njerëz dhe mijëra pasgoditjet e tij dëmtuan shtëpi, institucione arsimore, si dhe godina publike dhe private. Ai i la qytetet e paralizuara dhe komunitetet e pashpresa. Rrënoi mjediset arsimore, duke lënë mijëra fëmijë të traumatizuar dhe të pasigurt për arsimimin e tyre në të ardhmen.

Por kishte ende një rreze shprese. Më 17 shkurt 2020, Bashkimi Evropian organizoi Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve, me titull “Bashkë për Shqipërinë”, në Bruksel, me anë të së cilës synoheshin përpjekjet për rindërtim pas tërmetit. Bashkimi Evropian, Qeveria e Shqipërisë, Organizata e Kombeve të Bashkuara, dhe Banka Botërore zhvilluan një vlerësim nevojash pas fatkeqësisë, si një instrument udhëzues për konferencën dhe një bazë për rindërtimin dhe riparimin. Komisioni Evropian premtoi 115 milionë euro nga buxheti i BE-së për të rindërtuar dhe për të riparuar me shpejtësi godinat më të rëndësishme publike.

“Kërkesa për mbështetje ishte e lartë, pasi shkollat dhe kopshtet ishin shkatërruar, duke i lënë nxënësit dhe fëmijët pa mjedise të përshtatshme të nxëni. Disa nga këto institucione arsimore kishin qenë kaherë në kushte të vështira, dhe tërmeti thjesht e përkeqësoi situatën.”

Nisma #EU4Schools, me vlerën 75 milionë euro, u prezantua shumë shpejt, duke iu sjellë shpresë nxënësve dhe mësuesve në 11 bashkitë më të prekura. Nora Kushti është specialiste komunikimi pranë UNDP në Shqipëri, dhe shprehet: “Kërkesa për mbështetje ishte e lartë, pasi shkollat dhe kopshtet ishin shkatërruar, duke i lënë nxënësit dhe fëmijët pa mjedise të përshtatshme të nxëni. Disa nga këto institucione arsimore kishin qenë kaherë në kushte të vështira, dhe tërmeti thjesht e përkeqësoi situatën.”

Gjatë procesit të rindërtimit, UNDP-ja ndërthuri dy parime kyç: #RindërtojmëMëMirë dhe #RindërtojmëSëBashku. “Rindërtojmë më mirë” nënkupton krijimin e strukturave më të forta, që mund t’iu bëjnë ballë tërmeteve dhe fatkeqësive natyrore, duke përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë. 63 institucionet arsimore, që iu ofrojnë shërbime 24,000 nxënësve dhe mësuesve, do të jenë plotësisht të aksesueshme për nxënësit me aftësi të kufizuara dhe do të kenë hapësira të dedikuara për kujdes mjekësor dhe mbështetje psikologjike.

Nga ana tjetër, “Rindërtojmë së bashku” ka ofruar një mundësi unike për të përfshirë përfituesit në rindërtimin e institucioneve arsimore dhe personalizimin e projektit sipas nevojave të tyre. Janë zhvilluar 58 takime konsultuese dhe janë organizuar 16 aktivitete të tjera, që kanë bërë bashkë rreth 1,900 nxënës, prindër, përfaqësues të qeverisë vendore dhe institucioneve vendore, duke promovuar përkatësinë dhe duke siguruar qëndrueshmërinë e investimeve.

“Shkollat e reja janë fantastike dhe përfshijnë mjediset ultra-moderne, si: palestra, biblioteka bashkëkohore, laboratorë modernë, sisteme ngrohjeje dhe ftohjeje me eficiencë energjetike, si dhe aksesueshmëri të plotë për nxënësit me aftësi të kufizuara, duke përfshirë ashensorë dhe dalje emergjence: këto shkolla janë vërtet të shkëlqyera.”

Lidhur me projektin

“EU4Schools” është një program i financuar nga Bashkimi Evropian në përgjigje të tërmetit të 26 nëntorit 2019. Programi zbatohet nga UNDP-ja në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Synon të mbështetë qytetarët në njëmbëdhjetë bashkitë e prekura: Durrës, Kamëz, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Rrogozhinë, Shijak, Tiranë, dhe Vorë. Programi është pjesë e angazhimit financiar të Bashkimit Evropian gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve, organizuar në Bruksel, më 17 shkurt 2020. Objektivi i përgjithshëm i kësaj nisme është mbështetja e mëtejshme e qeverive vendore dhe kombëtare në zvogëlimin e humbjeve sociale dhe ekonomike, si dhe përshpejtimi i procesit të rimëkëmbjes përmes riparimit dhe rindërtimit të institucioneve arsimore.

Deri tani kanë përfunduar 38 shkolla, ndaj rreth 10,000 fëmijë mësojnë në mjedise moderne, njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. “Shkollat e reja janë fantastike dhe përfshijnë mjediset ultra-moderne, si: palestra, biblioteka bashkëkohore, laboratorë modernë, sisteme ngrohjeje dhe ftohjeje me eficiencë energjetike, si dhe aksesueshmëri të plotë për nxënësit me aftësi të kufizuara, duke përfshirë ashensorë dhe dalje emergjence: këto shkolla janë vërtet të shkëlqyera.” – shprehet Nora.

Portali i Transparencës është një aspekt unik i këtij projekti. Ofron përditësime në kohë reale rreth ecurisë së rindërtimit dhe forcon angazhimin e EU4Schools për të dhëna të hapura dhe transparencë. Portali ofron akses të hapur dhe gjithëpërfshirës në procesin e rindërtimit, duke nxitur besimin mes përfituesve dhe publikut.

Projekti ka zhvilluar edhe një fushatë ndërgjegjësimi publik, me titull “E dua shkollën time”. Nëpërmjet kësaj fushate, fëmijët mblidhen dhe diskutojnë tema në lidhje me shkollat e tyre, duke përfshirë barazinë gjinore, mbrojtjen mjedisore, veprimet për klimën, dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE. Është e qartë se projekti ka sjellë një ndjesi shprese në komunitet, pasi shkollat e reja dhe shumëngjyrëshe përbëjnë investime të prekshme në arsim. Sikundër thotë edhe Nora: “Ky është një investim afatgjatë i BE-së në kapitalin social dhe njerëzor, që do të sjellë përfitime të jashtëzakonshme.”

Entuziazmi për bletarinë në Malin e Zi

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet Shoqatën e Bletarëve të Kolashinit për të tërhequr një numër më të madh të rinjsh drejt bletarisë si biznes.

Familja Perišić nga Kolashini, një qytezë në verilindje të Malit të Zi, bleu disa koloni bletësh vitin e kaluar dhe po shijon mjaltë cilësor nga kosheret e veta. Puna për të prodhuar këtë mjaltë është bërë nga mijëra bletë dhe një studente 20-vjeçare në degën e ekonomisë. Së bashku me tetë të rinj të tjerë, së fundmi, Milica Perišić ka filluar të merret me bletari falë një projekti të Shoqatës së Bletarëve të Kolashinit, që e promovon këtë hobi për të rinjtë. Familja Perišić filloi të interesohej te bletaria që prej fillimit të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, kur u shtua vëmendja drejt produkteve natyrale. Projekti i Shoqatës së Bletarëve erdhi në kohën e duhur, duke i dhënë Milicës mundësinë dhe motivimin për të filluar rrugëtimin e saj të bletarisë.

“Së pari, kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të kaluar kohën time të lirë: mund të qëndroj në natyrë dhe të vëzhgoj këto krijesa të vogla, të pabesueshme, si dhe ta shfrytëzoj këtë mundësi të jashtëzakonshme për të fituar para dhe nuk do të dorëzohem.”

Milica beson se bletaria është një mundësi e vërtetë zhvillimi, ndonëse është thjesht një hobi që e ndihmon të mbështesë familjen dhe miqtë e saj. “Së pari, kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të kaluar kohën time të lirë: mund të qëndroj në natyrë dhe të vëzhgoj këto krijesa të vogla, të pabesueshme, si dhe ta shfrytëzoj këtë mundësi të jashtëzakonshme për të fituar para dhe nuk do të dorëzohem.” – shprehet Milica.

Ajo e pranon se njerëzve iu duket e pazakontë që një vajzë e re merret me bletari. “Ndonjëherë bëjnë shaka kur kërkoj libra dhe revista rreth bletarisë, pasi kryesisht e shohin si një hobi për të moshuarit që kanë dalë në pension, por në fund të ditës, të gjithë dëshirojnë të mësojnë më shumë mbi hobin tim,” – shton Milica. Ajo kalon shumë kohë në Podgoricë për shkak të studimeve, por kurdo që ka mundësi, kthehet në Kolashin. Milica thotë që në të ardhmen e sheh veten duke jetuar në këtë qytezë, të cilën dikur, në shkollë të mesme, e konsideronte si pengesë.

Shoqata e Bletarëve e ka promovuar bletarinë prej 20 vitesh, dhe viti i kaluar duket të ketë qenë më i suksesshmi nga përpjekjet e tyre. Bogoljub Bulatović është Kryetari i Shoqatës dhe shpjegon se deri para pesë vitesh, funksiononte si komunitet tradicional bletarësh, por të gjithë bashkë vendosën që të tërhiqnin më shumë njerëz, sidomos të rinj dhe të reja, drejt bletarisë.  “Ka kërkesë të madhe për produkte blete, por prodhimi aktual në Malin e Zi nuk i përmbush nevojat e tregut, ndaj ne donim ta përdornim këtë mundësi për t’i mbajtur të rinjtë në qytezë në vend që të shpërnguleshin në qytetet më të mëdha,” – shprehet Bogoljub.

“Me shumë mundësi do të ketë një numër të madh njerëzish që do të përfshihen në këtë veprimtari, por edhe sikur vetëm dy njerëz t’i përkushtohen seriozisht bletarisë, atëherë peizazhi i zonës së Kolashinit do të ndryshojë ndjeshëm.”

Lidhur me projektin

Programi Rajonal për Demokraci Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2) është vazhdim i nismave të mbështetura nga BE-ja, si: Projekti për Forcimin e Demokracisë Vendore (LOD 2009 – 2016) dhe Programi i zgjeruar Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD, 2017-2020). Objektivi i përgjithshëm i projektit është të forcojë demokracitë me pjesëmarrje dhe të nxitë integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke fuqizuar shoqërinë civile dhe duke nxitur rininë që të marrë pjesë aktive në proceset vendimmarrëse, si dhe duke përmirësuar mjedisin mbështetës ligjor dhe financiar për shoqërinë civile.

Në kuadër të misionit të tyre të ri, shoqata filloi një projekt të ri me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe UNDP-së. Në kuadër të projektit, shoqata iu ofroi fillestarëve aksesorë bletarie, literaturë moderne, si dhe trajnim të gjithanshëm rreth bletarisë. Që prej fillimit të projektit, numri i anëtarëve të shoqatës është rritur me 25%. Bogoljub shpjegon se krahas instrumenteve dhe njohurive që kanë fituar të rinjtë dhe të reja, i gjithë komuniteti vendas përfiton nga projekti, pasi bletaria rrit prodhimin frutor dhe zhvillon sektorin bujqësor në tërësi. “Me shumë mundësi do të ketë një numër të madh njerëzish që do të përfshihen në këtë veprimtari, por edhe sikur vetëm dy njerëz t’i përkushtohen seriozisht bletarisë, atëherë peizazhi i zonës së Kolashinit do të ndryshojë ndjeshëm.” – shprehet Bogoljub.

Mali i Zi është shtëpia e gjysmës së të gjitha gjallesave bimore evropiane dhe përfaqëson një potencial të jashtëzakonshëm për bletarinë. “Prandaj iu rekomandoj të gjithë personave të interesuar ndaj natyrës që të mendojnë për sipërmarrje të ngjashme.” – shprehet Bogoljub.

Risi në vlerësimet e sakta të infertilitetit mashkullor

Një projekt i financuar nga BE-ja po mbështet marketimin e zbulimit të shkencëtarëve në Serbi.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), infertiliteti është një problem shëndetësor publik në mbarë botën, dhe po rritet me 10% çdo vit. Barra e subfertilitetit dhe infertilitetit është domethënëse, me gjasë e nenvlerësuar, dhe nuk ka shfaqur rënie gjatë 20 viteve të fundit. Sipas OBSH-së, numri në rritje i rasteve të pashpjegueshme të meshkujve jofertilë në kulmin e moshës riprodhuese, dhe rënia e përqindjes së fertilitetit te meshkujt nën moshën 30 vjeç, sugjerojnë një nevojë të ngutshme për diagnozë të saktë. Tani, ekipi i shkencëtarëve Mito-REBELS nga Universiteti i Novi Sadit ka gjetur një zgjidhje të realizueshme për këtë problematikë mbarëbotërore.

 “Përmes këtij projekti kemi gjetur një qasje krejtësisht të re për vlerësimin e infertilitetit dhe subfertilitetit te meshkujt.”

Profesore Silvana Andrić është lektore në Fakultetin e Shkencave të Universitetit të Novi Sadit. Ajo ka kryer PhD-në në endokrinologjinë riprodhuese të meshkujve, si dhe ka ndjekur një trajnim pas doktoraturës rreth sinjalizimit qelizor në lidhje me endokrinologjinë riprodhuese. Ka 30 vite përvojë në hulumtimet lidhur me biologjinë riprodhuese të meshkujve, si dhe 20 vite përvojë në mësimdhënie rreth biologjisë riprodhuese dhe sinjalizimit qelizor. Vite më parë, së bashku me ekipin Mito-REBELS, ajo filloi rrugëtimin ambicioz drejt gjetjes së një zgjidhjeje për problemin e infertilitetit mashkullor, e cila është risiprurëse dhe mbështetet në marrëdhënien e mitokondrisë dhe funksionalitetit të spermës.

Profesorja Andrić shpjegon se marrëdhënia e ngushtë midis mitokondrisë dhe funksionalitetit të spermës ishte e dukshme, por për fat të keq, nuk ishte shfrytëzuar në praktikën klinike. Ekipi i saj punoi mbi propozimin duke përdorur së pari modele kafshësh dhe më pas mostra njerëzore, që shfaqën rezultate të mira në procedurat e rregullta testuese, por janë infertilë. “Përmes këtij projekti kemi gjetur një qasje krejtësisht të re për vlerësimin e infertilitetit dhe subfertilitetit te meshkujt.” – shprehet ajo.

Profesorja Andrić përshkruan se si shpikja e tyre mbështetet në një qasje molekulare, një teknologji e bazuar në testin e Reaksionit Zinxhir të Polimerazës (PCR), i cili përdoret rregullisht për diagnostikim, duke përfshirë edhe COVID-19. Për këtë arsye, atyre nuk iu duhet të krijojnë teknologji të re për ta zbatuar zgjidhjen e tyre.

 “Mbështetja që kemi marrë nga Projekti EU4TECH ishte kyçe dhe e jashtëzakonshme.”

Lidhur me projektin

EU4TECH Proof of Concept (PoC) Western Balkansishte një Instrument dy-vjeçar shumëkombësh për projektin e Para-Aderimit (IPA), i financuar nga BE-ja nëpërmjetWestern Balkans Enterprise dhe Development Innovation Facility (WBEDIF). Projekti mbulonte gjashtë ekonomitë e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Projektet e mbështetura e kishin fillesën tek organizatat e kërkimit publik, start-up-et, dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Pavarësisht suksesit të tyre shkencor, profesores dhe ekipit të saj iu desh të bënin punë shtesë, jashtë fushës së tyre profesionale, për ta sjellë këtë risi në jetë. Kjo punë përfshinte strategjinë e marketimit, vendosjen e markës tregtare, si dhe dokumentet në lidhje me prototipin. Në këtë rast, ata përfituan mbështetje nga projekti EU4TECH. Tani, profesorja Andrić dhe ekipi i saj do të arrijnë të marrin fonde shtesë ose të tërheqin investues për ta hedhur produktin në treg. “Mbështetja që kemi marrë nga Projekti EU4TECH ishte kyçe dhe e jashtëzakonshme.” – shprehet profesorja Andrić.

Shpikja pritet të hidhet në treg gjatë vitit të ardhshëm. Profesorja Andrić shprehet se është e interesuar që ta mbajë shpikjen pjesë të Universitetit, duke krijuar një nënprodukt që do t’i japë mundësinë ekipit Mito-REBELS dhe studentëve që të rriten dhe të zhvillojnë shpikje të tjera të rëndësishme.

Të ndryshosh veshjen

Një projekt i financuar nga BE-ja ofron ndihmë financiare dhe teknike për shoqëritë e tekstileve në Bosnjë-Hercegovinë.

Shoqëritë e tekstileve në Bosnjë-Hercegovinë u përballën me sfida të shumta gjatë pandemisë. Porositë dhe shitjet ranë ndjeshëm, dhe zinxhirët e furnizimit u ndërprenë, duke e bërë blerjen e lëndës së parë shumë të vështirë që nga fillimi i shkurtit 2020. Sipas përllogaritjeve të industrisë, një në tre vende pune që u humbën në vend gjatë pandemisë i përkiste sektorit të tekstileve. Një nga shoqëritë që u përballën me këto sfida ishte një shoqëri me historik të hershëm. Sana Linea nga Kostajnica, në veri të Bosnjë-Hercegovinës. Themeluar në vitin 1947, shoqëria aktualisht ka 74 punonjës dhe është biznes i drejtuar krejtësisht nga gratë. Ka 13 dyqane të shitjes me pakicë në mbarë Bosnjë-Hercegovinën, si dhe dy në Serbi.

“Ne po punonim me krijimin e koleksionit të ri. Sikundër e dinë të gjithë, pandemia shkaktoi probleme madhore me prokurimin e materialeve dhe dërgesat. Në rastin tonë, një nga problemet ishte edhe financimi i makinerive të caktuara të veçanta me çmim më të lartë, të cilat na nevojiteshin për modernizimin e linjës sonë të prodhimit.”

Marijana Bučevac është Drejtorja Ekzekutive Sana Linea. Ajo shpjegon se shoqëria po ecte mirë përpara fillimit të pandemisë së COVID-19, kur po planifikonin zgjerimin e linjës së produkteve dhe rritjen e numrit të punonjësve. Megjithatë, pandemia e frenoi këtë zhvillim dhe vuri në rrezik performancën ekzistuese operacionale të shoqërisë. “Ne po punonim me krijimin e koleksionit të ri. Sikundër e dinë të gjithë, pandemia shkaktoi probleme madhore me prokurimin e materialeve dhe dërgesat. Në rastin tonë, një nga problemet ishte edhe financimi i makinerive të caktuara të veçanta me çmim më të lartë, të cilat na nevojiteshin për modernizimin e linjës sonë të prodhimit.” – shprehet Marijana.

Në atë kohë, ata lexuan një njoftim nga projekti i financuar nga BE-ja “EU4BusinessRecovery”, dhe aplikuan. Mbështetja nga projekti erdhi në çastin e duhur, dhe Bashkimi Evropian iu dha mundësinë të blinin makineri të veçanta prodhimi, si dhe të prokuronin lëndën e parë. Projekti gjithashtu kontribuoi në një mjedis më të shëndetshëm për punonjësit, me rindërtimin e pjesshëm të fabrikës. Marijana përshkruan një nga investimet më të rëndësishme, që ishte krijimi i një aplikacioni celular për sistemet iOS dhe Android, i cili iu mundësoi të përmirësonin shitjet online dhe të depërtonin te një numër më i madh klientësh.

“Nëpërmjet kësaj mbështetjeje, ne arritëm të modernizonim prodhimin duke blerë makineri të veçanta, si dhe punësuam 10 punonjës të rinj. Ne gjithashtu krijuam dyqanin tonë online dhe faqen tonë të internetit, për të depërtuar te klientët e rinj. Kemi filluar të eksportojmë edhe në BE.”

Lidhur me projektin 

Projekti i financuar nga BE-ja, ““COVID-19 Investment Response – EU4 Business Recovery”, zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, në bashkëpunim me Agjencinë Gjermane për Zhvillim, GIZ, si dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim. Qëllimi i projektit është të mbështesë rimëkëmbjen e ekonomisë së Bosnjë-Hercegovinës nga pasojat e pandemisë COVID-19. Objektivi konkret është ofrimi i mbështetjes emergjente për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, me qëllim garantimin e vijimësisë së biznesit të tyre, mbajtjen e mbi 1,000 vendeve të punës, dhe krijimin e të paktën 100 vendeve të reja të punës, në veçanti duke mbështetur gratë sipërmarrëse, të rinjtë dhe grupet e tjera të cenueshme.

Sot, shoqëria po punon për të forcuar markën e saj dhe për të zgjeruar shitjet jashtë Bosnjë-Hercegovinës. Duke i monitoruar vazhdimisht ndryshimet në treg, shoqëria po e zhvillon veprimtarinë e saj me efikasitet.

Marijana shpjegon se investimet në makineri dhe marketim kanë kontribuar në rritjen e shitjeve. “Nëpërmjet kësaj mbështetjeje, ne arritëm të modernizonim prodhimin duke blerë makineri të veçanta, si dhe punësuam 10 punonjës të rinj. Ne gjithashtu krijuam dyqanin tonë online dhe faqen tonë të internetit, për të depërtuar te klientët e rinj. Kemi filluar të eksportojmë edhe në BE.” – shprehet Marijana.

Shumëllojshmëria e produkteve në biznes

Si e mbështeti Banka Evropiane e Investimeve një biznes mobiliesh në Malin e Zi që të rimëkëmbej pas COVID-19.

Ndikimi ekonomik i COVID-19 mbi bizneset e vogla kudo ka qenë i rëndë. Në Malin e Zi, mbështetja financiare nga Banka Evropiane e Investimeve, banka e BE-së, ka sjellë një ndryshim të madh. “Ishte veçanërisht e rëndësishme për ruajtjen e likuiditetit të ekonomisë dhe vendeve të punës”, – shprehet Irena Radović, Drejtore Ekzekutive e Fondit të Investimeve dhe Zhvillimit në Malin e Zi, i cili bashkëpunoi me Bankën Evropiane të Investimeve për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). “Ishte tejet e rëndësishme për projektet zhvillimore që kontribuojnë në krijimin e vlerave të reja ekonomike dhe rimëkëmbjen e ekonomisë sonë pas periudhës së pandemisë.”

“Pandemia ishte një periudhë e vështirë për të gjitha bizneset, duke përfshirë edhe biznesin tonë.”

Një nga bizneset që është mbështetur nëpërmjet këtij fondi, ishte shoqëria e mobilieve “Doding”. “Doding” prodhon mobilie të personalizuara prej tri dekadash dhe është rritur nga një biznes i vogël familjar në një ndërmarrje me mbi 90 punonjës. Shoqëria u themelua në vitin 1998 dhe prodhonte mobilie me materiale të laminuara, pllakë zdrukthi, dhe dru. Shoqëria është rritur që prej asaj kohe dhe tani merret me projekte të mëdha, si: hotele, komplekse rezidenciale dhe hapësira biznesi. Shoqëria punëson ekspertë të fushës së arkitekturës, projektimit, prodhimit të mobilieve, shitjeve, teknologjisë, prodhimit, marketimit, dhe financës. Krahas dy fabrikave të prodhimit, “Doding” ka showroom-e në City Kvart, Podgoricë dhe Radanovići, ku kapacitetet e prodhimit dhe projektimit paraqiten përmes dizajnit të brendshëm dhe mobilieve.

Shoqëria drejtohet nga arkitektja Ana Pejović, dhe bashkëshortin e saj, i cili është inxhinier ndërtimit, Brankon. Shoqëria e tyre rritet vazhdimisht, dhe kur filloi pandemia e COVID-19, ata kishin parashikuar të bënin më shumë investime në teknologji. Megjithatë, sikundër shpjegon Ana, rënia e të ardhurave dhe pasiguritë e shkaktuara nga pandemia, i frenuan investimet e mëtejshme. “Pandemia ishte një periudhë e vështirë për të gjitha bizneset, duke përfshirë edhe biznesin tonë.” – shprehet Ana.

Megjithatë, në atë kohë, ata dëgjuan rreth një mundësie për një hua të favorshme që ofrohej nga Fondi i Investimeve dhe Zhvillimit në Malin e Zi, me mbështetjen e Bankës Evropiane të Investimeve, bankës së BE-së. Ata aplikuan dhe morën një hua, përmes së cilës blenë një prerës CNC të kompjuterizuar dhe të avancuar nga pikëpamja teknologjike, si dhe një njësi të kompjuterizuar të fjalës së fundit për lyerjen e mobilieve.

“Kjo mbështetje ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi e ruajti qëndrueshmërinë e biznesit tonë gjatë atyre ditëve të vështira.”

Lidhur me projektin

Bizneset e vogla në Malin e Zi mund të vazhdojnë të mbështeten në Bankën Evropiane të Investimeve në rrugëtimin e tyre drejt një ekonomie moderne, digjitale, të gjelbër dhe qarkulluese. Prania e Bankës tanimë forcohet përmes degës së saj të re, EIB Global.

Ky fakt vërtetohet nga marrëveshja 100 milionë euroshe, e nënshkruar në vitin 2021, me Fondin e Investimeve dhe Zhvillimit për investime ekologjike dhe me eficiencë energjetike nga NVM-të vendore. Çel një burim të ri të financimeve të domosdoshme për qëndrueshmërinë klimatike dhe mjedisore, për të përshpejtuar çkarbonizimin e ekonomisë vendase dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse.

Ana shpjegon se këto dy makineri ishin një ndihmesë e madhe për rritjen e qëndrueshme të biznesit të tyre në periudhën gjatë dhe pas pandemisë. “Kjo mbështetje ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi e ruajti qëndrueshmërinë e biznesit tonë gjatë atyre ditëve të vështira.” – shprehet ajo.

Tani, krahas veprimtarive të përhershme, shoqëria po punon mbi futjen e një produkti të ri, që quhet “Doding Outdoor”, i cili përfshin mobilie kopshti dhe plazhi. Për këtë qëllim, ata po bëjnë përpjekje për të gjetur një qasje risiprurëse dhe ekologjike, duke përdorur mbetje drusore nga veprimtaritë e tyre kryesore prodhuese. Planet e “Doding” përfshijnë zgjerimin e mëtejshëm në tregun rajonal dhe atë të BE-së. Ndonëse kanë klientë ndërkombëtarë, ata duan të rrisin numrin e eksporteve të shoqërisë dhe të shndërrohen në një markë rajonale.

Rrugëtimi i një gruaje të fortë rome, e cila mbështet djalin e saj me aftësi të kufizuara

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet riintegrimin e të kthyerve në Ballkanin Perëndimor.

Për 25 vjet, Blerta Lushnjari nga Shqipëria ka udhëtuar nëpër vende të ndryshme, me qëllim që të siguronte kujdes të përshtatshëm shëndetësor për djalin e saj. Antonio ka lindur me një aftësi të kufizuar dhe vuan nga një sërë sëmundjesh, dhe vendlindja e Blertës, Elbasani, as nuk ka kapacitet për një diagnostikim të përshtatshëm, dhe as nuk ofron shërbime mjekësore falas për personat me aftësi të kufizuara. Me situatën e saj ekonomike, Blerta e kishte të pamundur të paguante mjekë privatë.

Pa një diagnozë të saktë, çdo gjë ishte e frikshme. Blerta nuk mundej të kujdesej siç duhej për Antonion pa ditur se cilat terapi ose barna mund t’ia lehtësonin dhimbjen. Ajo nuk dinte as se si do të ofronte një jetesë të denjë në të ardhmen. Në kërkim të një vëmendjeje më të mirë mjekësore, ata u larguan jashtë vendit dhe arritën të merrnin një diagnozë të saktë: paraplegji dhe aftësi e kufizuar e lehtë intelektuale, si dhe kujdes të përshtatshëm. Megjithatë, pa lejen e qëndrimit, atyre iu desh të ktheheshin në Shqipëri. “Kur ishim jashtë vendit, mjeku e vizitonte Antonion një herë në javë dhe i bënte fizioterapi. Por kur erdhëm në Shqipëri, nuk kishte asnjë shërbim të tillë. Për këtë arsye, gjendja e tij u përkeqësua.”

“Jeta ishte më e vështirë. Nuk i ushqeja dot fëmijët e mi. Ishim të pastrehë, zhvendoseshim nga një i afërm te tjetri: një javë qëndronim te shtëpia e njërit, një javë tjetër te shtëpia e tjetrit.”

Shumë persona nga Ballkani Perëndimor shkojnë jashtë vendit për mundësi pune, por anëtarët e komunitetit rom përballen me sfida të veçanta riintegrimi pasi kthehen. Sfida më e shpeshtë që raportohet nga të kthyerit në rajon, duke përfshirë Shqipërinë, është punësimi, duke vijuar me mungesën e strehimit të përshtatshëm dhe aksesin në arsim. Në Shqipëri, nuk kishte një program mbrojtjeje sociale, që synonte të kthyerit në veçanti. Në Elbasan, Blerta nuk kishte as shtëpi, as një vend pune, por dy fëmijë për të rritur. Mungesa e arsimit formal e vështirësoi gjetjen e një pune fitimprurëse, dhe i solli sfida me dokumentacionin e nevojshëm për një jetë të qëndrueshme. “Jeta ishte më e vështirë. Nuk i ushqeja dot fëmijët e mi. Ishim të pastrehë, zhvendoseshim nga një i afërm te tjetri: një javë qëndronim te shtëpia e njërit, një javë tjetër te shtëpia e tjetrit.” – shprehet Blerta.

Pavarësisht këtyre sfidave, Blerta kishte energji pozitive, që vërehej në ngrohtësinë dhe kujdesin për familjen e saj: qëllimi i saj kryesor ishte plotësimi i nevojave të fëmijëve të saj. Ajo ka marrë pjesë në shumë veprimtari të OJF-ve për gratë dhe integrimin e tyre në Shqipëri, si dhe ka qenë veçanërisht e përfshirë në një program të formimit profesional për gratë e kthyera. Projekti titullohej “Strengthening national and local systems to support the effective socio-economic integration of returnees in the Western Balkans”, financohej nga BE-ja dhe zbatohej nga UNDP-ja. Mirjeta Ramizi nga UNDP Shqipëri shpjegon se Blerta ka qenë pjesë aktive e shumë veprimtarive të projektit. Një nga veprimtaritë ishte ideja e biznesit për prodhimin dhe marketimin e sapunit natyral artizanal. Së bashku me gra të tjera, Blerta u trajnua në këtë zanat dhe përfitoi lëndën e parë dhe ndihmë me marketimin. Kjo veprimtari që ndihmon në krijimin e të ardhurave është në fillesat e saj dhe po ecën mirë, por, sipas Mirjetës, zonjat dhe zonjushat kanë ambicie më të mëdha, dhe shoqëria e tyre e sapothemeluar synon të zgjerohet në treg.

Si një grua ambicioze dhe punëtore, Blerta i është bashkuar një tjetër programi që përqendrohet te zhvillimi i ideve individuale të biznesit. Që prej kthimit të saj në Shqipëri, ajo e ka siguruar jetesën përmes riparimit dhe rishitjes së mallrave të përdorura. Tani, me mbështetjen e projektit, ajo planifikon që të shndërrojë këtë veprimtari me kohë të pjesshme në një biznes plotësisht të zhvilluar. Projekti po e ndihmon që të hartojë një plan biznesi për hapjen e një dyqani fiks ose lëvizës për të shitur mallra të përdorura.

“Nëpërmjet këtij projekti, ne kemi lidhur partneritete të efektshme vendore dhe kombëtare, si dhe kemi tërhequr vëmendjen drejt nevojave dhe sfidave të të kthyerve dhe komuniteteve të cenueshme.”

Lidhur me projektin

Projekti “Strengthening national and local systems to support the effective socio-economic integration of returnees in the Western Balkans” është pjesë e Programit të Veprimit Shumëkombësh të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA) II, i zbatuar nga UNDP-ja, Banka Botërore, dhe Këshilli i Evropës, për të mbështetur të drejtat themelore të romëve dhe të kthyerve të tjerë të cenueshëm në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, dhe Serbi. Projekti adreson riintegrimin e një numri domethënës të të kthyerve nga BE-ja gjatë viteve të fundit, që kur vendet e Ballkanit Perëndimor u shpallën “vende të sigurta origjine”. Projekti punon ngushtësisht me institucionet vendore, përgjegjëse për ofrimin e shërbimit të riintegrimit të të kthyerve, me fokus pakicat etnike rome dhe egjiptiane, si dhe me aktorë vendorë të shoqërisë civile dhe komunitetin e bizneseve vendore. Komuniteti i të kthyerve konsiderohet edhe përfitues, edhe partner gjatë zbatimit të projektit, me synim krijimin e ndjesisë së përkatësisë mbi veprimtaritë e zhvilluara.

Në Shqipëri, projekti ofron mbështetje në bashkitë e Beratit, Devollit, dhe Fierit, ku numri i të kthyerve është më i lartë sesa në bashkitë e tjera. Krahas ndihmës së drejtpërdrejtë për të kthyerit, që zbatohet në bashkëpunim me OJF-të partnere, projekti gjithashtu ofron mbështetje për qeverinë vendore dhe qendrore të Shqipërisë në hartimin e strategjive dhe planeve të veprimit, që adresojnë nevojat e të kthyerve. Mirjeta nga UNDP-ja shpjegon se kriza ekonomike e shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe pandemia e COVID-19 e ka zhvendosur vëmendjen e qeverisë drejt këtyre problematikave të menjëhershme. “Nëpërmjet këtij projekti, ne kemi lidhur partneritete të efektshme vendore dhe kombëtare, si dhe kemi tërhequr vëmendjen drejt nevojave dhe sfidave të të kthyerve dhe komuniteteve të cenueshme.” – shprehet ajo.

Djali 17-vjeçar i Blertës tani është shumë më mirë. Ai merr shërbime të rregullta fizioterapie në shtëpi dhe në një qendër vendore, me mbështetjen e projektit të UNDP-së dhe financimin e BE-së dhe Fondit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Ai ka akses në shërbime më të mira mjekësore dhe vazhdon të jetë i rrethuar nga një familje e dashur, që i kushton vëmendje zhvillimit dhe kujdesit ndaj tij. Vajzës 10-vjeçare të Blertës, Lejes, i pëlqejnë gjuhët e huaja dhe ka fituar disa medalje. Ajo gjithashtu e adhuron kohën që kalon me të vëllanë. Familja ende përballet me vështirësinë e strehimit, pasi është në kërkim të një shtëpie me mjediset bazë, të cilën mund ta përballojnë ekonomikisht. Blerta shprehet: “Ëndrra ime më e madhe është të kem një shtëpi për dy fëmijët e mi, në mënyrë që edhe kur mos të jem më, ata të jenë të organizuar dhe të kenë një jetë të denjë.”

Erëra ndryshimi për prodhimin e energjisë në Maqedoninë e Veriut

BE-ja mbështet revolucionin e gjelbër të vendit.

Bogdanci është një qytezë në Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Greqisë. Kjo zonë njihet për erërat e forta që fryjnë gjatë gjithë vitit. Erërat e vazhdueshme në Bogdanci njihen si Vardarec, që fryjnë përgjatë luginës së lumit Vardar, me shpejtësi mesatare prej 7.2 m/s, çka i bën erëra goxha të forta për këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja përse studimi i fizibilitetit, i financuar nga Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) e identifikoi Bogdancin si vendndodhjen ideale për parkun e parë eolik në Maqedoninë e Veriut.

“Të gjithë do të përfitojnë nga energjia e gjelbër e parqeve eolike, qofshin familjet apo industria; të gjithë do të përdorin energji të gjelbër.”

Parku eolik ndodhet në një zonë të përzgjedhur pas një analize të thellë të të dhënave dhe simulimit të rrjedhës së erës. Ndërtimi i Fazës I të parkut, financuar nga huat e KfW-së  dhe shoqëria e prodhimit të energjisë “ELEM”, përfundoi në vitin 2014, dhe ka një kapacitet prej 36.8 MW dhe prodhim vjetor mesatar prej rreth 112 gigavatë orë, çka iu ofron energji të gjelbër përafërsisht 16,000 familjeve në jug të vendit.

Në fazën e parë u instaluan 16 turbina ere dhe u ndërtua një linjë transmetimit 11 km e gjatë, 110 kV, krahas një nënstacioni dhe rrugëve hyrëse, që lidhin parkun eolik me rrjetin e energjisë. Faza II është në zhvillim e sipër dhe do të shtojë 14 MW në kapacitetin e prodhimit të energjisë të objekteve ekzistuese,për ta sjellë kapacitetin total në 50 MW, sipas planit fillestar.

“Maqedonia e Veriut ka përcaktuar objektiva klimatike shumë ambicioze. Së pari, nënshkroi Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe më pas u angazhua të reduktonte gazet serë me 52%. Në fund të këtij dhjetëvjeçari, vendi do të ketë mbyllur termocentralet që furnizohen me qymyr, çka e vendos në një situatë të vështirë. “Të gjithë do të përfitojnë nga energjia e gjelbër e parqeve eolike, qofshin familjet apo industria; të gjithë do të përdorin energji të gjelbër.” – shprehet Robert Sarlamanov nga Banka për Zhvillim KfW.

“Prodhimi vjetor mesatar do të jetë 112 gigavatë orë. Thënë më thjesht, do të mbulojë konsumin energjetik për rreth 16,000 familje, që do të ishte mesatarisht konsumi vjetor i energjisë për familjet që banojnë në qytezat fqinje të Gevgelija, Bogdanci, Valandovo dhe Dojran.”

Lidhur me projektin

Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) u prezantua në vitin 2009 nga Komisioni Evropian(Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Zgjerimin – ish-DG ELARG, tani DG NEAR), institucione financiare ndërkombëtare dhe donatorë dypalësh, për të rritur investimet në harmonizim dhe bashkëpunim për zhvillimin socioekonomik të Ballkanit Perëndimor. Së bashku me përfituesit e Ballkanit Perëndimor, WBIF-ja formon një partneritet unik, që përcakton prioritetet dhe paketat mbështetëse të investimeve strategjike dhe reformave institucionale. WBIF-ja kontributon në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor jo vetëm duke mbështetur projekte investimi, që përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe rritjen, por edhe duke përforcuar bashkëpunimin dhe ndërlidhjen rajonale.

Parku eolik ka një ndikim të ndjeshëm në furnizimin e rajonit me energji. “Prodhimi vjetor mesatar do të jetë 112 gigavatë orë. Thënë më thjesht, do të mbulojë konsumin energjetik për rreth 16,000 familje, që do të ishte mesatarisht konsumi vjetor i energjisë për familjet që banojnë në qytezat fqinje të Gevgelija, Bogdanci, Valandovo dhe Dojran.” – shprehet Goce Dzambalovski nga Centralet Energjetike në Maqedoninë e Veriut.

Së fundmi, Maqedonia e Veriut ka bërë goxha progres me tranzicionin energjetik në Ballkanin Perëndimor. Vendi kryen ankande të energjisë së rinovueshme, duke zëvendësuar qymyrin me energjinë diellore dhe gazin, si dhe duke nënshkruar marrëveshje strategjike investimi, jo vetëm për parqe të mëdha eolike, por edhe për centrale fotovoltaike. Sipas portalit të Energjisë së Gjelbër të Ballkanit Perëndimor, prodhimi i energjisë elektrike në centralet e energjisë së rinovueshme të Maqedonisë së Veriut, vitin e kaluar u rrit me 14.7% krahasuar me vitin 2020, ndërsa produkti i centraleve që furnizohen me qymyr ra me 17.1%. Përqindja e energjisë së rinovueshme në prodhimin e përgjithshëm të energjisë u rrit gjithashtu, nga 29.2% në 31.4%, falë projekteve madhore, si projekti i Parkut Eolik të Bogdancit.

Dyqanet me një ndalesë shndërrojnë punësueshmërinë e të rinjve

Një qasje e re edukuese, e financuar nga BE-ja, po zbatohet në Ballkanin Perëndimor

Organizatat e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor kanë bashkuar forcat për të prezantuar një qasje të re në edukim, që synon të rrisë punësueshmërinë e të rinjve. Projekti ka një organizatë kryesore partnere në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, dhe Serbi. Në çdo vend, projekt adreson mungesat e asaj që ofrohet nga institucionet arsimore.

Nuk ka zgjidhje të shpejta për sfidat edukuese, sikundër e di shumë mirë Qendra për Punën e të Rinjve (Centar za omladinski rad – CZOR) nga Novi Sadi. Organizata punon prej vitesh me të rinjtë. Më parë ofronte kurse dhe punonte mbi advokacinë rinore, por punësueshmëria e të rinjve i tërhoqi vërtet vëmendjen.

“Na erdhi ideja e pilotimit të shërbimeve të integruara bazuar në një dyqan me një ndalesë, që ofronte shërbime për të rinjtë.”

CZOR vërejti se shërbimet që aksesoheshin nga të rinjtë ishin të shpërndara në organizata të ndryshme, çka nënkuptonte që përdoruesit duhet të kalonin nga një program te tjetri për të përvetësuar të gjitha aftësitë e nevojshme të punësueshmërisë. “Na erdhi ideja e pilotimit të shërbimeve të integruara bazuar në një dyqan me një ndalesë, që ofronte shërbime për të rinjtë.” – shprehet Vanja Kalaba nga CZOR. Qasja ishte e suksesshme dhe mbi gjysma e të rinjve të përfshirë u punësuan ose siguruan stazhin. Më pas, Kalaba u bind se ky model mund të zgjerohej në një projekt rajonal.

Shndërrimi i modelit në një projekt rajonal

CZOR arriti ta ngrinte këtë ndërhyrje mbi edukimin e të rinjve në një nivel rajonal me financimin e BE-së. Kjo qasje solli bashkë organizata nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, dhe Mali i Zi, për të rritur mundësinë e punësimit të të rinjve. “Ne duam të forcojmë organizatat, duke krijuar një rrjet që do t’i bëjë aktorët më të njohur dhe aktualë, si dhe duke e mbështetur ndërveprimin e tyre me qeverinë për të punësuar dhe për të depërtuar te të rinjtë,” – shprehet Kalaba nga CZOR. Depërtimi iu kushton vëmendje të veçantë të rinjve që nuk përfshihen në arsimim, punësim ose formim. Janë regjistruar qindra kandidatë, me shpresën që në fund të programit njëvjeçar, të kenë përftuar aftësitë e nevojshme, duke përfshirë aftësitë digjitale dhe sipërmarrëse.Partnerët që e ofrojnë këtë shërbim kanë përvojë të gjatë, duke përfshirë ekspertizën në këshillim karriere, sipërmarrje, aftësi digjitale, dhe media sociale. Tani organizatat po bashkojnë forcat dhe po iu ofrojnë kandidatëve çdo gjë, në një vend, duke nisur nga shkëmbimi i përvojave, e duke përfunduar me kontaktet e punëdhënësve të mundshëm.

“Regjistrimi në këtë format edukimi më bëri ta kuptoj sektorin e TI-së më mirë, si dhe t’i vë njohuritë e mia në zbatim në të ardhmen,”

Lidhur me projektin

Projekti i financuar nga BE-ja, “My Career from Zero to Hero” (02hero), synon të rrisë kapacitetet e shoqërisë civile, në mënyrë që të jetë më e efektshme, llogaridhënëse, dhe e pavarur, si dhe të ndërveprojë në mënyrë konstruktive me qeveritë rreth prioriteteve tematike të zgjidhjeve risiprurëse për punësueshmërinë e të rinjve në Strategjinë e Ballkanit Perëndimor. “02hero” është një model i integruar për të rinjtë NEET (që nuk përfshihen në arsimim, punësim ose formim), mbështetur në metodologjinë e dyqanit me një ndalesë, që parashikon ofrimin e të gjitha shërbimeve për punësueshmërinë e të rinjve në një vend, me qëllim zhvillimin e aftësive për vendet e ardhshme të punës në revolucionin digjital 4.0.

Sajra Hadžiarapović ka marrë pjesë në trajnimin e ofruar nga organizata partnere në Bosnjë-Hercegovinë, “Qendra për Edukimin e të Rinjve”, në qytezën e Travnikut. Ajo shprehet se kurset e personalizuara, që ofrohen nga lektorë të specializuar në programin dhe dizajn faqesh interneti, i kanë plotësuar njohuritë e saj. Një element që e ka vlerësuar edhe më shumë ishte pjesëmarrja e sipërmarrësve të suksesshëm, në rolin e lektorëve. “Regjistrimi në këtë format edukimi më bëri ta kuptoj sektorin e TI-së më mirë, si dhe t’i vë njohuritë e mia në zbatim në të ardhmen,” – shprehet Sajra, e cila shpreson që tani të ketë mundësi më të mira punësimi.

Konsorciumi i organizatave aktualisht përqendrohet te qëndrueshmëria e modelit, në mënyrë që të shndërrohet në një forcë shtytëse për punësueshmërinë e të rinjve.