Skip to main content

Shqipëria të përfshihet në hartën e start-up-eve

Një nismë e rëndësishme, e financuar nga BE-ja ndihmon identifikimin, promovimin dhe rritjen e risisë.

Arritja më e fundit politike e Shqipërisë – hapja e negociatave për anëtarësimin në BE në vitin 2022 – hap një kapitull të ri për risinë dhe konkurrencën në vend. Me një ekonomi tradicionale, vendi ka pasur një fuqizim të qëndrueshëm që prej kalimit në demokraci tre dekada më parë, por shfaqja e rezultateve të prekshme në zhvillimin e start-up-eve është i rëndësishëm për orientimin e Shqipërisë drejt një ekonomie të qëndrueshme. Duke qenë se Shqipëria konsiderohej të kishte potencial të pashfrytëzuar për start-up-et, Bashkimi Evropian ofroi financim për projektet që përmirësojnë ambientin inovativ dhe krijojnë sipërmarrës të rinj. Nisma “EU for Innovation” sjell praktikat më të mira që ringjallin pjesëmarrësit e ekosistemit, u lehtëson atyre punën e përbashkët dhe mbështet start-upet inovative.

“‘EU for Innovation’ ka shërbyer si gur themeli për ekosistemin.”

Me fillimin e nismës në vitin 2018, ishte e dukshme që ekzistonin aktivitete sipërmarrëse por ishin të hallakatura dhe nuk e ndihmonin sektorin në tërësi. EU for Innovation siguroi një adresë, ku mund të grumbulloheshin burimet dhe të koordinoheshin aktivitetet.

“‘EU for Innovation’ ka shërbyer si gur themeli për ekosistemin. Ne përmirësuam bashkëpunimin për ekosistemin; krijuam platforma angazhuese dhe theksuam vazhdimisht rëndësinë e konkurrencës ndërmjet palëve të interesit, në mënyrë që ekosistemi të bëhej më konkurruese në përgjithësi,” thotë Sebastian Berwanger nga nisma EU for Innovation

Qeveria e ka shtuar mbështetjen e saj duke filluar procedurat e një ligji për start-up-et, si dhe një skemë granti që do të frymëzojë inovatorët e rinj përgjatë pesë viteve të ardhshëm.

Nisma EU for Innovation mbushi zbrazëtitë lidhur me ekosistemin e Shqipërisë nëpërmjet një procesi të hapur bashkë-krijimi me palët kryesore të interesit. Duke ndërmarrë këtë qasje, nisma udhëhoqi më shumë se 35 projekte nga tetori i vitit 2018 deri në shtator të vitit 2022 dhe radhiti nga afër aktivitetet e saj me palët e interesit, politikëbërësit dhe donatorët e tjerë.

Teknologjia është pjesë thelbësore e zgjidhjeve start-up në Shqipëri, qoftë në TIK, turizëm, bujqësi apo agro-turizëm, e-commerce, arsim, apo shëndet. Një tjetër element pozitiv në grupin e parë të themeluesve që rezultoi nga programi i inkubacionit të multi-universiteteve, është mbizotërimi nga themelueset femra.

AlbaniaTech, faqet e verdha të vendit për start-upet

Ndërmarrja e hapave të parë mund të jetë barrë e konsiderueshme për çdo start-up dhe kjo është arsyeja pse një ekip inovatorësh prezantuan AlbaniaTech, platformë që ofron shkëmbim informacioni, promovim dhe mundësinë për tëlidhur palët e interesit. Krijuar me mbështetjen e EU for Innovation, platforma synon të solidarizojë dhe aktivizojë pjesëmarrësit themelorë të ekosistemit në Shqipëri. “Nganjëherë, mjafton vetëm një copëz e vogël informacioni që të rinjtë të bëhen pjesë e programit, një mundësi për të hapur një biznes,” thotë Prishila Gjoka nga AlbaniaTech-u.

AlbaniaTech-u përdoret falas dhe me bazën e të dhënave prej 170 start-up-esh, është vendi për të identifikuar, promovuar dhe hapur start-up-e në Shqipëri. Platforma është zgjeruar duke bashkëpunuar me një furnizues ndërkombëtar që drejton 50 ekosisteme globalisht, duke e bërë kështu ekosistemin e start-up-eve në Shqipëri të dukshëm për investitorët e huaj dhe në të njëjtën kohë, duke zhvilluar mirëpritjen digjitale (digital welcome) për këdo që dëshiron t’ia fillojë nga e para në Tiranë.

“Platforma jonë mundëson lulëzimin e start-up-eve.“

Lidhur me projektin

Projekti EU for Innovation synon të përmirësojë ambientin inovativ dhe të nxisë krijimin e start-up-eve në Shqipëri nëpërmjet zhvillimit të kapacitetit për risi; lidhjeve të intensifikuara brenda ekosistemit inovator shqiptar; dhe financimit për start-up-et inovative dhe furnizuesit e mbështetjes së risisë. Projekti konsiderohet si projekti më i rëndësishëm për risi dhe ekosistemin e start-upeve në Shqipëri.

Janë hedhur themelet nga ku do të ndërtojnë më tej brezat e ardhshëm: AlbaniaTech është aty për t’u dhënë krahë inovatorëve dhe start-upeve. “Platforma jonë mundëson lulëzimin e start-up-eve. Çdokush që hedh sytë pas do të vërejë se sa është zgjeruar komuniteti që kur e ngritëm nga themelet,“ thotë Gjoka.

Me ndërhyrje serioze si EU for Innovation, Shqipëria po zë një vend në hartën e start-up-eve, ngadalë por me hapa të sigurt. Dinamikat e reja në ambientin inovator shqiptar u nxorën në pah gjatë European Innovation Scoreboard 2022, ku Shqipëria u shqua si “Emerging Innovator” krahas ekonomive të  tjera të Ballkanit Perëndimor.

Efekti Maribor: përforcimi i aftësive profesionale jashtë vendit

Projekti Intervet, i financuar nga BE-ja, ndihmon me rritjen dhe krijimin e mundësive për lëvizshmërinë e të mësuarit në Ballkanin Perëndimor

Engjull Miftari është një gjimnazist 17-vjeçar nga Kosova. Ai është në vitin e fundit të shkollës profesionale “7 Shtatori” në Prishtinë. Engjulli thotë se e ka mahnitur biznesi i kateringut që në vegjëli. Ai shpjegon se arsyeja për këtë mund të jetë babai i tij: “Im atë ishte shef në një restorant për më shumë se 17 vite dhe ndonjëherë e shoqëroja për në punë; rashë në dashuri me këtë profesion,” thotë Engjulli. Duke qenë se nuk ishte e mundur të studionte kulinari në shkollë të mesme, zgjodhi të studiojë turizëm të përgjithshëm, duke përfshirë këtu menaxhimin e agjencive të turizmit dhe recepsionit dhe thotë se nuk është penduar për vendimin e tij – madje, edhe po të kishte zgjedhje më të shumta, as tani nuk do të zgjidhte shkollë tjetër profesionale.

“Përvoja e internship-it në Prishtinë ishte shumë e dobishme. Sidoqoftë, kisha ndjesinë se më nevojitej më shumë përvojë dhe larmi pune praktike.”

Engjulli ishte nxënës shumë i mirë, me nota të larta dhe lavdërime nga mësuesit e tij. Si rezultat, u caktua në një internship katër-mujor në Grand Hotel, një hotel historik në qendrën e Prishtinës. “Përvoja e internship-it në Prishtinë ishte shumë e dobishme. Sidoqoftë, kisha ndjesinë se më nevojitej më shumë përvojë dhe larmi pune praktike,” thotë Engjulli. Kjo mundësi erdhi shumë shpejt kur projekti Intervet, i financuar nga BE-ja, u bëri thirrje nxënësve të shkollave të mesme profesionale (VET) nga Kosova për internship-e ndërkombëtare.

Si nxënës i një shkolle VET, Engjulli u informua për këtë mundësi nga mësuesi tij i anglishtes dhe vendosi menjëherë të aplikonte. Ai i përmbushte kriteret sepse ishte nxënës i mirë dhe kishte njohuri të gjuhës angleze dhe u përzgjodh ndër nxënësit e rinj nga Kosova që do t’i bashkoheshin një programi internship-i një-mujor në një hotel malor në Maribor, Slloveni. “Isha shumë i emocionuar,” kujton Engjulli.

“Përvoja ime gjatë internship-it në Maribor ishte e shkëlqyer. Jo vetëm që përmirësova aftësitë e mia profesionale, por u njoha dhe me kulturën dhe zhvillova aftësitë e të folurit.”

Lidhur me projektin

Synimi i projektit Intervet Western Balkans, të financuar nga BE-ja, është të krijojë mundësi për lëvizshmërinë e të mësuarit në qendrat e trajnimit të Ballkanit Perëndimor, ndërkombëtarizimin e VET System-it dhe një kulturë të përmirësuar të lëvizshmërisë së të nxënit në fushën VET. Për t’i arritur këto, projekti po vë në zbatim aktivitete në dy nivele: nga njëra anë, lëvizshmëria e nxënësve VET dhe nga ana tjetër, rritja e kompetencave të stafit VET. Shoqëria e tyre përfshin biznese dhe shoqata arsimore, sipërmarrje të vogla dhe të mesme, qendra VET, dhoma tregtie dhe universitete nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor dhe tetë vende të BE-së, ndërkohë që Prishtina REA është partneri i projektit për shtetin e Kosovës. Pas përfundimit të tij, projekti synon të ketë vënë në zbatim 56 mobilitet PRO-type, të ketë hapur 360 vende të reja pune, 54 përvoja praktike profesionale, pjesëmarrjen e 36 mësuesve VET në shkolla verore – në Amsterdam, Bolonjë, Lion, Maribor dhe Seviljë dhe pjesëmarrjen e 72 mësuesve VET dhe menaxherëve në aktivitetet e mbajtura nga Malta College of Arts, Science & Technology (MCAST), ROC Da Vinci College (Hollandë) dhe SEPR (Francë)

Gjatë internship-it në Maribor, Engjulli i praktikoi aftësitë e tij në pozicione të ndryshme, që nga mbështetja administrative për sektorin e shërbimit të mirëmbajtjes së hotelit e deri te shërbimi i restorantit, recepsioni dhe spa-ja. Përveçse fitoi përvojë profesionale, në kohën e lirë, gjithashtu pati mundësinë të vizitonte qytetin me nxënësit e tjerë dhe të mësonte më shumë për kulturën e tij. Ata vizituan muzeun e qytetit dhe atraksionet kryesore, madje patën mundësinë të vizitonin dhe Lubjanën dhe qytetin e Gracit në Austri, që nuk ndodhet shumë larg nga Maribori.

Në përgjithësi, ishte një përvojë e mrekullueshme e të mësuarit për Engjullin dhe nxënësit e tjerë. “Përvoja ime gjatë internship-it në Marbor ishte e shkëlqyer. Jo vetëm që përmirësova aftësitë e mia profesionale, por gjithashtu mësova për kulturën dhe zhvillova aftësitë e të folurit,” thotë Engjulli.

Shishja Numër Katër që fitoi çmim

BE-ja ndihmon një kantinë vere malazeze të zgjerojë biznesin e saj.

Goran Radević-i është një mjek me përvojë pune në katër kontinente. Ai e la atdheun e tij, Malin e Zi, në moshë të re dhe për 27 vite me radhë punoi në vende si Ishujt Kajman, Kinë, Oman, Afrikën e Jugut, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gorani gjithmonë ushqente idenë se një ditë do të kthehej në vendlindjen e tij dhe do të ndërtonte një kantinë vere. Prodhimi i verës ishte traditë në familjen e Goranit dhe dashuria e tij për prodhimin e verës filloi që para se të mbushte pesë vjeç. Gjyshi i tij nga nëna zotëronte një vresht dhe ishte ekspert për prodhimin e verës. “Mësova si të shartoja hardhitë para se të mësoja shkrim e këndim,” thotë Gorani.

Sidoqoftë, nuk ishte e lehtë të rriste vreshtin e tij, pasi për këtë nevojitej investim i madh. Megjithatë, teksa vitet kalonin, ideja u kthye në një nevojë dhe më në fund, së bashku me familjen e tij, Gorani mori vendimin e madh që të kthehej në Malin e Zi dhe të hapte kompaninë e ëndrrave të tij. Investimi financiar dhe pasioni nuk u kursyen, por kjo punë nuk do të ishte e lehtë për Goranin dhe bashkëshorten e tij.

“Pati shumë vështirësi: shishet e para u prodhuan në një garazh dhe pa asnjë lloj mbështetjeje nga ekspertët.”

Ata i mbollën hardhitë e para në vitin 2007, kurse në vitin 2009 morën të vjelat e para dhe nxorën shishen e parë. “Pati shumë sfida: shishet e para u prodhuan në një garazh dhe pa asnjë lloj mbështetjeje të duhur nga ekspertët,” thotë Gorani. Sidoqoftë, në mënyrë të mahnitshme, shija ishte e mrekullueshme dhe produkti premtonte sukses. Atë vit, Gorani arriti të dërgojë mostra të produkteve të tij fillestare në një konkurs për degustimin e verës në një restorant të mirënjohur në Manhattan. Pati shtatë konkurrues dhe shishja numër katër ishte e tyrja, kujton Gorani. “Të pestë anëtarët e jurisë, të cilët ishin pronarë resorantesh të mirënjohura, emëruan shishen numër katër si më të mirën. Besoj se ishte fati i fillestarit,” buzëqesh ai.

Në mënyrë të menjëhershme, ata filluan ta eksportonin verën e tyre në SHBA, por u përballën me disa probleme. Disa elemente – që nga cilësia e etiketës deri te cilësia e tapës së shishes – nuk i përmbushnin kriteret e standardeve ndërkombëtare dhe e  kuptuan se duhet t’u kushtonin më shumë vëmendje këtyre çështjeve. Bashkëshortja e Goranit, e cila ka origjinë amerikane, mori përsipër sektorin e marketingut të kompanisë. Ata filluan të përdornin tapa shishesh me cilësi të lartë që vinin nga Franca dhe letër etikete nga Gjermania. Suksesi u bë i dukshëm, shumë shpejt, duke qenë se kompania filloi të eksportonte në Gjermani, Skandinavi, Zvicër, madje dhe Japoni.

Teksa tregu zgjerohej, në vitin 2011, Gorani dhe bashkëshortja e tij vendosën të përfshinin konsulentë profesionistë për të siguruar zgjerimin e qëndrueshëm të biznesit të tyre. Ata lidhën kontratë me një agronom dhe teknolog më se të kualifikuar, që kishte vite përvoje kombëtare dhe ndërkombëtare. Me ndihmën e të dyve, kantina e verës u kthye në një markë të mirënjohur ndërkombëtare.

“Falë mbështetjes së BE-së, munda t’i përdor paratë e planifikuara për këto investime të domosdoshme në pjesë të tjera të veprimtarisë së biznesit.”

Lidhur me projektin

Një pjesë e “Instrument for Pre-accession Assistance” (IPA) është dizenjuar për të mbështetur reformat e vendeve në proces pranimi në BE, “Instrument for Pre-accession Assistance for Rural Development” (IPARD) përqendrohet te sektorët agro-ushqimorë dhe zonat rurale të këtyre vendeve. Nëpërmjet këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë financiare dhe teknike për ta bërë sektorin e tyre bujqësor dhe zonat e tyre rurale më të qëndrueshme, duke i përshtatur me politikat e përgjithshme bujqësore të BE-së.

Gjatë rrugëtimit të kantinës drejt suksesit, ata patën dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian. Në vitin 2018, aplikuan për programin “Instrument for Pre-accession Assistance for Rural Development” (IPARD), të financuar nga BE-ja dhe iu ofrua mbështetje për sigurimin e makinerive, si pirun, traktor, vibro-kultivues, parmendë për vreshta dhe lesa elektrike. Me rënien e biznesit gjatë pandemisë, kjo mbështetje erdhi pikërisht në kohën e duhur. “Falë mbështetjes së BE-së, munda t’i përdor paratë e planifikuara për këto investime të domosdoshme në pjesë të tjera të veprimtarisë së biznesit,” thotë Gorani.

Gorani ka katër fëmijë dhe djali i tij më i madh, Luka, po studion Teknologjinë e Verës në fakultetin bujqësor të Beogradit. “Kam 27 vite që ëndërroj për këtë kantinë vere dhe kam punuar pa u lodhur për të kursyer para për hapjen e saj. Djali im do ta trashëgojë kantinën dhe do ta vazhdojë traditën. Kjo më bën të ndihem shumë i lumtur dhe i përmbushur,” thotë Gorani.

Arsim gjithëpërfshirës për fëmijët e Shqipërisë

BE-ja mbështet mësuesit parashkollorë shqiptarë me praktikë inovative në klasa

Viola është edukatore për fëmijërinë e hershme. Për shumë vite me radhë, ajo ka menaxhuar klasa me një numër të madh fëmijësh me prejardhje dhe aftësi të ndryshme. Ajo thotë se vështirësitë ishin të mëdha. “Ishte e vështirë për mua që të plotësoja nevojat e shumëllojshme të të gjithë fëmijëve në klasë. E mbështes idenë e gjithëpërfshirjes parashkollore dhe jam në dijeni të përfitimeve që sjell, por më mungonin njohuritë dhe aftësitë për praktikën gjithëpërfshirëse.” Pavarësisht përmirësimeve në sistemin arsimor në Shqipëri, filozofia e gjithëpërfshirjes, veçanërisht në arsimin parashkollor, nuk promovohej sa duhej. Shpesh, mësuesit liheshin të merreshin me fëmijë me një diapazon të gjerë aftësish të të mësuarit pa u ofruar trajnim i mjaftueshëm dhe të izoluar.

“Pati disa ndërhyrje të vogla e të shpërndara nga OJQ-të, por nuk kishte një qasje tërësore për mënyrën e trajtimit të arsimit gjithëpërfshirës në kopshte e çerdhe.”

“Arsimi gjithëpërfshirës është një realitet pothuajse i ri në sistemin arsimor shqiptar, veçanërisht për kopshtet e çerdhet,” thotë Mirlinda Bushati, Specialiste Arsimi në UNICEF Albania. Ajo shpjegon se UNICEF-i ka punuar nga afër me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri për zhvillimin e një strategjie kombëtare arsimi, që përfshin një element të rëndësishëm në arsimin gjithëpërfshirës, si dhe në standardet për mësuesit parashkollorë. Sidoqoftë, pavarësisht punës së palodhur për strategjinë dhe standardet, UNICEF-i vuri re se kishte një zbrazëti të madhe te zbatimi i strategjisë. “Pati disa ndërhyrje të vogla e të shpërndara nga OJQ-të, por nuk kishte një qasje tërësore për mënyrën e trajtimit të arsimit gjithëpërfshirës në kopshte e çerdhe,” thotë Mirlinda.

Mësuesve u nevojiteshin programe praktike për trajnimin e tyre që inkurajonin sjelljet pozitive dhe metodat më të mira për gjithëpërfshirje të suksesshme parashkollore. Nevojiteshin ndërhyrje për të siguruar ritmin e duhur mësimor për ata/ato që përballen me vështirësi më të mëdha gjatë procesit të të nxënit. Me mbështetjen e BE-së, UNICEF-i e ndihmoi Ministrinë e Arsimit dhe Agency for Assuring Quality in Preuniversity Education (AAQPE) në Shqipëri të zhvillonte metodologji të arsimit gjithëpërfshirës për ambientet parashkollore.

UNICEF-i krijoi dhe një manual trajnimi dhe, së bashku me AAQPE-në, u ofroi trajnim për zbatimin praktik të metodologjive 582 mësuesish dhe drejtorësh shkollash. Viola ishte një ndër mësueset që mori pjesë në trajnim. “Instrumentet e reja që u prezantuan në trajnim më ndihmuan të formoj qasje inovative dhe ta përmirësoj mësimdhënien time. Me kalimin e kohës, fillova të përdor stile të reja mësimdhënie që përfshijnë metoda të ndryshme të nxëni. Nëse duam që fëmijët të ndihmojnë njëri-tjetrin – të pranojnë, ndërveprojnë dhe të jenë miqësorë ndaj njëri-tjetrit – duhet që t’ua mësojmë këtë,” thotë ajo.

“Përveç financimit nga BE-ja, fakti që çdo pjesë e kësaj iniciative ishte dhe në përputhje me kriteret e pranimit në BE, e bëri mbështetjen e BE-së edhe më të rëndësishme, për sa i përket bashkëpunimit me qeverinë dhe institucionet.”

Lidhur me projektin

Promovimi i arsimit gjithëpërfshirës është pjesë e programit “Mitigation of the impact of COVID-19 on the lives of children and parents in the Western Balkans and Turkey”, vënë në zbatim nga UNICEF-i dhe financuar nga BE-ja nëpërmjet European Commission’s Directorate-General for Neighbourhood Policy and Enlargement Negotiations (DG NEAR). Nëpërmjet këtij programi me vlerë 5 milionë euro, pritet që 490,000 fëmijë dhe prindër të zonës së programit të kenë akses më të mirë te shërbimet publike që promovojnë zhvillimin e fëmijërisë së hershme, arsimin, shëndetin dhe mbrojtjen, si pjesë e rimëkëmbjes nga COVID-19-a.

Këtë vit, metodologjia për të nxënit parashkollor gjithëpërfshirës u akreditua nga Ministria e Arsimit në Shqipëri. Sipas Mirlindës, ky është një hap i madh përpara: “Kjo nënkupton që tanimë të gjithë mësuesit parashkollorë mund ta përdorin këtë metodologji që siguron arsim gjithëpërfshirës cilësor,” thotë ajo.

Mbështetja e projektit nga Bashkimi Evropian pati domethënie të madhe në këtë kontekst. “Përveç financimit nga BE-ja, fakti që çdo pjesë e kësaj iniciative ishte dhe në përputhje me kriteret e pranimit në BE, e bëri mbështetjen e BE-së edhe më të rëndësishme, për sa i përket bashkëpunimit me qeverinë dhe institucionet,” thotë Mirlinda.

Një ish-minierë qymyri kthehet në centralin e parë gjigand diellor në Maqedoninë e Veriut

Mbështetja e BE-së për diversifikimin e burimeve të energjisë.

Në Kičevo të Maqedonisë së Veriut ngrihet një oxhak i stërmadh e i vjetër i një termocentrali që u bën hije ferrave dhe kaçubave të luginës,. Ky termocentral me qymyrguri, i quajtur Oslomej, u ndërtua në fillim të viteve ‘80 dhe ishte krenaria e Republikës së Maqedonisë së asaj kohe. Në dekadat pasuese, centrali mori të tatëpjetën, derisa në fund mbetën vetëm disa punëtorë veteranë që largoheshin me autobus pas mbarimit të turnit. Centrali 125 MW-ësh mbahej aktiv mbi bazën e aktivitetit të reduktuar, kryesisht si alternativë në raste problemesh diku tjetër në sistem. Megjithatë, shkurrnajat në rrethinat e saj janë transformuar nëpërmjet një zhvillimi entuziazmues që do ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut të ecë përpara me vendosmëri për sa i përket dekarbonizimit.

Vendet e Ballkanit Perëndimor varen akoma kryesisht nga qymyri, veçanërisht nga linjiti. Në vitin 2016, 16 termocentrale qymyri në Ballkanin Perëndimor lëshuan po aq sulfur dioksidi sa 250 termocentrale në Bashkimin Evropian. Deri në vitin 2018, pothuajse gjysma e energjisë së Maqedonisë së Veriut vinte nga qymyri dhe vendi varej kryesisht nga lëndët e djegshme fosile. Në atë periudhë kishte dy termocentrale që punonin me linjit – REK Oslomej-i në Kičevo, REK Bitola – dhe Shkupi u shpall qyteti më i ndotur në Europë.

“Ky termocentral është shembull dekarbonizimi dhe kalimi te burimet e ripërtërishme të energjisë në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon. Ky është termocentrali i parë, i ngritur mbi rrënojat e mëparshme të një miniere qymyri në Ballkanin Perëndimor.”

Sidoqoftë, Maqedonia e Veriut ishte e gatshme t’i diversifikonte burimet e saj të energjisë dhe ta pastronte ajrin e saj dhe, tanimë, kjo ambicie po kthehet në realitet. Centrali i parë diellor në shkallë të gjerë në vend, Oslomej 1, u financua me mbështetjen e Bashkimit Evropian, donatorëve dypalësh të Western Balkans Investment Framework (WBIF) dhe European Bank for Reconstruction and Development (EBRD) dhe tashmë është i lidhur me rrjetin dhe po prodhon energji elektrike të pastër.

Godina 10 MW-ëshe u ndërtua në minierën e mëparshme të linjitit, Oslomej. EBRD-ja ofroi një hua prej 5.9 milionë eurosh dhe projekti 8.7 milionë euro përfshin një grant prej 1.6 milionë eurosh nga Western Balkans Investment Framework. “Ky termocentral është shembull dekarbonizimi dhe kalimi te burimet e ripërtërishme të energjisë në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon. Ky është termocentrali i parë, i ngritur mbi rrënojat e mëparshme të një miniere qymyri në Ballkanin Perëndimor,” thotë Aleksandar Stefanovski, inxhinier për teknologjitë e reja në Power Plants North Macedonia.

“Energjia e gjelbër e ka të ardhmen përpara. Ne shohim anën pozitive sepse duhet të sigurojë punësim të përhershëm e të sigurt për punonjësit, duke qenë se ato godina kanë jetëgjatësi nga 25 deri në 35 vite. Është një ambient shumë i rehatshëm për një person që dëshiron të shijojë sigurinë e punës derisa të arrijë moshën e pensionit.“

Lidhur me projektin

Në shkurt të vitit 2022, Komisioni Evropian shpalosi një pako investimi prej 3.2 miliardë eurosh për të mbështetur 21 projekte transporti, digjitale, klime dhe të lidhshmërisë së energjisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është pakoja e parë madhore e projekteve në kuadër të Planit ambicioz Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor të BE-së, të cilin Komisioni e miratoi në tetor të vitit 2020 dhe projektet janë dizenjuar për të sjellë përfitime të prekshme për të gjashtë partnerët në rajon. Centrali diellor Oslomej 1 është një ndër 21 projektet më të rëndësishme (21 flagship projects), të përzgjedhur për financimin nga BE-ja nëpërmjet WBIF-së në vitin 2022. Projekti është emëruar “Flagship 4 – Renewable energy” në Economic and Investment Plan for the Western Balkans 2021-2027, të BE-së.

Projekti planifikon të ndërtojë një central të dytë fotovoltaik, Oslomej 2-shin, si vazhdimësi e të parit. Ai do të ketë një kapacitet prej 10 megavatësh. Së bashku, dy centralet do të prodhojnë energji të mjaftueshme për 5,000 banesa në Kičevo dhe në rajon.  “Energjia e gjelbër e ka të ardhmen përpara. Ne shohim anën pozitive sepse duhet të sigurojë punësim të përhershëm e të sigurt për punonjësit, duke qenë se ato godina kanë jetëgjatësi nga 25 deri në 35 vite. Është një ambient shumë i rehatshëm për një person që dëshiron të shijojë sigurinë e punës derisa të arrijë moshën e pensionit,“ thotë Čedornir Arsovski, kreu i zhvillimit dhe investimeve në kompaninë Oslomej Energy and Mining.

Për centralet diellore në Maqedoninë e Veriut planifikohen investime të tjera. WBIF-ja tashmë e ka miratuar financimin e zgjerimit të centralit në Oslomej 2 dhe ndërtimin e një centrali të ri në Bitolë me një kapacitet total të kombinuar prej 30 MW-sh. BE-ja po e mbështet këtë investim me një grant investimi prej 5.1 milionë eurosh.

Një kompani boshnjake kualifikohet në Kupën e Botës në Katar

Një kompani e vogël mode nga Travniku në Bosnjë dhe Hercegovinë po eksporton mallra për në Katar me ndihmën e BE-së.

Mirela Džinić-i është themeluesja dhe drejtoresha kreative e kompanisë së modës Senses nga Travniku, në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajo thotë se anëtarët e familjes së saj, që ishin të dhënë pas rrobaqepësisë, rrënjosën tek ajo një dashuri për krijimtarinë dhe modën që në vegjëli. Sidoqoftë, për shkak të rrethanave pas luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, asaj iu desh të pranonte punën e parë që i doli përpara, që ishte një pozicion administrativ në degën lokale të një banke.  “Edhe pse dëshiroja shumë të punoja në një biznes të lidhur me modën, nuk kisha opsion tjetër. Mundësitë ishin të pakta, por pata fatin ta fitoja atë punë në bankë,” thotë ajo.

Mirela qëndroi në atë punë mbi dhjetë vjet dhe me shumë mundësi do të kishte qëndruar atje gjatë gjithë jetës sikur banka të mos kishte falimentuar dhe të ishte mbyllur. Në atë kohë ajo ishte te të tridhjetat, nënë e dy fëmijëve dhe e papunë, kështu që i duhej të gjente një zgjidhje. Me kalimin e kohës, gjeti një punë në një fabrikë tekstili, ku punoi mbi dy vjet në pozicione të ndryshme. “Ishte një botë krejt ndryshe. Punova si koordinatore projekti, modeluese, konstruktore dhe teknologe. E mbulova të gjithë ciklin, që nga ideja, e deri tek mostra, prodhimi dhe shpërndarja në seri,” thotë ajo.

“Cikli i trajnimit të ofruar nga projekti i financuar nga BE-ja, ishte vërtet kreativ dhe frymëzues dhe m’i rriti ambiciet dhe motivimin për të nisur diçka timen.”

Dy vjet më vonë, duke u ndjerë e përmbushur dhe me dëshirën për të eksploruar më shumë, teksa kuptoi që nuk kishte më asgjë më tepër për t’i dhënë asaj kompanie dhe për të mësuar, vendosi të hidhte hapin guximtar për të hapur kompaninë e saj. Përvoja praktike, motivimi dhe kreativiteti nuk kurseheshin, por Mirelës i mungonte përvoja për menaxhimin dhe ngritjen e fondeve për hapjen e një kompanie të re. Pikërisht në atë periudhë, ajo rastisi të njihej me një projekt të financuar nga BE-ja, që mbështeste start-up-et me trajnim menaxhimi dhe financim fillestar për të nxitur përpjekjet e tyre për biznes. Projekti i dha mbështetje duke e mësuar të mendonte si një sipërmarrëse dhe e trajnoi për të gjithë ciklin e biznesit, duke filluar që nga ideja fillestare e biznesit e duke vazhduar me planin e biznesit, grupet e interesit dhe planin e marketingut. “Cikli i trajnimit të ofruar nga projekti i financuar nga BE-ja, ishte vërtet kreativ dhe frymëzues dhe m’i rriti ambiciet dhe motivimin për të nisur diçka timen,” thotë Mirela.

Ajo zgjodhi të zhvillonte një ide, bazuar te moda për fëmijë, pasi sipas saj, diçka e tillë mungonte në Bosnjë dhe Hercegovinë, kështu që hapi kompaninë e saj, Senses. Së bashku me ekipin e saj, ajo krijoi një pako unike dhuratash me rroba fëmijësh, gjë që ishte diçka krejtësisht e re në treg dhe korri sukses menjëherë pas prezantimit të produktit në treg. “Ideja ishte të krijonim një markë të vogël, por me cilësi të lartë, që konkurron me markat e tjera dhe ndërkombëtare në treg. Duke përdorur lëndë të parë të cilësisë së lartë, modele dhe punëdore unike, e kemi arritur këtë,” thotë Mirela.

“Duke qenë një kompani e vogël nga Travniku, vlerësimi i një tregu si ai i Katarit, që mund të përballojë blerjen e produkteve nga cilado markë në botë, ishte një privilegj dhe kishte domethënie të madhe për ne.”

Lidhur me projektin

EU4Business është një projekt i BE-së synon të rrisë kapacitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës për fuqizim ekonomik dhe punësim duke nxitur konkurrencën dhe risinë në sektorët e  përzgjedhur. Ka një buxhet prej 16.1 milionë eurosh: 15 milionë të financuar nga Bashkimi Evropian dhe 1.1 milionë nga Republika Federale e Gjermanisë.

EU4Business është pjesë e e German Federal Ministry for Economic Cooperation and Development’s Local Development Strategies – Local Self-Government and Economic Development Programme in Bosnia and Herzegovina.

Mbështetja nga BE-ja dhe përparimi i Senses-it vazhdoi edhe pas procesit fillestar start-up. Këtë vit, BE-ja në Bosnjë dhe Hercegovinë vendosi të mbështeste disa kompani të vogla për promovimin e markave të tyre duke i lidhur me influencues online. Senses-i ishte ndër kompanitë e përzgjedhura për t’u bërë pjesë e këtij programi. Mirela u bashkua me një influencuese, një nënë e dy vajzave që ishte e gatshme të reklamonte produktet e Senses-it.

Përveç rritjes së parashikuar të pranisë së rrjeteve sociale dhe xhiros në tregun vendas, sipas fjalëve të Mirelës, ajo që ndodhi në vazhdim ishte diçka e jashtëzakonshme. Një zonjë me origjinë boshnjake që jetonte në Katar, e cila e ndiqte influencuesen, e vuri re markën dhe vendosi ta kontaktonte Mirelën për një marrëveshje biznesi. Marrëveshja solli prodhimin dhe dërgimin e ngarkesës së parë të produkteve të Senses-it në tregun ndërkombëtar. “Duke qenë një kompani e vogël nga Travniku, vlerësimi i një tregu si ai i Katarit, që mund të përballojë blerjen e produkteve nga cilado markë në botë, ishte një privilegj dhe kishte domethënie të madhe për ne,”- thotë Mirela.

Dërgesa e parë kishte rroba fëmijësh me modele me temë të lidhur me Kupën e Botës. Meqenëse ngeli shumë i kënaqur, partneri nga Katari ka porositur tashmë një dërgesë të dytë, që do të bazohet te një tematikë tjetër dhe do të dërgohet në vitin 2023.

Stacioni tjetër: e ardhmja

BE-ja mbështet përmirësimin e infrastrukturës hekurudhore malazeze

Linja e parë hekurudhore në Malin e Zi ishte një linjë hekurudhore me binarë të ngushtë nga Gabela Zelenika, që u hap në vitin 1901. Kjo linjë hekurudhore u ndërtua nga Austro-Hungaria, që qeveriste territorin e Boka Kotorska-s në atë kohë. Sistemi hekurudhor vazhdoi të përmirësohej me kalimin e dekadave, hapi më madhor për të cilat u hodh në vitet ‘70 me hapjen e linjës që lidh kryeqytetin e Serbisë, Beogradin me portin kryesor detar të Malit të Zi, Tivarin.

Kur u hap në vitin 1976, kjo hekurudhë ishte bashkëkohore, po aq moderne dhe e rehatshme sa dhe çdo rrjet tjetër hekurudhor në botë. Ishte projekti infrastrukturor më i madh dhe i kushtueshëm në ish-federatën Jugosllave dhe një ndër udhëtimet më të mrekullueshme në Evropë. Treni i parë që përshkoi itinerarin prej 167 kilometrash ishte Treni Blu, mjeti luksoz i transportit të liderit jugosllav të asaj kohe, Josip Broz Titos. Për këtë udhëtim, në tren ishin ftuar dinjitarë të huaj dhe anëtarë familjesh mbretërore, duke përfshirë këtu edhe Mbretëreshën Elizabeta II dhe ish-perandorin etiopian, Haile Selassie-n.

“Vitet e vështira të krizës lanë gjurmët e tyre te hekurudhat malazeze, duke qenë se sistemi hekurudhor ka nevojë vazhdimisht për vëzhgim dhe riparime. Kjo mirëmbajtje nuk ishte e mundur të bëhej në mënyrën e duhur gjatë krize ekonomike ku po kalonte vendi dhe shoqëria.”

Dragan Radević-i është zv/CEO-ja i “Capital investments” në Hekurudhat Malazese dhe ka punuar për kompaninë që në vitin 2004. Sidoqoftë, ai ka pasur përvojë me hekurudhat dhe i ka adhuruar ato që prej kohësh. Draganit i kujtohet si sot përvoja e tij e parë e udhëtimit me tren në vitet ‘80 – epoka e artë e hekurudhave të Malit të Zi – kur ishte vetëm pesë vjeç dhe prindërit e tij i bënë të ditur se për pushimet e verës do të shkonin me tren në bregdet. “Mbaj mend se nuk vura gjumë në sy gjithë natën nga emocionet: jo vetëm ngaqë do të shkonim në bregdet, por më shumë prej faktit që do të udhëtonim me tren. Udhëtimi me tren ishte diçka e veçantë në atë kohë, por edhe sot, më jep një ndjesi romantike e gati mistike,” thotë Dragani.

Sidoqoftë, mungesa e vazhdueshme e fondeve i shkaktoi probleme të mëdha hekurudhës në vitet ‘90. Mungesa e mirëmbajtjes i solli dëme të shumta pjesës malazeze të hekurudhës dhe një udhëtim me tren për në Beograd që dikur të merrte shtatë orë, filloi të zgjaste rreth 11 orë, sepse treni duhej të ngadalësonte shpesh, si rezultat i shinave dhe infrastrukturës së dobët. Numri i pasagjerëve u ul nga 2 milionë në vitin 1987 në 1.2 milionë në vitin 2016. Sasia e mallrave u ul nga rreth 4 milionë tonë në 1.4 milionë tonë. “Vitet e vështira të krizës lanë gjurmët e tyre te hekurudhat malazeze, duke qenë se sistemi hekurudhor ka nevojë vazhdimisht për vëzhgim dhe riparime. Kjo mirëmbajtje nuk ishte e mundur të bëhej në mënyrën e duhur gjatë krize ekonomike ku po kalonte vendi dhe shoqëria,” thotë Dragani.

Kishte nevojë për rimëkëmbje, por as kompania hekurudhore e as qeveria malazeze nuk i kishin mjetet financiare për ta mbështetur një përmirësim të tillë.

“Shpresojmë të kemi një bashkëpunim të suksesshëm me BE-në dhe European Investment Bank edhe për projekte të ardhshme.”

Lidhur me projektin

Zgjerimi i Korridorit Orient/East-Med në Ballkanin Perëndimor përgjatë Korridorit 4 është përafërsisht 580 km i gjatë dhe përshkon itinerarin nga Vršac-i (kufiri Serbi – Romani) në Beograd (Serbi) dhe më pas në Podgoricë dhe Tivar (Mal i Zi). Tivar – Vrbnica (kjo e fundit në kufirin Mal i Zi – Serbi) është seksioni më i rëndësishëm i rrjetit hekurudhor malazez, që mbulon rreth 20% të të gjithë pasagjerëve dhe rreth 60% të ngarkesave. Nëpërmjet WBIF-së dhe Instrument for Pre-Accession Assistance-it (IPA) kombëtar, BE-ja ka caktuar miliona euro për përgatitjen e paketave konkrete të investimit, si dhe për punët emergjente të restaurimit përgjatë skarpatave që rrezikohen nga rrëshqitja e dheut. Për më tepër, në kuadër të Connectivity Agenda-s, BE-ja ka caktuar më shumë se 20 milionë euro për të mbuluar 50% të shpenzimeve të lidhura me instalimin e sinjalistikës moderne dhe sistemeve të telekomunikacionit në Podgoricë dhe përreth saj, si dhe restaurimin e 29 urave prej betoni dhe 20 tuneleve.

Në vitin 2017, BE-ja mori masa. European Investment Bank (EIB) miratoi një hua prej 20 milionë eurosh për restaurimin e skarpatave, tuneleve, urave dhe sistemeve të sinjalistikës që ishin në gjendje më kritike në linjën nga Tivari në Vrbnica, në kufirin serb. Për më tepër, huaja u kombinua me një grant me vlerë 20 milionë euro, në kuadër të Connectivity Agenda të BE-së, nëpërmjet Western Balkans Investment Framework (WBIF). Kjo nënkuptonte që thuajse 90% e kostos totale prej 45 milionë eurosh të projektit do të mbulohej nga buxheti i BE-së. Projekti është pranë përfundimit dhe stafi menaxhues i kompanisë hekurudhore pret një rritje në transportin e pasagjerëve dhe mallrave si rezultat i këtij investimi. “Shpresojmë të kemi një bashkëpunim të suksesshëm me BE-në dhe European Investment Bank edhe për projekte të ardhshme,” thotë Dragani.

Teksa ky projekt po i afrohet përfundimit, Dragani shpjegon se hekurudha malazeze pritet të nisë një projekt të ri me mbështetjen e BE-së. Projekti i ri përfshin restaurimin e tuneleve & urave të tjera, zëvendësimin e shinave nga Lutovo në Bioce dhe rinovimin e tri punishteve, që të gjitha këto në korridorin Tivar-Vrbnica.

Të kthesh pasionin e fëmijërisë në profesion

Një projekt i financuar nga BE-ja që ndihmon të rinjtë në Kosovë të arrijnë ambiciet e tyre profesionale në sektorin e TIK-ut dhe sektorin digjital.

Detjon Qoqaj është një 21 vjeçar nga Prizreni i Kosovës dhe është një nga shumë të rinjtë që vitet e fundit e kanë konsideruar teknologjinë e informacionit si një sektor tërheqës për jetën e tyre profesionale. Vendimi për të ndërmarrë një udhëtim profesional në TIK nuk ishte një vendim teknik për Dejtonin: ai filloi si një pasion kur ai ishte vetëm 10 vjeç. Aty Dejtoni pati përvojën e tij të parë me kompjuterin që e zotëronte shoku i tij. “Është një fushë ku mund të eksplorosh pafund informacion të ri: ishte dashuri me shikim të parë,” shprehet ai. Përvoja e tij e parë në kompjuter bëri që t’i lutej prindërve që t’i blinin një kompjuter. Ata e bënë këtë dhe si rrjedhojë filloi një udhëtim emocionues për Detjonin.

“Ndonëse universiteti që unë frekuentoj është shumë i përditësuar, ata sërish nuk mund të mbajnë plotësisht ritmin me zhvillimet e shpejta në TIK. Kurset profesionale mbeten gjithmonë një mundësi e mirë për të mbyllur hendekun.”

Detjoni zhvilloi më tej aftësitë e tij në TIK dhe ato digjitale dhe kur erdhi momenti për studimet universitare, ai nuk kishte dyshime për lëndën që do të studionte. Ai i nisi studimet e tij në vitin 2020, po ishte i etur të mësonte më shumë dhe më shpejt. Si rrjedhojë ai filloi të kërkonte mundësi të tjera për të shtuar aftësitë e tij dhe u gjend përballë me një lajmërim për një projekt të financuar nga BE-ja që ofron kurse për aftësitë në TIK për të rinjtë nga Kosova. “Ndonëse universiteti që unë frekuentoj është shumë i përditësuar, ata sërish nuk mund të mbajnë plotësisht ritmin me zhvillimet e shpejta në TIK. Kurset profesionale mbeten gjithmonë një mundësi e mirë për të mbyllur hendekun,” shprehjet Detjoni.

Mbështetja e BE-së për projektin e Konkurrueshmërisë së Sektorit të TIK-ut në Kosovë u përqendrua në ofrimin e trajnimit për TIK-un, aftësitë digjitale dhe menaxhimin e biznesit duke përfshirë zhvillimin e uebit, programimin Java, sigurinë kibernetike, Python, big data, të nxënit e makinerive, menaxhimin e projektit të TI-së dhe aftësitë plotësuese. Për më tepër, projekti ka ofruar kurse trajnuese biznesi për menaxhimin dhe drejtimin në sektorin e TIK-ut. Detjoni mori pjesë në dy nga modulet e kursit: Zhvillimi i Java-ës dhe Android-it dhe zhvillimi i uebit.

“Njohuritë e përfituara nga kursi më kanë ndihmuar shumë. Për shembull, kishte disa pyetje teknike në intervistën time të punës, përgjigjet e të cilave i mësova në kurs, që patën ndikim në suksesin tim në intervistë.“

Lidhur me projektin

Mbështetja e BE-së për Konkurrueshmërinë e sektorit të TIK-ut në Kosovë, i njohur si “TIK-u për përmirësimin e Kosovës synon të përmirësojë konkurrueshmërinë e bizneseve digjitale dhe tradicionale duke mbështetur zgjerimin e sektorit të TIK-ut në Kosovë që çon në krijimin e punëve të reja”, Për më tepër, projekti synon të mbyllë hendekun në aftësitë digjitale të biznesit në mënyrë të qëndrueshme që plotëson nevojat e tregut dhe rrit eksportin e bizneseve të Kosovës në TIK si dhe të ndërtojë konkurrueshmërinë e bizneseve digjitale dhe tradicionale nëpërmjet përdorimit të TIK-ut.

Gjithashtu, projekti menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga WeGlobal në partneritet me European Projects Management Ltd dhe Prishtina REA. Ai do të zgjasë për 42 muaj, nga janari 2020 deri në korrik 2023.

Si rezultat i kësaj pune të rëndësishme, njohuritë e marra nga studimet e tij universitare dhe veçanërisht njohuritë e marra nga kurset e financuara nga projekti i BE-së, Detjoni fitoi një punë në Bottomline Technologies, një kompani që operon në më shumë se 90 vende në të gjithë botën. “Njohuritë e përfituara nga kursi më kanë ndihmuar shumë. Për shembull, kishte disa pyetje teknike në intervistën time të punë, përgjigjet e të cilave i mësova në kurs, që patën ndikim në suksesin tim në intervistë,“ shprehet ai.

Detjoni ka ambicie të mëdha për të ardhmen e tij në sektorin e TIK-ut dhe sektorin digjital. “Në të ardhmen e shoh veten si pronar të një produkti ose drejtorin ekzekutiv të një kompanie të rëndësishme TIK-u që punëson dhe krijon perspektiva pozitive për të rinjtë e tjerë,” shprehet ai.

Të afrojmë të rinjtë me kulturën dhe artin

Mjetet ndërvepruese, novatore në një program pune për të rinjtë të financuar nga BE-ja afrojnë institucionet kulturore me të rinjtë në Serbi dhe më tej.

Galeria e Matica srpska në Novi Sad, e themeluar në vitin 1847, sot përfaqëson një nga muzetë e artit më të pasur në Serbi. Koleksioni i përhershëm shfaq punimet e rëndësishme të artit nga shekulli i tetëmbëdhjetë, nëntëmbëdhjetë dhe shekulli i njëzet dhe ilustron origjinën dhe zhvillimin e artit serb të Epokës së Re, duke treguar pozicionin e kulturës kombëtare serbe në kontekstin evropian. Përveç ekspozitës së përhershme, galeria është një vend ku zhvillohen ekspozita ndërkombëtare, monografike, tematike dhe shfaqje të tjera të përkohshme. Në galeri nuk mungojnë kurrë vizitorët, megjithatë numri i të rinjve mes tyre është zhgënjyes.

Mungesa e vizitorëve të rinj nuk është diçka specifike për këtë galeri. Problemi është vënë re dhe në vende të tjera në rajon dhe përtej. Për të trajtuar problemin në një kontekst më të gjerë dhe për të afruar të rinjtë në institucionet kulturore në përgjithësi, një shoqatë OJQ-sh nga Serbia të quajtura NAPOR lançuan projektin ‘Melting Pot’ me financim nga Bashkimi Evropian. Projekti u zbatua në tre vende, Kroaci, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

“Ideja e projektit është të afrojë të rinjtë me përmbajtjet kulturore në përgjithësi, por edhe të nxisë krijimin e programeve nga institucionet kulturore për të rinjtë.”

Nedeljka Ivošević është menaxherja e komunikimit në NAPOR. Ajo shpjegon se ideja e këtij projekti është bazuar në planin strategjik të organizatës që është të afrojë institucionet dhe të punëtorët e rinj me metodologjinë e punës së të rinjve.  “Ideja e projektit është të afrojë të rinjtë me përmbajtjet kulturore në përgjithësi, por edhe të nxisë krijimin e programeve nga institucionet kulturore për të rinjtë, shprehet Nedeljka”

Fillimisht projekti zhvilloi kërkime në tre vende rreth nevojave të grupeve të ndryshme të të rinjve të lidhura me kulturën. Zbulimet e kërkimit ishin se 60% e të rinjve që morën pjesë në anketë u shprehën se kultura është një pjesë e rëndësishme e jetës së tyre, port 90% e tyre pretendojnë se institucionet nuk konsultohen kurrë me ta për sa i përket përfshirjes në planifikimin e programit, duke i dhënë atyre rolin e konsumatorëve pasivë të përmbajtjes kulturore. Arsyeja tjetër kryesore se përse ata nuk marrin pjesë rregullisht në ngjarjet kulturore është mungesa e informacionit, përmbajtja jo interesante dhe mungesa e veprimtarive kulturore nga vendet nga vijnë.

Për të dhënë shembullin e mirë e lidhjes së të rinjve me institucionet kulturore dhe për të testuar këto shembuj të mirë, projekti zhvilloi dhe zbatoi gjashtë programe kulturore: dy për vend. Programi përfshi 20 të rinj për vend dhe secili zgjati rreth 4 muaj. Për shembull, në Serbi dhe në Matica srpsk galeria zhvilloi programin e quajtur “Le të luajmë: arti dhe shprehja e lirë” që lidh pikturat në galeri me informacionin ngjitur me pikturat si detaje për artistë të tjerë të shekullit gjatë kohës kur është bërë piktura. “Qëllimi ishte që të rinjtë ta ndiejnë hapësirën në galeri si diçka që nuk është vetëm për elitat,” shprehet Nedeljka.

“Ky ishte një projekt i madh dhe kompleks i zbatuar në tre vende. Mbështetja e BE-së është thelbësore duke qenë se pa fondet nuk do të mund të zbatonim projektin.”

Lidhur me projektin

Projekti ‘Melting pot’filloi më 21 mars dhe përfundoi në shtator 2022. Projekti i zbatua në tre vende – Kroaci, Maqedoni e Veriut dhe Serbi – nëpërmjet partneritetit me NAPOR, Galerija Matice srpskeMreža mladih HrvatskePogon – Zagrebački centar za nezavisnu kulturu i mladeSojuz za mladinska rabota Skopje dhe Opstinska ustanova Muzej na grad Negotino. Projekti u financua nga Fondacioni Tempus nëpërmjet programit ERASMUS+ të Bashkimit Evropian.

Projekti zhvilloi dhe një kurrikulë arsimore për zbatimin e qasjeve joformale me qëllimin për të shtuar kapacitetet e punëtorëve të rinj dhe punëtorët kulturorë për të kuptuar qasjet dhe parimet që mbështesin zhvillimin personal dhe social të të rinjve. Broshura e tyre, “Shkrirja e novacionit në punën rinore dhe institucionet kulturore” përmban një përmbledhje të punës dhe kulturës rinore në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Kroaci dhe vende të tjera të BE-së. Broshura jep shembuj të punës novatore dhe krijuese të të rinjve dhe liston më shumë se 50 platforma digjitale, instrumente dhe qasje.

Mbi 600 të rinj janë përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në veprimtaritë e projekti. Nedeljka shprehet se projekti pati një ndikim të rëndësishëm dhe se mbështetja e BE-së ishte thelbësore. “Ky ishte një projekt i madh dhe kompleks i zbatuar në tre vende. Mbështetja e BE-së është thelbësore duke qenë se pa fondet nuk do të mund të zbatonim projektin,” shprehet ajo.

Leximi READ kudo në Ballkanin Perëndimor

Një projekt i financuar nga BE-ja promovon zakonet dhe aftësitë e leximit dhe bashkëpunimin kulturor.

Një nga gjërat e para që vuri re ish-drejtori i institutit Goethe për Maqedoninë e Veriut, Tanja Krüger, kur mori detyrën ishte mungesa e zakonit të leximit midis të rinjve në vend. Kësisoj, ajo vendosi se gjatë misionit të saj, bashkë me ekipin e saj, do t’u jepte përparësi zakoneve të leximit mes të rinjve, në veçanti në zona rurale dhe të thella të vendit. Instituti Goethe kishte qysh atëherë projekte të lidhura me këtë temë që duheshin zbatuar në Maqedoninë e Veriut, por nevojitej të bëhej më shumë, kujton Marija Chorbeva Penovska nga Instituti në Shkup.

Mundësia erdhi me thirrjen për propozime për aktivitetet kulturore nga Ndihma për Shoqërinë Civile dhe Programi për Median i Bashkimit Evropian. Me mbështetjen e tyre, Instituti Goethe – bashkë me partnerë nga vende të tjera të rajonit nisi projektin Regional Network for Cultural Diversity (READ – Rrjeti Rajonal për Diversitetin Kulturor) që synon promovimin e aftësive ndërkulturore të leximit dhe të vlerave demokratike nëpërmjet kulturës së leximit dhe shfletimit të veprave letrare me cilësi të lartë dhe vlera mbi-rajonale.

„Fokusi i vizitave tona ishin komunitetet e vështira për t’u arritur: vende ku fëmijët nuk kishin pasur kurrë më parë mundësi të pjesëmerrnin në një event kulturor.“

Marija Chorbeva Penovska është menaxhere e projektit READ. Ajo na shpjegon se projekti përfshin katër programe të ndryshme, një prej të cilëve është „READ on wheels“ që është një librari e lëvizshme rajonale e pajisur me libra dhe përmbajtje të tjera nga vendet partnere të projektit. Libraria po lëviz përmes gjithë rajonit dhe Turqisë me fokus kryesor shkollat dhe libraritë, prej më shumë se tri vjetësh. Libraria e lëvizshme në një furgon me stafin shoqërues ka përshkuar tashmë Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, duke vizituar kryesisht fshatra të largëta ku kanë organizuar rrëfime historish, seminare ilustruese shkrimi krijues, prezantimin e shkrimtarëve të rinj, leksioneve dhe debateve, huadhënie dhe dhurime librash dhe evente të ngjashme kulturore me fëmijë dhe të rinj. „Fokusi i vizitave tona ishin komunitetet e vështira për t’u arritur: vende ku fëmijët nuk kishin pasur kurrë më parë mundësi të pjesëmerrnin në një event kulturor.“ thotë Marija.

Një përbërës tjetër i projektit është mbështetja për festivalet e letërsisë në pesë vendet e synuara, që është mjet kyç për promovimin e bashkëpunimit ndërkulturor në rajon. Projekti përfshin edhe një program rezidence që, nëpërmjet thirrjeve të hapura, u ofron autorëve nga pesë vendet një mundësi për të njohur skenën letrare, artistike dhe kulturore në rajon dhe për të mbështetur përhapjen rajonale të veprave letrare nga vendet e synuara. Në të njëjtën kohë, publikut vendas i jepet një mundësi unike për t’u njohur me punën e artistëve të përzgjedhur.

Përbërësi i katërt i projektit është mbështetja e kapaciteteve të shoqërisë civile nëpërmjet një skeme nën-grantesh që mbështet organizatat më të vogla në fushat e përkthimit, botimit dhe/ose promovimit të veprave për të zgjeruar aksesin dhe njohuritë për letërsinë edhe jashtë kufijve të një vendi. Ky përbërës përfshin dhe projekte shumëgjuhëshe dhe ndërkulturore novatore.

Marina Terpovska Stargo, koordinatore e granteve të projektit, shpjegon se deri më tani u kanë ofruar mbështetje me grante 54 organizatave nëpërmjet dy thirrjeve për propozime. Pritet të mbështeten gjithsej 90 organizata nëpërmjet granteve të projektit.

„Besoj se duke ndërtuar një rrjet të tillë të madh punonjësish kulturorë dhe OSHC-sh që punojnë në sektorin kulturor, do të mundësojmë qëndrueshmërinë e projektit.“

Lidhur me projektin

Rrjeti Rajonal për Diversitet Kulturor (READ) është një projekt kulturor rajonal katërvjeçar i financuar nga BE-ja dhe i vënë në zbatim nga Instituti Goethe në Shkup së bashku me organizatat partnere: Qendra për Bashkëpunim Ballkanik – Loja (Maqedonia e Veriut), Instituti i Librit dhe i Promocionit (Shqipëri), Shoqata Kulturore Kalem (Turqi), Krokodil (Serbi) dhe Qendra Multimedia (Kosovë). Projekti kontribuon për pajtimin dhe tolerancën ndërkulturore duke hapur kanale të reja komunikimi ndërmjet shoqërive të pavarura kulturore, duke u ofruar atyre mundësi rrjetëzimi larg skenës politike. Projekti synon promovimin e aftësive ndërkulturore të leximit dhe të vlerave demokratike nëpërmjet kulturës së leximit dhe shfletimit të veprave letrare me cilësi të lartë dhe vlera mbi-rajonale.

Marija Chorbeva Penovska thotë se deri tani janë shumë të kënaqur me rezultatet e projektit, në veçanti me performancën e nën-granteve. „Në krye ishim skeptikë për përfundimet e këtyre projekteve të vogla, pasi pesha financiare e këtyre granteve ishte simbolike. Megjithatë, çdo projekt i vogël u kthye në një histori suksesi të madh, falë përpjekjeve të këtyre organizatave më të vogla,“ thotë Marija.

Megjithatë, Marija beson se suksesi më domethënës i projektit është lehtësimi i bashkëpunimit ndërmjet organizatave kulturore dhe të rinjve në rajon. „Besoj se duke ndërtuar një rrjet të tillë të madh punonjësish kulturorë dhe OSHC-sh që punojnë në sektorin kulturor, do të mundësojmë qëndrueshmërinë e projektit.“ thotë ajo.