Skip to main content

Area of Cooperation: Economy

Kompania e veshjeve të natës që zgjohet nga një përparim digjital

Një sipërmarrëse rome nga Serbia zgjeron biznesin e saj online me mbështetjen e BE-së.

Sladjana Vasić është një sipërmarrëse rome nga Kraljevo, një qytet në Serbinë Qendrore. Kompania e saj prodhon të brendshme prej pambuku dhe veshje nate të titulluara Arilje, emri i të cilave vjen nga një qytet i vogël në perëndim të vendit, ku prodhohen fije cilësore pambuku . Kompania e saj është një biznes familjar, të cilin ajo e drejton bashkë me dy djemtë dhe bashkëshortin.

Ata kanë tregtuar produkte pambuku për mbi 15 vite dhe, në vitin 2014, filluan të prodhonin të brendshme dhe veshje nate, të cilat i shisnin në dyqanin e familjes në qendër të qytetit. Megjithatë, dy vjet më parë, iu desh ta ndryshonin këtë strategji shitjesh.

“Nuk po nxirrnim të ardhura dhe nuk po arrinim t’i shisnim produktet tona, as me shumicë, as në dyqanin tonë.”

Ta shndërrojmë krizën në një mundësi

Me fillimin e pandemisë së COVID-19-ës, Sladjanës iu desh të mbyllte dyqanin, pa e ditur se kur mund ta rihapte. “Nuk po nxirrnim të ardhura dhe nuk po arrinim t’i shisnim produktet tona, as me shumicë, as në dyqanin tonë,”- thotë ajo.

Në atë periudhë, ajo u kontaktua nga Nisma për Zhvillimin e Sipërmarrjes Rome (REDI). Kjo nismë e financuar nga BE-ja, që vinte në zbatim programin e quajtur Përparimi Digjital Rom, punonte me komunitetet rome të Ballkanit Perëndimor, për të përforcuar aftësitë e tyre digjitale. Ata i ofruan ndihmë Sladjanës për ta kthyer strategjinë e saj të shitjes së produkteve në shitje online, gjë të cilën ajo pranoi ta provonte por me ngurrim. “Në fillim nuk isha e bindur se mund t’i shisja produktet online sepse këto nuk janë produkte luksi, por njerëzit e REDI-t më vërtetuan të kundërtën. Tani i bëjmë shitjet online dhe në të vërtetë, po shkojnë mjaft mirë,” thotë Sladjana.

REDI nisi programin Përparimi Digjital Rom për të ndihmuar kalimin online të bizneseve tradicionale, si dhe formalizimin e tyre. Programi i pajisi sipërmarrësit romë, si Sladjana, me mjete digjitale dhe aftësitë e duhura për t’i çuar bizneset e tyre një hap më para dhe për të nisur zhvillimin online të aktiviteteve sipërmarrëse. Sipërmarrësit që kaluan nëpërmjet këtij programi morën paketa digjitale, trajnime individuale dhe ndihmë mentoruese nga ekspertët e REDI-t.

“Romët nuk duhet të lihen mbrapa, kështu që shpresoj të shoh edhe më shumë programe të tilla.”

Lidhur me projektin

Projekti i 2020-s për Integrimin Rom, zbatuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur, synon të zvogëlojë hendekun socio-ekonomik ndërmjet popullsisë rome dhe jo-rome në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi.

Orhan Usein është Shef i Zyrës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për Projektin e Integrimit të Romëve. Ai shpjegon se është fuqizimi i komunitetit rom është shumë i rëndësishëm, në mënyrë që të përdorin aftësi digjitale dhe të ndjekin trendet më moderne të biznesit. Programet edukuese të tilla, si Përparimi Digjital Rom, i cili u mbështet nga nisma për Integrimin Rom financiarisht dhe me burime njerëzore, mund ta përshpejtojnë këtë proces dhe të rrisin përfshirjen e qytetarëve romë në promovimin, formimin dhe vënien në zbatim të Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor. “Romët nuk duhet të lihen mbrapa, kështu që shpresoj të shoh edhe më shumë programe të tilla.”

Pavarësisht faktit që pandemia e COVID-19-ës sa vjen e ngadalësohet dhe izolimet nuk praktikohen më, shitjet online të Sladjanës sa vijnë e rriten. Ajo ëndërron që ta zgjerojë kompaninë e saj edhe më shumë dhe ta kthejë në një markë të mirënjohur. Mesazhi i saj për të tjerët është frymëzues: “Dua t’u them të gjitha biznesmeneve rome se gratë mund të punojnë po aq sa burrat e madje edhe dhe më shumë. Kështu që vazhdoni, punoni. Punoni me gjithë zemër, jepni gjithë ç’mundni dhe është e sigurt që do të keni sukses.”

EIB rrit mbështetjen e sektorit privat për Malin e Zi

The European Investment Bank (EIB)- krahu mbështetës i BE – do të ofrojë një grant prej 400,000 € për mbështetjen e asistencës teknike te Investment and Development Fund of Montenegro (IDF). Financimi do të forcojë kapacitetin e IDF-së për të ofruar shërbime financiare në shërbim të bizneseve të vogla dhe të mesme të Malit të Zi, duke i ndihmuar ato të ruajnë likuiditetin, të zgjerojnë investimet e tyre dhe të ruajnë dhe të krijojnë vende pune gjithëpërfshirëse dhe afatgjata. Me këtë ndihmë, EIB mbështet IDF-në në përmirësimin e modelit të saj organizativ dhe të biznesit për të sjellë strukturën e saj në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare për bankat kombëtare të zhvillimit.  
Financimi i EIB-së synon të përshpejtojë rimëkëmbjen dhe rritjen e sektorit privat në Mal të Zi dhe të krijojë mundësi të reja pune, veçanërisht për të rinjtë, gratë dhe njerëzit nga grupet e tjera sociale. Financimi vjen nga Economic Resilience Initiative, e krijuar nga EIB në vitin 2016 për të mobilizuar fonde për rritje më të shpejtë, krijimin e vendeve të punës, unitetin social dhe zhvillimin e projekteve thelbësore të infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor.  
Që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020, EIB ka nënshkruar veprimtari financiare me vlerë 100 milionë euro me IDF, e cila ka ndihmuar rreth 350 kompani në Mal të Zi të rimëkëmben më shpejt nga kriza COVID-19-ës. Në vitin 2021, EIB nënshkroi huanë e parë me IDF për të mbështetur vendosjen e praktikave dhe projekteve me efikasitet energjetik në mesin e bizneseve të vogla në Mal të Zi, duke mundësuar një tranzicion më të shpejtë drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe qarkulluese në vend.

Ndihma për mjedrat e shijshme të Bosnje dhe Hercegovinës që po pushtojnë tregun e BE-së

Një ndërmarrje bujqësore në Bosnje dhe Hercegovinë ka rritur kapacitetin e saj të prodhimit me anë të mbështetjes nga BE-ja.

Për më shumë se dy dekada, Nebojša Radović nga Bratunac-i i Bosnje dhe Hercegovinës është marrë me rritjen e mjedrave. Sot, bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij e ndihmojnë në plantacionin e mjedrave. Për shkak të të ardhurave shtesë që ato sjellin, Nebojša shpjegon se: “Mjedrat janë shumë të rëndësishme për ne. Bashkëshortja ime nuk ka profesion tjetër, ndërsa profesioni im i parë nuk mjafton për të mbuluar të gjithë shpenzimet e jetesës. I kemi mësuar edhe fëmijët si të rrisin mjedra.”

Nebojša është një prej shumë nënkontraktorëve të ndërmarrjes së familjes, Herbos Nature, e cila është marrë me mbledhjen e frutave të pyllit që prej vitit 2006. Që nga viti 2012, është marrë gjithashtu edhe me blerjen, përpunimin dhe shitjen me shumicë të mjedrave, kërpudhave dhe erëzave. Sot, ka një rrjet me më shumë se 1,000 nënkontraktorë nga i gjithë vendi.

“Teksa ndërmarrja jonë zmadhohej gjithmonë e më shumë, natyrisht që kishim probleme, por me hyrjen e pandemisë, vështirësitë u shtuan mjaft, sidomos për nënkontraktorët tanë.”

Nxitja e zhvillimit në kohë krize

Maida Hadžiavdić nga Herbos Nature shpjegon se ndërmarrja ka vite që zmadhohet me hapa të sigurt, por si të gjitha bizneset e tjera, edhe ata u përballën me vështirësi në vitin 2020, kur filloi pandemia e COVID-19-ës. “Teksa ndërmarrja jonë zmadhohej gjithmonë e më shumë, natyrisht që kishim probleme, por me hyrjen e pandemisë, vështirësitë u shtuan mjaft, sidomos për nënkontraktorët tanë,”- thotë Maida.

Pikërisht në atë periudhë, pati një thirrje për propozime rreth mbështetjes së ndërmarrjeve bujqësore në Bosnje dhe Hercegovinë, nismë nga projekti EU4AGRI, i financuar nga BE-ja. Herbos Nature aplikoi dhe përfitoi mbështetje, duke përfshirë këtu blerjen e pajisjeve për ndërmarrjen dhe nënkontraktorët e tyre, apo ndihma të tjera të kësaj natyre, për përmirësimin e kushteve të punës, duke arritur kështu një total prej 114,000 eurosh.

Si një prej nënkontraktorëve të Nature, Nebojša-s iu dhanë në dorëzim pajisje të vlefshme, të financuara nga BE-ja, për të lehtësuar sadopak punën e familjes dhe për ta bërë atë më efikase. “Që prej kohës që EU4AGRI më dhuroi një plug të motorizuar, shpenzimet e mia janë ulur,”- shpjegon Nebojša.

“EU4AGRI na ka ndihmuar ta zgjerojmë tregun tonë. Përveç filialeve në Ustikolina dhe Bratunac, tanimë kemi hapur edhe një tjetër në Travnik. Kemi futur në punë më shumë punonjës dhe kemi filluar të bashkëpunojmë me nënkontraktorë të tjerë.”

Lidhur me projektin

Projekti EU4AGRI është një nismë katër-vjeçare (2020-2024) që synon modernizimin e sektorit agro-ushqimor, hapjen e vendeve të reja të punës bashkë me mbajtjen e vendeve aktuale dhe mbështetjen e rigjenerimit nga kriza e COVID-19-ës në Bosnje dhe Hercegovinë. Vlera totale e projektit të financuar nga BE-ja arrin mbi 20 milion euro dhe është vënë në zbatim me anë të bashkëpunimit dhe bashkë-financimit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Agjencisë Çeke të Zhvillimit.

Projekti i dha gjithashtu mundësinë ndërmarrjes të përfitonte nga pajisjet e reja dhe ndihmesave të tjera. “Mbështetja nga EU4AGRI na ka ndihmuar të zgjerojmë tregun tonë. Përveç filialeve në Ustikolina dhe Bratunac, tanimë kemi hapur edhe një tjetër në Travnik. Kemi futur në punë më shumë punonjës dhe kemi filluar të bashkëpunojmë me nënkontraktorë të tjerë,”- thotë Maida. Me anë të pajisjeve dhuruar nga programi EU4AGRI, ndërmarrja ka modernizuar edhe proceset e prodhimit.

Njësoj si Maida 23-vjeçare, shumica e punonjësve të ndërmarrjes janë profesionistë të rinj të trajnuar, të cilët kanë për detyrë të sigurohen që të gjitha proceset e punës të zhvillohen në standardet më të larta. Mbi 95% e prodhimit është i destinuar për eksport në vende si: Franca, Gjermania, Polonia, Serbia, Sllovenia, Zvicra dhe Turqia. “Pajisjet e reja kanë përmirësuar kushtet e prodhimit dhe na kanë ndihmuar të përmbushim kriteret e klientëve tanë,”- thotë Maida. “Jemi të lumtur që kemi marrë pjesë në projektin EU4AGRI dhe që kemi kontribuar për qëndrueshmërinë e sektorit të ushqimit dhe bujqësisë në BH.”

‘Udhë’ gjen një mënyrë për të ofruar udhëtime të përbashkëta me makinë në Kosovë

Një grup novatorësh të rinj kanë nisur një aplikacion transporti të përbashkët me makinë, me mbështetjen e BE-së.

Kur ishte student në Prishtinë, Eroll Gorçit i duhej të udhëtonte disa herë në javë nga qyteti i tij i lindjes, Peja, që ndodhet rreth 80 km larg. Taksitë ishin shumë të shtrenjta, ndërsa autobusët nuk ishin edhe aq të shpeshtë. Për këtë arsye, si shumë persona të tjerë që duhet të bëjnë rrugë të gjatë për në punë, ai kërkoi zgjidhje alternative, duke parë nëse ndonjë nga miqtë apo të afërmit e tij do të udhëtonin për në kryeqytet, që të mund të shkonte bashkë me ta.

Erolli ishte student teknologjie e shkencash kompjuterike. Teksa zhvillonte aftësitë e tij prej IT-je, ai kuptoi se mbushja e zbrazëtisë në transportin inter-urban me një platformë për transport të përbashkët me makinë mund të ishte me interes si biznes. Dhe kështu filloi “Udhë”, aplikacioni i parë për transport të përbashkët me makinënë pjesën jugore të Ballkanit që lidh shoferët me pasagjerët.

 “Para se të krijonim aplikacionin, donim ta testonim metodën nëpërmjet mediave sociale dhe kjo pati sukses.”

Erolli dhe miqtë e tij e diskutuan fillimisht këtë ide disa vite më parë, ku ranë dakord që të krijonin një faqe në media sociale, ku të interesuarit të mund të komunikonin dhe të planifikonin për të ndarë udhëtimin. “Para se të krijonim aplikacionin, donim ta testonim metodën nëpërmjet mediave sociale dhe kjo pati sukses,”- thotë Erolli.

Brenda një periudhe shumë të shkurtër, grupi i transportit të përbashkët në Facebook grumbulloi rreth 10,000 anëtarë. Kjo vërtetoi se njerëzit kishin interes, kështu që ekipi u bind për mundësinë e zhvillimit të një shërbimi profesional.  Ata filluan të krijojnë aplikacionin për shoferët dhe pasagjerët në fillim të vitit 2020. Meqenëse kishin shumë pak përvojë në këtë lloj sipërmarrjeje, ata aplikuan për projektin VentureUP të financuar nga BE-ja për ndihmë teknike të përqendruar te krijimi i prototipave. Erolli dhe ekipi i tij nxorën përfitime nga webinar-et, instrumentet e marketingut, modelimet e biznesit dhe financimet, të cilat ndihmuan shumë për krijimin e njohurive të tyre në këtë fushë. Për më tepër, ata u fokusuan te grumbullimi sistematik i të të dhënave, gjë që u dha një pikënisje të mirë dhe siguri te modeli i tyre i biznesit dhe për krijimin e aplikacionit.

“Mbështetja e dhënë nga Bashkimi Evropian ishte thelbësore për zhvillimin dhe realizimin e idesë sonë.”

Mbi projektin

VentureUP, Projekti Inkubator i Sipërmarrjes i Universitetit të Prishtinës në Kosovë, mbështetur nga Bashkimi Evropian, u jep mundësinë studentëve dhe startup-eve të ndërtojnë biznese punëdhënëse dhe të rrisin shanset për punësim të suksesshëm në Kosovë. Gjatë programit të parë inkubator në vitin 2019, përfunduan programin shtatë startup-e, me një total prej 23 anëtarësh ekipi. Ndër to, katër startup-e u regjistruan si biznese ligjore që gjenerojnë të ardhura, duke punësuar gjithsej 15 persona. Në vitin 2020 pati rreth 12 startup-e me 31 anëtarë ekipi që përfunduan programin e dytë inkubator. Si rezultat, janë regjistruar pesë biznese ligjore, duke gjeneruar kështu të ardhura dhe duke punësuar një total prej 18 personash.

Aplikacioni u hodh në treg me anë të Google Play dhe Apple Store që në janar të vitit 2021. Komuniteti online tashmë ka mbi 30,000 ndjekës në mediat sociale dhe rreth 15,000 përdorues të aplikacionit për celular. Çdo ditë, ata zgjidhin probleme transporti për qindra pasagjerë. Ekipi prej katër personash tanimë kërkon të shtojë fitimet dhe të sigurojë ndihmën e një investitori engjëll për zgjerimin e biznesit. Ata po planifikojnë të nisin shërbimin në Shqipëri dhe në tregjet e Ballkanit, ku platforma më e madhe e transportit të përbashkët nga BE-ja ka dështuar.

Erolli shpjegon se në sistemin arsimor të Kosovës mungon mësimi për sipërmarrjen, mënyrat e shndërrimit të një ideje në produkt, si dhe për monetarizimin e ideve. Për të, projektet inkubatore janë shumë të rëndësishme për të hedhur hapat e parë të biznesit dhe të sipërmarrjes. “Mbështetja e dhënë nga Bashkimi Evropian ishte thelbësore për zhvillimin dhe realizimin e idesë sonë,”- thotë ai.

Përfaqësuesi i Lartë / Zëvendëspresidenti Josep Borrell në Ballkanin Perëndimor

Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë / Zëvendës presidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell, ishte në Maqedoni ditën E hënë para se të udhëtonte për në Shqipëri diten E martë dhe më pas për në Bosnjë dhe Hercegovinë ditën E mërkurë. Vizita e tij konfirmoi sërish angazhimin dhe mbështetjen e BE-së për rajonin, veçanërisht tani në periudhën e luftës ruse kundër Ukrainës dhe ndikimit të saj në sigurinë e Evropës në tërësi.
 
Borrell u takua në Shkup me Presidentin Stevo Pendarovski dhe Kryeministrin Dimitar Kovačevski, Zëvendës Kryeministrin për Çështjet Evropiane, Bojan Marichijk, Ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Ministren e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska. Të martën, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell do të udhëtojë  për në Tiranë, ku do të takohet me Kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të tjerë të autoriteteve shqiptare dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të vizitojë punimet e vazhdueshme të restaurimit në mozaikun e Muzeut Kombëtar të Historisë, i rinovuar me ndihmën e BE-së për rimëkëmbjen pas tërmetit (EU’s post-earthquake recovery assistance).
Ditën E mërkurë, Josep Borrell do të jetë në Sarajevë, ku do të vizitojë për herë të parë EUFOR Althea Operation, kapaciteti i trupave në terren i së cilës është dyfishuar pothuajse kohët e fundit. Ai do të takohet më pas me autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës, me përfaqësuesit e opozitës politike dhe me shoqërinë civile.

Gruaja shqiptare që lidh kontrata me një klikim

Me financimin e BE-së, një startup ofron shërbime ligjore digjitale.

Si e ndryshoi pandemia botën tënde? Shumë ekspertë kanë debatuar se njerëzit janë të prirur të gjejnë zgjidhje për problemet kur ata largohen nga rutina e tyre dhe kanë kohë për të punuar dhe për të zhvilluar një ide. Kjo lloj risie është pikërisht çfarë ndodhi me startup-in e krijuar nga Kristina Filip, një grua e re nga Shqipëria. Ideja e saj për të krijuar një shërbim ligjor online lindi gjatë izolimit dhe është zhvilluar që atëherë.

“Arrita të kuptoj se shumë shërbime ligjore mund të ofrohen automatikisht, por ky lloj shërbimi nuk ekzistonte në Shqipëri. Gjatë izolimit, kisha kohë të mendoja dhe erdha me ide sesi ta rregullonim këtë problem.”

Mbështetja efikase për sipërmarrësit vjen përmes automatizimit

Si një avokate e re, që ka studiuar për “Të drejtë biznesi” në Shqipëri dhe jashtë saj, Kristiana ndihej e frustruar duke shpenzuar kohë në shërbime të thjeshta ligjore të cilat e shpërqendronin nga çështje më të rëndësishme.

“Arrita të kuptoj se shumë shërbime ligjore mund të ofrohen automatikisht, por ky lloj shërbimi nuk ekzistonte në Shqipëri. Gjatë izolimit, kisha kohë të mendoja dhe erdha me ide sesi ta rregullonim këtë problem,”shprehet ajo.

Legit, startup-i që Kristiana themeloi, është një platformë digjitale që synon të ofrojë shërbime ligjore me cilësi të lartë, të shpejta dhe lehtësisht të aksesueshme për sipërmarrësit shqiptarë. Platforma bën të mundur hartimin e dokumenteve ligjore si kontratë pune, autorizim ose kontratë qiraje. Përdoruesit duhet t’ju përgjigjen një pyetësori të shkurtër dhe më pas dokumenti i tyre i personalizuar është gati në vetëm pak minuta. Veçori tjetër kyçe e platformës është kontakti me profesionistët e duhur.

Shërbimet digjitale të  “Legit” janë unike në Shqipëri, dhe besoj se dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor,” shprehet Kristiana me krenari për qasjen e saj që është e bazuar në modelet e tregut perëndimor. Që nga fillimi, ajo gjithashtu ka synuar dhe tregun kosovar, ku janë ligjet e ngjashme dhe kanë gjuhën shqipe si gjuhë parësore.Platforma e Kristianës ka gjithashtu, një seksion dedikuar sipërmarrësve dhe themeluesve të rinj për ti informuar rreth mundësive të inkubacionit, përshpejtimit dhe financimit, si dhe udhëzime ligjore që ofrohen në postimet e saj në blog.

“Mbështetja e BE-së është e mirëpritur duke qenë se plotëson një boshllëk të lënë nga institucionet, të cilët ende nuk kanë krijuar një fond të posaçëm për startup-et.“

Rreth projektit

BE për Innovation kërkon të përmirësojë ekosistemin inovativ dhe të nxisë krijimin e startup-eve në Shqipëri nëpërmjet zhvillimit të kapacitetit për inovacion mes aktorëve të ekosistemit të inovacionit, duke krijuar lidhje brenda ekosistemit të inovacionit shqiptar dhe duke financuar për startup-e dhe ofruesit e mbështetjes së inovacionit.

Startup-e si Legit kanë përfituar nga Challenge Fund, një mjet financiar konkurrues përdoret si një mjet për të adresuar çështjen e aksesit për të financuar për kompanitë inovative në fazat e para të zhvillimit, gjithashtu dhe për organizatat e angazhuara në shërbime për startup-e inovative dhe promovimin e sistemit inovativ shqiptar.

Ndiq atë që beson

Lindur si një ide gjatë izolimit, Legit ka përparuar tashmë duke u bërë operacionale.  Procesi i krijimit të biznesit nuk ishte i thjeshtë dhe Kristiana ka publikuar të gjitha sfidat në një libër elektronik, për të përcaktuar të gjithë elementët ligjorë të kërkuar. Një grant nëpërmjet BE-së, për Innovation initiative në 2021, ofroi zhvillimin e kapaciteteve dhe ekspertizë teknike për të zhvilluar dhe promovuar platformën në mars 2022.

“Mbështetja e BE-së është e mirëpritur duke qenë se plotëson një boshllëk të lënë nga institucionet, të cilët ende nuk kanë krijuar një fond të posaçëm për startup-et,” shpjegon Kristiana.

Ajo sheh nevojën për një punë të vazhdueshme për të përmirësuar në mënyrë sa më efektive nevojat ligjore të paplotësuara, që të nxënit dhe idetë e saj për të përmirësuar platformën Legit të mos mbeten me kaq. Startup-i synon të rritet së bashku me ekspertët, të cilët do të zhvillojnë më tej produktet e tij. Kristiana shprehet se ajo është e gatshme të ftojë gra për t’ju bashkuar udhëtimit të saj të startup-it, pavarësisht se ajo pranon që u zhvillua si një avokate dhe sipërmarrëse duke mësuar nga meshkujt.

Këshilla e Kristianës për gratë e reja që duan të angazhohen në biznes ose të zhvillojnë më tej karrierat e tyre është: Ndiq atë që beson! #NoRegrets.”

Mjekët dhe stafi ushtarak serb i bashkohen Misionit të Trajnimit të BE-së në Somali

Gjashtë mjekë dhe stafi ushtarak serb do t’i bashkohen EU Training Mission in Somalia (EUTM S).. Misioni u lançua në vitin 2010, me qëllim forcimin e institucioneve federale të mbrojtjes somaleze përmes trajnimit, mentorimit dhe këshillimit. Ai përbëhet nga rreth 200 anëtarë të personelit nga shtatë shtete anëtare të BE-së, plus Serbinë.

 

Ambasadori e BE-së në Serbi, Emanuele Giaufret, ka falenderuar ushtarët serbë që do të nisen në mision, duke i uruar fat. Ai tha: “Ne jemi mirënjohës dhe krenarë që kemi mbështetjen e Serbisë në misionet dhe operacionet tona civile dhe ushtarake. Liria, demokracia dhe siguria kanë një çmim të lartë dhe personeli serb po përmbush rolet kyçe thelbësore për suksesin e misioneve të tilla. Ushtarët e BE-së kanë privilegjin të jenë në duart e sigurta të ekipit mjekësor serb. Shpresojmë që partneriteti ynë të rritet dhe të thellohet, për hir të zgjerimit të sigurisë dhe stabilitetit global.”

 

Roli i kontingjentit mjekësor të Serbisë si pjesë e këtij misioni është trajtimi, evakuimi, furnizimi dhe funksionet thelbësore për ruajtjen e shëndetit të forcës. Ai përfshin dhënien e ndihmës së parë, masat e menjëhershme për shpëtimin e jetës dhe triazhin. Për më tepër, do të kontribuojë në shëndetin dhe mirëqenien e njësisë përmes udhëzimeve në parandalimin e sëmundjeve, lëndimeve jashtë fushës së betejës dhe stresit operacional.

EIB-ja mbështet SME-të boshnjake me 20 milionë euro

The European Investment Bank (EIB), ka nënshkruar një kredi 20 milionë euroshe në degën e saj të re, EIB Global. Nëpërmjet Intesa Sanpaolo Banka BiH, kredia synon të nxisë punësimin e të rinjve, barazinë gjinore dhe praktikat shoqërore gjithëpërfshirëse midis ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SMEs) dhe ‘mid-caps’ (kompanitë me një kapitalizim prej €2 million and €10 million).

 

Këto fonde do t’i mundësojnë Intesa Sanpaolo BiH-ut t’u japë hua kompanive lokale që janë të përkushtuara për të përmirësuar ndikimin social të bizneseve të tyre dhe për të krijuar mundësi afatgjata udhëheqjeje dhe punësimi për gratë, të rinjtë dhe segmentet e popullsisë që përballen me barriera më të larta hyrjeje në tregun e punës.

 

Kjo kredi novatore përfshin një mekanizëm shpërblimi të bazuar në performancë për kompanitë që përmbushin objektiva specifike për të nxitur udhëheqjen, punësimin dhe mundësitë e zhvillimit profesional për gratë, të rinjtë dhe grupet e cënueshme (p.sh. personat me aftësi të kufizuara, refugjatët, etj.). Sipas kësaj skeme nxitëse, objektivat e përshtatura të ndikimit social do të bien dakord me çdo kompani që përfiton nga financimi i EIB-së. Një shpërblim financiar, që përputhet me nivelin e ndikimit social të krijuar, do t’u shpërndahet atyre që përmbushin këto objektiva.

 

Mekanizmi i shpërblimit do të financohet nëpërmjet një granti prej 3.3 milionë eurosh të ofruar nga EIB’s Economic Resilience Initiative Fund, me qëllim nxitjen e krijimit të vendeve të punës dhe rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të sektorit privat. Një program gjithëpërfshirës i asistencës teknike do të krijohet për të mbështetur zbatimin e projektit dhe arritjen e objektivave të ndikimit social në dakortësi me SME-të dhe mid-caps.

 

Ky do të jetë bashkëpunimi i gjashtë midis EIB-së dhe Intesa Sanpaolo BiH në mbështetje të sektorit privat në BiH që ka rezultuar në disbursimin e mbi 238 milionë euro dhe ka ofruar mbështetje për 339 kompani deri më tani. Deri më sot, EIB-ja ka dhënë 860 milionë euro për sektorin privat në Bosnje dhe Hercegovinë, gjë që ka ndihmuar në ruajtjen e afro 100,000 vendeve të punës.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) do të shpallë çmimin “Gratë Sipërmarrëse të Vitit në Ballkanin Perëndimor”

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka shpallur nismën e re për ndarjen e çmimeve “Gratë Sipërmarrëse të vitit në Ballkanin Perëndimor”, me qëllimin për të vlerësuar gratë të cilat kanë nisur dhe zhvilluar biznesin e tyre, si dhe kanë kontribuar në hapjen e pozicioneve të reja të punës për femrat dhe meshkujt në rajonin tonë.

 

Ky konkurs përfshin 6 kategori te biznesit: Gratë Sipërmarrëse në Fushën e Mjedisit, Gratë Sipërmarrëse në Fushën e Kreativitetit, Gratë Sipërmarrëse në Fushën e Mikpritjes dhe Turizmit, Gratë Sipërmarrëse në Komunitetin Rom, Gratë Sipërmarrëse në Start-up-e dhe Gratë e Reja Sipërmarrëse. Aplikimet do të jenë të hapura deri më 4 Mars.

Fitueset e përzgjedhura nga juria do të shpallen në Konferencën Rajonale për Gratë Sipërmarrëse të Vitit në Ballkanin Perëndimor më 11 mars në qytetin e Tiranës. Gjithashtu, fitueset do të kenë mundësinë të prezantojnë dhe të reklamojnë biznesin e tyre në këtë event.

 

Gjashtë fitueseve të çmimeve “Gratë Sipërmarrëse të vitit në Ballkanin Perëndimor” (2021), do t’u ofrohet shërbim mentorimi deri në 20 ditë gjatë një periudhe 5 mujore, do të anëtarësohen dhe do të kenë statusin e kontribuesit në Qendrën Rajonale të Grave Sipërmarrëse; do të promovohen nëpërmjet kanaleve të komunikimit të RCC-së; do të ftohen në evenimente të ndryshme të organizuara nga RCC-ja për të ndarë historitë e tyre të suksesit.

 

Kjo nismë është organizuar në kuadrin e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2021-2024 (Common Regional Market Action Plan 2021-2024) dhe Agjendës së Fuqizimit Ekonomik të Grave të RCC-së. (RCC WomenEconomic Empowerment Agenda).  Projekti është i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian.

Artefaktet e çmuara tashmë janë ekspozuar në një ndërtesë të çmuar

Një projekt i financuar nga BE-ja ka kthyer një pallat osman në një burim kulturor si për banorët dhe vizitorët në zonën midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Një sënduk dasme mbi dyqind vjeçar, një kostum tradicional, vegla këpucari dhe argjendari dhe artefakte të tjera historike mund të shihen tani nga vizitorët në muzeun etnologjik në Gjilan/Gnjilane në Kosovën lindore. Ato janë vendosur në një ndërtesë të njohurpër vendasit si Pallati i Hysen Pashës duke qenë se është ndërtuar nga Hysen Pasha Milla, një nga administratorët udhëheqës të Perandorisë Osmane në vend. Ai u ndërtua në vitin 1887 dhe për disa dekada u përdor si shtëpi, derisa u konfiskua nga qeveria Jugosllave dhe pas Luftës së Dytë Botërore u përdor për shtatë dekada si shkollë. Sot ai është një nga strukturat arkitekturore më të mira të periudhës osmane në Kosovë. Në veçanti, tavanet me dru të gdhendur e bëjnë një vend unik për t’u vizituar, por përdorimi deri në kohët e fundit si shkollë muzike nënkupton se vizitorët kishin akses të kufizuar në të. Kjo ndryshoi falë nismës së bashkisë së Gjilanit/Gnjilane me mbështetjen e BE-së.

 “Duke qenë se nuk kishim një hapësirë të caktuar na u desh të shfaqnim artefaktet tona arkeologjike dhe etnologjike në muzeun kombëtar në kryeqytet.”

Një muze i ri për trashëgiminë kulturore Qyteti i Gjilanit/Gnjilane dhe zonat përreth janë të pasura me artefakte arkeologjike dhe etnologjike, por deri para pesë vitesh nuk kishte një hapësirë të veçantë ku këto të shfaqeshin. “Duke qenë se nuk kishim një hapësirë të caktuar na u desh të shfaqnim artefaktet tona arkeologjike dhe etnologjike në muzeun kombëtar në kryeqytet,” shprehet GjylshenDoko Berisha, drejtori i muzeve në Gjilan/Gnjilane. Situata ndryshoi në vitin 2016 me hapjen e muzeut arkeologjik dhe më pas u përmirësua më tej me hapjen e muzeut etnologjik, që përfitoi nga mbështetja e BE-së. Djellza Ademi ishte koordinatorja projektit të bashkëpunimit ndërkufitar të financuar nga BE-ja (CBC) që përqendrohet në përmirësimin e vlerave të trashëgimisë natyrore dhe kulturore që mundësuan rinovimin e ndërtesës dhe hapjen e muzeut etnologjik. Ajo shpjegon se bashkia e Gjilanit/ Gnjilane ka një numër të lartë vizitorësh gjatë vitit, veçanërisht ata nga diaspora që vizitojnë qytetin rregullisht një ose dy herë gjatë vitit. “Pavarësisht trashëgimisë së pasur kulturore dhe natyrore, nuk kishim shumë për t’i ofruar vizitorëve,” shprehet Djellza. Me nismën e bashkisë dhe ne bashkëpunim me bashkinë e Kumanovës dhe në anën tjetër të kufirit në Maqedoninë e Veriut u vendos të krijohej një destinacion turistik më të mirë. Thirrja e CBC-së për Kosovën-Maqedoninë e Veriut ishte marrëveshje perfekte për këtë lloj nisme duke qenë se të dyja nismave i mungonte financimi dhe ekspertiza.

 “Bashkia e Gjilanit ka përfituar nga një sërë projektesh të financuara nga BE-ja në vitet e fundit dhe do të kishte qenë shumë e vështirë të zbatoje këto aktivitete pa mbështetjen e BE-së.”

Rreth projektit Qëllimi i projektit të bashkëpunimit ndërkufitar të financuar nga BE-ja është “Përmirësimi i vlerave të trashëgimisë natyrore dhe kulturore” ishte të sillte investime dhe të promovonte zonën ndërkufitare si destinacion turistik dhe të theksonte vlerat e trashëgimisë kulturore dhe natyrore nëpërmjet ruajtjes dhe ristauruar një ndërtesë të vjetër dhe për të krijuar evente kulturore tradicionale në zonën ndërkufitare. Rezultatet e projektit përfshijnë ruajtjen dhe restaurimin e vendeve të trashëgimisë kulturore, ndërtimin e vendndodhjeve për sportet dhe promovim i shtuar i trashëgimisë kulturore. Vlera totale e projektit ishte €477,000 dhe ai u përfundua në 20 muaj. Me mbështetjen e BE-së, dy bashkitë partnere në projekt arritën të restaurojnë ndërtesën e vjetër dhe ta përshtaste për ta përdorur si Muze Etnografik, për të ndërtuar një amfiteatër dhe për të krijuar një hapësirë për të luajtur futboll, basketboll dhe tenis në Kumanovë. Përveç përmirësimit të infrastrukturës, partnerët e projektit lançuan një platformë online me informacion të lidhur me turizimin dhe kulturën në zonën ndërkufitare. Gjithashtu, ata organizuan festivale popullore dhe evente ndërlidhëse me operatorë të turizmit dhe ofrues të shërbimeve dhe aktivitete të tjera për të promovuar rajonin ndërkufitar si destinacion turistik. “Bashkia e Gjilanit ka përfituar nga një sërë projektesh të financuara nga BE-ja në vitet e fundit dhe do të kishte qenë shumë e vështirë të zbatoje këto aktivitete pa mbështetjen e BE-së,” – shprehet Djellza Ademi.