Skip to main content

Area of Cooperation: Economy

Biznes në një çantë shpine

Financimi i BE-së ka ndihmuar një sipërmarrëse nga Bosnje dhe Hercegovina në rrugëtimin e saj për të ngritur një biznes që mbështet rrugëtimet e të tjerëve

Azra Hodžić nga Bosnje dhe Hercegovina ka qenë gjithmonë një udhëtare entuziaste. Përpara pandemisë së COVID-19-ës, ajo udhëtonte për punë dhe për kënaqësi, dhe kishte vizituar vende të shumta. Udhëtimet e bëjnë të lumtur dhe një udhëtim në Berlin para disa vitesh u kthye në pikënisjen e papritur të një nisme të re biznesi.

Azra po kërkonte një çantë shpine që ta përdorte në këtë udhëtim, por edhe kur të kthehej në shtëpi. Ajo nuk po gjente dot një model që përmbushte nevojat e saj të posaçme, ndaj, sapo u rikthye në Sarajevë, projektoi një model që i përshtatej qëllimit të saj dhe e qepi bashkë me të atin.

”Të gjithë më komplimentuan për çantën e shpinës dhe më pyetën se ku e kisha marrë. Kur u thashë se e kisha bërë vetë, njëra nga shoqet më pyeti nëse mund të bëja një për të”.

Çanta e parë e shpinës që Azra projektoi dhe qepi me babanë e saj ishte një model i thjeshtë, por ishte pikërisht ajo që i duhej. Çanta u ra menjëherë në sy kolegëve të saj në shoqërinë ku punonte. ”Të gjithë më komplimentuan për çantën e shpinës dhe më pyetën se ku e kisha marrë. Kur u thashë se e kisha bërë vetë, njëra nga shoqet më pyeti nëse mund të bëja një për të”, thotë Azra.

Pas porosisë së parë, erdhën kërkesa të tjera, deri sa Azra kuptoi se kjo mund të kthehej në një punë konkrete. Ajo krijoi një faqe në media sociale ku reklamonte modele me një sërë dizajnesh. Gjithashtu, asaj i lindi një ide shumë krijuese për emrin e biznesit të saj. Ranac do të thotë ‘çantë shpine’ në gjuhën boshnjake, dhe St do të thotë ‘shën’. Kjo ishte arsyeja për emrin e shoqërisë ST RANAC të Azra-s, por ajo vuri re se, kur këto dy fjalë bëheshin bashkë, merrnin dhe një kuptim tjetër. Stranac në gjuhën boshnjake do të thotë ‘i huaj’.

Biznesi eci mirë për dy vite. Azra projektonte dhe i ati qepte. Megjithatë, rritja e vazhdueshme e numrit të porosive e detyroi Azra-n të gjente një zgjidhje për t’u zgjeruar më tej. Ajo nuk kishte trajnimin e duhur për menaxhimin e biznesit dhe as pajisjet e mbështetjen për marketing dhe reklamim.

“Më parë, nuk kisha mundësi të blija sasi të mëdha materialesh bazë, pasi varesha prej fitimeve nga porositë. Me mbështetjen e BE-së, kalova në nivel tjetër. Tani mund t’i përgjigjem një kërkese më të madhe nga klientët dhe jam gati të kem një shoqëri të madhe”

Rreth EU4Business

EU4Business synon të stimulojë zhvillimin e sipërmarrjes, sektorët për eksport dhe turizmin dhe bujqësinë në Bosnje dhe Hercegovinë. Programi financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian (15 milionë euro nga fondet e paraaderimit) dhe qeveria gjermane (1.1 milionë euro). Projekti zbatohet nga GIZ (Korporata gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar), Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe do të përfundojë në mars të vitit 2022.

Një shok i tregoi për programin EU4Business, që mbështet shoqëritë e reja dhe sipërmarrësit aspirantë për menaxhimin dhe rritjen e biznesit. Azra aplikoi dhe mori trajnimin e nevojshëm të menaxhimit të biznesit, që zgjati për më shumë se dy muaj. Gjithashtu, ajo mori dhe një makinë qepëse industriale të re, që i bëri të mundur babait të saj të prodhonte më shumë produkte për një kohë më të shkurtër, si dhe mbështetje financiare për blerjen paraprake të materialeve bazë në sasi të madhe.

“Më parë, nuk kisha mundësi të blija sasi të mëdha materialesh bazë, pasi varesha prej fitimeve nga porositë. Me mbështetjen e BE-së, kalova në nivel tjetër. Tani mund t’i përgjigjem një kërkese më të madhe nga klientët dhe jam gati të kem një shoqëri të madhe”, thotë Azra.

Teksa bota kërkon për mënyra të reja të udhëtimit në realitetin e COVID-19-ës, Azra ka pritshmëri se biznesi i saj do të rritet më tej. Ajo planifikon ta zgjerojë gamën e produkteve që ofron dhe, së shpejti, t’u ofrojë punësim në shoqërinë e saj dhe personave të tjerë. Ajo ka hasur padyshim sfida, por me pasionin dhe punën e saj të palodhur, si dhe me pak ndihmë nga BE-ja, ka arritur t’ia dalë.

Mbjellja e farave të suksesit

Kthim te rrënjët: një i ri emigrant kthehet në Shqipëri dhe bëhet sipërmarrës i suksesshëm me mbështetjen e BE-së. Mikel Hoxha u largua nga Shqipëria për të punuar në ndërtim në Greqi. Ai tregon se iu desh të shkonte në Greqi për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe mungesës së vendeve të punës dhe prospekteve profesionale në atdheun e tij. Ai punoi atje për disa vite në sektorin e ndërtimit, ku puna ishte e vështirë dhe jetesa nuk po bëhej më e lehtë. Për këtë arsye, dhjetë vjet më parë ai vendosi të kthehej te rrënjët e tij në Fier dhe të provonte fatin në vendin e tij. Bashkë me pjesëtarë të tjerë të familjes, ai nisi një biznes të ri, por nuk ia merrte kurrë mendja se do të kishte suksesin aktual. Menjëherë pas kthimit nga Greqia, ai ndërtoi një serë të vogël. Ideja e tij kishte të bënte me rritjen e perimeve në sasi të vogël, t’ua shpërndante tregjeve pranë dhe të siguronte të ardhura për veten dhe familjen e tij. Në atë periudhë, ai ishte i pari në qarkun e tij për këtë lloj biznesi bujqësor, pasi asnjë nga fshatarët e qytezës së tij dhe zonave përreth nuk kishin sera. Gjithashtu, atij i kujtohet se fillimi ishte tepër i vështirë pasi nuk kishte shumë para për investim dhe nuk pati as mbështetje nga qeveria ose institucione të tjera. Megjithatë, me kalimin e kohës, puna e tij e palodhur dhe qasja novatore qenë të frytshme dhe ai zhvilloi një tjetër lloj biznesi bujqësor që u rrit gradualisht dhe e bëri Mikelin një sipërmarrës të rëndësishëm në zonë.

“I pashë farërat si mundësi e mirë dhe vendosa ta zgjeroj serën për të prodhuar farëra për t’ua shitur fermerëve të tjerë”.

Ç’të mbjellësh, do të korrësh Një nga parakushtet më të rëndësishëm për bujqësinë është pasja e farërave dhe fidanëve me cilësi të lartë dhe çmime të arsyeshme. Duke qenë se Mikeli nuk kishte para për të importuar farëra, ai filloi t’i kultivonte ato vetë për nevojat e serës së tij të vogël.  Përmes praktikës, ai ia mori dorën dhe fshatarët nga zona përreth, që kishin krijuar serat e tyre, filluan të porosisnin farëra nga ai. “I pashë fidanët si mundësi e mirë dhe vendosa ta zgjeroj serën për të prodhuar farëra për t’ua shitur fermerëve të tjerë”, thotë Mikeli. Me kalimin e viteve, Mikeli u kthye në një nga sipërmarrësit kryesorë të shitjes së farërave në zonën e tij. Aktualisht, ai prodhon dhe shet mbi 12 milionë fidanë në vit. Krahas kësaj, ai ka eksportuar fidanë shalqiri në Malin e Zi dhe, vitin e kaluar, nisi eksportimin e sasive të vogla të fidanëve drejt Italisë dhe Bullgarisë. Biznesi ishte në rritje të vazhdueshme, por Mikelit i nevojitej mbështetje për ta zgjeruar më tej. Ai dëgjoi për programin e financuar nga BE-ja Instrumenti i Asistencës së Para-aderimit për Zhvillim Rural (IPARD) dhe, meqenëse përmbushte më së miri kushtet e pranueshmërisë, vendosi të aplikonte.

“Mbështetja nga BE-ja ishte një pikë ku mund të bëja hapin e madh nga të qenët fermer në të qenët një sipërmarrës i vërtetë në biznesin e farërave”.

Rreth programit Pjesë e Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA), i projektuar për të mbështetur vendet në proces aderimi në BE, Instrumenti i Asistencës së Para- Aderimit për Zhvillim Rural (IPARD) përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë në këto vende. Përmes këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë financiare dhe teknike për të bërë sektorin e tyre bujqësor dhe zonat rurale më të qëndrueshme dhe për t’i harmonizuar ato me Politikën e përbashkët bujqësore të BE-së. Kalimi drejt sipërmarrjes Me mbështetjen e IPARD-it, Mikeli ngriti një tjetër serë moderne prej 4830m2, të pajisur me teknologjinë dhe sistemet e nevojshme që bëjnë të mundur mbjelljen dhe kultivimin vjetor të fidanëve. “Mbështetja nga BE-ja ishte një pikë ku mund të bëja hapin e madh nga të qenët fermer në të qenët një sipërmarrës i vërtetë në biznesin e farërave”, thotë Mikeli. Mbështetja nga IPARD-i mbuloi 65% të investimit dhe për pjesën e mbetur iu desh të merrte një hua bankare. Mikeli kishte provuar dhe më parë të merrte hua në bankë për zgjerimin e biznesit e tij, por nuk ia kishte dalë. Ai shpjegon se kur iu dha mbështetja nga IPARD-i, bankat ishin të gatshme të mbulonin pjesën e mbetur. Aktualisht, Mikeli ka 25 të punësuar dhe po planifikon ta zgjerojë fuqinë punëtore në të ardhmen. Gjithashtu, ai bleu dhe tokë të re pasi porositë për fidanë janë në rritje. “Bujqësia është biznes shumë i mirë për sa kohë je i gatshëm të punosh fort dhe të ruash cilësinë e produkteve të tua”, thotë ai.

Shijet vendase përballë klientëve botërorë

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet Shqipërinë dhe Malin e Zi për promovimin e kuzhinës vendase në nivel ndërkombëtar. Ivana Babović jeton në fshatin piktoresk Konjuhe pranë Andrijevica në veri të Malit të Zi. Fshati gjendet larg bregdetit dhe vendeve të tjera të Malit të Zi që njihen nga vizitorët. Bujqësia ka qenë burimi kryesor i të ardhurave për Ivanën, katër fëmijët dhe bashkëshortin e saj, deri pesë vjet më parë, kur përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit Rajonal për Bjelasica, Komovi dhe Prokletije vizituan fshatin e tyre. Ata kishin shkuar të flisnin për përfshirjen e mundshme të fshatarëve në biznes përmes një projekti të financuar nga BE-ja. Ivana thotë se kjo habiti atë vetë dhe mikeshat e saj në fshat, pasi fshati i tyre vizitohej rrallë nga të tjerët, aq më pak nga persona që i ftuan të përfshiheshin në biznes. Krahas bukurive natyrore dhe arkitekturës tradicionale, zona e Ivanës ka dhe një kuzhinë tradicionale të pasur. Kjo vjen si rezultat i begatisë së frutave dhe perimeve organike, që kanë frymëzuar një sërë recetash tradicionale, pak të njohura për personat e jashtëm deri në fillimin e këtij projekti. Disa nga pjatat karakteristike përfshijnë qullin e përgatitur nga misri i bluar në mënyrë tradicionale në mullirin e fshatit; byrekët me lëpjeta dhe djathë të bërë në shtëpi; gjellët me mish organik; dhe rakinë e bërë në shtëpi.

“Kur filluam trajnimin e parë, nuk ishim shumë optimistë për rezultatin dhe persona të tjerë nga fshati ishin dyshues dhe deri diku na vinin në lojë, duke na thënë se ‘po shkoni në shkollë’. Por, kur erdhi vizitori i parë, gjërat ndryshuan.”

  Një rrugëtim nga fshati drejt klientëve ndërkombëtarë  Ivana ishte ndër gratë e para që ranë dakord të përfshiheshin në projekt. Ajo ishte mësuar të gatuante për familjen e saj dhe të priste familjarë dhe miq, por të gatuarit dhe pritja e të huajve në këmbim të kompensimit financiar ishte diçka krejtësisht e re për të. “Deri atëherë unë isha një shtëpiake. Nuk dija asgjë për biznesin dhe vendimi për t’u bërë sipërmarrëse nuk ishte i lehtë”, thotë ajo. Megjithatë, projekti i mundësoi mbështetje të plotë me aftësi që kishin të bënin me pritjen profesionale, si sjellja me vizitorët, paraqitja e ushqimit dhe ofrimi i aktiviteteve për turistët. “Besomëni, kur filluam trajnimin e parë, nuk ishim shumë optimistë për rezultatin dhe persona të tjerë nga fshati ishin dyshues dhe deri diku na vinin në lojë, duke na thënë se ‘po shkoni në shkollë’. Por, kur erdhi vizitori i parë, gjërat ndryshuan”, thotë Ivana. Vizitorja e parë ishte një e re nga Belgjika, e cila qëndroi tri ditë, duke jetuar dhe gatuar me familjen. Pesë vite më vonë, Ivana dhe familja e saj presin rregullisht vizitorë nga mbarë bota dhe turizmi është kthyer në burimin kryesor të të ardhurave për familjen e saj. Njëra nga vajzat e saj po studion për turizëm dhe është duke menduar për zgjerimin e mëtejshëm të biznesit. Projekti i Bashkëpunimit Ndërkufitar (CBC) i financuar nga BE-ja për kuzhinën lokale si ofertë turistike e rajonit ndërkufitar përbëhet nga dy elemente kryesore. Ivana dhe familja e saj përfituan nga elementi i rrugëve të gastronomisë, që përfshinte mbështetjen për familjet e fshatit dhe lidhjen e fshatrave në Shqipëri dhe Mal të Zi me njëri-tjetrin për të ofruar një koncept turizmi të integruar të bazuar te rrugët, me fokus te gastronomia. Një element po aq i rëndësishëm i projektit ishte përfshirja e recetave tradicionale vendase në ofertën turistike duke hulumtuar dhe ruajtur gatimet rajonale dhe duke i përdorur këto gatime në restorantet vendase dhe rrugët e gastronomisë, që përfshinin zhvillimin e pikave të shijimit në shtëpitë rurale. Synimi ishte risjellja e disa prej gatimeve të harruara dhe trajnimi i shefave të kuzhinës dhe kuzhinierëve vendas për t’i përgatitur ato, në mënyrë që këto gatime të mund të përfshiheshin në menutë e hoteleve dhe restoranteve vendase.

“Jemi shumë krenarë për suksesin e librit tonë të gatimit, pasi ky sukses nuk vlen vetëm për projektin tonë, por edhe për vendet e përfshira në këtë projekt.”

Rreth projektit Projekti i financuar nga BE-ja, “Kuzhina lokale si ofertë turistike e rajonit ndërkufitar” filloi në vitin 2018 dhe përfundoi në vitin 2020. Synimi i projektit ishte përmirësimi i konkurrueshmërisë së sektorit të turizmit duke përfshirë gastronominë vendase në ofertën e përgjithshme turistike të zonës ndërkufitare. Projekti u zbatua nga RDA Bjelasica, Komovi i Prokletije dhe Organizata Kombëtare e Turizmit nga Mali i Zi, në bashkëpunim me Eco-Partners for Sustainable Development dhe Bashkinë Pukë në Shqipëri. Jelena shpjegon se ushqimi është i ngjashëm në të dyja anët e kufirit, e megjithatë ka shije dhe veçori karakteristike. Ky element i rëndësishëm ndërkufitar ka pasuruar projektin dhe ofertën turistike të rajonit. Libri i gatimit i krijuar nga projekti zuri vendin e dytë në botë në kategorinë e botimeve më të mira të kulinarisë dhe vend të parë në kategorinë e turizmit ushqimor në konkursin e Ditës Botërore të Gastronomisë së Qëndrueshme. Nga muaji qershor deri në shtator, libri është i ekspozuar në Muzeun Alfred Nobel në Suedi. “Jemi shumë krenarë për suksesin e librit tonë të gatimit, pasi ky sukses nuk vlen vetëm për projektin tonë, por edhe për vendet e përfshira në këtë projekt për CBC”, thotë Jelena Krivčević, menaxhere e projektit.

Sipërmarrësja nga Bosnje dhe Hercegovina, e frymëzuar nga bebet

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet një nënë sipërmarrëse në rrugëtimin e saj për të ngritur një biznes novator. Mirna Perendija është një nënë e tri fëmijëve nga Sarajeva, Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo punoi për një kohë të gjatë në një sërë punësh, që nga sektori bankar deri në tregti. Trembëdhjetë vjet më parë ajo u bë nënë për herë të parë dhe fëmija i saj, krahas lumturisë dhe gëzimit, shërbeu si zanafillë për një biznes novator. Sot, trembëdhjetë vite më vonë, ajo është pronarja e një shoqërie të vogël që po lulëzon, me mbështetjen e BE-së. Krahas mbulimit të tregut vendas, ajo po planifikon ta hedhë produktin e saj dhe në tregun e BE-së. Mirna mban mend se, në kohën kur u bë prind, në Bosnje dhe Hercegovinë nuk kishte mbajtëse ergonomike bebesh. Ajo mundi të merrte një të tillë me ndihmën e miqve që jetonin jashtë vendit. Për fëmijën e saj të dytë, vendosi ta qepte vetë transportuesin e bebes dhe atëherë filloi të mendonte se mbajtëset e bebeve mund të ishin ide e mirë biznesi. Ato do të zgjidhnin problemin e shumë prindërve të tjerë, të cilët, sikurse Mirna, ishin të detyruar t’i importonin ose blinin ato nga jashtë me ndihmën e miqve dhe të afërmve.

“Atëherë vendosa se nuk do të punoja më për të tjerët, por do të punoja për të zhvilluar biznesin tim”.

Nga punë me kohë të pjesshme në biznes me kohë të plotë Fillimisht, Mirna prodhonte mbajtëse bebesh për miqtë, të afërmit dhe kolegët, si punë me kohë të pjesshme nga shtëpia. Megjithatë, me kalimin e kohës kërkesat filluan të shtoheshin, dhe në vitin 2015 ajo mori vendimin ta kthente këtë punë me kohë të pjesshme në një sipërmarrje më të madhe. “Vendosa që nuk do të punoja më për të tjerët, por do të punoja për të zhvilluar biznesin tim”, thotë ajo. Ajo i përmirësoi vazhdimisht produktet e saj duke modifikuar, përshtatur dhe përsosur modelin dhe funksionalitetin e mbajtëseve të saja të bebeve. Me rritjen e kërkesës, ajo punësoi punonjës me kohë të pjesshme që e ndihmuan me prodhimin. Megjithatë, pas një farë kohe, iu desh të bënte një hap më të madh. Asaj i mungonte informacioni për menaxhimin e biznesit dhe aftësitë për zgjerimin e mëtejshëm të biznesit të saj, dhe i duheshin edhe makineri. Ajo mësoi për projektin EU4Business të financuar nga BE-ja. “E pashë këtë mundësi në Facebook dhe mendova “kjo është pikërisht ajo që më nevojitet”, ndaj vendosa të aplikoja”, thotë Mirna.

“Besoj fort në sipërmarrjet nga gratë dhe mendoj se sipërmarrëset gra mund të bëjnë mrekulli me pak mbështetje. Prandaj, shpresoj se do të mund të punësoj të paktën tri nëna të tjera beqare në shoqërinë tonë, pasi dhe unë kam qenë nënë beqare.”

Rreth projektit EU4Business synon të stimulojë zhvillimin e sipërmarrjes, sektorët për eksport dhe turizmin dhe bujqësinë në Bosnje dhe Hercegovinë. Buxheti i përgjithshëm i financimit të EU4Business është 16 milionë euro, që financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian (15 milionë euro) dhe qeveria gjermane (1.1 milionë euro). Projekti zbatohet bashkërisht nga GIZ (Korporata gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar), Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe do të përfundojë në mars të vitit 2022. Me mbështetjen e projektit EU4Business, Mirna u trajnua për aftësitë e menaxhimit të biznesit dhe iu dha një shumë prej €5,000 si mbështetje financiare, me të cilën bleu një makineri më të mirë. Nëpërmjet këtij investimi, ajo arriti të rriste cilësinë dhe sasinë e prodhimit dhe tani mban certifikimet e nevojshme ndërkombëtare për produktet për eksport në shtetet anëtare të BE-së. Ajo është duke planifikuar zgjerimin e mëtejshëm të biznesit të saj dhe rritjen e mëtejshme të numrit të punonjësve dhe bashkëpunëtorëve. “Besoj fort në sipërmarrjet nga gratë dhe mendoj se sipërmarrëset gra mund të bëjnë mrekulli me pak mbështetje. Prandaj, shpresoj se do të mund të punësoj të paktën tri nëna të tjera beqare në shoqërinë tonë, pasi dhe unë kam qenë nënë beqare”, thotë Mirna.

Gladiatorët rikthehen në teatrin e Stobit

Financimi i BE-së i ka mundësuar një OJF-je nga Maqedonia e Veriut që të zhvillojë një mjet të realitetit virtual i cili të rikthen në dyluftimet e gladiatorëve të 1,500 viteve më parë. Stobi në Maqedoninë e Veriut ka qenë dikur një ndër qytetet më të rëndësishme në Evropë. Nga viti 200 p.e.s. dhe për shtatë shekujt në vijim, ai luajti një rol të rëndësishëm në perandorinë romake. I ndodhur në kryqëzimin e rrugëve tregtare, ai u kthye në një qytet me rëndësi, i cili kishte edhe monedhat e veta. Gjatë periudhës romake, Stobi ishte kryeqyteti i provincës romake e njohur si Macedonia Salutaris, dhe qytetarët e saj gëzonin të njëjtin status si qytetarët e Romës. Ashtu si në çdo qytet të rëndësishëm romak, dyluftimet e gladiatorëve ishin një pjesë e pandashme e kulturës urbane. Sot, Stobi është një sit i rëndësishëm arkeologjik me bazilika të krishtera, banjë publike, teatër, sinagogë, rrënojat e rrugëve dhe shtëpive të mëdha, madje edhe të një kazinoje. Edhe pse jeta e qytetit mund të mos gjallërohet më, gladiatorët e tij po rikthehen! Në Maqedoninë e Veriut, koncepti i përdorimit të siteve kulturore dhe historike si destinacione turistike është ende në fillesat e veta. Sitet arkeologjike shpesh nuk kanë panele të mira prezantuese dhe informuese; rrëfimi i historisë rrallëherë shkon përtej broshurave dhe posterave, dhe thuajse nuk ka aspak angazhim të publikut në sit. Por tregu tepër konkurrues turistik kërkon që sitet e trashëgimisë kulturore të zhvillojnë strategji dhe bashkëpunim me industritë krijuese për t’i ndihmuar sitet që të dallojnë nga të tjerat. Një opsion i tillë është përdorimi i zgjidhjeve novatore, i tillë si një aplikacion i një turi të realitetit virtual (VR) si një mjet për të eksploruar dhe ringjallur trashëgiminë kulturore. Teknologjia VR i ofron publikut një mundësi për t’u zhytur në një rindërtim realist të ngjarjeve dhe historive që përfaqësojnë më së miri një sit të caktuar të trashëgimisë kulturore.

“Mjedisi 3D paraqet brendësinë e arenës së gladiatorëve dhe projekton një ceremoni hapëse përpara zhvillimit të dyluftimit, si dhe një turmë të përgjithshme, duke u ngjallur vizitorëve ndjesinë se ata janë pjesë e audiencës.“

Virtualisht mes gladiatorëve Në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Stobit dhe me mbështetjen e financimit të BE-së, OJF-ja Center for Social Innovations Blink 42-21 zhvilloi një aplikacion të realitetit virtual që do t’u ofrojë vizitorëve të Stobit një shfaqje dyluftimi të gladiatorëve brenda teatrit të vjetër. Milan Tancheski, menaxher i projektit, shpjegon se aplikacioni VR përfshin vizualizimin 3D dhe rindërtimin e teatrit. Kjo u mundëson vizitorëve të fitojnë një kuptim më të thellë dhe më të plotë të hapësirës, me pamje të lirë të strukturave dhe monumenteve kryesore që nuk ekzistojnë më. “Mjedisi 3D paraqet brendësinë e arenës së gladiatorëve dhe projekton një ceremoni hapëse përpara zhvillimit të dyluftimit, si dhe një turmë të përgjithshme, duke u ngjallur vizitorëve ndjesinë se ata janë pjesë e audiencës”, shprehet Milan. Zhvillimi i këtij projekti ishte sfidues. Qyteti ka vetëm rrënoja, kështu që fillimisht përgatitëm skenarin dhe historinë si bazë për zhvillimin e modeleve 3D si për personazhet dhe arkitekturën përreth. Si pjesë e procesit, një arkitekt projektoi një plan të teatrit të vjetër dhe e ktheu atë në një model 3D. Si pjesë e fundit e aktivitetit, projekti duhej të zhvillonte modele 3D në madhësi reale për gladiatorët dhe për rreth 700 personazhe të audiencës. Për këtë qëllim, ata u konsultuan nga afër me ekspertë dhe përdorën të dhëna historike, në mënyrë që përvoja të ishte sa më realiste dhe e bazuar në fakte.

“Në kohët e tij të arta,  teatri kishte 7,000 vende, dhe arritëm të projektojmë dhe të sjellim në jetë 700 personazhe, shumica e tyre dinamikë: duke brohoritur ose në këmbë. Kështu ju shihni personin pranë, prapa ose përpara jush duke brohoritur, në këmbë ose ulur.”

Rreth projektit Projekti Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, ka vlerë 5 milionë euro. Ky projekt punon për zhvillimin dhe promovimin ndërkombëtar të ofertave të përbashkëta rajonale të turizmit kulturor dhe aventuresk, duke rritur numrin e turistëve që vizitojnë gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe duke zgjatur qëndrimin e turistëve në rajon. Blink 42-21 ishte ndër përfituesit e grantit në raundin e dytë të granteve, me vlerë deri në 54,000 euro secili, të dhëna në muajin tetor 2019. Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal është një kuadër bashkëpunimi gjithëpërfshirës, në pronësi dhe i udhëhequr nga rajoni me qëllim promovimin e bashkëpunimit, pajtimit dhe zhvillimit ekonomik dhe social të rajonit. Ai mbështetet financiarisht nga BE-ja. Nëse vizitoni Stobin tani, mund të kërkoni një set realiteti virtual, i përbërë nga një laptop dhe syze VR. Më pas, ju do të uleni në një vend të caktuar në teatër. Momentin që vendosni syzet dhe ndizni pajisjet, ju udhëtoni 1500 vjet prapa dhe gjeni veten të rrethuar nga një publik dhe mund të shijoni një ceremoni gladiatorësh që zhvillohet në skenën qendrore të teatrit. “Në kohët e tij të arta,  teatri kishte 7,000 vende, dhe arritëm të projektojmë dhe të sjellim në jetë 700 personazhe, shumica e tyre dinamikë: duke brohoritur ose në këmbë. Kështu ju shihni personin pranë, prapa ose përpara jush duke brohoritur, në këmbë ose ulur”, shprehet Milan.

Përhapja e shijes së proshutës Malazeze përtej kufijve

Një biznes malazez rrit eksportin, të ardhurat dhe stafin e tij me mbështetjen e BE-së. Proshuta e staxhionuar është një specialitet i Njegushit, një fshat pranë qytetit të Cetinjes në Mal të Zi. Ajo është e njohur për shijen dhe aromën karakteristike, si rezultat i përzierjes së ajrit të detit dhe të malit dhe djegies së drurit të ahut gjatë procesit të tharjes. Është një shije e njohur për malazezët dhe vizitorët në vend, dhe tashmë një shoqëri nga Mali i Zi po punon që ta fusë atë në tregun e mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Mediteranea është një biznes familjar i mesëm nga Mali i Zi në pronësi të bashkëshortëve Marija dhe Ivan Špadijer. Ai filloi si një biznes i vogël si distributor i produkteve të mishit në vitin 2006 dhe gradualisht i rriti të ardhurat, ku proshuta e Njegushit u bë produkti i tyre kryesor. Ivani shpjegon se proshuta kërkon një prodhim të ndërlikuar: procesi i staxhionimit përfshin kriposjen me kripë deti për rreth tre javë, më pas për tre javë të tjera shtypet për të larguar lëngjet e tepërta, dhe pasohet me djegien e lehtë dhe tharjen nën flladin e freskët të malit për tre muaj dhe në fund staxhionohet. I gjithë procesi zgjat rreth një vit.

 “Nënkontraktorët tanë nuk ishin në gjendje që të përmbushnin siç duhet këto kërkesa, kështu që vendosëm ta merrnim vetë në dorë dhe të bënim vetë paketimin.”

  Rritja e cilësisë dhe të ardhurave Për rreth dhjetë vjet, Mediteranea blinte proshutën nga prodhues të zonës së Njegushit dhe paketohej nga nënkontraktorë të tjerë. Biznesi po ecte mirë dhe tregu po zgjerohej, por kjo rritje kishte sfidat e saj. Cilësia e lëndës së parë ishte e njëjtë, por shoqëria nisi të kishte probleme me paketimin. Ivani shpjegon se ata po merrnin kërkesa nga klientë që kërkonin përmirësimin e paketimit. “Nënkontraktorët tanë nuk ishin në gjendje që të përmbushnin siç duhet këto kërkesa, kështu që vendosëm ta merrnim vetë në dorë dhe të bënim vetë paketimin”, shprehet ai. Për këtë, u nevojiteshin pajisje dhe ambiente shtesë pasi kjo ishte një fushë e re për shoqërinë. Fillimisht ata investuan me mundësitë e tyre por ato nuk ishin të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat. Kështu ata vendosën të aplikonin për mbështetje nga Instrumenti i BE-së i Asistencës së Para- Aderimit për Zhvillim Rural, IPARD. Si rrjedhojë, ata siguruan rreth 35,000europër pajisje shtesë të cilat përfshinin një makineri paketimi dhe dy pajisje ngritëse elektrike, që ngrenë deri në një lartësi prej 11 metrash.

 “Nëse nuk do të ishte mbështetja e BE-së nëpërmjet IPARD, ne do të ishim ende në vështirësi. Mbështetja na ka bërë më të pavarur dhe na ndihmoi që të merrnim në dorë fatin dhe suksesin e biznesit tonë.”

Rreth programit  Pjesë e Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA), i projektuar për të mbështetur reformat në vendet në proces aderimi në BE, Instrumenti i Asistencës së Para- Aderimit për Zhvillim Rural (IPARD) përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë në këto vende. Përmes këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë financiare dhe teknike për të bërë sektorin e tyre bujqësor dhe zonat rurale më të qëndrueshme dhe për t’i harmonizuar ato me politikën e përbashkët bujqësore të BE-së. Sot Mediteranea prodhon dhe shpërndan mbi 50 ton produkt përfundimtar në vit. Ata kanë shumë klientë, ndër ta, hotele, restorante dhe zinxhirë supermarketesh. Rreth 90% e të ardhurave të tyre vjen nga eksportet. Ndërsa prodhimi vijon të kryhet nga nënkontraktorë në zonën e Njegushit, paketimi dhe shpërndarja tani mbulohet plotësisht nga vetë shoqëria. Ata gjithashtu kanë dyfishuar numrin e ekipit të tyre nga katër në tetë dhe po planifikojnë ta rrisin më shumë. Ivani shpjegon se mbështetja e BE-së ishte kyçe në këtë histori suksesi. “Nëse nuk do të ishte mbështetja e BE-së nëpërmjet IPARD, ne do të ishim ende në vështirësi. Mbështetja e marrë nga IPARD na ka bërë më të pavarur dhe na ndihmoi që të merrnim në dorë fatin dhe suksesin e biznesit tonë”, shprehet ai.  

Rrugëtim nëpër trashëgiminë kulturore të Ballkanit Perëndimor

Një projekt i financuar nga BE-ja përkrah një mënyrë unike të promovimit të trashëgimisë kulturore në Ballkanin Perëndimor. Imagjinoni një rajon në të cilin mund të gjeni monumente nga Greqia e lashtë, perandoria romake dhe osmane, si dhe nga regjimet socialiste. Ky është vendi ku përzihen kulturat lindore me ato perëndimore, në ushqim, veshje tradicionale, gjuhë dhe veçori të tjera të trashëgimisë kulturore: ky është Ballkani Perëndimor. Një OJF nga Serbia, Shoqata Manifesto, bashkërisht me partnerët nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ka krijuar një mënyrë unike për promovimin e kësaj trashëgimie kaq pak të njohur. Koncepti i tyre novator i zhvilluar si pjesë e projektit të financuar nga BE-ja ‘Rrugëtim dhe Histori të Trashëgimisë’. Ata i sjellin vendet e trashëgimisë më pranë vizitorëve dhe rrisin interesin e siteve më pak të njohura përmes ndjekjes së metodave novatore të të treguarit për paraqitjen e fakteve, por edhe historisë gojore dhe legjendave urbane, dhe duke i promovuar ato nëpërmjet metodave bashkëkohore në internet, përfshirë mediat sociale dhe një aplikacion të posaçëm në telefon. Projekti përfshin promovimin e monumenteve nga Lufta e Dytë Botërore, përmes pallateve perandorake dhe vendbanimeve të lashta, duke shkuar deri te vendbanimet parahistorike të vendosura në peizazhe tërheqëse. Koncepti i Rrugëtimit nëpër Trashëgimi u prezantua fillimisht në Konventën Faro të Këshillit të Evropës për vlerat e trashëgimisë kulturore për shoqërinë, si praktikë e mirë për nismat e udhëhequra nga trashëgimia, të bazuara në komunitet. Ideja e projektit u zhvillua nga ky koncept, ku pjesëmarrësit njihen me skutat e fshehta të zonave pranë tyre përmes një historie interesante. Krahas tërheqjes së turistëve në pikat kulturore vendase, rrugëtimet nëpër trashëgimi tërheqin vizitorë për ofruesit vendas të shërbimeve, të gjithë të lidhur nëpërmjet një historie të caktuar.

“Në çdo muze ose institucion kulturor, ne kemi profesionistë të aftë në fushën e tyre të posaçme, si arkeologjia, antropologjia ose biologjia, por që nuk janë shumë të zotë në tregimin e historive. Ndaj, donim të ndiqnim një qasje të re”.

Një mënyrë tjetër të treguari  Ivan Svetozarevic është një Menaxher Projekti nga Shoqata Manifesto, që fitoi një grant për këtë projekt nga Projekti Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Ai shpjegon se ideja e projektit u zhvillua duke u bazuar në një sërë sfidash të caktuara me të cilat përballej industria e turizmit për promovimin e trashëgimisë kulturore. Sfida kryesore ishte mungesa e metodave tërheqëse të interpretimit dhe tregimit të historive për trashëgiminë kulturore në përgjithësi, dhe trashëgiminë kulturore në zonat rurale në veçanti. “Në çdo muze ose institucion kulturor, ne kemi profesionistë të aftë në fushën e tyre të posaçme, si arkeologjia, antropologjia ose biologjia, por që nuk janë shumë të zotë në tregimin e historive”, thotë ai. Projekti përzgjodhi tetë vendndodhje në tre vende të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihen Felix Romuliana në Serbi, fortesa mesjetare Svač në Malin e Zi, fortesa e Samoil-it në Maqedoninë e Veriut dhe të ngjashme, dhe u punësuan profesionistë për krijimin e historive bazuar në fakte, por edhe në historinë gojore dhe legjendat urbane, dhe zhvilluan një qasje unike ku historia vendoset në një kontekst më të gjerë. “Donim të ofronim një qasje të re të të treguarit të historive për trashëgiminë në Ballkanin Perëndimor, një produkt të ri”, thotë Ivan-i. Krahas kësaj, projekti zhvilloi vendkalime të posaçme përreth siteve. Këto vendkalime përfshijnë bizneset vendase, si dyqanet e vogla dhe restorantet, duke ofruar një mundësi për angazhimin dhe sigurimin e përfitimeve për komunitetet dhe bizneset vendase përreth siteve.

“Shumica e vizitorëve zgjedhin automatikisht qytezat dhe qytetet e mëdha kur bëhet fjalë për turizmin kulturor. Sitet e përzgjedhura nga projekti ynë ndodhen kryesisht në zona rurale, që tashmë përfitojnë ekonomikisht nga turizmi” 

Rreth projektit Projekti Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, ka vlerë 5 milionë euro. Ky projekt punon për zhvillimin dhe promovimin ndërkombëtar të ofertave të përbashkëta rajonale të turizmit kulturor dhe aventuresk, duke rritur numrin e turistëve që vizitojnë gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe duke zgjatur qëndrimin e turistëve në rajon. Shoqata Manifesto ishte ndër përfituesit e grantit në raundin e dytë të granteve të dhëna në muajin tetor 2019, me vlerë deri në 54,000 euro secili. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) është një nismë e bashkëfinancuar nga BE-ja, që promovon bashkëpunimin, pajtimin dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në rajon. Sitet e përzgjedhura janë nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Vendkalimet dhe historitë ngarkohen në faqen e internetit dhe aplikacionin në telefon të zhvilluar nga projekti, me qëllim që vizitorët të kenë mundësi t’i vizitojnë dhe shijojnë sitet në mënyrë të pavarur. Kështu, vizitorëve u jepet mundësia të kenë një përvojë ndërkufitare gjatë njohjes me trashëgiminë kulturore të promovuar nga projekti. Në këtë mënyrë, projekti kontribuon në promovimin e përbashkët të ofertës së turizmit kulturor rajonal, zgjat qëndrimin e vizitorëve në rajon dhe rrit të ardhurat dhe punësimin në industrinë e turizmit. Pjesa më e madhe e siteve të përzgjedhura nga projekti ndodhen në zona rurale dhe, sikurse shpjegon Ivan-i, “Shumica e vizitorëve zgjedhin automatikisht qytezat dhe qytetet e mëdha kur bëhet fjalë për turizmin kulturor. Sitet e përzgjedhura nga projekti ynë ndodhen kryesisht në zona rurale, që tashmë përfitojnë ekonomikisht nga turizmi”.

Mollët japoneze kthehen në “frutën tonë” në Malin e Zi

Një shoqëri malazeze gjen potencial rritjeje në bujqësi me mbështetjen e BE-së Mali i Zi është një importues neto i prodhimeve bujqësore dhe ushqimore. Megjithëse deficiti tregtar është reduktuar gjatë viteve të fundit, kërkimi nga Instituti për Studime Prospektive Teknologjike, i financuar nga BE-ja, tregon se një sërë elementesh vijojnë të ndikojnë te kjo situatë. Këtu përfshihen fermat e fragmentuara, vëllimet e ulëta të prodhimit parësor, një sektor përpunimi i pazhvilluar dhe nivelet e ulëta të aplikimit të teknologjive moderne të prodhimit. Potenciali për rritje në tregun bujqësor u pikas nga Veletex, një shoqëri malazeze që funksionon prej 30 vitesh dhe është e përfshirë në shpërndarjen ushqimore dhe shitjen me pakicë të produkteve të hortikulturës. Qendrat kopshtare Kalia të shoqërisë punësojnë mbi 40 agronomë.

“Nuk ekziston asnjë shoqëri apo institucion tjetër në Malin e Zi që punëson kaq shumë ekspertë në bujqësi. Kalia është edhe burimi i sigurimit të të gjitha lëndëve të para për prodhim bujqësor, çka ka ndihmuar”

Potencial për rritje Miloš Golubović është Menaxheri i Përgjithshëm i Veletex. Ai shpjegon se prodhimi bujqësor parësor ishte një përputhje e përshtatshme për biznesin e tyre. Sektori i shpërndarjes, që është sektori më i vjetër në këtë shoqëri, merret me shpërndarjen e ushqimeve, duke përfshirë frutat dhe zarzavatet, duke bërë që shoqëria të ketë partnerë dhe kontakte biznesi për shitjen e prodhimeve bujqësore. “Nuk ekziston asnjë shoqëri apo institucion tjetër në Malin e Zi që punëson kaq shumë ekspertë në bujqësi. Kalia është edhe burimi i sigurimit të të gjitha lëndëve të para për prodhim bujqësor, çka ka ndihmuar”. Kështu, Veletex ngriti një shoqëri të re, Naše Voće (“fruta jonë” në gjuhën malazeze), dhe bleu mbi 44 hektarë tokë bujqësore nga një ish-fermë shtetërore në zonën e Nikshiqit. Ndihmë për t’u zhvilluar Miloš shpjegon se të punuarit me teknologjitë moderne në rritjen e frutave kërkon hapësira më të mëdha pasi nevojitet një pjesë shumë e shtrenjtë infrastrukture, pavarësisht nëse ke një hektar apo 40 hektarë tokë. “E kam fjalën për sistemin qendror të vaditjes”. Investimi në këtë lloj teknologjie përbën sfidë të konsiderueshme, edhe për shoqëri të njohura si Veletex-i. Për këtë arsye, Naše Voće vendosi të aplikojë për mbështetje nga programi i BE-së, Instrumenti i Asistencës së Para – Aderimit për Zhvillim Rural (IPARD), që përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë në vendet në proces aderimi në BE. Përmes IPARD-it, shoqëria u mbështet për ngritjen dhe, më pas, zgjerimin e pemëtoreve me mollë dhe investimin në rrjetat kundër breshrit. Tashmë, me thirrjen e fundit për propozim, është nënshkruar një kontratë granti për ndërtimin e një stabilimenti për përpunimin dhe ruajtjen e frutave. “Me 2,500 metra katrorë, stabilimenti do të jetë një ndër më të mëdhenjtë në Malin e Zi”, thotë Miloš-i.

“Plani për zgjerim të mëtejshëm është për mollën e kuqe Red Delicious, por në katër hektarë do të kultivohet një varietet i ri – Fuji Japoneze – që është po ashtu një mollë e kuqe: një frutë e madhe, diçka krejtësisht e re për Malin e Zi”.

Rreth programit  Pjesë e Instrumentit të Asistencës së Para – Aderimit (IPA), i projektuar për të mbështetur reformat në vendet në proces aderimi në BE, Instrumenti i Asistencës së Para- Aderimit për Zhvillim Rural (IPARD) përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë në këto vende. Përmes këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë financiare dhe teknike për të bërë sektorin e tyre bujqësor dhe zonat rurale më të qëndrueshme dhe për t’i harmonizuar ato me politikën e përbashkët bujqësore të BE-së. Krahas kësaj, është nënshkruar dhe një kontratë granti për prodhim parësor me ndërtimin e një pemëtoreje shumëvjeçare me mollë. Investimi përfshin blerjen e fidanëve dhe një traktori. Mollët janë fruta kryesore me të cilën shoqëria po punon, për shkak se kushtet klimatike të luginës së Župa-s janë më të përshtatshme për rritjen e mollëve. Aktualisht, shoqëria rrit varietete të mollës së kuqe. “Plani për zgjerim të mëtejshëm është për mollën e kuqe Red Delicious, por në katër hektarë do të kultivohet një varietet i ri – Fuji Japoneze – që është po ashtu një mollë e kuqe: një frutë e madhe, diçka krejtësisht e re për Malin e Zi”, thotë Miloš-i.

Në rrugën e perandorëve romakë

Një projekt i financuar nga BE-ja po vendos në qendër të vëmendjes së vizitorëve trashëgiminë romake të Ballkanit Perëndimor. A e dinit se ndërmjet shekullit të dytë dhe të katërt, qendra politike e Perandorisë Romake nuk ishte në Romë, por në Ilirik? Ky ishte emri i trojeve që shtriheshin nga kufiri perëndimor i Greqisë moderne deri në Alpe në perëndim, dhe nga lumi Danub në veri deri në Detin Adriatik, duke përfshirë atë që sot e quajmë Ballkani Perëndimor. Vizitorët nuk e njohin të gjithë trashëgiminë e pasur romake të Ballkanit Perëndimor, por një projekt i financuar nga BE-ja po ofron një platformë digjitale për paraqitjen e siteve në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal i Zi dhe Maqedoni e Veriut, si dhe për tërheqjen e turistëve në rajon.

“Nëse vizitoni Dioklenë, pranë Podgoricës, për shembull, mund t’ju nevojitet dhe akomodim dhe ushqim dhe mund të dëshironi të vizitoni vende të tjera përreth. Ndaj, kemi përfshirë restorante, hotele dhe atraksione natyrore në paketë”. 

Roma e lashtë në realitet virtual  OJF-ja rajonale, Qendra e Danubit për Kompetencë (DCC) hapi me sukses Rrugën e Perandorëve Romakë dhe Verërave të Danubit, dhe u kontaktua nga rrjeti i bashkëpunimit i financuar nga BE-ja, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, për të krijuar një rrugë të ngjashme në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi ishte krijimi i një rruge në një pjesë më pak të njohur të gadishullit të Ballkanit për udhëtarët që dëshirojnë të provojnë diçka të re. Sipas DCC-së, anketat e kohëve të fundit tregojnë se rreth 40% e të gjitha udhëtimeve që lidhen me turizmin i përkasin kategorisë së turizmit kulturor. Megjithatë, Ballkani perëndimor dhe dega Illyricum e Rrugës janë ende relativisht të panjohura për operatorët turistikë evropianë dhe turistët. Danko Cosic është koordinatori i këtij projekti. Ai shpjegon se janë përzgjedhur nëntë site arkeologjike për t’u përfshirë në Rrugën Illyricum. Këto site përfshijnë qytetin e lashtë të Stobit në Maqedoninë e Veriut, Apoloninë dhe Butrintin në Shqipëri dhe Dioklenë në Malin e Zi. Projekti ka krijuar një paketë me guida virtuale për t’u njohur me të gjitha vendndodhjet e përfshira. Elementi kryesor i paketës prezantuese për çdo sit arkeologjik është një guidë virtuale, ku përfshihet dhe interpretim zanor. Por, sikurse shpjegon Danko: “Nëse vizitoni Dioklenë, pranë Podgoricës, për shembull, mund t’ju nevojitet edhe akomodim e ushqim, dhe nëse qëndroni më gjatë, mund të dëshironi të vizitoni vende të tjera përreth. Ndaj, kemi përfshirë restorante, hotele dhe atraksione natyrore në paketë”.

“Nëpërmjet këtij projekti, dëshirojmë ta sjellim trashëgiminë romake të Ballkanit Perëndimor, me të gjithë bukurinë e saj, në ekranet kompjuterike të njerëzve, dhe pse jo, t’i nxisim t’i vizitojnë lokacionet”.

Rreth projektit Projekti Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, ka vlerë 5 milionë euro. Ky projekt punon për zhvillimin dhe promovimin ndërkombëtar të ofertave të përbashkëta rajonale të turizmit kulturor dhe aventuresk, duke rritur numrin e turistëve që vizitojnë gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor (WB6) dhe duke zgjatur qëndrimin e turistëve në rajon. Në tetor të vitit 2019 u akordua raundi i dytë i granteve me vlerë deri në 54,000 euro secili. Qendra e Danubit për Kompetencë (DCC) është ndër 16 përfituesit e granteve nga raundi i dytë. Bashkarisht me paketat prezantuese për secilin sit, rruga do të jetë e disponueshme në faqen e internetit https://romanemperorsroute.org për vizitorët që dëshirojnë të eksplorojnë rajonin. Illyricum Trail do të transformohet në një platformë funksionale për promovim dhe bashkëpunim ndërmjet siteve kryesore të trashëgimisë dhe palëve të interesit, si organizatat dhe bizneset turistike. Sipas Danko-s, ndërmjetësit e udhëtimit, agjentët dhe operatorët turistikë janë ende me të vjetrën. Udhëtari bashkëkohor përzgjedh vendet që do të vizitojë dhe rezervon hotelin dhe fluturimin online. Vendndodhjet dhe vendet që dëshirojnë të bëhen ose të jenë konkurruese në treg do të duhet të kenë paketa të përparuara promovuese online. “Kjo është pikërisht ajo që po përpiqemi të bëjmë nëpërmjet këtij projekti. Ta sjellim trashëgiminë romake të Ballkanit Perëndimor, me të gjithë bukurinë e saj, në ekranet kompjuterikë të njerëzve, dhe pse jo, t’i nxisim t’i vizitojnë këto vende dhe të kalojnë kohë këtu”, thotë Danko.

Çiklizëm përgjatë historisë

Një projekt i financuar nga BE-ja po mbështet rikthimin e një hekurudhe shekullore për çiklizëm dhe turizëm në Bosnje dhe Hercegovinë. Në fund të shekullit të 19-të, Perandoria Austro-Hungareze nisi ndërtimin e një hekurudhe që do të lidhte qytetet kryesore të Bosnje dhe Hercegovinës qendrore. Punimet filluan në vitin 1891 dhe, brenda pak viteve, banorët e rajonit mund të udhëtonin me tren. Për pjesën më të madhe të popullsisë, kjo ishte një përvojë tërësisht e re. Udhëtimi me tren ishte edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të parë vendin teksa hekurudha përshkonte lugina malesh, kështjella mesjetare dhe peizazhe të bukura. Hekurudha funksionoi për thuajse 80 vjet, deri kur autoritetet e Jugosllavisë socialiste vendosën të ndalonin linjën, të mbyllnin stacionet dhe të hiqnin binarët e hekurudhës në vitin 1976. Arsyeja ishte ndërtimi i rrugëve të reja dhe rritja e numrit të mjeteve motorike dhe përdorimit të tyre.

“Njerëzit ishin të lidhur emocionalisht me këtë hekurudhë.

Rikthimi  Miroslav Matošević jeton në një nga periferitë e qytetit të Travnikut. Shtëpia e tij ndodhet pranë hekurudhës së vjetër dhe ai kujton kur ishte fëmijë dhe luante në binarët e hekurudhës dhe përreth stacionit të braktisur të trenit. “Njerëzit ishin të lidhur emocionalisht me këtë hekurudhë. Mbaj mend historitë që disa gra katolike nga rajoni vendosën shalle të zeza për muaj me radhë në shenjë zije kur u mbyll hekurudha. Sikur të ishte pjesëtar i familjes”, thotë ai. Miroslav është drejtori i Organizatës Turistike të Kantonit të Bosnjës Qendrore. Bashkërisht me kolegët dhe një organizatë partnere lider, Agjencinë e Zhvillimit REZ, ai ka ndërmarrë një nismë për rikthimin e hekurudhës së vjetër, por me një qëllim tjetër. Ata po punojnë për çeljen e një rruge çiklizmi 100 kilometra të gjatë përgjatë hekurudhës së vjetër dhe kanë aplikuar me sukses për mbështetje nga një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Qëllimi i projektit Rruga e Hekurudhës së Vjetër është zgjerimi i ofertës për turizmin në natyrë në rajon dhe mundësimi i qëndrimit më të gjatë për turistët që vizitojnë Bosnjën Qendrore gjatë verës. Paraqitja e rajonit Ky projekt përfshin shtrimin e një rruge biçikletash përgjatë hekurudhës së vjetër, promovimin ndërkombëtar të kësaj rruge dhe rajonit dhe rrjetëzimin me bizneset që ofrojnë shërbime në një sistem miqësor ndaj çiklizmit. Miro-s i pëlqen shumë nisma novatore e këtij përbërësi të tretë, që përfshin krijimin e një aplikacioni mobile miqësor ndaj biçikletave, që do të bëjë të mundur lidhjen e çiklistëve dhe bizneseve vendase, si restorante, hotele e të tjera. Në këmbim të pjesëmarrjes në aplikacion, bizneset do të zbatojnë standarde miqësore ndaj biçikletave, si hapësira për parkimin e biçikletave, hapësira ku çiklistët të mund të ndërrohen, dhe ulje tarifash për çiklistët.

“Është e pabesueshme sa shumë persona u lumturuan dhe na përgëzuan kur shpallëm nisjen e projektit.” 

Rreth projektit Rruga e Hekurudhës së Vjetër mbështetet përmes projektit EU4Business në BH të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë Gjermane, dhe zbatohet nga Agjencia për Zhvillim Rajonal (REZ), Shoqata Turistike e Kantonit të Bosnjës Qendrore dhe Nesa Sistem d.o.o. Travnik. EU4Business synon të stimulojë zhvillimin e sipërmarrjes, sektorët për eksport dhe turizmin dhe bujqësinë në Bosnje dhe Hercegovinë. Buxheti i përgjithshëm i financimit të EU4Business është 16 milionë euro dhe financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian (15 milionë euro) dhe Republika Federale e Gjermanisë (1.1 milionë euro). Projekti zbatohet bashkërisht nga GIZ, ILO dhe UNDP, dhe do të përfundojë deri në muajin mars 2022. Rruga do të ketë të njëjtën shtrirje si hekurudha e vjetër dhe do të kalojë pesë qyteza të Kantonit të Bosnjës Qendrore: Busovača, Donji Vakuf, Jajce, Travnik dhe Vitez. Çiklistët do të mund të ndalojnë dhe t’i vizitojnë këto qyteza, por edhe monumente të trashëgimisë kulturore, si kështjella mesjetare e Travnik-ut. “Është e pabesueshme sa shumë persona u lumturuan dhe na përgëzuan kur shpallëm nisjen e projektit”. Sigurisht, krahas përfitimit ekonomik, ekziston dhe një lidhje dhe kujesë emocionale”, thotë Miroslavi. Rruga e Hekurudhës së Vjetër mbështetet nga projekti EU4Business i Bashkimit Evropian dhe zbatohet nga Agjencia për Zhvillim Rajonal (REZ), Shoqata Turistike e Kantonit të Bosnjës Qendrore dhe Nesa Sistem d.o.o. Travnik.