Skip to main content

Area of Cooperation: Economy

Prezantimi hudhrës hercegovinase në botë

Nëpërmjet një projekti të financuar nga BE-ja, një kompani nga Bosnja dhe Hercegovina është kthyer në lider të tregut rajonal për prodhimin e hudhrës.

Mbi 300 ditë me diell në vit dhe toka e pasur me gëlqerorë janë vetëm disa prej tipareve që e shquajnë nga të tjerët terrenin përreth qytetit të Ljubinje-s në jug të Bosnjës dhe Hercegovinës. Shumë dekada më parë, fushat në Ljubinje ishin të mbjella me duhan hercegovinas, cilësia e të cilit siguronte një jetesë të përshtatshme për popullin e këtij rajoni. Megjithatë, për shkak të rënies së investimeve për industrinë vendase të duhanit, fermerëve iu desh ta diversifikonin produktin e tyre.

Kjo nuk ishte shumë e vështirë, duke qenë se toka është shumë pjellore. Ata u përqendruan te hudhra, e cila prej shekujsh, është prodhuar dhe përdorur në rajon, si për gatim, edhe për të luftuar sëmundjet. Mundësia për biznesin e hudhrës u vu re nga Farmavit-a, një kompani nga rajoni i Ljubinje-s që vendosi të provojë jo vetëm rritjen, por edhe përpunimin e këtij produkti, për ta shpërndarë më pas në tregje më të gjera.

“Analizat e kryera nga institucionet me famë botërore kanë treguar se, për nga vetitë dhe ndikimi që ka te shëndeti, hudhra hercegovinase renditet në pesë më të mirat në botë.”

Teknologji moderne për përmirësimin e prodhimit

Stefan Šalvarica është menaxheri përgjegjës për prodhimin dhe përpunimin e hudhrës në kompani, së cilës iu bashkua në vitin 2020. Kompania u themelua në vitin 2000 dhe në fillim, prodhonin kryesisht ushqim për gjedhët. Por, pasi panë mundësinë e prodhimit të një game më të gjerë kulturash, vendosën të provonin diçka më interesante dhe të përshtatshme për tregje më të mëdha. “Analizat e kryera nga institucionet me famë botërore kanë treguar se, për nga vetitë dhe ndikimi që ka te shëndeti, hudhra hercegovinase renditet në pesë më të mirat në botë,” thotë Stefani.

Sot, Farmavit-a është kompani lider për prodhimin e hudhrës në Bosnje dhe Hercegovinë. ata prodhojnë më së shumti për eksport, edhe në BE. Gjatë rrugëtimit të tyre drejt suksesit të arritur, ata u mbështetën edhe nga nisma EU4 Business, e financuar nga BE-ja dhe e vënë në zbatim nga PKBZh-ja. Nëpërmjet kësaj mbështetjeje, kompania i dha zgjidhje një problemi madhor me burimet e ngrohjes, si dhe me problemin me avullin e formuar në procesin e trajtimit termal të hudhrës, që e kishte vështirësuar prodhimin. “Falë ventilimit dhe ajrit të kondicionuar në ambientet tona, tanimë arrijmë ta largojmë avullin brenda pak minutave. Gjithashtu, në të shkuarën, një pjesë e madhe e punës bëhej me dorë, por tani, me ndihmën e makinerive të reja, proceset e mbushjes, etiketimit dhe mbylljes së kavanozave janë përmirësuar dhe përshpejtuar,” shpjegon Stefani.

Kompania zotëron plantacionet e veta të hudhrës, por në të njëjtën kohë blen sasi të caktuara nga nën-kontraktorët e saj në Hercegovinë.  Pas blerjes, hudhra dërgohet për analiza para se të kthehet në produkt të gatshëm për klientët në raftet e supermarketeve në Bosnje dhe Hercegovinë, me markën “Aromë Hercegovine”.

“Falë projektit EU4Business, ia kemi dalë të përmirësojmë kushtet e punës dhe prodhimin, të ulim shpenzimet dhe të ofrojmë produkte unike për klientët tanë. Duke qenë se kemi përmirësuar prodhimin e hudhrës, sasia jonë vjetore e prodhimit është rritur me 10 tonë.”

Lidhur me projektin

EU4Business është një projekt i BE-së që synon të rrisë kapacitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës për të fuqizuar ekonominë dhe punësimin, duke përqafuar konkurrencën dhe risinë në sektorët e përzgjedhur. Ka një buxhet prej 16.1 milionë eurosh: 15 milion euro, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe 1.1 milion euro nga Republika Federale e Gjermanisë.

EU4Business është pjesë e Strategjive për Zhvillim Vendor – Vetëqeverisje Vendore dhe Zhvillim Ekonomik në Bosnje dhe Hercegovinë të Programit të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ).

Stefan shpjegon më tej se, prodhojnë gjithashtu edhe puré dhe marinada që përmbajnë hudhër me erëza, vaj ulliri dhe vaj luledielli. Për më tepër, falë projektit EU4Business, tanimë ata prodhojnë të ashtuquajturën hudhër të zezë. Hudhra e zezë është rezultat i fermentimit të hudhrës së freskët. Në këtë proces të përshpejtuar vjetrimi, hudhra ndryshon ngjyrën, karamelizohet dhe vetitë e saj theksohen. Kjo lloj hudhre vlerësohet shumë në tregun botëror dhe me blerjen e makinerisë së fermentimit falë mbështetjes së BE-së, kompania Farmavit u bë prodhuesi i vetëm i kësaj lloj hudhre në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Falë projektit EU4Business, ia kemi dalë të përmirësojmë kushtet e punës dhe prodhimin, të ulim shpenzimet dhe të ofrojmë produkte unike për klientët tanë. Duke qenë se kemi përmirësuar prodhimin e hudhrës, sasia jonë vjetore e prodhimit është rritur me 10 tonë,” thotë Stefani.

Përveç planeve për marinada të reja dhe futjen e hudhrës së zezë dhe asaj të freskët në tregun ndërkombëtar, kompania Farmavit  vijon të investojë për plane madhore, për të ruajtur pozicionin e tyre si lider i tregut. “Kemi investuar fonde tona shtesë për të blerë pajisje që do të na ndihmojnë për prodhimin e kapsulave të xhelatinës, të mbushura me ekstrakt hudhre. Do të bëhemi kompania e parë në rajon që prodhon suplemente dietike të këtij lloji,” thotë Stefani, i kënaqur.

Kompania Farmavit  u mbështet nëpërmjet projektit EU4Business me 150,000 BAM, ndërkohë që vlera e investimit arriti një total prej 300,000 BAM.

RCC organizon konferencën ministrore të Ballkanit Perëndimor për zhvillimin turistik

Më 12 maj, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) organizoi një konferencë ministrore në Tiranë rreth zhvillimit turistik në Ballkanin Perëndimor. Eventi mblodhi ministrat e Ballkanit Perëndimor përgjegjës për turizmin, përfaqësues të Komisionit Evropian dhe grupe të tjera të rëndësishme interesi në sektorin e turizmit. Nën moton ” Të heqim Pengesat për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizmit” eventi shërbeu si një forum diskutimi për temat me rëndësi për turizmin rajonal.

 

Eventi u çel nga Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Majlinda Bregu; Ministren e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro; Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dhe Shefi i Delegacionit Evropian në detyrë në Shqipëri, Alexis Hupin. Ndër panelistët e katër paneleve tematike ishin Tatjana Matić, Ministre e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë; Kreshnik Bekteshin, Ministër i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut; Stasha Kosharac, Ministër i Tregtisë me Jashtë dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnje dhe Hercegovinës; Rozeta Hajdarin, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës; dhe Aleksandra Gardašević-Slavuljica, drejtore e përgjithshme në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit të Malit të Zi.

 

Një event dytësor lidhur me temën “Mësimi i sfidave aktuale në industrinë e turizmit” do të zhvillohet më 13 maj duke mbledhur operatorët turistikë të Ballkanit Perëndimor, politikëbërësit dhe organizatat kombëtare të turizmit, të cilët do të diskutojnë sfidat e industrisë së turizmit dhe rrugën përpara në përmirësimin e ofertës turistike të rajonit.

Ballkani Perëndimor feston Ditën e Evropës

Si çdo vit prej më shumë se dy dekadash, Dita e Evropës u festua në të gjithë Ballkanin Perëndimor më 9 maj. Qytetarët mund të shijonin aktivitete të tilla, si koncerte me muzikë live, ekspozita arti dhe sporte. Ambasadorët e Rinj Evropianë ishin edhe ata pjesë e aktiviteteve të Ditës e Evropës nëpër qytetet e Ballkanit Perëndimor, duke kontribuar nëpërmjet seminareve, diskutimeve dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese që përfshinin tema të tilla, si të drejtat e njeriut, e ardhmja digjitale dhe e gjelbër, ndërtimi i paqes dhe barazia gjinore.

Dita e Evropës përkujton firmosjen e ‘Deklaratës Shuman’ në 9 maj1950. Ky ishte një plan ambicioz për të siguruar paqen afatgjatë në Evropën e pasluftës dhe konsiderohet si fillimi i atij që sot quhet Bashkimi Evropian. Në një fjalim në Paris në 1950, ministri i atëhershëm i punëve të jashtme të Francës, Robert Schuman, hodhi idenë e tij për një formë të re bashkëpunimi politik në Evropë, qe do ta bënte të pamendueshme luftën mes kombeve të Evropës. Kjo ditë është një mundësi për të kujtuar deklaratën e Shumanit, dokumentin e parë bazë të krijimit të BE-së së sotme, bashkë me festimin e vlerave evropiane.

BE dhe EBRD shtojnë financimet e reja për bizneset në Serbi

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME-të) në Serbi do të përfitojnë nga financimi i ri nga Bashkimi Evropian dhe European Bank for Reconstruction and Development (EBRD), të disponueshme nëpërmjet Intesa Leasing.

 

Një linjë e re e kredisë prej 5 milionë euro do të huazohet nga Intesa Leasing tek firmat serbe në formën e qirasë për pajisjet dhe automjetet, duke u mundësuar atyre të investojnë në standardet dhe proceset e tyre të punës dhe të bëhen më konkurruese në tregjet lokale dhe të BE-së. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të kenë mundësi të marrin subvencione nga Bashkimi Evropian deri në 15% të shumës totale të qirasë.

 

Qëllimi i financimit është të inkurajojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të investojnë në përmirësime në tre fusha kryesore: mbrojtjen e mjedisit, shëndetin dhe sigurinë dhe cilësinë e produktit. Një fokus i veçantë do të jenë investimet në teknologji më të gjelbra, për të ndihmuar SME-të të përshtaten me standardet mjedisore të BE-së dhe të përmirësojnë efikasitetin e tyre energjetik me të paktën 60% të të gjitha qerave që mbështesin masat e kursimit të energjisë.

 

Struktura e re është pjesë e Western Balkans SME Competitiveness Support Programme, në të cilin Bashkimi Evropian kontribuon me pagesa stimuluese dhe ndihmë teknike dhe EBRD jep kredi. Qëllimi është të ndihmojë SME-të të modernizojnë aktivitetet e tyre dhe të përfitojnë nga mundësitë tregtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në tregun më të gjerë evropian.

EIB mbështet Ballkanin Perëndimor në zgjidhjen e krizës aktuale

Në fund të prillit, European Investment Bank (EIB) bashkëorganizoi  konferencën e tetë ‘International Research Conference on Building Resilience in Times of Crisis: The Role of Policies.’ Konferenca u organizua në bashkëpunim me Bankën Kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe u mbajt në 30-vjetorin e sovranitetit monetar të Maqedonisë së Veriut. Eventi trajtoi sfidat aktuale, pasiguritë që rrjedhin nga rregullimet e politikave pas pandemisë dhe reagimi politik i nevojshëm për të adresuar goditjet në rritje në mallra dhe energji të shkaktuara nga lufta në Ukrainë. Ajo ilustron bashkëpunimin e përforcuar të EIB – krahu huadhënës i Bashkimit Evropian – me partnerët e saj në Maqedoninë e Veriut dhe mbështetjen që Banka ka dhënë për stabilitetin ekonomik të vendit dhe procesin e integrimit në BE për më shumë se 40 vjet.  
Zëvendëspresidentja e EIB-së, Lilyana Pavlova, theksoi se si banka e BE-së, EIB-ja është e gatshme të mbështesë rajonin e Ballkanit Perëndimor në kapërcimin e sfidave aktuale. “Përveç financimit të ndërtimit të rrjeteve më të sigurta dhe të ndryshme të energjisë, ne po ndihmojmë rajonin të rrisë rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike dhe të zhvillojë projekte të reja të qëndrueshme në kuadër të European Commission’s Economic and Investment Plan për Ballkanin Perëndimor. Vitin e kaluar, EIB dha 257 milionë euro për të mbështetur dekarbonizimin dhe tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër në rajon”, tha ajo.  
Konferenca ndërkombëtare mirëpriti mbi 40 pjesëmarrës, duke përfshirë guvernatorë dhe anëtarë të bordit të bankave qendrore, zyrtarë të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe përfaqësues të komunitetit akademik rajonal dhe ndërkombëtar.

1.9 milion € për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë

Një thirrje e dytë publike për përmirësimin e bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut u prezantua në një konferencë online nga përfaqësues të Ministrisë së Serbisë për Integrime Evropiane, Struktura Operative e Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Serbi – Maqedoni e Veriut 2016-2020 , dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të Serbisë.

 

Zëvendësministri i Serbisë për Integrime Evropiane, Mihajilo Dashiq, tha në konferencën online se Programi Serbi – Maqedonia e Veriut ka mundësuar ngritjen e kapaciteteve ekzistuese dhe ka hapur rrugën për bashkëpunimin që kishte munguar, duke përmirësuar cilësinë e jetës në vend dhe në kufi. fusha nëpërmjet aplikimit të zgjidhjeve inovative dhe të qëndrueshme për çështjet e përbashkëta.

 

Konferenca përfshinte prezantimin e shtatë projekteve që u realizuan në kuadër të thirrjes së parë, si “Farat e përfshirjes – ndërmarrje sociale për zhvillim ekonomik dhe përfshirje sociale”, “Përmirësimi dhe mbrojtja e shëndetit të njeriut dhe mjedisit duke ulur rrezikun e ndotjes përmes efikasitetit. menaxhimin e mbetjeve” dhe “Më pak mbeturina, më pak rreziqe, shëndet më i mirë”.

 

Propozimet e projektit për ciklin e dytë të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Serbi – Maqedoni e Veriut, i cili parashikon pothuajse 1.9 milionë euro për promovimin e punësimit, lëvizshmërinë e punëtorëve, përfshirjen sociale dhe kulturore, si dhe zhvillimin e turizmit, kulturor dhe trashëgimisë natyrore të dy vendeve, mund të dorëzohet deri më 8 qershor.

Rikthimi i qëndisjes me ar

Sipërmarrja moderne e femrave dhe një mjeshtëri e lashtë malazeze po ndërthuren me mbështetjen e BE-së.

Qëndisja malazeze me ar është përdorur në kostumet tradicionale prej më shumë se tre shekujsh, por rrezikohej të harrohej krejtësisht për shkak të ndryshimeve të shijeve dhe të një ndërprerjeje në kalimin e mjeshtërisë nga brezat e vjetër tek ata më të rinj. Një arsye tjetër ishte sepse edhe kur njerëzit dëshironin sende të qëndisura me ar, zbukurimi me ar i kostumeve kombëtare apo këmishëve prej mëndafshi, të cilat edhe të pastolisura kishin shpenzime të mëdha, ishte shumë i shtrenjtë.  Sidoqoftë, kohët e fundit mjeshtëria është nxitur nga nisma e një organizate malazeze për shoqërinë civile dhe nga mbështetja e Bashkimit Evropian.

Biserka Raičević është rreth të gjashtëdhjetave dhe i përket një familje malazeze që ruan traditat, veçanërisht ato të lidhura me artizanatin. Edhe pse punoi si ekonomiste për pjesën më të madhe të jetës, ajo vazhdoi të praktikonte, gjatë kohës së lirë, edhe artizanatin tradicional që kishte mësuar gjatë viteve të vajzërisë.  Sidoqoftë, ajo nuk e kishte provuar kurrë më parë qëndisjen me ar, kulmin e traditës artizanale malazeze. Kjo gjë ndryshoi kur ajo iu bashkua punishtes së ngritur me mbështetjen e projektit ReLoAD, të financuar nga BE-ja.

“Qëndisja me ar kërkon shumë durim dhe mjeshtëri tepër të veçanta e të vështira.”

Ringjallja e metodave të harruara

Biserka shpjegon se dëgjoi për punishten nga bashkëshorti i saj, i cili e kishte parë lajmërimin në rrjetet sociale dhe duke e ditur dashurinë e saj për artizanatin, e nxiti drejt kësaj mundësie. Ajo nuk ishte e sigurt nëse duhet të aplikonte, duke qenë se qëndisja me ar është shumë e vështirë por edhe e shtrenjtë, për shkak të përdorimit të fijeve të arit. Sidoqoftë, e mori këtë vendim, e nxitur nga një ndjesi respekti dhe dashurie të madhe për traditën, edhe pse përvoja i mësoi që qëndisja me ar kërkon “shumë durim dhe një mjeshtëri tepër të veçantë e të vështirë”, sikurse thotë ajo.

Trajnimi u organizua nëpërmjet projektit të  financuar nga BE-ja “Ruajtja dhe zhvillimi i mjeshtërisë tradicionale malazeze – qëndisja me ar” dhe përfshiu gra të moshave dhe prejardhjeve të ndryshme sociale. Ekspertë më të vjetër të zejes punuan si trajnues për të transmetuar diturinë e tyre. Krahas trajnimit, projekti përfshiu gjithashtu edhe mbështetje për komunikimin dhe krijimin e një plani marketingu për të promovuar qëndisjen me ar, si dhe nxjerrjen në treg të një botimi që jep detaje për historinë dhe rëndësinë e kësaj mjeshtërie.

“Ky trajnim ishte frymëzim shumë i madh për mua. “

About the project

The “Preservation and development of the traditional Montenegrin craft – gold embroidery” project is implemented by the Institute for Entrepreneurship and Economic Development in cooperation with the Association of arts and crafts NIT. The project was supported by the Regional Programme for Local Democracy (ReLOaD), funded by the European Union and implemented by the United Nations Development Programme.

The project aims to promote Montenegrin gold embroidery through the development of a marketing plan, improving the economic and social status of women through sharing gold embroidery skills, and popularising gold embroidery through cooperation with fashion designers.

“Ky trajnim ishte frymëzim shumë i madh për mua.” thotë Biserka, dhe, me aftësitë që kishte fituar nga projekti, vendosi të hapte një biznes të vogël, për t’ua treguar dhe vënë në dispozicion sa më shumë njerëzve këto krijime të bukura. Dizenjot me qëndisma të arta janë thelbësore për shumicën e produkteve në biznesin e saj, RB Ethno Fashion Hand Made, përfshirë edhe sendet për përdorim të përditshëm, si çantat, shallet, apo maskat.

Përveç aktiviteteve të prodhimit dhe shitjeve, Biserka ka ngritur edhe punishte falas, ku ndihmon për transmetimin e kësaj mjeshtërie grave të tjera të komunitetit të saj. “Unë besoj se kjo traditë duhet të mbijetojë, prandaj interesohem që këtë metodë ta mësojnë sa më shumë të rinj,” thotë ajo.

Një recetë e vjetër djathi bie në duart e klientëve të rinj

Djathëbërësit nga Bosnia dhe Hercegovina shtojnë prodhimin e tyre dhe fuqinë punëtore me anë të mbështetjes së BE-së.

Kur Tomislav Puđa ishte 20 vjeç, babai i tij ndërroi jetë, kështu që ai mori përsipër të vijonte traditën familjare të bërjes së djathit. Familja Puđa është specialiste për prodhimin e djathit Livno, i cili është një djathë i fortë i bërë nga qumështi i lopës, i deles apo nga përzierja e të dyve. Djathi vjetrohet në mënyrë natyrale nën lëkurën e tij në një kallëp në formë rrote, për të paktën 60 ditë dhe merr një shije të theksuar, e cila mund të jetë paksa e hidhur. Receta u fut në rajonin e Livnos për të kënaqur shijet e fisnikërisë perandorake në kohën e sundimit Austro-Hungarez.

“Babai im gjithmonë e ka pasur ëndërr të zgjeronte biznesin dhe të kishte një baxho të vogël. Unë dhe vëllai im vendosëm ta bëjmë këtë ëndërr realitet.”

Nga një artizanat djathi në një ndërmarrje të madhe

Gjyshi dhe gjyshja e Tomislavit e prodhonin djathin në sasi të vogla në qilarin e tyre. Në vitet 1970, ata vendosën ta tregtonin këtë produkt dhe ta shisnin në rajonet turistike përgjatë bregut Adriatik. Edhe pse sasitë nuk ishin të mëdha, shitjet mjaftonin për të mbajtur familjen. Babai i Tomislavit e vazhdoi këtë traditë dhe Tomislavi e ndihmonte.

“Babai im gjithmonë e ka pasur ëndërr të zgjeronte biznesin dhe të kishte një baxho të vogël. Unë dhe vëllai im vendosëm ta bëjmë këtë ëndërr realitet”- thotë Tomislavi.

Baxhoja Puđa Eco Cheese u themelua në vitin 2003 dhe që atëherë, e ka zgjeruar aktivitetin. Sot, baxhoja prodhon mbi dhjetë lloje djathërash dhe ka fituar disa çmime ndërkombëtare për cilësi, ndër të cilat spikat një medalje ari nga Panairi Ndërkombëtar i Djathit i zhvilluar në Austri në vitin 2014.

Në vitin 2019, e shtyrë nga ideja e modernizimit të procesit të prodhimit dhe fuqizimit të pozicionit të baxhos në tregun vendas dhe të huaj, ndërmarrja Puđas iu përgjigj një thirrjeje publike për grante, të publikuar në projektin EU4Business, financuar nga BE-ja dhe qeveria gjermane dhe e vënë në zbatim nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe organizata gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar, GIZ. Falë projektit EU4Business, baxhoja i zëvendësoi fuçitë e vjetruara të djathit me të tjera, më të reja dhe moderne, mori makineri për prerje dhe peshim dhe rafte të reja në ambientet e vjetrimit dhe instaloi sisteme për ruajtjen e mikroklimës në baxho. Rikonstruksioni ka kontribuar gjithashtu për cilësinë e përgjithshme të procesit të prodhimit në baxho.

Vlera totale e këtij investimi shkon mbi 380,000 euro, nga të cilat, 150,000 euro u ofruan nga Bashkimi Evropian në formën e granteve. Pajisjet moderne kanë përmirësuar cilësinë dhe procesin e punës, kanë ulur shpenzimet e prodhimit dhe gjithashtu kanë kontribuar për rritjen e produktivitetit. “Teknologjia moderne ka minimizuar gabimet, gjë që është shumë e rëndësishme për sa i përket ruajtjes së cilësisë. Diçka që vumë re menjëherë ishte se pajisjet e reja e shfrytëzojnë më mirë qumështin, gjë që do të thotë se sot ne përftojmë më shumë djathë nga e njëjta sasi qumështi. Si rezultat, konkurrenca e tregut tonë është përmirësuar mjaft,”- thotë Tomislavi. Përmirësimet e arritura nëpërmjet projektit EU4Business krijojnë gjithashtu mundësi të tjera për zgjerimin e prodhimit dhe tregtimit të djathit jashtë kufijve të Bosnie dhe Hercegovinës.

“Njerëzit janë pasuria jonë më e madhe. Në sajë të makinerive të reja, punëtorët tanë kanë kushte më të mira pune dhe mund të punojnë më shpejt e më lehtë.”

Lidhur me projektin

EU4Business është një projekt i BE-së që synon të fuqizojë kapacitetin e Bosnies dhe Hercegovinës për rritjen ekonomike dhe punësimin, duke nxitur konkurrencën dhe risinë në sektorët e përzgjedhur. Ky projekt ka një buxhet prej 16.1 milion eurosh: 15 milion euro të financuara nga Bashkimi Evropian dhe 1.1 milion euro nga Republika Federale e Gjermanisë.

EU4Business është pjesë e Strategjive për Zhvillim Vendor – Vetëqeverisje Vendore dhe Zhvillim Ekonomik në Bosnie dhe Hercegovinë të Programit të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ).

Në baxho punojnë gjithsej rreth 40 persona, duke përfshirë këtu edhe shtatë të punësuar falë investimit të EU4Business. Punëtorët e rinj rritën nivelet e prodhimit, por siguruan edhe një cilësi më të mirë të kontrollit të produkteve. Siç thotë Tomislavi, “Njerëzit janë pasuria jonë më e madhe. Në sajë të makinerive të reja, punëtorët tanë kanë kushte më të mira pune dhe mund të punojnë më shpejt e më lehtë.

4.65 milionë euro në mbështetje të sipërmarrjeve në komunitetet rome

Fondi Evropian i Investimeve (FEI) ka nënshkruar një marrëveshje garancie me REDI Economic Development S.A. duke vënë në dispozicion 4.65 milion euro për sipërmarrësit që operojnë në komunitetet rome në Rumani, Bullgari, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo nismë, e mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe e ofruar në kuadër të Programit të BE-së të Punësimit dhe Inovacionit Social, do të sigurojë financimin e më shumë se 300 bizneseve të vogla dhe krijimin e të paktën 1000 vendeve pune.  
Fondet do të vihen në dispozicion për mikro-bizneset aktive në komunitetet e margjinalizuara rome, të cilat do të jenë në gjendje të marrin kredi deri në 25,000 euro. Krahas mbështetjes financiare, REDI do të ofrojë edhe asistencë teknike për sipërmarrësit si dhe do të mbështesë mbulimin e këtyre komuniteteve rome. Ky është instrumenti i parë financiar i BE-së që synon veçanërisht komunitetet rome, duke siguruar mundësi punësimi gjithëpërfshirëse.

Më merr për dore

Me anë të mbështetjes së BE-së, një sipërmarrës fillestar ka krijuar një “dorezë-smart” për të rritur pavarësinë e njerëzve me dëmtime shikimi.

Nikola Krstić është një sipërmarrës i ri nga Serbia, shpikja e të cilit ka bërë bujë të madhe kohët e fundit në tregun ndërkombëtar. Në më pak se dy vjet, Nikola që ishte nxënës në shkollë të mesme arriti të bëhej CEO i një kompanie. Shpikja e tij është një “dorezë-smart”, nëpërmjet së cilës, njerëzit e verbër dhe pjesërisht të verbër mund të orientohen, të njohin ngjyrat, kartëmonedhat dhe objekte të tjera, si dhe të japin sinjale me anë të të cilave, miqtë apo gardianët mund të ndjekin lëvizjet e tyre.

Historia e kësaj shpikjeje nis në kohën kur Nikola ishte akoma në shkollë të mesme dhe mori pjesë në një konkurs ku të rinjtë mund të formulonin dhe të propozonin ide inovative biznesi. Shpikja e tij u frymëzua nga fakti që ai kishte dëmtim shikimi në një sy. “Ideja në vetvete ishte shumë spontane, pasi e kisha pasur këtë problem që nga lindja,”- thotë Nikola.

“Formulimi i idesë ishte vetëm fillimi. Kishim ende një rrugëtim të gjatë përpara”

Një mbështetje e domosdoshme

Sidoqoftë, në botën e startup-eve, nuk mjafton kurrë vetëm të kesh një ide rreth asaj që dëshiron të bësh dhe njohuri bazë se si ta bësh realitet. “Formulimi i idesë ishte vetëm fillimi. Kishim ende një rrugëtim të gjatë përpara,”- thotë Nikola. Ai dhe ekipi i tij kishin nevojë për mbështetje për sa i përket ekspertizës dhe financimit për ta zhvilluar më tej idenë.

Potenciali i idesë së Nikolës u vu re nga Fondi për Inovacion në Serbi që, nëpërmjet Programit për Zhvillim të Hershëm me financim nga Bashkimi Evropian, mbështeti zhvillimin e produktit novator, të cilin Nikola e titulloi Anora.

Nikola shpjegon se fondet janë përdorur kryesisht për të krijuar pjesët fizike të dorezës, pajisjet kompakte elektronike të së cilës ofrojnë të gjitha funksionet e nevojshme për përdorim të përditshëm nga një i verbër. Gjithashtu patën mundësi të investonin më shumë për modelimin e dorezës dhe si rezultat, tanimë kanë një model të thjeshtë, ndërtuar me një material cilësor, i cili, pavarësisht përdorimit të përditshëm, mund të rezistojë për shumë vjet. “Mjetet më të rëndësishme, si pjesët fizike dhe modeli i dorezës, u mundësuan nëpërmjet mbështetjes së BE-së,”- thotë ai.

Doreza përmban dhjetë funksione themelore. Ndër to  është identifikimi i objekteve në hapësirë dhe kthimi i sinjaleve me dridhje, bazuar në largësinë e objekteve, njësoj si një radar. Për më tepër, doreza identifikon ngjyrat, kartëmonedhat dhe të tregon datën e orën. Ajo gjithashtu ndihmon për orientimin dhe nëse personat që e kanë veshur humbasin rrugën, doreza u dërgon vendndodhjen e tyre miqve ose kujdestarëve.

“Mbështetja nga BE-ja ishte thelbësore, duke qenë se më parë isha thjesht një maturant, por tani jam drejtues i një kompanie që po krijon një produkt të domosdoshëm që do të njihet botërisht.”

Lidhur me projektin

Serbia është një ndër vendet e para në rajon që ka përqafuar të ashtuquajturën nevojë të domosdoshme për inovacion– idenë që pjesëmarrja e suksesshme në ekonominë botërore, bazuar te njohuria, ka nevojë për aftësinë për të përshtatur dhe përmirësuar kapacitetet teknologjike dhe studimore nëpërmjet bashkëpunimit të sektorit publik dhe atij privat. Fondi i saj për Inovacion, i cili ka qenë aktiv që nga viti 2011, është pioner për zbatimin institucional të kësaj nevoje, kryesisht duke rritur kapacitetin e startup-eve dhe të burimeve të disponueshme për rritjen e tyre.  Që kur Fondi nisi operimin në vitin 2011, Bashkimi Evropian i ka dhënë një shtysë të madhe financimit të inovacionit në Serbi dhe fuqizimit të lidhjeve ndërmjet sektorit privat dhe atij të kërkimit. Deri më tani, Instrumenti i Para-anëtarësimit (IPA) ka caktuar fonde me vlerë 17 milion euro për këto programe.

Kompania Anoris Technology, nën drejtimin e Nikolës ka lidhur marrëveshje për prodhimin dhe shpërndarjen e dorezës-smart Anora në ShBA dhe, së shpejti, po planifikojnë të hapin atje një filial të kompanisë. Gjithashtu, po zhvillohen komunikime dhe koordinime me partnerët në shtetet e BE-së.

Nikola shpjegon se strategjia e tyre është ofrimi falas i produktit për përdoruesit përfundimtarë, me shpenzime të mbuluara nga bizneset me përgjegjësi publike, organizatat e ndihmës, apo institucionet qeveritare. Me mbështetjen e qeverisë, në Serbi janë gati të shpërndajnë falas rreth 5,000 doreza. Sipas Nikolës, asgjë prej këtyre nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e Evropës. “Mbështetja nga BE-ja ishte thelbësore, duke qenë se më parë isha thjesht një maturant, por tani jam drejtues i një kompanie që po krijon një produkt të domosdoshëm që do të njihet botërisht,”- thotë ai.