Skip to main content

Area of Cooperation: Economy

Qendrat e reja evropiane të inovacionit digjital do të nxisin transformimin digjital në të gjithë Ballkanin Perëndimor

Që nga janari i vitit 2025, Rrjeti i Qendrave Evropiane të Inovacionit Digjital (EDIH) është zgjeruar për të përfshirë qendra të reja në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Zgjerimi i rrjetit është pjesë e Planit më të gjerë të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, që synon të ndihmojë rajonin të integrohet në Tregun e Përbashkët Digjital të BE-së. Duke iu bashkuar Rrjetit EDIH, përfituesit në rajonin e Zgjerimit fitojnë qasje të hershme në mjetet digjitale, platformat e ndarjes së njohurive dhe mundësitë e financimit edhe para anëtarësimit formal në BE. Përfitimet do të jenë të prekshme, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, startup-et dhe institucionet publike që përpiqen të arrijnë transformim digjital dhe të gjelbër.

“I ndihmojmë si institucionet publike ashtu edhe bizneset të përdorin mjete digjitale për të zgjidhur probleme të vërteta, si përmirësimi i shërbimeve për arritjen e tregjeve të reja. Po ua lehtësojmë atyre lidhjen dhe punën përtej kufijve, ashtu siç është paraparë të bëjë tregu i vetëm digjital”, thotë Prof. Dr. Slavica Tomović, Profesoreshë Asistente në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Malit të Zi. Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm për përpjekjet e transformimit digjital të Bashkimit Evropian në rajonin e Zgjerimit dhe hap mundësi të reja emocionuese për bizneset lokale, institucionet publike dhe startup-et që të bëhen pjesë e ekosistemit digjital në lulëzim të Evropës.

Qendrat Evropiane për Inovacion Digjital (EDIH) veprojnë si qendra të vetme që ndihmojnë kompanitë dhe organizatat e sektorit publik të përgjigjen ndaj sfidave digjitale dhe të rrisin konkurrueshmërinë e tyre. Ato ofrojnë një gamë shërbimesh përfshirë qasje në ekspertizë teknike, trajnim dhe zhvillim të aftësive, këshilla mbi financim dhe mundësi për të “testuar para se të investoni” në teknologjitë digjitale. Për më tepër, mbështesin tranzicionin e gjelbër duke i ndihmuar organizatat të zbatojnë praktika digjitale të qëndrueshme dhe rrethore.

Të mbështetur nga Programi i Evropës Digjitale (DEP), EDIH-të bashkëfinancohen—50% nga DEP kurse pjesa tjetër mbulohet nga burime kombëtare, rajonale ose private. Misioni i tyre është të sigurojnë që asnjë rajon të mos mbetet prapa në epokën digjitale.

Në Maqedoninë e Veriut, INOFEIT EDIH është Qendra e parë zyrtare Evropiane për Inovacion Digjital në vend. E ndërtuar mbi themelet e forta të INNOFEITDIH, bashkon akademinë, industrinë, shoqatat afariste dhe palët e interesuara publike. Gjatë katër viteve të ardhshme, INOFEIT EDIH do të ofrojë shërbime digjitale falas me vlerë 2 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe organizatat e sektorit publik me shërbimet e saj kryesore.

“Në peizazhin digjital të sotëm që evoluon me shpejtësi të madhe, të qëndruarit në hap me teknologjitë më të fundit është thelbësore për bizneset dhe organizatat publike. Integrimi i Maqedonisë së Veriut në Rrjetin e Qendrave të Inovacionit Digjital të BE-së përmes INNOFEIT EDIH ofron një mundësi unike për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe OSP-të për të rritur konkurrueshmërinë e tyre dhe për të nxitur progresin shoqëror”, thotë Dimitar Taskovski nga INNOFEIT i Maqedonisë së Veriut.

Në Kosovë, konsorciumi që menaxhon projektin DIG-4K përbëhet nga disa akterë të cilët përfaqësojnë shoqërinë civile, sektorin afarist dhe atë akademik, Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) si Partner Kryesor dhe Edutask; Qendrën e Inovacionit Makerspace në Prizren, Universitetin UBT, Universitetin Ukshin Hoti, QUANTIX, ALT SHPK, CACTTUS Education si partnerë zbatues dhe Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës dhe Rrjetin e Kërkimit dhe Arsimit të Kosovës (KREN) si partnerë shoqërues.

“Integrimi i Kosovës në Rrjetin e Qendrave të Inovacionit Digjital të BE-së (EDIH) ofron mundësi transformuese për bizneset, institucionet arsimore dhe palët e interesuara të sektorit publik. Nëpërmjet projektit DIG-4K, përfituesit do të fitojnë qasje në ekspertizë, burime dhe fonde për të përshpejtuar transformimin digjital”, thotë Arsim Nimanaj nga GIZ Kosova, duke dhënë më tej informacione konkrete se si përfituesit do të përfitojnë nga ky anëtarësim, “Shërbimet këshillimore do të ndihmojnë bizneset dhe institucionet të zbatojnë strategji digjitale, të optimizojnë proceset dhe të rrisin konkurrueshmërinë. Akademia e Aftësive Digjitale do të kapërcejë boshllëqet e aftësive përmes trajnimeve, certifikimeve dhe punëtorive praktike, duke siguruar një fuqi punëtore të gatshme për të ardhmen. Laboratori i Qasjes dhe Testimit Teknologjik do të ofrojë hapësirë ​​për inovacion, duke u mundësuar bizneseve të prototipojnë dhe testojnë IA-në, sigurinë kibernetike dhe teknologjitë e gjelbra. Financimi dhe mbështetja e investimeve do t’i udhëzojnë palët e interesuara në sigurimin e burimeve financiare, duke rritur aftësinë e tyre për të zhvilluar dhe mbështetur projekte. Rrjetëzimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar do të hapin qasje në tregjet dhe partneritetet globale, duke forcuar ekosistemin digjital të Kosovës. Përveç kësaj, përpjekjet për të shkallëzuar dhe mbështetur zgjidhje të suksesshme digjitale do të sigurojnë ndikim afatgjatë nëpërmjet dukshmërisë, shtrirjes së tregut dhe vlerësimit të vazhdueshëm”, përfundon Nimanaj.

Transformimi digjital duke filluar nga bujqësia e mundësuar nga inteligjenca artificiale deri te shërbimet publike inteligjente, i nxitur nga qendrat që tani janë pjesë e Rrjetit EDIH, do të mbështesë rritjen gjithëpërfshirëse, qëndrueshmërinë dhe do ta përgatisë rajonin për të ardhmen e punës dhe biznesit.

Për organizatat lokale në Ballkanin Perëndimor, bashkimi me EDIH rrjetin do të thotë të jesh pjesë e një lëvizjeje mbarë-evropiane drejt inovacionit, efikasitetit dhe qëndrueshmërisë.

Më shumë informacion mbi Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor mund të gjeni këtu.

Interreg dhe Green-Tex: Tekstile të ricikluara – Më pak ndotje

Nga 1 janar 2025, të gjitha vendet e BE-së duhet veçmas të mbledhin mbetjet e tekstilit. Megjithatë, shumë shteteve anëtare, si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, u mungon një sistem efikas për këtë qëllim. Për të adresuar këtë sfidë dhe për të zhvilluar zgjidhje të zbatueshme në të gjithë rajonin, 11 organizata nga 9 vende janë bashkuar në kuadër të projektit Green-Tex.

Organizatat partnere përfshijnë Agjencinë e Zhvillimit SERDA (Bosnjë dhe Hercegovinë); Komunën e Postojnës (Slloveni); Institutin për Rritje të Qëndrueshme Active Nativa (Slloveni); Shoqata Qytetare Eko Charity Sllovakia Për Sllovakinë (Sllovaki); Eurotex Ltd (Bullgari); Komunën e Majurit (Kroaci); Fakultetin e Teknologjisë së Tekstilit, Universitetin e Zagrebit (Kroaci); Universitetin “Donja Gorica” (Mali i Zi); Agjencinë për Zhvillim Rajonal Zlatibor (Serbi); Shoqatën për Zhvillim Ndërkomunitar “Zona Metropolitane e Bukureshtit” (Rumani); dhe Shoqatën Inovative “Hungarezi i Parë i Përgjegjshëm” (Hungari).

Prodhimi i tekstilit është një nga industritë më ndotëse, duke gjeneruar 20% të ujërave të zeza industriale, me emetim të sasive të mëdha të gazeve serrë. Për shembull, për të prodhuar një këmishë të vetme prej pambuku nevojiten 2700 litra ujë, ekuivalente me atë që pi një person gjatë 2,5 viteve. Në të njëjtën kohë, 86% e veshjeve përfundojnë në deponi ose digjen pas përdorimit, dhe vetëm 1% riciklohet.

Green-Tex synon të krijojë dhe testojë zgjidhje të reja në zinxhirin e prodhimit, nga dizajnimi i produkteve të reja deri te mbledhja e mbetjeve të tekstilit. Mjetet digjitale, si hartë interaktive me pika të caktuara grumbullimi, do të jenë pjesë përbërëse e Green-Tex platformës së mësimit dhe inovacionit. Për shembull, Komuna e Postojnës, në bashkëpunim me shoqatën Prostor, rrit ndërgjegjësimin për pasojat e konsumit të tepërt të tekstilit duke ofruar alternativa të qëndrueshme ndaj zakoneve tradicionale të blerjeve nëpërmjet punëtorive tërheqëse dhe ngjarjeve ku shkëmbehen veshjet.

Sllovenia, Sllovakia, Kroacia dhe pjesë të Hungarisë dhe Bullgarisë kanë zbatuar praktika të suksesshme që mund të përshtaten në vendet që ende janë duke zhvilluar sistemet e tyre të riciklimit të tekstilit, përfshirë Rumaninë dhe vendet kandidate për në BE, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë.

E themeluar në vitin 2003, Agjencia e Zhvillimit Rajonal të Sarajevës (SERDA) mbështet zhvillimin ekonomik në makro-rajonin e Sarajevës dhe në Bosnje-Hercegovinë. Zbaton projekte për inovacion, sipërmarrje, ekologji dhe zhvillim të qëndrueshëm, duke bashkëpunuar shpesh me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, përfshirë BE-në, për të forcuar konkurrencën ekonomike, për të tërhequr investime dhe për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

“Duke punuar me partnerët tanë nga Sllovenia, kuptuam se ballafaqohemi me çështjen e njëjtë me mbetjet e tekstilit dhe mund të kontribuojmë në reduktimin e tyre duke lehtësuar shkëmbimin e njohurive dhe përvojave midis vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve kandidate”, shpjegon Amela Ikiq Suljagiq, menaxhere e projektit në SERDA.

“Në Bosnje dhe Hercegovinë, SERDA mbledh mbetjet e tekstilit. Kemi blerë dhjetë kontejnerë inteligjentë të pajisur me sensorë dhe do të analizojmë konsumin lokal dhe modelet e mbetjeve, do të optimizojmë rrugët e grumbullimit dhe do të punojmë në gjetjen e zgjidhjeve më të mira për mbetjet e grumbulluara—qoftë nëpërmjet riciklimit, ripërdorimit ose riadaptimit,” thotë Ikiq Suljagiq. Ajo shton se partnerët e SERDA-s në këtë përpjekje përfshijnë kompaninë lokale të shërbimeve komunale dhe ministrinë përkatëse në qeverinë e Kantonit të Sarajevës.

Në Bullgari, në një fabrikë për riciklim mekanik, mostrat e mbetjeve të mbledhura nga Bukureshti do të përdoren për të zhvilluar prototipe të produkteve të reja të bëra nga fije të vjetruara. Në Kroaci, Serbi dhe Slloveni, projekti do të testojë zbatimin më të gjerë të fijeve natyrore me burim vendas në prodhimin e tekstilit dhe do të zhvillojë prototip të një produkti të ri jo të thurrur, duke kombinuar leshin e ricikluar me mbetjet e tekstilit të ricikluar që janë të papërshtatshme për ripërdorim. Nisma kërkon gjithashtu zgjidhje për përdorime të shumta të leshit, shumica e të cilave aktualisht përfundojnë në deponi ilegale. Në Mal të Zi dhe Slloveni, projekti do të hulumtojë zgjidhje inovative për dizajn të qëndrueshëm dhe të gjelbër të modës duke krijuar koleksione mode që janë miqësore për mjedisin.

Green-Tex do të prezantojë teknologji inovative të prodhimit si ngjyrosje pa ujë, rritje të përdorimit të materialeve të ricikluara, mbështetje për markat dhe prodhuesit e qëndrueshëm që përdorin metoda miqësore për mjedisin dhe zgjerim të riciklimit të tekstilit duke vendosur pika grumbullimi lehtësisht të qasshme në vende të dukshme, si qendra tregtare dhe shkolla. Stimujt për qytetarët, si zbritjet në dyqane ose programet e shkëmbimit të veshjeve, promovojnë modën vintage, shkëmbimet e veshjeve, dyqanet  të dorës së dytë dhe programe të riciklimit në dyqane.

Green-Tex ka buxhet prej 1.79 milionë €, 80% e të cilit sigurohet nga Programi Interreg. Aktualisht, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia, Hungaria dhe Bullgaria i kanë krijuar praktikat më të mira që mund të transferohen në vendet kandidate.

Interreg është instrument kyç i Bashkimit Evropian (BE) për forcimin e bashkëpunimit midis Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së. Për periudhën 2021–2027, programi fokusohet në adresimin e sfidave siç është ndryshimet klimatike, transformimi digjital dhe përfshirja sociale. Me buxhet prej 10 miliardë eurosh, një pjesë e fondeve ndahet për rajonet më të largëta të BE-së dhe vendet fqinje, si dhe zona specifike gjeografike me rëndësi strategjike për Evropën, si Gjiri i Guinesë, Oqeani Indian dhe Kanali i Mozambikut. Programi synon të përmirësojë politikën e kohezionit të BE-së, duke adresuar sfida specifike në të gjithë Evropën dhe më gjerë. Prioritetet deri në vitin 2027 përfshijnë rritjen e zgjuar, tranzicionin e gjelbër, përfshirjen sociale, zhvillimin territorial dhe infrastrukturën efikase dhe të qëndrueshme.

Urime Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në SEPA – Një hap më afër integrimit evropian

Maqedonia e Veriut ka avancuar në rrugën e saj drejt integrimit evropian duke iu bashkuar fushëveprimit gjeografik të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) pas vendimit pozitiv të Këshillit Evropian të Pagesave (EPC). Ky është një shembull praktik i ndikimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një nismë e BE-së për të përshpejtuar integrimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor në BE, duke përfshirë qasjen progresive në zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së bazuar në përafrimin me acquis communautaire të BE-së.

Si rezultat i vendimit të Këshillit Evropian të Pagesave, ofruesit e shërbimeve të pagesave të Maqedonisë së Veriut do të kenë mundësinë t’i përmbahen skemave të ndryshme të SEPA-s të cilat menaxhohen nga EPC-ja.

Ky hap i mundëson Maqedonisë së Veriut të lehtësojë transfertat financiare në euro dhe të zvogëlojë koston dhe kohën e përpunimit të këtyre transaksioneve ndërmjet qytetarëve të saj, si dhe bizneseve e anëtarëve të tjerë të SEPA-s. Andaj kontribuon në rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Komisioni Evropian do të vazhdojë të mbështesë përgatitjen e ofruesve të shërbimeve të pagesave të Maqedonisë së Veriut dhe përafrimin e mëtejshëm të vendit me acquis-in e BE-së në fushën e shërbimeve financiare.

 

Historiku

Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) është shoqatë e pavarur, jofitimprurëse ndërkombëtare e formuar nga 83 anëtarë të cilët janë ofrues të shërbimeve të pagesave (PSP) ose shoqata të PSP-ve. EPC është krijuar në vitin 2002 nga industria bankare evropiane për të zhvilluar instrumente evropiane për pagesat elektronike në euro. Sot, rreth 4,000 banka dhe ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave marrin pjesë në skemat e SEPA-s.

Në dialog të ngushtë me komunitetin e palëve të interesuara, EPC-ja ka zhvilluar, ndër të tjera, “skema” si Transferimi i Kreditit SEPA, Transferimi i Menjëhershëm i Kreditit SEPA dhe skema e Debitimit Direkt SEPA. Këto skema, të cilat lehtësuan mbi 50 miliardë transaksione në 36 vende vitin e kaluar, rregullisht përditësohen dhe përmirësohen nga EPC-ja për të ndihmuar në realizimin e pagesave të lehta ndërkufitare në euro.

 

Më shumë informata

Factsheet on the Growth Plan for the Western Balkans

EPC press release on Moldova & North Macedonia

BE-ja mbështet bashkëpunimin rajonal për zhvillim të qëndrueshëm

Thirrja e pestë e përbashkët e BE-së dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor për projekte për forcimin e bashkëpunimit dhe kohezionit rajonal në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me tre aspektet më të rëndësishme të ndërhyrjes, pra bashkëpunimin kulturor, arsimin dhe shkencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm, tregon rëndësinë e bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor në gjetjen e zgjidhjeve që do të ndihmojnë organizatat dhe individët të përmirësojnë jetën në rajon. 

 

Iniciativa të ndryshme morën mbështetje përmes kësaj thirrjeje, nga iniciativat për adresimin e problemeve urgjente mjedisore deri te iniciativat për të vendosur bashkëpunim dhe shkëmbim rajonal për promovimin dhe ruajtjen e produkteve artizanale tradicionale, duke përfshirë ndërhyrjet lokale të synuara, si dhe iniciativat për fuqizimin e grave.  

 

Me thirrjen e re të Fondit për Ballkanin Perëndimor dhe për BE-në e cila do të publikohet së shpejti, do të ndajmë historitë e suksesit të zbatimit të projekteve rajonale të shoqatës “Miqtë e Korçës” nga Shqipëria dhe organizatës “Barazia” nga Kosova. 

 

Energjia diellore për banorët e Ballkanit Perëndimor 

 

Disa organizata të shoqërisë civile nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë bashkuar me një mision: të punojnë së bashku për të zbutur pasojat e ndryshimeve klimatike në Ballkanin Perëndimor dhe për të promovuar përfitimet e përdorimit të energjisë diellore. Udhëhequr nga shoqata “Miqtë e Korçës” nga Shqipëria, ky projekt mblodhi së bashku partnerët, “Rrjetin e Ujit Ballkanik” nga Maqedonia e Veriut, “Qendrën për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Komunitetit” nga Maqedonia e Veriut, “Fondin e Inovacionit” të Malit të Zi dhe “MSJA” nga Mali i Zi, së bashku me ambasadorët ekologjik për Zhvillim të Qëndrueshëm nga Serbia, Universiteti Politeknik i Tiranës nga Shqipëria dhe Universiteti Politeknik i Korçës nga Shqipëria. Këta partnerë krijuan Rrjetin Solar-PV4Western Balkans, i cili synon të përfshijë palët e interesuara nga institucionet në nivelin e komunitetit lokal për të mbrojtur dhe promovuar praktikat më të mira të prodhuesve të pavarur të energjisë diellore. 

Shkëmbimi i informacionit dhe njohurive mbi legjislacionin, nismat dhe zgjidhjet inovative për energjinë diellore ishte kyç për të hedhur themelet për angazhimin dhe aktivitetet edukative në vendet që janë pjesë e rrjetit. 

 

“Sot, energjia diellore ofron mundësi të jashtëzakonshme për qytetarët, komunitetet dhe bizneset e vogla”. Bashkimi Evropian ka miratuar programe dhe ligje të rëndësishme për zhvillimin e energjisë diellore. Thjesht duhet t’i miratojmë këto ligje dhe t’i zbatojmë këto programe në vendet tona sa më shpejt që të jetë e mundur, për të siguruar energji të pastër dhe të përballueshme për qytetarët tanë, për punë dhe të ardhura për ekonominë vendase”, tha Gjergji Gjinko, kryetar i shoqatës Miqtë e Korçës, e cila drejtoi projektin “Energjia diellore për qytetarët e Ballkanit Perëndimor”. 

 

Ekspertët nga të gjitha organizatat partnere të përfshira në projekt kontribuan në projekt me ekspertizën e tyre, e cila varion nga përvoja në identifikimin dhe promovimin e praktikave të mira për lidershipin e grave në fushën e energjisë së qëndrueshme dhe shërbimeve të qëndrueshme gjinore energjetike për mjedise me të ardhura të ulëta, me çmime të ulëta, deri në shqyrtimin e çështjes së krizës klimatike në nivel akademik. 

 

Projekti rezultoi në raporte për katër vende (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) që do të informojnë qytetarët për ligjet, mundësitë dhe përfitimet e përdorimit të energjisë diellore, si dhe nevojën për të krijuar politika të reja. Ueb faqja e krijuar brenda projektit pasqyron ndjenjën e misionit të partnerëve dhe garanton rezultate afatgjata të projektit, një shtrirje më të gjerë dhe vazhdimësi të misionit dhe qëllimeve të partnerëve. 

 

Fuqizimi i grave përmes punimeve tradicionale të dorës 

 

“Ne jemi lidhur me organizatën “Pazarski Bazaar i Artizanatit” dhe qendrën “Gratë në Shërbime Publike” me qëllim që të promovojmë gratë nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia në rajonin tonë dhe të ofrojmë mbështetje për mbrojtjen dhe zhvillimin e zejeve tradicionale. “Donim të tregonim dhe ruanim nga harresa punën e grave punëtore të shoqërisë sonë dhe t’i prezantojmë rajonit të gjitha tiparet dhe detajet e traditave tona, të cilat do të mbijetojnë dhe do të jetojnë në të ardhmen”, thotë Ubejda Osmani nga OJQ-ja “Barazi” nga Prizreni, Kosovë, e përkushtuar ndaj promovimit të komunitetit boshnjak dhe rritjes së ndikimit të tij në formimin e formave të ndryshme edukative dhe kulturore të grave.  

 

Me qëllim të vendosjes së bashkëpunimit dhe dialogut rajonal për promovimin dhe ruajtjen e zejtarisë tradicionale, përfshirë ndërhyrjet e synuara lokale, duke promovuar fuqizimin ekonomik të grave, projekti filloi me vizita në terren në disa fshatra dhe komunitete në Prizren, si dhe vizita te gratë që bëjnë artizanat tradicional, kompanitë e udhëhequra nga gratë dhe gratë e vetëpunësuara. Kjo u pasua nga dy punëtori, të organizuara me pjesëmarrës nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova. Një nga këto punëtori kishte të bënte me promovimin dhe brendimin e artizanatit dhe e dyti iu përkushtua hartimit të një plani afarist dhe tërheqjes së investimeve. Konferenca rajonale e mbajtur në Durrës, Shqipëri me rreth 30 pjesëmarrës nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, u fokusua në promovimin rajonal të artizanatit dhe trashëgimisë kulturore jomateriale nga gratë. 

Fondi për Ballkanin Perëndimor (WBF) është organizatë ndërkombëtare me bazë në Tiranë, Shqipëri, e themeluar nga qeveritë e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës*, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë. Krijimi i këtij fondi, si një nismë gjithëpërfshirëse dhe rajonale, konsiderohet si një tregues i qartë se bashkëpunimi në Ballkan po ringjallet. Fondi i Ballkanit Perëndimor synon të promovojë bashkëpunimin dhe vlerat e përbashkëta midis qytetarëve, shoqërisë civile dhe individëve, duke financuar projekte të vogla dhe të mesme në fusha kyçe.

“Mbështetja nga Fondi i Ballkanit Perëndimor na ndihmoi të avancojmë dhe forcojmë bashkëpunimin rajonal”, tha zonja Osmani, duke theksuar pjesëmarrjen e grave të etnive dhe prejardhjeve të ndryshme nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia në projekt. “Në aktivitetet e projektit morën pjesë gra dhe vajza të përkatësive të ndryshme etnike, të moshës 20 deri në 65 vjeç, të afta në punimin e punimeve tradicionale të dorës, të cilat treguan interesim për start-up nismat dhe të vetëpunësimit, që ishin pjesë e aktiviteteve të projektit. Midis tyre kishte nëna të vetme, të veja, gra të martuara dhe gra që jetonin vetëm, me nivele dhe lloje të ndryshme arsimimi, profesione dhe interesa nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia dhe nga komunitete të ndryshme, duke përfshirë komunitetin shqiptar, serb, boshnjak, turk dhe rom, si dhe gra të moshuara”, shtoi ajo.  

 

Rrëfimet e grave që morën pjesë në projekt janë pjesë e dokumentarit të prodhuar nga OJQ “Barazi” dhe partnerët e saj. 

Nga kriza në mundësi: Epokë e re për tregtinë në Ballkanin Perëndimor

Gjatë kulmit të pandemisë COVID-19, kufijtë u bënë pika mbytëse, duke kërcënuar rrjedhën e mallrave thelbësore dhe duke rrezikuar jetesën e miliona njerëzve. Zinxhirët e furnizimit u tendosën nën peshën e vonesave dhe bizneset u përballën me humbje në rritje. Megjithatë, përballë kësaj krize, u shfaq një zgjidhje inovative – Iniciativa e Korsive të Gjelbra.  

Zhvilluar nga bashkëpunimi midis Komunitetit të Transportit, CEFTA-s dhe Bashkimit Evropian, Korsitë e Gjelbra u projektuan për të qenë më shumë se një masë ndaluese. Ata përfaqësonin një vizion të ri të guximshëm për lidhje, të ndërtuar mbi modernizim, digjitalizim dhe bashkëpunim. Rezultatet? Kursim i pothuajse 20 vjet kohë të pritjes kumulative kufitare dhe bazë për rrjet tregtar më elastik.  

 

Historia e transformimit 

Për Matej Zakonjshek, Drejtor i Komunitetit të Transportit, Korsitë e Gjelbra kanë bërë ndryshim të prekshëm. “Kamionët si ky pritnin shumë gjatë në pikat kufitare në Ballkanin Perëndimor. Kjo ndikoi negativisht në tregtinë, emetimet e CO2 dhe sigurinë rrugore,” thotë ai.   

Falë mbështetjes së BE-së, tani po shohim pritje më të shkurtra, kalime të modernizuara dhe udhëtime më të sigurta. Kjo krijon vlerë të vërtet për qytetarët, bizneset dhe vizitorët tanë në këtë rajon të bukur.

Këto ndryshime shkojnë përtej lehtësimit të pengesave logjistike. Korsitë e Gjelbra janë bërë simbol i asaj që është e mundur kur lulëzon bashkëpunimi rajonal. Qeveritë, administratat doganore dhe bizneset janë bashkuar, duke demonstruar fuqinë e veprimit kolektiv për të zgjidhur sfida të përbashkëta 

 

A vision for the future 

Duke u mbështetur në suksesin e saj, Nisma e Korsive të Gjelbra po zhvillohet për të lidhur më thellë Ballkanin Perëndimor me BE-në dhe për të modernizuar pikat kryesore të kalimit kufitar. Inovacionet digjitale, si sistemi SEED+ dhe programi i Operatorit të Autorizuar Ekonomik (AEO), thjeshtojnë proceset doganore, reduktojnë vonesat dhe shkurtojnë shpenzimet. Marrëveshjet midis vendeve – si ato që lidhin Kroacinë dhe Malin e Zi, Italinë dhe Shqipërinë ose Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut – tregojnë se si Korsitë e Gjelbra shndërrohen në urë për tregun e përbashkët të BE-së.  

Siç thotë me vend Danijela Gaçeviq, Ushtruese e Detyrës së Drejtores së CEFTA-s, “Krijimi i Korsive të gjelbra ndërmjet rajonit dhe BE-së është ka ndryshuar gjendjen. E ka shpejtuar tregtinë, e ka bërë më të lirë dhe më të sigurt, duke krijuar më shumë mundësi për bizneset dhe njerëzit.”  

Në ndërkohë, investimet prej 50 milionë eurosh përmirësojnë 11 pikat kryesore kufitare me infrastrukturë të re, sisteme digjitale dhe masa të shtuara sigurie. Këto përfshijnë Korsi shtesë, ura peshore dhe sisteme elektronike të radhës, duke siguruar kalime më të shpejta dhe më efikase.  

Nga këndvështrimi i komunitetit afarist, Stevica Çarapiq thekson urgjencën e adresimit të joefikasitetit kufitar. “Sfida më e madhe me të cilën përballemi sot është koha e madhe e pritjes në pikat kufitare. Ky joefikasitet prek jo vetëm vendet individuale, por konkurrencën e të gjithë rajonit. Me Nismën e Korsive të Gjelbra, shpresojmë të shohim përmirësime të rëndësishme në rrjedhën e ngarkesave dhe bashkëpunimin midis qeverive për të zvogëluar vonesat dhe për të përmirësuar proceset”.   

Gjithashtu thekson se, në disa raste, radhët janë shtrirë deri në 15 kilometra, me shoferë që presin me ditë për të kaluar. “Ky nuk është vetëm problem logjistik; por paraqet pengesë për përparimin për të gjithë në rajon,” shton ai.  

Qasje me në qendër njeriun  

Nisma e Korsive të Gjelbra nuk përfiton vetëm bizneset, por transformon jetën. Shoferët profesionistë tani humbin më pak kohë duke pritur dhe kalojnë më shumë kohë në rrugë, duke reduktuar stresin dhe përmirësuar sigurinë. Udhëtarët përballen me më pak vonesa, që i bën pushimet më të këndshme. Komunitetet lokale përjetojnë efektet e valëzuara të ekonomive më të forta dhe rritjes së mundësive të punësimit.  

Siç vëren Matej, “Me vendkalimet e modernizuara, jo vetëm që reduktojmë kohën e pritjes, por edhe krijojmë mjedis më të sigurt dhe më efikas për të gjithë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i shtuar vlerë rajonit tonë.”  

 

Rruga përpara  

Suksesi i Korsive të Gjelbra është dëshmi e fuqisë së partneritetit. Histori elasticiteti dhe inovacioni, që tregon se si krizat mund të frymëzojnë ndryshime të qëndrueshme. Ndërsa Ballkani Perëndimor dhe BE-ja vazhdojnë të punojnë së bashku, vizioni i lidhjes së qetë dhe prosperitetit të përbashkët i afrohet realitetit.  

Duke investuar në digjitalizim, modernizim dhe bashkëpunim rajonal, Nisma Korsitë e Gjelbra hap rrugën për një të ardhme më të ndritur. Është më shumë se një përmirësim logjistik; por paraqet një lëvizje drejt unitetit, rritjes dhe mundësive për brezat që do të vijnë. 

YEA-të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Ballkanik

Në datën 17 nëntor në Tiranë u mbajt Forumi Ekonomik Ballkanik 2023, me qëllim të nxitjes së një ndikimi pozitiv të qëndrueshëm në rritjen ekonomike, bashkëpunimin rajonal, dhe promovimin e paqes dhe sigurisë në të gjitha vendet e Ballkanit. Kjo konferencë e gjerë luan një rol jetik në mbështetjen e zhvillimit dhe zbatimit të strategjive inovative, ndërkohë që kërkon zgjidhje efektive për sfidat aktuale ekonomike me të cilat përballen vendet e Ballkanit. Këtë vit, Ambasadorët e Rinj Evropianë (YEA-të) gjithashtu morën pjesë në mënyrë aktive në forum. Ky angazhim ofroi një mundësi të vlefshme për YEA-të për të bashkëpunuar me udhëheqës, akademikë, studentë, përfaqësues të medias, dhe palët e interesuara nga sektori publik dhe privat në diskutimin dhe adresimin e sfidave ekonomike të rëndësishme me të cilat përballet rajoni. Diskutimet përqendroheshin në perspektivat ballkanike dhe eksploronin strategji për integrimin pa problem të rajonit në tregun e BE-së.

Komisioni miraton paketën e Zgjerimit të vitit 2023

Sot, Komisioni Evropian miratoi Paketën e Zgjerimit 2023, duke ofruar një vlerësim të hollësishëm të gjendjes dhe progresit të bërë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia, si dhe për herë të parë edhe Ukraina, Republika e Moldavisë dhe Gjeorgjia, në rrugët e tyre përkatëse drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në veçanti, raporti fokusohet në progresin e zbatimit të reformave themelore, si dhe në dhënien e udhëzimeve të qarta për prioritetet e reformave të ardhshme. Anëtarësimi është dhe do të mbetet një proces i bazuar në merita, plotësisht i varur nga progresi objektiv i arritur nga secili vend.  
Ballkani Perëndimor  
Progresi i reformave të anëtarësimit në BE për shumë kohë ka mbetur në vend, pasi Mali i Zi ka vuajtur nga polarizimi i thellë dhe paqëndrueshmëria politike në periudhën raportuese. BE-ja mirëpret konstituimin e parlamentit të ri dhe formimin e qeverisë, e cila ne presim të demonstrojë me shpejtësi kapacitetin dhe përkushtimin e saj në rrugëtimin e Malit të Zi në BE dhe të zbatojë reformat në lidhje me anëtarësimin në BE. Në përgjithësi, progresi i negociatave të anëtarësimit do të varet nga reformat në fushën e shtetit të së drejtës (d.m.th. përmbushja e standardeve të përkohshme të përcaktuara në kapitujt 23 dhe 24). Mali i Zi vazhdon të jetë në përputhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.  
Serbia ka vazhduar zbatimin e reformave në lidhje me anëtarësimin në BE, duke përfshirë edhe në fushën e shtetit të së drejtës. Serbia nisi zbatimin e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2022 për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe miratoi legjislacionin e ri për median. Zbatimi i këtij të fundit mund të përmirësojë ndjeshëm mjedisin rregullator. Megjithatë, ndryshime të mëtejshme do të nevojiten për të qenë plotësisht në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane. Si një çështje me përparësi, Serbia duhet të përmirësojë, përafrimin e saj me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese dhe deklaratat ndaj Rusisë. Ajo që nevojitet për zbatimin e reformave në fushën e shtetit të së drejtës është gjithashtu puna e mëtejshme dhe angazhimi politik. Vlerësimi i Komisionit mbetet se Serbia ka përmbushur teknikisht standardet për hapjen e grupimit 3 (konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse). Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht dhe të marrë të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar përgjegjësi për sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe sulmin ndaj KFOR-it më 29 maj. Për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, përderisa u arrit Marrëveshja në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Serbia dhe Kosovaende nuk kanë filluar zbatimin e detyrimeve të tyre përkatëse, të cilat janë obliguese për Partitë dhe një pjesë kyç e rrugëtimeve evropiane.  
Maqedoninë e Veriut, autoritetet kanë deklaruar vazhdimisht se anëtarësimi i BE-së mbetet qëllimi i tyre strategjik. Maqedonia e Veriut ka vazhduar të përafrohet plotësisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) të BE-së. Vendi ka bërë gjithashtu disa përparime në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, duke përfshirë luftën kundrejt krimit të organizuar dhe menaxhimin e migracionit. Si vend negociues, Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë zbatimin e reformave të lidhura me BE-në, duke përfshirë gjyqësorin,luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën e administrimit publik, duke përfshirë menaxhimin e financave publike dhe prokurimin publik. Maqedonia e Veriut është zotuar të nisë dhe të arrijë ndryshimet përkatëse kushtetuese si çështje prioritare, me qëllim përfshirjen e shtetasve që janë pjesë e njerëzve të tjerë. Procesi i vlerësimit të acquis-it të BE-së ka përparuar me ngadalë dhe autoritetet kanë treguar një nivel të lartë përkushtimi. Komisioni i paraqiti Këshillit raportet e vlerësimit për “grupimin themelor” për Maqedoninë e Veriut në korrik dhe pret e padurim një vazhdim të shpejtë, me synimin për hapjen e negociatave në këtë grup deri në fund të vitit.  
Shqipëria vazhdoi të demonstronte vendosmërinë e saj për të zbatuar reformat e BE-së dhe të bëjë përparim në reformat nën “grupimin themelor”. Përafrimi i vazhdueshëm i plotë me CFSP-në e BE-së ishte gjithashtu një sinjal i fortë i zgjedhjes strategjike të vendit për anëtarësim në BE. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për lirinë e shprehjes, çështjet e pakicave dhe të drejtat pronësore, si dhe në fusha kyç të shtetit të së drejtës, si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Procesi i vlerësimit të acquis-it të BE-së ka përparuar me ngadalë dhe autoritetet kanë treguar një nivel të lartë përkushtimi. Komisioni i paraqiti këshillit raportet e vlerësimit mbi “grupimin themelor” për Shqipërinë në korrik dhe pret një ndjekje të shpejtë. Ai synon të hapë negociatat në grupimin 1 (themelor) deri në fund të vitit.  
Bosnje dhe Hercegovinë, statusi i kandidatit të vitit të kaluar solli një dinamikë pozitive shumë të nevojshme. Një qeveri e re është krijuar me shpejtësi pas zgjedhjeve dhe ka filluar të japë reforma, veçanërisht përmes amendamenteve që futin kontrollin e integritetit në gjyqësor. Megjithatë, nevojiten përpjekje të mëtejshme. Kjo përfshin miratimin e reformave të rëndësishme të shtetit të së drejtës dhe gjyqësorit dhe përparimin e reformave kushtetuese dhe zgjedhore, të cilat janë prioriteti më i madh për të garantuar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët. Është gjithashtu e rëndësishme ruajtja e rendit kushtetues të vendit. Masat secesioniste dhe autoritare të prezantuara në entitetin e Republikës Srpska nuk janë në përputhje me rrugëtimin e BE-së. Kërkohen përpjekje të mëtejshme që Bosnja dhe Hercegovina të përmbushë prioritetet kyç të përcaktuara në Opinionin e Komisionit për aplikimin e saj për anëtarësim. Prandaj, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Bosnjën dhe Hercegovinën, pasi të arrihet shkalla e nevojshme e përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit.   
Kosova ka mbetur e përkushtuar në rrugëtimin e saj evropiane. Ajo ka vazhduar të përafrohet plotësisht dhe vullnetarisht me CFSP-në e BE-së, duke përfshirë dënimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe miratimin e masave kufizuese kundër saj. Periudha e raportimit dëshmoi arritje legjislative, duke përfshirë një reformë të rëndësishme zgjedhore. Megjithatë, duhet bërë më shumë punë, duke përfshirë planin e veprimit për reformat në drejtësi. Më 1 janar 2024, do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për Kosovën. Situata në veri të Kosovës është prekur nga disa kriza, më e fundit është sulmi i dhunshëm kundër policisë së Kosovës më 24 shtator 2023. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përderisa u arrit Marrëveshja në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Kosova dhe Serbia ende nuk kanë filluar zbatimin e detyrimeve të tyre përkatëse, të cilat janë obliguese për Partitë dhe një pjesë kyç e rrugëtimeve evropiane.  
Hapat e radhës  
Tani i takon Këshillit të shqyrtojë rekomandimet e sotme të Komisionit dhe të marrë vendime për hapat e ardhshëm në procesin e zgjerimit.

Komisioni prezanton Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor që përfshin 6 miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike me BE-në

Sot Komisioni Evropian miratoi një Plan të ri Rritjeje për Ballkanin Perëndimor, me synimin për të sjellë disa nga përfitimet paraprake në rajon përpara anëtarësimit, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike aq të nevojshme. Objektivi duhet t’u mundësojë partnerëve të rrisin reformat dhe investimet, që në këtë mënyrë të përshpejtohet procesi i zgjerimit dhe rritja e ekonomive të tyre. Për ta bërë të mundur këtë, është propozuar një paketë e re për periudhën 2024-2027 të Reformës dhe Rritjes prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor. Pagesat do të bëhen vetëm pas përmbushjes së reformave të rëna dakord.

 

Si pjesë e Planit të Rritjes, çdo partner i Ballkanit Perëndimor do të ftohet të përgatisë një Agjendë Reformash e cila do të bazohet në rekomandimet ekzistuese, duke përfshirë nga Paketa vjetore e Zgjerimit dhe Programet e Reformës Ekonomike të vendeve (ERP). Kjo Agjendë e Reformës do të konsultohet, vlerësohet dhe miratohet nga Komisioni.

 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shpreh: “Me miratimin e sotshëm të Planit të Rritjes prej 6 milion eurosh për Ballkanin Perëndimor, ne po i afrojmë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me BE-në. Potenciali i këtij Plani të Rritjes është i jashtëzakonshëm. Ky Plan i Rritjes mund të shërbejë për të dyfishuar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në 10 vitet e ardhshme. Me një kombinim prej reforma dhe investime, ai do të lejojë Ballkanin Perëndimor të përfitojë nga fushat kyçe të tregut unik të BE-së, duke përfshirë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve, zonën e vetme të pagesave me euro, transportin, energjinë dhe tregun e vetëm digjital.”

 

Hapat e radhës

 

Tani i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit që të shqyrtojnë propozimin për Instrumentin Lehtësues në kuadër të paketës së shqyrtimit afatmesëm të MFF-së. Sapo të miratohet plani, gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor do të ftohen të paraqesin agjendat e tyre individuale të reformave që përcaktojnë reformat socio-ekonomike dhe themelore që do të ndërmarrin për të nxitur rritjen dhe konvergjencën sipas Planit të Rritjes gjatë periudhës 2024 – 2027. Si parakusht i nevojshëm, Serbia dhe Kosova duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja në normalizimin e marrëdhënieve, të udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë.

Fjala përshëndetëse e Presidentes von der Leyen në Samitin e Procesit të Berlinit

Faleminderit shumë kryeministër, i dashur Edi,
Z. Kancelar,
Të dashur miq,  
Çfarë historie sapo pamë në ekran, eh çfarë historie. Dhe çfarë mesazhi të fuqishëm përcjell fakti që nuk është vetëm Procesi i dhjetë i Berlinit, por është hera e parë që zhvillohet në një vend të Ballkanit Perëndimor. Një mesazh i fuqishëm në një botë që ju, Edi, e përshkruat, në të cilën jemi dëshmitarë të një lufte të egër të ndërmarrë nga Rusia ndaj Ukrainës. Ukraina po lufton për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe për vlerat tona. Po ashtu, kemi parë edhe një sulm terrorist të egër të Hamasit që vrau mbi 1,400 persona, përfshirë burra, gra, fëmijë, foshnja, vetëm sepse janë hebrenj. Po jetojmë në një planet që po digjet. Po sfidohemi nga GenAI. Në kohë të tilla, ju nevojiten miq të mirë. Dhe siç e thatë, ju jeni ndër miqtë më të mirë që mund të kishim kërkuar. Na lini të punojmë që t’i bashkoheni Bashkimit Evropian, i cili ka dëshmuar se është e mundur që të kemi, bashkërisht, paqe afatgjatë dhe prosperitet të qëndrueshëm.  
Dhe në fakt, çfarë mesazhi i fuqishëm ai i djeshmi, kur nisëm regjistrimin në Kolegjin e Evropës në Tiranë. Dhe këta studentë të rinj tashmë do të studiojnë çështjet evropiane. Ata vijnë nga Shqipëria, i gjithë Ballkani Perëndimor, dhe nga Bashkimi Evropian. Çfarë mesazhi i fuqishëm për brezin e ardhshëm që do të çojë përpara idenë e Bashkimit Evropian.  
Sikurse e thatë, Procesi i Berlinit filloi në vitin 2014. Dhe ia vlen që të shfletojmë dokumentet e asaj kohe. “Qëllimi është të bëjmë progres real në procesin e reformës dhe në bashkëpunimin ekonomik rajonal.” Ja përse jemi këtu. Dhe falë Planit tonë Ekonomik dhe të Investimeve prej 30 miliardë eurosh kemi hedhur tashmë themele të forta. Ky plan po jep rezultat. Gjysma e planit, 16 miliardë euro, po zbatohet aktualisht. Por, duhet bërë akoma edhe më shumë. Dëshiroj të ndalem pak minuta te kjo pikë.  
Ekonomitë tona, Ballkani Perëndimor dhe Tregu i Vetëm Evropian, janë ende shumë të ndara. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor zënë 35% të mesatares së BE-së. Pra, duhet që të shfrytëzojmë potencialin që ekziston këtu në Ballkanin Perëndimor dhe ta bëjmë pjesë të Tregut të Vetëm Evropian. Dhe ky është thelbi i Planit të Rritjes Ekonomike. Nga përvoja e zgjerimit, dimë se fuqia e zgjerimit të kursit qëndron te vlerat që na bashkojnë me vendet që iu bashkuan Bashkimit Evropian hap pas hapi. Por, fuqia e dytë është zhvillimi ekonomik. Sa herë që ka pasur zgjerim, jo vetëm vendet që iu bashkuan Bashkimit Evropian patën një shtysë të madhe në zhvillimin e tyre ekonomik, pasi u bënë pjesë e Tregut të Vetëm, por u përmirësua edhe Bashkimi Evropian sepse u zgjerua edhe Tregu i Vetëm.  
Dhe tashmë ky është parimi i Planit të Rritjes Ekonomike. Në thelb, duam që në fusha të caktuara të hapim dyert e Tregut të Vetëm, Tregut të Vetëm Evropian, për shoqëritë e Ballkanit Perëndimor. Dhe këtë duhet ta planifikojmë tani. Po e zgjerojmë atë në fusha si: lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve, transporti rrugor, energjia, elektriciteti, Tregu i Vetëm Digjital i BE-së dhe, më e rëndësishmja, lehtësimi i kryerjes së pagesave jo me para fizike me një zonë të vetme evropiane pagesash.  
Por, sigurisht, hapja e dyerve nuk mjafton. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë Tregun e tyre të Përbashkët Rajonal. Dhe kjo do të thotë se është kusht që vendet e Ballkanit Perëndimor t’u japin akses fqinjëve të tyre në tregun e tyre [t’u japin akses fqinjëve të tyre në tregun e tyre]. Me fjalë të tjera, nëse do e shtroja ndryshe, pra nëse ka pengesa, vetëm vetveten mund të bllokoni. Të tjerët do të ecin përpara.  
Dhe për të ecur përpara nevojiten reforma, reforma të thella, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për ta bërë mjedisin më tërheqës. Këto reforma do të mbështeten me financim për investime nga Bashkimi Evropian, nëse do të ndërmerren. Ky Plan i Rritjes Ekonomike është një incentivë shumë e fuqishme. Është një incentivë për të hapur dyert në aspektin ekonomik, por edhe për të kërkuar hapjen e kufijve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të zbatuar reformat e nevojshme. Dhe kjo shoqërohet me financim të investimeve.  
Vetëm duke punuar së bashku do ta sjellim Ballkanin Perëndimor pikërisht aty ku i takon, në zemër të Bashkimit Evropian. Në fakt, historia është në lëvizje. Mesazhi im është: Tashmë, ky është një moment vendimtar. Mos e humbni mundësinë, kapeni mundësinë, shfrytëzojeni momentin dhe ne do punojmë me ju për këtë.  
Shumë faleminderit, Edi.