Skip to main content

Area of Cooperation: Economy

Le të bëjmë kanionin e lumit Tara një destinacion turistik ndërkombëtar!

Një sipërmarrës nga Bosnja dhe Hercegovina e ka kthyer kanionin e lumit Tara në burim të ardhurash për vendet që lidh lumi. Kampi Encijan për rafting ndodhet në kanionin e lumit Tara dhe lidh Bosnje dhe Hercegovinën me Malin e Zi. Kanioni konsiderohet si një nga më të bukurit e Ballkanit Perëndimor dhe kampi është gjëja më e veçantë e kanionit. Me akomodimin në shtëpiza, kuzhinën tradicionale dhe një tarracë sipër lumit dhe mjedisin mahnitës rreth tij, kampi ka qenë vendi i preferuar për adhuruesit e raftingut dhe pushimeve në natyrë për më shumë se 15 vjet. Nga hobi në një sipërmarrje serioze biznesi  Milan Šupić, nga qyteti fqinj Foča, është pronari i kampit. Deri para 20 vitesh, raftingu ishte thjesht hobi i tij i preferuar, por më pas ai vendosi ta kthente në biznes. Vendimi i ndryshoi jetën, por krijoi edhe një burim të ri të ardhurash për shumë nga qytetarët në vendlindjen e tij. “Në fillim, biznesi nuk ishte shumë i suksesshëm. Por më pas, pas katër ose pesë vitesh, kampi u bë një sipërmarrje serioze. Kur bën diçka që të pëlqen, suksesi është i pashmangshëm,” shprehet Milan.

“Në fillim, biznesi nuk ishte shumë i suksesshëm. Por më pas, pas katër ose pesë vitesh, kampi u bë një sipërmarrje serioze. Kur bën diçka që të pëlqen, suksesi është i pashmangshëm.”

Milan shpjegon se kur vendosi të fillonte biznesin, aty nuk kishte asgjë. Tani kanioni i Lumit Tara është një destinacion i njohur për adhuruesit e Ballkanit Perëndimor. Njëzet e pesë kampe të reja raftingu janë ngritur përreth kanionit që atëherë. Rreth 50,000 turistë kanë vizituar kanionin në dy vitet e fundit. Rajoni ofron edhe veprimtari të turizmit të aventurës, duke përfshirë lundrimin me kanoe dhe ecjen në mal në bukuritë natyrore të parqeve kombëtare të Sutjeskës dhe Durmitorit. Milan shpjegon se vizitorët zakonisht qëndrojnë pesë ditë për të shijuar paketën e plotë. Ata e kalojnë darkën pranë zjarrit me ushqim tradicional dhe pije dhe gjatë ditës shkojnë për rafting ose shijojnë një nga format e tjera të turizmit të aventurës. Sidoqoftë, si shumë sipërmarrje në fillimet e tyre në Ballkanin Perëndimor, biznesi i Milanit hasi sfida. Ai kujton se para 20 vitesh nuk kishte rrugë për të shkruar në kanion. Mënyra e vetme për të shkuar atje ishte duke bërë një shëtitje të gjatë mes për mes një pylli të dendur ose nëpërmjet një udhëtimi me varkë. “Kur vendosa të ndërtoj kampin, fillimisht m’u desh t’i çoja të gjitha materialet në anën tjetër të kufirit në Mal të Zi dhe prej andej të transportoja materialin me varkë në vendndodhjen e kampit,” shprehet ai. Tashmë, rruga e asfaltuar mundëson mbërritjen në Kanion me makinë dhe minibus, por numri në rritje i vizitorëve kërkon edhe përmirësime për sigurinë e vizitorëve dhe shërbime më të mira informimi.

“Falë projektit u vendos sinjalistikë e re orientuese në rrugë; për më tepër ata vendosën stola dhe identifikuan panoramën. Këto elemente në dukje të thjeshta ishin shumë të rëndësishme për një destinacion turistik ndërkombëtar si kanioni i lumit Tara.”

Projekti T.A.R.A u financua si pjesë e programit për Bashkëpunimin Ndërkufitar BiH-MNE 2014-2020. Partneri kryesor është bashkia Plužine nga Mali i Zi dhe partnerë të tjerë përfshijnë Parkun Natyror Piva, bashkinë Foča dhe Organizatën Turistike të bashkisë Foča nga Bosnja dhe Hercegovina. Mbështetja e BE-së për një përvojë turistike më të sigurt dhe më të pasur. Për të përmbushur këto sfida, mbështetja nga projekti i financuar nga BE-ja, Turizmi, Adrenalina dhe Aventura Rafting (T.A.R.A) erdhi “fiks në kohën e duhur” sipas Milan. Ai shpjegon se pas ndërtimit të rrugës së re, numri i vizitorëve që filluan të udhëtojnë me automjetet e tyre është shtuar. Më parë rruga nuk kishte sinjalistikë dhe disa prej tyre humbnin ose vonoheshin. Falë projektit, rruga tani ka sinjalistikën e duhur, me stola dhe shenja për panoramën gjatë rrugës. Përmirësime të tjera të infrastrukturës janë në punë e sipër. Planet përfshijnë ndërtimin e platformave për rafting në mbërritje dhe pikat e zbritjes, një platformë lundruese mbi lumin Piva, platforma për soditje të natyrës dhe rrugë për ngjitje në shkëmbinj. Projekti po kontribuon edhe në protokollet e sigurisë për vizitorët duke shtuar koordinimin e shërbimeve të shpëtimit në të dyja anët e kufirit, zhvillimin e procedurave të përbashkëta të sigurisë me ushtrime emergjence dhe shpëtimi të përbashkëta dhe blerjen e pajisjeve të shpëtimit.

Ekonomia digjitale: një mundësi gjatë krizës

Të rinjtë në Kosovë dhe Malin e Zi lançojnë një risi sociale dhe i bashkohen ekonomisë digjitale me mbështetjen e një projektit të financuar nga BE-ja. Masat ndërkombëtare dhe kombëtare për të parandaluar përhapjen e virusit, nga distancimi fizik te mbyllja e bizneseve kanë reduktuar të ardhurat e familjeve dhe konsumin, duke filluar një krizë ekonomike në të gjithë botën. Ballkani Perëndimor nuk ka mbetur i paprekur në këtë aspekt: Raporti i Rregullt Ekonomik i Ballkanit Perëndimor i Bankës Botërore: Vjeshtë 2020, parashikoi që veprimtaria ekonomike në rajon do të tkurret me 4.8% në përgjithësi në vitin 2020, duke shkaktuar një recension më të rëndë sesa krizat financiare botërore të kohëve të fundit. Në të njëjtën kohë pandemia ka krijuar mundësi të reja. Një dokument përmbledhës i shkurtër rreth tregtisë elektronike gjatë periudhës së COVID-19-ësi publikuar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim identifikon se si kriza e COVID-19-ës ka përshpejtuar zgjerimin e tregtisë elektronike drejt firmave, konsumatorëve dhe llojeve të reja të produkteve. Një nismë premtuese që mund të kthehet në një biznes të madh  Miloš Laković, 27 vjeç, është një mësues gjimnazi dhe sipërmarrës me kohë të pjesshme nga Mali i Zi. Ai është një nga vizionarët që e pa krizën e pandemisë si një mundësi. Miloši pati një ide biznesi për një platformë online që do të lidhte ofruesit me përdoruesit e shërbimeve. E kishte pasur këtë ide prej kohësh, por pandemia e bëri të mendonte më seriozisht për të dhe të ndërmerrte një nismë për ta lançuar atë. “Si mësues, unë e di se shumë nga kolegët e mi bëjnë kurse private pas orarit të punës. Situata e krijuar nga pandemia më bëri të mendoj ‘pse të mos promovoj dhe ofroj këto shërbime online?’ dhe vendosa ta zhvilloj këtë ide më tej,” shprehet Miloši.

“Si mësues, unë e di se shumë nga kolegët e mi bëjnë kurse private pas orarit të punës. Situata e krijuar nga pandemia më bëri të mendoj ‘pse të mos promovoj dhe ofroj këto shërbime online?

Me kalimin e kohës, Miloši dhe ekipi i tij krijuan lloje të tjera shërbimesh – përveç mësimdhënies private – që do të reklamohen nëpërmjet platformës, nga shitjet e pikturave te kozmetika. Ata janë tani në fazën përfundimtare të kërkimeve për tregun dhe së shpejti do të fillojnë me zhvillimin e platformës. Miloši shpjegon se shumë nga meritat për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj nisme i shkojnë përkrahjes që mori falë pjesëmarrjes në workshop-e të ofruara nga projekti i financuar nga BE-ja, Vetëpunësim dhe Sipërmarrje sociale për të Rinjtë. “Duke marrë pjesë në këto workshop-e, ia arritëm të zhvillonim në tej idenë dhe ta sjellim në nivelin e një nisme të vërtetë sipërmarrjeje,” shprehet ai.

 “Duke marrë pjesë në këto workshop-e, ia arritëm të zhvillonim në tej idenë dhe ta sjellim në nivelin e një nisme të vërtetë sipërmarrjeje.”

Rreth projektit Projekti ‘Vetë-punësim dhe Sipërmarrje Sociale për të Rinjtë’ zbatohet nën Programin për Bashkëpunimin Ndërkufitar IPA 2014-2020 Mali i Zi – Kosovë, financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti po zbatohet nga organizatat e shoqërisë civile Shoqata për Mirëqenien Demokratike – Zid, Lens, Qendra liberal-demokrate dhe Qendra për Aftësitë Kreative. Projekti filloi në janar 2019 dhe pritet të përfundojë në fillim të vitit 2021. I2 Space –vendi i nismave  Qëllimi i projektit është të përmirësojë aksesin në tregun e punës për të rinjtë në Malin e Zi dhe Kosovë. Thelbi i idesë së projektit është krijimi i mjediseve fizike në një format të njohur si ‘Hackerspace’ duke i pajisur këto hapësira me instrumentet e nevojshme dhe duke ofruar trajnim dhe mentorim për të rinjtë në risitë sociale dhe teknologjinë digjitale. Projekti është i vendosur në dy hapësira të tilla një në Pejë në Kosovë dhe një në Podgoricë në Malin e Zi. Hapësirat janë emërtuar ‘I2 Space’. Gjatë dy viteve të projektit, më shumë se 200 të rinj kanë përfituar nga veprimtaritë e ‘12 Space’ në Pejë dhe Podgoricë. Disa prej tyre kanë filluar të fitojnë nëpërmjet punësimit ose duke ofruar shërbime në mënyrë të pavarur. Projekti ofroi kurse dhe programe mentorimi rreth kodimit dhe personalizimit të rrjetit, printerave 3D dhe elektronikës, marketingut digjital dhe grafik dizajnit dhe fotografisë. Božina Stešević është menaxherja e projektit në organizatën për shoqërinë civile Shoqata për Mirëqenien Demokratike – Zid, partneri kryesor i projektit në Malin e Zi. Ai thotë se një nga arritjet kryesore të projektit është konceptimi dhe funksionimi efektiv i vetë komunitetit ‘12 Space’. “Ekziston një rreth i brendshëm i përdoruesve të ‘12 Space’ që bashkëpunojnë mes tyre dhe e bëjnë këtë në një hapësirë të përbashkët fizike. Më pas është rrethi i të gjithë të rinjve që kanë marrë pjesë në trajnim; dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme rrethi më i gjerë që lidh të rinjtë nga të dyja anët e kufirit që po bashkëpunojnë për të shkëmbyer ide dhe perspektiva biznesi dhe duke shpërbërë paragjykimet.” Mentorimi ballë për ballë është një nga elementet kryesore të projektit. Si pjesë e saj, nga pjesëmarrësit pritet që të zhvillojnë prototipe për startupe biznesi që kanë potencialin për t’u zhvilluar më tej. Deri më sot aplikantët e programit kanë sjell prototipe për 23 ide startupi, duke përfshirë idenë e Milošit.

Tradita, moda dhe arti mund të kthehen në biznes

Një grua nga Rožaje në Malin e Zi ndërthur traditën, modën dhe artin për të filluar një biznes të ri. Igbala Murić, 49 vjeç, jeton në qytetin e vogël kufitar të Rožajes në Malin e Zi. Që në moshë të re asaj i pëlqente të qëndiste tekstile tradicionale si shtresa, rroba dhe peceta. Kur ishte nxënëse në gjimnaz, ajo e kishte vendosur se do të ndërtonte një jetë profesionale bazuar në këto aftësi. Në pajtim me prindërit e saj, ajo u regjistrua në një shkollë të mesme profesionale për prodhimin e tekstilit. Më pas ajo punoi si rrobaqepëse në kompani të ndryshme në Malin e Zi dhe Turqi, por kjo punë nuk përfshinte punime tradicionale. “Më mungonte të punoja te rrobat tona tradicionale dhe tekstile të tjera. Veshja jonë tradicionale është unike dhe e bukur dhe është edhe trashëgimia jonë kulturore,“ shprehet ajo. Gjatë gjithë kohës, Igbala ka dashur të bëjë diçka për ruajtjen e trashëgimisë tradicionale në tekstile. Ideja e saj ishte të niste biznesin e saj i cili do të specializohej në prodhimin e rrobave tradicionale të kulturës së saj. Por, për ta bërë këtë, ajo kishte nevojë për mbështetje financiare dhe të dinte si të fillonte dhe menaxhonte një biznes. Kaluan vite, por ajo nuk mundi të fillonte asgjë të qëndrueshme.

“Veshja jonë tradicionale është unike dhe e bukur dhe është edhe trashëgimia jonë kulturore“

Gjetja e mbështetjes së duhur Në vitin 2019, Igbala dëgjoi për projektin ‘Zejtari’, i financuar si pjesë e programit IPA CBC Serbi-Mali i Zi 2014-2020, i financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti që ofroi mbështetje për gratë dhe të rinjtë në rajonin Rožaje në Malin e Zi dhe rajonin e Sjenicës në Serbi. Ajo regjistroi një kompani dhe aplikoi për mbështetje. Ajo mori pjesë në programin e trajnimit për menaxhimin e biznesit, mori nga projekti një makinë qepëse të re dhe iu bashkua botës së sipërmarrjes. Ky projekt ofroi mbështetje për më shumë se 90 individë si Igbala duke i përfshirë ata në këtë trajnim dhe një program mentorimi. Si rezultat i mbështetjes , që nga fillimi i këtij viti ajo ka shtuar prodhimin dhe kishte planifikuar të punësonte gra të tjera, derisa planet e saj u ndërprenë nga pandemia.  “Unë po punoja kryesisht me punime artizanale. Mbështetja nga projekti më dha mundësinë të zgjeroja biznesin tim, të rrisja prodhimin dhe të shisja edhe në pjesë të tjera të Malit të Zi,“ shprehet ajo.

“Mbështetja nga projekti më dha mundësinë të zgjeroja biznesin tim, të rrisja prodhimin dhe të shisja edhe në pjesë të tjera të Malit të Zi.“

Amela Kovačević Kalender, menaxherja e projektit, shprehet: ‘Bashkia e Rožaje-s është krenare të mbështesë zhvillimin e ekonomisë vendore, duke u përqendruar në krijimin e vendeve të punës dhe sipërmarrjen. Ne synojnë të inkurajojmë njerëzit të ndjekin idetë e tyre dhe të tregojnë se edhe iniciativat e vogla mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në ekonominë vendore.’ Partnerët zbatues të projektit janë Bashkia e Rožajes dhe Bashkia e Sjenicës, në bashkëpunim me dy shkollat profesionale të këtyre qyteteve. Projekti ‘Zejtari’, u financua si pjesë e programit IPA CBC Serbi-Mali i Zi  2014-2020, i financuar nga Bashkimi Evropian. Ndihma për bizneset tradicionale  Sipërmarrjet mikro, të vogla ose të mesme luajnë një rol kyç në punësimin e fuqisë punëtore të shumëllojshme dhe në gjenerimin e të ardhurave për komunitetet vendore si në Malin e Zi edhe në Serbi. Nën drejtimin e autoriteteve vendore, projekti ka mbështetur bashkëpunimin mes shkollave të mesme profesionale nga bashki të caktuara për të ngjallur interes në bizneset tradicionale si punimet artizanale. Projekti ka gjeneruar vende të reja pune për pjesët e cenueshme të popullatës, duke përfshirë të rinjtë dhe gratë, duke i ofruar atyre ndihmën që u nevojitet për sa i përket njohurive në biznes, mbështetjes së startupeve, trajnimit dhe mentorimit. Për më tepër, projekti ka ofruar mjete artizanale të specializuara për shkollat e mesme në Rožaje dhe pranë Sjenicës në Serbi, që do të përdoren nga nxënësit dhe sipërmarrës të tjerë të mundshëm.

Aventurat natyrore në Ballkanin Perëndimor me Nolin dhe kompaninë e tij

Një sipërmarrës i ri nga Kosova rrit kompaninë e tij për turizmin rural me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Nol Krasniqi është anëtar i ekipit kosovar të ngjitjes në shkëmbinj, aktivist mjedisor dhe guidë turistike malore. Ai jeton në qytetin e Pejës në Kosovë, i cili është i rrethuar nga Bjeshkët e Nëmuna – një nga vargmalet më mbresëlënëse në Ballkanin Perëndimor. Po të shohësh shkëmbinjtë gëlqerorë, është shumë e thjeshtë të kuptosh përse këto male janë atraksion për kaq shumë turistë.  Noli ka punuar vetë si guidë turistike malore që kur ka qenë 18 vjeç dhe në vitin 2014 ai vendosi ta kthejë punën e tij me kohë të pjesshme në një biznes me kohë të plotë, së bashku me partnerin e tij të biznesit, Virtytin. Një ofertë më e mirë  Noli shpjegon se ata filluan të mendonin për biznesin e turizmit malor kur numri i vizitorëve në qytet dhe në malet përreth filloi të rritet dhe operatorët e parë turistikë iu bashkuan tregut.  “Ata po ofronin shumë pak mundësi turistike. Ne menduam se mund të ofronin diçka më të mirë dhe lançuam kompaninë,“ shprehet ai. Gjashtë vite më pas, ‘Balkan Natural Adventure’ është një konkurrent i rëndësishëm në sektorin e turizmit malor jo vetëm në Kosovë, por edhe për vendet fqinjë si Shqipëria dhe Mali i Zi.

“Mbështetja e ofruar nga Bashkimi Evropian ishte një etapë e rëndësishme për qëndrueshmërinë ekompanisë sonë”

Strategjia e re e tregut  Kompania ka mirëpritur mbi 700 grupe turistësh Megjithatë, përveç suksesit ata kanë hasur edhe vështirësi dhe sfida. Që në fillim, transporti i turistëve ka qenë një problem i madh për shkak të kostos dhe besueshmërisë së shërbimit. Fillimisht ata punësuan autobusë të vegjël ose taksi në varësi të numrit të vizitorëve në grup. Por kjo ishte thjesht një zgjidhje afatshkurtër. “Madhësia mesatare  e grupeve me vizitorë është rreth tetë persona. Tregu nuk ofronte zgjidhje fort të mira për këtë madhësi grupi: shpesh na është dashur të marrim me qira minibusë me 20 vende ose të marrim me qira dy makina. Nuk ishte frytdhënëse financiarisht,“ shprehet Noli. Për më tepër, kompanitë e makinave me qira nuk ishin gjithnjë të besueshme dhe kjo e bënte akoma dhe më sfidues organizimin e transportit.  “Ne po përqendroheshim në turizmin malor dhe më pas pamë se vizitat kulturore po shtoheshin – na duhej shumëllojshmëri.” Tri vite më parë, partneri në biznes i Nolit, Virtyti, pa një thirrje të hapur të lançuar nga Bashkimi Evropian në rrjetet sociale për mbështetjen e kompanive, duke përfshirë ato që punojnë në fushën e turizmit. Duke qenë se ‘Balkan Natural Adventure’ kishte nevojë për mbështetje, ata vendosën të aplikonin. Ata kërkuan ndihmë për reklamim ndërkombëtar të kompanisë, për studime për zhvillimin e  vizitave kulturore dhe blerjen e një fugoni me tetë vende për pasagjerë për të zgjidhur problemin e tyre me transportin.  Propozimi i tyre u miratua dhe atyre iu bashkë-financuan të gjitha nevojat nga Bashkimi Evropian. “Mbështetja e ofruar nga Bashkimi Evropian ishte një etapë e rëndësishme për qëndrueshmërinë e kompanisë sonë. Përveç rritjes së besueshmërisë dhe numrit të shërbimeve tona, ne punësuam më shumë njerëz. Tani kemi tri persona që punojnë me kohë të plotë në departamentet e shitjes dhe administrimit dhe kemi 15 anëtarë të personelit me kohë të pjesshme që punojnë si guida turistike dhe shoferë,“ shprehet Noli. Ai e përshkruan ekipin e tyre aktual si profesional dhe shpjegon se ai përfshin guida nga Shqipëria dhe Mali i Zi. “Fillimisht patëm probleme me gjetjen e personave të përkushtuar ndaj punës si guida. Megjithatë, pasi patëm disa shembuj të mirë ku guidat fitonin rrogën e një viti në katër muaj, gjërat filluan të ndryshojnë.“ Po të mos kishte qenë për pandeminë e COVID-19-ës, ‘Balkan Natural Adventure’ do të kishte mirëpritur 500 grupe turistësh këtë vit. Kjo do të kishte qenë një rritje e rëndësishme. Pavarësisht pandemisë, Noli dhe partneri i tij parashikojnë një të ardhme të shndritshme për kompaninë e tyre: në dhjetë vitet e ardhshme, ata presin të shtojnë 40 guida turistike dhe shoferë me kohë të pjesshme dhe të rritin ë stafin e tyre me kohë të plotë në dhjetë persona.

“Gjithnjë e më tepër persona po e shikojnë turizmin e qëndrueshëm si të ardhmen e tyre”

  Por kemi ende sfida të tjera përpara nesh. Ndër kryesoret përfshijnë ndërtimet e paligjshme në male, hidrocentralet dhe ndotjen e ajrit. Megjithatë, Noli mbetet optimist. “Gjithnjë e më tepër persona po e shikojnë turizmin e qëndrueshëm si të ardhmen e tyre,” shprehet ai. “Pas fushatës reklamuese, gjatë vitit 2020 patëm më shumë rezervime seç kishim pasur në të tri vitet e fundit së bashku.  COVID-i pati efektet  e tij, por fatmirësisht pjesa më e madhe e klientëve i shtynë rezervimet e tyre: ata nuk i anuluan ato, kështu që investimi ynë nuk humbi,“ thekson Noli.

Rritja profesionale përtej kufijve me aftësi të reja menaxhimi

Një sipërmarrëse shqiptare e re dhe e sukseshme përfiton akses në tregun ndërkombëtar me mbështetjen e programit të financuar nga BE-ja. Nëse do të kishte ndjekur këshillën e prindërve të saj, Edona sot do të ishte inxhiniere. Të dy prindërit e saj janë diplomuar për shkenca dhe dëshira e tyre ishte që vajza e tyre të ndiqte të njëjtën rrugë. Por ajo zgjodhi një profesion tjetër. Ajo përshkruan momentin kur filloi të plotësonte formularin e aplikimit për fakultetin e Inxhinierisë. “E dija që ky ishte një vendim i rëndësishëm dhe që me shumë mundësi do të ndikonte gjithë jetën time. Pata këtë ndjesinë se nuk duhej të vazhdoja me plotësimin e formularit, kështu që ndalova,” shprehet ajo. Ajo u largua për t’iu drejtuar Fakultetit të Ekonomisë, ku plotësoi formularin e aplikimit për administrim biznes. Ky mund të duket si një vendim i befasishëm, por nuk ishte i tillë. Prej kohësh Edona kishte pasur dëshirën e fshehur për t’u bërë menaxhere biznesi. Dhjetë vite më vonë u tregua se vendimi i saj kishte qenë i duhuri. Si u bë një menaxhere e suksesshme Regjistrimi në Fakultetin Ekonomik ishte fillimi i një karriere të suksesshme. Pak vite pas regjistrimit ajo u bë asistente pedagoge dhe më pas u ngrit në detyrë duke marrë pozicionin e pedagoges. Në të njëjtën kohë, ajo filloi punë në një firmë konsulence, ku pas pak kohësh u bë partnere e menaxhimit.

“Tregu ynë ishte i kufizuar në Shqipëri dhe Kosovë dhe unë isha e interesuar të eksploroja tregje të tjera, duke qenë se stafi ynë, i përbërë kryesisht prej femrash është i aftë dhe i gatshëm të përballojë më shumë punë”

Kompania ofron këshillim për bizneset rreth zbatimit të standardeve ISO (Organizata Ndërkombëtare për Standardizim) dhe për zhvillimin e propozimeve për projekte për skema grantesh për donatorë vendas dhe ndërkombëtarë. Ata ofrojnë shërbime për rreth 200 biznese çdo vit dhe shoqëria po rritet. “Sidoqoftë, tregu ynë ishte i kufizuar në Shqipëri dhe Kosovë dhe unë isha e interesuar të eksploroja tregje të tjera, duke qenë se stafi ynë, i përbërë kryesisht prej femrash është i aftë dhe i gatshëm të përballojë më shumë punë,” shprehet ajo. Aksesi në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në biznesin e konsulencës është ndërmarrje sfiduese. Për më tepër për vende si Shqipëria që janë ende duke u përballur me sfida ekonomike. Edona kishte nevojë për ndihmë. Një mik e këshilloi të kërkonte mbështetjen e Rrjetit të Sipërmarrësve për Iniciativat e Rritjes (ENGI4NE-2). Ky projekt i financuar nga BE-ja i ofron sipërmarrësve të rinj mundësinë të kalojnë kohë me një sipërmarrës me përvojë jashtë vendit për të nxënë aftësi të reja në menaxhimin e biznesit. Përmirësimi i aftësive me teknologjinë e re Fillimisht Edona nuk ishte e sigurt nëse duhej të merrte pjesë, sepse mendonte se mund t’i merrte shumë nga koha që i nevojitej për të menaxhuar kompaninë e saj. Si përfundim, ajo u bind dhe sërish mori vendimin për të aplikuar për diçka për të cilën nuk është penduar. Ajo zgjodhi një kompani mikpritëse në Austri, duke qenë se kishte bërë studimet e doktoraturës atje. “Por isha e interesuar në një kompani më të vogël, si e jona dhe jo në korporatat e shquara si Deloitte ose kompani të ngjashme të mëdha ndërkombëtare. Në një kompani më të vogël, sfidat do të ishin të ngjashme me sfidat tona dhe unë isha e interesuar të shihja se si do t’i trajtonin ato,” shpjegon ajo.

“Ishte një përvojë që më hapi sytë dhe më bëri të kuptoj se sa shpejt zhvillohen gjërat në sektorin tonë. Në veçanti mësova rreth përmirësimit të komunikimit duke përdorur teknologjinë.”

Rreth projektit Projekti u mbështet nga Erasmus për Sipërmarrësit e Rinj, që është një program shkëmbimi përtej kufijve i financuar nga BE-ja që u ofron sipërmarrësve të rinj ose aspirues mundësinë të nxënë nga sipërmarrësit me përvojë të cilët drejtojnë biznese të vogla në vendet e tjera pjesëmarrëse. Mikpritësi përfiton nga perspektivat e reja dhe mundësitë për të ndërtuar lidhje me partnerë të huaj dhe për të nxënë rreth tregjeve të reja. Shqipëria merr pjesë në program krahas vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo shprehet sa ka mësuar shumë gjatë qëndrimit të saj, i cili zgjati për shtatë muaj. “Ishte një përvojë që më hapi sytë dhe më bëri të kuptoj se sa shpejt zhvillohen gjërat në sektorin tonë. Në veçanti mësova rreth përmirësimit të komunikimit duke përdorur teknologjinë,” shprehet ajo. Edona shprehet se deri në atë moment ajo kishte komunikuar me klientët si dhe me ekipin e saj me mënyra më tradicionale. Falë përvojës në Austri ajo prezantoi aplikacione si Slack për komunikimin e brendshëm dhe Google Drive për të komunikuar me klientët. Si rrjedhojë, kompania e saj është tani shumë më efikase gjatë komunikimit në distancë, gjë që rezultoi të ishte veçanërisht e dobishme në mjedisin e ri të imponuar nga pandemia e COVID-19-ës. Megjithatë, qëllimi kryesor i pjesëmarrjes së saj në projekt ishte të eksploronte dhe të mësonte se si të aksesonte tregje ndërkombëtare. Edona pati sukses edhe në këtë drejtim, pasi gjatë qëndrimit të saj atje arriti të bënte klient të sajin një kompani austriake. Sipërmarrësit në rritje Përveç Edonës, edhe 126 sipërmarrës të tjerë (75 të rinj dhe 51 të vjetër) përfituan nga projekti për shkëmbime të suksesshme marrëdhëniesh. Konsorciumi zbatues i projektit ka një gjeografi të përzier, duke ofruar mbulim të plotë të destinacioneve që janë tërheqëse për sipërmarrësit, duke përfshirë Shqipërinë dhe Turqinë. Partneri kryesor ishte Condindustria Ancona (CA) në Itali me partnere në Shqipëri Tirana Regional Development Agency.

Biznes i ri gjatë një krize ekonomike

Një biznes i ngritur nga një i ri sipërmarrës në Serbi po shënon rritje pavarësisht klimës sfiduese të biznesit. Strahinja Tirnanić, 31 vjeç, është një sipërmarrës nga Serbia. Ai e filloi karrierën e tij si administrues uebi në një shoqëri që menaxhon një portal punësimi online, dhe shumë shpejt i ngjiti shkallët e suksesit duke u ngritur në detyrë si Menaxher Marketingu dhe PR dhe Zhvillues Biznesi. Në këtë çast, ai kuptoi se mund të ngrinte dhe të drejtonte një biznes të tijin. “Idenë e drejtimit të një biznesi e kam pasur prej kohësh. Pas gjashtë vjetësh përvojë në biznes, arsim të vazhduar, dhe një bazë të mirë me kontakte biznesi, vetëbesimi im u rrit. Vendosa se kishte ardhur koha ta hidhja këtë hap në sipërmarrje.” – thotë ai. Hedhja e këtij hapi Sipas kërkimeve të tij, tregut i mungonin shërbimet e konsulencës në marketing dhe menaxhim. Ishin pikërisht fushat ku ai kishte më tepër aftësi. Ai zhvilloi një plan biznesi, dha dorëheqjen, dhe regjistroi shoqërinë e tij të konsulencës, me specializim në këto fusha. Megjithatë, si shumë të rinj sipërmarrës në Ballkanin Perëndimor, atij i nevojitej mbështetje, në veçanti për të eksploruar tregjet e reja jashtë Serbisë dhe për të mësuar se si menaxhohen projektet në distancë. Promovimi në kohën e duhur në median sociale e prezantoi me programin e financuar nga BE-ja, Erasmus për të Rinjtë Sipërmarrës (EYE). “Në Facebook lexova rreth një dite informimi për programin në qytetin tim. Duke qenë se po shkoja në Zvicër për pushime, i kontaktova organizatorët dhe iu kërkova që të caktonim një takim pasi të kthehesha. Ata ranë dakord, dhe ndërkohë që po nisesha për në Gjenevë, ndjeva se po fillonte rrugëtimi im në biznesin ndërkombëtar!”

“Vendosa se kishte ardhur koha ta hidhja këtë hap në sipërmarrje.”

Projekti që mbështeti Strahinjan quhej StartUp2. Lehtëson shkëmbimin, të nxënit, dhe rrjetëzimin e sipërmarrësve të rinj. Shkëmbimi realizohet gjatë qëndrimit jashtë vendit me një sipërmarrës me përvojë, që e ndihmon sipërmarrësin e ri të përvetësojë aftësitë e nevojshme për të drejtuar një firmë të vogël. Kjo ishte pikërisht ajo që kërkonte Strahinja. Drejt Sllovenisë Ai zgjodhi të vizitonte Slloveninë për shkëmbimin e tij, dhe përzgjodhi Klubin e Biznesit Luksemburg – Slloveni (LSBC) si organizatën pritëse. Atë e tërhoqi shumëllojshmëria e veprimtarive, mënyrat e reja të punës, si dhe mjedisi krijues dhe ndërkulturor. “Isha i sigurt se do të ishte një sfidë e shkëlqyer për mua, dhe prisja me padurim që të eksploroja Slloveninë dhe mjedisin e biznesit.” Ai qëndroi në Slloveni për tre muaj dhe pati një përvojë, që ai e quan si periudha më e bukur e karrierës dhe jetës së tij. Duke pasur këshilltarë në mbarë botën, LSBC-ja ka përvojë fantastike në veprimtaritë në distancë. Një ndër gjërat më të rëndësishme që Strahinja thotë se ka mësuar gjatë shkëmbimit ishte se si t’i menaxhonte njerëzit në distancë. Gjithashtu, ai i përmirësoi aftësitë e tij digjitale për të rritur produktivitetin dhe efikasitetin. Megjithatë, është rrjeti i njerëzve ai që Strahinja e konsideron si vlerën më të madhe nga shkëmbimi. Rrjetet krijojnë biznese Gjatë qëndrimit të tij, Strahinja mori pjesë në shumë aktivitetet biznesi dhe punoi për zgjerimin e rrjetit të tij. Si rrjedhojë, sistemi i tij për Menaxhimin e Marrëdhënieve me Klientët tanimë përfshin emrat e 60 drejtuesve që ka takuar në aktivitete të ndryshme. Një emër që e krenon në veçanti është sipërmarrësi amerikan i mirënjohur në mbarë botën dhe themeluesi i shumë bizneseve, Jeff Hoffman! Strahinja u kthye me pesë klientë dhe partnerë nga Sllovenia me të cilët bashkëpunon ende. Një nga këta partnerë është PGB.global, një biznes i ri për teknologjitë digjitale, i cili sipas tij është klienti më i madh. Që prej asaj kohe, ai ka punësuar dy kolegë të rinj, është zhvendosur në zyra të reja, dhe ka fituar dy klientë të rinj. Pavarësisht pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, Strahinja ka parë rritje të konsiderueshme gjatë gjashtë muajve të fundit. Ai i jep merita të veçanta projektit StartUp2 për suksesin e tij. “Unë besoj se suksesi është rezultat i aftësisë sonë për të punuar në distancë dhe fokusit tonë në tregun ndërkombëtar. Këto janë ato që mësova në LSCB në Slloveni.” – thotë ai.

“Unë besoj se suksesi është rezultat i aftësisë sonë për të punuar në distancë dhe fokusit tonë në tregun ndërkombëtar. Këto janë ato që mësova në LSCB në Slloveni.”

StartUp2 mbështetet nga Erasmus për të Rinjtë Sipërmarrës (EYE), që është një program shkëmbimi ndërkufitar që iu jep sipërmarrësve të rinj apo aspirantë mundësinë të mësojnë nga sipërmarrës me përvojë, që drejtojnë biznese të vogla në vende të tjera pjesëmarrëse. Vendi pritës përfiton nga pikëpamje dhe mundësi të reja për të krijuar lidhje me partnerë të huaj dhe për të mësuar rreth tregjeve të reja. Serbia merr pjesë në program, krahas vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor. Strahinja është një nga të rinjtë e shumtë që kanë përfituar nga StartUp2. Deri tani, projekti ka mbështetur 128 sipërmarrës nga vende të ndryshme me trajnime në detyrë, ka lehtësuar dhe ka konsoliduar biznese të reja të suksesshme, si dhe ka ndihmuar firmat e mëdha në hyrjen e tyre në tregje evropiane. Drejtohet nga një konsorcium prej tetë partnerësh nga Finlanda, Franca, Italia, Letonia, Portugalia, Serbia, Spanja, dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe bashkërendohet nga CESIE (Qendra Evropiane e Studimeve dhe Nismave) nga Italia. Qendra për Zhvillimin e Biznesit nga Kragujevac është partneri i projektit në Serbi.

Mësimi rreth artit të biznesit në një vend të pazakontë

Një sipërmarrës i ri nga Serbia udhëton në një fshat të vogël në Spanjë për të mësuar artin e biznesit. Torralba de Ribota ka vetëm 120 banorë dhe ekonomia e saj është shumë larg gjallërueses. Ky fshat në verilindje të Spanjës nuk ka dyqane dhe ka vetëm një bar, dhe burimi kryesor i të ardhurave për banorët është bujqësia. Por një sipërmarrës 31-vjeçar serb, Mladen Savković, vendosi të kalonte një muaj atje për të përmirësuar aftësitë e tij në biznes. Mladen është profesionist i marrëdhënieve me publikun (PR), i cili pas një përvoje 10-vjeçare si gazetar dhe profesionist i pavarur në PR për veprimtari artistike dhe kulturore, vendosi të hapte agjencinë e tij të PR-it. Megjithatë, Mladen kuptoi se i nevojitej mbështetje për të pasur performancë më të mirë. “Lexova një histori të një gruaje nga Serbia e cila kishte themeluar një shoqëri, që prodhon makarona artizanale. Për të përmirësuar biznesin e saj, ajo kishte aplikuar për të marrë financim nga BE-ja që të shkonte për disa muaj në Siçili ku do të mësonte zanatin nga ekspertët. Kjo m’u duk zgjidhja ideale për mua! Ndaj, fillova të hulumtoja se si ia kishte arritur,” – thotë ai.

“Mendova që nëse mëson si ta angazhosh audiencën atje, mund ta angazhosh audiencën kudo.”

Kështu Mladen zbuloi projektin MOVE-YE, që financohet nga programi COSME i Bashkimit Evropian. Si shumë të rinj të tjerë, Mladen e shfrytëzoi mundësinë e një vizite pune në një vend të BE-së. Duke qenë se flet spanjisht, Spanja ishte zgjedhje e padiskutueshme. Cili ishte destinacioni? Ideja e tij e parë ishte Madridi ose Barcelona. Ai shpjegon që kishte shumë shoqëri që pranuan ta prisnin dhe shumica ishin në fushën e turizmit, teknologjisë së informacionit, dhe sektorë të tjerë. Megjithatë, atë e tërhoqi një mundësi në sektorin kulturor në Torralba de Ribota. “Më intervistuan dy zonja që drejtojnë Festivalin Saltamontes të artit dhe muzikës në fshat, dhe më lanë mbresa. Ky është një fshat i vogël dhe ato kishin arritur të organizonin një festival të suksesshëm arti! Mendova me vete që nëse mëson si ta angazhosh audiencën atje, mund të angazhosh çdo audiencë kudo, dhe vendosa që ishte mundësia e duhur për mua.” Mladen kaloi një muaj duke punuar në Festivalin Saltamontes. Ai e pa rëndësinë e promovimit të artit dhe kulturës jashtë zonave urbane, ku ende përbën një pjesë jetike të përditshmërisë, por disi më ndryshe. “Jam më i ndërgjegjësuar rreth rëndësisë së ndërveprimit me komunitetin vendor dhe vëmendjen ndaj nevojave dhe interesave të tyre kulturore.” – thotë ai.

“Jam më i ndërgjegjësuar rreth rëndësisë së ndërveprimit me komunitetin vendor dhe vëmendjen ndaj nevojave dhe interesave të tyre kulturore.”

Projekti MOVE-YE (Mobilizimi i Vlerave dhe Ideve Sipërmarrëse në Evropë) i financuar nga BE-ja synon të përmirësojë kulturën sipërmarrëse dhe rrjetëzimin e sipërmarrësve evropianë. Me financimin e programit COSME, ofron mundësi për sipërmarrësit e rinj dhe me përvojë që të vëzhgojnë praktika të ndryshme biznesi, të kuptojnë tregje të reja, dhe të ndërkombëtarizojnë e të sjellin risi në biznesin e tyre përmes një skeme mobiliteti ndërkufitar. Le ta sjellim përvojën në shtëpi Mladen punon kryesisht me institucione që organizojnë aktivitete dhe festivale kulturore. Tani ai po planifikon që t’i prezantojë klientët e tij në Serbi me metodat e angazhimit të audiencës të cilat i mësoi në Spanjë. “Mund të bësh një ekspozitë dhe ta lësh me kaq, por unë mësova se është e rëndësishme të punosh me audiencën dhe të përqendrohesh tek angazhimi i komunitetit më intensivisht. Përvoja në Festivalin Saltamontes më bëri të gjeja ide që mund t’i zbatoj në Serbi.” – thotë ai.

Një kompani e vogël që dëshiron të mbetet e tillë

Një biznes serb i veshjeve që ndërthur krijimtarinë me dizajnin ekologjik po lulëzon me mbështetjen e BE-së. Regenerik është një valë e re e markave inovative të veshjeve që po fiton terren në Serbi. Shoqëria prodhon veshje urbane dhe aksesorë të bërë me dorë nga materiale si fibra natyrore dhe materiale të ricikluara dhe të biodegradueshme. Ky lloj prodhimi nuk është shumë i zakontë në Serbi, ose në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Danica Tomić është një nga themelueset e Regenerik. Ajo u diplomua në arkitekturë dhe deri para një viti nuk i kishte shkuar kurrë nëpër mend se do të merrej me diçka tjetër. Pas diplomimit, iu dha mundësia për zhvillimin e stazhit në një firmë arkitekturore, por u mërzit shumë shpejt me natyrën e detyrave administrative që iu caktoheshin stazhierëve. Danica-s i vlonte dëshira për të bërë diçka krijuese. Nga arkitektura te moda Kur një mik i ngushtë i sugjeroi ta linte punën dhe t’i bashkohej atij në një biznes të ri, ajo ra dakord por me një kusht, që në biznesin e ri të kishte mundësi të vinte në jetë krijimtarinë e saj. Shumë shpejt, ekipit iu bashkua edhe motra e saj dhe treshja e sapoformuar kishte shumë energji, por i mungonte një ide specifike biznesi. Ato as që ia kishin idenë se ku duhej të drejtoheshin për këshilla.

“Kur mora pjesë në trajnimin e parë, nuk kisha një ide të qartë për llojin e biznesit që doja të nisja… Unë jam arkitekte, por pasioni im ka qenë gjithmonë dizajni i veshjeve.”

Danica është një person proaktiv, kështu që filloi menjëherë të bënte kërkime në internet dhe t’iu kërkonte miqve të saj këshilla për fillimin e një biznesi. Një mik i tregoi asaj për një program mbi bizneset e reja të financuar nga Bashkimi Evropian, i cili mbështeste sipërmarrësit e rinj për të zhvilluar aftësitë e tyre të biznesit. “Kur mora pjesë në trajnimin e parë, nuk kisha një ide të qartë për llojin e biznesit që doja të nisja… Unë jam arkitekte, por pasioni im ka qenë gjithmonë dizajni i veshjeve, dhe pas diskutimit dhe analizës me mentorët mbi kursin vendosa të filloja Regenerik”, shprehet Danica. Po ashtu, përmes këtyre trajnimeve Danica përmirësoi aftësitë e saj lidhur me zhvillimin dhe prezantimin e produktit, si dhe mësoi mbi menaxhimin e biznesit. Duke ndërthurur këto njohuri me pasionin e saj, ajo dhe miqtë e saj prezantuan me sukses biznesin e tyre. Që prej asaj kohe, biznesi i tyre është zgjeruar, duke punësuar punonjës shtesë që punojnë së bashku për prodhimin e produkteve Regenerik.

“Ndihem më mirë dhe më rehat kur e di që edhe personat e tjerë do të rriten së bashku me ne. Kjo është ideja themelore e Regenerik: punë e përbashkët, përfitime të përbashkëta dhe mbrojtje e mjedisit.”

Gjithashtu, projekti synonte të ndikonte në punësueshmërinë e të rinjve në planin afatgjatë. Partnerët e projektit punuan për zhvillimin e kapaciteteve të mbi 120 organizatave të shoqërisë civile në Ballkanin perëndimor, në mënyrë që ato të mund të bashkëpunonin për zhvillimin dhe zbatimin e qasjeve inovative për punësueshmërinë dhe punësimin e të rinjve. Projekti u zhvillua nga Belgrade Open School, së bashku me partnerë nga Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi, dhe Qendrën Ndërkombëtare Olof Palme (Suedi).   Të qenit i vogël është zgjidhja më e mirë Danica nuk ëndërron të ketë një kompani të madhe. Ajo thotë se do të ishte e kënaqur nëse biznesi i saj do të rritej gradualisht, në mënyrë që të angazhonte sa më shumë njerëz për të punuar në prodhimin me dorë të produkteve Regenerik. “Ndihem më mirë dhe më rehat kur e di që edhe personat e tjerë do të rriten së bashku me ne, dhe ky është thelbi i idesë së Regenerik: punë e përbashkët, përfitime të përbashkëta dhe mbrojtje e mjedisit” pohon ajo. Programi i trajnimit që ndoqi Danica u organizua nga projekti WeB4YES, i financuar nga BE-ja. Pas pjesëmarrjes në këtë projekt, përveç Danica-s, mbi 1,000 të rinj nga Ballkani Perëndimor kanë përfituar nga aftësitë e reja dhe kanë prezantuar biznese të reja, ose janë punësuar në kompani të tjera.

Gjeni punën e ëndrrave në Cloud

Modeli i ri i trajnimit digjital adreson mospërputhjen e aftësive dhe papunësinë tek të rinjtë. Përqindja e papunësisë tek të rinjtë në Ballkanin Perëndimor është ndër më të lartat në Evropë, nga 28.3% në Shqipëri në 55.4% në Kosovë (Eurostat 2018). Megjithatë, nga ana tjetër shumë vende pune mbeten bosh. Një zgjidhje parashikon aftësimin e të rinjve përmes kurseve të trajnimit, që përqendrohen tek aftësitë specifike të kërkuara. Këtë qasje ndoqi organizata rinore serbe, “RES POLIS” (Qendra për të Rinjtë dhe Zhvillimin Social), e specializuar në hapjen e mundësive të arsimit joformal për të fuqizuar të rinjtë.   “Në Serbi po përballeshim me një paradoks.” – shpjegon Boris Negeli nga RES POLIS. “Nga njëra anë kishim përqindje të lartë papunësie, ndërsa nga ana tjetër, në sektorin e TI-së mungonin punonjës me aftësitë e duhura. Zgjidhja ishte e thjeshtë për ne: programet arsimore të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, përgjegjës për trajnimin e personave të papunësuar, duhet të përfshinin trajnimin në TIK.”Kjo ishte ajo që e frymëzoi nismën “Ideo Punën Tënde”, nga RES POLIS në vitin 2009. Objektivi ishte zhvillimi dhe testimi i programeve arsimore në TIK, në fushat ku mungojnë punonjës me aftësitë e duhura. Që prej asaj kohe, “Ideo Punën Tënde” është rritur ditë pas dite. Kjo nismë mbështetet nga programi ERASMUS+ i Bashkimit Evropian, që promovon bashkëpunimin në arsimin, trajnimin dhe punën e të rinjve, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Projekti përfshin organizata partnere nga Franca, Italia, Shqipëria dhe Qiproja, të cilat sjellin ekspertizë të shumëllojshme. Duke qenë se shumë vende në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë përballen me sfida të ngjashme, ndarja e përvojave është jetike. Janë zhvilluar kurse trajnimi në fusha të shumëllojshme, si: dizenjimi grafik, dizenjimi i faqeve të internetit, programimi, modelimi 3D, dhe animimi i lojërave. Në këto kurse pranohen personat e grupmoshës 18 – 30 vjeç, në veçanti të rinjtë nga grupe të pafavorizuara. Kandidatët e suksesshëm i kryejnë trajnimet në një prej vendeve partnere në mënyrë që të përftojnë përvojë ndërkombëtare.

“Nga njëra anë kishim përqindje të lartë papunësie, ndërsa nga ana tjetër, në sektorin e TI-së mungonin punonjës me aftësitë e duhura. Zgjidhja ishte e thjeshtë për ne: programet arsimore të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, përgjegjës për trajnimin e personave të papunësuar, duhet të përfshinin trajnimin në TIK.”

Thyerja e rrethit vicioz Eriseldi, një 26-vjeçar nga Shqipëria, është një nga të rinjtë që kanë aplikuar për një kurs trajnimi. “Ndonëse jam diplomuar në Teknologji Informacioni, në vend që të ushtroja profesionin tim, më është dashur të punoj në fabrikë.” – shprehet ai. Eriseldi shpjegon se kurrikula universitare përfshinte shumë teori, por nuk i ofronte mjaftueshëm aftësi praktike.

“Synimet e mia profesionale ndryshuan pasi dëgjova për “Ideo Punën Tënde”. Ishte pikërisht ajo që kërkoja.”

Motivim për të ardhmen Me kërkesat në rritje, RES POLIS gjithnjë shikon drejt së ardhmes. Programet vlerësohen rregullisht për të garantuar se adresojnë sfidat e sektorit të TIK-ut në planin afatgjatë. Qëllimi përfundimtar është që programet arsimore të TIK-ut të bëhen pjesë e portofolit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit për trajnimin e personave të papunësuar. Kjo gjë e futi Eriseldin në një rreth vicioz, ku i duhej përvojë për të filluar karrierën e tij, por nuk kishte asnjë mënyrë për të përftuar përvojë pa u punësuar fillimisht. “Megjithatë, synimet e mia profesionale ndryshuan pasi dëgjova për “Ideo Punën Tënde”. Ishte pikërisht ajo që kërkoja.” – shprehet Eriseldi. Eriseldi ndoqi trajnimin 10-ditor, pjesë e nismës “Ideo Punën Tënde” në Serbi dhe në Itali, që e pajisi me aftësi dhe pikëpamje të reja të nivelit ndërkombëtar. Shumë shpejt, ai mori një ofertë pune nga InTech, një kompani TI-je me seli në Tiranë, ku realizoi trajnimin praktik gjatë projektit. Pasi përvetësoi përvojën e punës, Eriseldi vendosi të ushtronte profesionin e tij në mënyrë të pavarur duke ofruar shërbime TI-je për klientë vendas dhe ndërkombëtarë. Planet e tij për të ardhmen përfshijnë ngritjen e një biznesi, ku do të punësojë edhe persona të tjerë.