Skip to main content

Autor: WeBalkans

Rritja profesionale përtej kufijve me aftësi të reja menaxhimi

Një sipërmarrëse shqiptare e re dhe e sukseshme përfiton akses në tregun ndërkombëtar me mbështetjen e programit të financuar nga BE-ja. Nëse do të kishte ndjekur këshillën e prindërve të saj, Edona sot do të ishte inxhiniere. Të dy prindërit e saj janë diplomuar për shkenca dhe dëshira e tyre ishte që vajza e tyre të ndiqte të njëjtën rrugë. Por ajo zgjodhi një profesion tjetër. Ajo përshkruan momentin kur filloi të plotësonte formularin e aplikimit për fakultetin e Inxhinierisë. “E dija që ky ishte një vendim i rëndësishëm dhe që me shumë mundësi do të ndikonte gjithë jetën time. Pata këtë ndjesinë se nuk duhej të vazhdoja me plotësimin e formularit, kështu që ndalova,” shprehet ajo. Ajo u largua për t’iu drejtuar Fakultetit të Ekonomisë, ku plotësoi formularin e aplikimit për administrim biznes. Ky mund të duket si një vendim i befasishëm, por nuk ishte i tillë. Prej kohësh Edona kishte pasur dëshirën e fshehur për t’u bërë menaxhere biznesi. Dhjetë vite më vonë u tregua se vendimi i saj kishte qenë i duhuri. Si u bë një menaxhere e suksesshme Regjistrimi në Fakultetin Ekonomik ishte fillimi i një karriere të suksesshme. Pak vite pas regjistrimit ajo u bë asistente pedagoge dhe më pas u ngrit në detyrë duke marrë pozicionin e pedagoges. Në të njëjtën kohë, ajo filloi punë në një firmë konsulence, ku pas pak kohësh u bë partnere e menaxhimit.

“Tregu ynë ishte i kufizuar në Shqipëri dhe Kosovë dhe unë isha e interesuar të eksploroja tregje të tjera, duke qenë se stafi ynë, i përbërë kryesisht prej femrash është i aftë dhe i gatshëm të përballojë më shumë punë”

Kompania ofron këshillim për bizneset rreth zbatimit të standardeve ISO (Organizata Ndërkombëtare për Standardizim) dhe për zhvillimin e propozimeve për projekte për skema grantesh për donatorë vendas dhe ndërkombëtarë. Ata ofrojnë shërbime për rreth 200 biznese çdo vit dhe shoqëria po rritet. “Sidoqoftë, tregu ynë ishte i kufizuar në Shqipëri dhe Kosovë dhe unë isha e interesuar të eksploroja tregje të tjera, duke qenë se stafi ynë, i përbërë kryesisht prej femrash është i aftë dhe i gatshëm të përballojë më shumë punë,” shprehet ajo. Aksesi në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në biznesin e konsulencës është ndërmarrje sfiduese. Për më tepër për vende si Shqipëria që janë ende duke u përballur me sfida ekonomike. Edona kishte nevojë për ndihmë. Një mik e këshilloi të kërkonte mbështetjen e Rrjetit të Sipërmarrësve për Iniciativat e Rritjes (ENGI4NE-2). Ky projekt i financuar nga BE-ja i ofron sipërmarrësve të rinj mundësinë të kalojnë kohë me një sipërmarrës me përvojë jashtë vendit për të nxënë aftësi të reja në menaxhimin e biznesit. Përmirësimi i aftësive me teknologjinë e re Fillimisht Edona nuk ishte e sigurt nëse duhej të merrte pjesë, sepse mendonte se mund t’i merrte shumë nga koha që i nevojitej për të menaxhuar kompaninë e saj. Si përfundim, ajo u bind dhe sërish mori vendimin për të aplikuar për diçka për të cilën nuk është penduar. Ajo zgjodhi një kompani mikpritëse në Austri, duke qenë se kishte bërë studimet e doktoraturës atje. “Por isha e interesuar në një kompani më të vogël, si e jona dhe jo në korporatat e shquara si Deloitte ose kompani të ngjashme të mëdha ndërkombëtare. Në një kompani më të vogël, sfidat do të ishin të ngjashme me sfidat tona dhe unë isha e interesuar të shihja se si do t’i trajtonin ato,” shpjegon ajo.

“Ishte një përvojë që më hapi sytë dhe më bëri të kuptoj se sa shpejt zhvillohen gjërat në sektorin tonë. Në veçanti mësova rreth përmirësimit të komunikimit duke përdorur teknologjinë.”

Rreth projektit Projekti u mbështet nga Erasmus për Sipërmarrësit e Rinj, që është një program shkëmbimi përtej kufijve i financuar nga BE-ja që u ofron sipërmarrësve të rinj ose aspirues mundësinë të nxënë nga sipërmarrësit me përvojë të cilët drejtojnë biznese të vogla në vendet e tjera pjesëmarrëse. Mikpritësi përfiton nga perspektivat e reja dhe mundësitë për të ndërtuar lidhje me partnerë të huaj dhe për të nxënë rreth tregjeve të reja. Shqipëria merr pjesë në program krahas vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo shprehet sa ka mësuar shumë gjatë qëndrimit të saj, i cili zgjati për shtatë muaj. “Ishte një përvojë që më hapi sytë dhe më bëri të kuptoj se sa shpejt zhvillohen gjërat në sektorin tonë. Në veçanti mësova rreth përmirësimit të komunikimit duke përdorur teknologjinë,” shprehet ajo. Edona shprehet se deri në atë moment ajo kishte komunikuar me klientët si dhe me ekipin e saj me mënyra më tradicionale. Falë përvojës në Austri ajo prezantoi aplikacione si Slack për komunikimin e brendshëm dhe Google Drive për të komunikuar me klientët. Si rrjedhojë, kompania e saj është tani shumë më efikase gjatë komunikimit në distancë, gjë që rezultoi të ishte veçanërisht e dobishme në mjedisin e ri të imponuar nga pandemia e COVID-19-ës. Megjithatë, qëllimi kryesor i pjesëmarrjes së saj në projekt ishte të eksploronte dhe të mësonte se si të aksesonte tregje ndërkombëtare. Edona pati sukses edhe në këtë drejtim, pasi gjatë qëndrimit të saj atje arriti të bënte klient të sajin një kompani austriake. Sipërmarrësit në rritje Përveç Edonës, edhe 126 sipërmarrës të tjerë (75 të rinj dhe 51 të vjetër) përfituan nga projekti për shkëmbime të suksesshme marrëdhëniesh. Konsorciumi zbatues i projektit ka një gjeografi të përzier, duke ofruar mbulim të plotë të destinacioneve që janë tërheqëse për sipërmarrësit, duke përfshirë Shqipërinë dhe Turqinë. Partneri kryesor ishte Condindustria Ancona (CA) në Itali me partnere në Shqipëri Tirana Regional Development Agency.

Shkëmbimi i erasmus+ frymëzon gjeneratën e re te programuesve

Njihuni me Kostën – një yll në ngritje në teknologjinë e informacionit nga Maqedonia e Veriut që dëshiron të shfrytëzojë teknologjinë për të ndryshuar botën për më mirë. Kosta Gjorgjevski është një 18 vjeçar nga Shkupi, Maqedonia e Veriut. Pavarësisht moshës së tij të re, ai është bërë tashmë një nga profesionistët më të njohur të teknologjisë së informacionit në vendin e tij. Ai filloi programimin kur ishte vetëm dhjetë vjeç. Ai shpjegon se luante video lojëra thuajse çdo ditë derisa kuptoi se thjesht po humbiste kohë. “Mendova, pse të mos bëj diçka më sfiduese? Atëherë vendosa të zhvilloj vetë video lojëra,” shpjegon Kosta. Kosta punoi për zhvillimin e lojërave për pak kohë. Ai pati sukses, por teksa rritej filloi të mendojë se duhet të përqendrohej në gjëra më të rëndësishme. Ai e dinte se nëse përdorej siç duhet, teknologjia e informacionit mund të ndryshojë botën për më mirë.

“Mendova, pse të mos bëj diçka më sfiduese? Atëherë vendosa të zhvilloj vetë video lojëra.”

Si mund të bëhet bota një vend më i mirë? Në këtë moment ai vendosi ta marrë programimin shumë më seriozisht dhe ndaloi së zhvilluari video lojëra. Kosta zhvilloi një sistem softuer-harduer për një projekt shkollor, i cili zbulon gazet helmuese në ajër në një hapësirë të mbyllur. Sistemi pati sukses në zbulimin e gazeve toksike dhe lajmërimin e të personave pranë se diçka po nuk ishte siç duhet. Ai ndezi dhe sistemin e ventilimit për të larguar rrezikun. Projekti u njoh si një nga projektet më novatore në Maqedoninë e Veriut nga Fondi për Novacion. “Pas këtij projekti u ndjeva shumë mirë, ndjeva se po bëja diçka të dobishme me aftësitë e mia,” shprehet Kosta. Kur ishte 15 vjeç, ai fitoi një çmim të rëndësishëm për konkursin kombëtar Codefest Tech Hackathon. Gjatë konkursit Kosta, së bashku me ekipin, zhvilluan një aplikim për video-lojën historike Cold War. Kosta shpjegon se ideja ishte gjetja e një ngjarje historike, zhvillimi i një video loje rreth kësaj ngjarjeje dhe ta bëje disi edukative. Në fund, Kosta dhe ekipi i tij fituan vendin e dytë në përgjithësi dhe vendin e parë për ndërveprimin me përdoruesin dhe dizajnimin e përvojës së përdoruesit. Pas këtyre arritjeve, ai fitoi një sërë çmimesh të tjera – një arritje jashtëzakonisht mbresëlënëse në një moshë kaq të re.

“Këto përvoja kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në vizionin tim për të ardhmen. Kam ende gjëra të reja për të nxënë dhe po vazhdoj të kërkoj mundësi të reja të nxëni.”

Rreth programit ERASMUS+ është programi i BE-së që mbështet arsimin, trajnimin, të rinjtë dhe sportin në Evropë. Buxheti i tij prej 14.7 miliardë euro u ofron mundësi më shumë se katër milionë evropianëve për të studiuar, për t’u trajnuar dhe për të fituar përvoja jashtë vendit. Sidoqoftë rrugëtimi i tij drejt suksesit nuk ka qenë i thjeshtë. Ai pati mbështetjen e familjes, por gjithsesi i duhej të përballej me sfida të tjera. Një nga sfidat kryesore ishte të nxënit e matematikës së komplikuar që është thelbësore në programimin kompjuterik. Atij iu desh të ndiqte një sërë kursesh private për të përmirësuar aftësitë e tij në matematikë dhe në temat e lidhura me të. Kosta shpjegon se këto përvoja të nxëni sollën një ndryshim thelbësor për të në jetën profesionale dhe personale. “Këto përvoja kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në vizionin tim për të ardhmen. Kam ende gjëra të reja për të nxënë dhe po vazhdoj të kërkoj mundësi të reja të nxëni,” shprehet ai. Frymëzimi i Barcelonës Vitin e shkuar ai aplikoi dhe fitoi një mundësi për t’iu bashkuar një udhëtimi studimor në Barcelonë. Udhëtimi u financua dhe u mbështet nga programi ERASMUS+ i Bashkimit Evropian. Kosta dhe të rinjtë e tjerë kaluan 16 ditë në Barcelonë dhe vizituan universitete që punojnë për softuerë për makinat e Formula 1. Ata vizituan edhe fabrikën e makinave SEAT, kur mësuan rreth mekatronikës – robotë që ndërtojnë makina. “Ishte e jashtëzakonshme dhe mahnitëse,” shprehet Kosta. Kosta shpjegon se përvoja në Barcelonë e frymëzoi të krijojë projekte të reja dhe e motivoi akoma më tepër të ndjekë një karrierë në teknologjinë e informacionit. Po ashtu, ndërkohë që ishte në Barcelonë ai vizitoi edhe muze dhe vende të tjera kulturore, njohu miq të rinj dhe zgjeroi horizontet e tij kulturore. Tani, Kosta planifikon të ndjekë karrierën në inxhinieri kompjuterike, duke përfshirë edhe punën për programimin e harduerëve dhe softuerëve.  “E kam zgjedhur këtë sepse do të më mundësojë të krijoj pajisje që janë vërtet novatore,” shprehet ai.

Disa zakone nuk ndryshojnë: një pasion fëmijërie i kthyer në profesion

Nëpërmjet ERASMUS+ Florjan Muhaj nga Shqipëria e ka kthyer pasionin e tij për shkencat politike në karrierë profesionale. Politika ka qenë pasioni i Florjanit qe në fëmijëri. Kur shokët e tij luanin me top, Florjanit i pëlqenin lajmet dhe ngjarjet politike. Ai u përfshi në klubin e shkollës së tij për shkencat politike kur ishte vetëm 14 vjeç. Më pas ai iu bashkua senatit të shkollës dhe u përzgjodh President. Ai e vazhdoi aktivizmin politik në shkollën e mesme ku promovoi problematikat mjedisore për bashkëmoshatarët e tij. “Ndoshta disa gjëra shfaqen në fëmijërinë e hershme dhe thjesht bëhen më të forta dhe më të forta,” shprehet Florjani. Kur erdhi momenti për të vendosur për kursin e studimit në universitet, ai nuk kishte dyshime për fakultetin që do të zgjidhte. Ai u regjistrua në kursin e Universitetit të Shkencave Politike të Tiranës, i cili sipas Florjanit ishte ‘një program studimi relativisht i ri’. Ai kombinonte interesat e tij për demokratizimin, veprimin politik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

U përfshiva aq shumë në proces sa që isha tërësisht i bindur se për pak muaj do të isha pjesë e grupit të parë të studentëve që do të fillonin programin. Dhe ia dola!”

Zgjedhjet e karrierës Florjani ishte shumë i qartë se donte një karrierë në fushën e politikëbërjes dhe diplomacisë duke u përqendruar në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin e BE-së dhe jo aq shumë në partitë politike. Ai ishte i vetëdijshëm që kjo ishte një fushë studimi më specifike që kërkonte një lloj njohurie specifike dhe aftësi që nuk ishin të disponueshme në fakultetin e tij. Në vitin 2017 një nga profesorët e tij e këshilloi të merrte në konsideratë mundësinë që të studionte në një program të nivelit master jashtë shtetit për Shkenca Politike, Integrim dhe Qeverisje nëpërmjet një skeme bursash të financuara nga programi i Bashkimit Evropian ERASMUS+. Ai filloi përgatitjen e dokumenteve të aplikimit. “U përfshiva aq shumë në proces sa që isha tërësisht i bindur se në pak muaj do të isha pjesë e grupit të parë të studentëve që do të fillonin programin. Dhe ia dola!” Shprehet Florjani dhe entuziazmi i asaj kohe ndihet ende në zërin e tij. Ai zgjodhi të studiojë në Austri. “Në atë kohë, Universiteti i Salzburg-ut ishte i vetmi universitet brenda programit që ofronte kurse për vitet e para. Më pas për studimet e vitit të dytë pata mundësinë të zgjidhje midis universiteteve partnere të Ballkanit Perëndimor, por si mund të mateshin ato me Universitetin e Slazburg-ut?! Do ta zgjidhja atë një milion herë,” shprehet Florjani. Qasjet e reja Ai flet me entuziazëm për qasjen në Salzburg. “Kishte shumë mundësi zgjedhjeje për sa i përket moduleve të kurseve, thuajse sikur të mund hartoje kursin vetë – diçka që nuk ndodh gjithkund dhe veçanërisht jo në Ballkani Perëndimor ku ke një program kursi fiks dhe vetëm disa zgjedhje.”

“U riktheva në Shqipëri me shumë njohuri rreth BE-së, politikave dhe teorive të tij; dhe një dashuri të pafundme për Salzburg-un.”

Rreth programit ERASMUS+ është programi i BE-së që mbështet arsimin, trajnimin, të rinjtë dhe sportin në Evropë. Buxheti i tij prej 14.7 miliardë euro u ofron mundësi më shumë se katër milionë evropianëve për të studiuar, për t’u trajnuar dhe për të fituar përvoja jashtë vendit.   Gjatë studimeve në Austri ai pati mundësinë të vizitonte edhe disa nga institucionet kyçe të Bashkimit Evropian – në Luksemburg dhe Bruksel. Për të, kjo ishte një javë shumë produktive dhe ai pati mundësinë të shikonte vetë se si funksionon BE-ja dhe institucionet e saj. “U riktheva në Shqipëri me shumë njohuri rreth BE-së, politikave dhe teorive të saj; dhe një dashuri të pafundme për Salzburg-un dhe Austrinë dhe me miqësi të shkëlqyera që do të zgjasin përjetë.” Isha shumë entuziast që do të vendosja në praktikë çdo gjë që kisha nxënë,” shprehet ai. Fillimi i një karriere Florjani është tanimë 25 vjeç dhe punon për qeverinë lokale të qytetit të tij të lindjes në Njësinë e Integrimit në BE dhe Ndihmës së Huaj në të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Gjatë dy viteve të fundit, ai ka punuar fort në bashkinë e tij për të shtuar mundësitë për integrimin evropian. “Unë kam bashkëpunuar në organizimin e më shumë se sa 25 veprimtarive me rreth 1,000 pjesëmarrës në total, duke promovuar vlerat evropiane, angazhimin e të rinjve në shoqërinë civile dhe Ditët e rëndësishme për botën dhe Evropën dhe duke informuar qytetarët rreth procesit të integrimit në BE dhe institucionet dhe politikat e tij,” shprehet ai me krenari.

Po, ti mund ta kapësh Kanën!

Dizajneri i modës nga Sarajeva fiton mundësinë për të vizituar Festivalin e Filmit në Kanë në një konkurs për të apasionuarit të filmave. Milan Senić, 39, është një dizajner mode profesionist nga Sarajeva. Milan i adhuron filmat, por zakonisht nuk ka kohë të shohë filma për shkak të punës së tij. Vitin e kaluar ai pa një njoftim në Facebook për një projekt të quajtur Sfida e Filmit Evropian. Njoftimi ftonte audiencën të shikonte dhjetë filma evropianë në dhjetë javë në çdo lloj media të ligjshme. Pasi shikonin filmat, konkurrentët duhet të ndanin përvojën e tyre kinematografike në rrjetet sociale dhe të mblidhnin pikë. Konkurrenti që mblidhte numrin më të lartë të pikëve do të kishte mundësinë të merrte pjesë në një festival të madh filmi, me të gjitha kostot e mbuluar nga projekti.

 “Siç thonë: nëse do të bësh diçka, do ta gjesh kohën; nëse nuk e gjen, do të gjesh një justifikim.”

Një zakon i mirë Milani vendosi të marrë përsipër sfidën dhe filloi të përzgjidhte dhe të shihte filma. Përpara sfidës ai ishte një nga ata persona që duan të shikojnë më shumë filma por që s’kanë kohë për to. “Sfida më ndihmoi t’i rikthehem zakonit të mirë të të parit të filmave rregullisht. Siç thonë: nëse do të bësh diçka, do ta gjesh kohën; nëse nuk e gjen, do të gjesh një justifikim.” Milani e shijoi përvojën në konkurs, duke qenë se është admirues i madh i filmave evropianë. Duke kërkuar për filmat më të mirë evropianë, ai thotë se zbuloi shumë regjisorë dhe filma interesantë. Deri atëherë kishte preferuar kryesisht filmat spanjollë, italianë dhe francezë, por ai shprehet i kënaqur se gjatë sfidës pati mundësinë të zbulonte, për shembull, filma hungarezë që nuk i kishte parë kurrë. Çmimi kryesor Përpjekjet e tij patën rezultat. Milani pati fatin të fitonte konkursin dhe mundësinë të ishte pjesë e Festivalit të Filmit në Kanë. “Kisha informacion për Kanën, por kur shkova atje u shokova kur pashë sa e bukur dhe e shtrenjtë ishte gjithçka. Ishte një përvojë e mrekullueshme të shihje gjithë atë madhështi dhe luks,” shprehet ai. Për pjesën më të madhe të njerëzve në Kanë, Festivali është një udhëtim pune për t’u takuar me producentë, regjisorë dhe partnerë të tjerë të industrisë së filmit. Në këtë drejtim, Milani kishte avantazhin: ai nuk kishte gjë tjetër për të bërë përveçse të shijonte festivalin dhe të shihte filmat. Por, ai pati edhe mundësinë të përfitonte profesionalisht duke vizituar festivalin. Kana është një festival filmi i famshëm, pjesë thelbësore e të cilit është edhe moda dhe ishte një përvojë e jashtëzakonshme ta shikoje të gjithin drejtpërdrejtë. “Ishte edhe një përvojë profesionale e dobishme, duke qenë se Kana është shumë e rëndësishme për industrinë e filmit dhe modës,” shprehet Milan.

“Ishte edhe një përvojë profesionale e dobishme, duke qenë se Kana është shumë e rëndësishme për industrinë e filmit dhe modës.”

Promovimi i filmave evropianë Milan ishte vetëm një nga fituesit nga vendet pjesëmarrëse që ishin pjesë e projektit. Duke pasur parasysh suksesin e edicioneve të mëparshme, projekti arriti fazën e radhës në zhvillimin e audiencës dhe rritjen e komunitetit. Kjo përfshin zbatimin e katër ideve kryesore novatore: një program për influencuesit e filmit dhe platformën e kurimit të përmbajtjes, eventet për adhuruesit e kinemasë dhe studimin e tregut kinematografik që analizon të dhënat e mbledhura në konkurs. Vendet partnere përfshinë Bosnjë dhe Hercegovinën, Çekinë, Spanjën, Letonin, Lituaninë, Maqedoninë e Veriut, Portugalinë dhe Serbinë. Projekti i Sfidës së Filmit Evropian financohet nga Programi Creative Europe i Bashkimit Evropian që mbështet sektorin e kulturës dhe kreativitetit.

Një përvojë shndërruese me ERASMUS+

Ahmedi, një student i arteve pamore nga Bosnjë-Hercegovina, na tregon se si shkëmbimi studentor në Turqi “e ndryshoi si njeri.” Ahmedi është një ndër shumë profesionistët e arteve pamore dhe dizajnit të komunikimit në Bosnjë-Hercegovinë. Pavarësisht kësaj, ai ndoqi një rrugë të pazakontë në profesionin e tij. Në shkollë të mesme, Ahmedi ka studiuar teologji. “Në fakt, kur isha në shkollë të mesme, nuk mendoja se isha i talentuar dhe kjo ndikoi në mirëqenien time psikologjike. Ndihesha në depresion pasi nuk arrija të vendosja se çfarë do të studioja në universitet.” – shprehet ai. Kur ishte në shkollë të mesme, Ahmedi nuk ishte i sigurt se çfarë profesioni dëshironte të kishte në të ardhmen, por pak kohë përpara se të diplomohej, miku i tij më i mirë i tha se do të aplikonte në programin e studimit të arteve pamore dhe dizajnit të komunikimit në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës. Ahmedi vendosi të bënte të njëjtën gjë ndonëse nuk ishte i sigurt se kishte talent në këtë fushë të re. Siç e shpjegon ai, këtë vendim e mori duke u i shtyrë nga një instinkt i brendshëm. Dhe si për çudinë e tij, ai u përzgjodh. Me sa duket, kishte talent.

“U përfshiva plotësisht në çdo lëndë. Nuk kisha shumë njohuri paraprake, por nuk më mungonte dëshira për të mësuar e për të eksploruar. Punova ditë e natë për të mbushur boshllëqet në njohuri.”

Puna e palodhur të shpërblen Kursi përfshinte lëndë të ndryshme, si: dizajn grafik, fotografi, montazh videosh, dhe pikturë. Të gjitha këto lëndë ishin të panjohura për Ahmedin. “U përfshiva plotësisht në çdo lëndë. Nuk kisha shumë njohuri paraprake, por nuk më mungonte dëshira për të mësuar e për të eksploruar. Punova ditë e natë për të mbushur boshllëqet në njohuri.” – thotë ai. Puna e tij e palodhur ia vlejti. Ahmedi fitoi një bursë nga universiteti, që mbulonte 50% të tarifës së shkollimit. Me përmirësimin dhe rritjen e vetëbesimit të tij, ai filloi të bënte plane për të përmirësuar aftësitë e tij nëpërmjet përvojës ndërkombëtare. Por ai nuk i kishte mundësitë financiare, ndaj i nevojitej mbështetje. Gjuha zyrtare në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës ishte anglishtja, e cila nuk ishte pika e fortë e Ahmedit. Ndaj, ai vendosi të ndiqte një kurs gjuhe për personat që nuk flisnin anglisht. Ai shpjegon se pjesëmarrja në këtë kurs kontribuoi në zgjerimin e horizontit dhe mendësisë së tij, pasi përveç mësimit të gjuhës, kursi përfshinte edhe tema, si të menduarit kritik dhe planifikimi i karrierës. Profesori gjithashtu e prezantoi me programin ERASMUS+ që ofron bursa për studentët, të cilët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit. Ahmedi e shfrytëzoi këtë mundësi pa një pa dy. Mbresa turke Atij iu dha mundësia të vazhdonte studimet në Universitetin Anadolu në Eskisehir, Turqi. Ahmedi shpjegon se asokohe ishte i kënaqur kudo që të shkonte. Nuk kishte dëgjuar kurrë më parë rreth këtij universiteti dhe madje as nuk e kërkoi në Google. “Kur mbërrita, kuptova se ishte zgjedhja më e mirë në jetën time, pasi rashë në dashuri me qytetin, universitetin, dhe njerëzit. M’u duk sikur nuk isha në këtë planet. Ata pesë muaj ishin pesë muajt më të bukur të jetës sime.” – thotë Ahmedi.

“Mund të tingëllojë klishe, por u bëra më mendjehapur. Ndryshova për mirë.”

ERASMUS+ është program i BE-së për të mbështetur arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në Evropë. Buxheti prej 14.7 miliardë eurosh ofron mundësi për mbi 4 milionë evropianë që të studiojnë, të trajnohen, dhe të fitojnë përvojë jashtë vendit. Një nga elementet që vlerëson më shumë nga përvoja e tij në universitetin e Eskisehirit është qasja e profesorëve, që ishin shumë mbështetës dhe të gatshëm për ta ndihmuar. Ai kujton që studentët si ai përkraheshin edhe më tepër. Ahmedi i zhvilloi konsiderueshëm kapacitetet e tij profesionale gjatë qëndrimit në Universitetin Anadolu, por pati edhe përfitime të tjera. Rritja e vetëbesimit Ahmedi thotë se përpara se të shkonte në Eskisehir ishte më i mbyllur. Përvoja në Eskisehir e ndryshoi. Kur u kthye në Sarajevë, ai e kuptoi se sa kishte ndryshuar. Ai filloi të aplikonte në programe dhe projekte vullnetare dhe u bë pjesëtar i rregullt i shërbimit vullnetar të universitetit. “Duke parë sa mirë shkuan gjërat me programin Erasmus ku u përfshiva, unë vendosa të lidhesha me programe të tjera të BE-së. Së fundmi u bëra anëtar i rrjetit të studentëve të Erasmus-it. Mund të tingëllojë klishe, por u bëra më mendjehapur. Ndryshova për mirë,” – thotë Ahmedi. Ahmedi u diplomua këtë verë dhe aktualisht po punon me kohë të pjesshme, por synon të gjejë një punë më kohë të plotë që lidhet me profilin e tij. Në të ardhmen ai shpreson që të ngrejë biznesin e tij.

Atë që vërtet e do,e arrin

Karriera e një aktoreje të re nga Mali i Zi merr hov falë një shfaqes “Kapital” të financuar nga BE-ja. Jelena 22 vjeçare ka pasur përzemër artin dhe në veçanti aktrimin që prej një moshe të hershme. Kur ishte në shkollë, ajo merrte pjesë rregullisht në veprimtari që lidheshin me dramën dhe aktrimin. Por në atë kohë ajo nuk e dinte se kur të vinte koha për zgjedhjen e karrierës së saj profesionale, ky gëzim do të sillte me vete edhe disa probleme. Gjatë shkollës së mesme, aktrimi ishte kthyer në pasion të vërtetë për të dhe ajo kishte filluar ta shihte si profesionin e saj për jetën. Familja dhe disa miq e këshilluan duke i thënë se përzgjedhja e aktrimit si profesion mbartte risqe. “Ata më thanë që aktrimi nuk paguan dhe se nuk jetohet vetëm me dashurinë për artin. Besoj së ka një farë të vërtete në këtë mendim, por mendoj edhe se nëse do të bësh diçka, nëse i përkushtohesh dhe nëse me të vërtetë e dashuron atë, e arrin dhe e bën,” thotë ajo. Sidoqoftë, Jelena nuk besonte shumë se do të kalonte provimin e pranimit në Fakultetin e Dramës. Ajo u siguruar që të kishte një plan të parë dhe një plan të dytë rezervë nëse ajo nuk arrinte të pranohej. Ndërkohë, ajo punonte shumë dhe përgatitjesh gjatë gjithë kohës për provimin.  Fatmirësisht, plani i saj kryesor u realizuar dhe ajo u pranua në Fakultetin e Dramës.

“Nëse do të bësh diçka, nëse i përkushtohesh dhe nëse me të vërtetë e dashuron atë, e arrin dhe e bën”

Një rast i veçantë Megjithatë, siç edhe ajo thotë vetë ‘ky nuk ishte fund si në përralla’, sepse sfidat për një artist nuk përfundojnë pas regjistrimit në universitet Ajo e dinte se duhej të punonte dhe të mësonte shumë, dhe ishte e gatshme ta bënte këtë. Por ende nuk ishte e sigurt nëse puna e saj do të kishte rezultate të prekshme dhe nëse do t’i sillte karrierë të suksesshme dhe stabilitet financiar.  Megjithatë, gjatë vitit të parë ajo u ftua të provonte për një shfaqe, ose një performancë, siç dëshiron ta quajë ajo. Shfaqja po punohej në kuadër të projektit EU Collective Plays!, të  financuar përmes Programit për Evropën Krijuese të Bashkimit Evropian. Pak muaj më vonë, e informuan se ishte pranuar. Kjo ishte shfaqja e saj e parë.  Nuk është e zakonshme që studentë të vitit të parë të luajnë në shfaqe, aq më tepër në një që përfshin performanca ndërkombëtare. “Ky ishte një rast i veçantë!” thotë Jelena.

“Ishte performancë e vështirë. Ka shumë muzikë dhe paraqet shumë pikëpamje për çdo temë ose problem. Kështu që, njerëzit u befasuar, dhe njerëzit u mahnitën, njerëzit qeshën dhe njerëzit qanë.”

Projekti EU Collective Plays! promovon bashkëpunimin ndërkombëtar ndërmjet shkrimtarëve teatralë, organizatave teatrale dhe komuniteteve të kombësive të ndryshme për të ndarë krijimet dhe vënë në skenë shfaqe kolektive. Projekti gjithashtu promovon dramaturgët e rinj dhe karrierat e tyre dhe mirënjohjen e tyre në nivel evropian dhe botëror. Projekti eksperimenton me zgjerimin e audiencave teatrale duke organizuar lloje të ndryshme seminaresh, shfaqesh dhe laboratorësh edukimi. Krijimi i mundësive Emri i shfaqes ishte Kapital dhe koncepti i saj ishte të vinte gjithçka në pikëpyetje, nga teoritë që pranohen si të vërteta tek shifrat për varfërinë, statistikat zyrtare për shoqërinë konsumatore e deri tek debatet nacionaliste.  “Mezi po prisja. Së pari, po më jepej mundësia të punoja me regjisorin e njohur András Urbán. Ishte shumë ndryshe nga teatri klasik, kështu që puna me të më mësoi që teatri klasik nuk është forma e vetme e teatrit.  Ka edhe shumë mënyra të tjera për t’iu qasur temave dhe problemeve që janë të pranishme tani, dhe jo vetëm atyre të shkruara në disa libra apo drama,” thotë ajo. Trupa udhëtoi gjerë e gjatë për të luajtur shfaqen, brenda dhe jashtë Malit të Zi, dhe si rrjedhojë Jelenën e Ftuan në prova dhe i kërkuan të luante në shfaqe të tjera. Përveç Kapital, partnerët zhvilluan shfaqe dhe performanca të tjera në kuadër të Projektit “EU Collective Plays!”. Partnerët e projektit kanë ngritur nëntë grupe kolektive për shkrim pjesësh teatrale dhe kanë finalizuar nëntë pjesë origjinale, të cilat janë shkruar bashkërisht. “Kapital” ka marrë vlerësime pozitive dhe lëvdata të gjithanshme nga auditorët e qyteteve ku është vënë në skenë. “Ishte performancë e vështirë. Ka shumë muzikë dhe paraqet shumë pikëpamje për çdo temë ose problem. Kështu që, njerëzit u befasuan, dhe njerëzit u mahnitën, njerëzit qanë dhe njerëzit qeshën,” thotë Jelena. Dhe mbase në auditor ishte edhe një vajzë tjetër e vogël me sytë e ngulitur në skenë plot mahnitje dhe që nisë të mendonte se kur me të vërtetë e do diçka, mund t’ia arrish.

Energji e re kalon përmes kufijve

Një shkencëtar i ri nga Mali i Zi sjell pasionin e tij për kërkimin shkencor në një projekt transkombëtar të energjisë së rinovueshme. Ndërkohë që shumica e miqve të Mihailo-s donin të luanin futboll dhe lojëra të tjera në oborrin e shkollës, parku i tij i lodrave ishte laboratori i shkollës. Ai nuk e di se nga i erdhi ky pasion për shkencën: “Nuk mbaj mend të kem pasur diçka që më shtyu dhe më frymëzoi drejt shkencës. Këtë frymëzim e kam pasur gjithmonë me vete,” thotë ai. Gjatë fëmijërisë së tij pasioni për shkencën u rrit bashkë me të. Ai lëvdohej nga mësuesit e tij dhe në shkollë të mesme filloi të fitonte çmime për eksperimentet e tij shkencore. “Në shkollë fillova të punoja më shumë me tema që lidheshin me inxhinierinë elektrike. Kështu që, kur mbarova shkollën e mesme, ishte e natyrshme të vendosja të vazhdoja studimet për inxhinieri elektrike”, vëren ai. Mihailo u regjistruar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike të Universitetit të Podgoricës. Ai ishte student i përkushtuar dhe vijonte të kishte rezultate të larta, dhe shpejt tërhoqi vëmendjen e pedagogëve të tij. Ai ishte një nga studentët më të mirë në kursin e vet dhe fare pak pas diplomimit u ftua të punonte si asistent pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë. Ndërkohë që Mihailo u gëzua nga ftesa, ai kishte hezitimet e veta.  Qëllimi i tij kryesor ishte të punonte me kërkime dhe studime shkencore dhe nuk ishte i sigurt nëse pozicioni i tij do t’i krijonte mundësi dhe jepte kohë të mjaftueshme për të ndjekur pasionin e tij.

“E tashmja jonë dhe e ardhmja e të gjithë planetit dhe sistemit të energjisë varen nga burimet e rinovueshme të energjisë”

Më mirë dhe më shumë Mali i Zi është një vend i vogël me vetëm rreth 600.000 banorë. Si pasojë, Universiteti i Podgoricës ka burime të kufizuara në kuadër të punës në projekte të mëdha shkencore. Ndërkohë, Mihailo kishte një zell në vetvete për të punuar me diçka më të madhe që do të kishte ndikim jo vetëm në Malin e Zi, por edhe përtej kufijve të vendit të vet. Pak kohë pasi nisi punën si asistent pedagog, fakulteti i dha Mihailo-s një mundësi tjetër në kudër të projektit Crossbow të financuar nga BE-ja.  Tamam ajo që ai po kërkonte: një fushë e re dhe e rëndësishme eksperimentimi që do të kishte ndikim pozitiv mbi një numër shumë të madh njerëzish. Përtej kufijve Me Malin e Zi ndër to, në projekt marrin pjesë trembëdhjetë vende. Projekti synon të promovojë menaxhimin ndërkufitar të energjive të rinovueshme dhe njësive të ruajtjes të llojeve të ndryshme me qëllimin përfundimtar të fuqizimit të tregut transkombëtar të shitjes me shumicë të energjisë së rinovueshme. Ekipe shkencëtarësh nga të gjitha vendet partnere punonin në përbërës të ndryshëm të projektit.  “Të them të drejtë, fillimisht u befasova nga kjo mundësi e madhe që mu ofruar, kur marr parasysh që nuk kish shumë përvojë. Isha i entuziazmuar, dhe e pranova ftesën me shumë gëzim”, thotë ai. Detyrat e Mihailo-s në këtë projekt përfshinin modelimin e energjisë diellore dhe të biomasës. Kjo përfshin parashikimin e prodhimit të energjisë nga këto lloje centralesh energjetike, që ai thotë se është “diçka e re, interesante dhe entuziazmuese.” Mihailo mori pjesë në seminare dhe konferenca të organizuara në kuadër të projektit. Seminare i mundësuan të njihej me shkencëtarë që kanë bërë punë me rëndësi në energjinë dhe energjinë elektrike të rinovueshme në vendet partnere. Kjo ishte një përvojë e rëndësishme të nxëni , duke qenë se ai kishte shumë pak njohuri dhe përvojë në këtë fushë. “Puna me projektin kërkonte shumë kohë dhe energji, por unë nuk ndjeja as trysninë e kohës dhe as lodhje, sepse për mua ishte si të isha në ëndërr,” thotë ai. Mihailo përmbushi me sukses detyrat e rolit të tij në projekt dhe thotë se mësoi shumë gjëra të reja dhe jetike.  Ai tani po kërkon përvoja të reja në fushën e energjisë së rinovueshme, sepse siç ai thotë “e ardhmja jonë dhe e ardhmja e të gjithë planetit dhe sistemit të energjisë varen nga burimet e rinovueshme të energjisë.”

“Puna me projektin kërkonte shumë kohë dhe energji, por unë nuk ndjeja as trysninë e kohës dhe as lodhje, sepse për mua ishte si të isha në ëndërr.”

Crossbow është projekt prej 17,2 milion Euro në sektorin e rrjeteve inteligjente, financuar nga programi i kërkimit dhe novacionit i Komisionit Evropian, Horizon2020. Në projekt marrin pjesë njëzet e katër partnerë nga 13 vende evropiane me tetë operatorë kombëtarë të sistemeve të transmetimit. Projekti nisi në nëntor të vitit 2017 dhe do të zgjasë katër vjet.  

Biznes i ri gjatë një krize ekonomike

Një biznes i ngritur nga një i ri sipërmarrës në Serbi po shënon rritje pavarësisht klimës sfiduese të biznesit. Strahinja Tirnanić, 31 vjeç, është një sipërmarrës nga Serbia. Ai e filloi karrierën e tij si administrues uebi në një shoqëri që menaxhon një portal punësimi online, dhe shumë shpejt i ngjiti shkallët e suksesit duke u ngritur në detyrë si Menaxher Marketingu dhe PR dhe Zhvillues Biznesi. Në këtë çast, ai kuptoi se mund të ngrinte dhe të drejtonte një biznes të tijin. “Idenë e drejtimit të një biznesi e kam pasur prej kohësh. Pas gjashtë vjetësh përvojë në biznes, arsim të vazhduar, dhe një bazë të mirë me kontakte biznesi, vetëbesimi im u rrit. Vendosa se kishte ardhur koha ta hidhja këtë hap në sipërmarrje.” – thotë ai. Hedhja e këtij hapi Sipas kërkimeve të tij, tregut i mungonin shërbimet e konsulencës në marketing dhe menaxhim. Ishin pikërisht fushat ku ai kishte më tepër aftësi. Ai zhvilloi një plan biznesi, dha dorëheqjen, dhe regjistroi shoqërinë e tij të konsulencës, me specializim në këto fusha. Megjithatë, si shumë të rinj sipërmarrës në Ballkanin Perëndimor, atij i nevojitej mbështetje, në veçanti për të eksploruar tregjet e reja jashtë Serbisë dhe për të mësuar se si menaxhohen projektet në distancë. Promovimi në kohën e duhur në median sociale e prezantoi me programin e financuar nga BE-ja, Erasmus për të Rinjtë Sipërmarrës (EYE). “Në Facebook lexova rreth një dite informimi për programin në qytetin tim. Duke qenë se po shkoja në Zvicër për pushime, i kontaktova organizatorët dhe iu kërkova që të caktonim një takim pasi të kthehesha. Ata ranë dakord, dhe ndërkohë që po nisesha për në Gjenevë, ndjeva se po fillonte rrugëtimi im në biznesin ndërkombëtar!”

“Vendosa se kishte ardhur koha ta hidhja këtë hap në sipërmarrje.”

Projekti që mbështeti Strahinjan quhej StartUp2. Lehtëson shkëmbimin, të nxënit, dhe rrjetëzimin e sipërmarrësve të rinj. Shkëmbimi realizohet gjatë qëndrimit jashtë vendit me një sipërmarrës me përvojë, që e ndihmon sipërmarrësin e ri të përvetësojë aftësitë e nevojshme për të drejtuar një firmë të vogël. Kjo ishte pikërisht ajo që kërkonte Strahinja. Drejt Sllovenisë Ai zgjodhi të vizitonte Slloveninë për shkëmbimin e tij, dhe përzgjodhi Klubin e Biznesit Luksemburg – Slloveni (LSBC) si organizatën pritëse. Atë e tërhoqi shumëllojshmëria e veprimtarive, mënyrat e reja të punës, si dhe mjedisi krijues dhe ndërkulturor. “Isha i sigurt se do të ishte një sfidë e shkëlqyer për mua, dhe prisja me padurim që të eksploroja Slloveninë dhe mjedisin e biznesit.” Ai qëndroi në Slloveni për tre muaj dhe pati një përvojë, që ai e quan si periudha më e bukur e karrierës dhe jetës së tij. Duke pasur këshilltarë në mbarë botën, LSBC-ja ka përvojë fantastike në veprimtaritë në distancë. Një ndër gjërat më të rëndësishme që Strahinja thotë se ka mësuar gjatë shkëmbimit ishte se si t’i menaxhonte njerëzit në distancë. Gjithashtu, ai i përmirësoi aftësitë e tij digjitale për të rritur produktivitetin dhe efikasitetin. Megjithatë, është rrjeti i njerëzve ai që Strahinja e konsideron si vlerën më të madhe nga shkëmbimi. Rrjetet krijojnë biznese Gjatë qëndrimit të tij, Strahinja mori pjesë në shumë aktivitetet biznesi dhe punoi për zgjerimin e rrjetit të tij. Si rrjedhojë, sistemi i tij për Menaxhimin e Marrëdhënieve me Klientët tanimë përfshin emrat e 60 drejtuesve që ka takuar në aktivitete të ndryshme. Një emër që e krenon në veçanti është sipërmarrësi amerikan i mirënjohur në mbarë botën dhe themeluesi i shumë bizneseve, Jeff Hoffman! Strahinja u kthye me pesë klientë dhe partnerë nga Sllovenia me të cilët bashkëpunon ende. Një nga këta partnerë është PGB.global, një biznes i ri për teknologjitë digjitale, i cili sipas tij është klienti më i madh. Që prej asaj kohe, ai ka punësuar dy kolegë të rinj, është zhvendosur në zyra të reja, dhe ka fituar dy klientë të rinj. Pavarësisht pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, Strahinja ka parë rritje të konsiderueshme gjatë gjashtë muajve të fundit. Ai i jep merita të veçanta projektit StartUp2 për suksesin e tij. “Unë besoj se suksesi është rezultat i aftësisë sonë për të punuar në distancë dhe fokusit tonë në tregun ndërkombëtar. Këto janë ato që mësova në LSCB në Slloveni.” – thotë ai.

“Unë besoj se suksesi është rezultat i aftësisë sonë për të punuar në distancë dhe fokusit tonë në tregun ndërkombëtar. Këto janë ato që mësova në LSCB në Slloveni.”

StartUp2 mbështetet nga Erasmus për të Rinjtë Sipërmarrës (EYE), që është një program shkëmbimi ndërkufitar që iu jep sipërmarrësve të rinj apo aspirantë mundësinë të mësojnë nga sipërmarrës me përvojë, që drejtojnë biznese të vogla në vende të tjera pjesëmarrëse. Vendi pritës përfiton nga pikëpamje dhe mundësi të reja për të krijuar lidhje me partnerë të huaj dhe për të mësuar rreth tregjeve të reja. Serbia merr pjesë në program, krahas vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor. Strahinja është një nga të rinjtë e shumtë që kanë përfituar nga StartUp2. Deri tani, projekti ka mbështetur 128 sipërmarrës nga vende të ndryshme me trajnime në detyrë, ka lehtësuar dhe ka konsoliduar biznese të reja të suksesshme, si dhe ka ndihmuar firmat e mëdha në hyrjen e tyre në tregje evropiane. Drejtohet nga një konsorcium prej tetë partnerësh nga Finlanda, Franca, Italia, Letonia, Portugalia, Serbia, Spanja, dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe bashkërendohet nga CESIE (Qendra Evropiane e Studimeve dhe Nismave) nga Italia. Qendra për Zhvillimin e Biznesit nga Kragujevac është partneri i projektit në Serbi.

Një marrëdhënie tridhjetë vjeçare, dhe bredhi më i vjetër në evropë

Përpjekjet për të ruajtur bredhin më të vjetër në Evropë mbështeten nga Bashkimi Evropian. Picea omorika, e njohur ndryshe si bredhi serb, është një pemë fosile në një zonë të vogël në kufirin midis Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës Në vitin 1955 u shpall specie e mbrojtur, por shkencëtarët shprehen se do të zhduket shumë shpejt nëse nuk adresohen problematikat me ruajtjen e saj. Nga pikëpamja evolucionare, është pema më e vjetër ekzistuese në Evropë, por si për ironi nuk është identifikuar deri në vitin 1875, çka e bën një ndër pemët e fundit të zbuluara. Profesor Milan Mataruga nga Universiteti Banja Luka në Bosnjë-Hercegovinë është një nga shkencëtarët kryesorë që punojnë për ruajtjen e kësaj bime të rrallë. “Për Picea omorika mësova për herë të parë kur isha student në Fakultetin e Pylltarisë në Universitetin e Beogradit në vitin 1991. Zhvilluam një vizitë në zonën ku pema është endemike, dhe ishte dashuri me shikim të parë. Më mbërtheu menjëherë bukuria e kësaj bime të rrallë, dhe që atëherë u bë specia ime e parapëlqyer.” – thotë ai. Që prej asaj kohe, Profesor Mataruga ka ëndërruar që të merrte pak kohë dhe të punonte për ruajtjen e Picea omorika. Hera e fundit kur ka ndodhur diçka e ngjashme ishte thuajse shtatëdhjetë vjet më parë, në vitin 1951, dhe profesori e dinte se nevojiteshin një gamë e re nismash. Megjithatë, midis detyrimeve akademike dhe familjare, dhe me mungesën e fondeve, ai nuk mundi të gjente një mënyrë për të realizuar ëndrrën e tij.

Më mbërtheu menjëherë bukuria e kësaj bime të rrallë, dhe që atëherë u bë specia ime e parapëlqyer.”

Bashkëpunimi Mundësia i erdhi në vitin 2019 kur Profesor Mataruga filloi të punonte në një projekt të financuar nga BE-ja, që përqendrohej në ruajtjen e kësaj specieje të rrallë endemike. Projekti merret me vlerësimin e statusit të popullsisë së Picea omorika, propozimin e masave për ruajtjen e saj, dhe ndërgjegjësimin e rajonit rreth konservimit të saj, veçanërisht të të rinjve në zonën ku rritet Picea omorika. Zonat e projektit ndodhen në të dyja anët e lumit Drina, dhe projekti do të mbrojë njëzet habitate të Picea omorika-s në rajonin ndërkufitar. Veprimtaritë zhvillohen në bashkëpunim me ndërmarrjen publike të Parkut Kombëtar “Tara” në Serbi dhe ndërmarrjen publike “Pyjet e Republikës Srpska” në Bosnjë-Hercegovinë. Marijana Josipović nga Parku Kombëtar “Tara” shpjegon se qëllimi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në ruajtjen e biodiversitetit të zonës, duke përfshirë edhe mbrojtjen e Picea omorika. Ajo shpjegon se partnerët e projektit bashkëpunojnë për të mbështetur mbijetesën e këtyre specieve nëpërmjet përmirësimit të menaxhimit të habitateve të kërcënuara të Picea omorika, dhe ndërgjegjësimit rreth rëndësisë së specieve në rrezik.

“Ruajtja e bimës është një trashëgimi për brezat e ardhshëm.”

Krijimi i një trashëgimie Dr. Jelena Aleksić, nga Instituti i Gjenetikës Molekulare dhe Inxhinierisë Gjenetike në Beograd, thekson nevojën për një studim gjenetik gjithëpërfshirës, një plan menaxhimi dhe një strategji afatgjatë, në mënyrë që Picea omorika të mbijetojë në këto zona. Edhe Profesor Mataruga merr parasysh planin afatgjatë. Ai thotë se një rezultat i rëndësishëm i projektit është përfshirja vullnetare e studentëve. Ai e di nga përvoja se çfarë ndikimi mund të ketë kjo pemë e paçmuar mbi brezat e rinj, duke e përmbyllur: “Ruajtja e bimës është një trashëgimi për brezat e ardhshëm.” Projekti mbështetet përmes Programit Ndërkufitar të mbështetur nga BE-ja – Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Mësimi rreth artit të biznesit në një vend të pazakontë

Një sipërmarrës i ri nga Serbia udhëton në një fshat të vogël në Spanjë për të mësuar artin e biznesit. Torralba de Ribota ka vetëm 120 banorë dhe ekonomia e saj është shumë larg gjallërueses. Ky fshat në verilindje të Spanjës nuk ka dyqane dhe ka vetëm një bar, dhe burimi kryesor i të ardhurave për banorët është bujqësia. Por një sipërmarrës 31-vjeçar serb, Mladen Savković, vendosi të kalonte një muaj atje për të përmirësuar aftësitë e tij në biznes. Mladen është profesionist i marrëdhënieve me publikun (PR), i cili pas një përvoje 10-vjeçare si gazetar dhe profesionist i pavarur në PR për veprimtari artistike dhe kulturore, vendosi të hapte agjencinë e tij të PR-it. Megjithatë, Mladen kuptoi se i nevojitej mbështetje për të pasur performancë më të mirë. “Lexova një histori të një gruaje nga Serbia e cila kishte themeluar një shoqëri, që prodhon makarona artizanale. Për të përmirësuar biznesin e saj, ajo kishte aplikuar për të marrë financim nga BE-ja që të shkonte për disa muaj në Siçili ku do të mësonte zanatin nga ekspertët. Kjo m’u duk zgjidhja ideale për mua! Ndaj, fillova të hulumtoja se si ia kishte arritur,” – thotë ai.

“Mendova që nëse mëson si ta angazhosh audiencën atje, mund ta angazhosh audiencën kudo.”

Kështu Mladen zbuloi projektin MOVE-YE, që financohet nga programi COSME i Bashkimit Evropian. Si shumë të rinj të tjerë, Mladen e shfrytëzoi mundësinë e një vizite pune në një vend të BE-së. Duke qenë se flet spanjisht, Spanja ishte zgjedhje e padiskutueshme. Cili ishte destinacioni? Ideja e tij e parë ishte Madridi ose Barcelona. Ai shpjegon që kishte shumë shoqëri që pranuan ta prisnin dhe shumica ishin në fushën e turizmit, teknologjisë së informacionit, dhe sektorë të tjerë. Megjithatë, atë e tërhoqi një mundësi në sektorin kulturor në Torralba de Ribota. “Më intervistuan dy zonja që drejtojnë Festivalin Saltamontes të artit dhe muzikës në fshat, dhe më lanë mbresa. Ky është një fshat i vogël dhe ato kishin arritur të organizonin një festival të suksesshëm arti! Mendova me vete që nëse mëson si ta angazhosh audiencën atje, mund të angazhosh çdo audiencë kudo, dhe vendosa që ishte mundësia e duhur për mua.” Mladen kaloi një muaj duke punuar në Festivalin Saltamontes. Ai e pa rëndësinë e promovimit të artit dhe kulturës jashtë zonave urbane, ku ende përbën një pjesë jetike të përditshmërisë, por disi më ndryshe. “Jam më i ndërgjegjësuar rreth rëndësisë së ndërveprimit me komunitetin vendor dhe vëmendjen ndaj nevojave dhe interesave të tyre kulturore.” – thotë ai.

“Jam më i ndërgjegjësuar rreth rëndësisë së ndërveprimit me komunitetin vendor dhe vëmendjen ndaj nevojave dhe interesave të tyre kulturore.”

Projekti MOVE-YE (Mobilizimi i Vlerave dhe Ideve Sipërmarrëse në Evropë) i financuar nga BE-ja synon të përmirësojë kulturën sipërmarrëse dhe rrjetëzimin e sipërmarrësve evropianë. Me financimin e programit COSME, ofron mundësi për sipërmarrësit e rinj dhe me përvojë që të vëzhgojnë praktika të ndryshme biznesi, të kuptojnë tregje të reja, dhe të ndërkombëtarizojnë e të sjellin risi në biznesin e tyre përmes një skeme mobiliteti ndërkufitar. Le ta sjellim përvojën në shtëpi Mladen punon kryesisht me institucione që organizojnë aktivitete dhe festivale kulturore. Tani ai po planifikon që t’i prezantojë klientët e tij në Serbi me metodat e angazhimit të audiencës të cilat i mësoi në Spanjë. “Mund të bësh një ekspozitë dhe ta lësh me kaq, por unë mësova se është e rëndësishme të punosh me audiencën dhe të përqendrohesh tek angazhimi i komunitetit më intensivisht. Përvoja në Festivalin Saltamontes më bëri të gjeja ide që mund t’i zbatoj në Serbi.” – thotë ai.