Skip to main content

Autor: WeBalkans

Kur uji e thirr, Erdal Lusho i përgjigjet thirrjes

Para se të lexoni më tej, përpiquni të imagjinoni Oqeanin Atlantik. Duket aq i gjerë sa është e vështirë të imagjinohet, apo jo? Ju kuptojmë shumë mirë. Edhe neve na duket kështu. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi Erdal Lushon nga Struga, Maqedonia e Veriut, të nis një udhëtim solo përtej Atlantikut, në varkë me vela pesë metra të gjatë prej druri, që e ka ndërtuar vet.

Pjesët themelore të varkës me vela “Piksel” janë bërë nga druri që gjyshi i Lushos e ka mbjellë në oborrin e shtëpisë së tyre në Strugë. Ndërtimi i varkës me vela ka qenë proces themelor dhe emocional për Erdalin – i ka lejuar atij të reflekton mbi lidhjen midis ujit dhe tokës dhe të kthehej te rrënjët dhe kujtimet e tija. Ai tregon se si është një ndjenjë e mrekullueshme të marrësh me vete një copë tokë, një pemë që është rritur në oborrin tënd, për të shoqëruar në udhëtim solo me vela përtej Atlantikut.

Sfida Setka Atlantik (“Setka Atlantic Challenge”), siç thotë Erdali, është bukur e vështirë dhe brutalisht e ndershme. Edhe pse numri i pjesëmarrësve është i vogël, për këtë lundrim solo përmes Atlantikut, secili marinar ndërton varkën e tij me vela të klasit Setka – kryesisht Setka A ose Setka B – varka të vogla druri të dizajnuara nga Janusz Maderski.

Edhe pse vjen nga Maqedonia e Veriut, vend që nuk njihet për lundrim me vela, ky udhëtim në oqean paraqet shumë më tepër sesa një sipërmarrje personale për Erdalin. Me këtë bëmë, ai dëshiron të na tregojë se edhe nëse nuk vjen nga një vend me pamje nga oqeani, mund të ndjekësh ëndrrën tënde për oqeanin.

Ndërsa përgatitet për sfidën “Setka Atlantik 2025”, Lusho reflekton mbi lidhjen me ujërat që gjithmonë kanë qenë pranë tij, gjeografikisht dhe emocionalisht. “Është sikur uji më thirr në heshtje, për vite me radhë, para se përfundimisht t’i përgjigjesha thirrjes”, thotë ai.

Lexoni intervistën me Lushon, që e bëmë përpara se të nisej për udhëtimin e tij përtej Atlantikut më 11 nëntor. Sfida fillon me fazën e parë që çon nga Sagreshi (Portugalia Jugore) në Santa Kruz de Tenerife në Ishujt Kanarie, dhe vazhdon me fazën e dytë, nga Tenerife në meridianin 61° për në perëndim, mes Martinikës dhe Shën Luçisë.

WeBalkans: Kur lindi për herë të parë dashuria juaj për lundrim me vela dhe si do ta përshkruanit marrëdhënien tuaj me ujin në afërsi, pranë jush?

Erdal Lusho: “Është vërtet e vështirë të veçoj vetëm një çast. Mund të them se uji më ka thirrur në heshtje për vite me radhë, derisa më në fund iu përgjigja thirrjes. Si fëmijë, gjithmonë më ka tërhequr uji – lumenjtë, liqenet, shiu – çdo gjë që lëvizte dhe reflektonte dritën. Ndihesha sikur isha në shtëpi, edhe pse nuk jam rrit pranë oqeanit. Lundrimi erdhi më vonë, në një moment kur era e anoi varkën me vela drejt ujit dhe ajo bëri një zhurmë të fortë, e dija që kjo ishte e gjitha. Për mua, kjo nuk është thjesht një sport, por paraqet bashkëbisedë me diçka shumë më të madhe se unë.”

WeBalkans: “Ndërtuat varkë me vela nga një pemë që gjyshi juaj mbolli në oborr. A mund të na tregoni më shumë rreth kësaj? Si lindi ideja dhe a ishte eksplorimi i lidhjes midis tokës dhe ujit proces emocional për ju?”

Erdal Lusho: “Disa nga pjesët kryesore të Piksel-it janë ndërtuar nga një pemë e mbjellë nga gjyshi në oborrin tonë, dhe kjo ka shumë domethënie për mua. Pjesa tjetër është bërë me dru nga pyjet përreth, por ato pak dërrasa mbajnë me vete kujtime dhe rrënjë. Ndërtimi me duart e mia ishte më shumë sesa thjesht një proces teknik, por më shumë përvojë emocionale dhe themelore. Secila pjesë e pemës ka historinë e vet. Është një mendim i bukur që një copë tokë, një pemë që u rrit në oborrin tonë, së shpejti do të lundrojë përtej oqeanit.”

 

WeBalkans: “Çfarë ju motivoi të ndërmerrnit një hap kaq të madh si “Setka Atlantic Challenge”? A i morët në konsideratë avantazhet dhe disavantazhet përpara se të vendosnit dhe si vendosët ta ndërmerrnit këtë hap?”

Erdal Lusho: “Gjithmonë më kanë tërhequr sfidat që të bëjnë të ndihesh i frikësuar dhe i gjallë. Sfida Setka Atlantic është pikërisht kjo – bukur e vështirë dhe brutalisht e ndershme. Ndërton anijen tënde, lundron vetëm dhe je në tërësi përgjegjës për gjithçka që ndodh. Nuk ke ku të mbështetesh përveç te vetja. Kjo pastërti është ajo që e dua më shumë. Nuk bëra listë me të mirat dhe të këqijat. Thjesht e dija se nëse nuk do të nisja këtë udhëtim, do të pendohesha për gjithë jetën time.”

WeBalkans: “A e konsideroni si mision të ndani storinë tuaj dhe historinë e qytetit ose vendit tuaj me botën, duke pasur parasysh se kjo është hera e parë që dikush nga Maqedonia e Veriut merr pjesë në një sfidë të tillë? Nëse po, çfarë mesazhi doni të përcillni me ekspeditën?”

Erdal Lusho: “Sigurisht. Maqedonia e Veriut si vend nuk njihet për lundrim me vela dhe kjo është ajo që e bën këtë sfidë të rëndësishme. Dua t’u tregoj njerëzve se nuk është e thënë të vish nga një vend që kufizohet me oqeanin për të ndjekur ëndrrat e tua lidhur me oqeanin. Mund të fillosh nga pak dhe ngadalë, por me zemër të madhe dhe vendosmëri të fortë mund të arrish shumë larg. Kjo nuk është vetëm storia ime personale, por edhe një kujtesë se shpesh i vendosim kufijtë tanë në kokat tona.”

WeBalkans: “Sigurisht mjaft mendoni për kohën që do të kaloni vetëm në mes të oqeanit. Si e imagjinoni këtë? A do të jetë emocionuese, apo do të ndiheni më të qetë kur të lundroni?”

Erdal Lusho: “E imagjinoj si një kombinim i gjithçkaje – frikës, qetësisë, lirisë, të qeshurave dhe shumë heshtjeje. Do të ketë stuhi dhe ditë të qeta, momente dyshimi, por edhe çaste të pastra magjie. Kjo është bukuria e kësaj sfide. Në det të hapur nuk mund të pretendosh se je dikush që nuk je. Oqeani të pasqyron pikërisht ashtu siç je – pikat e tua të forta, të metat e tua, të vërtetën tënde. Besoj se në këtë do të gjej si shqetësim ashtu edhe paqe.”.

Sektori i TIK-ut në Kosovë përparon falë shoqatave përgjegjëse dhe mbështetjes së BE-së

Bashkimi Evropian fuqimisht mbështet zhvillimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi sektori i fuqishëm i TIK-ut nxit rritje më të shpejtë ekonomike, lehtëson lidhjen globale më të lehtë dhe më efikase dhe rrit sigurinë kibernetike si të shtetit ashtu edhe të qytetarëve të tij. Në përputhje me këto qëllime, Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit e Kosovës (STIKK), me mbi 120 anëtarë, ka fituar besimin dhe mbështetjen e BE-së.

Anëtarët e saj përfshijnë start-up biznese, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, ofrues të mëdhenj të shërbimeve të TIK-ut, qendra trajnimi dhe kompani të jashtme, agjenci të marketingut digjital dhe firma të sigurisë kibernetike. Misioni i STIKK-ut, shpjegojnë ata, është të forcojë dhe promovojë industrinë e TIK-ut të Kosovës dhe të mbështesë konkurrueshmërinë e saj që ajo të bëhet nxitës i rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës.

“Hartojmë dhe kryejmë kërkime, kërkojmë mënyra për të përshpejtuar zhvillimin e bizneseve të reja dhe aftësive digjitale. Qëllimi ynë është të kombinojmë njohuritë e industrisë, reformën arsimore dhe mbështetjen për inovacionin në një qasje gjithëpërfshirëse ndaj zhvillimit të sektorit të TIK-ut në Kosovë. Gjatë viteve, kemi ndërtuar partneritete të forta me donatorë si Bashkimi Evropian, Dukati i Madh i Luksemburgut përmes LuxDev, Agjencia Austriake për Zhvillim, USAID dhe të tjerë”, shpjegon Drejtoresha Ekzekutive Vjollca Çavolli.

Theksojnë se Bashkimi Evropian ka qenë partner kyç në mbështetjen e misionit dhe aktiviteteve të STIKK-ut.

“Përmes projektit START UP, të financuar nga BE-ja, themeluam TechPark Prishtina, qendrën e parë përshpejtuese për startup-et e fokusuara në TIK në Kosovë. Ky objekt tani shërben si qendër qendrore ku startup-et marrin mentorim, marrin pjesë në ngjarje dhe lidhen me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë. Granti i BE-së na mundësoi të ofrojmë ndihmë të drejtpërdrejtë financiare, të lehtësojmë lidhjet B2B midis kompanive kosovare dhe evropiane, të mbështesim pjesëmarrjen e startup-eve tona në ngjarje ndërkombëtare si Slush në Helsinki dhe Festivali i Start-up-eve në Vjenë, si dhe të ofrojmë gamë të gjerë programesh trajnimi që kanë rritur gatishmërinë për eksport të kompanive lokale të TIK-ut”, thotë Çavolli, duke vënë në dukje se kontributi i BE-së ka qenë thelbësor në përshpejtimin e zhvillimit të sektorit të TIK-ut në Kosovë dhe forcimin e lidhjeve të tij me tregjet evropiane.

Ajo shpjegon se, në periudhën e mëparshme, kanë dhënë grante fillestare deri në 10,000 euro për pesëmbëdhjetë startup-e premtuese dhe kanë ofruar mentorim intensiv dhe të përshtatur në fusha si financa, menaxhimi i biznesit, përputhshmëria ligjore, të drejtat e pronësisë intelektuale dhe digjitalizimi i IT-së.

“Një nga startup-et e mbështetura siguroi investim prej 160,000 eurosh nga një investitor i huaj në Meksikë pas pjesëmarrjes në aktivitet online të organizuar nga STIKK-u. Të tjerët përfituan nga mentorim i personalizuar ligjor ose financiar që i ndihmoi të kapërcenin sfidat kritike dhe të pozicionoheshin për rritje”, thotë Çavolli, duke theksuar se këto shembuj tregojnë se si grantet, mentorimi dhe ekspozimi ndërkombëtar mund ta transformojnë potencialin e kompanive të reja në sukses të prekshëm afarist.  

Ekipi i Lobby Boy është një nga përfituesit e STIKK-ut, ata fituan grant dhe mentorim të synuar.

“Morëm trajnime mbi zgjerimin e tregut dhe marketingun, që na ndihmuan të përqendrohemi në strategjitë dhe logjistikën për hyrje të suksesshme në tregje të reja ndërkombëtare dhe për rritje të dukshmërisë së kompanisë brenda industrisë. Bashkëpunimi ynë me STIKK-un ka qenë transformues dhe ka shumë domethënie për ne. Falë lidhjeve dhe mbështetjes që ata ofruan, siguruam investitor, i cili stabilizoi biznesin tonë dhe krijoi vrull për eksplorimin dhe zgjerimin në tregjet e huaja – qëllimi ynë strategjik”, shpjegon Arben Jonuzi nga kompania.

Ai e konsideron angazhimin e STIKK-ut në industrinë e IT-së në Kosovë si të jashtëzakonshëm.

“Janë forcë lëvizëse jetësore – jo vetëm duke ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë përmes granteve dhe mentorimit, por edhe duke krijuar platforma që përparojnë të gjithë ekosistemin. Një shembull i shkëlqyer është organizimi i ngjarjeve të mëdha teknologjike, siç është KosICT 2025 B2B Matchmaking Event. Këto ngjarje janë thelbësore pasi ofrojnë mundësi për të mësuar nga më të mirët në industri, për të gjetur partnerë bashkëpunimi dhe për t’u lidhur me investitorë potencialë. Më e rëndësishmja është se ofrojnë mbështetje të vazhdueshme dhe praktike, që është thelbësore për rritjen e startup-eve të orientuara drejt teknologjisë në rajon”, thotë Jonuzi.

Në korrik 2025, Komisioni Evropian në Kosovë njoftoi përfundimin e projektit TIK për Rritjen e Kosovës, i cili trajnoi dhe certifikoi më shumë se 3,100 të rinj në programim Java, siguri kibernetike, zhvillim uebi, Python, Big Data Analytics, Cloud Computing, Mësim Automatik dhe Inteligjencë Artificiale. Projekti u financua nga BE-ja, por meritat për arritjet e tij i takojnë Ministrisë së Ekonomisë të Qeverisë së Kosovës, WEglobal, EPM, Prishtina REA, STIKK, ICK dhe partnerëve të tjerë.

Planet e STIKK-ut janë të sigurojnë që të rinjtë në Kosovë të fitojnë aftësi praktike, më shumë gra të angazhohen në këtë sektor, të zgjerojnë mbështetjen e tyre për ndërmarrjet, të rrisin përvojën e TechPark Prishtina dhe programet e saj të granteve dhe mentorimit, si dhe të rrisin profilin ndërkombëtar të Kosovës duke zhvilluar më tej Festivalin KosICT, të cilin e ka organizuar që nga viti 2011. Këtë vit, festivali u mbajt më 11-12 tetor, nën sloganin Komuniteti dhe lidhshmëria mundësojnë inovacionin.

STIKK gjithashtu bashkëpunon me Qeverinë e Kosovës për zhvillimin e politikave për digjitalizim, inovacion dhe përmirësim të fuqisë punëtore.

“Ofrojmë rekomandime të bazuara në kërkime, si Barometri i IT-së dhe Analiza e Boshllëqeve të Aftësive, të cilat identifikojnë se ku nevojiten reforma”. Bashkëpunojmë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për integrimin e aftësive të TIK-ut në arsimin profesional dhe mbështesim Institutin Kombëtar të Kualifikimeve në akreditimin e ofruesve të trajnimit të TIK-ut, gjë që rrit cilësinë dhe besueshmërinë e arsimit në vend”, shpjegon Çavolli, duke theksuar se rrjeti i anëtarëve dhe ekspertiza e shoqatës ndihmon rritjen e sektorit në mënyrë të qëndrueshme dhe kontribuimin në zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës.

EU4Culture: Restaurimi i trashëgimisë historike të Shqipërisë

Tërmeti i vitit 2019 në Shqipëri jo vetëm që dëmtoi shtëpi dhe infrastrukturë, por la edhe plagë të thella në trashëgiminë kulturore të vendit. Duke njohur rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe historisë së Shqipërisë, Bashkimi Evropian ndërhyri me Programin EU4Culture, të zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Me investim total prej 40 milionë eurosh, programi u përqendrua në ruajtjen e trashëgimisë, infrastrukturën elastike dhe zhvillimin socio-ekonomik. Një ndër projektet më të rëndësishme ishte restaurimi i Kalasë së Bashtovës — një fortesë shekullore që qëndronte si simbol i historisë së Shqipërisë dhe kujtesë e brishtë e cenueshmërisë së saj.

 

Rigjallërimi i një fortese të shekullit të 15-të: Ndërhyrja në Kalanë e Bashtovës

E vendosur pranë derdhjes së lumit Shkumbin në detin Adriatik në Shqipërinë Qendrore, Kalaja e Bashtovës është një nga fortesat më të vjetra në vend, që thuhet se është ndërtuar në shekullin e 15-të.

Dikur dëshmitare e shekujve të tregtisë dhe shkëmbimit, kalaja pësoi dëme të rënda nga tërmeti i vitit 2019. Tani u rigjallë falë Programit EU4Culture. Ndërhyrja përfshiu riparimin e dëmeve të tërmetit, duke i dhënë gjithashtu jetë të re këtij vendi të rëndësishëm kulturor. Puna arkeologjike e kryer gjatë projektit zbuloi detaje emocionuese rreth historisë së kalasë, duke përfshirë prova të rolit të saj në mbrojtjen e tregtisë së drithërave përgjatë shekujve dhe duke shërbyer si portë detare për kanalet e lumenjve që çojnë në det. Këto gjetje i shtuan një dimension të ri historisë së Bashtovës dhe tani ndihmojnë në lidhjen më të thellë të monumentit me identitetin kulturor të Shqipërisë.

Për të pasuruar përvojën e vizitorëve, ndërhyrja prezantoi veçori të realitetit të shtuar, përfshirë aplikacionin që u lejon vizitorëve të eksplorojnë kështjellën përmes rrëfimit digjital. E dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2019, kështjella e shekullit të 15-të qëndronte si një kujtesë e brishtë e së kaluarës së Shqipërisë. Por sot është restauruar me kujdes, rigjallëruar dhe riimagjinuar si një hapësirë ​​që bashkon historinë, kulturën dhe komunitetin.

Në përurimin e punimeve të restaurimit, SH.T. Silvio Gonzato, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, tha: “Me restaurimin e kalasë, duam t’i bëjmë homazh trashëgimisë së pasur kulturore të Shqipërisë, por gjithashtu edhe të krijojmë mundësi për turizëm të qëndrueshëm. Përmes programit EU4Culture, jo vetëm që restaurojmë ndërtesa, por krijojmë edhe mundësi për artistët, artizanët dhe angazhimin e komunitetit. Duam të krijojmë hapësira për të diskutuar, për t’u lidhur dhe për t’u hapur. Sa e mrekullueshme është që një kështjellë, e ndërtuar dikur për mbrojtje dhe izolim, po shndërrohet në hapësirë ​​për angazhim, takim dhe zbulim kulturor. Na duhen më pak mure dhe më shumë hapësira të tilla për komunitetet tona.”

Falë Programit EU4Culture, Kalaja e Bashtovës — e përcaktuar Monument Kulturor i Kategorisë së Parë që nga viti 1948 dhe kandidate për Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s — tani qëndron me mure dhe kulla të përforcuara, qasje të sigurt për vizitorët dhe hapësira të reja për të mësuar dhe zbuluar.

Programi EU4Culture financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë. Përqendrohet në rinovimin dhe rivitalizimin e vendeve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuara nga Bashkimi Evropian me buxhet total prej 40 milionë eurosh.

Programi përqendrohet në rinovimin e vendeve kryesore të trashëgimisë kulturore në përputhje me Kornizën e OKB-së për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë. Paralelisht, synon të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në rimëkëmbjen socio-ekonomike lokale dhe rajonale.

Von der Leyen përfundon vizitën në Ballkanin Perëndimor me mesazhe të qarta mbi reformat, dialogun dhe integrimin ekonomik

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfundon vizitën disaditore në Ballkanin Perëndimor. Gjatë vizitës edhe një herë theksoi angazhimin e përkushtuar të BE-së ndaj perspektivës evropiane të rajonit dhe Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh. Von der Leyen iu drejtua pjesëmarrësve të Forumit për Investime BE-Ballkan Perëndimor, në Tiranë, duke theksuar hapat konkretë drejt anëtarësimit në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro – SEPA, e cila do t’u lejojë qytetarëve dhe bizneseve të kryejnë transaksione më të shpejta dhe më të lira në euro. Në Mal të Zi, von der Leyen vlerësoi progresin në sundimi e ligjit dhe transformimin digjital dhe konfirmoi disbursimin e parë prej 8 milionë eurosh përmes Instrumentit të Reformës dhe Rritjes – transh fillestar në paketë që mund të arrijë vlerë prej mbi 380 milionë euro, varësisht nga zbatimi i mëtejshëm i reformave.

Vizitat e saj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë dërguan mesazhe të qarta politike, përveç dimensionit ekonomik. Gjatë vizitës së saj në Sarajevë, von der Leyen vizitoi Qendrën Memoriale të Srebrenicës dhe u takua me udhëheqjen shtetërore, duke theksuar se kujtesa dhe përgjegjësia janë pjesë e pandashme e vlerave evropiane dhe se reformat e vazhdueshme mbeten çelësi i përparimit të vendit në rrugën e tij drejt BE-së. Në Beograd, von der Leyen bëri thirrje për zbatim të përshpejtuar të reformave ligjore dhe përafrim më të madh me politikat e BE-së. Gjithashtu theksoi nevojën për të arritur përparim konkret në dialogun me Kosovën, të lehtësuar nga BE-ja, duke vënë në dukje se reformat do të hapin qasje në investime dhe mundësi të reja përmes Planit të Rritjes. Në Prishtinë riafirmoi angazhimin afatgjatë të BE-së ndaj perspektivës evropiane të Kosovës. Ajo bëri thirrje për uljen e tensioneve, forcimin e institucioneve dhe përmbushjen e detyrimeve të dakorduara, në mënyrë që Kosova të përfitojë plotësisht nga instrumentet dhe masat e ofruara nga Plani i Rritjes.

Në Shkup, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se “hapi tjetër dhe i vetëm” para hapjes së negociatave të pranimit është miratimi i ndryshimit kushtetues të dakordësuar – “Topi është në fushën tuaj. BE-ja është gati”, tha ajo pas takimeve me përfaqësuesit e qeverisë. Mesazhi politik u shoqërua me rezultate konkrete brenda Planit të Rritjes: hapja e një “Qendre lokale të Fabrikës së Inteligjencës Artificiale” (AIFA) në Shkup, e cila do të lidh inovatorët nga Maqedonia e Veriut me burimet e IA-së, me mbështetjen e EuroHPC; përfshirja në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro – SEPA, e cila do të mundësojë transaksione më të shpejta dhe më të lira në euro; dhe disbursim të ri prej 16 milionë eurosh, në mbështetje të reformave tashmë të zbatuara.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Varet nga të gjithë ne nëse kjo do të bëhet realitet.” Gjatë turneut të von der Leyen, ky mesazh u theksua veçanërisht, siç u theksuan edhe hapat konkretë që tashmë ndërmerren— nga reformat që lidhen me Tregun e Përbashkët, deri te hapja e kanaleve të reja për investime në energji të pastër, inovacion dhe turizëm të qëndrueshëm. Gjithashtu u promovuan edhe masa për të ulur kostot dhe për të hequr barrierat në udhëtim, të cilat do t’ua lehtësojnë jetën qytetarëve. Me fjalë të tjera, u dërgua një mesazh i qartë se reformat dhe dialogu i besueshëm hapin derën për qasje, financim dhe mundësi të reja, ndërsa rajoni i afrohet gjithnjë e më shumë Bashkimit Evropian.

Sistemi i Hyrjes/Daljes (EES) fillon në tetor: çfarë duhet të dinë udhëtarët e Ballkanit Perëndimor

Nga 12 tetor të 2025, Evropa do të fillojë të zbatojë Sistemin e ri të Hyrjes/Daljes (EES) në kufijtë e saj të jashtëm. Tranzicioni gjashtëmujor zgjat deri më 9 prill 2026, duke nisur me funksionim të plotë të sistemit nga 10 prilli 2026. Gjatë tranzicionit, disa pika kufitare do ta prezantojnë EES më shpejt se të tjerat dhe pasaportat do të vazhdojnë të vulosen; pas lançimit të plotë, vulat zëvendësohen me të dhëna elektronike.   Për kë vlen kjo Sistemi EES zbatohet për udhëtarët jo-BE me qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore, duke përfshirë vizitorët pa viza dhe ata që mbajnë vizë Shengen për qëndrim të shkurtër. Shtetasit e BE-së/të Shengenit dhe banorët me qëndrim të gjatë nuk i nënshtrohen Sistemit EES.   Çfarë ndryshon në kufi Në udhëtimin e parë pas fillimit të EES, zyrtarët kufitarë ose kioskat e vetëshërbimit do të kapin të dhënat e dokumentit tuaj të udhëtimit, datën dhe vendin e hyrjes/daljes, imazh të fytyrës dhe katër gjurmë gishtash. Kalimet e ardhshme zakonisht do të jenë më të shpejta sepse të dhënat tuaja vetëm më do të jenë në sistem.   Përfitimet për udhëtarët e Ballkanit Perëndimor EES automatizon llogaritjen e 90/180 ditorit, dhe pasi të jetë plotësisht në funksion, heq kontrollet e vulave, duke ndihmuar në uljen e pyetjeve në portë dhe duke i bërë udhëtimet e përsëritura më të lehta. Udhëtarët gjithashtu do të jenë në gjendje të kontrollojnë se sa ditë kanë mbetur në lejen e tyre aktuale.   Familjet dhe fëmijët Fëmijëve nën 12 vjeç nuk do t’u merren gjurmët e gishtërinjve; por vetëm imazhi i fytyrës dhe kontrolli i dokumenteve.   Opsioni i para-regjistrimit Disa vende mund të ofrojnë aplikacionin celular “Udhëtim në Evropë” për të para-regjistruar të dhënat e pasaportës dhe imazhin e fytyrës para se të mbërrini në destinacionin tuaj, duke e bërë kalimin e parë më të shpejtë. Por ky opsion nuk do të jetë në dispozicion në çdo vend.   12 tetor 2025: Fillon EES, i ndarë në faza sipas vendit dhe llojit të kufirit. 9 Prill 2026: Përfundon periudha e tranzicionit. 10 Prill 2026: Sistemi EES plotësisht i vendosur në të gjitha pikat kufitare të jashtme; përfundon vulosja e pasaportave.   Për të mësuar më shumë rreth EES, shihni burimet më poshtë:
  • Përmbledhje e EES dhe udhëzime për udhëtarët, Qeveria e Bashkimit Evropian – Travel Europe. • Të dhënat e mbajtura nga EES – Travel Europe. • Pyetjet e shpeshta rreth EES, përfshirë tranzicionin, vulat dhe përjashtimet – Travel Europe. • Faqja e Komisionit Evropian mbi politikën dhe kohën e EES – Migration and Home Affairs. • Fushata informative dhe detajet e prezantimit – eu-LISA.

Publikohen sondazhet vjetore të perceptimit 2025

Projekti WeBalkans ka realizuar sondazhe opinioni në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi. 


Puna në terren u zhvillua midis majit dhe qershorit 2025, bazuar në intervista ballë për ballë me mostra përfaqësuese prej 1,000 personash për secilin vend. 

 

Raportet dhe fletët e fakteve janë në dispozicion më poshtë: 

 

Shqipëria: Përmbledhja Anglisht Shqip | Pasqyra Anglisht 

 ****

Bosnja dhe Hercegovina: Përmbledhja Anglisht Gjuhë boshnjake | Pasqyra Anglisht 

****

Kosova: Përmbledhja Anglisht Shqip Serbisht | Pasqyra Anglisht 

****

Mali i Zi: Përmbledhja Anglisht Gjuhë malazeze  | Pasqyra Anglisht 

****

Maqedonia e Veriut: Përmbledhja Anglisht Maqedonisht Shqip | Pasqyra Anglisht 

****

Serbia: Përmbledhja Anglisht Serbisht | Pasqyra Anglisht

Arti i rrugës pa kufij: Mbështetja e BE-së ndihmon lidhjet mes artistëve nga Sarajeva dhe Prishtina

Q’art dhe Obojena Klapa kanë shumë gjëra të përbashkëta, por lidhja e tyre më e fortë është dashuria për artin e rrugës.

Q’art është një nga organizatat më të njohura të Kosovës në promovimin e artit rrugor dhe përmirësimin e peizazhit urban në mënyrë të qëndrueshme. Ata përdorin artin si mjet për të përmirësuar jetën dhe hapësirat publike, mjediset shkollore dhe fushat e lojërave – ose, siç e thonë ata, “për të përmirësuar çdo gjë që mund të përmirësohet nëpërmjet artit rrugor”.

Obojena Klapa (Kllapa e ngjyrosur), e themeluar në vitin 2016 në Sarajevë (Bosnjë dhe Hercegovinë), u krijua për të promovuar dhe avokuar për afirmimin e artit të rrugës brenda shoqërisë së BH-së. Misionin, sipas fjalëve të tyre, e kanë të “lyejnë të gjitha muret e vjetra, gri dhe të trishtueshme dhe të rinovojnë të gjitha fasadat e rrënuara në Sarajevë, duke i pasuruar ato me shprehjen e tyre artistike”.

Kohët e fundit, këto dy organizata – të lidhura nga pasioni i tyre i ndërsjellë për artin e rrugës – u bashkuan për të ndjekur një qëllim tjetër domethënës: forcimin e peizazheve kulturore të Ballkanit Perëndimor duke promovuar bashkëpunimin midis festivaleve rajonale dhe duke lehtësuar shkëmbimet kulturore.

“Për ne në Obojena Klapa, Balkan Art Fusion na u duk si një vazhdim i natyrshëm i asaj që kemi bërë prej vitesh – duke lidhur njerëzit nëpërmjet artit, duke punuar në hapësirën ​​publike dhe duke krijuar mundësi ​​për dialog dhe mësim. Ishte e rëndësishme për ne që artistët tanë të rinj të kishin mundësinë të dilnin nga mjedisi i tyre i përditshëm, të takonin bashkëmoshatarë nga qytete të tjera dhe të krijonin diçka të qëndrueshme së bashku. Dhe kjo vërtet ndodhi. Gjithçka rrodhi natyrshëm, pa shtypje, por me shumë përqëdrim dhe respekt të ndërsjellë. Projektet e tilla me të vërtetë na shtyjnë — sepse mund të shihni se ajo që bëni ka rëndësi, si për komunitetin ashtu edhe për secilin individ të përfshirë në të”, thonë përfaqësuesit e Obojena Klapa rreth ndikimit të projekteve si Balkan Art Fusion dhe se si ato përputhen me misionin më të gjerë të organizatës.

Bashkimi i Artit Ballkanik (Balkan Art Fusion): Lidhja e Kulturave përmes Shprehjes Urbane është nismë e përbashkët e udhëhequr nga këto dy organizata dhe e mbështetur nga Këshilli Britanik. Balkan Art Fusion është pjesë e projektit Kulturë dhe Kreativitet për Ballkanin Perëndimor (CC4WBs), financuar nga Bashkimi Evropian. CC4WBs synon të nxisë dialogun në Ballkanin Perëndimor duke përmirësuar sektorët kulturorë dhe krijues për ndikim më të madh socio-ekonomik. Balkan Art Fusion është strukturuar rreth katër aktiviteteve kryesore që së bashku promovojnë kreativitetin lokal dhe sipërmarrjen kulturore nëpërmjet punëtorive artistike, ekspozitave dhe rezidencave.

“Që nga fillimi, u ndjeva si pjesë e ekipit. Nuk kishte të bënte vetëm të kryhet puna. Atmosfera vërtet bën ndryshim. Punuam me përqendrim, por edhe ndamë të qeshura, shkëmbyem përvoja dhe mësuam nga njëri-tjetri. Kishte rrjedhë të vërtetë idesh, pa shtypje, vetëm me energji pozitive e cila na mbante të motivuar. Ajo që binte më shumë në sy ishin bisedat e sinqerta rreth artit, udhëtimeve tona personale dhe arsyes pse bëjmë atë që bëjmë. Ky lloj përvoje nuk mbetet vetëm në kujtesë – por e ndryshon mënyrën se si i qaseni punës suaj në të ardhmen”, thotë Rijad-i nga Sarajeva, një nga pjesëmarrësit në punëtoritë Creative Bridges.

Seria Creative Bridges është një nga aktivitetet kryesore të projektit, e zhvilluar për të lidhur artistë dhe organizata nga Prishtina, Sarajeva dhe jashtë vendit. Këto punëtori nxisin të nxënit nga bashkëmoshatarët, krijimin e artit të drejtpërdrejtë, ilustrimin digjital dhe dialogun kulturor.

Kur u pyet për përvojën e tij me artistë rruge nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, Tizer—artisti britaniko-amerikan i grafiteve, i cili është i njohur për përzierjen e tij të grafiteve dhe artit rrugor të bazuar në personazhe, ka qenë aktiv në skenën londineze që nga fundi i viteve ’80 dhe është një nga udhëheqësit e punëtorisë Creative Bridges në Prishtinë—thotë: “Ishte një kënaqësi e madhe për mua të shihja atë talent të ri me artistët e rinj nga Prishtina dhe Sarajeva, si dhe idetë dhe aftësitë e tyre për të prodhuar ato ide në një shkallë kaq të gjerë dhe në një kohë kaq të kufizuar. Ishte fantastike të punosh me artistë kaq të talentuar dhe të krahasosh mendimet për të përfunduar këtë detyrë.”

Rezidenca artistike “Transformimi Artistik” (Artistic Transformation) në Prishtinë ofron platformë për artistë me përvojë si dhe për artistë të rinj që të bashkëpunojnë në krijimin e veprave të reja artistike, zhvillimin e aftësive dhe përkthimin e kulturës urbane në industrinë krijuese.

Ndërkohë, Balkan Urban Canvas është ekspozitë e përbashkët e artit rrugor që zhvillohet si në Prishtinë ashtu edhe në Sarajevë. Kjo ekspozitë feston evolucionin e artit rrugor ballkanik dhe paraqet vepra arti të kuruara, produkte të turizmit urban dhe botime të lidhura me to.

Altin Ibrahimi, artist vizual nga Kosova i cili ka qenë pjesë e shumë aktiviteteve të Q’art, thotë se punëtoria e shtypit të cilën e ndoqi i ofroi mundësi të shoqërohej me artistë nga vende të ndryshme, të ndan përvojat e tyre dhe gjithashtu të bashkëpunon në krijimin e ilustrimeve që do të përdoren për shtyp.

Shumë pjesëmarrës ndiejnë se përfshirja e tyre në aktivitetet e Balkan Art Fusion i ka ndihmuar ato të kuptojnë se me çfarë duan të merren për pjesën tjetër të jetës së tyre. Ndër të tjera, projekti u dha pjesëmarrësve nga Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina mundësinë për të përjetuar qytetet e Prishtines dhe Sarajevës nëpërmjet gjuhës së tyre të përbashkët – artit të rrugës – dhe në këtë mënyrë, të kuptonin ngjashmëritë kulturore dhe shoqërore midis këtyre dy vendeve.

E vërteta kundër miteve rreth BE-së: Ballkani Perëndimor ballë përballë me dezinformatat

Bashkimi Evropian, si bashkësi politike e themeluar mbi standardet më të larta të të drejtave dhe vlerave të njeriut, shpesh gjendet në shënjestër të aktorëve të ndryshëm të cilët, nëpërmjet përhapjes së narrativëve negativ, synojnë të minojnë besimin e qytetarëve në institucionet e tija.

Rrjetet sociale dhe mediat e dyshimta nga Ballkani Perëndimor, pa impresum apo standarde profesionale gazetareske, përpiqen të manipulojnë opinionin publik duke shfrytëzuar emocionet dhe zhvillimet politike aktuale, me qëllim që të kthejnë opinionin publik kundër përmbushjes së standardeve evropiane dhe zbatimit të reformave të nevojshme.

Temat më të zakonshme që gjenden në faqet e tilla të internetit dhe mediave sociale kanë të bëjnë me të drejtat e popullatës LGBTQ dhe përpjekjet e supozuara të BE-së për të ndryshuar normat tradicionale që popullata e Ballkanit Perëndimor i vlerëson fuqimisht.

Veç kësaj, shpesh bëhen pretendime se anëtarësimi në BE do të dëmtonte standardet ekonomike dhe do të çonte në eksploatimin e burimeve natyrore dhe potencialeve të tjera ekonomike në rajon.

Një Facebook faqe nga Kroacia, me rreth 1,500 ndjekës, pretendon se Kroacia ishte ekonomikisht më mirë kur ishte pjesë e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë sesa që është sot si anëtare e BE-së.

“Kuptojeni këtë si të doni, lirisht më quani jugosllav dhe më sulmoni, por duhet ditur se: Jugosllavia ishte shtet sovran, ndryshe nga Kroacia. Vendimet merreshin nga kroati Josip Broz, jo nga Brukseli apo ambasadat e huaja. Kishim bujqësi të zhvilluar, ndërtonim anije, industri, filma dhe seriale të klasit të lartë dhe skenë muzikore të pakrahasueshme. Kishim gjithashtu rritje demografike dhe njëfarë vlerash morale, pasi materializmi perëndimor, kultura e Koka-Kolla-s, shthurja, liberalizmi, feminizmi radikal etj., nuk kishin mbërritur ende. Kishim optimizëm në shoqëri, fytyra të qeshura në rrugë dhe besim në një të nesërme më të mirë”, thuhet në postimin.

Megjithatë, faktet tregojnë një histori tjetër, pasi Kroacia pranoi €25 miliardë euro nga BE-ja që nga pranimi i saj deri në fund të vitit 2024, që është rreth katër herë më shumë sesa ajo kontribuon në buxhetin e BE-së. Si rezultat i kësaj, Kroacia ka suficit total prej 16.36 miliardë eurosh si diferencë midis fondeve të paguara Kroacisë dhe kontributit të saj në buxhetin e BE-së, tha Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Fondeve të BE-së, Domagoj Mikuliq, në parlament të enjten. Fondet e tërhequra janë katër herë më të larta se kontributi i vendit në fondet e BE-së që kur Kroacia hyri në BE-në deri në fund të vitit 2023, tha deputeti i HSLS-së, Dario Hrebak, gjatë një debati parlamentar, duke shtuar se ky është gjithashtu një mesazh i mirë për euroskeptikët.

Këto para jo vetëm që ndihmuan Kroacinë të përmirësonte standardin e saj të jetesës, por edhe të zbatonte reforma të cilat e përmirësuan cilësinë e jetës. Sipas të dhënave të BE-së, është e qartë se sa shumë kanë përfituar vendet nga anëtarësimi në BE.

Një shembull  tjetër nga faqja e lartpërmendur e propagandës në Facebook përpiqet të krijojë narrativ se ndryshimet e supozuara në dinamikën tradicionale familjare brenda shteteve anëtare të BE-së po çojnë në “feminizimin” e burrave evropianë. Autori u referohet raporteve të mediave që pretendojnë se Presidenti francez Emmanuel Macron dyshohet se është goditur me shuplakë nga gruaja e tij.

“Udhëheqësi qesharak i BE-së u qëllua me shuplakë mbrëmë nga gruaja e tij. A mund ta imagjinoni Putinin ose Xi-në të qëllohen me shuplakë nga gratë e tyre? Nuk mundeni. Dhe kjo është një prej arsyeve pse BE-ja dekadente (ndryshe nga Lindja) ekonomikisht dhe politikisht po fundoset thellë e më thellë. Kjo është pjesë e përgjigjes pse BE-ja është bërë një aktor i parëndësishëm në çështjet globale”, thuhet në postimin në Facebook.

Megjithatë, të gjitha pretendimet e tilla demistifikohen nga rregullat e qarta të shkruara në Traktatin Themelues të BE-së.

Neni 3 i Traktatit për Bashkimin Evropian qartë thotë se “BE-ja do të luftojë përjashtimin social dhe diskriminimin, do të promovojë drejtësinë dhe mbrojtjen sociale, barazinë midis grave dhe burrave, solidaritetin midis brezave dhe të drejtat e fëmijës”.

Narrativet e dezinformimit janë të pranishme edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor që janë në proces të anëtarësimit në BE, siç është Mali i Zi.

Portali pro-rus IN4S, i cili, sipas disa sondazheve, është i gjashti më i lexuar në vend, shpesh përhap përmbajtje të ngjashme ose identike kontraverse.

Në një nga artikujt, IN4S pretendon se “Qyteti i Rijekës ka prezantuar Edukimin Shëndetësor si projekt pilot në gjashtë shkolla fillore”, gjoja jo si program klasik shëndetësor, por si kurs edukimi seksual i bazuar në një model të majtë-liberal. Sipas IN4S, materiali përmban shembuj të shumtë të propagandës feministe dhe LGBT.

Një tjetër artikull nga e njëjta media shpreh qëndrim skeptik ndaj anëtarësimit në BE duke thënë “Nuk është çështja se a do të anëtarësohemi në BE ose jo, por çfarë do të mbetet prej nesh nëse e bëjmë këtë”.

Pohon se “Nën maskën e luftës për të drejtat e njeriut, BE-ja gjithnjë e më shumë ushtron presion mbi sistemet arsimore, mediat dhe kornizat ligjore të shteteve anëtare që të pranojnë teoritë radikale gjinore, ndërkohë që kërcënon penalisht ata që sfidojnë këto pikëpamje”.

Hungaria përmendet si shembull, për të cilën pretendohet se është përballur me kritika të ashpra pas miratimit të një ligji që ndalon promovimin e përmbajtjes LGBT tek fëmijët — diçka që Brukseli thuhet se e ka shpall si “shkelje të vlerave evropiane”.

Por, a është kjo e vërteta?

Pjesë e madhe e këtyre pretendimeve nuk bazohen në fakte, sepse aktet themeluese të BE-së e bëjnë të qartë se Bashkimi ofron mbështetje për Shtetet Anëtare, por nuk ka autoritet mbi politikën arsimore. Shtetet anëtare kanë sovranitet të plotë në strukturimin, organizimin dhe përcaktimin e përmbajtjes së sistemeve të tyre arsimore, përfshirë kurrikulat, financimin, kualifikimet e mësuesve dhe gjuhën e mësimdhënies.

Në fakt, BE-ja nuk synon të eliminojë vlerat tradicionale. Përkundrazi, në preambulën e Traktatit për Bashkimin Evropian, ajo shpreh qartë qëllimin e saj që: “Të thellojë solidaritetin midis popujve të saj, duke respektuar historinë, kulturën dhe traditat e tyre” dhe të “riafirmojë lidhjen e saj me parimet e lirisë, demokracisë, respektit për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, si dhe sundimin e ligjit”.

Sipas nenit 6, paragrafit 3 të këtij Traktati thuhet se “të drejtat themelore, siç garantohen nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, dhe siç rezultojnë nga traditat kushtetuese të përbashkëta të Shteteve Anëtare, përbëjnë parime të përgjithshme të së drejtës së BE-së”.

Veç kësaj, sipas parimit të subsidiaritetit, të gjitha vendimet që duhet të merren duhet të jenë “sa më afër qytetarëve”.

Gjithashtu, Neni 2 i të njëjtit dokument thotë qartë se “BE-ja është themeluar mbi vlerat e respektit për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe respektin për të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave”.

Këto vlera, siç theksohet, “janë të përbashkëta për të gjitha Shtetet Anëtare, në shoqëritë e të cilave mbizotëron pluralizmi, mosdiskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia midis grave dhe burrave”.

Nga të gjitha sa më sipër, është e qartë se vendet e Ballkanit Perëndimor, sapo të bëhen anëtare të BE-së, do të gëzojnë të njëjtat privilegje dhe të drejta si të gjitha shtetet tjera anëtare. Për më tepër, siç dëshmohet nga shembujt e mëparshëm, gjithashtu do të arrijnë përparim ekonomik dhe standard më të mirë jetese për qytetarët e tyre.

 

AUTHORS:

Dejan Šainović, Journalist

Elena Prnjić, Fact checker

Jovana Đurišić, Fact checker

Marina Trajkovska, Influencer

Bojan Ristovski, Young European Ambassador

Qendrat e reja evropiane të inovacionit digjital do të nxisin transformimin digjital në të gjithë Ballkanin Perëndimor

Që nga janari i vitit 2025, Rrjeti i Qendrave Evropiane të Inovacionit Digjital (EDIH) është zgjeruar për të përfshirë qendra të reja në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Zgjerimi i rrjetit është pjesë e Planit më të gjerë të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, që synon të ndihmojë rajonin të integrohet në Tregun e Përbashkët Digjital të BE-së. Duke iu bashkuar Rrjetit EDIH, përfituesit në rajonin e Zgjerimit fitojnë qasje të hershme në mjetet digjitale, platformat e ndarjes së njohurive dhe mundësitë e financimit edhe para anëtarësimit formal në BE. Përfitimet do të jenë të prekshme, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, startup-et dhe institucionet publike që përpiqen të arrijnë transformim digjital dhe të gjelbër.

“I ndihmojmë si institucionet publike ashtu edhe bizneset të përdorin mjete digjitale për të zgjidhur probleme të vërteta, si përmirësimi i shërbimeve për arritjen e tregjeve të reja. Po ua lehtësojmë atyre lidhjen dhe punën përtej kufijve, ashtu siç është paraparë të bëjë tregu i vetëm digjital”, thotë Prof. Dr. Slavica Tomović, Profesoreshë Asistente në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Malit të Zi. Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm për përpjekjet e transformimit digjital të Bashkimit Evropian në rajonin e Zgjerimit dhe hap mundësi të reja emocionuese për bizneset lokale, institucionet publike dhe startup-et që të bëhen pjesë e ekosistemit digjital në lulëzim të Evropës.

Qendrat Evropiane për Inovacion Digjital (EDIH) veprojnë si qendra të vetme që ndihmojnë kompanitë dhe organizatat e sektorit publik të përgjigjen ndaj sfidave digjitale dhe të rrisin konkurrueshmërinë e tyre. Ato ofrojnë një gamë shërbimesh përfshirë qasje në ekspertizë teknike, trajnim dhe zhvillim të aftësive, këshilla mbi financim dhe mundësi për të “testuar para se të investoni” në teknologjitë digjitale. Për më tepër, mbështesin tranzicionin e gjelbër duke i ndihmuar organizatat të zbatojnë praktika digjitale të qëndrueshme dhe rrethore.

Të mbështetur nga Programi i Evropës Digjitale (DEP), EDIH-të bashkëfinancohen—50% nga DEP kurse pjesa tjetër mbulohet nga burime kombëtare, rajonale ose private. Misioni i tyre është të sigurojnë që asnjë rajon të mos mbetet prapa në epokën digjitale.

Në Maqedoninë e Veriut, INOFEIT EDIH është Qendra e parë zyrtare Evropiane për Inovacion Digjital në vend. E ndërtuar mbi themelet e forta të INNOFEITDIH, bashkon akademinë, industrinë, shoqatat afariste dhe palët e interesuara publike. Gjatë katër viteve të ardhshme, INOFEIT EDIH do të ofrojë shërbime digjitale falas me vlerë 2 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe organizatat e sektorit publik me shërbimet e saj kryesore.

“Në peizazhin digjital të sotëm që evoluon me shpejtësi të madhe, të qëndruarit në hap me teknologjitë më të fundit është thelbësore për bizneset dhe organizatat publike. Integrimi i Maqedonisë së Veriut në Rrjetin e Qendrave të Inovacionit Digjital të BE-së përmes INNOFEIT EDIH ofron një mundësi unike për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe OSP-të për të rritur konkurrueshmërinë e tyre dhe për të nxitur progresin shoqëror”, thotë Dimitar Taskovski nga INNOFEIT i Maqedonisë së Veriut.

Në Kosovë, konsorciumi që menaxhon projektin DIG-4K përbëhet nga disa akterë të cilët përfaqësojnë shoqërinë civile, sektorin afarist dhe atë akademik, Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) si Partner Kryesor dhe Edutask; Qendrën e Inovacionit Makerspace në Prizren, Universitetin UBT, Universitetin Ukshin Hoti, QUANTIX, ALT SHPK, CACTTUS Education si partnerë zbatues dhe Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës dhe Rrjetin e Kërkimit dhe Arsimit të Kosovës (KREN) si partnerë shoqërues.

“Integrimi i Kosovës në Rrjetin e Qendrave të Inovacionit Digjital të BE-së (EDIH) ofron mundësi transformuese për bizneset, institucionet arsimore dhe palët e interesuara të sektorit publik. Nëpërmjet projektit DIG-4K, përfituesit do të fitojnë qasje në ekspertizë, burime dhe fonde për të përshpejtuar transformimin digjital”, thotë Arsim Nimanaj nga GIZ Kosova, duke dhënë më tej informacione konkrete se si përfituesit do të përfitojnë nga ky anëtarësim, “Shërbimet këshillimore do të ndihmojnë bizneset dhe institucionet të zbatojnë strategji digjitale, të optimizojnë proceset dhe të rrisin konkurrueshmërinë. Akademia e Aftësive Digjitale do të kapërcejë boshllëqet e aftësive përmes trajnimeve, certifikimeve dhe punëtorive praktike, duke siguruar një fuqi punëtore të gatshme për të ardhmen. Laboratori i Qasjes dhe Testimit Teknologjik do të ofrojë hapësirë ​​për inovacion, duke u mundësuar bizneseve të prototipojnë dhe testojnë IA-në, sigurinë kibernetike dhe teknologjitë e gjelbra. Financimi dhe mbështetja e investimeve do t’i udhëzojnë palët e interesuara në sigurimin e burimeve financiare, duke rritur aftësinë e tyre për të zhvilluar dhe mbështetur projekte. Rrjetëzimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar do të hapin qasje në tregjet dhe partneritetet globale, duke forcuar ekosistemin digjital të Kosovës. Përveç kësaj, përpjekjet për të shkallëzuar dhe mbështetur zgjidhje të suksesshme digjitale do të sigurojnë ndikim afatgjatë nëpërmjet dukshmërisë, shtrirjes së tregut dhe vlerësimit të vazhdueshëm”, përfundon Nimanaj.

Transformimi digjital duke filluar nga bujqësia e mundësuar nga inteligjenca artificiale deri te shërbimet publike inteligjente, i nxitur nga qendrat që tani janë pjesë e Rrjetit EDIH, do të mbështesë rritjen gjithëpërfshirëse, qëndrueshmërinë dhe do ta përgatisë rajonin për të ardhmen e punës dhe biznesit.

Për organizatat lokale në Ballkanin Perëndimor, bashkimi me EDIH rrjetin do të thotë të jesh pjesë e një lëvizjeje mbarë-evropiane drejt inovacionit, efikasitetit dhe qëndrueshmërisë.

Më shumë informacion mbi Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor mund të gjeni këtu.

Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor – Zhvillim ekonomik dhe mundësi për të gjithë

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një ofertë nga Bashkimi Evropian për kandidatët për anëtarësim (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) për të përshpejtuar procesin e tyre të hyrjes në BE. Plani i Rritjes parashikon integrim më të shpejtë në Tregun e Përbashkët të BE-së, ndërsa kërkon bashkëpunim më të fortë ekonomik rajonal, i cili pritet të çojë në një konvergjencë të përshpejtuar socio-ekonomike me BE-në. Për të mbështetur këto reforma, është përgatitur një fond prej 6 miliardë eurosh – i përbërë nga 2 miliardë euro në grante dhe 4 miliardë euro në kredi koncesionare – i kushtëzuar nga zbatimi i reformave specifike dhe përafrimi i legjislacionit vendas me acquis-in e BE-së.

Vlerësohet se zbatimi i Planit të Rritjes mund t’i japë një vrull të konsiderueshëm reformave, duke çuar potencialisht në dyfishimin e ekonomive të rajonit gjatë dekadës së ardhshme.

“Plani i Rritjes nuk ndikon në proceset në zhvillim për hyrje në BE, ose në kushtet specifike të përcaktuara brenda këtyre kornizave, veçanërisht në lidhje me parimet themelore. Tregu i Përbashkët Rajonal është një iniciativë e rënë dakord nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit në Sofje në vitin 2020. Ky treg, së bashku me planin e tij të veprimit shoqërues, synon të mundësojë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve brenda rajonit”, thuhet në Planin e Rritjes, duke theksuar se “shpejtësia është çelësi” dhe se plani synon të ndihmojë rajonin të përqendrohet në të ardhmen e tyre të përbashkët si anëtarë të BE-së dhe të kapërcejë sfidat dypalëshe që pengojnë progresin.

Adi Ćerimagić, analist nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, shpjegon se BE-ja përpiqet t’u ofrojë kandidatëve për anëtarësim disa nga përfitimet e anëtarësimit paraprakisht.

“Një komponent është financimi shtesë për të ngushtuar hendekun midis asaj që pranojnë anëtarët e BE-së dhe vendet kandidate. Megjithatë, kjo vjen me kërkesën për një plan të detajuar reformash që mbulon jo vetëm sundimin e ligjit dhe reformën ekonomike, por edhe fusha të tjera si administrata publike dhe reforma e prokurimit publik, varësisht nga nevojat e secilit vend. Një aspekt tjetër janë përfitimet e para-anëtarësimit, me pritjen që vendet kandidate do të miratojnë legjislacion dhe institucione që u mundësojnë atyre të funksionojnë sikur të ishin anëtarë. Një shembull i mirë është SEPA, e cila u lejon bankave në vendet kandidate të kryejnë transaksione në euro sikur të ishin në BE, pa tarifa shtesë, por kjo kërkon përshtatjen e legjislacionit kombëtar dhe rregulloreve bankare”, thotë Ćerimagić, duke vënë në dukje se thelbi i Planit të Rritjes është t’u ofrojë kandidatëve më shumë para dhe më shumë mundësi për ekonomitë dhe qytetarët e tyre, bazuar në ritmin me të cilin ata zbatojnë reformat.

Profesoresha Lejla Ramić-Mesihović, nga Departamenti për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar Burch (IBU), thotë se kjo paraqet një mundësi të madhe.

“Plani i Rritjes është një mundësi e shkëlqyer për të forcuar Tregun e Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe për ta lidhur atë me Tregun e Përbashkët të BE-së, drejt të cilit jemi të gjithë të orientuar. Në thelb, është një fond parash në të cilin të gjithë kemi qasje.”

Plani i Rritjes përqendrohet në shtatë fusha kryesore: lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve; qasja në pagesa në euro; transporti rrugor i lehtësuar; dekarbonizimi dhe integrimi i tregut energjetik; treg i përbashkët digjital; dhe integrimi në zinxhirët e furnizimit industrial. Disa nga mundësitë e krijuara përfshijnë perspektiva të reja punësimi, qasje falas në internet publik, transferta parash më të lira dhe më të shpejta (nëpërmjet SEPA-s), kohë të reduktuara pritjeje në kufi për transportin rrugor (korsi të gjelbra) dhe qendra digjitale për kompanitë e reja. Parakushtet për këto përfitime përfshijnë harmonizimin e legjislacionit për kontrollin kufitar, nënshkrimin e Konventës për një Procedurë të Përbashkët Tranziti, reformimin e financave publike në përputhje me standardet evropiane dhe njohjen reciproke të aftësive dhe kualifikimeve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor – përfshirë kualifikimet profesionale, dhe duke u bazuar në marrëveshjet ekzistuese të lëvizshmërisë.

Plani i Rritjes mbulon periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027, dhe fondet e ndara do të shpërndahen bazuar në një formulë që përfshin PBB-në, popullsinë dhe disa kritere tjera. Sipas vlerësimeve paraprake, Shqipëria mund të marrë 922 milionë euro, Mali i Zi 383 milionë euro, Kosova 880 milionë euro, Maqedonia e Veriut 750 milionë euro, Serbia 1.58 miliardë euro, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina, pasi të përfundojë agjendën e saj të reformave, mund të pranon 1.85 miliardë euro. Të paktën 50% e shumës totale do të drejtohet drejt investimeve përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF). Fondet e mbetura do të shkojnë direkt te qeveritë e Ballkanit Perëndimor, dhe qasja në fonde do të varet nga progresi i bërë në zbatimin e agjendave të reformave që secili vend i ka zhvilluar.

Shpërndarjet do të bëhen dy herë në vit, bazuar në aplikimet e paraqitura nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor, por vetëm pasi Komisioni Evropian të konfirmojë se janë përmbushur të gjitha kushtet – siç janë stabiliteti makroekonomik, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit.

Plani i Rritjes u miratua më 8 nëntor 2023 dhe deri në prill të 2025 Komisioni Evropian ka miratuar Agjendat e Reformave të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Bosnja dhe Hercegovina ende nuk e ka marrë “dritën jeshile”.

Qeveritë e Ballkanit Perëndimor janë paralajmëruar se nëse nuk i përmbushin kushtet e pagesës, Komisioni do t’i pezullojë ose do t’i mbajë shumat përkatëse. Për më tepër, vendet që nuk i zbatojnë reformat brenda një ose dy vitesh do të detyrohen të kthejnë fondet, të cilat më pas do t’u rishpërndahen të tjerëve.