Energji e re kalon përmes kufijve
5 Nëntor 2020
Një shkencëtar i ri nga Mali i Zi sjell pasionin e tij për kërkimin shkencor në një projekt transkombëtar të energjisë së rinovueshme.
Ndërkohë që shumica e miqve të Mihailo-s donin të luanin futboll dhe lojëra të tjera në oborrin e shkollës, parku i tij i lodrave ishte laboratori i shkollës. Ai nuk e di se nga i erdhi ky pasion për shkencën: “Nuk mbaj mend të kem pasur diçka që më shtyu dhe më frymëzoi drejt shkencës. Këtë frymëzim e kam pasur gjithmonë me vete,” thotë ai.
Gjatë fëmijërisë së tij pasioni për shkencën u rrit bashkë me të. Ai lëvdohej nga mësuesit e tij dhe në shkollë të mesme filloi të fitonte çmime për eksperimentet e tij shkencore. “Në shkollë fillova të punoja më shumë me tema që lidheshin me inxhinierinë elektrike. Kështu që, kur mbarova shkollën e mesme, ishte e natyrshme të vendosja të vazhdoja studimet për inxhinieri elektrike”, vëren ai.
Mihailo u regjistruar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike të Universitetit të Podgoricës. Ai ishte student i përkushtuar dhe vijonte të kishte rezultate të larta, dhe shpejt tërhoqi vëmendjen e pedagogëve të tij. Ai ishte një nga studentët më të mirë në kursin e vet dhe fare pak pas diplomimit u ftua të punonte si asistent pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë. Ndërkohë që Mihailo u gëzua nga ftesa, ai kishte hezitimet e veta. Qëllimi i tij kryesor ishte të punonte me kërkime dhe studime shkencore dhe nuk ishte i sigurt nëse pozicioni i tij do t’i krijonte mundësi dhe jepte kohë të mjaftueshme për të ndjekur pasionin e tij.



