Skip to main content

Autor: WeBalkans

Përhapja e shijes së proshutës Malazeze përtej kufijve

Një biznes malazez rrit eksportin, të ardhurat dhe stafin e tij me mbështetjen e BE-së. Proshuta e staxhionuar është një specialitet i Njegushit, një fshat pranë qytetit të Cetinjes në Mal të Zi. Ajo është e njohur për shijen dhe aromën karakteristike, si rezultat i përzierjes së ajrit të detit dhe të malit dhe djegies së drurit të ahut gjatë procesit të tharjes. Është një shije e njohur për malazezët dhe vizitorët në vend, dhe tashmë një shoqëri nga Mali i Zi po punon që ta fusë atë në tregun e mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Mediteranea është një biznes familjar i mesëm nga Mali i Zi në pronësi të bashkëshortëve Marija dhe Ivan Špadijer. Ai filloi si një biznes i vogël si distributor i produkteve të mishit në vitin 2006 dhe gradualisht i rriti të ardhurat, ku proshuta e Njegushit u bë produkti i tyre kryesor. Ivani shpjegon se proshuta kërkon një prodhim të ndërlikuar: procesi i staxhionimit përfshin kriposjen me kripë deti për rreth tre javë, më pas për tre javë të tjera shtypet për të larguar lëngjet e tepërta, dhe pasohet me djegien e lehtë dhe tharjen nën flladin e freskët të malit për tre muaj dhe në fund staxhionohet. I gjithë procesi zgjat rreth një vit.

 “Nënkontraktorët tanë nuk ishin në gjendje që të përmbushnin siç duhet këto kërkesa, kështu që vendosëm ta merrnim vetë në dorë dhe të bënim vetë paketimin.”

  Rritja e cilësisë dhe të ardhurave Për rreth dhjetë vjet, Mediteranea blinte proshutën nga prodhues të zonës së Njegushit dhe paketohej nga nënkontraktorë të tjerë. Biznesi po ecte mirë dhe tregu po zgjerohej, por kjo rritje kishte sfidat e saj. Cilësia e lëndës së parë ishte e njëjtë, por shoqëria nisi të kishte probleme me paketimin. Ivani shpjegon se ata po merrnin kërkesa nga klientë që kërkonin përmirësimin e paketimit. “Nënkontraktorët tanë nuk ishin në gjendje që të përmbushnin siç duhet këto kërkesa, kështu që vendosëm ta merrnim vetë në dorë dhe të bënim vetë paketimin”, shprehet ai. Për këtë, u nevojiteshin pajisje dhe ambiente shtesë pasi kjo ishte një fushë e re për shoqërinë. Fillimisht ata investuan me mundësitë e tyre por ato nuk ishin të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat. Kështu ata vendosën të aplikonin për mbështetje nga Instrumenti i BE-së i Asistencës së Para- Aderimit për Zhvillim Rural, IPARD. Si rrjedhojë, ata siguruan rreth 35,000europër pajisje shtesë të cilat përfshinin një makineri paketimi dhe dy pajisje ngritëse elektrike, që ngrenë deri në një lartësi prej 11 metrash.

 “Nëse nuk do të ishte mbështetja e BE-së nëpërmjet IPARD, ne do të ishim ende në vështirësi. Mbështetja na ka bërë më të pavarur dhe na ndihmoi që të merrnim në dorë fatin dhe suksesin e biznesit tonë.”

Rreth programit  Pjesë e Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA), i projektuar për të mbështetur reformat në vendet në proces aderimi në BE, Instrumenti i Asistencës së Para- Aderimit për Zhvillim Rural (IPARD) përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë në këto vende. Përmes këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë financiare dhe teknike për të bërë sektorin e tyre bujqësor dhe zonat rurale më të qëndrueshme dhe për t’i harmonizuar ato me politikën e përbashkët bujqësore të BE-së. Sot Mediteranea prodhon dhe shpërndan mbi 50 ton produkt përfundimtar në vit. Ata kanë shumë klientë, ndër ta, hotele, restorante dhe zinxhirë supermarketesh. Rreth 90% e të ardhurave të tyre vjen nga eksportet. Ndërsa prodhimi vijon të kryhet nga nënkontraktorë në zonën e Njegushit, paketimi dhe shpërndarja tani mbulohet plotësisht nga vetë shoqëria. Ata gjithashtu kanë dyfishuar numrin e ekipit të tyre nga katër në tetë dhe po planifikojnë ta rrisin më shumë. Ivani shpjegon se mbështetja e BE-së ishte kyçe në këtë histori suksesi. “Nëse nuk do të ishte mbështetja e BE-së nëpërmjet IPARD, ne do të ishim ende në vështirësi. Mbështetja e marrë nga IPARD na ka bërë më të pavarur dhe na ndihmoi që të merrnim në dorë fatin dhe suksesin e biznesit tonë”, shprehet ai.  

Rrugëtim nëpër trashëgiminë kulturore të Ballkanit Perëndimor

Një projekt i financuar nga BE-ja përkrah një mënyrë unike të promovimit të trashëgimisë kulturore në Ballkanin Perëndimor. Imagjinoni një rajon në të cilin mund të gjeni monumente nga Greqia e lashtë, perandoria romake dhe osmane, si dhe nga regjimet socialiste. Ky është vendi ku përzihen kulturat lindore me ato perëndimore, në ushqim, veshje tradicionale, gjuhë dhe veçori të tjera të trashëgimisë kulturore: ky është Ballkani Perëndimor. Një OJF nga Serbia, Shoqata Manifesto, bashkërisht me partnerët nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ka krijuar një mënyrë unike për promovimin e kësaj trashëgimie kaq pak të njohur. Koncepti i tyre novator i zhvilluar si pjesë e projektit të financuar nga BE-ja ‘Rrugëtim dhe Histori të Trashëgimisë’. Ata i sjellin vendet e trashëgimisë më pranë vizitorëve dhe rrisin interesin e siteve më pak të njohura përmes ndjekjes së metodave novatore të të treguarit për paraqitjen e fakteve, por edhe historisë gojore dhe legjendave urbane, dhe duke i promovuar ato nëpërmjet metodave bashkëkohore në internet, përfshirë mediat sociale dhe një aplikacion të posaçëm në telefon. Projekti përfshin promovimin e monumenteve nga Lufta e Dytë Botërore, përmes pallateve perandorake dhe vendbanimeve të lashta, duke shkuar deri te vendbanimet parahistorike të vendosura në peizazhe tërheqëse. Koncepti i Rrugëtimit nëpër Trashëgimi u prezantua fillimisht në Konventën Faro të Këshillit të Evropës për vlerat e trashëgimisë kulturore për shoqërinë, si praktikë e mirë për nismat e udhëhequra nga trashëgimia, të bazuara në komunitet. Ideja e projektit u zhvillua nga ky koncept, ku pjesëmarrësit njihen me skutat e fshehta të zonave pranë tyre përmes një historie interesante. Krahas tërheqjes së turistëve në pikat kulturore vendase, rrugëtimet nëpër trashëgimi tërheqin vizitorë për ofruesit vendas të shërbimeve, të gjithë të lidhur nëpërmjet një historie të caktuar.

“Në çdo muze ose institucion kulturor, ne kemi profesionistë të aftë në fushën e tyre të posaçme, si arkeologjia, antropologjia ose biologjia, por që nuk janë shumë të zotë në tregimin e historive. Ndaj, donim të ndiqnim një qasje të re”.

Një mënyrë tjetër të treguari  Ivan Svetozarevic është një Menaxher Projekti nga Shoqata Manifesto, që fitoi një grant për këtë projekt nga Projekti Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Ai shpjegon se ideja e projektit u zhvillua duke u bazuar në një sërë sfidash të caktuara me të cilat përballej industria e turizmit për promovimin e trashëgimisë kulturore. Sfida kryesore ishte mungesa e metodave tërheqëse të interpretimit dhe tregimit të historive për trashëgiminë kulturore në përgjithësi, dhe trashëgiminë kulturore në zonat rurale në veçanti. “Në çdo muze ose institucion kulturor, ne kemi profesionistë të aftë në fushën e tyre të posaçme, si arkeologjia, antropologjia ose biologjia, por që nuk janë shumë të zotë në tregimin e historive”, thotë ai. Projekti përzgjodhi tetë vendndodhje në tre vende të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihen Felix Romuliana në Serbi, fortesa mesjetare Svač në Malin e Zi, fortesa e Samoil-it në Maqedoninë e Veriut dhe të ngjashme, dhe u punësuan profesionistë për krijimin e historive bazuar në fakte, por edhe në historinë gojore dhe legjendat urbane, dhe zhvilluan një qasje unike ku historia vendoset në një kontekst më të gjerë. “Donim të ofronim një qasje të re të të treguarit të historive për trashëgiminë në Ballkanin Perëndimor, një produkt të ri”, thotë Ivan-i. Krahas kësaj, projekti zhvilloi vendkalime të posaçme përreth siteve. Këto vendkalime përfshijnë bizneset vendase, si dyqanet e vogla dhe restorantet, duke ofruar një mundësi për angazhimin dhe sigurimin e përfitimeve për komunitetet dhe bizneset vendase përreth siteve.

“Shumica e vizitorëve zgjedhin automatikisht qytezat dhe qytetet e mëdha kur bëhet fjalë për turizmin kulturor. Sitet e përzgjedhura nga projekti ynë ndodhen kryesisht në zona rurale, që tashmë përfitojnë ekonomikisht nga turizmi” 

Rreth projektit Projekti Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, ka vlerë 5 milionë euro. Ky projekt punon për zhvillimin dhe promovimin ndërkombëtar të ofertave të përbashkëta rajonale të turizmit kulturor dhe aventuresk, duke rritur numrin e turistëve që vizitojnë gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe duke zgjatur qëndrimin e turistëve në rajon. Shoqata Manifesto ishte ndër përfituesit e grantit në raundin e dytë të granteve të dhëna në muajin tetor 2019, me vlerë deri në 54,000 euro secili. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) është një nismë e bashkëfinancuar nga BE-ja, që promovon bashkëpunimin, pajtimin dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në rajon. Sitet e përzgjedhura janë nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Vendkalimet dhe historitë ngarkohen në faqen e internetit dhe aplikacionin në telefon të zhvilluar nga projekti, me qëllim që vizitorët të kenë mundësi t’i vizitojnë dhe shijojnë sitet në mënyrë të pavarur. Kështu, vizitorëve u jepet mundësia të kenë një përvojë ndërkufitare gjatë njohjes me trashëgiminë kulturore të promovuar nga projekti. Në këtë mënyrë, projekti kontribuon në promovimin e përbashkët të ofertës së turizmit kulturor rajonal, zgjat qëndrimin e vizitorëve në rajon dhe rrit të ardhurat dhe punësimin në industrinë e turizmit. Pjesa më e madhe e siteve të përzgjedhura nga projekti ndodhen në zona rurale dhe, sikurse shpjegon Ivan-i, “Shumica e vizitorëve zgjedhin automatikisht qytezat dhe qytetet e mëdha kur bëhet fjalë për turizmin kulturor. Sitet e përzgjedhura nga projekti ynë ndodhen kryesisht në zona rurale, që tashmë përfitojnë ekonomikisht nga turizmi”.

HAPUR DHE ONLINE

Me mbështetjen e BE-së, një organizatë pioniere LGBTI marshon në mbrojtje të komunitetit në Kosovë. Si do t’i karakterizonit anëtarët e komunitetit LGBTI (lesbike, homoseksualë, biseksualë, transgjinorë dhe interseks)? Përgjigja e kosovarit të zakonshëm për këtë pyetje përfshin ekstravagancën, flamurin e ylberit dhe Paradën e Krenarisë. Këta stereotipa janë kryesisht rezultat i informacionit të kufizuar të ofruar nga media masive, kombinuar me kufizimet tradicionale që ngadalësojnë procesin e hapjes së shoqërisë. Por, komuniteti LGBTI i Kosovës karakterizohet nga shumë më tepër se sa thjesht Parada e Krenarisë, dhe situata nuk është aq shumëngjyrëshe sa paraqitet në imazhe. “E organizojmë Paradën e Krenarisë për të rritur ndërgjegjësimin rreth të drejtave të komunitetit LGBTI, por kryesisht për të shprehur shqetësimet tona për shkeljen e këtyre të drejtave. Praktikisht, është një marshim proteste”, thotë Arbër Nuhiu nga CSGD-ja, Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore. Organizata është një nga organet më të rëndësishme të shoqërisë civile, që punon për përmirësimin e pozitës së komunitetit, dhe është organizatorja kryesore e të gjitha aktiviteteve që zhvillohen për Paradën e Krenarisë. Vitet e fundit, tematika e aktivitetit ka qenë martesa me të njëjtin seks, një e drejtë ligjore e mohuar nga institucionet e Kosovës, megjithëse garantohet në Kushtetutë. CSGD-ja dhe organizata të tjera të të drejtave të LGBTI-së dhe të njeriut kanë lobuar për vite me radhë për përfshirjen e kësaj dispozite në Kodin e ri Civil, por thirrjet e tyre janë injoruar.

“E organizojmë Paradën e Krenarisë për të rritur ndërgjegjësimin rreth të drejtave të komunitetit LGBTI, por kryesisht për të shprehur shqetësimet tona për shkeljen e këtyre të drejtave. Praktikisht, është një marshim proteste.”

“Qasja jonë ka qenë sistematike për arritjen e objektivit tonë. Ne e dimë se çfarë duam dhe si ta arrijmë”, thotë Nuhiu, duke iu referuar punës së advokacisë për komunitetin. Ai falënderon Bashkimin Evropian për mbështetjen e ofruar kur kishin më shumë nevojë. CSGD-ja përfitoi një grant operacional nga BE-ja për të përmirësuar kapacitetet e organizatës, duke i bërë të mundur që t’i shërbente komunitetit më mirë. Së fundmi, komuniteti LGBTI në Kosovë festoi arritjen e parë kur ja dolën të përfshinin dispozita që zgjerojnë mbrojtjen ligjore të personave LGBTI në Kodin e ri Penal. Ky ishte një sukses i drejtpërdrejtë i advokacisë strategjike. Megjithatë, vazhdon të ketë vështirësi për zbatimin e kuadrit ligjor. Rastet e krimeve të urrejtjes kundër individëve LGBTI zakonisht nuk hetohen siç duhet apo çohen në gjykatë. Komuniteti beson se përmirësimi i radhës duhet të ndodhë tek organet shtetërore që ndjekin, hetojnë dhe ekzekutojnë vendimet. Kjo është arsyeja përse organizatat LGBTI aktivizohen edhe për trajnimin e policisë, prokurorëve dhe gjyqtarëve rreth praktikave më të mira. Përqendrimi i shërbimit te problemet Përvoja e CSGD-së përfshin thuajse dy dekada ndërveprimi dhe mbështetjeje ndaj komunitetit. Kjo përvojë tregon se në Kosovë ekzistojnë dy realitete të LGBTI-së: njëri është jeta në kryeqytetin e Prishtinës dhe tjetri është ai në pjesën tjetër të vendit ku situata është e zymtë. Kryeqyteti është vendi ku personat LGBTI kanë fituar një farë lirie, por pandemia e koronavirusit, për arsye që variojnë nga ndërprerja e arsimit deri te humbja e punës, i ka detyruar të kthehen në qytetet e tyre.

“Frika më e madhe e personave LGBTI është mospranimi, së pari nga familjet e tyre. Nuk mund ta imagjinojmë trysninë që përjetojnë në shtëpitë e tyre. Çdo ditë. Së dyti, është frika e mospranimit nga shoqëria”.

Rreth programit  Bashkimi Evropian financoi organizatën Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore dhe veprimtaritë themelore të saj në kuadër të Instrumentit kombëtar të Shoqërisë Civile 2015. Objektivi i grantit operacional ishte përmirësimi i veprimtarive të advokacisë, profilizimit, rrjetëzimit dhe ndërtimit të koalicioneve. Objektivi global ishte mundësimi dhe stimulimi i demokracisë pjesëmarrëse në Kosovë nëpërmjet krijimit të një mjedisi që promovon partneritetin dhe dialogun ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve publike, dhe nëpërmjet ngritjes së kapacitetit të OSHC-ve për të qenë aktorë të pavarur efektivë dhe llogaridhënës. “Frika më e madhe e personave LGBTI është mospranimi, së pari nga familjet e tyre. Nuk mund ta imagjinojmë trysninë që përjetojnë në shtëpitë e tyre. Çdo ditë. Së dyti, është frika e mospranimit nga shoqëria”, thotë Nuhiu. Si rrjedhojë, që prej nisjes së pandemisë, numri i personave që kërkojnë mbështetje këshilluese dhe numri i rasteve të dhunës është rritur. Reagimi i CSGD-së ishte në zhvillim e sipër: një platformë online që ofron këshillim dhe mbështetje juridike profesionale dhe pa pagesë për këdo. Platforma është arritja më e fundit e misionit të CSGD-së që sjell fuqizim të mëtejshëm të komunitetit. Tanimë, organizata është e disponueshme në formë digjitale për çdo kosovar LGBTI në nevojë, kudo që jeton.

Gazetarëve u jepet më shumë kohë për të thënë të vërtetën

Gazetaria investigative është një instrument me vlerë për të cilin BE-ja mendon se ja vlen të investohet. Në Kosovë, konsumi i lajmeve digjitale përjetoi rritje para disa vitesh. Për shkak se pandemia i detyroi njerëzit të kalonin më tepër kohë brenda, fuqia e platformave digjitale është rritur dhe këto platforma janë burimet më të zakonshme të informacioneve të rreme ose ngatërruese. Numri i portaleve të lajmeve online në Kosovë u rrit gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, sipas Arta Berishës, një gazetare e njohur, e cila ka mbuluar fenomenin e lajmeve të rreme. Në atë periudhë, ajo sapo kishte filluar të jepte mësim në gazetari. “Si gazetare, më shqetësonte mungesa e standardeve në këto portale”, thotë ajo.

“Dëshironim të ofronim një platformë për gazetarët që nuk janë në gjendje të krijojnë materiale në mënyrë të pavarur; duke u mundësuar të punojnë pa u ndikuar nga reklamuesit apo presioni i përditshëm i krijimit të përmbajtjeve në redaksitë e tyre”.

Krahasuar me tregun e SHBA-së, ku përmbajtja e lajmeve të rreme u krijua për përfitim financiar, informacioni ngatërrues në Kosovë synon kryesisht përfitime politike. “Përmbajtjet e pajisura me tituj interesantë dhe informacione të anshme dhe të paverifikuara janë të shumta dhe prodhohen thjesht për interesa politike nga përfaqësues të medias me lidhje në mbarë spektrin politik në Kosovë”, thotë Berisha, e cila ka shkruar gjerësisht për këtë temë që prej vitit 2017. Kjo situatë konfirmohet në një studim të Parlamentit Evropian ku referohet dhe puna e Berishës, dhe ku arrihet në përfundimin se keqinformimi në Ballkanin Perëndimor krijohet dhe shpërndahet nga aktorët vendas për qëllime të brendshme. Ky studim rreth keqinformimit, i kryer në periudhën 2018 – 2020, paraqet tri sfida kryesore të keqinformimit: sfidat e jashtme ndaj besueshmërisë së BE-së; keqinformim lidhur me pandeminë e COVID-19-ës; dhe ndikimin e keqinformimit te zgjedhjet dhe referendumet. Një grup prej 12 artikujsh të shkruar nga Berisha hedhin dritë mbi këtë fenomen të përhapur gjerësisht në median digjitale, ku mbulohen një sërë temash, duke filluar nga zgjedhjet deri te verifikimi i fakteve dhe financimi i pajustifikuar qeveritar i mediave të caktuara me potencial për të ndikuar politikat e tyre editoriale. Në artikujt e saj, ajo përqendrohet te portalet e lajmeve, që janë anëtarë të Këshillit të Shtypit dhe që kanë publikuar vazhdimisht ngjarje me përmbajtje informacionesh të rreme me potencial për të dëmtuar reputacionin e një individi ose subjekti. Transmetuesi publik, RTK, nuk bënte përjashtim.

“Përmbajtjet e pajisura me tituj interesantë dhe informacione të anshme dhe të paverifikuara janë të shumta dhe prodhohen thjesht për interesa politike nga përfaqësues të medias me lidhje në mbarë spektrin politik në Kosovë”.

Rreth programit  BIRN dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës zbatuan projektin “Kontribut për forcimin e gazetarisë së pavarur hulumtuese dhe të dobishme për publikun, si dhe lirinë e shprehjes në Kosovë”, i financuar nga një grant i BE-së. Një Program ndihmoi me financimin e 20 gazetarëve individualë, ndërsa skema e nëngranteve ofroi mbështetje për 48 përfitues, duke përfshirë 26 gazetarë individualë (12 prej të cilëve gra) dhe 22 organizata mediatike, 16 prej të cilave të vendosura në komunitete jomaxhoritare. Ndërkohë, një program stazhi u ofroi mundësi 57 stazhierëve, 41 prej të cilëve ishin gra. Nëpërmjet këtij projekti u krijuan 440 artikuj gazetarie, shumica e të cilëve u ripublikuan në mediat në mbarë Kosovën dhe në rajon. Berisha ishte një ndër 46 gazetarët që kanë publikuar gjetjet e tyre për një sërë temash me interes publik si pjesë e një programi të financuar nga BE-ja për fuqizimin e gazetarisë investigative dhe lirisë së shprehjes në Kosovë. Skema, e zbatuar nëpërmjet programeve dhe granteve, u bëri të mundur gazetarëve të zhvillonin hetime të thelluara gjatë një periudhe prej gjashtë muajsh. “Dëshironim të ofronim një platformë për gazetarët që nuk janë në gjendje të krijojnë materiale në mënyrë të pavarur; t’u bëjmë të mundur të punojnë pa u ndikuar nga reklamuesit apo presioni i përditshëm i krijimit të përmbajtjeve në redaksitë e tyre”, thotë Albulena Sadiku nga Rrjetit Ballkanik i Raportimit Investigativ – BIRN. Artikujt investigativë kanë shkaktuar debat publik dhe mediatik, e madje edhe diskutime parlamentare për çështjet me interes të madh publik. Krahas kësaj, gazetarët kanë marrë çmime për punën e tyre, sikurse ishte dhe rasti i një shkrimi për të drejtat e fëmijëve që u vlerësua me çmim nga koalicioni i OJF-ve aktive në këtë fushë. Artikujt e Arta Berishës janë gjithashtu të publikuar gjerësisht nga media vendase dhe më tej. Të gjitha këto kontribuojnë për rritjen e besueshmërisë në gazetari, thotë ajo. “Lajmet e rreme shkaktojnë humbje të besimit te gazetaria”. Berisha shton se kjo cenon aftësinë tonë për të identifikuar burimet e besueshme të informacionit. Ajo organizoi një ekspozitë ku paraqiteshin pjesëza të shtypura nga hulumtimi i saj, me qëllim ndërgjegjësimin e komunitetit mediatik lidhur me këtë çështje. “Asnjë nga përfaqësuesit mediatikë që ishin pjesë e hulumtimit tim nuk u paraqit”.

Mollët japoneze kthehen në “frutën tonë” në Malin e Zi

Një shoqëri malazeze gjen potencial rritjeje në bujqësi me mbështetjen e BE-së Mali i Zi është një importues neto i prodhimeve bujqësore dhe ushqimore. Megjithëse deficiti tregtar është reduktuar gjatë viteve të fundit, kërkimi nga Instituti për Studime Prospektive Teknologjike, i financuar nga BE-ja, tregon se një sërë elementesh vijojnë të ndikojnë te kjo situatë. Këtu përfshihen fermat e fragmentuara, vëllimet e ulëta të prodhimit parësor, një sektor përpunimi i pazhvilluar dhe nivelet e ulëta të aplikimit të teknologjive moderne të prodhimit. Potenciali për rritje në tregun bujqësor u pikas nga Veletex, një shoqëri malazeze që funksionon prej 30 vitesh dhe është e përfshirë në shpërndarjen ushqimore dhe shitjen me pakicë të produkteve të hortikulturës. Qendrat kopshtare Kalia të shoqërisë punësojnë mbi 40 agronomë.

“Nuk ekziston asnjë shoqëri apo institucion tjetër në Malin e Zi që punëson kaq shumë ekspertë në bujqësi. Kalia është edhe burimi i sigurimit të të gjitha lëndëve të para për prodhim bujqësor, çka ka ndihmuar”

Potencial për rritje Miloš Golubović është Menaxheri i Përgjithshëm i Veletex. Ai shpjegon se prodhimi bujqësor parësor ishte një përputhje e përshtatshme për biznesin e tyre. Sektori i shpërndarjes, që është sektori më i vjetër në këtë shoqëri, merret me shpërndarjen e ushqimeve, duke përfshirë frutat dhe zarzavatet, duke bërë që shoqëria të ketë partnerë dhe kontakte biznesi për shitjen e prodhimeve bujqësore. “Nuk ekziston asnjë shoqëri apo institucion tjetër në Malin e Zi që punëson kaq shumë ekspertë në bujqësi. Kalia është edhe burimi i sigurimit të të gjitha lëndëve të para për prodhim bujqësor, çka ka ndihmuar”. Kështu, Veletex ngriti një shoqëri të re, Naše Voće (“fruta jonë” në gjuhën malazeze), dhe bleu mbi 44 hektarë tokë bujqësore nga një ish-fermë shtetërore në zonën e Nikshiqit. Ndihmë për t’u zhvilluar Miloš shpjegon se të punuarit me teknologjitë moderne në rritjen e frutave kërkon hapësira më të mëdha pasi nevojitet një pjesë shumë e shtrenjtë infrastrukture, pavarësisht nëse ke një hektar apo 40 hektarë tokë. “E kam fjalën për sistemin qendror të vaditjes”. Investimi në këtë lloj teknologjie përbën sfidë të konsiderueshme, edhe për shoqëri të njohura si Veletex-i. Për këtë arsye, Naše Voće vendosi të aplikojë për mbështetje nga programi i BE-së, Instrumenti i Asistencës së Para – Aderimit për Zhvillim Rural (IPARD), që përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë në vendet në proces aderimi në BE. Përmes IPARD-it, shoqëria u mbështet për ngritjen dhe, më pas, zgjerimin e pemëtoreve me mollë dhe investimin në rrjetat kundër breshrit. Tashmë, me thirrjen e fundit për propozim, është nënshkruar një kontratë granti për ndërtimin e një stabilimenti për përpunimin dhe ruajtjen e frutave. “Me 2,500 metra katrorë, stabilimenti do të jetë një ndër më të mëdhenjtë në Malin e Zi”, thotë Miloš-i.

“Plani për zgjerim të mëtejshëm është për mollën e kuqe Red Delicious, por në katër hektarë do të kultivohet një varietet i ri – Fuji Japoneze – që është po ashtu një mollë e kuqe: një frutë e madhe, diçka krejtësisht e re për Malin e Zi”.

Rreth programit  Pjesë e Instrumentit të Asistencës së Para – Aderimit (IPA), i projektuar për të mbështetur reformat në vendet në proces aderimi në BE, Instrumenti i Asistencës së Para- Aderimit për Zhvillim Rural (IPARD) përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë në këto vende. Përmes këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë financiare dhe teknike për të bërë sektorin e tyre bujqësor dhe zonat rurale më të qëndrueshme dhe për t’i harmonizuar ato me politikën e përbashkët bujqësore të BE-së. Krahas kësaj, është nënshkruar dhe një kontratë granti për prodhim parësor me ndërtimin e një pemëtoreje shumëvjeçare me mollë. Investimi përfshin blerjen e fidanëve dhe një traktori. Mollët janë fruta kryesore me të cilën shoqëria po punon, për shkak se kushtet klimatike të luginës së Župa-s janë më të përshtatshme për rritjen e mollëve. Aktualisht, shoqëria rrit varietete të mollës së kuqe. “Plani për zgjerim të mëtejshëm është për mollën e kuqe Red Delicious, por në katër hektarë do të kultivohet një varietet i ri – Fuji Japoneze – që është po ashtu një mollë e kuqe: një frutë e madhe, diçka krejtësisht e re për Malin e Zi”, thotë Miloš-i.

Vajzat projektojnë të ardhmen e tyre në TIK

Mundësi të shtuara për të rinjtë në një sektor në rritje: Programi i mbështetur nga BE-ja ndihmon nisjen e karrierave të Kosovës në teknologji. Në Kosovë, papunësia e lartë përbën një sfidë të vazhdueshme, por ky realitet prek veçanërisht të rinjtë: thuajse gjysma e të rinjve nën moshën 24 vjeç janë të papunë dhe shumë prej tyre synojnë për mundësi jashtë vendit. Megjithatë, një dizajnuese grafike 20 vjeçe refuzoi t’i nënshtrohej këtij realiteti të zymtë dhe iu fut punës sapo iu dha mundësia. “Punoja në një punë të zakonshme kur më njoftuan nga një shoqëri e re TIK për t’u përfshirë në një projekt afatshkurtër. Kur projekti u realizua me sukses brenda afatit përkatës, u krijua mundësia të punësohesha me kohë të plotë, ku dhe punoj aktualisht”, thotë Arbra Shala, një punonjëse e kënaqur e AmamStudio në Prishtinë.

“Më pëlqen mjedisi krijues, që më mundëson ta ilustroj botën siç e shoh”.

Mentorim profesional i orientuar nga tregu në shkolla Për Arbrën, procesi i përvetësimit të aftësive të reja është përshpejtuar në dy vitet e fundit, gjatë të cilave ajo ka ndjekur universitetin për dizajn grafik dhe njëkohësisht ka punuar për klientët në studio. Vendosmëria e saj u pikas gjatë një programi trajnimi, në të cilin punëdhënësi i saj aktual ishte mentor. Krahas nxënësve të tjerë të shkollës së mesme, Arbra mori pjesë në një trajnim njëmujor të posaçëm rreth aftësive të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), ku përfshihej dizajni grafik, dizajni lëvizës, media sociale dhe multimedia. Shkolla nga e cila vinte ishte një nga dy shkollat e mesme të arsimit dhe formimit profesional të përzgjedhura për të përfituar nga një program i financuar nga BE-ja, që zbatohej nga Innovation Centre Kosovo (ICK). Pas përfundimit të suksesshëm të trajnimit, nxënësit u caktuan të fitonin përvojë pune përmes stazheve, ku një pjesë e madhe e tyre u punësuan më pas në shoqëri të njohura. “Këtu, më pëlqen mjedisi krijues, që më mundëson ta ilustroj botën siç e shoh. Në çdo dizajnim ose ilustrim, gjenden elemente ekzagjerimi që më karakterizojnë”, thotë Arbra për punën e saj. Angazhimi i më shumë grave Në një sektor tradicionalisht mashkullor, rritja e numrit të grave në TIK është e rëndësishme, pasi larmia e fuqisë punëtore është e dobishme për biznesin, por ky sektor ofron edhe shumë mundësi. TIK-u është një nga sektorët më premtues për rritjen ekonomike në Kosovë. Programet e trajnimit të ofruara nga ICK-ja janë shumë të vlefshme dhe të kërkuara, me rezultate mbresëlënëse deri më tani. Gjashtëdhjetë e një vajza nga 205 nxënës gjithsej dhe 30 mësues nga dy shkolla të mesme të arsimit dhe formimit profesional në Prishtinë dhe Prizren morën pjesë në programin e trajnimit. Ky program bëri të mundur punësimin e 51 të rinjve në TIK, një sektor që po shfaqet si një dritë shprese për brezat e rinj, për të shpalosur potencialin e tyre në vendlindje dhe për të kontribuar drejt një të ardhmeje të ndritur për vendin. Krahas zhvillimit të aftësive, projekti kontribuoi në përmirësimin e ekosistemit të sipërmarrjes, duke mbështetur 70 biznese të reja dhe shoqëri me shërbime konsultimi të posaçme dhe shërbime inkubimi në qendër.

“Besoj vërtet se dizajni grafik mund të jetë profesioni im”.

Rreth projektit Projekti ‘Formimi dhe arsimimi me aftësi TIK për tregun për punësim dhe vetëpunësim në Kosovë’ i zhvilluar nga Innovation Centre Kosovo, u krijua nëpërmjet financimit të IPA-së së BE-së. Synimi i projektit ishte krijimi i vendeve të reja të punës dhe lulëzimi i biznesit në Kosovë përmes zhvillimit të aftësive dhe novacionit, si dhe mbështetjes për sipërmarrësit, bizneset e reja dhe ato ekzistuese. Aftësi shumë të kërkuara “Ky program ka pasur një ndikim të madh, pasi këto aftësi janë shumë të kërkuara”, thotë Dorina Grezda nga ICK-ja. “U kemi bërë të mundur të rinjve të përvetësojnë aftësitë e nevojshme dhe t’i përdorin ato në praktikë gjatë stazheve. Si rrjedhojë, gjasat e tyre të punësimit dhe vetëpunësimit janë rritur dhe të rinjve u është dhënë mundësia ta konsiderojnë TIK-un si karrierë të mundshme”. Kombinimi i aftësive ka rezultuar i suksesshëm për krijimin e mundësive për të rinjtë, që janë duke përcaktuar drejtimin e karrierës së tyre. I tillë është dhe rasti i Arbrës, së cilës trajnimi i dha mundësinë të zbulonte se dizajni grafik është ajo çka di të bëjë më mirë. Ajo synon të përmirësojë themelet krijuese aktuale dhe të konsolidojë profesionin e saj si dizajnuese grafike profesioniste. “Besoj vërtet se dizajni grafik mund të jetë profesioni im”, thotë ajo me vetëbesim.

Në rrugën e perandorëve romakë

Një projekt i financuar nga BE-ja po vendos në qendër të vëmendjes së vizitorëve trashëgiminë romake të Ballkanit Perëndimor. A e dinit se ndërmjet shekullit të dytë dhe të katërt, qendra politike e Perandorisë Romake nuk ishte në Romë, por në Ilirik? Ky ishte emri i trojeve që shtriheshin nga kufiri perëndimor i Greqisë moderne deri në Alpe në perëndim, dhe nga lumi Danub në veri deri në Detin Adriatik, duke përfshirë atë që sot e quajmë Ballkani Perëndimor. Vizitorët nuk e njohin të gjithë trashëgiminë e pasur romake të Ballkanit Perëndimor, por një projekt i financuar nga BE-ja po ofron një platformë digjitale për paraqitjen e siteve në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal i Zi dhe Maqedoni e Veriut, si dhe për tërheqjen e turistëve në rajon.

“Nëse vizitoni Dioklenë, pranë Podgoricës, për shembull, mund t’ju nevojitet dhe akomodim dhe ushqim dhe mund të dëshironi të vizitoni vende të tjera përreth. Ndaj, kemi përfshirë restorante, hotele dhe atraksione natyrore në paketë”. 

Roma e lashtë në realitet virtual  OJF-ja rajonale, Qendra e Danubit për Kompetencë (DCC) hapi me sukses Rrugën e Perandorëve Romakë dhe Verërave të Danubit, dhe u kontaktua nga rrjeti i bashkëpunimit i financuar nga BE-ja, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, për të krijuar një rrugë të ngjashme në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi ishte krijimi i një rruge në një pjesë më pak të njohur të gadishullit të Ballkanit për udhëtarët që dëshirojnë të provojnë diçka të re. Sipas DCC-së, anketat e kohëve të fundit tregojnë se rreth 40% e të gjitha udhëtimeve që lidhen me turizmin i përkasin kategorisë së turizmit kulturor. Megjithatë, Ballkani perëndimor dhe dega Illyricum e Rrugës janë ende relativisht të panjohura për operatorët turistikë evropianë dhe turistët. Danko Cosic është koordinatori i këtij projekti. Ai shpjegon se janë përzgjedhur nëntë site arkeologjike për t’u përfshirë në Rrugën Illyricum. Këto site përfshijnë qytetin e lashtë të Stobit në Maqedoninë e Veriut, Apoloninë dhe Butrintin në Shqipëri dhe Dioklenë në Malin e Zi. Projekti ka krijuar një paketë me guida virtuale për t’u njohur me të gjitha vendndodhjet e përfshira. Elementi kryesor i paketës prezantuese për çdo sit arkeologjik është një guidë virtuale, ku përfshihet dhe interpretim zanor. Por, sikurse shpjegon Danko: “Nëse vizitoni Dioklenë, pranë Podgoricës, për shembull, mund t’ju nevojitet edhe akomodim e ushqim, dhe nëse qëndroni më gjatë, mund të dëshironi të vizitoni vende të tjera përreth. Ndaj, kemi përfshirë restorante, hotele dhe atraksione natyrore në paketë”.

“Nëpërmjet këtij projekti, dëshirojmë ta sjellim trashëgiminë romake të Ballkanit Perëndimor, me të gjithë bukurinë e saj, në ekranet kompjuterike të njerëzve, dhe pse jo, t’i nxisim t’i vizitojnë lokacionet”.

Rreth projektit Projekti Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, ka vlerë 5 milionë euro. Ky projekt punon për zhvillimin dhe promovimin ndërkombëtar të ofertave të përbashkëta rajonale të turizmit kulturor dhe aventuresk, duke rritur numrin e turistëve që vizitojnë gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor (WB6) dhe duke zgjatur qëndrimin e turistëve në rajon. Në tetor të vitit 2019 u akordua raundi i dytë i granteve me vlerë deri në 54,000 euro secili. Qendra e Danubit për Kompetencë (DCC) është ndër 16 përfituesit e granteve nga raundi i dytë. Bashkarisht me paketat prezantuese për secilin sit, rruga do të jetë e disponueshme në faqen e internetit https://romanemperorsroute.org për vizitorët që dëshirojnë të eksplorojnë rajonin. Illyricum Trail do të transformohet në një platformë funksionale për promovim dhe bashkëpunim ndërmjet siteve kryesore të trashëgimisë dhe palëve të interesit, si organizatat dhe bizneset turistike. Sipas Danko-s, ndërmjetësit e udhëtimit, agjentët dhe operatorët turistikë janë ende me të vjetrën. Udhëtari bashkëkohor përzgjedh vendet që do të vizitojë dhe rezervon hotelin dhe fluturimin online. Vendndodhjet dhe vendet që dëshirojnë të bëhen ose të jenë konkurruese në treg do të duhet të kenë paketa të përparuara promovuese online. “Kjo është pikërisht ajo që po përpiqemi të bëjmë nëpërmjet këtij projekti. Ta sjellim trashëgiminë romake të Ballkanit Perëndimor, me të gjithë bukurinë e saj, në ekranet kompjuterikë të njerëzve, dhe pse jo, t’i nxisim t’i vizitojnë këto vende dhe të kalojnë kohë këtu”, thotë Danko.

Një mundësi për të vegjlit romë në kohërat e koronavirusit

Një bibliotekë me lodra në Bosnje dhe Hercegovinë, u jep fëmijëve të cenueshëm mundësinë të luajnë dhe nxënë edhe gjatë pandemisë. Denisi* pesëvjeçar e sheh veten si mjek dhe dëshiron të bëhet i tillë kur të rritet. Çdo ditë, Denisi vizaton njerëz me veshje mjekësore dhe luan si shërues i fëmijëve të tjerë, të cilëve u referohet si pacientët e tij. E gjithë kjo krijimtari do të kishte mbetur e pazbuluar nëse nuk do të ishte për bibliotekën novatore me lodra të krijuar në qendrën Romalen për mbështetjen e romëve në qytezën e Denisit, Kakanj, në Bosnje dhe Hercegovinën qendrore. Lodrat dhe librat me tregime të cilësisë së lartë të bibliotekës e kanë bërë atë shumë të suksesshme në komunitet, ku rreth 84 fëmijë, shumica e tyre nga komuniteti rom, e vizitojnë këtë bibliotekë. Romët janë një nga grupet minoritare më të mëdha dhe të disavantazhuara të Evropës. Diskriminimi ndaj komuniteteve rome është diçka e zakonshme, çka thellon përjashtimin e tyre. Problemet me të cilat përballen fëmijët romë mund të nisin herët dhe të kenë ndikim gjatë gjithë jetës. Një pjesë e vogël merr pjesë në arsimin në fëmijërinë e hershme dhe vetëm 50% përfundojnë arsimin e detyrueshëm. Prandaj, përkrahja e zhvillimit në fëmijërinë e hershme është thelbësore për ta ndryshuar këtë situatë.

“Biblioteka me lodra është vendi ku ndodh magjia e edukimit. Fëmijët luajnë dhe krijojnë universin e tyre dhe, njëkohësisht, zbulojnë botën”.

Nisma e mbështetur nga BE-ja zhvillohet nga Fondi për Arsimin e Romëve (REF). Që prej vitit 2017, REF-ja ka ngritur 64 biblioteka me lodra në 13 vende në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, ku kanë marrë pjesë mijëra fëmijë. “Ne jemi angazhuar për ngritjen e hapësirave të tilla për fëmijët romë, të synuara për të nxënë dhe luajtur”, thotë Ioan Tănase, Menaxher Projekti i REF-së. “Biblioteka me lodra është vendi ku ndodh magjia e edukimit. Fëmijët luajnë dhe krijojnë universin e tyre dhe, njëkohësisht, zbulojnë botën. Është lojë dhe edukim njëkohësisht, është magjike”. Të qenët të lidhur duke ruajtur distancën  Sikurse shumë veprimtari të tjera në mbarë botën, veprimtaritë në bibliotekën me lodra në Kakanj u ndërprenë nga pandemia e koronavirusit në vitin 2020. Qendra u mbyll në fillim të pranverës, por koncepti vijoi kryesisht falë dy faktorëve thelbësorë. Së pari, fëmijët vazhduan të kishin mundësinë të huazonin lodra, lojëra formuese dhe libra. Së dyti, koncepti i bibliotekës me lodra kishte inkurajuar përfshirjen e të gjithë komunitetit, veçanërisht për krijimin e marrëdhënieve ndërmjet fëmijëve, familjes dhe stafit të bibliotekës. Prindërit ishin të vetëdijshëm se biblioteka ofronte një zgjidhje për ndërprerjen e menjëhershme të edukimit të fëmijëve të tyre si pasojë e pandemisë.

“Bibliotekat me lodra ofrojnë një mundësi për prindërit që nuk janë në gjendje t’i dërgojnë fëmijët e tyre në kopsht”.

Rreth projektit Projekti “Veprimi Rajonal i BE-së për Arsimin e Romëve: Mundësi arsimimi të rritura për studentët dhe të rinjtë romë në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi” (RARE) bashkëfinancohet nga Programi Vjetor i Veprimit Shumëvendësh IPA II 2017 dhe Fondi për Arsimin e Romëve, që gjithashtu zbaton projektin. “Bibliotekat me lodra ofrojnë një mundësi për prindërit që nuk janë në gjendje t’i dërgojnë fëmijët e tyre në kopsht dhe kjo është një mundësi e përditshme për të kaluar kohë në një vend ku fëmijët mund të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të rrisin ndjeshëm shkallën e përfshirjes”, thotë Tănase. Qendrës Romalen për përkrahjen e romëve iu desh të gjente zgjidhje të shpejta për fëmijët e tyre. Ajo krijoi një program edukativ online duke përdorur aplikacionet e komunikimit me video ku fëmijët mund të lidheshin. Nuk kishte asnjë siguri se ky sistem do të funksiononte, aq më tepër të ishte i suksesshëm, por rezultatet kanë qenë të jashtëzakonshme. Të frymëzuar nga ecuria përpara pandemisë, dhe vendosmëria për të ruajtur marrëdhëniet ndërmjet qendrës e familjeve dhe fëmijëve, numri i pjesëmarrësve mbeti i ngjashëm me numrin përpara pandemisë së COVID-19-ës. Për sa i përket Denisit të vogël, ai u përshtat lehtësisht me formatin e ri të komunikimit të kushtëzuar nga pandemia dhe, brenda një kohe të shkurtër, u kthye në drejtuesin e pakundërshtueshëm të komunitetit të tij digjital. Tashmë, ai është edhe më i vendosur për t’u bërë një mjek që ofron ndihmë mjekësore ndaj komunitetit të tij dhe personave në nevojë. *Emri i fëmijës është ndryshuar për të ruajtur identitetin e tij.

Njihuni me Ariun e famshëm nga Mali i Zi

Habitati i vyer i ariut të murrmë shtrihet përgjatë Malit të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinës. Nëpërmjet të punuarit për një projekt ndërkufitar, shkencëtarët kanë arritur të mësojnë gjëra të reja rreth këtyre krijesave ikonike. Borko është vetëm pesë vjeç, por tashmë është i famshëm në Malin e Zi. Vitin e kaluar, ai u shfaq në mediat malazeze dhe ende ndiqet 24 orë në ditë, si të qe personazh televiziv i një reality show. Borko është një ari që po ndiqet dhe monitorohet për qëllime shkencore, si pjesë e projektit “Bear in Mind” të financuar nga BE-ja. Borko u kap një vit më parë dhe ekipi i shkencëtarëve të projektit i vendosi një qafore me gjurmues GPS dhe transmetues satelitor dhe e lëshuan menjëherë pas kësaj. Transmetuesi përfshin një kartë që dërgon deri në shtatë mesazhe në ditë në qendrën e kontrollit duke përcaktuar koordinatat e vendndodhjes së tij. Në këtë mënyrë, ekipi i projektit është në gjendje të mësojë më tepër rreth lëvizjeve, ushqyerjes dhe zakoneve të tjera të tij.

“Një ditë, ai notoi tetë herë përmes liqenit Piva, që është një liqen shumë i madh. Nuk e dinim se një ari në moshë të re do të ishte në gjendje për diçka të tillë”.

Jasmin Murić është koordinatori i projektit. Ai përshkruan të papriturat që kanë pasur prej lëvizjeve të Borko-s:“Një ditë, ai notoi tetë herë përmes liqenit Piva, që është një liqen shumë i madh. Ai është notar shumë i mirë. Nuk e dinim se një ari në moshë të re do të ishte në gjendje për diçka të tillë”, tha ai. Ai përshkruan një sjellje tjetër të veçantë të Borko-s: ai e kalon shumicën e kohës së tij në kanionet e thella të lumit Sushicë, ku ndoshta strehohet prej dimrave të ftohtë, pasi aty rryma e ajrit është më e dobët. Puna ndërkufitare  Numri i arinjve në zonën ku jeton Borko është shumë më i vogël se sa numri minimal për një popullatë të qëndrueshme dhe ata hasin një sërë kërcënimesh nga njerëzit. Kjo vjen për shkak të asaj që Jasmin e përshkruan si një perceptim i ekzagjeruar i rreziqeve të sulmeve nga arinjtë, humbjes së habitatit nga urbanizimi dhe ndryshimeve klimatike. Gjithashtu, menaxhimi i fragmentuar ndërkufitar ka qenë sfidë në të shkuarën. Megjithatë, arinjtë nuk njohin kufij, ndaj është e rëndësishme që të krijohet partneritet me organizatat në Bosnje dhe Hercegovinë, për ndarjen e përvojave dhe hartimin e planeve të përbashkëta. Duke punuar përtej kufijve për monitorimin e arinjve dhe menaxhimin e habitatit të tyre, Jasmin është e sigurt se Borko dhe familja e tij në tërësi do të jetojnë më mirë. Me ndihmën e të dhënave të përftuara nga gjurmuesi GPS i Borko-s, ekipi i Jasmin-ës po punon për hartimin e një plani të qëndrueshëm menaxhimi dhjetëvjeçar, që do të ofrojë një qasje strategjike për një mbrojtje më të mirë të kësaj specieje dhe mjedisit të saj. Për shembull, nëse Borko del rregullisht jashtë zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Durmitorit, ata mund të sugjerojnë zgjerimin e territorit të parkut. Nëse vërejnë se ai shkon në fshatra, atëherë mund të marrin masa për ndërgjegjësimin e banorëve vendas për të siguruar se arinjtë nuk do të kërcënohen nga kurthet. Duke punuar përtej kufijve për monitorimin e arinjve dhe menaxhimin e habitatit të tyre, unë besoj se Borko dhe familja e tij në tërësi do të jenë më të sigurt.

“Duke punuar përtej kufijve për monitorimin e arinjve dhe menaxhimin e habitatit të tyre, unë besoj se Borko dhe familja e tij në tërësi do të jenë më të sigurt”.

Rreth projektit  Projekti “Bear in Mind” zbatohet nga Qendra për Mbrojtjen dhe Vrojtimin e Zogjve nga Mali i Zi, në bashkëpunim me organizatat partnere nga Bosnje dhe Hercegovina. Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës – Malit të Zi 2014-2020.
Mbështetja te rezultatet e dobishme Projekti nuk ka të bëjë vetëm me Borko-n, apo me ariun e murrmë. Ekipi po planifikon edhe kapjen dhe shënjimin e dy specieve vendase të zogjve: thëllëzës së malit dhe gjelit të egër bishtlirë. Kjo duhet të ndihmojë po ashtu me zbulimin e informacioneve thelbësore për të kuptuar zakonet dhe lëvizjet e tyre. Aktualisht, Borko është në gjumë letargjik në një strofull. Jasmin dhe ekipi i tij presin që të zgjohet sërish nga fundi i muajit prill kur planifikojnë të vijojnë me ndjekjen e tij. Jasmin shpjegon se informacioni rreth llojit të habitatit që përdor ariu për gjumin letargjik dhe koha e nisjes së gjumit dimëror dhe e zgjimit janë gjithashtu të rëndësishme. “Këto të dhëna mund të na vlejnë që të arrijmë në disa përfundime rreth mënyrës se si ndryshimet klimatike lidhen me zakonet sezonale të ariut”.

Çiklizëm përgjatë historisë

Një projekt i financuar nga BE-ja po mbështet rikthimin e një hekurudhe shekullore për çiklizëm dhe turizëm në Bosnje dhe Hercegovinë. Në fund të shekullit të 19-të, Perandoria Austro-Hungareze nisi ndërtimin e një hekurudhe që do të lidhte qytetet kryesore të Bosnje dhe Hercegovinës qendrore. Punimet filluan në vitin 1891 dhe, brenda pak viteve, banorët e rajonit mund të udhëtonin me tren. Për pjesën më të madhe të popullsisë, kjo ishte një përvojë tërësisht e re. Udhëtimi me tren ishte edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të parë vendin teksa hekurudha përshkonte lugina malesh, kështjella mesjetare dhe peizazhe të bukura. Hekurudha funksionoi për thuajse 80 vjet, deri kur autoritetet e Jugosllavisë socialiste vendosën të ndalonin linjën, të mbyllnin stacionet dhe të hiqnin binarët e hekurudhës në vitin 1976. Arsyeja ishte ndërtimi i rrugëve të reja dhe rritja e numrit të mjeteve motorike dhe përdorimit të tyre.

“Njerëzit ishin të lidhur emocionalisht me këtë hekurudhë.

Rikthimi  Miroslav Matošević jeton në një nga periferitë e qytetit të Travnikut. Shtëpia e tij ndodhet pranë hekurudhës së vjetër dhe ai kujton kur ishte fëmijë dhe luante në binarët e hekurudhës dhe përreth stacionit të braktisur të trenit. “Njerëzit ishin të lidhur emocionalisht me këtë hekurudhë. Mbaj mend historitë që disa gra katolike nga rajoni vendosën shalle të zeza për muaj me radhë në shenjë zije kur u mbyll hekurudha. Sikur të ishte pjesëtar i familjes”, thotë ai. Miroslav është drejtori i Organizatës Turistike të Kantonit të Bosnjës Qendrore. Bashkërisht me kolegët dhe një organizatë partnere lider, Agjencinë e Zhvillimit REZ, ai ka ndërmarrë një nismë për rikthimin e hekurudhës së vjetër, por me një qëllim tjetër. Ata po punojnë për çeljen e një rruge çiklizmi 100 kilometra të gjatë përgjatë hekurudhës së vjetër dhe kanë aplikuar me sukses për mbështetje nga një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Qëllimi i projektit Rruga e Hekurudhës së Vjetër është zgjerimi i ofertës për turizmin në natyrë në rajon dhe mundësimi i qëndrimit më të gjatë për turistët që vizitojnë Bosnjën Qendrore gjatë verës. Paraqitja e rajonit Ky projekt përfshin shtrimin e një rruge biçikletash përgjatë hekurudhës së vjetër, promovimin ndërkombëtar të kësaj rruge dhe rajonit dhe rrjetëzimin me bizneset që ofrojnë shërbime në një sistem miqësor ndaj çiklizmit. Miro-s i pëlqen shumë nisma novatore e këtij përbërësi të tretë, që përfshin krijimin e një aplikacioni mobile miqësor ndaj biçikletave, që do të bëjë të mundur lidhjen e çiklistëve dhe bizneseve vendase, si restorante, hotele e të tjera. Në këmbim të pjesëmarrjes në aplikacion, bizneset do të zbatojnë standarde miqësore ndaj biçikletave, si hapësira për parkimin e biçikletave, hapësira ku çiklistët të mund të ndërrohen, dhe ulje tarifash për çiklistët.

“Është e pabesueshme sa shumë persona u lumturuan dhe na përgëzuan kur shpallëm nisjen e projektit.” 

Rreth projektit Rruga e Hekurudhës së Vjetër mbështetet përmes projektit EU4Business në BH të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë Gjermane, dhe zbatohet nga Agjencia për Zhvillim Rajonal (REZ), Shoqata Turistike e Kantonit të Bosnjës Qendrore dhe Nesa Sistem d.o.o. Travnik. EU4Business synon të stimulojë zhvillimin e sipërmarrjes, sektorët për eksport dhe turizmin dhe bujqësinë në Bosnje dhe Hercegovinë. Buxheti i përgjithshëm i financimit të EU4Business është 16 milionë euro dhe financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian (15 milionë euro) dhe Republika Federale e Gjermanisë (1.1 milionë euro). Projekti zbatohet bashkërisht nga GIZ, ILO dhe UNDP, dhe do të përfundojë deri në muajin mars 2022. Rruga do të ketë të njëjtën shtrirje si hekurudha e vjetër dhe do të kalojë pesë qyteza të Kantonit të Bosnjës Qendrore: Busovača, Donji Vakuf, Jajce, Travnik dhe Vitez. Çiklistët do të mund të ndalojnë dhe t’i vizitojnë këto qyteza, por edhe monumente të trashëgimisë kulturore, si kështjella mesjetare e Travnik-ut. “Është e pabesueshme sa shumë persona u lumturuan dhe na përgëzuan kur shpallëm nisjen e projektit”. Sigurisht, krahas përfitimit ekonomik, ekziston dhe një lidhje dhe kujesë emocionale”, thotë Miroslavi. Rruga e Hekurudhës së Vjetër mbështetet nga projekti EU4Business i Bashkimit Evropian dhe zbatohet nga Agjencia për Zhvillim Rajonal (REZ), Shoqata Turistike e Kantonit të Bosnjës Qendrore dhe Nesa Sistem d.o.o. Travnik.