Skip to main content

Një kompjuter për çdo familje

Një i ri entuziast nga Maqedonia e Veriut ka bërë të mundur dhurimin e më shumë se 1,200 kompjuterave për familjet në nevojë.

Gjatë vitit të parë të pandemisë së COVID-19-ës, kufizimet e lëvizshmërisë dhe mbyllja e shkollave patën një ndikim të madh në arsimimin dhe përditshmërinë e fëmijëve, pasi iu desh ta zhvillonin mësimin nga shtëpia. Kjo situatë vuri sërish në dukje hendekun ndërmjet fëmijëve dhe familjeve me akses në kompjutera dhe internet dhe atyre pa këtë akses. Borche Stamenov nga qyteza e Kavadarcit në Maqedoninë e Veriut është një nga heronjtë, i cili ka kontribuar për ngushtimin e këtij hendeku për 1,200 familje në mbarë vendin, që nuk kishin mundësi financiare të blinin një kompjuter. Historia e tij ka filluar thuajse aksidentalisht.

Borche punon në Bidat Informatika, një kompani nga Kavadarci, që ofron shërbime për riparimin e softuerëve dhe pajisjeve harduer. Ai shpjegon se, ndër vite, klientët i kanë lënë kompjuterat e tyre të vjetër në dyqanin ku punonte, me qëllim trajnimin e praktikantëve për t’i riparuar. Në vitin 2016, një grua vizitoi Bidat Informatika dhe tha se i nevojitej një kompjuter, por se nuk kishte mundësi financiare për ta blerë. Borche-s i lindi ideja të përdorte pjesë rezervë për të ndërtuar një kompjuter për zonjën. Më pas, ai bashkë me kolegun e tij ia dorëzuan kompjuterin zonjës në shtëpi.

“Lumturia e fëmijëve dhe gëzimi në sytë e tyre më bënë të vendosja që ta vazhdoja dhurimin e kompjuterave dhe të bëja sa më shumë fëmijë të lumtur.”

Një dhurim i vogël që i dha shkas një nisme

Kur shkuan në shtëpinë e zonjës, Borche dhe kolegu i tij takuan edhe tri fëmijët e saj, të cilët u lumturuan nga dhurata e Borche-s. “Lumturia e fëmijëve dhe gëzimi në sytë e tyre më bënë të vendosja që ta vazhdoja dhurimin e kompjuterave dhe të bëja sa më shumë fëmijë të lumtur,” thotë Borche.

Pas kësaj ndodhie, Borche krijoi faqen “Dhuro një kompjuter” në media sociale, në mënyrë që të mund të arrinte te më shumë persona që ishin të gatshëm të dhuronin kompjutera të përdorur dhe më shumë familje që nuk kishin mundësi financiare të blinin një kompjuter. Sikurse kishte parashikuar, familjet në nevojë ishin të shumta por, për habinë e tij, numri i dhuruesve ishte po aq i madh. Fillimisht, një shoqëri vendase, që do të zëvendësonte kompjuterat e saj të vjetër, dhuroi 20 kompjutera. “E publikuam dhurimin në faqet tona në media sociale dhe numri i dhurimeve u rrit”, thotë Borche.

Ecuria e këtij misioni humanitar u përshpejtua gjatë pandemisë, kur Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut vendosi që mësimi të zhvillohej online. Si rrjedhojë, qindra fëmijë dhe të rinj nga familje të varfra dhe zona të thella u përballën me një sfidë të vështirë.

Numri i kompjuterave të dhuruar u rrit ndjeshëm gjatë këtij viti, ku nga rreth 100 dhurime në vit, Borche dhe kolegët e tij e rritën numrin e kompjuterave të dhuruar në rreth 500. Atyre iu desh të krijonin një faqe interneti për ta organizuar më mirë rrjedhën e dorëzimit nga dhuruesit te personat në nevojë. Ai u ndihmua nga individë që i përcillnin mesazhet nga personat në nevojë, si dhe nga shoqëritë e dërgesave, si Eko Logistic Servis, që i dorëzoi kompjuterat pa pagesë.

“BE-ja ishte e gatshme të na mundësonte rreth 140 kompjutera dhe pajisje të tjera TI-je. Kjo ishte diçka e mrekullueshme dhe dhurimi më i madh që kemi marrë deri më tani.”

Rreth nismës

Doniraj Kompjuter (Dhuro një kompjuter) është një nismë e krijuar nga Borche Stamenov nga Kavadarci në Maqedoninë e Veriut. Deri më tani, nisma ka bërë të mundur sigurimin e 1,200 kompjuterave për familjet në nevojë në mbarë Maqedoninë e Veriut. Pajisjet harduer janë dhuruar nga individë privatë, shoqëri dhe institucione, duke përfshirë Delegacionin e BE-së në Shkup, i cili dhuroi mbi 140 pajisje TI-je, duke filluar nga laptopët dhe kompjuterat desktop e deri te printerët.

Borche u kontaktua nga Delegacioni i BE-së në Shkup, që po merrte kompjutera të rinj dhe pajisje të tjera të reja TI-je, dhe kishte dëgjuar për nismën e tij. “BE-ja ishte e gatshme të na mundësonte rreth 140 kompjutera dhe pajisje të tjera TI-je. Kjo ishte diçka e mrekullueshme dhe dhurimi më i madh që kemi marrë deri më tani”, thotë Borche.

Kontakti me Delegacionin e BE-së në Shkup vijoi edhe pas dhurimit të tyre. Këtë vit, Borche-s iu dha Çmimi i Veçantë Evropiani i Vitit për Solidaritet. Kontributi i tij u vlerësua për përmirësimin e jetës së familjeve në nevojë për lidhje digjitale, një nevojë shumë e theksuar gjatë izolimit dhe mësimit online në kohërat e COVID-it.

Kompjuterat e Borche-s kanë mbërritur praktikisht në çdo rajon të Maqedonisë. Ai ka marrë falënderime në forma të ndryshme, si për shembull letra dhe video. Dhe ka në plan të vazhdojë. “Shpresoj që në të ardhmen e afërt kontributi im nuk do të jetë më i nevojshëm, pasi qeveria ose institucione të tjera do t’i mundësojnë çdo familjeje në Maqedoninë e Veriut nga një kompjuter të ri. Por deri atëherë, unë do të vazhdoj kështu”, thotë ai.

Kthimi i një lumi nga rrezik në kënaqësi

Si një projekt i BE-së dhe bashkëpunimi i komunitetit kanë ndihmuar me kontrollimin e përmbytjeve dhe përmirësimin e jetesës së banorëve në rajonin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Cërnica është një fshat me rreth 600 banorë në anën e Kosovës, në kufirin me Maqedoninë e Veriut. Lumi me të njëjtin emër, që përshkon qendrën e fshatit, e bën këtë zonë një ndër më të bukurat në rajon, por edhe një ndër më të prekurat nga përmbytjet. Fatlum Mehmeti nga Cërnica ndihet krenar për bukurinë natyrore dhe njerëzit punëtorë të fshatit të tij, por shprehet se jetesa e tyre mund të ishte më e mirë nëse do të mund të eliminohej aroma e rëndë që vjen nga lumi për shkak të shkarkimit të ujërave të ndotura, si dhe dëmi i shkaktuar nga përmbytjet. “Çdo vjeshtë dhe dimër kemi jetuar në ankth nga dëmet e mundshme të shkaktuara nga përmbytjet ndaj shtëpive, arave dhe jetëve tona”, thotë ai.

 

Problemi me përmbytjet nuk është i pranishëm vetëm në Cërnicë. I gjithë rajoni kufitar e ka pasur këtë problem për dekada dhe, me ndryshimet klimatike, shpeshtësia e përmbytjeve është rritur. Vetëm gjatë kësaj vere, mbi 60 familje të rajonit janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre si pasojë e përmbytjes. Nuk pati humbje jete, por dëmi material ishte i konsiderueshëm. Sipas përllogaritjeve të Komunës së Gjilanit, dëmi nga përmbytjet e këtij viti arrin vlerën 1,5 milionë euro. Mbi 30 shtëpi u kthyen në të pabanueshme, pesë ura u shkatërruan dhe hektarë të tërë toke të lërueshme u dëmtuan.

“Prej disa vitesh, fshatarët kanë kërkuar ndihmë nga autoritetet lokale dhe menaxhimin tonë për riparimin e shtratit të lumit, me qëllim reduktimin e ndikimit të përmbytjeve”.

Ndalimi i përmbytjeve

Besim Haziri nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” në Kosovë shpjegon se përmbytjet vijnë nga shkaqe natyrore, megjithëse kanë pasur ndikim të konsiderueshëm njerëzor si pasojë e ndryshimeve klimatike. Megjithatë, në rastin e Cërnicës dhe këtij rajoni, përmbytjet shkaktohen edhe nga mungesa e infrastrukturës së përshtatshme. “Prej disa vitesh, fshatarët kanë kërkuar ndihmë nga autoritetet lokale dhe menaxhimin tonë për riparimin e shtratit të lumit, me qëllim reduktimin e ndikimit të përmbytjeve”, thotë Besimi.

Pavarësisht gatishmërisë për të ndihmuar, kompanisë dhe autoriteteve lokale u mungonin mundësitë financiare dhe ekspertiza për këtë projekt të rëndësishëm. Në vitin 2019, u shfaq një mundësi kur mësuan se mund të merrnin mbështetje nga programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar (BNK) për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, i financuar nga BE-ja. Kompania “Hidromorava” aplikoi me sukses bashkërisht me ndërmarrjen publike Vodovod Kumanovo, nga qyteti i Kumanovës përtej kufirit. Ky ishte fillimi i një projekti të titulluar “Përfitime të konsiderueshme shëndetësore dhe mjedisore në zonën ndërkufitare”, që do të sillte ndikim afatgjatë pozitiv në jetët e banorëve vendas.

Përgjatë dy viteve, projekti realizoi një sërë ndërhyrjesh infrastrukturore të konsiderueshme. Ndërhyrjet përfshinë ripozicionimin e shtratit të lumit dhe reduktimin e kontaminimit të dherave duke ndarë ujërat e ndotura dhe ujërat e reshjeve, çka do të thotë se ujërat e ndotura nuk shkarkohen më drejtpërdrejt në lumë, duke eliminuar kështu dhe aromën e rëndë. Krahas kësaj, projekti bëri dhe disa ndryshime estetike duke krijuar një shëtitore përgjatë lumit, si dhe hapësira ndenjjeje dhe rekreacioni. Ndryshime të ngjashme u kryen dhe në anën tjetër të kufirit, në komunën e Kumanovës.

“Falë mbështetjes së BE-së, tashmë nuk na duhet të shqetësohemi më për rrezikun ndaj jetës dhe pronës sonë nga përmbytjet gjatë dimrit”.

Rreth projektit

Projekti BNK “Përfitime të konsiderueshme shëndetësore dhe mjedisore në zonën ndërkufitare” i financuar nga BE-ja filloi në shkurt të vitit 2020 dhe përfundoi në muajin tetor të vitit 2021. Vlera e përgjithshme e projektit ishte mbi gjysmë milioni euro.

Për të siguruar qëndrueshmëri, projekti krijoi dhe zhvilloi edhe një fushatë për ndërgjegjësim mjedisor sa i përket mbajtjes pastër të lumit dhe zonës përreth. Besimi thekson se, krahas financimit nga BE-ja, shkëmbimi ndërkufitar i ekspertizës dhe ideve me kolegët nga Vodovod Kumanovo ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në suksesin e projektit.

Fatlumi shpjegon se ky projekt ka pasur një ndikim të rëndësishëm në jetët e tyre. “Falë mbështetjes së BE-së, tashmë nuk na duhet të shqetësohemi më për rrezikun ndaj jetës dhe pronës sonë nga përmbytjet gjatë dimrit”, thotë ai.

Të rikthehesh në shtëpi pas 20 vitesh

Programi i bashkëfinancuar nga BE-ja mbështet një refugjat nga Bosnja dhe Hercegovina për të rifilluar jetën në fshatin e tij të lindjes.

Lufta në Bosnje dhe Hercegovinë shkaktoi tragjedi për qindra mijëra familje. Shumë humbën të njerëzit e tyre të dashur apo punën e tyre dhe u detyruan të linin vendlindjet dhe fshatrat e tyre, për të mos u kthyer më. Davorin Savić nga fshati Bačevići, afër Mostarit, është një nga ata që u detyruar të linte shtëpinë e tij brenda natës dhe të gjente strehim gjetkë. Por, Davorin është edhe një nga ata me fat që ka arritur të kthehet në fshatin e tij dhe të fillojë një jetë të re aty.

Qyteti i Mostarit ishte një ndër qytetet e shumta multi-etnike në Bosnje dhe Hercegovinë ku kroatët, boshnjakët dhe serbët jetonin në harmoni. Por kjo harmoni u prish me fillimin e luftës në vitin 1992, e cila zgjati deri në vitin 1995. Mijëra njerëz u vranë dhe mbi një milion të tjerë u zhvendosën, duke e bërë atë konfliktin më shkatërrues në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

“Ishte e vështirë të jetoje si refugjat, por në një farë mënyre arritëm të mbijetonim. Morëm me qira një vend për të jetuar, dhe më së shumti punoja në tregun vendas me një pagë të ulët.”

Më në fund, në shtëpi

Konflikti në Mostar filloi dhe u zhvillua me shpejtësi, ndaj, Davorini së bashku me familjen e tij, duhej të largoheshin sa më shpejt, duke lënë pas shtëpinë dhe plaçkat e tyre në fshat. Meqenëse ishin pakicë serbe, ata u shpërngulën në Serbi. Kujtimet e Davorinit janë ende të freskëta, se si në vitin 1992 ai la shtëpinë e familjes së tij, së bashku me vëllanë dhe nënën e tij, për t’u larguar drejt Beogradit. “Ishte e vështirë të jetoje si refugjat,” kujton ai. “Por në një farë mënyre arritëm të mbijetonim. Morëm me qira një vend për të jetuar, dhe më së shumti punoja në tregun vendas me një pagë të ulët.”

Ai jetoi në Beograd për 18 vjet, por në vitin 2010, më në fund, familja u kthye në Bačevići, ku u përballën me faktin se shtëpia e tyre ishte shkatërruar plotësisht. Por fati i tyre do të ndryshonte. “Takuam disa fqinjë të cilët na treguan për programin e rindërtimit të shtëpive për të kthyerit,” shpjegon Davorini. “Menjëherë aplikuam në Programin Rajonal të Strehimit.”

Ai pranon se jeta në Bosnje dhe Hercegovinë nuk është e lehtë, veçanërisht për të kthyerit dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Megjithëse përpara luftës ai kishte punuar në shoqërinë energjetike, ai e kishte të vështirë të gjente një punë në shoqërinë e vjetër pas kthimit të tij në BH. Ai ende nuk ka një punë me pagë të sigurt apo sigurim shëndetësor.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të kthehesha në fshatin tim dhe do të prodhoja perime në një serë dhe do të punoja tokën.”

Rreth projektit

Rreth 1800 njësi banimi janë dorëzuar deri më tani në Bosnje dhe Hercegovinë si pjesë e Programit Rajonal të Strehimit. Objektivi përfundimtar është që të ndërtohen mbi 3,000 njësi banimi deri në qershor 2023.  Rreth 291 milionë euro janë alokuar deri më tani për Programin Rajonal të Strehimit, nga të cilat më shumë se 76 milionë euro janë për projekte në BH. Me 235 milionë euro, Bashkimi Evropian është donatori kryesor i Programit.

Por, pavarësisht gjasave, Davorin arrin të sigurojë një jetë dinjitoze për veten, nënën dhe familjen e vëllait të tij, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar. Kjo është kryesisht falë shtëpisë së rindërtuar me mbështetjen e Programit Rajonal të Strehimit si dhe serës dhe traktorit të vogël të siguruar me mbështetjen e Shërbimeve të Ndihmës Katolike. “Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të kthehesha në fshatin tim dhe do të prodhoja perime në një serë dhe do të punoja tokën,” qesh ai. “Por është fantastike. Shes prodhimet e mia në tregun e Mostarit.”

Duke reflektuar mbi jetën e tij sot, Davorin komenton me ngazëllim rreth miqësisë së tij me fqinj nga etni të ndryshme. Në kontrast nga situata kur iu desh të ikte nga Bačevići, tani ai shprehet, “Ne jetojmë bashkë, ndihmojmë njëri-tjetrin dhe festojmë të gjitha festat.”

Rritje të reja në fushat e Vojvodinës

Një fermer i ri serb përmbush një ëndërr fëmijërie me mbështetjen e BE-së.

Milan Plavšić (35) jeton në Sremska Mitrovica në provincën eVojvodinës, në veri të Serbisë. Ai vjen nga një familje me traditë të hershme në bujqësi, por ndryshe nga babai dhe gjyshi i tij, Milani pati mundësinë të diplomohej në fakultetin e bujqësisë në Novi Sad. Qëllimi i tij është ta çojë biznesin familjar në një nivel tjetër. “Unë jam rritur me bujqësi. Unë thjesht e dua atë dhe nuk kam menduar kurrë të bëj punë tjetër,” shprehet Milan.

Vojvodina është e njohur për tokën e saj të pasur, e cila, për shekuj me radhë, ka qenë ideale për kulturat bujqësore si misri, gruri, soja dhe luledielli. Provinca është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i kulturave bujqësore në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Njësoj si Milan, shumica e njerëzve në rajon punojnë në bujqësi, por, pavarësisht avantazhit të tokës së mirë, fermerët po përballen me disa probleme serioze.  “Disa nga familjet e vogla bujqësore me dy deri në tre hektarë tokë ose po e shesin tokën e tyre ose po ua japin me qira prodhuesve më të mëdhenj pasi nuk janë në gjendje të investojnë në teknologji të re dhe të blejnë pajisje për bujqësi moderne,” shprehet ai.

“Traktori i vjetër filloi të bëhej një problem i vërtetë, pasi nuk funksiononte më si duhet dhe kështu nuk arrinim të përmbushnim afatet apo të prodhonim sasitë e nevojshme të të mbjellave.”

Një traktor i ri, mundësi më të mira biznesi

 Me 20 hektarë tokë, Milani e konsideron veten një prodhues të mesëm, por edhe ai ka hasur në vështirësi. Të kesh një traktor është thelbësore për punën e tij, dhe ai që zotëronte familja ishte blerë në vitin 1987. Milani kujton gëzimin e përdorimit të këtij traktori për herë të parë kur ishte vetëm 12 vjeç. Por me kalimin e viteve, pajisja filloi të amortizohej. “Traktori i vjetër filloi të bëhej një problem i vërtetë, pasi nuk funksiononte më si duhet dhe kështu nuk arrinim të përmbushnim afatet apo të prodhonim sasitë e nevojshme të të mbjellave,” shprehet Milan.

Familja e dinte se duhej të investonte në një traktor të ri, i cili mund të kushtojë deri në 70,000 euro, një pajisje shumë e shtrenjtë për një biznes të atyre përmasave. Ata nuk kishin para të mjaftueshme për të investuar dhe marrja e një kredie në këtë shumë dukej tepër e rrezikshme dhe e kushtueshme në terma afatgjatë. Por pa pajisjet e reja, biznesi i tyre do të kërcënohej seriozisht.

Shpresa e tyre u ngjall, kur Milani dëgjoi për programin e financuar nga BE-ja për Asistencën e Para-Aderimit për Zhvillimin Rural(IPARD) i cili mbështet bujqësinë në Serbi dhe rajon. Duke parë që i plotësonte kriteret, Milani vendosi të aplikonte për mbështetje. Aplikimi rezultoi i suksesshëm dhe familja ishte në gjendje të blinte një traktor të ri.

“Me traktorin e ri që morëm me mbështetjen e BE-së, tashmë mund të punoj më shpejt dhe më sigurt si dhe të kem prodhime më cilësore.”

Rreth projektit

Pjesë e Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA), i projektuar për të mbështetur vendet në proces aderimi në BE, Instrumenti i Asistencës së Para- Aderimit për Zhvillim Rural (IPARD) përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë në këto vende. Përmes këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë financiare dhe teknike për të bërë sektorin e tyre bujqësor dhe zonat rurale më të qëndrueshme dhe për t’i harmonizuar ato me Politikën e përbashkët bujqësore të BE-së.

Programi IPARD mbështeti familjen e Milanit me mbi 50% të shumës për blerjen e traktorit të ri. Familja mbuloi pjesën tjetër të shumës përmes një kredie nga banka, e cila gjithashtu ishte më e lehtë për t’u marrë si rezultat i mbështetjes IPARD, dhe kursimet e tyre. “Me traktorin e ri që morëm me mbështetjen e BE-së, tashmë mund të punoj më shpejt dhe më sigurt si dhe të kem prodhime më cilësore”, shprehet Milan.

Vizioni i Milanit është të zgjerohet më tej pasi ka tokën dhe tregun cilësor. Por, ai tashme ka edhe një traktor të ri Steyr, pikërisht traktorin që ëndërronte kur ishte djalë. “Ëndrra e çdo djali të ri që jeton në një familje bujqësore është të blejë një traktor të ri. Kjo ishte edhe ëndrra ime. Kjo ëndërr u bë realitet me mbështetjen e BE-së,” shprehet Milan.

Kapërcimi i hendekut në Lumin Sava

Ura e re e mbështetur nga BE-ja, që do të lidhë Kroacinë me Bosnje dhe Hercegovinën, do të ‘lulëzojë’ ekonomitë vendase dhe jo vetëm, duke lehtësuar lidhjet ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Teran Mušinovič është një shofer kamioni nga Bosnje dhe Hercegovina. Ai ka vite që udhëton shpesh drejt Kroacisë dhe vendeve të tjera të BE-së për transportimin e mallrave. Ai shprehet se një nga vështirësitë më të mëdha të punës së tij është pritja në kufi. Pika më e vështirë e kalimit kufitar të Bosnje dhe Hercegovinës është në Gradiška. “Na duhet të presim pesë, gjashtë, shtatë, madje në disa raste edhe tetë orë në Gradiška,” thotë Teran-i.

Gradiška është një qytezë në veriperëndim të Bosnje dhe Hercegovinës, në krahun e djathtë të Lumit Sava, përballë një qyteze tjetër të vogël, Stara Gradiška, që ndodhet në Kroaci. Gradiška ka qenë një vend i vogël, i qetë, me vizitorë të rrallë. Megjithatë, kur Bosnje dhe Hercegovina dhe Kroacia fituan pavarësinë e tyre, qyteza u kthye në pikën kryesore të kalimit kufitar ndërmjet dy vendeve. Tashmë, radhët e gjata të mjeteve dhe shoferëve të irrituar janë një pamje e zakonshme në Gradiška pasi rruga drejt kufirit përshkon qytezën për rreth dy kilometra, duke shkaktuar bllokim trafiku, vështirësi kalimi dhe ndotje të ajrit.

“Në të shkuarën, ura ishte ndërtuar për të lidhur dy qyteza të vogla. Por tashmë është një pikë kalimi kufitar, çka ka sjellë probleme me radhët e gjata të mjeteve në kufi dhe trafik në qytezën e Gradiška-s.”

Një urë ndërmjet njerëzve dhe ekonomive

Davor Vučković punon si koordinator në ndërmarrjen publike JP Autoputevi, shoqëria e autostradave në Republika Srpska të Bosnjës. Ai shpjegon se ura e vjetër, që tani lidh dy vendet në pikën kufitare Gradiška, është ndërtuar në vitet 1970. “Në të shkuarën, ura ishte ndërtuar për të lidhur dy qyteza të vogla. Por tashmë është një pikë kalimi kufitar, çka ka sjellë probleme me radhët e gjata të mjeteve në kufi dhe trafik në qytezën e Gradiška-s”, thotë Davor-i.

Situata po ndryshon falë mbështetjes së Bashkimit Evropian. Si pjesë e projektit të investimit të Korridorit Vc, projekti më i madh infrastrukturor në historinë e vendit, një urë e re bashkërisht me objekte ndërkufitare janë ndërtuar jashtë qendrës urbane. E lidhur zyrtarisht në muajin tetor të vitit 2021, ura 430 metra e gjatë mbi Lumin Sava lidh jo vetëm Bosnje dhe Hercegovinën me Kroacinë, por edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Objektet moderne dhe infrastruktura e përmirësuar, parashikohet të shkurtojnë kohët e pritjes në kufi në Autostradën 2a, e cila ka një gjatësi thuajse 240 km nga Lasva (Zenica) në Bosnje dhe Hercegovinë përmes Banja Lukës, deri në Okučani në Kroaci. Gjithsej, ura, objektet kufitare dhe një seksion i Autostradës 2a ndërmjet Banja Lukës dhe Gradiška-s të përfunduar në vitin 2011, morën një grant prej 3,2 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian dhe një hua prej 65 milionë eurosh nga Banka Evropiane e Investimeve, krahu huadhënës i BE-së.

“Me 105 km të ndërtuara në Republika Srpska dhe rreth 115 km në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, me mbështetjen e BE-së, Bosnje dhe Hercegovina ka më shumë sesa 200 km rrjet shumë të avancuar autostradash, me standardet më të larta të sigurisë për të gjithë përdoruesit në rrugë”.

Rreth projektit

Korridori pan-evropian Vc në Bosnje dhe Hercegovinë është autostrada e parë madhore dhe projekti më i madh infrastrukturor në historinë e vendit. Deri më sot, Bashkimi Evropian ka investuar mbi 225 milionë euro në grante, bashkërisht me thuajse 1 miliardë euro hua përmes Bankës Evropiane të Investimeve, për ndërtimin e 12 seksioneve të autostradës së Korridorit Vc në Bosnje dhe Hercegovinë dhe një ure ndërkufitare.

Ky financim është kanalizuar përmes Kuadrit të Investimit të Ballkanit Perëndimor, një platformë investimesh nga donatorët, e drejtuar nga BE-ja, që bën bashkë grantet me financimin nga partnerët zbatues për të mbështetur zgjerimin e BE-së dhe zhvillimin socio-ekonomik në rajon.

Sikurse sqaron dhe Davor-i, falë këtij investimi, qarkullimi i mallrave dhe njerëzve do të rritet ndjeshëm, me qarkullim të përmirësuar dhe lidhje cilësore, që kontribuojnë në përmirësimin e sigurisë. “Me 105 km të ndërtuara në Republika Srpska dhe rreth 115 km në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, me mbështetjen e BE-së, Bosnje dhe Hercegovina ka më shumë sesa 200 km rrjet shumë të avancuar autostradash, me standardet më të larta të sigurisë për të gjithë përdoruesit në rrugë”.

Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me lidhje më të mira ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kroacisë. Pika e re e kalimit kufitar do të ofrojë dhe një lidhje në rrjetin më të gjerë të transportit Trans-Evropian, çka do të ndihmojë ndjeshëm ekonominë vendase. Për Teran-in dhe shumë prej kolegëve të tij, kjo nënkupton se kalimi i kamionëve në BE në të ardhmen do të jetë më i shpejtë. Pika e kalimit ndërkufitar do të ketë dhe një ndikim më të gjerë, duke krijuar vende të reja pune, si dhe duke sjellë mundësi për ‘ndërtimin e urave’ konkrete dhe metaforike ndërmjet komuniteteve dhe kulturave ndërkufitare.

Të ecësh në hapat e Nënë Terezës

Restaurimi i një shtegu malor pelegrinazhi që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut u jep një shtysë ekonomive vendore dhe trashëgimisë së përbashkët kulturore.

Letnica është një fshat në juglindje të Kosovës me më pak se 5000 banorë. Megjithatë, për disa javë gjatë stinës së verës, popullsia e fshatit rritet në mbi 30,000. Arsyeja për këtë është pelegrinazhi për statujën e Madonës së Zezë, apo Zojës së Letnicës.

Kjo statujë është më shumë se 300 vjeçare dhe historia e saj e ka zanafillën në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut. Pas tërheqjes së ushtrisë austriake nga qyteti në shekullin e gjashtëmbëdhjetë dhe kthimit të Shkupit nën sundimin osman, disa nga katolikët e qytetit u strehuan në Letnicë, duke marrë me vete edhe statujën e Madonës së Zezë. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, Fulgencio Carev, kryepeshkopi i Shkupit, organizoi një pelegrinazh vjetor në Letnicë.

“Me prejardhje nga Prizreni i Kosovës dhe rritur në Shkup, fëmijëria e Nënë Terezës është një shembull i përsosur i trashëgimisë së përbashkët kulturore që duhet t’i bashkojë njerëzit nga të dyja vendet dhe më gjerë.”

Në gusht të vitit 1928, një nga pelegrinët ishte e reja Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e cila e kishte bërë udhëtimin që në moshën shtatë vjeçare. Anjeza lindi dhe jetoi në Shkup, por ishte pikërisht në Letnicë, gjatë Festës së të Ngriturit të Zojës së Bekuar në Qiell, ku dëgjoi thirrjen e Zojës së Letnicës, Zojës së Zezë, dhe mori vendimin për t’u bërë misionare dhe për t’u shërbyer të varfërve të botës. Atë vit ajo u largua nga Shkupi për t’u bashkuar me motrat e Lorettos dhe lundroi drejt Indisë me emrin Motër Maria Teresa.

Shpalosja e potencialit kulturor dhe ekonomik

Shtegu ndërkufitar i pelegrinazhit që përshkoi Nënë Tereza ishte i mbyllur dhe i pashfrytëzuar për dekada të tëra, dhe për shkak të mosmirëmbajtjes, njerëzit filluan të përdornin automjete për të ardhur në Letnicë. Fondacioni i Kosovës për Trashëgimi Kulturore pa Kufij (CHwB) dhe organizata e tyre partnere, Fondacioni për Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Shkup, evidentuan se restaurimi dhe rihapja e shtegut malor do të ishte një mundësi e mirë për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, veçanërisht lidhja me jetën e Nënë Terezës.

Adea Mekuli është menaxhere për projektin. “Nënë Tereza është e njohur në mbarë botën, por pakkush e njeh të renë Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, përpara se të bëhej e famshme”, shprehet ajo. “Me prejardhje nga Prizreni i Kosovës dhe rritur në Shkup, fëmijëria e Nënë Terezës është një shembull i përsosur i trashëgimisë së përbashkët kulturore që duhet t’i bashkojë njerëzit nga të dyja vendet dhe më gjerë.”

Mbështetja jetike e BE-së

Ideja u mbështet nga BE-ja dhe kërkimi dhe mbledhja e informacionit mbi jetën e hershme të Nënë Terezës ishte një nga komponentët kryesorë të projektit ‘Gjurmëve të Nënë Terezës’, i cili u financua nëpërmjet programit të BE-së për bashkëpunim ndërkufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Krahas restaurimit dhe vendosjes së shenjave të rrugës së pelegrinazhit si një shteg ecjeje, dhe mbledhjes dhe publikimit të informacionit mbi jetën e hershme të Nënë Terezës, projekti gjithashtu kontribuoi në restaurimin e vendeve të trashëgimisë kulturore si Muzeu Nënë Tereza në Prizren, vendi i pelegrinazhit në fshatin Letnicë dhe Manastiri i Shën Panteleimonit në Nerezin e Epërm në Shkup.

“Projekti do të ketë ndikim në edukimin e mëtejshëm kulturor të njerëzve që jetojnë në zonën ndërkufitare si dhe në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të rajonit ndërkufitar.”

Rreth projektit

Objektivi kryesor i projektit të financuar nga BE-ja “Shtegu Kulturor ‘Gjurmëve të Nënë Terezës’” ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe të tjerave në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut përmes njohjes së vlerave të përbashkëta dhe rritjes së përbashkët ekonomike.

Adea shpjegon se mbështetja e BE-së ishte kyçe për zbatimin e projektit, me ndikime më të gjera që do të jehojnë në mbarë rajonin. “Projekti do të ketë ndikim në edukimin e mëtejshëm kulturor të njerëzve që jetojnë në zonën ndërkufitare si dhe në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të rajonit ndërkufitar,” shprehet ajo.

Shtegu i Nënë Terezës tashmë është i hapur për vizitorët që duan të ecin ose të bashkohen me pelegrinazhin e vjetër, ndërsa gjatë rrugës mund të mësojnë më shumë për një nga figurat më ikonike të shekullit të njëzetë.

Ballkani Perëndimor gumëzhin nga mundësitë e bujqësisë organike

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet bletëmbajtësit nga Maqedonia e Veriut që të kalojnë në bujqësi organike.

Komuna e Kavadarit ndodhet në rajonin e Tikveshit të Maqedonisë së Veriut. Me më pak se 40,000 banorë, si shumë rajone të tjera rurale në Ballkanin Perëndimor, komuna vuan nga migrimi i të rinjve dhe familjeve në qytete më të mëdha në kërkim të një jete më të mirë. Një migrim i tillë ishte motivimi kryesor për nisjen e projektit të inkubatorit Vitac të financuar nga BE-ja që promovon bletarinë organike, pasi mungesa e mundësive ekonomike dihet se është arsyeja kryesore e migrimit drejt qyteteve më të mëdha. Zlatka Milkov është njëra prej atyre që deri më tani ka qëndruar në Kavadar. Ajo është e diplomuar në bujqësi, por ka punuar si kontabiliste për disa vite. Ndërkohë, bashkëshorti i Zlatkës, i cili punon si elektricist, mban bletë. “Por unë kurrë nuk kam qenë realisht i interesuar për bletarinë; Unë e ndihmova burrin tim në paketimin e mjaltit vetëm pasi të kishim produktin përfundimtar”, thotë Zlatka.

Megjithatë, në vitin 2020, bashkëshorti i saj dëgjoi për një program që ofronte trajnime për prodhimin organik të mjaltit, të ofruar nga projekti Vitac, i hartuar dhe zbatuar përmes Programit Rajonal për Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor (EU-funded Regional Programme on Local Democracy in the Western Balkans) (ReLOaD) të financuar nga BE. Zlatka kishte më shumë kohë të lirë se burri i saj, pasi ajo nuk punonte në atë kohë, kështu që ai e pyeti nëse do të dëshironte të bashkohej. Me ngurrim, ajo pranoi.

“Kam mësuar shumë gjëra, nga biologjia e bletëve deri në detaje interesante të prodhimit të mjaltit. Çdo moment ishte argëtues dhe interesant”

Bletari organike, një mundësi biznesi në të ardhmen

Trajnimi zgjati nëntë muaj dhe përfshinte njohuri teorike dhe praktike mbi bletarinë organike. “Kam mësuar shumë gjëra, nga biologjia e bletëve deri në detaje interesante të prodhimit të mjaltit. Çdo moment ishte argëtues dhe interesant”, thotë Zlatka.

Gjatë një viti, projekti mbështeti 15 pjesëmarrës, duke përfshirë gra dhe të rinj nga rajoni. Gjatë trajnimit praktik, pjesëmarrësit krijuan 30 koloni bletësh organike të cilat më pas iu dhanë atyre në mënyrë që të fillonin ose zgjeronin bizneset e tyre të bletarisë me një qasje organike. Ata që morën pjesë u certifikuan edhe për rritjen organike të bletëve. Pjesëmarrësit mësuan se si ushqimi organik, përfshirë mjaltin organik, rritet pa përdorimin e pesticideve dhe plehrave  të prodhuara nga njeriu dhe nuk përmban organizma të modifikuar gjenetikisht (OMGJ). Për shkak të besimit të përhapur se ushqimi organik është më i sigurt, më ushqyes dhe me shije më të mirë, atyre iu dha akses në një treg me vlerë të lartë në zhvillim për ushqimin organik në mbarë botën.

“Përkrahja nga BE-ja ishte thelbësore, pasi komunat në rajon kanë fonde vetëm për projekte shumë të vogla. Me mbështetjen e BE-së ne ishim në gjendje të zbatonim një projekt shumë më të madh dhe të adresonim nevojat e komunitetit lokal me ndikim afatgjatë.”

Rreth projektit

Qëllimi kryesor i projektit të inkubatorit Vitac për bletarinë organike është parandalimi i emigrimit dhe kontributi në ringjalljen e vendbanimeve rurale në komunën e Kavadarit. Aktivitetet e projektit kanë përfshirë trajnime teorike dhe praktike për grupin e synuar në prodhimin e produkteve organike të bletëve dhe kolonive të bletëve.

Po ashtu, përmes qendrës informative që u krijua, fermerët nga komuna e Kavadarit tani marrin këshilla dhe udhëzime falas se si ta shndërrojnë prodhimin e tyre bujqësor në organik. Projekti u zbatua nga Shoqata e Prodhuesve Organikë Biovita, financuar si pjesë e Programit ReLOaD të financuar nga BE dhe bashkëfinancuar nga Komuna e Kavadarit.

Biljana Georgievska, menaxhere e projektit, shpjegon se projekti kërkonte shumë përpjekje për t’u realizuar si duhet, por varej edhe nga përkushtimi i pjesëmarrësve. “Përkrahja nga BE-ja ishte thelbësore, pasi komunat në rajon kanë fonde vetëm për projekte shumë të vogla. Me mbështetjen e BE-së ne ishim në gjendje të zbatonim një projekt shumë më të madh dhe të adresonim nevojat e komunitetit lokal me ndikim afatgjatë,” thotë ajo.

Zlatka tani është bërë udhëheqëse e biznesit familjar të rritjes së bletëve, i cili tani është pothuajse 100% organik. Ndërkaq, familja fitoi çmimin e parë për cilësinë e mjaltit në një konkurs vjetor kombëtar në Tetovë. “Po mendoj të hap një dyqan për ushqime organike në të ardhmen e afërt. Nëse mund ta bëjmë këtë punë, atëherë ndoshta, unë mund të punoj këtu me kohë të plotë në të ardhmen,” thotë Zlatka.

“Më në fund një vend që mund ta konsideroj shtëpinë time”

Program i bashkëfinancuar nga BE i ofron një refugjateje kroate një shtëpi dhe jetë të re në Serbi.

Mira Mihajlović 43 vjeçe, së bashku me familjen e saj jetonin në një fshat afër qytetit të Karlovac, Kroaci. Ajo ka kaluar një fëmijëri të lumtur dhe ka përfunduar studimet e mesme të larta për turizëm dhe gjithmonë ka qenë ëndërr e saj të bëhej menaxhere turizmi. Jeta e Mirës ndryshoi plotësisht me fillimin e luftës në vitin 1995, kur Mira ishte vetëm 17 vjeçe. “Ishte e tmerrshme; nuk dinim se si të vepronim, por e dinim që duhet të largoheshim sa më shpejt,” tregon Mira.

Kështu që, Mira dhe familja e saj u larguan nga vendbanimi i tyre. Si fillim u bashkuan me një grup refugjatësh, pasi nuk kishin as ndonjë automjet për të lëvizur, por një fqinj i tyre i ndihmoi me një traktor. Me kalimin e kohës karburanti mbaroi, dhe u duhej te ecnin në këmbë për disa ditë me rradhë. Teksa ecnin në pyje vëllai i Mirës, – i cili ishte 13 vjeç – u nda prej tyre dhe ata u detyruan të ktheheshin mbrapa. Fatmirësisht arritën ta gjenin, por Mira thotë se vëllai i saj ka pasur probleme dhe makthe për një periudhë kohe nga kjo eksperiencë.

“Nuk e mendoja asnjëherë që do më ndihmonin që unë të kisha një shtëpi timen. Në fakt, nuk e besoja fare.”

Në fillim kur erdhën në Serbi, Mira së bashku me familjen e saj jetonin në qendra kolektive për refugjatët dhe punonin në fusha misri, pastronin shtëpi dhe prisnin drurë për të siguruar jetesën. Pas një kohe, Mira martohet por martesa e saj nuk funksionoi dhe 2 vjet më vonë u divorcua. Ajo kthehet për të jetuar përsëri me familjen e saj “Ishte shumë e vështirë, të gjeje një punë, duhej të paguanim qeranë dhe ishte shumë e vështirë të mbuloje shpenzimet e tjera” tregon ajo.

Ajo shpërngulet përsëri, kësaj here për t’u vendosur me djalin e saj të vogël në fshatin Radar, afër qytetit të Obrenovac. Fatmirësisht arriti të gjente një punë si sanitare në një shkollë afër vendit ku banonte, por e kishte të vështirë të paguante qeranë me të ardhurat që merrte.

Mira, nëpërmjet një fqinji, dëgjoi rreth The Regional Housing Programme (RHP), një organizatë e cila ndihmon refugjatët dhe njerëzit që janë shpërngulur nga Kroacia dhe Bosnja Hercegovina me problemet e strehimit. Ajo vendosi të kërkoj ndihmën e tyre duke aplikuar në program dhe pse ishte shumë skeptike rreth mundësisë që mund të kishte një shtëpi të sajën. “Nuk e mendoja asnjëherë që do më ndihmonin që unë të kisha një shtëpi timen. Në fakt, nuk e besoja fare” thotë ajo.

Një e ardhme e ndritur përpara

BE si donatori kryesor i The Regional Housing Programme, dha një përgjigje pozitive ndaj kërkesës së Mirës. Ata i ofruan një apartament, ose nëse ajo zotëronte një tokë, projekti do investonte për ndërtimin e një shtëpie. Mira zgjodhi opsionin e tretë, ku programi e ndihmonte të blinte shtëpinë në të cilën jetonte me qera.

“Për herë të parë në jetën time kam dicka që më përket mua. Ndihem shumë e lumtur dhe e qetë. Tashmë mund të fle e qetë,”

Rreth projektit

The Regional Housing Programme (RHP) është një nismë e përbashkët e Bosnje Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi dhe Serbisë. RHP synon të kontribuojë në zgjidhjen e situatës së zgjatur së shpërnguljes të refugjatëve të pambrojtur pas konflikteve të viteve 1991-1995 në ish-Jugosllavi.

Bazuar në angazhimet aktuale të komunitetit ndërkombëtar të donatorëve, deri në fund të vitit 2022, RHP ofron për 11,800 familjet më të rrezikuara një zgjidhje për problemin e tyre të strehimit – që do të thotë mbi 36,000 njerëz në katër vendet partnere. Kostoja totale e këtyre projekteve është 291 milionë euro, prej të cilave 237 milionë euro (80%) do të financohen nga donatorët e RHP dhe 54 milionë euro të mbetura (20%) nga vendet partnere. Me 235 milionë euro, Bashkimi Evropian është donatori kryesor i Programit.

Jeta e saj ndryshoi rrënjësisht në momentin kur ajo bleu shtëpinë, tashmë nuk ishte më e detyruar të paguante për qeranë. Me mbështetjen e organizatës ‘Catholic Relief Services’, ajo ndërtoi një serë në kopshtin e saj ku rrit perime të cilat i shet në tregun vendas për të ardhura shtesë. “Për herë të parë në jetën time kam dicka që më përket mua. Ndihem shumë e lumtur dhe e qetë. Tashmë mund të fle e qetë,” thotë Mira.

Mira e shikon të ardhmen me një pozitivitet tashmë. Pjesë e planeve të saj është edhe hapja e një dyqani të vogël në hambarin e kopshtit të saj, duke qenë se në fshat nuk ka një të tillë, në këtë mënyrë do të ketë burim tjetër të ardhurash për të siguruar një të ardhme më të mirë për djalin e saj. Në të ardhmen, ajo beson se do të ketë mbështetje të mëtejshme nga donatorët për biznesin e saj.

Të kthejmë riciklimin në modë në Kosovë

Mbyllja e ciklit: një projekt i financuar nga BE-ja prezanton një koncept të riciklimit të tekstilit në Kosovë.

Në Kosovë është shumë e rrallë të hasësh kosha për ndarjen e mbeturinave, dhe riciklimi është bërë i mundur kryesisht përmes kontributit individual të mbledhësve të mbeturinave, të cilët mbledhin mbetje metalike, kartoni dhe plastike nga kosha të zakonshëm të mbeturinave dhe i shesin ato. Megjithatë, falë një OJQ-je të quajtur ‘Let’s Do It Peja’, mbledhja e mbeturinave të tekstilit është rritur në Pejë, një qytet në Kosovën perëndimore. Arba Shehu është një aktiviste mjedisore e re dhe e pasionuar, e cila së bashku me kolegët e saj të OJQ kanë identifikuar këtë problem dhe më pas kanë vendosur të kontribuojnë në zgjidhjen e këtij problemi. Tani ajo është menaxhere e projektit.

Arba shpjegon se ideja e nisjes së një projekti të tillë erdhi për shkak të volumit/masës të mbeturinave të tekstilit të prodhuara dhe për shkak se institucionet publike kanë dështuar në zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të mbledhjes dhe menaxhimit të mbeturinave në Pejë apo gjetkë në Kosovë. Sipas saj, pjesa më e madhe e mbeturinave në vend, përfundojnë në landfille ligjore dhe joligjore, ndërsa shumica dërrmuese nuk janë në përputhje me standardet themelore mjedisore dhe shëndetësore. “Edhe pse korniza ligjore është përafruar pjesërisht me atë të BE-së, mbeturinat mbeten një nga problemet më domethënëse në Kosovë”, u shpreh Arba.

“Edhe pse korniza ligjore është përafruar pjesërisht me atë të BE-së, mbeturinat mbeten një nga problemet më domethënëse në Kosovë”

Të kthesh mbetjet në modë

Projekti i financuar nga BE-ja “Promovimi i ekonomisë qarkore si model i qëndrueshëm për zhvillimin e ndërmarrësisë sociale – Projekti SEREC” filloi në janar të këtij viti, me OJQ-në që vendosi një pikë grumbullimi të tekstilit në qendër të qytetit. Për kënaqësinë e stafit të projektit, banorët vendas po i përgjigjen thirrjes për ndarjen e mbetjeve të tekstilit përmes pikave të tilla të grumbullimit.

Projekti është i bazuar në konceptin e ashtuquajtur “3R” (“Redukto, Ripërdor dhe Riciklo”). Megjithatë, përveç kontributit mjedisor, projekti ka edhe një këndvështrim ekonomik pasi kanë hapur një dyqan të dorës së dytë për të shitur tekstilet e dhuruara që janë në gjendje të mirë.

Arba beson se nuk mund të ketë efekt afatgjatë nëse brezat e rinj nuk përfshihen në mënyrë aktive. Prandaj, komponenti arsimor i projektit shihet si më i rëndësishmi nga ajo dhe kolegët e saj. Në bashkëpunim me shkollën e mesme të artit në Pejë, ‘Let’s Do It Peja’ ka nisur një kurs jashtëshkollor të dizajnit ku nxënësit e rinj, të mentoruar nga stilistë me përvojë të punësuar nga projekti, punojnë në dizajnimin dhe prodhimin e veshjeve të reja duke përdorur mbetjet e grumbulluara të tekstilit. Arba shpjegon se kjo është pjesa më emocionuese e projektit për të: “Nxënësit janë shumë të apasionuar dhe ne i kemi parë ata të krijojnë modele shumë interesante dhe tërheqëse.”

“Jam shumë mirënjohëse që jam pjesë e projektit SEREC të financuar nga BE. Po mësoj shumë gjëra të reja dhe po zgjeroj horizontet e mia profesionale me njohuri të reja rreth industrisë së modës.”

Rreth projektit

Projekti i financuar nga BE-ja “Promovimi i ekonomisë qarkore si model i qëndrueshëm për zhvillimin e ndërmarrësisë sociale – Projekti SEREC” filloi në janar të këtij viti dhe do të përfundojë në dhjetor 2021. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të mbështesë zhvillimin e ndërmarrësisë sociale në Kosovë dhe të mbështesë punësimin e grupeve të margjinalizuara, kryesisht të grave dhe të rinjve, nëpërmjet aplikimit të koncepteve të ekonomisë qarkore.

Yllka Latifi është një nga nxënëset pjesëmarrëse në kursin jashtëshkollor të nisur nga projekti. Ajo u shpreh “Jam shumë mirënjohëse që jam pjesë e projektit SEREC të financuar nga BE. Po mësoj shumë gjëra të reja dhe po zgjeroj horizontet e mia profesionale me njohuri të reja rreth industrisë së modës.”

Projekti SEREC synon të jetë i pavarur dhe të vazhdojë me aktivitetet edhe pas përfundimit të financimit të BE-së. OJQ-ja Let’s Do It Peja, aktualisht është duke punuar në regjistrimin dhe hapjen e një ndërmarrje sociale me konceptin dhe emrin e “3R”. Në këtë mënyrë ata synojnë të sigurojnë qëndrueshmëri duke e kthyer këtë projekt në një ndërmarrje me përfitime afatgjata ekonomike dhe mjedisore për komunitetin.

Ndërmarrja e re sociale do të synojë të punësojë staf i cili do të punojë në dizajnimin dhe qepjen e tekstileve të ricikluara, si dhe njerëz për të punuar në dyqanin e rrobave të përdorura. “Në këtë mënyrë ne kemi për qëllim të ndihmojmë njerëzit në nevojë, pasi punonjësit e rinj të ndërmarrjes sociale do të vijnë kryesisht nga grupe vullnetare si gratë, të rinjtë dhe minoritetet”, thotë Arba.

Sarajeva në rrugën e duhur për një qytet më të gjelbër dhe më të pastër

Me financimin e Bankës Evropiane të Investimeve, rrjeti i tramvajit të Sarajevës përfiton automjete të reja për herë të parë në 40 vite.

Ndërkohë Sarajeva ishte nën administrimin austro-hungarez, qyteti u përdor si një zonë testuese për shpikjet e reja përpara se ato të vendoseshin në Vjenë. Tramvaji i Sarajevës u u lançua si një linjë testuese në ditën e Vitit të Ri 1885, duke e bërë rrjetin e tramvajit të Sarajevës ndër më të vjetrit në Evropë.

Rrjeti i tramvajit vazhdoi të funksiononte për më shumë se një shekull, përfshirë në kohë të vështira si Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore. Gjatë Rrethimit të Sarajevës në vitet 1992-1995, rrjeti i tij ashtu si edhe automjete të shumta janë dëmtuar rëndë, por megjithëse lëvizja e tramvajit u ndërpre për shkak të Rrethimit shërbimi rinisi në prill të 1994-ës. Që atëhërë, rrjeti i tramvajit ka hasur vështirësi, me shumicën e automjeteve afërsisht 40-vjeçare.

“Shumë nga tramvajet që unë ngas janë të njëjtët me të cilët udhëtoja kur isha fëmijë, para 40 vitesh!”

Reduktimi i bllokimit të trafikut, rritja e sigurisë

Hidajet Šarić është 46 vjeç. Ai ka mbi 20 vite që punon si shofer tramvaji në rrjetin e tramvajit të Sarajevës. Ai kujton kur ishte nxënës duke udhëtuar për në shkollë dhe nga shkolla në shtëpi me tramvaj. “Shumë nga tramvajet që unë ngas janë të njëjtët me të cilët udhëtoja kur isha fëmijë,” thotë ai. Hidajet shpjegon se hera e fundit që u blenë automjete të reja ishte pak para Lojërave Olimpike Dimërore që u mbajtën në Sarajevë në vitin 1984.

Me kalimin e viteve, qyteti bleu disa tramvaje të dorës së dytë dhe punoi për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e tyre, por flota ekzistuese është larg cilësisë së tramvajeve të përdorura në qytete të tjera në Evropë dhe më gjerë. Hidajet shpjegon se ai dhe kolegët e tij herë pas here hasin probleme teknike kur tramvajet prishen dhe duhet të tërhiqen për t’u riparuar. Kjo është një procedurë e rrezikshme pasi ato duhet të voziten mbrapsht, përfshirë rrotullime të vështira pa pamje të qartë, gjë që mbart rrezik serioz aksidenti. Ai shton se eksperienca e pasagjerëve nuk është gjithmonë e mirë aq sa duhet, pasi tramvajet nuk kanë kondicionerë.

Megjithatë, këto probleme janë gati të marrin fund me mbështetjen e Bankës Evropiane të Investimeve (European Investment Bank) (EIB) – krahu huadhënës i Bashkimit Evropian – e cila ka ofruar 40 milionë euro për modernizimin e transportit publik të Sarajevës. Këto përmirësime do të rrisin ndjeshëm sigurinë dhe do të reduktojnë bllokimin e trafikutdhe ndotjen e ajrit në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe komunave përreth.

“Sistemi i ri dhe automjetet e pajisura me teknologjinë më të fundit do të na ndihmojë të shtojmë numrin e pasagjerëve që përdorin transportin publik dhe të pakësojë bllokimin e trafikut në qytet duke krijuar një Sarajevë më të pastër dhe më të gjelbër.”

Rreth projektit

EIB ka siguruar 40 milionë euro për rrjetin e transportit urban në Kantonin e Sarajevës. Financimi i siguruar me kushtet më të favorshme do të mundësojë modernizimin dhe zgjerimin e rrjeteve të tramvajit dhe autobusëve duke zëvendësuar automjetet ekzistuese dhe ndërtuar linja të reja të tramvajit. Vendosja e një sistemi tranziti publik më efikas dhe të besueshëm pritet të mundësojë një zhvendosje të udhëtarëve nga mënyrat e transportit privat në atë publik.

Si rezultat, kjo do të ndihmojë në reduktimin e kohës së udhëtimit, emetimeve të gazrave serë, niveleve të zhurmës dhe numrit të aksidenteve rrugore në Kantonin e Sarajevës. Projekti do të kontribuojë në përmbushjen e Strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe objektivave të nismës klimatike të EIB-së për rajonin në lidhje me transportin e qëndrueshëm.

Sarajeva, ashtu si qytetet e tjera në Ballkanin Perëndimor, ka probleme serioze me ndotjen e ajrit. Kjo është pjesërisht rezultat i rritjes së përdorimit të automjeteve për të lëvizur, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit. Adnan Steta, Ministri i Transportit i Kantonit të Sarajevës, shpjegon se ideja për projektin për modernizimin e transportit publik të qytetit erdhi kryesisht nga nevoja për të reduktuar ndotjen e ajrit në qytet. Ai e mirëpret këtë investim dhe mbështetjen e Bankës Evropiane të Investimeve. “Sistemi i ri dhe automjetet e pajisura me teknologjinë më të fundit do të na ndihmojë të shtojmë numrin e pasagjerëve që përdorin transportin publik dhe të pakësojë bllokimin e trafikut në qytet duke krijuar një Sarajevë më të pastër dhe më të gjelbër.”, thotë ai.