Skip to main content

Autor: WeBalkans

Biznes në një çantë shpine

Financimi i BE-së ka ndihmuar një sipërmarrëse nga Bosnje dhe Hercegovina në rrugëtimin e saj për të ngritur një biznes që mbështet rrugëtimet e të tjerëve

Azra Hodžić nga Bosnje dhe Hercegovina ka qenë gjithmonë një udhëtare entuziaste. Përpara pandemisë së COVID-19-ës, ajo udhëtonte për punë dhe për kënaqësi, dhe kishte vizituar vende të shumta. Udhëtimet e bëjnë të lumtur dhe një udhëtim në Berlin para disa vitesh u kthye në pikënisjen e papritur të një nisme të re biznesi.

Azra po kërkonte një çantë shpine që ta përdorte në këtë udhëtim, por edhe kur të kthehej në shtëpi. Ajo nuk po gjente dot një model që përmbushte nevojat e saj të posaçme, ndaj, sapo u rikthye në Sarajevë, projektoi një model që i përshtatej qëllimit të saj dhe e qepi bashkë me të atin.

”Të gjithë më komplimentuan për çantën e shpinës dhe më pyetën se ku e kisha marrë. Kur u thashë se e kisha bërë vetë, njëra nga shoqet më pyeti nëse mund të bëja një për të”.

Çanta e parë e shpinës që Azra projektoi dhe qepi me babanë e saj ishte një model i thjeshtë, por ishte pikërisht ajo që i duhej. Çanta u ra menjëherë në sy kolegëve të saj në shoqërinë ku punonte. ”Të gjithë më komplimentuan për çantën e shpinës dhe më pyetën se ku e kisha marrë. Kur u thashë se e kisha bërë vetë, njëra nga shoqet më pyeti nëse mund të bëja një për të”, thotë Azra.

Pas porosisë së parë, erdhën kërkesa të tjera, deri sa Azra kuptoi se kjo mund të kthehej në një punë konkrete. Ajo krijoi një faqe në media sociale ku reklamonte modele me një sërë dizajnesh. Gjithashtu, asaj i lindi një ide shumë krijuese për emrin e biznesit të saj. Ranac do të thotë ‘çantë shpine’ në gjuhën boshnjake, dhe St do të thotë ‘shën’. Kjo ishte arsyeja për emrin e shoqërisë ST RANAC të Azra-s, por ajo vuri re se, kur këto dy fjalë bëheshin bashkë, merrnin dhe një kuptim tjetër. Stranac në gjuhën boshnjake do të thotë ‘i huaj’.

Biznesi eci mirë për dy vite. Azra projektonte dhe i ati qepte. Megjithatë, rritja e vazhdueshme e numrit të porosive e detyroi Azra-n të gjente një zgjidhje për t’u zgjeruar më tej. Ajo nuk kishte trajnimin e duhur për menaxhimin e biznesit dhe as pajisjet e mbështetjen për marketing dhe reklamim.

“Më parë, nuk kisha mundësi të blija sasi të mëdha materialesh bazë, pasi varesha prej fitimeve nga porositë. Me mbështetjen e BE-së, kalova në nivel tjetër. Tani mund t’i përgjigjem një kërkese më të madhe nga klientët dhe jam gati të kem një shoqëri të madhe”

Rreth EU4Business

EU4Business synon të stimulojë zhvillimin e sipërmarrjes, sektorët për eksport dhe turizmin dhe bujqësinë në Bosnje dhe Hercegovinë. Programi financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian (15 milionë euro nga fondet e paraaderimit) dhe qeveria gjermane (1.1 milionë euro). Projekti zbatohet nga GIZ (Korporata gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar), Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe do të përfundojë në mars të vitit 2022.

Një shok i tregoi për programin EU4Business, që mbështet shoqëritë e reja dhe sipërmarrësit aspirantë për menaxhimin dhe rritjen e biznesit. Azra aplikoi dhe mori trajnimin e nevojshëm të menaxhimit të biznesit, që zgjati për më shumë se dy muaj. Gjithashtu, ajo mori dhe një makinë qepëse industriale të re, që i bëri të mundur babait të saj të prodhonte më shumë produkte për një kohë më të shkurtër, si dhe mbështetje financiare për blerjen paraprake të materialeve bazë në sasi të madhe.

“Më parë, nuk kisha mundësi të blija sasi të mëdha materialesh bazë, pasi varesha prej fitimeve nga porositë. Me mbështetjen e BE-së, kalova në nivel tjetër. Tani mund t’i përgjigjem një kërkese më të madhe nga klientët dhe jam gati të kem një shoqëri të madhe”, thotë Azra.

Teksa bota kërkon për mënyra të reja të udhëtimit në realitetin e COVID-19-ës, Azra ka pritshmëri se biznesi i saj do të rritet më tej. Ajo planifikon ta zgjerojë gamën e produkteve që ofron dhe, së shpejti, t’u ofrojë punësim në shoqërinë e saj dhe personave të tjerë. Ajo ka hasur padyshim sfida, por me pasionin dhe punën e saj të palodhur, si dhe me pak ndihmë nga BE-ja, ka arritur t’ia dalë.

Të rinjtë nga Serbia dhe Kosova pyesin njëri-tjetrin “Si të shoh unë ty?”

Një projekt i financuar nga BE-ja ndihmon të rinjtë të shohin përtej paragjykimeve dhe të shprehin përvojën e tyre syhapëse në filma të shkurtër. Dy organizata kulturore, Dokufest në Prizren dhe Fond B92 në Beograd, janë bërë bashkë për të mbledhur të rinj nga Kosova dhe Serbia për të parë nëse besimet e tyre kundrejt njëri-tjetrit janë me vend. Deri më tani, rreth 40 të rinj patën mundësi të sfidonin paragjykimet e tyre në projektin “How do I see you?” [Si të shoh unë ty?] Një 24-vjeçar nga Prizreni, Ismail Myrseli, shpjegon arsyen e pjesëmarrjes së tij në këtë aktivitet: “Doja të dija se për çfarë interesohet një i ri nga Serbia dhe zbulova, si ngjashmëri, ashtu dhe opinione të kundërta për shoqëritë tona”. Gjatë udhëtimit, Myrseli kaloi kohë me persona nga Kruševac në Serbi, një vend që, për habinë e tij, ngjasonte shumë me qytetin e tij. Një pjesë të shkurtër të kohës ai shpjegoi gjërat që bënte në Kosovë. Pjesën tjetër të kohës, foli për çështjet më me rëndësi për të: interesi për filmat, teatrin dhe kulturën. “Unë besoj se, nëse e mbushim hendekun e informacionit me vlera universale, nuk u lëmë hapësirë ndasive”.

“Doja të dija se për çfarë interesohet një i ri nga Serbia dhe zbulova, si ngjashmëri, ashtu dhe opinione të kundërta për shoqëritë tona”.

Dhe vërtet, organizatorët siguruan që pjesëmarrësit në projekt të ishin të përqendruar te kultura, si mënyrë për të hulumtuar dhe për të shprehur përvojën e tyre në mënyrë krijuese. U zhvilluan workshop-e, vizita në site kulturore dhe, në fund, u krijuan video që i përgjigjeshin pyetjes së thjeshtë se si takimi ballë për ballë me bashkëmoshatarët ndryshoi mënyrën se si e shohin njëri-tjetrin. Për shkak të kufizimeve nga koronavirusi, grupi i parë i vitit 2020 mundi të zhvillonte vetëm telefonata video përmes internetit, por krijimtaria e tyre në krijimin e filmave spikati te videot e shkurtra që krijuan për njëri-tjetrin. Menaxherja e projektit “How do I see you?”, Zana Arapi Xheladini, thotë se këto projekte janë pikërisht ato që u nevojiten të rinjve për t’u njohur vërtet me njëri-tjetrin, si në Kosovë, ashtu dhe në Serbi. Mungesa e informacionit ishte shtysa e idesë së projektit, siç shpjegon ajo. Gjithçka nisi kur anëtarët e ekipit të Dokufest-it ndoqën një festival në Serbi dhe të rinjtë atje u habitën nga ato që po ndodhnin në Prizren, që deri më atëherë nuk i kishin ditur. Zana shton se një pjesë e rëndësishme e projektit është monitorimi i mediave për narrativa kontradiktore dhe ndarja e tyre me pjesëmarrësit e projektit për të krahasuar pikëpamjet e ndryshme.  

“Ne jemi thjesht të rinj, që argëtohemi dhe na pëlqejnë takime dhe filma të tillë”.

Rreth projektit Projekti “How do I see you?” është konceptuar dhe zbatuar nga dy organizata të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia: Dokufest dhe Fond B92. Organizatat besojnë se pikëpamjet e të rinjve mbizotërohen nga paragjykimi dhe pasojat e konfliktit, të cilat janë pengesa që cenojnë mobilitetin e të gjithë rajonit. Projekti është financuar nga fondet e para-aderimit të Bashkimit Evropian, si pjesë e Programit të Shoqërisë Civile dhe Medias për Kosovën 2018-2019. Një pjesëmarrëse nga Serbia shprehet se kjo përvojë ishte një ndër më të mirat e jetës së saj. Sara Ećimović, 23 vjeçe, u lidh menjëherë me një bashkëmoshatar nga Kosova. Përpara se të takoheshin, komunikuan në telefon për ditë me radhë, duke ndarë interesat e përbashkët, si filmat evropianë. “Mësova rreth familjes së tij, muzikës që krijonte dhe planeve të tij për të ardhmen”, thotë Ećimović, e cila ishte pjesë e grupit të parë që mori pjesë në festivalin Dokufest të filmave të shkurtër dhe dokumentarëve në Prizren.  “Më në fund, arrita të vizitoj Prizrenin dhe Kosovën”, shton ajo. Më vonë, në vitin 2021, ajo dhe pjesëmarrësit e tjerë do të shfaqin videot e tyre në festivalin Slobodna Zona në Beograd. Kjo falë të njëjtit program të shkëmbimit kulturor. Ajo e përmbyll duke thënë se “Ne jemi thjesht të rinj, që argëtohemi dhe na pëlqejnë këto takime dhe filma”.

Udhëtim në kohë: si kaloi në epokën digjitale një shkollë në Shkup

Mënyra se si mundësuan burimet për të financuar mjete mësimore moderne dhe digjitale në një shkollë të Maqedonisë së Veriut investimet infrastrukturore në shkallë të gjerë. Njëra nga shkollat më të vjetra në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, është shkolla “25 maji”. E ndërtuar në vitin 1967, aktualisht ajo ndiqet nga 1,500 nxënës. Për thuajse 50 vite nuk ishte kryer asnjë veprimtari domethënëse rinovimi. Dritaret, tualetet, çatia dhe, madje, karriget dhe bankat ishin të njëjtat që prej viteve 1970, duke bërë që shkolla të dukej thuajse si një muze. Fadil Murtezani kish studiuar në këtë shkollë kur ishte fëmijë, në vitet 1970. Ai mban mend se, në atë kohë, shkolla konsiderohej si një nga më luksozet në qytet. Dyzet vite më vonë, në vitin 2011, ai u emërua Drejtor i shkollës. “Çatia pikonte, kishim probleme me të ftohtin në dimër dhe karrigia dhe banka ku ulesha unë ishin ende aty. Pashë emrin tim mbi të,” shprehet ai me nostalgji. Bashkë me ekipin e ri të menaxhimit, Fadili u bë nismëtar për ta përmirësuar situatën sa më parë.

“Investimet infrastrukturore mundësuan burimet për të financuar mjete mësimore moderne dhe digjitale.”

Kursimi i energjisë dhe investimi në mjete digjitale Fillimisht, punimet e rinovimit filluan si një nismë e prindërve. Së pari, u kryen rinovime të vogla, duke lyer gardhin e shkollës dhe duke pastruar oborrin. Megjithatë, këto nuk mjaftonin. Shkollës kishte nevojë për më shumë punime, por nuk kishte fonde. Megjithatë, nxitja dhe entuziazmi i komunitetit vendas tërhoqi vëmendjen e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, që miratoi pa vonesë kërkesën për rinovimin dhe rikonstruksionin e shkollës, financuar me mbështetjen e Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF). WBIF-ja është një platformë e mundësuar nga BE-ja, që mbledh fonde nga burime të ndryshme, ku përfshihet Komisioni Evropian, donatorë dypalësh dhe institucione financiare ndërkombëtare. Si rezultat, shkolla “25 maji” rinovoi çatinë dhe fasadat e godinës së shkollës, ndërroi dritaret dhe rregulloi sipërfaqet e dyshemesë, si dhe sistemet e ngrohjes dhe ato elektrike. Kjo përpjekje modernizimi ka përmirësuar veçanërisht efikasitetin energjetik të shkollës, duke i bërë të mundur kursimin e energjisë dhe përmirësimin e kushteve të mësimdhënies. Kursimet e energjisë, prej më shumë sesa 100% në vit, të ardhura nga këto investime, kanë mundësuar lirimin e burimeve financiare, që u caktuan për qëllime të tjera.

“Tashmë, klasat tona janë më interesante dhe argëtohemi më shumë; e konsiderojmë veten fatlumë dhe ndihemi krenarë për shkollën tonë.”

Rreth projektit Rinovimi i shkollës “25 maji” është pjesë e një projekti në shkallë të gjerë, që përfshin ndërtimin e 70 godinave të reja të edukimit fizik në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe rinovimin e 60 shkollave fillore dhe të mesme në mbarë Maqedoninë e Veriut. Projekti ka përfituar nga një investim i kombinuar i granteve dhe kredive të kanalizuara përmes Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor, të mundësuar nga BE-ja. Në të përfshihen dy grante të mundësuara nga kontributet e donatorëve dypalësh të WBIF-së, si dhe dy kredi në shumën totale 42.5 milionë euro nga Banka për zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB).   Rreth WBIF-së Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) është një platformë koordinimi e donatorëve që mbledh fonde nga burime të ndryshme, duke përfshirë Komisionin Evropian. WBIF-ja ofron financim dhe asistencë teknike për investimet strategjike në sektorët e energjisë, mjedisitsocialtransportit, dhe infrastrukturës digjitale. Ai gjithashtu mbështet nismat për zhvillimin e sektorit privat.  WBIF-ja është një nismë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve dypalësh dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor. Akses më i mirë për të gjithë Tashmë, mësuesit dhe nxënësit e shkollës kanë mobilie dhe pajisje mësimore të reja, si dërrasa të bardha interaktive dhe videoprojektorë në çdo klasë, duke bërë të mundur përmirësimin e aftësive digjitale të nxënësve. “Tashmë, klasat tona janë më interesante dhe argëtohemi më shumë; e konsiderojmë veten fatlumë dhe ndihemi krenarë për shkollën tonë”, thotë Anila Ibishi, nxënëse e klasës së nëntë në këtë shkollë. Krahas ofrimit të një aksesi digjital më të mirë, rinovimet kanë përmirësuar edhe aksesin për nxënësit me aftësi të kufizuara. Shkolla është kthyer në shembull dhe institucione të tjera arsimore në Maqedoninë e Veriut po e përdorin si pikë referimi për aksesin në infrastrukturë arsimore të përshtatshme.  Arritja e standardeve arsimore evropiane në shkollën “25 maji” ka tërhequr vëmendjen e nxënësve të rinj, duke rritur numrin e regjistrimeve. Fadili thotë me krenari se “Përqindja e regjistrimit është rritur ndjeshëm pas rinovimit, pasi po aplikojnë dhe banorë nga bashki të tjera”.

Mbjellja e farave të suksesit

Kthim te rrënjët: një i ri emigrant kthehet në Shqipëri dhe bëhet sipërmarrës i suksesshëm me mbështetjen e BE-së. Mikel Hoxha u largua nga Shqipëria për të punuar në ndërtim në Greqi. Ai tregon se iu desh të shkonte në Greqi për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe mungesës së vendeve të punës dhe prospekteve profesionale në atdheun e tij. Ai punoi atje për disa vite në sektorin e ndërtimit, ku puna ishte e vështirë dhe jetesa nuk po bëhej më e lehtë. Për këtë arsye, dhjetë vjet më parë ai vendosi të kthehej te rrënjët e tij në Fier dhe të provonte fatin në vendin e tij. Bashkë me pjesëtarë të tjerë të familjes, ai nisi një biznes të ri, por nuk ia merrte kurrë mendja se do të kishte suksesin aktual. Menjëherë pas kthimit nga Greqia, ai ndërtoi një serë të vogël. Ideja e tij kishte të bënte me rritjen e perimeve në sasi të vogël, t’ua shpërndante tregjeve pranë dhe të siguronte të ardhura për veten dhe familjen e tij. Në atë periudhë, ai ishte i pari në qarkun e tij për këtë lloj biznesi bujqësor, pasi asnjë nga fshatarët e qytezës së tij dhe zonave përreth nuk kishin sera. Gjithashtu, atij i kujtohet se fillimi ishte tepër i vështirë pasi nuk kishte shumë para për investim dhe nuk pati as mbështetje nga qeveria ose institucione të tjera. Megjithatë, me kalimin e kohës, puna e tij e palodhur dhe qasja novatore qenë të frytshme dhe ai zhvilloi një tjetër lloj biznesi bujqësor që u rrit gradualisht dhe e bëri Mikelin një sipërmarrës të rëndësishëm në zonë.

“I pashë farërat si mundësi e mirë dhe vendosa ta zgjeroj serën për të prodhuar farëra për t’ua shitur fermerëve të tjerë”.

Ç’të mbjellësh, do të korrësh Një nga parakushtet më të rëndësishëm për bujqësinë është pasja e farërave dhe fidanëve me cilësi të lartë dhe çmime të arsyeshme. Duke qenë se Mikeli nuk kishte para për të importuar farëra, ai filloi t’i kultivonte ato vetë për nevojat e serës së tij të vogël.  Përmes praktikës, ai ia mori dorën dhe fshatarët nga zona përreth, që kishin krijuar serat e tyre, filluan të porosisnin farëra nga ai. “I pashë fidanët si mundësi e mirë dhe vendosa ta zgjeroj serën për të prodhuar farëra për t’ua shitur fermerëve të tjerë”, thotë Mikeli. Me kalimin e viteve, Mikeli u kthye në një nga sipërmarrësit kryesorë të shitjes së farërave në zonën e tij. Aktualisht, ai prodhon dhe shet mbi 12 milionë fidanë në vit. Krahas kësaj, ai ka eksportuar fidanë shalqiri në Malin e Zi dhe, vitin e kaluar, nisi eksportimin e sasive të vogla të fidanëve drejt Italisë dhe Bullgarisë. Biznesi ishte në rritje të vazhdueshme, por Mikelit i nevojitej mbështetje për ta zgjeruar më tej. Ai dëgjoi për programin e financuar nga BE-ja Instrumenti i Asistencës së Para-aderimit për Zhvillim Rural (IPARD) dhe, meqenëse përmbushte më së miri kushtet e pranueshmërisë, vendosi të aplikonte.

“Mbështetja nga BE-ja ishte një pikë ku mund të bëja hapin e madh nga të qenët fermer në të qenët një sipërmarrës i vërtetë në biznesin e farërave”.

Rreth programit Pjesë e Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA), i projektuar për të mbështetur vendet në proces aderimi në BE, Instrumenti i Asistencës së Para- Aderimit për Zhvillim Rural (IPARD) përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë në këto vende. Përmes këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë financiare dhe teknike për të bërë sektorin e tyre bujqësor dhe zonat rurale më të qëndrueshme dhe për t’i harmonizuar ato me Politikën e përbashkët bujqësore të BE-së. Kalimi drejt sipërmarrjes Me mbështetjen e IPARD-it, Mikeli ngriti një tjetër serë moderne prej 4830m2, të pajisur me teknologjinë dhe sistemet e nevojshme që bëjnë të mundur mbjelljen dhe kultivimin vjetor të fidanëve. “Mbështetja nga BE-ja ishte një pikë ku mund të bëja hapin e madh nga të qenët fermer në të qenët një sipërmarrës i vërtetë në biznesin e farërave”, thotë Mikeli. Mbështetja nga IPARD-i mbuloi 65% të investimit dhe për pjesën e mbetur iu desh të merrte një hua bankare. Mikeli kishte provuar dhe më parë të merrte hua në bankë për zgjerimin e biznesit e tij, por nuk ia kishte dalë. Ai shpjegon se kur iu dha mbështetja nga IPARD-i, bankat ishin të gatshme të mbulonin pjesën e mbetur. Aktualisht, Mikeli ka 25 të punësuar dhe po planifikon ta zgjerojë fuqinë punëtore në të ardhmen. Gjithashtu, ai bleu dhe tokë të re pasi porositë për fidanë janë në rritje. “Bujqësia është biznes shumë i mirë për sa kohë je i gatshëm të punosh fort dhe të ruash cilësinë e produkteve të tua”, thotë ai.

Shijet vendase përballë klientëve botërorë

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet Shqipërinë dhe Malin e Zi për promovimin e kuzhinës vendase në nivel ndërkombëtar. Ivana Babović jeton në fshatin piktoresk Konjuhe pranë Andrijevica në veri të Malit të Zi. Fshati gjendet larg bregdetit dhe vendeve të tjera të Malit të Zi që njihen nga vizitorët. Bujqësia ka qenë burimi kryesor i të ardhurave për Ivanën, katër fëmijët dhe bashkëshortin e saj, deri pesë vjet më parë, kur përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit Rajonal për Bjelasica, Komovi dhe Prokletije vizituan fshatin e tyre. Ata kishin shkuar të flisnin për përfshirjen e mundshme të fshatarëve në biznes përmes një projekti të financuar nga BE-ja. Ivana thotë se kjo habiti atë vetë dhe mikeshat e saj në fshat, pasi fshati i tyre vizitohej rrallë nga të tjerët, aq më pak nga persona që i ftuan të përfshiheshin në biznes. Krahas bukurive natyrore dhe arkitekturës tradicionale, zona e Ivanës ka dhe një kuzhinë tradicionale të pasur. Kjo vjen si rezultat i begatisë së frutave dhe perimeve organike, që kanë frymëzuar një sërë recetash tradicionale, pak të njohura për personat e jashtëm deri në fillimin e këtij projekti. Disa nga pjatat karakteristike përfshijnë qullin e përgatitur nga misri i bluar në mënyrë tradicionale në mullirin e fshatit; byrekët me lëpjeta dhe djathë të bërë në shtëpi; gjellët me mish organik; dhe rakinë e bërë në shtëpi.

“Kur filluam trajnimin e parë, nuk ishim shumë optimistë për rezultatin dhe persona të tjerë nga fshati ishin dyshues dhe deri diku na vinin në lojë, duke na thënë se ‘po shkoni në shkollë’. Por, kur erdhi vizitori i parë, gjërat ndryshuan.”

  Një rrugëtim nga fshati drejt klientëve ndërkombëtarë  Ivana ishte ndër gratë e para që ranë dakord të përfshiheshin në projekt. Ajo ishte mësuar të gatuante për familjen e saj dhe të priste familjarë dhe miq, por të gatuarit dhe pritja e të huajve në këmbim të kompensimit financiar ishte diçka krejtësisht e re për të. “Deri atëherë unë isha një shtëpiake. Nuk dija asgjë për biznesin dhe vendimi për t’u bërë sipërmarrëse nuk ishte i lehtë”, thotë ajo. Megjithatë, projekti i mundësoi mbështetje të plotë me aftësi që kishin të bënin me pritjen profesionale, si sjellja me vizitorët, paraqitja e ushqimit dhe ofrimi i aktiviteteve për turistët. “Besomëni, kur filluam trajnimin e parë, nuk ishim shumë optimistë për rezultatin dhe persona të tjerë nga fshati ishin dyshues dhe deri diku na vinin në lojë, duke na thënë se ‘po shkoni në shkollë’. Por, kur erdhi vizitori i parë, gjërat ndryshuan”, thotë Ivana. Vizitorja e parë ishte një e re nga Belgjika, e cila qëndroi tri ditë, duke jetuar dhe gatuar me familjen. Pesë vite më vonë, Ivana dhe familja e saj presin rregullisht vizitorë nga mbarë bota dhe turizmi është kthyer në burimin kryesor të të ardhurave për familjen e saj. Njëra nga vajzat e saj po studion për turizëm dhe është duke menduar për zgjerimin e mëtejshëm të biznesit. Projekti i Bashkëpunimit Ndërkufitar (CBC) i financuar nga BE-ja për kuzhinën lokale si ofertë turistike e rajonit ndërkufitar përbëhet nga dy elemente kryesore. Ivana dhe familja e saj përfituan nga elementi i rrugëve të gastronomisë, që përfshinte mbështetjen për familjet e fshatit dhe lidhjen e fshatrave në Shqipëri dhe Mal të Zi me njëri-tjetrin për të ofruar një koncept turizmi të integruar të bazuar te rrugët, me fokus te gastronomia. Një element po aq i rëndësishëm i projektit ishte përfshirja e recetave tradicionale vendase në ofertën turistike duke hulumtuar dhe ruajtur gatimet rajonale dhe duke i përdorur këto gatime në restorantet vendase dhe rrugët e gastronomisë, që përfshinin zhvillimin e pikave të shijimit në shtëpitë rurale. Synimi ishte risjellja e disa prej gatimeve të harruara dhe trajnimi i shefave të kuzhinës dhe kuzhinierëve vendas për t’i përgatitur ato, në mënyrë që këto gatime të mund të përfshiheshin në menutë e hoteleve dhe restoranteve vendase.

“Jemi shumë krenarë për suksesin e librit tonë të gatimit, pasi ky sukses nuk vlen vetëm për projektin tonë, por edhe për vendet e përfshira në këtë projekt.”

Rreth projektit Projekti i financuar nga BE-ja, “Kuzhina lokale si ofertë turistike e rajonit ndërkufitar” filloi në vitin 2018 dhe përfundoi në vitin 2020. Synimi i projektit ishte përmirësimi i konkurrueshmërisë së sektorit të turizmit duke përfshirë gastronominë vendase në ofertën e përgjithshme turistike të zonës ndërkufitare. Projekti u zbatua nga RDA Bjelasica, Komovi i Prokletije dhe Organizata Kombëtare e Turizmit nga Mali i Zi, në bashkëpunim me Eco-Partners for Sustainable Development dhe Bashkinë Pukë në Shqipëri. Jelena shpjegon se ushqimi është i ngjashëm në të dyja anët e kufirit, e megjithatë ka shije dhe veçori karakteristike. Ky element i rëndësishëm ndërkufitar ka pasuruar projektin dhe ofertën turistike të rajonit. Libri i gatimit i krijuar nga projekti zuri vendin e dytë në botë në kategorinë e botimeve më të mira të kulinarisë dhe vend të parë në kategorinë e turizmit ushqimor në konkursin e Ditës Botërore të Gastronomisë së Qëndrueshme. Nga muaji qershor deri në shtator, libri është i ekspozuar në Muzeun Alfred Nobel në Suedi. “Jemi shumë krenarë për suksesin e librit tonë të gatimit, pasi ky sukses nuk vlen vetëm për projektin tonë, por edhe për vendet e përfshira në këtë projekt për CBC”, thotë Jelena Krivčević, menaxhere e projektit.

Sipërmarrësja nga Bosnje dhe Hercegovina, e frymëzuar nga bebet

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet një nënë sipërmarrëse në rrugëtimin e saj për të ngritur një biznes novator. Mirna Perendija është një nënë e tri fëmijëve nga Sarajeva, Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo punoi për një kohë të gjatë në një sërë punësh, që nga sektori bankar deri në tregti. Trembëdhjetë vjet më parë ajo u bë nënë për herë të parë dhe fëmija i saj, krahas lumturisë dhe gëzimit, shërbeu si zanafillë për një biznes novator. Sot, trembëdhjetë vite më vonë, ajo është pronarja e një shoqërie të vogël që po lulëzon, me mbështetjen e BE-së. Krahas mbulimit të tregut vendas, ajo po planifikon ta hedhë produktin e saj dhe në tregun e BE-së. Mirna mban mend se, në kohën kur u bë prind, në Bosnje dhe Hercegovinë nuk kishte mbajtëse ergonomike bebesh. Ajo mundi të merrte një të tillë me ndihmën e miqve që jetonin jashtë vendit. Për fëmijën e saj të dytë, vendosi ta qepte vetë transportuesin e bebes dhe atëherë filloi të mendonte se mbajtëset e bebeve mund të ishin ide e mirë biznesi. Ato do të zgjidhnin problemin e shumë prindërve të tjerë, të cilët, sikurse Mirna, ishin të detyruar t’i importonin ose blinin ato nga jashtë me ndihmën e miqve dhe të afërmve.

“Atëherë vendosa se nuk do të punoja më për të tjerët, por do të punoja për të zhvilluar biznesin tim”.

Nga punë me kohë të pjesshme në biznes me kohë të plotë Fillimisht, Mirna prodhonte mbajtëse bebesh për miqtë, të afërmit dhe kolegët, si punë me kohë të pjesshme nga shtëpia. Megjithatë, me kalimin e kohës kërkesat filluan të shtoheshin, dhe në vitin 2015 ajo mori vendimin ta kthente këtë punë me kohë të pjesshme në një sipërmarrje më të madhe. “Vendosa që nuk do të punoja më për të tjerët, por do të punoja për të zhvilluar biznesin tim”, thotë ajo. Ajo i përmirësoi vazhdimisht produktet e saj duke modifikuar, përshtatur dhe përsosur modelin dhe funksionalitetin e mbajtëseve të saja të bebeve. Me rritjen e kërkesës, ajo punësoi punonjës me kohë të pjesshme që e ndihmuan me prodhimin. Megjithatë, pas një farë kohe, iu desh të bënte një hap më të madh. Asaj i mungonte informacioni për menaxhimin e biznesit dhe aftësitë për zgjerimin e mëtejshëm të biznesit të saj, dhe i duheshin edhe makineri. Ajo mësoi për projektin EU4Business të financuar nga BE-ja. “E pashë këtë mundësi në Facebook dhe mendova “kjo është pikërisht ajo që më nevojitet”, ndaj vendosa të aplikoja”, thotë Mirna.

“Besoj fort në sipërmarrjet nga gratë dhe mendoj se sipërmarrëset gra mund të bëjnë mrekulli me pak mbështetje. Prandaj, shpresoj se do të mund të punësoj të paktën tri nëna të tjera beqare në shoqërinë tonë, pasi dhe unë kam qenë nënë beqare.”

Rreth projektit EU4Business synon të stimulojë zhvillimin e sipërmarrjes, sektorët për eksport dhe turizmin dhe bujqësinë në Bosnje dhe Hercegovinë. Buxheti i përgjithshëm i financimit të EU4Business është 16 milionë euro, që financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian (15 milionë euro) dhe qeveria gjermane (1.1 milionë euro). Projekti zbatohet bashkërisht nga GIZ (Korporata gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar), Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe do të përfundojë në mars të vitit 2022. Me mbështetjen e projektit EU4Business, Mirna u trajnua për aftësitë e menaxhimit të biznesit dhe iu dha një shumë prej €5,000 si mbështetje financiare, me të cilën bleu një makineri më të mirë. Nëpërmjet këtij investimi, ajo arriti të rriste cilësinë dhe sasinë e prodhimit dhe tani mban certifikimet e nevojshme ndërkombëtare për produktet për eksport në shtetet anëtare të BE-së. Ajo është duke planifikuar zgjerimin e mëtejshëm të biznesit të saj dhe rritjen e mëtejshme të numrit të punonjësve dhe bashkëpunëtorëve. “Besoj fort në sipërmarrjet nga gratë dhe mendoj se sipërmarrëset gra mund të bëjnë mrekulli me pak mbështetje. Prandaj, shpresoj se do të mund të punësoj të paktën tri nëna të tjera beqare në shoqërinë tonë, pasi dhe unë kam qenë nënë beqare”, thotë Mirna.

Furnizim me ujë të sigurt për vite me radhë

Nga i pamjaftueshëm në të qëndrueshëm: si një projekt i mbështetur nga BE-ja e shpëtoi kryeqytetin e Kosovës nga mungesa e ujit. Prej më se tri dekadash, Musa Hasani ka punuar si një operator telefonik në një shoqëri rajonale e ujësjellësit në Prishtinë. Puna e tij duket e thjeshtë: ai u përgjigjet telefonatave të klientëve dhe i përcjell ankesat në seksionet përkatëse të ujësjellësit. Por, rreth vitit 2000, kjo punë e thjeshtë u bë e tensionuar dhe stresuese.  Musai kujton se merrte mbi 200 telefonata në ditë, shumica e të cilave ishin ankesat e pareshtura të klientëve lidhur me mungesën e ujit. Pas luftës në vitin 1999, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, u përball me një migrim të madh të njerëzve të ardhur nga vende të tjera të Kosovës. Një infrastrukturë e shërbimeve publike që ishte projektuar për rreth 150,000 banorë, tashmë duhej të përballej me një popullsi prej mbi 300,000 banorësh. Gjatë dekadës në vijim, ndërprerjet e ujit mund të zgjasnin për më shumë se dhjetë orë në ditë në çdo lagje të Prishtinës. “Njerëzit ishin të zemëruar, pasi kjo kishte një ndikim të konsiderueshëm në cilësinë e jetës së tyre. Ata na e përcillnin këtë zemërim përmes telefonit”, kujton Musai.

“Në muajin mars 2014, liqeni i Badovcit kishte ujë të mjaftueshëm që mund të zgjaste për një muaj ndërsa Batllava për dy. Nëse nuk do të kishim një periudhë me reshje të dendura shiu gjatë muajit prill, Prishtina dhe komunat përreth do të kishin mbetur pa ujë të pijshëm”.

Një përrallë e dy liqeneve Sokol Xhafa është Drejtor i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit të Prishtinës. Ai kujton se në vitin 2010 kompania ndërmori disa ndërhyrje që deri diku e përmirësuan situatën. Por nevojitej një zgjidhje afatgjatë. Në atë kohë, burimet e vetme të shpërndarjes së ujit ishin dy rezervuarë artificialë afër Prishtinës: Liqenet e Batllavës dhe Badovcit. Sasia e ujit në këto liqene varet nga reshjet e shiut. Dhe meqenëse ndryshimet klimatike kanë ndikuar në nivelet e ujit të liqeneve, furnizimi mund të luhatet ndjeshëm nga akumulimi i tepërt i ujit në nivelet e thatësirës. Në vitin 2014, kosovarët përjetuan mungesën më të rëndë të ujit në tri dekada. “Në muajin mars 2014, liqeni i Badovcit kishte ujë të mjaftueshëm që mund të zgjaste për një muaj ndërsa Batllava për dy. Nëse nuk do të kishim një periudhë me reshje të dendura shiu gjatë muajit prill, Prishtina dhe komunat përreth do të kishin mbetur pa ujë të pijshëm”, shprehet Xhafa. Por, situata ndryshoi për mirë me mbështetjen e projektit të Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës prej 35 milionë euro si dhe një grant prej 5 milionë eurosh nga BE-ja. Falë këtij investimi dhe financimi, të kanalizuar përmes Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor, projekti e shpëtoi Prishtinën nga problemet e mungesës së ujit për vite me radhë dhe siguroi një furnizim të qëndrueshëm me ujë për rajonin përreth. Projekti përfshinte zhvillimin e një burimi të ri uji nga Liqeni i Ujmanit.Infrastruktura mundëson që uji të kanalizohet nga Kanali i Ibrës drejt impiantit të sapondërtuar të trajtimit të ujit në Shkabaj. Impianti i ri përfshin një laborator, një dhomë operacioni dhe zyra, seminare dhe hapësira sociale.

 “Nëse nuk do të kishim impiantin e ri, do të duhej të kishim shpallur gjendjen e emergjencës, dhe si rrjedhojë, Prishtina dhe komunat përreth do të përballeshin çdo ditë me ndërprerje të rregullta të ujit deri në 12 orë përgjatë dy viteve të fundit.”

Rreth projektit Projekti i Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës ka përfituar nga një investim i kombinuar i granteve dhe kredive të kanalizuara përmes Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Investimi përfshinte 5 milion euro mbështetje granti nga Bashkimi Evropian, një hua prej 20 milion euro nga Banka për Zhvillim KfW në emër të Ministrisë Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe një kontribut prej 10 milion euro nga Kompania Rajonale e Ujit.  Rreth WBIF Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) është një platformë koordinimi i donatorëve që mbledh fonde nga burime të ndryshme, duke përfshirë Komisionin Evropian. WBIF ofron financim dhe asistencë teknike për investimet strategjike në sektorët e energjisëmjedisitsocialtransportit, dhe infrastrukturës digjitale. Ai gjithashtu mbështet nismat për zhvillimin e sektorit privat.  WBIF është një nismë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve dypalësh dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor. “Vitet 2019 dhe 2020 ishin vitet me sezonin më të gjatë të thatësirës prej kohësh. “Nëse nuk do të kishim impiantin e ri, do të duhej të kishim shpallur gjendjen e emergjencës, dhe si rrjedhojë, Prishtina dhe komunat përreth do të përballeshin çdo ditë me ndërprerje të rregullta të ujit deri në 12 orë përgjatë dy viteve të fundit”, shprehet Sokol Xhafa. Furnizimi me kosto efikase dhe i qëndrueshëm Uji nxirret nga burimi natyror dhe kanalizohet përmes një tubacioni ku uji qarkullon lirshëm drejt një stacioni ku pompohet në impiantin e ujit për t’u trajtuar, përpunuar dhe filtruar. Ujësjellësi në Shkabaj ka një kapacitet prej 700 l/s: mjaftueshëm për të siguruar furnizim me ujë me kosto efikase dhe të qëndrueshëm për komunat e Prishtinës, Obiliqit, Fushë Kosovës, Graçanicës dhe Podujevës. Musa Hasani pa dyshim e ka vënë re ndryshimin e bërë nga ky projekt, me më shumë kënaqshmëri të konsumatorëve dhe cilësi më të madhe të jetesës për banorët e Prishtinës dhe rajonit të saj, si dhe më pak telefonata zemërimi për të menaxhuar. Infrastruktura e re ka sjellë gjithashtu përparime teknologjike, të cilat u mundësojnë autoriteteve të monitorojnë nivelet e ujit të Liqeneve të Badovcit dhe Batllavës, duke siguruar kështu qëndrueshmërinë e burimeve ujore të rajonit.

Gladiatorët rikthehen në teatrin e Stobit

Financimi i BE-së i ka mundësuar një OJF-je nga Maqedonia e Veriut që të zhvillojë një mjet të realitetit virtual i cili të rikthen në dyluftimet e gladiatorëve të 1,500 viteve më parë. Stobi në Maqedoninë e Veriut ka qenë dikur një ndër qytetet më të rëndësishme në Evropë. Nga viti 200 p.e.s. dhe për shtatë shekujt në vijim, ai luajti një rol të rëndësishëm në perandorinë romake. I ndodhur në kryqëzimin e rrugëve tregtare, ai u kthye në një qytet me rëndësi, i cili kishte edhe monedhat e veta. Gjatë periudhës romake, Stobi ishte kryeqyteti i provincës romake e njohur si Macedonia Salutaris, dhe qytetarët e saj gëzonin të njëjtin status si qytetarët e Romës. Ashtu si në çdo qytet të rëndësishëm romak, dyluftimet e gladiatorëve ishin një pjesë e pandashme e kulturës urbane. Sot, Stobi është një sit i rëndësishëm arkeologjik me bazilika të krishtera, banjë publike, teatër, sinagogë, rrënojat e rrugëve dhe shtëpive të mëdha, madje edhe të një kazinoje. Edhe pse jeta e qytetit mund të mos gjallërohet më, gladiatorët e tij po rikthehen! Në Maqedoninë e Veriut, koncepti i përdorimit të siteve kulturore dhe historike si destinacione turistike është ende në fillesat e veta. Sitet arkeologjike shpesh nuk kanë panele të mira prezantuese dhe informuese; rrëfimi i historisë rrallëherë shkon përtej broshurave dhe posterave, dhe thuajse nuk ka aspak angazhim të publikut në sit. Por tregu tepër konkurrues turistik kërkon që sitet e trashëgimisë kulturore të zhvillojnë strategji dhe bashkëpunim me industritë krijuese për t’i ndihmuar sitet që të dallojnë nga të tjerat. Një opsion i tillë është përdorimi i zgjidhjeve novatore, i tillë si një aplikacion i një turi të realitetit virtual (VR) si një mjet për të eksploruar dhe ringjallur trashëgiminë kulturore. Teknologjia VR i ofron publikut një mundësi për t’u zhytur në një rindërtim realist të ngjarjeve dhe historive që përfaqësojnë më së miri një sit të caktuar të trashëgimisë kulturore.

“Mjedisi 3D paraqet brendësinë e arenës së gladiatorëve dhe projekton një ceremoni hapëse përpara zhvillimit të dyluftimit, si dhe një turmë të përgjithshme, duke u ngjallur vizitorëve ndjesinë se ata janë pjesë e audiencës.“

Virtualisht mes gladiatorëve Në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Stobit dhe me mbështetjen e financimit të BE-së, OJF-ja Center for Social Innovations Blink 42-21 zhvilloi një aplikacion të realitetit virtual që do t’u ofrojë vizitorëve të Stobit një shfaqje dyluftimi të gladiatorëve brenda teatrit të vjetër. Milan Tancheski, menaxher i projektit, shpjegon se aplikacioni VR përfshin vizualizimin 3D dhe rindërtimin e teatrit. Kjo u mundëson vizitorëve të fitojnë një kuptim më të thellë dhe më të plotë të hapësirës, me pamje të lirë të strukturave dhe monumenteve kryesore që nuk ekzistojnë më. “Mjedisi 3D paraqet brendësinë e arenës së gladiatorëve dhe projekton një ceremoni hapëse përpara zhvillimit të dyluftimit, si dhe një turmë të përgjithshme, duke u ngjallur vizitorëve ndjesinë se ata janë pjesë e audiencës”, shprehet Milan. Zhvillimi i këtij projekti ishte sfidues. Qyteti ka vetëm rrënoja, kështu që fillimisht përgatitëm skenarin dhe historinë si bazë për zhvillimin e modeleve 3D si për personazhet dhe arkitekturën përreth. Si pjesë e procesit, një arkitekt projektoi një plan të teatrit të vjetër dhe e ktheu atë në një model 3D. Si pjesë e fundit e aktivitetit, projekti duhej të zhvillonte modele 3D në madhësi reale për gladiatorët dhe për rreth 700 personazhe të audiencës. Për këtë qëllim, ata u konsultuan nga afër me ekspertë dhe përdorën të dhëna historike, në mënyrë që përvoja të ishte sa më realiste dhe e bazuar në fakte.

“Në kohët e tij të arta,  teatri kishte 7,000 vende, dhe arritëm të projektojmë dhe të sjellim në jetë 700 personazhe, shumica e tyre dinamikë: duke brohoritur ose në këmbë. Kështu ju shihni personin pranë, prapa ose përpara jush duke brohoritur, në këmbë ose ulur.”

Rreth projektit Projekti Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, ka vlerë 5 milionë euro. Ky projekt punon për zhvillimin dhe promovimin ndërkombëtar të ofertave të përbashkëta rajonale të turizmit kulturor dhe aventuresk, duke rritur numrin e turistëve që vizitojnë gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe duke zgjatur qëndrimin e turistëve në rajon. Blink 42-21 ishte ndër përfituesit e grantit në raundin e dytë të granteve, me vlerë deri në 54,000 euro secili, të dhëna në muajin tetor 2019. Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal është një kuadër bashkëpunimi gjithëpërfshirës, në pronësi dhe i udhëhequr nga rajoni me qëllim promovimin e bashkëpunimit, pajtimit dhe zhvillimit ekonomik dhe social të rajonit. Ai mbështetet financiarisht nga BE-ja. Nëse vizitoni Stobin tani, mund të kërkoni një set realiteti virtual, i përbërë nga një laptop dhe syze VR. Më pas, ju do të uleni në një vend të caktuar në teatër. Momentin që vendosni syzet dhe ndizni pajisjet, ju udhëtoni 1500 vjet prapa dhe gjeni veten të rrethuar nga një publik dhe mund të shijoni një ceremoni gladiatorësh që zhvillohet në skenën qendrore të teatrit. “Në kohët e tij të arta,  teatri kishte 7,000 vende, dhe arritëm të projektojmë dhe të sjellim në jetë 700 personazhe, shumica e tyre dinamikë: duke brohoritur ose në këmbë. Kështu ju shihni personin pranë, prapa ose përpara jush duke brohoritur, në këmbë ose ulur”, shprehet Milan.

Të jetosh një jetë të ndotur urbane

Një organizatë mjedisore gjeneron të dhëna për të nxjerrë në pah një problem të fshehur por të qartë në qytetet e Shqipërisë. Tirana është një qytet plot gjallëri, ku jeton një e treta e popullsisë së vendit. Me 0.85 milionë banorë, e në rritje, Tirana është një qytet ku shkrihen kulturat dhe ku çdokush kërkon një mundësi për t’u arsimuar dhe bërë biznes. Por kryeqyteti ka një infrastrukturë të kufizuar të transportit publik që i shtyn njerëzit të përdorin më shumë automjete, dhe kërkesa për banesa ka rritur ndjeshëm industrinë e ndërtimit në këto tri dekadat e fundit. E gjithë kjo ndikon ndjeshëm në cilësinë e jetës si rrjedhojë e niveleve të përhershme të ndotjes së ajrit. Në një vend me shumë pak monitorë, shqiptarëve u ngelet vetëm të hamendësojnë rreth cilësisë së ajrit që thithin. Por një organizatë e mirëfilltë mjedisore, Milieukontakt, dëshironte ta ndryshonte këtë. Ajo synonte të maste ndotjen në një shkallë të gjerë: pesëqind vendndodhje. Njëkohësisht, dëshironte të përfshinte sa më shumë njerëz me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të këtij problemi të fshehur, por të qartë mjedisor.

“Çdokush që jeton në Tiranë është i ndërgjegjshëm për cilësinë e dobët të ajrit, por tashmë ne kemi të dhënat për të mbështetur saktësisht se sa rëndë është.”

“Çdokush që jeton në Tiranë është i ndërgjegjshëm për cilësinë e dobët të ajrit, por tashmë ne kemi të dhënat për të mbështetur saktësisht se sa rëndë është,” shprehet Arion Sauku, Koordinator projekti për projektin Mushkëri të Gjelbra, i cili ishte i pari në llojin e tij që ofronte këto të dhëna gjithëpërfshirëse për problematikën. Duke përdorur teknika alternative monitorimi, projekti mati ndotjen me pajisje matëse të lëvizshme në qindra vendndodhje në kryeqytet. Këto përfshinin qendrën me gjallëri të qytetit, zonat gumëzhitëse pranë shkollave, si dhe stacionet e autobusëve në linjat më të gjata të Tiranës. Projekti Mushkëri të Gjelbra mori parasysh tetë parametra të ndryshëm për matjen e ndotësve. “Ndotësit më të mëdhenj të ajrit janë industritë e transportit dhe ndërtimit. Nivelet e matura rregullisht i tejkalojnë normat e BE-së, dhe në disa raste, ato janë tre ose katër herë më të larta”, shprehet Sauku. Përgjatë një periudhe trevjeçare, projekti “Mushkëri të Gjelbra”, i financuar nga BE-ja, e zgjeroi monitorimin e tij në tre qytetet e tjera më të mëdha: Durrës, Elbasan dhe Shkodër. Rezultati: të njëjtit ndotës të nxitur nga ato që kërkohen më shumë: banesa dhe automjete. Industria e ndërtimit nuk zbaton standarde mjedisore, duke çuar në nivele të larta të grimcave të pluhurit përgjatë të gjithë vitit. Ndërkohë, ndotës të përhershëm janë edhe automjetet jashtë standardeve, të cilat shkarkojnë grimca të rrezikshme gjatë djegies së karburantit. Të dhënat tregojnë se në vend përdoren rreth 700 mijë automjete.

 “Vendimmarrësit kanë në dispozicion një tepri informacionesh rreth të tre komponentëve për të vepruar; ne kemi gjeneruar të dhëna, harta të ilustruara dhe përshkrime që përcaktojnë pikat e nxehta.”

Rreth programit Projekti “Mushkëri të Gjelbra” ka projektuar dhe zbatuar një platformë alternative dhe gjithëpërfshirëse për monitorimin e cilësisë së ajrit, ndotjes së zhurmës dhe vlerësimit të shërbimeve të ofruara nga ekosistemi urban i gjelbërimit. Kjo u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërsektorial ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile dhe zhvillimin e kapaciteteve të Organizatave të Shoqërisë Civile.   Këta sektorë kërkojnë ndërhyrje të shpejtë dhe të vazhdueshme për të reduktuar ndotjen e ajrit, tashmë që problemi mund të mbështetet me të dhëna të shumta dhe gjithëpërfshirëse. Por me sa duket ky problem është përhapur edhe në zona të tjera urbane të rajonit. Niveli i ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor është një ndër më të lartit në Evropë, me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve. Ndaj, Bashkimi Evropian ka përcaktuar eliminim e ndotjes, duke përfshirë të ujit dhe tokës, ndër fushat kryesore që duhet të trajtohen në kuadër të Agjendës së Gjelbër. Është një strategji e re e rritjes që aspiron të kalojë nga modeli tradicional ekonomik në një ekonomi të qëndrueshme, në përputhje me Paktin e Gjelbër Evropian. Krahas matjeve të cilësisë së ajrit, platforma alternative e ngritur nga “Mushkëri të Gjelbra” monitoroi edhe ndotjen e zhurmës së shkaktuar nga aktivitetet njerëzore, si dhe ekosistemin e gjelbërimit urban. “Vendimmarrësit kanë në dispozicion një tepri informacionesh rreth të tre komponentëve për të vepruar; ne kemi gjeneruar të dhëna, harta të ilustruara dhe përshkrime që përcaktojnë pikat e nxehta,” shprehet Sauku, i cili beson se politikat duhet të jenë shumëplanëshe me qëllim përmirësimin e jetës së njerëzve në qytetet kryesore të Shqipërisë. Ndërkohë, puna e madhe e vizualizimit të problemit të cilësisë së ajrit është kryer. Njëkohësisht, gjatë zbatimit të projektit, “Mushkëri të Gjelbra” ka arritur të edukojë të rinjtë rreth kësaj problematike përreth shkollave të tyre dhe në rrugën e tyre të përditshme për në shkollë. Së bashku me kalimtarët kureshtarë, të cilët vunë re matësit e shumtë në lagjet e tyre, projekti ka lënë një bazë të pazëvendësueshme të dhënash online për këdo që dëshiron të lokalizojë pikat e nxehta të cilësisë së ajrit në qytetin ku ata jetojnë.

Promovimi i një jetese më të gjelbër në Kosovë

Organizata “Keep it Green” dhe rrjeti i saj i vullnetarëve po rrisin ndërgjegjësimin rreth ndotjes industriale dhe çështjeve të tjera mjedisore në qytetin industrial të Obiliqit. Vetëm 10 minuta larg me makinë nga kryeqyteti, Prishtinë, qyteti i vogël i Obiliqit është qendra e industrisë së minierave në Kosovë. Me vetëm 6,800 banorë, Obiliqi është shtëpia e tre minierave të qymyrgurit dhe 2 stacioneve të energjisë që prodhojnë pjesën më të madhe të elektricitetit në Kosovë. Ky është një rajon që mbështetet ndjeshëm në punësimin nga impiantet energjetike, pasi 5,000 njerëz nga Obiliqi dhe fshatrat përreth punojnë në këtë industri. Pa dyshim, këto veprimtari të minierave dhe industriale kanë shkaktuar dëme të thella mjedisore.

“Teksa po pinim kafen, filluam të bisedonim rreth të gjitha problemeve [mjedisore] me të cilat po përballet komuniteti ynë. E kuptuam që duhej të bënim diçka”.

“Keep It Green” është një organizatë rinore me bazë komunitare që punon për të ndërgjegjësuar rreth çështjeve mjedisore në Obiliq dhe efektet që ato kanë në popullatë. “Rreth 30 për qind e njerëzve në Obiliq vuajnë nga sëmundje respiratore”, shprehet Guxim Klinaku, Drejtor i Keep It Green për EED-në. Ai shpjegon se si frymëzimi për “Keep It Green” erdhi gjatë një bisede në një kafene në vitin 2015. Klinaku rrëfen: “Teksa po pinim kafen, filluam të bisedonim rreth të gjitha problemeve me të cilat po përballet komuniteti ynë. E kuptuam që duhej të bënim diçka”. Të nxitësh qytetarët për të mbrojtur mjedisin e tyre Pas gjashtë vitesh, “Keep It Green” është tashmë një rrjet prej 60 anëtarësh të fokusuar në projekte me bazë komunitetin që nxisin vendasit të interesohen më shumë në mbrojtjen e mjedisit të tyre. Vitet e fundit janë karakterizuar nga disa sfida si pasojë e vështirësive ekonomike me të cilat përballen shumë banorë në këtë rajon industrial. “Është e vështirë t’i bindësh njerëzit që të kujdesen për mjedisin kur ata e sigurojnë jetesën me shumë mund,” pranon Klinaku. “Keep It Green” është i ndërgjegjshëm për këto realitete, teksa vijon të advokojë për energji më të gjelbër në Obiliq. Përpara periudhës së Covid-19, ata zhvillonin protesta javore përpara impiantit energjetik duke kërkuar zbatimin e legjislacionit mjedisor për Obiliqin. Ata gjithashtu kanë organizuar aksione të shumta komunitare për të përmirësuar qytetin. Së fundmi, vullnetarët pastruan një park dhe e zbukuruan me punime të artit të rrugës për të krijuar një hapësirë më të këndshme për banorët. Ata drejtuan Festivalin vjetor të Artit të Gjelbër, një festival mbarëqytetas për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj çështjeve mjedisore. Gjithashtu, që prej vitit 2016, organizata ka punuar me shkollat vendore duke zhvilluar workshop-e “Redukto, ripërdor, riciklo”, duke u mësuar nxënësve se si të reduktojnë mbetjet. “Keep It Green” është aktive edhe me organizimin e kampeve verore për të rinjtë duke u përqendruar në temat mjedisore. Objektivi kryesor i këtyre kampeve është të rrisë një brez të ri të liderëve të rinj për aktivizmin mjedisor në Kosovë. Përballimi i Covid-19 Ashtu si organizata të tjera të ngjashme, “Keep It Green” duhej të gjente mënyra krijuese për t’u përshtatur me pandeminë Covid-19. Ndërkohë që workshop-et “Redukto, Ripërdor, Riciklo” kanë qenë të suksesshme edhe përmes webinareve, organizata duhej të anulonte edicionin e Green Art Fest për vitin 2020. Këtë verë ata po planifikojnë të drejtojnë një nga kampet e tyre të aktivistëve mjedisorë, duke përfshirë 20 pjesëmarrës në një trajnim tre-ditor mbi ndërgjegjësimin për problemet mjedisore.

 “Ky financim vjen në një kohë tepër të rëndësishme për ne. Mjedisi tashmë është një temë shumë popullore…dhe shpresoj se së shpejti vala e gjelbër do të mbërrijë edhe këtu”.

Dy fjalë për European Endowment for Democracy Fondi Evropian për Demokraci (EED) është një organizatë e pavarur grantdhënëse, e ngritur në vitin 2013 nga Bashkimi Evropian (BE) dhe shtetet anëtare të BE-së për të nxitur demokracinë në Fqinjësinë Evropiane, Ballkanin Perëndimor, Turqi dhe më tej. EED mbështet organizatat e shoqërisë civile, lëvizjet pro demokracisë, aktivistët civilë dhe politikë, platformat e pavarura mediatike dhe gazetarët që punojnë për një sistem politik pluralist dhe demokratik. Ky është një version i shkurtuar i një artikulli të publikuar nga Fondi Evropian për Demokraci. Këtu mund të lexoni artikullin original Mbështetja nga Fondi Evropian për Demokraci (EED) i mundëson organizatës “Keep it Green” të kalojë nga një operacion me bazë vullnetare, që mbijeton falë entuziazmit, në një organizatë më të qëndrueshme dhe me staf të rregullt. Gjithashtu siguron që aktivitetet e organizatës, si kampi i ndërgjegjësimit për mjedisin, mund të kthehen në aktivitete të përhershme, duke mundësuar më shumë planifikim dhe zhvillim strategjik. “Ky financim vjen në një kohë tepër të rëndësishme për ne. Mjedisi tashmë është një temë shumë popullore në mbarë botën, me të cilën po përfshihen shumë njerëz të interesuar. Ndërsa momentalisht, gjërat janë më pak të zhvilluara në Kosovë, shpresoj se së shpejti vala e gjelbër do të mbërrijë edhe këtu”, shprehet Klinaku.