Përhapja e shijes së proshutës Malazeze përtej kufijve
28 Maj 2021
Një biznes malazez rrit eksportin, të ardhurat dhe stafin e tij me mbështetjen e BE-së.
Proshuta e staxhionuar është një specialitet i Njegushit, një fshat pranë qytetit të Cetinjes në Mal të Zi. Ajo është e njohur për shijen dhe aromën karakteristike, si rezultat i përzierjes së ajrit të detit dhe të malit dhe djegies së drurit të ahut gjatë procesit të tharjes. Është një shije e njohur për malazezët dhe vizitorët në vend, dhe tashmë një shoqëri nga Mali i Zi po punon që ta fusë atë në tregun e mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.
Mediteranea është një biznes familjar i mesëm nga Mali i Zi në pronësi të bashkëshortëve Marija dhe Ivan Špadijer. Ai filloi si një biznes i vogël si distributor i produkteve të mishit në vitin 2006 dhe gradualisht i rriti të ardhurat, ku proshuta e Njegushit u bë produkti i tyre kryesor. Ivani shpjegon se proshuta kërkon një prodhim të ndërlikuar: procesi i staxhionimit përfshin kriposjen me kripë deti për rreth tre javë, më pas për tre javë të tjera shtypet për të larguar lëngjet e tepërta, dhe pasohet me djegien e lehtë dhe tharjen nën flladin e freskët të malit për tre muaj dhe në fund staxhionohet. I gjithë procesi zgjat rreth një vit.



