Skip to main content

Autor: WeBalkans

Komisioni publikon raportin për shëndetin dhe mirëqenien e muzikantëve

Në kuadër të iniciativës „Music Moves Europe“, Komisioni Evropian ka publikuar raportin “The Health and Wellbeing of Professional Musicians and Music Creators in the EU – insights from research for policy and practice”. Raporti zbulon se shëndeti dhe mirëqenia e muzikantëve dhe krijuesve të muzikës profesionistë në BE është e cenueshme nga disa faktorë risku dhe se për t’i mbrojtur, nevojitet veprim në shumë fronte.

Ndërkohë që raporti nënvizon risqet kryesore për shëndetin mendor dhe fizik të muzikantëve dhe krijuesve të muzikës profesionistë, jep, gjithashtu, shembuj të ndërhyrjeve dhe veprimeve të suksesshme (politika dhe praktika) nga disa shtete anëtare të BE-së për t’i trajtuar këto risqe. Raporti përmbledh mësime kyç për politikat nga hulumtimet dhe ofron rekomandime për politika dhe praktika që mund ta përmirësojnë shëndetin fizik dhe mendor dhe sigurinë e muzikantëve dhe krijuesve të muzikës në BE. Për sa i përket edukimitparandalimit dhe trajtimit.

Rrugëtimi i një gruaje të fortë rome, e cila mbështet djalin e saj me aftësi të kufizuara

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet riintegrimin e të kthyerve në Ballkanin Perëndimor.

Për 25 vjet, Blerta Lushnjari nga Shqipëria ka udhëtuar nëpër vende të ndryshme, me qëllim që të siguronte kujdes të përshtatshëm shëndetësor për djalin e saj. Antonio ka lindur me një aftësi të kufizuar dhe vuan nga një sërë sëmundjesh, dhe vendlindja e Blertës, Elbasani, as nuk ka kapacitet për një diagnostikim të përshtatshëm, dhe as nuk ofron shërbime mjekësore falas për personat me aftësi të kufizuara. Me situatën e saj ekonomike, Blerta e kishte të pamundur të paguante mjekë privatë.

Pa një diagnozë të saktë, çdo gjë ishte e frikshme. Blerta nuk mundej të kujdesej siç duhej për Antonion pa ditur se cilat terapi ose barna mund t’ia lehtësonin dhimbjen. Ajo nuk dinte as se si do të ofronte një jetesë të denjë në të ardhmen. Në kërkim të një vëmendjeje më të mirë mjekësore, ata u larguan jashtë vendit dhe arritën të merrnin një diagnozë të saktë: paraplegji dhe aftësi e kufizuar e lehtë intelektuale, si dhe kujdes të përshtatshëm. Megjithatë, pa lejen e qëndrimit, atyre iu desh të ktheheshin në Shqipëri. “Kur ishim jashtë vendit, mjeku e vizitonte Antonion një herë në javë dhe i bënte fizioterapi. Por kur erdhëm në Shqipëri, nuk kishte asnjë shërbim të tillë. Për këtë arsye, gjendja e tij u përkeqësua.”

“Jeta ishte më e vështirë. Nuk i ushqeja dot fëmijët e mi. Ishim të pastrehë, zhvendoseshim nga një i afërm te tjetri: një javë qëndronim te shtëpia e njërit, një javë tjetër te shtëpia e tjetrit.”

Shumë persona nga Ballkani Perëndimor shkojnë jashtë vendit për mundësi pune, por anëtarët e komunitetit rom përballen me sfida të veçanta riintegrimi pasi kthehen. Sfida më e shpeshtë që raportohet nga të kthyerit në rajon, duke përfshirë Shqipërinë, është punësimi, duke vijuar me mungesën e strehimit të përshtatshëm dhe aksesin në arsim. Në Shqipëri, nuk kishte një program mbrojtjeje sociale, që synonte të kthyerit në veçanti. Në Elbasan, Blerta nuk kishte as shtëpi, as një vend pune, por dy fëmijë për të rritur. Mungesa e arsimit formal e vështirësoi gjetjen e një pune fitimprurëse, dhe i solli sfida me dokumentacionin e nevojshëm për një jetë të qëndrueshme. “Jeta ishte më e vështirë. Nuk i ushqeja dot fëmijët e mi. Ishim të pastrehë, zhvendoseshim nga një i afërm te tjetri: një javë qëndronim te shtëpia e njërit, një javë tjetër te shtëpia e tjetrit.” – shprehet Blerta.

Pavarësisht këtyre sfidave, Blerta kishte energji pozitive, që vërehej në ngrohtësinë dhe kujdesin për familjen e saj: qëllimi i saj kryesor ishte plotësimi i nevojave të fëmijëve të saj. Ajo ka marrë pjesë në shumë veprimtari të OJF-ve për gratë dhe integrimin e tyre në Shqipëri, si dhe ka qenë veçanërisht e përfshirë në një program të formimit profesional për gratë e kthyera. Projekti titullohej “Strengthening national and local systems to support the effective socio-economic integration of returnees in the Western Balkans”, financohej nga BE-ja dhe zbatohej nga UNDP-ja. Mirjeta Ramizi nga UNDP Shqipëri shpjegon se Blerta ka qenë pjesë aktive e shumë veprimtarive të projektit. Një nga veprimtaritë ishte ideja e biznesit për prodhimin dhe marketimin e sapunit natyral artizanal. Së bashku me gra të tjera, Blerta u trajnua në këtë zanat dhe përfitoi lëndën e parë dhe ndihmë me marketimin. Kjo veprimtari që ndihmon në krijimin e të ardhurave është në fillesat e saj dhe po ecën mirë, por, sipas Mirjetës, zonjat dhe zonjushat kanë ambicie më të mëdha, dhe shoqëria e tyre e sapothemeluar synon të zgjerohet në treg.

Si një grua ambicioze dhe punëtore, Blerta i është bashkuar një tjetër programi që përqendrohet te zhvillimi i ideve individuale të biznesit. Që prej kthimit të saj në Shqipëri, ajo e ka siguruar jetesën përmes riparimit dhe rishitjes së mallrave të përdorura. Tani, me mbështetjen e projektit, ajo planifikon që të shndërrojë këtë veprimtari me kohë të pjesshme në një biznes plotësisht të zhvilluar. Projekti po e ndihmon që të hartojë një plan biznesi për hapjen e një dyqani fiks ose lëvizës për të shitur mallra të përdorura.

“Nëpërmjet këtij projekti, ne kemi lidhur partneritete të efektshme vendore dhe kombëtare, si dhe kemi tërhequr vëmendjen drejt nevojave dhe sfidave të të kthyerve dhe komuniteteve të cenueshme.”

Lidhur me projektin

Projekti “Strengthening national and local systems to support the effective socio-economic integration of returnees in the Western Balkans” është pjesë e Programit të Veprimit Shumëkombësh të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA) II, i zbatuar nga UNDP-ja, Banka Botërore, dhe Këshilli i Evropës, për të mbështetur të drejtat themelore të romëve dhe të kthyerve të tjerë të cenueshëm në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, dhe Serbi. Projekti adreson riintegrimin e një numri domethënës të të kthyerve nga BE-ja gjatë viteve të fundit, që kur vendet e Ballkanit Perëndimor u shpallën “vende të sigurta origjine”. Projekti punon ngushtësisht me institucionet vendore, përgjegjëse për ofrimin e shërbimit të riintegrimit të të kthyerve, me fokus pakicat etnike rome dhe egjiptiane, si dhe me aktorë vendorë të shoqërisë civile dhe komunitetin e bizneseve vendore. Komuniteti i të kthyerve konsiderohet edhe përfitues, edhe partner gjatë zbatimit të projektit, me synim krijimin e ndjesisë së përkatësisë mbi veprimtaritë e zhvilluara.

Në Shqipëri, projekti ofron mbështetje në bashkitë e Beratit, Devollit, dhe Fierit, ku numri i të kthyerve është më i lartë sesa në bashkitë e tjera. Krahas ndihmës së drejtpërdrejtë për të kthyerit, që zbatohet në bashkëpunim me OJF-të partnere, projekti gjithashtu ofron mbështetje për qeverinë vendore dhe qendrore të Shqipërisë në hartimin e strategjive dhe planeve të veprimit, që adresojnë nevojat e të kthyerve. Mirjeta nga UNDP-ja shpjegon se kriza ekonomike e shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe pandemia e COVID-19 e ka zhvendosur vëmendjen e qeverisë drejt këtyre problematikave të menjëhershme. “Nëpërmjet këtij projekti, ne kemi lidhur partneritete të efektshme vendore dhe kombëtare, si dhe kemi tërhequr vëmendjen drejt nevojave dhe sfidave të të kthyerve dhe komuniteteve të cenueshme.” – shprehet ajo.

Djali 17-vjeçar i Blertës tani është shumë më mirë. Ai merr shërbime të rregullta fizioterapie në shtëpi dhe në një qendër vendore, me mbështetjen e projektit të UNDP-së dhe financimin e BE-së dhe Fondit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Ai ka akses në shërbime më të mira mjekësore dhe vazhdon të jetë i rrethuar nga një familje e dashur, që i kushton vëmendje zhvillimit dhe kujdesit ndaj tij. Vajzës 10-vjeçare të Blertës, Lejes, i pëlqejnë gjuhët e huaja dhe ka fituar disa medalje. Ajo gjithashtu e adhuron kohën që kalon me të vëllanë. Familja ende përballet me vështirësinë e strehimit, pasi është në kërkim të një shtëpie me mjediset bazë, të cilën mund ta përballojnë ekonomikisht. Blerta shprehet: “Ëndrra ime më e madhe është të kem një shtëpi për dy fëmijët e mi, në mënyrë që edhe kur mos të jem më, ata të jenë të organizuar dhe të kenë një jetë të denjë.”

Reforma gjyqësore për institucione të qëndrueshme në Serbi

Reforma gjyqësore është e rëndësishme për qytetarët e Serbisë pasi do t’u sigurojë shërbime gjyqësore më autonome dhe prokurori të pavarur, ndërsa sundimi i ligjit mbetet shtylla kryesore për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, tha Ambasadori i BE-së në Serbi, Emanuele Giaufret në debatin e fundit publik për paketën e ligjeve për drejtësinë. “Bashkimi Evropian do të ketë si fokus zbatimin e ligjit dhe zbatimi i këtyre ligjeve do t’i sjellë Serbisë përparim. Presim edhe që Serbia të miratojë rekomandimit e Komisionit të Venecias lidhur me propozimet për këto ligje që të mund të themi se zgjidhjet ligjore janë në harmoni të plotë me standardet dhe praktikën Evropiane,” tha Giaufret.  
Ambasadori i BE-së shtoi se Komisioni i Venecias tha se nevojiten ndryshime të vërteta në kulturën ligjore dhe politike. Edhe organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët luajnë rol të rëndësishëm, edhe pse përgjegjësinë kryesore e kanë organet gjyqësore dhe të politikës.  
Procesi i këshillimit me publikun për ligjet për drejtësinë u mbajt në kuadër të projektit „Be-ja në mbështetje të reformës në drejtësi“, që po vihet në zbatim në Serbi nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian që nga 2022-shi.

YEA-ja mbështet veprimin humanitar në Maqedoninë e Veriut

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup, ambasadori David Geer, Europe House, dhe FoodBank e Maqedonisë organizuan një nismë humanitare me rastin e Krishtlindjes Ortodokse në Maqedoninë e Veriut. Ata u dhuruan 30 pako ushqimore familjeve vulnerabël nga ana sociale në 4 dhe 5 janar.  Ambasadorët e Rinj Evropianë (YEA) nga Maqedonia e Veriut ndihmuan me paketimin dhe shpërndarjen e pakove ushqimore.

Erëra ndryshimi për prodhimin e energjisë në Maqedoninë e Veriut

BE-ja mbështet revolucionin e gjelbër të vendit.

Bogdanci është një qytezë në Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Greqisë. Kjo zonë njihet për erërat e forta që fryjnë gjatë gjithë vitit. Erërat e vazhdueshme në Bogdanci njihen si Vardarec, që fryjnë përgjatë luginës së lumit Vardar, me shpejtësi mesatare prej 7.2 m/s, çka i bën erëra goxha të forta për këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja përse studimi i fizibilitetit, i financuar nga Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) e identifikoi Bogdancin si vendndodhjen ideale për parkun e parë eolik në Maqedoninë e Veriut.

“Të gjithë do të përfitojnë nga energjia e gjelbër e parqeve eolike, qofshin familjet apo industria; të gjithë do të përdorin energji të gjelbër.”

Parku eolik ndodhet në një zonë të përzgjedhur pas një analize të thellë të të dhënave dhe simulimit të rrjedhës së erës. Ndërtimi i Fazës I të parkut, financuar nga huat e KfW-së  dhe shoqëria e prodhimit të energjisë “ELEM”, përfundoi në vitin 2014, dhe ka një kapacitet prej 36.8 MW dhe prodhim vjetor mesatar prej rreth 112 gigavatë orë, çka iu ofron energji të gjelbër përafërsisht 16,000 familjeve në jug të vendit.

Në fazën e parë u instaluan 16 turbina ere dhe u ndërtua një linjë transmetimit 11 km e gjatë, 110 kV, krahas një nënstacioni dhe rrugëve hyrëse, që lidhin parkun eolik me rrjetin e energjisë. Faza II është në zhvillim e sipër dhe do të shtojë 14 MW në kapacitetin e prodhimit të energjisë të objekteve ekzistuese,për ta sjellë kapacitetin total në 50 MW, sipas planit fillestar.

“Maqedonia e Veriut ka përcaktuar objektiva klimatike shumë ambicioze. Së pari, nënshkroi Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe më pas u angazhua të reduktonte gazet serë me 52%. Në fund të këtij dhjetëvjeçari, vendi do të ketë mbyllur termocentralet që furnizohen me qymyr, çka e vendos në një situatë të vështirë. “Të gjithë do të përfitojnë nga energjia e gjelbër e parqeve eolike, qofshin familjet apo industria; të gjithë do të përdorin energji të gjelbër.” – shprehet Robert Sarlamanov nga Banka për Zhvillim KfW.

“Prodhimi vjetor mesatar do të jetë 112 gigavatë orë. Thënë më thjesht, do të mbulojë konsumin energjetik për rreth 16,000 familje, që do të ishte mesatarisht konsumi vjetor i energjisë për familjet që banojnë në qytezat fqinje të Gevgelija, Bogdanci, Valandovo dhe Dojran.”

Lidhur me projektin

Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) u prezantua në vitin 2009 nga Komisioni Evropian(Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Zgjerimin – ish-DG ELARG, tani DG NEAR), institucione financiare ndërkombëtare dhe donatorë dypalësh, për të rritur investimet në harmonizim dhe bashkëpunim për zhvillimin socioekonomik të Ballkanit Perëndimor. Së bashku me përfituesit e Ballkanit Perëndimor, WBIF-ja formon një partneritet unik, që përcakton prioritetet dhe paketat mbështetëse të investimeve strategjike dhe reformave institucionale. WBIF-ja kontributon në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor jo vetëm duke mbështetur projekte investimi, që përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe rritjen, por edhe duke përforcuar bashkëpunimin dhe ndërlidhjen rajonale.

Parku eolik ka një ndikim të ndjeshëm në furnizimin e rajonit me energji. “Prodhimi vjetor mesatar do të jetë 112 gigavatë orë. Thënë më thjesht, do të mbulojë konsumin energjetik për rreth 16,000 familje, që do të ishte mesatarisht konsumi vjetor i energjisë për familjet që banojnë në qytezat fqinje të Gevgelija, Bogdanci, Valandovo dhe Dojran.” – shprehet Goce Dzambalovski nga Centralet Energjetike në Maqedoninë e Veriut.

Së fundmi, Maqedonia e Veriut ka bërë goxha progres me tranzicionin energjetik në Ballkanin Perëndimor. Vendi kryen ankande të energjisë së rinovueshme, duke zëvendësuar qymyrin me energjinë diellore dhe gazin, si dhe duke nënshkruar marrëveshje strategjike investimi, jo vetëm për parqe të mëdha eolike, por edhe për centrale fotovoltaike. Sipas portalit të Energjisë së Gjelbër të Ballkanit Perëndimor, prodhimi i energjisë elektrike në centralet e energjisë së rinovueshme të Maqedonisë së Veriut, vitin e kaluar u rrit me 14.7% krahasuar me vitin 2020, ndërsa produkti i centraleve që furnizohen me qymyr ra me 17.1%. Përqindja e energjisë së rinovueshme në prodhimin e përgjithshëm të energjisë u rrit gjithashtu, nga 29.2% në 31.4%, falë projekteve madhore, si projekti i Parkut Eolik të Bogdancit.

Dyqanet me një ndalesë shndërrojnë punësueshmërinë e të rinjve

Një qasje e re edukuese, e financuar nga BE-ja, po zbatohet në Ballkanin Perëndimor

Organizatat e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor kanë bashkuar forcat për të prezantuar një qasje të re në edukim, që synon të rrisë punësueshmërinë e të rinjve. Projekti ka një organizatë kryesore partnere në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, dhe Serbi. Në çdo vend, projekt adreson mungesat e asaj që ofrohet nga institucionet arsimore.

Nuk ka zgjidhje të shpejta për sfidat edukuese, sikundër e di shumë mirë Qendra për Punën e të Rinjve (Centar za omladinski rad – CZOR) nga Novi Sadi. Organizata punon prej vitesh me të rinjtë. Më parë ofronte kurse dhe punonte mbi advokacinë rinore, por punësueshmëria e të rinjve i tërhoqi vërtet vëmendjen.

“Na erdhi ideja e pilotimit të shërbimeve të integruara bazuar në një dyqan me një ndalesë, që ofronte shërbime për të rinjtë.”

CZOR vërejti se shërbimet që aksesoheshin nga të rinjtë ishin të shpërndara në organizata të ndryshme, çka nënkuptonte që përdoruesit duhet të kalonin nga një program te tjetri për të përvetësuar të gjitha aftësitë e nevojshme të punësueshmërisë. “Na erdhi ideja e pilotimit të shërbimeve të integruara bazuar në një dyqan me një ndalesë, që ofronte shërbime për të rinjtë.” – shprehet Vanja Kalaba nga CZOR. Qasja ishte e suksesshme dhe mbi gjysma e të rinjve të përfshirë u punësuan ose siguruan stazhin. Më pas, Kalaba u bind se ky model mund të zgjerohej në një projekt rajonal.

Shndërrimi i modelit në një projekt rajonal

CZOR arriti ta ngrinte këtë ndërhyrje mbi edukimin e të rinjve në një nivel rajonal me financimin e BE-së. Kjo qasje solli bashkë organizata nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, dhe Mali i Zi, për të rritur mundësinë e punësimit të të rinjve. “Ne duam të forcojmë organizatat, duke krijuar një rrjet që do t’i bëjë aktorët më të njohur dhe aktualë, si dhe duke e mbështetur ndërveprimin e tyre me qeverinë për të punësuar dhe për të depërtuar te të rinjtë,” – shprehet Kalaba nga CZOR. Depërtimi iu kushton vëmendje të veçantë të rinjve që nuk përfshihen në arsimim, punësim ose formim. Janë regjistruar qindra kandidatë, me shpresën që në fund të programit njëvjeçar, të kenë përftuar aftësitë e nevojshme, duke përfshirë aftësitë digjitale dhe sipërmarrëse.Partnerët që e ofrojnë këtë shërbim kanë përvojë të gjatë, duke përfshirë ekspertizën në këshillim karriere, sipërmarrje, aftësi digjitale, dhe media sociale. Tani organizatat po bashkojnë forcat dhe po iu ofrojnë kandidatëve çdo gjë, në një vend, duke nisur nga shkëmbimi i përvojave, e duke përfunduar me kontaktet e punëdhënësve të mundshëm.

“Regjistrimi në këtë format edukimi më bëri ta kuptoj sektorin e TI-së më mirë, si dhe t’i vë njohuritë e mia në zbatim në të ardhmen,”

Lidhur me projektin

Projekti i financuar nga BE-ja, “My Career from Zero to Hero” (02hero), synon të rrisë kapacitetet e shoqërisë civile, në mënyrë që të jetë më e efektshme, llogaridhënëse, dhe e pavarur, si dhe të ndërveprojë në mënyrë konstruktive me qeveritë rreth prioriteteve tematike të zgjidhjeve risiprurëse për punësueshmërinë e të rinjve në Strategjinë e Ballkanit Perëndimor. “02hero” është një model i integruar për të rinjtë NEET (që nuk përfshihen në arsimim, punësim ose formim), mbështetur në metodologjinë e dyqanit me një ndalesë, që parashikon ofrimin e të gjitha shërbimeve për punësueshmërinë e të rinjve në një vend, me qëllim zhvillimin e aftësive për vendet e ardhshme të punës në revolucionin digjital 4.0.

Sajra Hadžiarapović ka marrë pjesë në trajnimin e ofruar nga organizata partnere në Bosnjë-Hercegovinë, “Qendra për Edukimin e të Rinjve”, në qytezën e Travnikut. Ajo shprehet se kurset e personalizuara, që ofrohen nga lektorë të specializuar në programin dhe dizajn faqesh interneti, i kanë plotësuar njohuritë e saj. Një element që e ka vlerësuar edhe më shumë ishte pjesëmarrja e sipërmarrësve të suksesshëm, në rolin e lektorëve. “Regjistrimi në këtë format edukimi më bëri ta kuptoj sektorin e TI-së më mirë, si dhe t’i vë njohuritë e mia në zbatim në të ardhmen,” – shprehet Sajra, e cila shpreson që tani të ketë mundësi më të mira punësimi.

Konsorciumi i organizatave aktualisht përqendrohet te qëndrueshmëria e modelit, në mënyrë që të shndërrohet në një forcë shtytëse për punësueshmërinë e të rinjve.

BE, BERZH dhe Suedia mbështesin NVM-të dhe gratë sipërmarrëse në Mal të Zi

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mbështet gratë sipërmarrëse dhe bizneset e vogla në Mal të Zi me paketën e re të financimit për Crnogorska Komercijalna Banka AD Podgorica (CKB), një anëtare e grupit OTP dhe banka më e madhe në vend. Rreth 3 milionë euro nga paketa e kredisë, do të caktohen për të mbështetur investimet nga bizneset e udhëhequra nga gratë. NVM-të do të përfitojnë gjithashtu nga stimujt e granteve prej 15% të shumës totale të kredisë, financuar nga Bashkimi Evropian (European Union).

 

Financimi do të sigurohet nëpërmjet programit të BERZH-it Gratë në Biznes (Women in Business), i cili promovon sipërmarrjen e femrave dhe pjesëmarrjen e tyre në biznes. Gratë sipërmarrëse do të kenë gjithashtu mundësinë të përfitojnë nga shërbimet e këshillimit të biznesit të përshtatur si pjesë e programit të Këshillimit të Bankës për Bizneset e Vogla. Programi Gratë në Biznes, është bashkëfinancuar nga qeveria e Suedisë (Sweden), e cila e mbështet atë në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2014.

 

Kredia do t’u japë NVM-ve malazeze akses në financa, duke u mundësuar atyre të shkojnë përtej operacioneve të tyre të përditshme dhe të investojnë në përmirësime, në mënyrë që të arrijnë standardet e BE-së. NVM-të mund t’i përdorin fondet për të përmirësuar teknologjinë, proceset ose shërbimet, veçanërisht ato që lidhen me cilësinë e produktit, shëndetin dhe sigurinë, si dhe kërkesat mjedisore të BE-së.

BE dhe IFC nënshkruajnë të parin e një sërë projektesh të Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së

Më 19 dhjetor, Katarína Mathernová, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Negociatat për Fqinjësinë dhe Zgjerimin dhe Presidente e Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), dhe Alfonso Garcia Mora, Zëvendëspresident i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për Evropën, Amerikën Latine dhe Karaibet, nënshkruan projektin e Parqeve Eko-Industriale, projekti i parë i udhëhequr nga IFC-ja i zbatuar përmes WBIF-së.

 

Projekti i Parqeve Eko-Industriale, synon të ndihmojë në avancimin e dekarbonizimit dhe përmirësimin e efikasitetit të burimeve të parqeve industriale në Ballkanin Perëndimor. Diagnoza paraprake do të pasohet nga zbatimi i synuar i katër projekteve pilot në parqet industriale në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri.

 

IFC-ja, bashkë me Bankën Botërore, është institucioni më i fundit financiar ndërkombëtar që iu bashkua WBIF-së, duke krijuar një partneritet jetik për të mbështetur aktivitetin e sektorit privat në rajon, për të trajtuar çështjet urgjente të zhvillimit, për të krijuar vende pune dhe për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë. Projektet e tjera në linjën e projektit (Other projects in the pipeline), synojnë të mobilizojnë instrumente financiare të siguruara për klientët e agrobiznesit të denjë për kredi, duke mundësuar modernizimin e sektorit shumë të nevojshëm, transformimin digjital dhe ndihmën në përmirësimin e kapacitetit të ndërmjetësve financiarë të ndërlidhur me klimën, duke u mundësuar atyre të zgjerojnë aktivitetin e tyre në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM).

Takimi i Ambasadores Popa me Ambasadorët e Rinj Evropianë

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Mal të Zi Oana Cristina Popa, u takua me Ambasadorët e Rinj Evropianë, në kuadër të nismës “Dialogu Rinor”, të nisur në fillim të këtij viti. Qëllimi i takimit ishte të diskutohej se çfarë është bërë deri më tani në kuadër të kësaj iniciative, por edhe cilat tema duhet të trajtohen më mirë në të ardhmen. Ambasadorët e Rinj Evropianë deklaruan problemet që i prekin, si sulmet ndaj komunitetit LGBT në Mal të Zi, mbulimi i njëanshëm mediatik dhe ndasitë kombëtare, një përqindje e madhe e të rinjve që duan të largohen nga vendi dhe roli i tyre i paqartë në shoqëri e shumë të tjera.

 

Ambasadorja Popa i njohu ata me projektet dhe aktivitetet që Bashkimi Evropian po kryen në Mal të Zi për tejkalimin e këtyre sfidave, por ftoi edhe të rinjtë që të jenë aktivë dhe të propozojnë nisma konkrete për përmirësimin e komunitetit të tyre.

 

Ambasadorët e Rinj Evropianë (YEA), është një nismë kushtuar të rinjve nga Ballkani Perëndimor, të cilën Bashkimi Evropian e nisi tre vjet më parë për t’u dhënë atyre mundësinë të njohin dhe të përjetojnë vlerat e BE-së, si dhe të promovojnë mundësitë që ofron ky komunitet.

 

Së fundmi në Mal të Zi u shpall gjenerata e tretë e YEA-s, duke përfshirë: Selda Jahjagić, Marija Blažević, Anđela Micić, Merita Dukaj, Edina Osmanović, Filip Jovetić, Lukas Junković, Milutin Radulović, Luka Vukotić, Andrej Bubanja, and Matia Prenkočević.

Shqipëria të përfshihet në hartën e start-up-eve

Një nismë e rëndësishme, e financuar nga BE-ja ndihmon identifikimin, promovimin dhe rritjen e risisë.

Arritja më e fundit politike e Shqipërisë – hapja e negociatave për anëtarësimin në BE në vitin 2022 – hap një kapitull të ri për risinë dhe konkurrencën në vend. Me një ekonomi tradicionale, vendi ka pasur një fuqizim të qëndrueshëm që prej kalimit në demokraci tre dekada më parë, por shfaqja e rezultateve të prekshme në zhvillimin e start-up-eve është i rëndësishëm për orientimin e Shqipërisë drejt një ekonomie të qëndrueshme. Duke qenë se Shqipëria konsiderohej të kishte potencial të pashfrytëzuar për start-up-et, Bashkimi Evropian ofroi financim për projektet që përmirësojnë ambientin inovativ dhe krijojnë sipërmarrës të rinj. Nisma “EU for Innovation” sjell praktikat më të mira që ringjallin pjesëmarrësit e ekosistemit, u lehtëson atyre punën e përbashkët dhe mbështet start-upet inovative.

“‘EU for Innovation’ ka shërbyer si gur themeli për ekosistemin.”

Me fillimin e nismës në vitin 2018, ishte e dukshme që ekzistonin aktivitete sipërmarrëse por ishin të hallakatura dhe nuk e ndihmonin sektorin në tërësi. EU for Innovation siguroi një adresë, ku mund të grumbulloheshin burimet dhe të koordinoheshin aktivitetet.

“‘EU for Innovation’ ka shërbyer si gur themeli për ekosistemin. Ne përmirësuam bashkëpunimin për ekosistemin; krijuam platforma angazhuese dhe theksuam vazhdimisht rëndësinë e konkurrencës ndërmjet palëve të interesit, në mënyrë që ekosistemi të bëhej më konkurruese në përgjithësi,” thotë Sebastian Berwanger nga nisma EU for Innovation

Qeveria e ka shtuar mbështetjen e saj duke filluar procedurat e një ligji për start-up-et, si dhe një skemë granti që do të frymëzojë inovatorët e rinj përgjatë pesë viteve të ardhshëm.

Nisma EU for Innovation mbushi zbrazëtitë lidhur me ekosistemin e Shqipërisë nëpërmjet një procesi të hapur bashkë-krijimi me palët kryesore të interesit. Duke ndërmarrë këtë qasje, nisma udhëhoqi më shumë se 35 projekte nga tetori i vitit 2018 deri në shtator të vitit 2022 dhe radhiti nga afër aktivitetet e saj me palët e interesit, politikëbërësit dhe donatorët e tjerë.

Teknologjia është pjesë thelbësore e zgjidhjeve start-up në Shqipëri, qoftë në TIK, turizëm, bujqësi apo agro-turizëm, e-commerce, arsim, apo shëndet. Një tjetër element pozitiv në grupin e parë të themeluesve që rezultoi nga programi i inkubacionit të multi-universiteteve, është mbizotërimi nga themelueset femra.

AlbaniaTech, faqet e verdha të vendit për start-upet

Ndërmarrja e hapave të parë mund të jetë barrë e konsiderueshme për çdo start-up dhe kjo është arsyeja pse një ekip inovatorësh prezantuan AlbaniaTech, platformë që ofron shkëmbim informacioni, promovim dhe mundësinë për tëlidhur palët e interesit. Krijuar me mbështetjen e EU for Innovation, platforma synon të solidarizojë dhe aktivizojë pjesëmarrësit themelorë të ekosistemit në Shqipëri. “Nganjëherë, mjafton vetëm një copëz e vogël informacioni që të rinjtë të bëhen pjesë e programit, një mundësi për të hapur një biznes,” thotë Prishila Gjoka nga AlbaniaTech-u.

AlbaniaTech-u përdoret falas dhe me bazën e të dhënave prej 170 start-up-esh, është vendi për të identifikuar, promovuar dhe hapur start-up-e në Shqipëri. Platforma është zgjeruar duke bashkëpunuar me një furnizues ndërkombëtar që drejton 50 ekosisteme globalisht, duke e bërë kështu ekosistemin e start-up-eve në Shqipëri të dukshëm për investitorët e huaj dhe në të njëjtën kohë, duke zhvilluar mirëpritjen digjitale (digital welcome) për këdo që dëshiron t’ia fillojë nga e para në Tiranë.

“Platforma jonë mundëson lulëzimin e start-up-eve.“

Lidhur me projektin

Projekti EU for Innovation synon të përmirësojë ambientin inovativ dhe të nxisë krijimin e start-up-eve në Shqipëri nëpërmjet zhvillimit të kapacitetit për risi; lidhjeve të intensifikuara brenda ekosistemit inovator shqiptar; dhe financimit për start-up-et inovative dhe furnizuesit e mbështetjes së risisë. Projekti konsiderohet si projekti më i rëndësishëm për risi dhe ekosistemin e start-upeve në Shqipëri.

Janë hedhur themelet nga ku do të ndërtojnë më tej brezat e ardhshëm: AlbaniaTech është aty për t’u dhënë krahë inovatorëve dhe start-upeve. “Platforma jonë mundëson lulëzimin e start-up-eve. Çdokush që hedh sytë pas do të vërejë se sa është zgjeruar komuniteti që kur e ngritëm nga themelet,“ thotë Gjoka.

Me ndërhyrje serioze si EU for Innovation, Shqipëria po zë një vend në hartën e start-up-eve, ngadalë por me hapa të sigurt. Dinamikat e reja në ambientin inovator shqiptar u nxorën në pah gjatë European Innovation Scoreboard 2022, ku Shqipëria u shqua si “Emerging Innovator” krahas ekonomive të  tjera të Ballkanit Perëndimor.