Skip to main content

Autor: WeBalkans

BIRN-i publikon Raportin e vitit 2022 për Trajtimin e Rasteve të të Drejtave të Punëtorëve në Kosovë nga Gjykatat dhe Inspektorati i Punës

Raporti i vitit 2022 zbuloi se çdo muaj, në Kosovë vdes mesatarisht një person në vendin e punës, ndërkohë që vetëm 1.5% e bizneseve i kanë përmbushur detyrimet e tyre për vlerësimin e risqeve në vendet e punës. Edhe pse nuk ka statistika të sakta për numrin e punëtorëve të paregjistruar në Kosovë, të dhënat e Inspektoratit të Punës tregojnë se vetëm gjatë 2021-shit, u gjet se 1,459 punonjës po punonin pa kontrata punësimi, ndërsa 433 punonjës nuk qenë deklaruar në Administratën e Taksave të Kosovës, TAK.  
Gjetjet e raportit u diskutuan me dy panele, duke përfshirë aktorë të ndryshëm nga institucionet publike. Në njëkonferencë “Trajtimi i Rasteve të të Drejtave të Punëtorëve në Kosovë nga Gjykatat dhe Inspektorati i Punës”.  
Ky aktivitet u implementua si pjesë e projektit „Mbrojtja dhe Promovimi i të Drejtave të Punës së Grupeve Vulnerabël në Tregun e Punës“, financuar nga Zyra Evropiane në Kosovë dhe vënë në zbatim nga BIRN Kosovo në partneritet me Advocacy Training Resource Center ATRC.

Njihuni me 17 Supershkollat e Përzgjedhura të Shqipërisë

Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO) në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) organizuan më datën 25 janar 2023, në Tiranë, eventin prezantues “Njihuni me Supershkollat e Shqipërisë” në kuadër të Programit të Shkëmbimit të Supershkollave. Takimi mblodhi 17 shkolla të mesme nga Shqipëria që kishin marrë çmim, të përfaqësuara nga drejtorët dhe mësuesit e ngarkuar me koordinimin e shkëmbimeve rajonale të së ardhmes, jo vetëm për t’u takuar me njëri-tjetrin por edhe për të qenë pjesë e një lëvizjeje domethënëse si nënshkrimi i Marrëveshjeve të Partneritetit.

 

Në aktivitet mori pjesë Sh.S, Znj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit dhe Sportit. Christiane Hohmann, Ambasadore e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Z. Martin Karl Zickendraht, Sekretar i Parë Përgjegjës i Seksionit të Kulturës dhe Shtypit në Ambasadën Gjermane dhe Znj. Alba Brojka, Kryetare e Degës Lokale të RYCO-s në Shqipëri.

 

Ambasadorja Christiane Hohmann deklaroi se Bashkimi Evropian është shumë krenar që e mbështet këtë projekt. „Jemi shumë të kënaqur që në rajon do të ketë përherë e më shumë Supershkolla. Këtë projekt e shohim si pjesë të objektivit tonë më të gjerë për të mbështetur angazhimin e të rinjve dhe bashkëpunimin dhe pajtimin rajonal. BE do të vijojë të vërë në qendër të bashkëpunimit tonë me Ballkanin Perëndimor të rinjtë dhe fëmijët.“ – theksoi më tej ambasadori.

 

Vënia në zbatim e projekteve do të ndahet në dy raunde: Raundi i parë i shkëmbimeve do të ndodhë nga prilli në qershor 2023, ndërsa raundi i dytë – nga Gushti në tetor 2023. Çdo shkollë do të shkëmbejë vizita më shkollën partnere, që do të zgjasin deri në 7 ditë, me një grup prej jo më shumë se 12 nxënësish dhe 1-2 mësuesish. Nëpërmjet kësaj skeme shkëmbimi, nxënësit dhe mësuesit do të kenë mundësinë të udhëtojnë dhe t’u prezantojnë veten, shkollat dhe zakonet e tyre mikpritësve të tyre, dhe të mësojnë gjëra të reja për komunitetet në zona të ndryshme të rajonit tonë.

BE-ja dhe Gjermania ndihmojnë për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në Kosovë; investimi i 49 milionë eurove të tjera në sektor.

BE-ja në Kosovë, në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane, GIZ-in, Ministrinë e Mjedisit dhe Shoqatën e Bashkive të Kosovës, në 25 janar shënuan plotësimin e një projekti tre-vjeçar të dedikuar menaxhimit të mbetjeve të ngurta në Kosovë dhe prezantuan aktivitetet e nisura së fundmi në sektor.  
Projekti i finalizuar së fundmi me vlerë 7 milionë euro u financua bashkarisht nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe u zbatua nga GIZ-i. Kjo solli një rritje të mbledhjes së mbetjeve të ngurta në të 38 bashkitë e Kosovës, nga 57.8% deri në 90.2%, rritje të shërbimit të menaxhimit dhe mbledhjes së mbetjeve për 77,000 shtëpi të tjera dhe mbylljen e më shumë se 1,500 vendgrumbullimeve të paligjshme.  
BE-ja dhe Qeveria Gjermane po vijojnë të mbështetin reforma të qëndrueshme në sektorin e grumbullimit të mbetjeve në Kosovë.

BE-ja miraton 24 programe të reja garancie për të nxitur investimet në rajonet ku ndjek politikat e zgjerimit dhe fqinjësisë së mirë.

Bordi Operativ i Fondit Evropian për Zhvillimin e Qëndrueshëm plus (EFSD+) ka miratuar sot një paketë të mëtejshme me 24 programe garancie për të mbështetur investimet në vendet fqinje të BE-së dhe vendet në zgjerim. Bashkë me tri garancitë për Ballkanin Perëndimor për mbështetjen e NVM-ve të miratuara në dhjetor, garancitë e reja, me vlerë 2.4 miliardë euro, pritet të sjellin investime deri në 17 miliardë euro në sektorët prioritarë, duke përfshirë energjinë e rinovueshme, lidhshmërinë digjitale dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat, në kuadër të Planeve Ekonomike dhe të Investimeve (EIPs), që janë mjetet për të vepruar në Portën Globale në Ballkanin Perëndimor dhe Rajonet Jugore dhe Lindore të Fqinjësisë.

 

EFSD+, krahu financiar në kuadër të Fqinjësisë së mirë me BE-në, Instrumentin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Zhvillimit – Evropa Globale, ofron garanci për të pakësuar riskun për investimet e bashkërenditura me prioritetet e BE-së në vendet partnere.

 

Institucionet financiare evropiane dhe ndërkombëtare, si Banka Evropiane e Investimeve (EIB), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dhe bankat kombëtare për zhvillim të BE-së, do të punojnë bashkë me Komisionin Evropian për të krijuar mundësi investimi, në përputhje me Ekonominë dhe programet novatore të Planit të Investimeve dhe që pritet të grumbullojnë shumë investitorë privatë.

 

Pasi të jenë nënshkruar marrëveshjet e garancisë midis BE-së dhe një totali prej 11 Institucioneve Financiare Ndërkombëtare dhe Evropiane, si EIB-ja, EBRD-ja dhe bankat kombëtare për zhvillim, këto entitete do të kenë tre vjet kohë që të krijojnë mundësi investimi në fushat e konkurrueshmërisë së sektorit privat dhe një agjendë inovacioni për Ballkanin Perëndimor; Lidhshmërinë e Detit të Zi me Rajonin Lindor të Fqinjësisë; tranzicionin dhe sigurinë e energjisë në Rajonin Jugor të Fqinjësisë. Garancia e BE-së supozohet dhe të rritë financat e bankave për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe të shtojë lëshimin e bondeve të gjelbra në vendet partnere të BE-së.

Në Ballkanin Perëndimor nisin seminaret për Edukimin për Median dhe Informacionin nga YEA-të!

A e dini se si krijohen lajmet? A mund ta dalloni të vërtetën nga çinformimi? Përse na nevojitet edukimi për median? Cilat janë burimet më të besueshme të lajmeve? Përse bëhen virale disa histori lajmesh? Na u bashkoni që ta zbuloni!

 

Pas procesit intensiv të të nxënit për Edukimin për Median dhe Informacionin, Ambasadorët e Rinj Evropianë nga Ballkani Perëndimor po e fillojnë udhëtimin e tyre nëpër Ballkanin Perëndimor, duke ua treguar njohuritë e tyre të rinjve të interesuar për median, mediat sociale dhe shoqërinë, përherë të etur për të mësuar më shumë për botën rreth nesh.

 

Nëse jeni:

 

-Të interesuar për temën e Edukimit për Median dhe Informacionin

-13 – 16 vjeç

-nga Ballkanin Perëndimor

 

atëherë NA U BASHKONI në udhëtimin tonë!

 

Do t’ju jepet mundësia të takoni YEA-të tanë por edhe të mësoni për:

 

-median dhe edukimin për median

-lajmet e rreme

clickbait (tituj bombastikë mashtrues)

-gazetarinë

-manipulimin mediatik

-dhe shumë të tjera…

 

nëpërmjet ushtrimeve zbavitëse, diskutimeve të shumta, videove dhe shembujve.

 

Të gjitha seminaret do të mbahen në gjuhët lokale. Gjithashtu, do t’ju jepet mundësia të mësoni për Ambasadorët e Rinj Evropianë, dhe të merrni disa dhurata YEA nga skuadra jonë!

 

Orari dhe datat e saktë për seminaret në Ballkanin Perëndimor do të njoftohen së shpejti në kanalet tona!

 

Numri maksimal i pjesëmarrësve në një seminar është 25, ndaj kontrolloni informacionin për datat dhe vendndodhjet rregullisht, që të siguroni një vend në kohë, duke plotësuar këtë FORM.regjistrimi Duke e plotësuar këtë formular do të siguroni një vend dhe do t’ju kontaktojmë drejtpërdrejt për datën dhe vendin e seminarit më të afërt më ju!

 

Na kontaktoni në yea@webalkans.eupër më shumë detaje! Në të kundërt, qëndroni me ne dhe na ndiqni për të rejat.

Të ndryshosh veshjen

Një projekt i financuar nga BE-ja ofron ndihmë financiare dhe teknike për shoqëritë e tekstileve në Bosnjë-Hercegovinë.

Shoqëritë e tekstileve në Bosnjë-Hercegovinë u përballën me sfida të shumta gjatë pandemisë. Porositë dhe shitjet ranë ndjeshëm, dhe zinxhirët e furnizimit u ndërprenë, duke e bërë blerjen e lëndës së parë shumë të vështirë që nga fillimi i shkurtit 2020. Sipas përllogaritjeve të industrisë, një në tre vende pune që u humbën në vend gjatë pandemisë i përkiste sektorit të tekstileve. Një nga shoqëritë që u përballën me këto sfida ishte një shoqëri me historik të hershëm. Sana Linea nga Kostajnica, në veri të Bosnjë-Hercegovinës. Themeluar në vitin 1947, shoqëria aktualisht ka 74 punonjës dhe është biznes i drejtuar krejtësisht nga gratë. Ka 13 dyqane të shitjes me pakicë në mbarë Bosnjë-Hercegovinën, si dhe dy në Serbi.

“Ne po punonim me krijimin e koleksionit të ri. Sikundër e dinë të gjithë, pandemia shkaktoi probleme madhore me prokurimin e materialeve dhe dërgesat. Në rastin tonë, një nga problemet ishte edhe financimi i makinerive të caktuara të veçanta me çmim më të lartë, të cilat na nevojiteshin për modernizimin e linjës sonë të prodhimit.”

Marijana Bučevac është Drejtorja Ekzekutive Sana Linea. Ajo shpjegon se shoqëria po ecte mirë përpara fillimit të pandemisë së COVID-19, kur po planifikonin zgjerimin e linjës së produkteve dhe rritjen e numrit të punonjësve. Megjithatë, pandemia e frenoi këtë zhvillim dhe vuri në rrezik performancën ekzistuese operacionale të shoqërisë. “Ne po punonim me krijimin e koleksionit të ri. Sikundër e dinë të gjithë, pandemia shkaktoi probleme madhore me prokurimin e materialeve dhe dërgesat. Në rastin tonë, një nga problemet ishte edhe financimi i makinerive të caktuara të veçanta me çmim më të lartë, të cilat na nevojiteshin për modernizimin e linjës sonë të prodhimit.” – shprehet Marijana.

Në atë kohë, ata lexuan një njoftim nga projekti i financuar nga BE-ja “EU4BusinessRecovery”, dhe aplikuan. Mbështetja nga projekti erdhi në çastin e duhur, dhe Bashkimi Evropian iu dha mundësinë të blinin makineri të veçanta prodhimi, si dhe të prokuronin lëndën e parë. Projekti gjithashtu kontribuoi në një mjedis më të shëndetshëm për punonjësit, me rindërtimin e pjesshëm të fabrikës. Marijana përshkruan një nga investimet më të rëndësishme, që ishte krijimi i një aplikacioni celular për sistemet iOS dhe Android, i cili iu mundësoi të përmirësonin shitjet online dhe të depërtonin te një numër më i madh klientësh.

“Nëpërmjet kësaj mbështetjeje, ne arritëm të modernizonim prodhimin duke blerë makineri të veçanta, si dhe punësuam 10 punonjës të rinj. Ne gjithashtu krijuam dyqanin tonë online dhe faqen tonë të internetit, për të depërtuar te klientët e rinj. Kemi filluar të eksportojmë edhe në BE.”

Lidhur me projektin 

Projekti i financuar nga BE-ja, ““COVID-19 Investment Response – EU4 Business Recovery”, zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, në bashkëpunim me Agjencinë Gjermane për Zhvillim, GIZ, si dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim. Qëllimi i projektit është të mbështesë rimëkëmbjen e ekonomisë së Bosnjë-Hercegovinës nga pasojat e pandemisë COVID-19. Objektivi konkret është ofrimi i mbështetjes emergjente për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, me qëllim garantimin e vijimësisë së biznesit të tyre, mbajtjen e mbi 1,000 vendeve të punës, dhe krijimin e të paktën 100 vendeve të reja të punës, në veçanti duke mbështetur gratë sipërmarrëse, të rinjtë dhe grupet e tjera të cenueshme.

Sot, shoqëria po punon për të forcuar markën e saj dhe për të zgjeruar shitjet jashtë Bosnjë-Hercegovinës. Duke i monitoruar vazhdimisht ndryshimet në treg, shoqëria po e zhvillon veprimtarinë e saj me efikasitet.

Marijana shpjegon se investimet në makineri dhe marketim kanë kontribuar në rritjen e shitjeve. “Nëpërmjet kësaj mbështetjeje, ne arritëm të modernizonim prodhimin duke blerë makineri të veçanta, si dhe punësuam 10 punonjës të rinj. Ne gjithashtu krijuam dyqanin tonë online dhe faqen tonë të internetit, për të depërtuar te klientët e rinj. Kemi filluar të eksportojmë edhe në BE.” – shprehet Marijana.

RCC-ja nis një fushatë për inkurajimin e grave të reja dhe vajzave në Ballkanin Perëndimor për të ndjekur karriera në STEM

Për të inkurajuar gratë e reja dhe vajzat që të ndjekin karriera në STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka nisur një fushatë të quajtur “Choose STEM Future”. Fushata prezanton modele grash të suksesshme në profesionet e STEM-it nga Ballkani Perëndimor dhe u krijua si pjesë e Grave rajonale në Rrjetin STEM, një iniciativë e përbashkët e RCC-së dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim -(UNDP).  
“65% e fëmijëve të sotëm, një ditë, do të punësohen në një profesion që nuk ekziston ende sot. Deri në 2030-ën, 40 deri në 160 milionë gra duhet të kenë kaluar në role që kërkojnë aftësi më të ndërlikuara digjitale, sociale, dhe emocionale. Në rang global, vetëm një ndër pesë profesionistë të fushave më të fundit teknologjike si inteligjenca artificiale është grua. Rritja dhe përshtatja e aftësive tona dhe përditësimi me teknologjitë e reja është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme për të rinjtë – në veçanti gratë – dhe po kështu është dhe të qenit krijues dhe mendjehapur, sepse puna e tyre e së ardhmes mund të mos ekzistojë ende. Ndaj, nëse dëshironi të keni mundësi më të mira punësimi për të zgjedhur, të fitoni më shumë e të jetoni më mirë, si Anica, Anila, Jana, Jasminka, Valentina dhe Zana, me të cilat do të njiheni nëpërmjet historive që do t’ju tregojmë në ditët e ardhme, Zgjidhni Të Ardhmen STEM. Kjo është këshilla më e mirë që mund t’u jap,“ tha Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së Majlinda Bregu duke shpallur fillimin e fushatës “Choose STEM future”.

Hapet ekspozita „Të jesh i ri në Serbi“

Ekspozita me 20 fotot më të mira të krijuara në kuadër të konkursit „Të jesh i ri në Serbi“ u hap në Silosi, në Beograd. Fotot tregojnë se si jetojnë të rinjtë në Serbi, cilat janë shpresat e tyre dhe çfarë shohin në botën përreth tyre, thotë Ambasadori i BE-së në Serbi, Emanuele Giaufret, duke vënë në dukje se nëpërmjet objektivit të fotove tregohen dhe sfidat e shumta të 2022-shit.

 

Një juri me pesë anëtarë zgjodhi katër fitues nga mbi 1000 foto pjesëmarrëse në konkursin që organizohej nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, National Geographic Serbia, Politikin Zabavnik dhe Erasmus Student Network Serbia. Ky është një nga aktivitetet me të cilat Delegacioni i BE-së në Serbi iu bashkua festimit të Viti Evropian të Rinisë 2022.

 

Fotoja fituese u shpërblye me një kupon prej 1000€për blerjen e pajisjeve elektronike, me një kupon prej 500€për vendin e dytë dhe një kupon 300 €për vendin e tretë. Fotografi që kishte bërë fotografinë më të mirë të një projekti të BE-së u shpërblye me një diplomë.

YEA-të nga Serbia e presin Vitin e Ri me një mbledhje festive të organizuar nga Belgrade EU Info Centre

Më 13 janar, Ambasadorët e Rinj Evropianë (YEA) nga Serbia, e pritën Vitin e Ri me një mbledhje festive të organizuar nga Belgrade EU Info Centre. Festa u dha rast YEA-ve që të takonin Emanuele Giaufret, Ambasadorin e BE-së në Serbi, dhe të vizitonin ekspozitën „Të jesh i ri në Serbi“. Kjo u pasua nga ceremonia e dhënies së çmimeve organizuar nga Delegacioni i BE-së në Serbi, me National Geographic Serbia, Politikin Zabavnik dhe Erasmus Student Network Serbia.

Ky event mbylli 2022-shin si Viti Evropian i Rinisë dhe i çeli udhën 2023-shit, Vitit Evropian të Aftësive.

Shumëllojshmëria e produkteve në biznes

Si e mbështeti Banka Evropiane e Investimeve një biznes mobiliesh në Malin e Zi që të rimëkëmbej pas COVID-19.

Ndikimi ekonomik i COVID-19 mbi bizneset e vogla kudo ka qenë i rëndë. Në Malin e Zi, mbështetja financiare nga Banka Evropiane e Investimeve, banka e BE-së, ka sjellë një ndryshim të madh. “Ishte veçanërisht e rëndësishme për ruajtjen e likuiditetit të ekonomisë dhe vendeve të punës”, – shprehet Irena Radović, Drejtore Ekzekutive e Fondit të Investimeve dhe Zhvillimit në Malin e Zi, i cili bashkëpunoi me Bankën Evropiane të Investimeve për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). “Ishte tejet e rëndësishme për projektet zhvillimore që kontribuojnë në krijimin e vlerave të reja ekonomike dhe rimëkëmbjen e ekonomisë sonë pas periudhës së pandemisë.”

“Pandemia ishte një periudhë e vështirë për të gjitha bizneset, duke përfshirë edhe biznesin tonë.”

Një nga bizneset që është mbështetur nëpërmjet këtij fondi, ishte shoqëria e mobilieve “Doding”. “Doding” prodhon mobilie të personalizuara prej tri dekadash dhe është rritur nga një biznes i vogël familjar në një ndërmarrje me mbi 90 punonjës. Shoqëria u themelua në vitin 1998 dhe prodhonte mobilie me materiale të laminuara, pllakë zdrukthi, dhe dru. Shoqëria është rritur që prej asaj kohe dhe tani merret me projekte të mëdha, si: hotele, komplekse rezidenciale dhe hapësira biznesi. Shoqëria punëson ekspertë të fushës së arkitekturës, projektimit, prodhimit të mobilieve, shitjeve, teknologjisë, prodhimit, marketimit, dhe financës. Krahas dy fabrikave të prodhimit, “Doding” ka showroom-e në City Kvart, Podgoricë dhe Radanovići, ku kapacitetet e prodhimit dhe projektimit paraqiten përmes dizajnit të brendshëm dhe mobilieve.

Shoqëria drejtohet nga arkitektja Ana Pejović, dhe bashkëshortin e saj, i cili është inxhinier ndërtimit, Brankon. Shoqëria e tyre rritet vazhdimisht, dhe kur filloi pandemia e COVID-19, ata kishin parashikuar të bënin më shumë investime në teknologji. Megjithatë, sikundër shpjegon Ana, rënia e të ardhurave dhe pasiguritë e shkaktuara nga pandemia, i frenuan investimet e mëtejshme. “Pandemia ishte një periudhë e vështirë për të gjitha bizneset, duke përfshirë edhe biznesin tonë.” – shprehet Ana.

Megjithatë, në atë kohë, ata dëgjuan rreth një mundësie për një hua të favorshme që ofrohej nga Fondi i Investimeve dhe Zhvillimit në Malin e Zi, me mbështetjen e Bankës Evropiane të Investimeve, bankës së BE-së. Ata aplikuan dhe morën një hua, përmes së cilës blenë një prerës CNC të kompjuterizuar dhe të avancuar nga pikëpamja teknologjike, si dhe një njësi të kompjuterizuar të fjalës së fundit për lyerjen e mobilieve.

“Kjo mbështetje ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi e ruajti qëndrueshmërinë e biznesit tonë gjatë atyre ditëve të vështira.”

Lidhur me projektin

Bizneset e vogla në Malin e Zi mund të vazhdojnë të mbështeten në Bankën Evropiane të Investimeve në rrugëtimin e tyre drejt një ekonomie moderne, digjitale, të gjelbër dhe qarkulluese. Prania e Bankës tanimë forcohet përmes degës së saj të re, EIB Global.

Ky fakt vërtetohet nga marrëveshja 100 milionë euroshe, e nënshkruar në vitin 2021, me Fondin e Investimeve dhe Zhvillimit për investime ekologjike dhe me eficiencë energjetike nga NVM-të vendore. Çel një burim të ri të financimeve të domosdoshme për qëndrueshmërinë klimatike dhe mjedisore, për të përshpejtuar çkarbonizimin e ekonomisë vendase dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse.

Ana shpjegon se këto dy makineri ishin një ndihmesë e madhe për rritjen e qëndrueshme të biznesit të tyre në periudhën gjatë dhe pas pandemisë. “Kjo mbështetje ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi e ruajti qëndrueshmërinë e biznesit tonë gjatë atyre ditëve të vështira.” – shprehet ajo.

Tani, krahas veprimtarive të përhershme, shoqëria po punon mbi futjen e një produkti të ri, që quhet “Doding Outdoor”, i cili përfshin mobilie kopshti dhe plazhi. Për këtë qëllim, ata po bëjnë përpjekje për të gjetur një qasje risiprurëse dhe ekologjike, duke përdorur mbetje drusore nga veprimtaritë e tyre kryesore prodhuese. Planet e “Doding” përfshijnë zgjerimin e mëtejshëm në tregun rajonal dhe atë të BE-së. Ndonëse kanë klientë ndërkombëtarë, ata duan të rrisin numrin e eksporteve të shoqërisë dhe të shndërrohen në një markë rajonale.