Skip to main content

“Jetët e gjallesave në planetin tonë janë të ndërlidhura”

Një studente veterinarie nga Tirana fitoi njohuri, aftësi dhe ambicie të reja – dhe një mace – duke marrë pjesë në programin ERASMUS+. Armela Lato është studente në vitin e fundit në fakultetin e veterinarisë në Tiranë. Fillimisht ajo donte të studionte mjekësi, por pikët që mori në provime nuk ishin të mjaftueshme për Fakultetin e Mjekësisë. Armela nuk kishte ndonjë dashuri të madhe për kafshët, por ajo vendosi të ndiqte Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, duke qenë se ishte më pranë asaj çfarë ajo donte të studionte fillimisht. “Në atë moment kjo ishte një zgjedhje provizore për mua. Planifikoja të aplikoja sërish për mjekësi vitin e ardhshëm,” shprehet Armela. Sidoqoftë, gjatë muajve të parë në fakultet ajo ndryshoi mendje dhe filloi ta konsideronte punën si veterinere si profesionin për gjithë jetën. Fakulteti i Mjekësisë Veterinere në Tiranë ka profesorë të mirë dhe kjo ishte një nga arsyet përse Armela mbeti e kënaqur me këtë fakultet. “Profesorët na mbështetën në çdo mënyrë të mundshme dhe ishin miqësorë,” shprehet ajo.  Ata i dhanë asaj edhe një vizion të ri për punën e saj–i kujtohet se një nga profesorët e saj i tha se, “nëse ndihmoni kafshët jeni duke ndihmuar njerëzimin, sepse jetët e gjallesave në planetin tonë janë të ndërlidhura”. Sidoqoftë, fakulteti kishte burime të kufizuara si në aspektin e pajisjeve dhe të numrit të pacientëve që paraqiteshin në klinikën e fakultetit. Njohuritë teorike të Armelës po përmirësoheshin, por ajo duhet të përmirësonte aftësitë e saj praktike.

“Tregojini kafshës pak më shumë kujdes dhe do t’ju jetë mirënjohës përjetë.”

Gjetja e aftësive praktike Armela dëshironte të studionte jashtë vendit që kur ishte në gjimnaz. Një nga arsyet për këtë ishin mundësitë më të mira për punësim. “Të gjesh një punë në Shqipëri nuk është e thjeshtë. Por nëse do të diplomohesha jashtë vendit, do të kisha një diplomë të njohur ndërkombëtarisht dhe mundësi më të mira për të gjetur një punë jashtë vendit,” shpjegon ajo Duke pasur këtë ndërmend, ajo filloi të kërkonte për mundësi për bursa studimi jashtë Shqipërisë. Në vitin e tretë të studimeve, ajo pa të publikuar në faqen e internetit të fakultetit një mundësi nga programi i shkëmbimit të nxënësve ERASMUS+. Ajo kishte tri zgjedhje: Bolonjë, Milano dhe Zagreb. Duke pasur parasysh vizionet që kishte për mundësitë që do të mund të eksploronte në Kroaci dhe Itali, ajo aplikoi në të tre. “U pranova edhe në Milano edhe në Zabgreb, por zgjodha Zagrebin, duke qenë se profesorët më thanë se Fakulteti i Mjekësisë Veterinere atje është i pajisur më mirë dhe ka traditë më të vjetër,” shprehet Armela. Aventurat në Zagreb Ajo filloi përvojën në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në Zagreb në semestrin e dytë të vitit të tretë të studimeve dhe qëndroi atje për gjashtë muaj. Kur tregon historinë e qëndrimit të saj, e befasuar shprehet, “Ishte shumë ndryshe atje: shumë më mirë.” Klinika e fakultetit ishte e pajisur shumë më mirë se sa ajo në Shqipëri. Përveç pajisjeve kirurgjikale ata kishin edhe pajisje diagnostike të avancuara si ekografi dhe radiografi që nuk janë të disponueshme në fakultetin e Tiranës. “Kishte një numër shumë të madh pacientësh në klinikën e fakultetit dhe pajisjet ishin në dispozicionin tonë për përdorimin kurdo që dëshironim. Ishte e mrekullueshme.”

“Kishte një numër shumë të madh pacientësh në klinikën e fakultetit dhe pajisjet ishin në dispozicionin tonë për përdorim kurdo që dëshironim. Ishte e mrekullueshme.”

Studimi i shkencave veterinare ndryshoi edhe diçka tjetër në jetën e saj. Ndonëse s’i kishte urryer kurrë kafshët, ajo shprehet se nuk kishte ndonjë dashuri për to. Ajo kishte një mospëlqim të çuditshëm për macet në veçanti. ‘Nuk e di përse, por thjesht nuk mund të shihja apo prekja mace. Por tani kam një mace timen,’ shprehet ajo duke buzëqeshur.‘Tregojini kafshës pak më shumë kujdes dhe do t’ju jetë mirënjohës përjetë,’ shprehet Armela. Armela pati edhe përvoja të vështira gjatë qëndrimit të saj në Zagreb. Në klinikë ata kishin pacientë me sëmundje të rënda të pashërueshme, pronarët e të cilëve zgjidhnin eutanazinë për t’i lehtësuar nga dhimbjet. Ky ishte një ndër takimet e saj të para me anën e dhimbshme të profesionit. Ajo mësoi në mënyrën më të vështirë se jo çdo pacient mund të shpëtohet. Gjatë qëndrimit të saj Armela pati mundësinë të mësonte gjëra të reja. Për shembull, ajo mësoi për një sëmundje gjaku për të cilën nuk kishte dëgjuar më parë, diagnoza e së cilës varet nga matja e gjatësisë së kockave dhe kafkës, duke qenë se një nga simptomat e kësaj sëmundje është shkurtimi i këtyre pjesëve të trupit. “Ishte mahnitëse se si ata diagnostikonin sëmundjen hap pas hapi dhe krahasonin simptomat me dy ose tri sëmundje të mundshme përpara se të arrinin në përfundim,” shprehet ajo. Planet për të ardhmen Pas gjithçkaje që mësoi në Zagreb, Armela është më e dedikuar për të vazhduar karrierën e saj si veterinere dhe për të shkëlqyer në profesion. Pas diplomimit ajo synon të studiojë dermatologji ose fizioterapi, mundësisht në një universitet jashtë vendit, dhe më pas të kthehet në Shqipëri për të hapur klinikën e saj ose për të punuar në një institucion shtetëror të veterinarisë.

“Fillimi i rrugëtimit me erasmus+, investimi im më i mirë”

Nga lufta dhe kriza ekonomike gjatë fëmijërisë në Jugosllavi në të punuarit dhe të studiuarit për një të ardhme të paqtë dhe të begatë në BE. Bojana Zimonjić (30), nga Serbia mësoi për herë të parë rreth Bashkimit Evropian në shkollën e mesme gjatë orës së edukimit qytetar. Ajo kishte dëgjuar më parë për të nga lajmet, por shprehet se nuk e dinte vërtet qëllimin e BE-së. Sidoqoftë, qëkur ka qenë fëmijë, gjërat më të rëndësishme për Bojanën kanë qenë paqja dhe mirëqenia.  Ashtu si dhe për shumë fëmijë të tjerë të lindur në Jugosllavi, lufta dhe kriza ekonomike pati ndikim te fëmijëria e Bojanës. Në shkollën e mesme, ajo mësoi se vlerat themelore të BE-së kanë për qëllim të parandalojnë këto dy probleme duke promovuar paqe dhe mirëqenie ekonomike për të gjithë. “Kjo ide m’u duk fantastike dhe u dashurova me BE-në dhe idenë pas saj,”u shpreh ajo. Më tej Bojana shpjegon se edhe gjatë shkollës së mesme ajo e kishte kuptuar se për të promovuar këto vlera duhet të angazhohesh në mënyrë aktive. Si rrjedhojë, ajo vendosi të studionte Shkenca Politike në universitet.

“E gjithë jeta ime profesionale dhe aspiratat për të ardhmen lidhen me BE-në dhe fillimi i rrugëtimit me programin ERASMUS+ ishte investimi më i mirë i jetës sime.”

Mundësi të reja me ERASMUS+ Bojana besonte se vlerat të cilave i ishte bashkuar mund të promovohen më mirë nëpërmjet promovimit të integrimit të BE-së. Kur erdhi momenti për studimet Master, ajo filloi të kërkonte mundësi për të nxënë më tepër rreth Bashkimit Evropian. Në universitetin e Bojanës u lajmërua se Serbia ishte përfshirë në programin ERASMUS+. Sapo mësoi këtë, ajo vendosi të aplikojë për mundësitë arsimore të ofruara nga programi. Fillimisht asaj iu dha mundësia të përfitonte nga programi Jean Monnet i cili është pjesë e ERASMUS+. Ky program i dedikohet promovimit të ekselencës në studime për BE-në në arsimin e lartë në të gjithë botën për të krijuar lidhje midis akademikëve, studiuesve dhe politikëbërësve të BE-së. Bojana shprehet se të qenit pjesë e Jean Monnet ndikoi dukshëm në cilësinë studimeve të saj në nivelin Master. “Për shembull, lektorë nga BE-ja vinin për të na mësuar rreth vizionit të tyre për integrimin evropian. Edhe tekstet shkollore na u dhanë falas. Kjo nuk është diçka e vogël për studentët e papunë,” shprehet ajo. Zgjerimi i horizonteve Sidoqoftë, kjo nuk mjaftoi për Bojanën. Ajo dëshironte të mësonte më shumë rreth politikave dhe integrimit të BE-së, si dhe të zgjeronte perspektivën e saj kulturore; mundësisht në një universitet të BE-së. Ajo zgjodhi të aplikonte për shkëmbimin ERASMUS+ në Universitetin e Konstanz në Gjermani, ku edhe u pranua. “Ishte realizimi i një ëndrre,” u shpreh ajo.

“Ndoqa një lëndë për lidershipin e cila ishte vërtet interesante. Ishte ndryshe nga çdo gjë që mund të kisha nxënë në universitetin në vendin tim. Vërtet që ajo lëndë më ka ofruar një perspektivë të ndryshme rreth mënyrës se si duhet të sillet një lider.”

Në të ardhmen Bojana planifikon të përfshihet më tepër me administratën e BE-së për të mbështetur idenë pas Bashkimit Evropian. “E gjithë jeta ime profesionale dhe aspiratat për të ardhmen lidhen me BE-në dhe fillimi i rrugëtimit me programin ERASMUS+ ishte investimi më i mirë i jetës sime,” u shpreh ajo. Bojana e përshkruan përvojën e saj në Gjermani si “përvojë shndërruese”. Ajo shpjegon se për të ishte thelbësore që të mësonte më shumë rreth kulturave të ndryshme dhe të përjetonte vetë se çfarë do të thotë të jetosh dhe studiosh në një mjedis shumëkulturor. Të qenit e rrethuar nga njerëz nga vende të tjera në Evropë – dhe në botë – e ndihmoi shumë me këtë. Për Bojanën, kishte rëndësi edhe që të shikonte se si funksionojnë universitetet në Gjermani si dhe si prezantojnë kurrikulën. “Për shembull, unë ndoqa një një lëndë për lidershipin e cila ishte vërtet interesante. Ishte ndryshe nga çdo gjë që mund të kisha nxënë në universitetin në vendin tim. Vërtet që ajo lëndë më ka ofruar një perspektivë të ndryshme rreth mënyrës se si duhet të sillet një lider.” Bojanës i la mbresa edhe mirëseardhja në universitet dhe në veçanti struktura dhe kujdesi individual për çdo student ndërkombëtar të regjistruar. Promovimi i frymës të rindërtimit të marrëdhënieve miqësore Bojana aktualisht punon për Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), që promovon frymën e rindërtimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin mes të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Përvoja me ERASMUS+ më ka ndihmuar të përshtatem shpejt me mjedisin shumëkulturor të punës në RYCO,” u shpreh ajo. “Besoj se pasi të keni pasur mundësinë të dëgjoni historinë time, mund të hamendësoni se RYCO është themeluar me mbështetjen e Komisionit Evropian.”

Të jetosh ëndrrën: paraqitja e modës në skenën e madhe

Një dizajner mode përfaqëson Fundjavën e Modës të Shkupit në Javën e Modës të Berlinit me mbështetjen e programit të financuar nga BE-ja. Sofija Urumović, 28, është një dizajner mode e re por e suksesshme. Interesi i saj për modën filloi herët. “Kur isha fëmijë, ëndrra ime ishte të isha shumëgjuhëse, që do të thotë të kesh aftësinë të flasësh, ose të kuptosh të gjitha gjuhët. Kuptohet që kjo është e pamundur; sidoqoftë, me kalimin e viteve kam kuptuar se moda është një nga gjuhët më të fuqishme dhe universale në botë dhe mund të përdoret si një mënyrë e shkëlqyer për të shprehur veten dhe për të komunikuar,” shprehet ajo. Si rrjedhojë, në moshën 18 vjeçare, Sofija vendosi të studionte modë dhe përfundoi diplomën Bachelor dhe Master. Përvojat e saj të hershme ishin vetëm nga revistat, kështu që ajo e imagjinonte modën si një përrallë. Sidoqoftë, ajo thotë se moda nuk është zanat i thjeshtë dhe se më pas u përball me shumë sfida. Më e rëndësishmja mes tyre ishte nevoja për më shumë burime financiare dhe një rrjet bashkëpunëtorësh që do ta prezantonin atë me një audiencë më të gjerë. E dyta u trajtua me mbështetjen e projektit të financuar nga BE-ja.

“Me kalimin e viteve kam kuptuar se moda është një nga gjuhët më të fuqishme dhe universale në botë dhe mund të përdoret si një mënyrë e shkëlqyer për të shprehur veten dhe për të komunikuar.”

Hapja ndaj botës së modës Sofija u përzgjodh nga partneri i projektit United Fashion, Fundjava e Modës Shkup, për të përfaqësuar rajonin e Ballkanit nëpërmjet një audicioni të hapur. Sofija ka vetëm fjalë pozitive për projektin, duke u shprehur se e gjithë përvoja ka qenë “e mrekullueshme”. Si pjesë e projektit, asaj – si shumë dizajnerë mode të rinj nga vende të tjera – iu ofrua mundësia të shfaqte punimet e saj gjatë Javës së Modës në Berlin në vitin 2018 dhe ModaLisboa në vitin 2020. Krijimi i lidhjeve “Në Berlin, u njoha me një agjent të shkëlqyer për tregun gjerman, i cili më dhe këshilla shumë të vlefshme nga perspektiva e biznesit, ndërsa në Lisbonë pata mundësinë të shikoja një ekip të vogël të organizonte një eveniment mode të madh dhe të ofronte një platformë të madhe për krijuesit e rinj,” shprehet ajo. Shfaqja e punimeve të saj në një platformë si Java e Modës në Berlin është një përvojë që ajo e përshkuan si ëndrra e çdo dizajneri të ri mode, por Sofija pati edhe përfitime të tjera nga projekti. Ajo shprehet se më e rëndësishmja është krijimi i lidhjeve të reja dhe njohja me njerëz me të cilët ajo shprehet se “mban lidhje të rregullta si për miqësi, por edhe për bashkëpunime profesionale në të ardhmen”.

“Unë mendoj se e gjithë situata e pandemisë na ka mësuar se ajo çfarë po i bëjmë planetit në të cilin jetojmë është papërgjegjshmëri dhe e turpshme. Duhet të ndryshojmë mënyrën se si veprojmë.”

Rreth projektit United Fashion i themeluar nga një grup shoqatash që mbështetin modën evropiane: Federata Baltike e Modës (Letoni), Këshilli i Modës në Gjermani, Fundjava e Modës në Shkup (Maqedonia e Veriut), Flanders DC (Belgjikë), MAD Brussels (Belgjikë), Maison de Mode (France) dhe ModaLisboa (Portugali). Qëllimi i projektit është të nxjerrë në pah kulturën e dizajnerëve të modës në Evropë në mënyrë që ajo të jetë e orientuar nga biznesi, duke theksuar konkurencën ndërkombëtare pa kufizuar kreativitetin. Projekti United Fashion mbështet nëpërmjet programit ‘Creative Europe’ të Bashkimit Evropian. Aktualisht, Sofija po zhvillon disa ide të reja, por ajo dëshiron që marka e saj të qëndrojë e vogël dhe të rritet në mënyrë të qendrueshme. “Unë mendoj se e gjithë situata e pandemisë na ka mësuar se çfarë po i bëjmë planetit në të cilin jetojmë është papërgjegjshmëri dhe e turpshme. Duhet të ndryshojmë mënyrën se si veprojmë. Në veçanti, industria e modës ka shumë të meta. Tashmë situata ka detyruar të gjithë, edhe lojtarët e mëdhenj, të cilët sjellin ndryshimet në industri, të rimendojnë mënyrën se si punojnë dhe të hedhin themelet për një sistem të ri mode,” thotë ajo. Nëpërmjet disa evenimenteve të rrjetëzimit ndërkombëtar dhe workshop-eve ndërdisiplinore, më shumë se 150 dizajnerë mode patën mundësinë të përfitojnë nga projekti United Fashion duke shfaqur koleksionet e tyre, njohur dhe kuptuar tregjet evropiane dhe duke zhvilluar aftësi të reja në teknologjinë e modës, modën e qëndrueshme, prodhimin dhe modelet e biznesit.

Rritja profesionale përtej kufijve me aftësi të reja menaxhimi

Një sipërmarrëse shqiptare e re dhe e sukseshme përfiton akses në tregun ndërkombëtar me mbështetjen e programit të financuar nga BE-ja. Nëse do të kishte ndjekur këshillën e prindërve të saj, Edona sot do të ishte inxhiniere. Të dy prindërit e saj janë diplomuar për shkenca dhe dëshira e tyre ishte që vajza e tyre të ndiqte të njëjtën rrugë. Por ajo zgjodhi një profesion tjetër. Ajo përshkruan momentin kur filloi të plotësonte formularin e aplikimit për fakultetin e Inxhinierisë. “E dija që ky ishte një vendim i rëndësishëm dhe që me shumë mundësi do të ndikonte gjithë jetën time. Pata këtë ndjesinë se nuk duhej të vazhdoja me plotësimin e formularit, kështu që ndalova,” shprehet ajo. Ajo u largua për t’iu drejtuar Fakultetit të Ekonomisë, ku plotësoi formularin e aplikimit për administrim biznes. Ky mund të duket si një vendim i befasishëm, por nuk ishte i tillë. Prej kohësh Edona kishte pasur dëshirën e fshehur për t’u bërë menaxhere biznesi. Dhjetë vite më vonë u tregua se vendimi i saj kishte qenë i duhuri. Si u bë një menaxhere e suksesshme Regjistrimi në Fakultetin Ekonomik ishte fillimi i një karriere të suksesshme. Pak vite pas regjistrimit ajo u bë asistente pedagoge dhe më pas u ngrit në detyrë duke marrë pozicionin e pedagoges. Në të njëjtën kohë, ajo filloi punë në një firmë konsulence, ku pas pak kohësh u bë partnere e menaxhimit.

“Tregu ynë ishte i kufizuar në Shqipëri dhe Kosovë dhe unë isha e interesuar të eksploroja tregje të tjera, duke qenë se stafi ynë, i përbërë kryesisht prej femrash është i aftë dhe i gatshëm të përballojë më shumë punë”

Kompania ofron këshillim për bizneset rreth zbatimit të standardeve ISO (Organizata Ndërkombëtare për Standardizim) dhe për zhvillimin e propozimeve për projekte për skema grantesh për donatorë vendas dhe ndërkombëtarë. Ata ofrojnë shërbime për rreth 200 biznese çdo vit dhe shoqëria po rritet. “Sidoqoftë, tregu ynë ishte i kufizuar në Shqipëri dhe Kosovë dhe unë isha e interesuar të eksploroja tregje të tjera, duke qenë se stafi ynë, i përbërë kryesisht prej femrash është i aftë dhe i gatshëm të përballojë më shumë punë,” shprehet ajo. Aksesi në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në biznesin e konsulencës është ndërmarrje sfiduese. Për më tepër për vende si Shqipëria që janë ende duke u përballur me sfida ekonomike. Edona kishte nevojë për ndihmë. Një mik e këshilloi të kërkonte mbështetjen e Rrjetit të Sipërmarrësve për Iniciativat e Rritjes (ENGI4NE-2). Ky projekt i financuar nga BE-ja i ofron sipërmarrësve të rinj mundësinë të kalojnë kohë me një sipërmarrës me përvojë jashtë vendit për të nxënë aftësi të reja në menaxhimin e biznesit. Përmirësimi i aftësive me teknologjinë e re Fillimisht Edona nuk ishte e sigurt nëse duhej të merrte pjesë, sepse mendonte se mund t’i merrte shumë nga koha që i nevojitej për të menaxhuar kompaninë e saj. Si përfundim, ajo u bind dhe sërish mori vendimin për të aplikuar për diçka për të cilën nuk është penduar. Ajo zgjodhi një kompani mikpritëse në Austri, duke qenë se kishte bërë studimet e doktoraturës atje. “Por isha e interesuar në një kompani më të vogël, si e jona dhe jo në korporatat e shquara si Deloitte ose kompani të ngjashme të mëdha ndërkombëtare. Në një kompani më të vogël, sfidat do të ishin të ngjashme me sfidat tona dhe unë isha e interesuar të shihja se si do t’i trajtonin ato,” shpjegon ajo.

“Ishte një përvojë që më hapi sytë dhe më bëri të kuptoj se sa shpejt zhvillohen gjërat në sektorin tonë. Në veçanti mësova rreth përmirësimit të komunikimit duke përdorur teknologjinë.”

Rreth projektit Projekti u mbështet nga Erasmus për Sipërmarrësit e Rinj, që është një program shkëmbimi përtej kufijve i financuar nga BE-ja që u ofron sipërmarrësve të rinj ose aspirues mundësinë të nxënë nga sipërmarrësit me përvojë të cilët drejtojnë biznese të vogla në vendet e tjera pjesëmarrëse. Mikpritësi përfiton nga perspektivat e reja dhe mundësitë për të ndërtuar lidhje me partnerë të huaj dhe për të nxënë rreth tregjeve të reja. Shqipëria merr pjesë në program krahas vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo shprehet sa ka mësuar shumë gjatë qëndrimit të saj, i cili zgjati për shtatë muaj. “Ishte një përvojë që më hapi sytë dhe më bëri të kuptoj se sa shpejt zhvillohen gjërat në sektorin tonë. Në veçanti mësova rreth përmirësimit të komunikimit duke përdorur teknologjinë,” shprehet ajo. Edona shprehet se deri në atë moment ajo kishte komunikuar me klientët si dhe me ekipin e saj me mënyra më tradicionale. Falë përvojës në Austri ajo prezantoi aplikacione si Slack për komunikimin e brendshëm dhe Google Drive për të komunikuar me klientët. Si rrjedhojë, kompania e saj është tani shumë më efikase gjatë komunikimit në distancë, gjë që rezultoi të ishte veçanërisht e dobishme në mjedisin e ri të imponuar nga pandemia e COVID-19-ës. Megjithatë, qëllimi kryesor i pjesëmarrjes së saj në projekt ishte të eksploronte dhe të mësonte se si të aksesonte tregje ndërkombëtare. Edona pati sukses edhe në këtë drejtim, pasi gjatë qëndrimit të saj atje arriti të bënte klient të sajin një kompani austriake. Sipërmarrësit në rritje Përveç Edonës, edhe 126 sipërmarrës të tjerë (75 të rinj dhe 51 të vjetër) përfituan nga projekti për shkëmbime të suksesshme marrëdhëniesh. Konsorciumi zbatues i projektit ka një gjeografi të përzier, duke ofruar mbulim të plotë të destinacioneve që janë tërheqëse për sipërmarrësit, duke përfshirë Shqipërinë dhe Turqinë. Partneri kryesor ishte Condindustria Ancona (CA) në Itali me partnere në Shqipëri Tirana Regional Development Agency.

Shkëmbimi i erasmus+ frymëzon gjeneratën e re te programuesve

Njihuni me Kostën – një yll në ngritje në teknologjinë e informacionit nga Maqedonia e Veriut që dëshiron të shfrytëzojë teknologjinë për të ndryshuar botën për më mirë. Kosta Gjorgjevski është një 18 vjeçar nga Shkupi, Maqedonia e Veriut. Pavarësisht moshës së tij të re, ai është bërë tashmë një nga profesionistët më të njohur të teknologjisë së informacionit në vendin e tij. Ai filloi programimin kur ishte vetëm dhjetë vjeç. Ai shpjegon se luante video lojëra thuajse çdo ditë derisa kuptoi se thjesht po humbiste kohë. “Mendova, pse të mos bëj diçka më sfiduese? Atëherë vendosa të zhvilloj vetë video lojëra,” shpjegon Kosta. Kosta punoi për zhvillimin e lojërave për pak kohë. Ai pati sukses, por teksa rritej filloi të mendojë se duhet të përqendrohej në gjëra më të rëndësishme. Ai e dinte se nëse përdorej siç duhet, teknologjia e informacionit mund të ndryshojë botën për më mirë.

“Mendova, pse të mos bëj diçka më sfiduese? Atëherë vendosa të zhvilloj vetë video lojëra.”

Si mund të bëhet bota një vend më i mirë? Në këtë moment ai vendosi ta marrë programimin shumë më seriozisht dhe ndaloi së zhvilluari video lojëra. Kosta zhvilloi një sistem softuer-harduer për një projekt shkollor, i cili zbulon gazet helmuese në ajër në një hapësirë të mbyllur. Sistemi pati sukses në zbulimin e gazeve toksike dhe lajmërimin e të personave pranë se diçka po nuk ishte siç duhet. Ai ndezi dhe sistemin e ventilimit për të larguar rrezikun. Projekti u njoh si një nga projektet më novatore në Maqedoninë e Veriut nga Fondi për Novacion. “Pas këtij projekti u ndjeva shumë mirë, ndjeva se po bëja diçka të dobishme me aftësitë e mia,” shprehet Kosta. Kur ishte 15 vjeç, ai fitoi një çmim të rëndësishëm për konkursin kombëtar Codefest Tech Hackathon. Gjatë konkursit Kosta, së bashku me ekipin, zhvilluan një aplikim për video-lojën historike Cold War. Kosta shpjegon se ideja ishte gjetja e një ngjarje historike, zhvillimi i një video loje rreth kësaj ngjarjeje dhe ta bëje disi edukative. Në fund, Kosta dhe ekipi i tij fituan vendin e dytë në përgjithësi dhe vendin e parë për ndërveprimin me përdoruesin dhe dizajnimin e përvojës së përdoruesit. Pas këtyre arritjeve, ai fitoi një sërë çmimesh të tjera – një arritje jashtëzakonisht mbresëlënëse në një moshë kaq të re.

“Këto përvoja kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në vizionin tim për të ardhmen. Kam ende gjëra të reja për të nxënë dhe po vazhdoj të kërkoj mundësi të reja të nxëni.”

Rreth programit ERASMUS+ është programi i BE-së që mbështet arsimin, trajnimin, të rinjtë dhe sportin në Evropë. Buxheti i tij prej 14.7 miliardë euro u ofron mundësi më shumë se katër milionë evropianëve për të studiuar, për t’u trajnuar dhe për të fituar përvoja jashtë vendit. Sidoqoftë rrugëtimi i tij drejt suksesit nuk ka qenë i thjeshtë. Ai pati mbështetjen e familjes, por gjithsesi i duhej të përballej me sfida të tjera. Një nga sfidat kryesore ishte të nxënit e matematikës së komplikuar që është thelbësore në programimin kompjuterik. Atij iu desh të ndiqte një sërë kursesh private për të përmirësuar aftësitë e tij në matematikë dhe në temat e lidhura me të. Kosta shpjegon se këto përvoja të nxëni sollën një ndryshim thelbësor për të në jetën profesionale dhe personale. “Këto përvoja kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në vizionin tim për të ardhmen. Kam ende gjëra të reja për të nxënë dhe po vazhdoj të kërkoj mundësi të reja të nxëni,” shprehet ai. Frymëzimi i Barcelonës Vitin e shkuar ai aplikoi dhe fitoi një mundësi për t’iu bashkuar një udhëtimi studimor në Barcelonë. Udhëtimi u financua dhe u mbështet nga programi ERASMUS+ i Bashkimit Evropian. Kosta dhe të rinjtë e tjerë kaluan 16 ditë në Barcelonë dhe vizituan universitete që punojnë për softuerë për makinat e Formula 1. Ata vizituan edhe fabrikën e makinave SEAT, kur mësuan rreth mekatronikës – robotë që ndërtojnë makina. “Ishte e jashtëzakonshme dhe mahnitëse,” shprehet Kosta. Kosta shpjegon se përvoja në Barcelonë e frymëzoi të krijojë projekte të reja dhe e motivoi akoma më tepër të ndjekë një karrierë në teknologjinë e informacionit. Po ashtu, ndërkohë që ishte në Barcelonë ai vizitoi edhe muze dhe vende të tjera kulturore, njohu miq të rinj dhe zgjeroi horizontet e tij kulturore. Tani, Kosta planifikon të ndjekë karrierën në inxhinieri kompjuterike, duke përfshirë edhe punën për programimin e harduerëve dhe softuerëve.  “E kam zgjedhur këtë sepse do të më mundësojë të krijoj pajisje që janë vërtet novatore,” shprehet ai.

Disa zakone nuk ndryshojnë: një pasion fëmijërie i kthyer në profesion

Nëpërmjet ERASMUS+ Florjan Muhaj nga Shqipëria e ka kthyer pasionin e tij për shkencat politike në karrierë profesionale. Politika ka qenë pasioni i Florjanit qe në fëmijëri. Kur shokët e tij luanin me top, Florjanit i pëlqenin lajmet dhe ngjarjet politike. Ai u përfshi në klubin e shkollës së tij për shkencat politike kur ishte vetëm 14 vjeç. Më pas ai iu bashkua senatit të shkollës dhe u përzgjodh President. Ai e vazhdoi aktivizmin politik në shkollën e mesme ku promovoi problematikat mjedisore për bashkëmoshatarët e tij. “Ndoshta disa gjëra shfaqen në fëmijërinë e hershme dhe thjesht bëhen më të forta dhe më të forta,” shprehet Florjani. Kur erdhi momenti për të vendosur për kursin e studimit në universitet, ai nuk kishte dyshime për fakultetin që do të zgjidhte. Ai u regjistrua në kursin e Universitetit të Shkencave Politike të Tiranës, i cili sipas Florjanit ishte ‘një program studimi relativisht i ri’. Ai kombinonte interesat e tij për demokratizimin, veprimin politik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

U përfshiva aq shumë në proces sa që isha tërësisht i bindur se për pak muaj do të isha pjesë e grupit të parë të studentëve që do të fillonin programin. Dhe ia dola!”

Zgjedhjet e karrierës Florjani ishte shumë i qartë se donte një karrierë në fushën e politikëbërjes dhe diplomacisë duke u përqendruar në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin e BE-së dhe jo aq shumë në partitë politike. Ai ishte i vetëdijshëm që kjo ishte një fushë studimi më specifike që kërkonte një lloj njohurie specifike dhe aftësi që nuk ishin të disponueshme në fakultetin e tij. Në vitin 2017 një nga profesorët e tij e këshilloi të merrte në konsideratë mundësinë që të studionte në një program të nivelit master jashtë shtetit për Shkenca Politike, Integrim dhe Qeverisje nëpërmjet një skeme bursash të financuara nga programi i Bashkimit Evropian ERASMUS+. Ai filloi përgatitjen e dokumenteve të aplikimit. “U përfshiva aq shumë në proces sa që isha tërësisht i bindur se në pak muaj do të isha pjesë e grupit të parë të studentëve që do të fillonin programin. Dhe ia dola!” Shprehet Florjani dhe entuziazmi i asaj kohe ndihet ende në zërin e tij. Ai zgjodhi të studiojë në Austri. “Në atë kohë, Universiteti i Salzburg-ut ishte i vetmi universitet brenda programit që ofronte kurse për vitet e para. Më pas për studimet e vitit të dytë pata mundësinë të zgjidhje midis universiteteve partnere të Ballkanit Perëndimor, por si mund të mateshin ato me Universitetin e Slazburg-ut?! Do ta zgjidhja atë një milion herë,” shprehet Florjani. Qasjet e reja Ai flet me entuziazëm për qasjen në Salzburg. “Kishte shumë mundësi zgjedhjeje për sa i përket moduleve të kurseve, thuajse sikur të mund hartoje kursin vetë – diçka që nuk ndodh gjithkund dhe veçanërisht jo në Ballkani Perëndimor ku ke një program kursi fiks dhe vetëm disa zgjedhje.”

“U riktheva në Shqipëri me shumë njohuri rreth BE-së, politikave dhe teorive të tij; dhe një dashuri të pafundme për Salzburg-un.”

Rreth programit ERASMUS+ është programi i BE-së që mbështet arsimin, trajnimin, të rinjtë dhe sportin në Evropë. Buxheti i tij prej 14.7 miliardë euro u ofron mundësi më shumë se katër milionë evropianëve për të studiuar, për t’u trajnuar dhe për të fituar përvoja jashtë vendit.   Gjatë studimeve në Austri ai pati mundësinë të vizitonte edhe disa nga institucionet kyçe të Bashkimit Evropian – në Luksemburg dhe Bruksel. Për të, kjo ishte një javë shumë produktive dhe ai pati mundësinë të shikonte vetë se si funksionon BE-ja dhe institucionet e saj. “U riktheva në Shqipëri me shumë njohuri rreth BE-së, politikave dhe teorive të saj; dhe një dashuri të pafundme për Salzburg-un dhe Austrinë dhe me miqësi të shkëlqyera që do të zgjasin përjetë.” Isha shumë entuziast që do të vendosja në praktikë çdo gjë që kisha nxënë,” shprehet ai. Fillimi i një karriere Florjani është tanimë 25 vjeç dhe punon për qeverinë lokale të qytetit të tij të lindjes në Njësinë e Integrimit në BE dhe Ndihmës së Huaj në të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Gjatë dy viteve të fundit, ai ka punuar fort në bashkinë e tij për të shtuar mundësitë për integrimin evropian. “Unë kam bashkëpunuar në organizimin e më shumë se sa 25 veprimtarive me rreth 1,000 pjesëmarrës në total, duke promovuar vlerat evropiane, angazhimin e të rinjve në shoqërinë civile dhe Ditët e rëndësishme për botën dhe Evropën dhe duke informuar qytetarët rreth procesit të integrimit në BE dhe institucionet dhe politikat e tij,” shprehet ai me krenari.

Po, ti mund ta kapësh Kanën!

Dizajneri i modës nga Sarajeva fiton mundësinë për të vizituar Festivalin e Filmit në Kanë në një konkurs për të apasionuarit të filmave. Milan Senić, 39, është një dizajner mode profesionist nga Sarajeva. Milan i adhuron filmat, por zakonisht nuk ka kohë të shohë filma për shkak të punës së tij. Vitin e kaluar ai pa një njoftim në Facebook për një projekt të quajtur Sfida e Filmit Evropian. Njoftimi ftonte audiencën të shikonte dhjetë filma evropianë në dhjetë javë në çdo lloj media të ligjshme. Pasi shikonin filmat, konkurrentët duhet të ndanin përvojën e tyre kinematografike në rrjetet sociale dhe të mblidhnin pikë. Konkurrenti që mblidhte numrin më të lartë të pikëve do të kishte mundësinë të merrte pjesë në një festival të madh filmi, me të gjitha kostot e mbuluar nga projekti.

 “Siç thonë: nëse do të bësh diçka, do ta gjesh kohën; nëse nuk e gjen, do të gjesh një justifikim.”

Një zakon i mirë Milani vendosi të marrë përsipër sfidën dhe filloi të përzgjidhte dhe të shihte filma. Përpara sfidës ai ishte një nga ata persona që duan të shikojnë më shumë filma por që s’kanë kohë për to. “Sfida më ndihmoi t’i rikthehem zakonit të mirë të të parit të filmave rregullisht. Siç thonë: nëse do të bësh diçka, do ta gjesh kohën; nëse nuk e gjen, do të gjesh një justifikim.” Milani e shijoi përvojën në konkurs, duke qenë se është admirues i madh i filmave evropianë. Duke kërkuar për filmat më të mirë evropianë, ai thotë se zbuloi shumë regjisorë dhe filma interesantë. Deri atëherë kishte preferuar kryesisht filmat spanjollë, italianë dhe francezë, por ai shprehet i kënaqur se gjatë sfidës pati mundësinë të zbulonte, për shembull, filma hungarezë që nuk i kishte parë kurrë. Çmimi kryesor Përpjekjet e tij patën rezultat. Milani pati fatin të fitonte konkursin dhe mundësinë të ishte pjesë e Festivalit të Filmit në Kanë. “Kisha informacion për Kanën, por kur shkova atje u shokova kur pashë sa e bukur dhe e shtrenjtë ishte gjithçka. Ishte një përvojë e mrekullueshme të shihje gjithë atë madhështi dhe luks,” shprehet ai. Për pjesën më të madhe të njerëzve në Kanë, Festivali është një udhëtim pune për t’u takuar me producentë, regjisorë dhe partnerë të tjerë të industrisë së filmit. Në këtë drejtim, Milani kishte avantazhin: ai nuk kishte gjë tjetër për të bërë përveçse të shijonte festivalin dhe të shihte filmat. Por, ai pati edhe mundësinë të përfitonte profesionalisht duke vizituar festivalin. Kana është një festival filmi i famshëm, pjesë thelbësore e të cilit është edhe moda dhe ishte një përvojë e jashtëzakonshme ta shikoje të gjithin drejtpërdrejtë. “Ishte edhe një përvojë profesionale e dobishme, duke qenë se Kana është shumë e rëndësishme për industrinë e filmit dhe modës,” shprehet Milan.

“Ishte edhe një përvojë profesionale e dobishme, duke qenë se Kana është shumë e rëndësishme për industrinë e filmit dhe modës.”

Promovimi i filmave evropianë Milan ishte vetëm një nga fituesit nga vendet pjesëmarrëse që ishin pjesë e projektit. Duke pasur parasysh suksesin e edicioneve të mëparshme, projekti arriti fazën e radhës në zhvillimin e audiencës dhe rritjen e komunitetit. Kjo përfshin zbatimin e katër ideve kryesore novatore: një program për influencuesit e filmit dhe platformën e kurimit të përmbajtjes, eventet për adhuruesit e kinemasë dhe studimin e tregut kinematografik që analizon të dhënat e mbledhura në konkurs. Vendet partnere përfshinë Bosnjë dhe Hercegovinën, Çekinë, Spanjën, Letonin, Lituaninë, Maqedoninë e Veriut, Portugalinë dhe Serbinë. Projekti i Sfidës së Filmit Evropian financohet nga Programi Creative Europe i Bashkimit Evropian që mbështet sektorin e kulturës dhe kreativitetit.

Një përvojë shndërruese me ERASMUS+

Ahmedi, një student i arteve pamore nga Bosnjë-Hercegovina, na tregon se si shkëmbimi studentor në Turqi “e ndryshoi si njeri.” Ahmedi është një ndër shumë profesionistët e arteve pamore dhe dizajnit të komunikimit në Bosnjë-Hercegovinë. Pavarësisht kësaj, ai ndoqi një rrugë të pazakontë në profesionin e tij. Në shkollë të mesme, Ahmedi ka studiuar teologji. “Në fakt, kur isha në shkollë të mesme, nuk mendoja se isha i talentuar dhe kjo ndikoi në mirëqenien time psikologjike. Ndihesha në depresion pasi nuk arrija të vendosja se çfarë do të studioja në universitet.” – shprehet ai. Kur ishte në shkollë të mesme, Ahmedi nuk ishte i sigurt se çfarë profesioni dëshironte të kishte në të ardhmen, por pak kohë përpara se të diplomohej, miku i tij më i mirë i tha se do të aplikonte në programin e studimit të arteve pamore dhe dizajnit të komunikimit në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës. Ahmedi vendosi të bënte të njëjtën gjë ndonëse nuk ishte i sigurt se kishte talent në këtë fushë të re. Siç e shpjegon ai, këtë vendim e mori duke u i shtyrë nga një instinkt i brendshëm. Dhe si për çudinë e tij, ai u përzgjodh. Me sa duket, kishte talent.

“U përfshiva plotësisht në çdo lëndë. Nuk kisha shumë njohuri paraprake, por nuk më mungonte dëshira për të mësuar e për të eksploruar. Punova ditë e natë për të mbushur boshllëqet në njohuri.”

Puna e palodhur të shpërblen Kursi përfshinte lëndë të ndryshme, si: dizajn grafik, fotografi, montazh videosh, dhe pikturë. Të gjitha këto lëndë ishin të panjohura për Ahmedin. “U përfshiva plotësisht në çdo lëndë. Nuk kisha shumë njohuri paraprake, por nuk më mungonte dëshira për të mësuar e për të eksploruar. Punova ditë e natë për të mbushur boshllëqet në njohuri.” – thotë ai. Puna e tij e palodhur ia vlejti. Ahmedi fitoi një bursë nga universiteti, që mbulonte 50% të tarifës së shkollimit. Me përmirësimin dhe rritjen e vetëbesimit të tij, ai filloi të bënte plane për të përmirësuar aftësitë e tij nëpërmjet përvojës ndërkombëtare. Por ai nuk i kishte mundësitë financiare, ndaj i nevojitej mbështetje. Gjuha zyrtare në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës ishte anglishtja, e cila nuk ishte pika e fortë e Ahmedit. Ndaj, ai vendosi të ndiqte një kurs gjuhe për personat që nuk flisnin anglisht. Ai shpjegon se pjesëmarrja në këtë kurs kontribuoi në zgjerimin e horizontit dhe mendësisë së tij, pasi përveç mësimit të gjuhës, kursi përfshinte edhe tema, si të menduarit kritik dhe planifikimi i karrierës. Profesori gjithashtu e prezantoi me programin ERASMUS+ që ofron bursa për studentët, të cilët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit. Ahmedi e shfrytëzoi këtë mundësi pa një pa dy. Mbresa turke Atij iu dha mundësia të vazhdonte studimet në Universitetin Anadolu në Eskisehir, Turqi. Ahmedi shpjegon se asokohe ishte i kënaqur kudo që të shkonte. Nuk kishte dëgjuar kurrë më parë rreth këtij universiteti dhe madje as nuk e kërkoi në Google. “Kur mbërrita, kuptova se ishte zgjedhja më e mirë në jetën time, pasi rashë në dashuri me qytetin, universitetin, dhe njerëzit. M’u duk sikur nuk isha në këtë planet. Ata pesë muaj ishin pesë muajt më të bukur të jetës sime.” – thotë Ahmedi.

“Mund të tingëllojë klishe, por u bëra më mendjehapur. Ndryshova për mirë.”

ERASMUS+ është program i BE-së për të mbështetur arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në Evropë. Buxheti prej 14.7 miliardë eurosh ofron mundësi për mbi 4 milionë evropianë që të studiojnë, të trajnohen, dhe të fitojnë përvojë jashtë vendit. Një nga elementet që vlerëson më shumë nga përvoja e tij në universitetin e Eskisehirit është qasja e profesorëve, që ishin shumë mbështetës dhe të gatshëm për ta ndihmuar. Ai kujton që studentët si ai përkraheshin edhe më tepër. Ahmedi i zhvilloi konsiderueshëm kapacitetet e tij profesionale gjatë qëndrimit në Universitetin Anadolu, por pati edhe përfitime të tjera. Rritja e vetëbesimit Ahmedi thotë se përpara se të shkonte në Eskisehir ishte më i mbyllur. Përvoja në Eskisehir e ndryshoi. Kur u kthye në Sarajevë, ai e kuptoi se sa kishte ndryshuar. Ai filloi të aplikonte në programe dhe projekte vullnetare dhe u bë pjesëtar i rregullt i shërbimit vullnetar të universitetit. “Duke parë sa mirë shkuan gjërat me programin Erasmus ku u përfshiva, unë vendosa të lidhesha me programe të tjera të BE-së. Së fundmi u bëra anëtar i rrjetit të studentëve të Erasmus-it. Mund të tingëllojë klishe, por u bëra më mendjehapur. Ndryshova për mirë,” – thotë Ahmedi. Ahmedi u diplomua këtë verë dhe aktualisht po punon me kohë të pjesshme, por synon të gjejë një punë më kohë të plotë që lidhet me profilin e tij. Në të ardhmen ai shpreson që të ngrejë biznesin e tij.

Atë që vërtet e do,e arrin

Karriera e një aktoreje të re nga Mali i Zi merr hov falë një shfaqes “Kapital” të financuar nga BE-ja. Jelena 22 vjeçare ka pasur përzemër artin dhe në veçanti aktrimin që prej një moshe të hershme. Kur ishte në shkollë, ajo merrte pjesë rregullisht në veprimtari që lidheshin me dramën dhe aktrimin. Por në atë kohë ajo nuk e dinte se kur të vinte koha për zgjedhjen e karrierës së saj profesionale, ky gëzim do të sillte me vete edhe disa probleme. Gjatë shkollës së mesme, aktrimi ishte kthyer në pasion të vërtetë për të dhe ajo kishte filluar ta shihte si profesionin e saj për jetën. Familja dhe disa miq e këshilluan duke i thënë se përzgjedhja e aktrimit si profesion mbartte risqe. “Ata më thanë që aktrimi nuk paguan dhe se nuk jetohet vetëm me dashurinë për artin. Besoj së ka një farë të vërtete në këtë mendim, por mendoj edhe se nëse do të bësh diçka, nëse i përkushtohesh dhe nëse me të vërtetë e dashuron atë, e arrin dhe e bën,” thotë ajo. Sidoqoftë, Jelena nuk besonte shumë se do të kalonte provimin e pranimit në Fakultetin e Dramës. Ajo u siguruar që të kishte një plan të parë dhe një plan të dytë rezervë nëse ajo nuk arrinte të pranohej. Ndërkohë, ajo punonte shumë dhe përgatitjesh gjatë gjithë kohës për provimin.  Fatmirësisht, plani i saj kryesor u realizuar dhe ajo u pranua në Fakultetin e Dramës.

“Nëse do të bësh diçka, nëse i përkushtohesh dhe nëse me të vërtetë e dashuron atë, e arrin dhe e bën”

Një rast i veçantë Megjithatë, siç edhe ajo thotë vetë ‘ky nuk ishte fund si në përralla’, sepse sfidat për një artist nuk përfundojnë pas regjistrimit në universitet Ajo e dinte se duhej të punonte dhe të mësonte shumë, dhe ishte e gatshme ta bënte këtë. Por ende nuk ishte e sigurt nëse puna e saj do të kishte rezultate të prekshme dhe nëse do t’i sillte karrierë të suksesshme dhe stabilitet financiar.  Megjithatë, gjatë vitit të parë ajo u ftua të provonte për një shfaqe, ose një performancë, siç dëshiron ta quajë ajo. Shfaqja po punohej në kuadër të projektit EU Collective Plays!, të  financuar përmes Programit për Evropën Krijuese të Bashkimit Evropian. Pak muaj më vonë, e informuan se ishte pranuar. Kjo ishte shfaqja e saj e parë.  Nuk është e zakonshme që studentë të vitit të parë të luajnë në shfaqe, aq më tepër në një që përfshin performanca ndërkombëtare. “Ky ishte një rast i veçantë!” thotë Jelena.

“Ishte performancë e vështirë. Ka shumë muzikë dhe paraqet shumë pikëpamje për çdo temë ose problem. Kështu që, njerëzit u befasuar, dhe njerëzit u mahnitën, njerëzit qeshën dhe njerëzit qanë.”

Projekti EU Collective Plays! promovon bashkëpunimin ndërkombëtar ndërmjet shkrimtarëve teatralë, organizatave teatrale dhe komuniteteve të kombësive të ndryshme për të ndarë krijimet dhe vënë në skenë shfaqe kolektive. Projekti gjithashtu promovon dramaturgët e rinj dhe karrierat e tyre dhe mirënjohjen e tyre në nivel evropian dhe botëror. Projekti eksperimenton me zgjerimin e audiencave teatrale duke organizuar lloje të ndryshme seminaresh, shfaqesh dhe laboratorësh edukimi. Krijimi i mundësive Emri i shfaqes ishte Kapital dhe koncepti i saj ishte të vinte gjithçka në pikëpyetje, nga teoritë që pranohen si të vërteta tek shifrat për varfërinë, statistikat zyrtare për shoqërinë konsumatore e deri tek debatet nacionaliste.  “Mezi po prisja. Së pari, po më jepej mundësia të punoja me regjisorin e njohur András Urbán. Ishte shumë ndryshe nga teatri klasik, kështu që puna me të më mësoi që teatri klasik nuk është forma e vetme e teatrit.  Ka edhe shumë mënyra të tjera për t’iu qasur temave dhe problemeve që janë të pranishme tani, dhe jo vetëm atyre të shkruara në disa libra apo drama,” thotë ajo. Trupa udhëtoi gjerë e gjatë për të luajtur shfaqen, brenda dhe jashtë Malit të Zi, dhe si rrjedhojë Jelenën e Ftuan në prova dhe i kërkuan të luante në shfaqe të tjera. Përveç Kapital, partnerët zhvilluan shfaqe dhe performanca të tjera në kuadër të Projektit “EU Collective Plays!”. Partnerët e projektit kanë ngritur nëntë grupe kolektive për shkrim pjesësh teatrale dhe kanë finalizuar nëntë pjesë origjinale, të cilat janë shkruar bashkërisht. “Kapital” ka marrë vlerësime pozitive dhe lëvdata të gjithanshme nga auditorët e qyteteve ku është vënë në skenë. “Ishte performancë e vështirë. Ka shumë muzikë dhe paraqet shumë pikëpamje për çdo temë ose problem. Kështu që, njerëzit u befasuan, dhe njerëzit u mahnitën, njerëzit qanë dhe njerëzit qeshën,” thotë Jelena. Dhe mbase në auditor ishte edhe një vajzë tjetër e vogël me sytë e ngulitur në skenë plot mahnitje dhe që nisë të mendonte se kur me të vërtetë e do diçka, mund t’ia arrish.

Energji e re kalon përmes kufijve

Një shkencëtar i ri nga Mali i Zi sjell pasionin e tij për kërkimin shkencor në një projekt transkombëtar të energjisë së rinovueshme. Ndërkohë që shumica e miqve të Mihailo-s donin të luanin futboll dhe lojëra të tjera në oborrin e shkollës, parku i tij i lodrave ishte laboratori i shkollës. Ai nuk e di se nga i erdhi ky pasion për shkencën: “Nuk mbaj mend të kem pasur diçka që më shtyu dhe më frymëzoi drejt shkencës. Këtë frymëzim e kam pasur gjithmonë me vete,” thotë ai. Gjatë fëmijërisë së tij pasioni për shkencën u rrit bashkë me të. Ai lëvdohej nga mësuesit e tij dhe në shkollë të mesme filloi të fitonte çmime për eksperimentet e tij shkencore. “Në shkollë fillova të punoja më shumë me tema që lidheshin me inxhinierinë elektrike. Kështu që, kur mbarova shkollën e mesme, ishte e natyrshme të vendosja të vazhdoja studimet për inxhinieri elektrike”, vëren ai. Mihailo u regjistruar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike të Universitetit të Podgoricës. Ai ishte student i përkushtuar dhe vijonte të kishte rezultate të larta, dhe shpejt tërhoqi vëmendjen e pedagogëve të tij. Ai ishte një nga studentët më të mirë në kursin e vet dhe fare pak pas diplomimit u ftua të punonte si asistent pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë. Ndërkohë që Mihailo u gëzua nga ftesa, ai kishte hezitimet e veta.  Qëllimi i tij kryesor ishte të punonte me kërkime dhe studime shkencore dhe nuk ishte i sigurt nëse pozicioni i tij do t’i krijonte mundësi dhe jepte kohë të mjaftueshme për të ndjekur pasionin e tij.

“E tashmja jonë dhe e ardhmja e të gjithë planetit dhe sistemit të energjisë varen nga burimet e rinovueshme të energjisë”

Më mirë dhe më shumë Mali i Zi është një vend i vogël me vetëm rreth 600.000 banorë. Si pasojë, Universiteti i Podgoricës ka burime të kufizuara në kuadër të punës në projekte të mëdha shkencore. Ndërkohë, Mihailo kishte një zell në vetvete për të punuar me diçka më të madhe që do të kishte ndikim jo vetëm në Malin e Zi, por edhe përtej kufijve të vendit të vet. Pak kohë pasi nisi punën si asistent pedagog, fakulteti i dha Mihailo-s një mundësi tjetër në kudër të projektit Crossbow të financuar nga BE-ja.  Tamam ajo që ai po kërkonte: një fushë e re dhe e rëndësishme eksperimentimi që do të kishte ndikim pozitiv mbi një numër shumë të madh njerëzish. Përtej kufijve Me Malin e Zi ndër to, në projekt marrin pjesë trembëdhjetë vende. Projekti synon të promovojë menaxhimin ndërkufitar të energjive të rinovueshme dhe njësive të ruajtjes të llojeve të ndryshme me qëllimin përfundimtar të fuqizimit të tregut transkombëtar të shitjes me shumicë të energjisë së rinovueshme. Ekipe shkencëtarësh nga të gjitha vendet partnere punonin në përbërës të ndryshëm të projektit.  “Të them të drejtë, fillimisht u befasova nga kjo mundësi e madhe që mu ofruar, kur marr parasysh që nuk kish shumë përvojë. Isha i entuziazmuar, dhe e pranova ftesën me shumë gëzim”, thotë ai. Detyrat e Mihailo-s në këtë projekt përfshinin modelimin e energjisë diellore dhe të biomasës. Kjo përfshin parashikimin e prodhimit të energjisë nga këto lloje centralesh energjetike, që ai thotë se është “diçka e re, interesante dhe entuziazmuese.” Mihailo mori pjesë në seminare dhe konferenca të organizuara në kuadër të projektit. Seminare i mundësuan të njihej me shkencëtarë që kanë bërë punë me rëndësi në energjinë dhe energjinë elektrike të rinovueshme në vendet partnere. Kjo ishte një përvojë e rëndësishme të nxëni , duke qenë se ai kishte shumë pak njohuri dhe përvojë në këtë fushë. “Puna me projektin kërkonte shumë kohë dhe energji, por unë nuk ndjeja as trysninë e kohës dhe as lodhje, sepse për mua ishte si të isha në ëndërr,” thotë ai. Mihailo përmbushi me sukses detyrat e rolit të tij në projekt dhe thotë se mësoi shumë gjëra të reja dhe jetike.  Ai tani po kërkon përvoja të reja në fushën e energjisë së rinovueshme, sepse siç ai thotë “e ardhmja jonë dhe e ardhmja e të gjithë planetit dhe sistemit të energjisë varen nga burimet e rinovueshme të energjisë.”

“Puna me projektin kërkonte shumë kohë dhe energji, por unë nuk ndjeja as trysninë e kohës dhe as lodhje, sepse për mua ishte si të isha në ëndërr.”

Crossbow është projekt prej 17,2 milion Euro në sektorin e rrjeteve inteligjente, financuar nga programi i kërkimit dhe novacionit i Komisionit Evropian, Horizon2020. Në projekt marrin pjesë njëzet e katër partnerë nga 13 vende evropiane me tetë operatorë kombëtarë të sistemeve të transmetimit. Projekti nisi në nëntor të vitit 2017 dhe do të zgjasë katër vjet.