Skip to main content

Autor: WeBalkans

Studimi i ri tregon reziliencën dhe përgjigjen e fqinjëve të BE-së gjatë krizës së pandemisë

Një studim i ri nga European Training Foundation (ETF) dhe Eurofound tregon rezistencën dhe përgjigjen me të cilën u përballën gjatë pandemisë së COVID-19 qytetarët në BE dhe në 10 shtetet fqinje të BE-së. Ky raport, Living, working and COVID-19, tregon se pavarësisht sfidave, qytetarët nga Shqipëria, Gjeorgjia, Jordania, Kosova*, Libia, Moldavia, Maroku, Maqedonia e Veriut, Palestina* dhe Tunizia kanë qëndruar optimistë.

 

Gjetjet nënvizojnë rëndësinë e investimit në arsim dhe potencialin e punës në distancë si një mjet për ekuilibrin dhe fleksibilitetin mes punës dhe jetës dhe ofrojnë një udhërrëfyes për qytetarët në lagjen e BE-së që të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë.

 

Raporti konfirmon rolin e zhvillimit të aftësive për qytetarët në lagjen e BE-së për të krijuar një të ardhme më të mirë për veten dhe komunitetet e tyre. Me afrimin e European Year of Skills, raporti është një thirrje për veprim për zhvillimin e aftësive themelore. Nisma e BE-së do të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe mesatare për të trajtuat mungesat në aftësi dhe për të promovuar ri-aftësimin dhe aftësimin më të mirë të forcës së punës për të nxitur synimet sociale të BE-së për vitin 2030, që përfshin 60% të të rinjve që marrin pjesë në trajnimin vjetor dhe 78% të të punësuarve.

 

Sondazhi ‘Living, working and COVID-19’, që u lançua fillimisht nga Eurofund në fillim të vitit 2020, synon të tregojë ndikimin në shkallë të gjerë të pandemisë në punën dhe jetën e qytetarëve të BE-së. Raundi i pestë i sondazhit, që u zbatua në pranverën e vitit 2022, hedh dritë në realitetin e ri të pasigurt të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, nivelet e larta dhe inflacionit dhe rritjet e mëdha në koston e jetesës. Raporti Eurofound-ETF ofron një tablo gjithëpërfshirëse të ndikimit të COVID-19 në jetën dhe mënyrën e jetesës të personave në BE dhe fqinjëve të saj.

Komisioneri Várhelyi mori pjesë në një ceremoni në Serbi për projektin e hekurudhës së Korridorit X dhe për të diskutuar prioritetet e negociatave për anëtarësimin në BE.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi do të jetë në Serbi sot për të njoftuar një paketë financiare prej 2.2 miliardë euro që do të mundësojë modernizimin thelbësor të shinave të hekurudhës së Korridorit X.

 

 Projekti i hekurudhës Korridori X është një nga investimet parësore të  Planit Ekonomik dhe të investimeve, që lidh rajonin me BE-në nëpërmjet Kroacisë, përmes Beogradit dhe më pas në Niš, Shkup dhe Greqi. Projekti do të kontribuojë në modernizimin e hekurudhave në Serbi dhe në përmirësimin e lidhjes së Serbisë me rrjetet e tjera hekurudhore të Evropës. Ai është pjesë e Planit Ekonomik dhe të Investimeve prej 30 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor, që synon të mobilizojë investimet në fushat e transportit, energjisë dhe tranzicionit të gjelbër për të krijuar rritje dhe punë të qëndrueshme.

 

Për këtë projekt parashikohet një grant prej 600 milionë euro nga BE-ja. Nga këto, 265 milionë euro janë miratuar tashmë për hekurudhën e shpejtësisë Beograd – Niš, që do të mundësojë udhëtimin mes dy qyteteve me shpejtësi prej rreth 200 km / h dhe për rreth 100 minuta. Pjesa tjetër e paketës konsiston në një borxh prej 1.1 miliardë euro nga EIB dhe një borxh prej 550 milionë euro nga EBRD.

 

Gjatë vizitës së tij, Komisioneri Várhelyi do të takohet me presidentin Aleksandar Vučić, kryeministren Ana Brnabić, ministren e integrimit evropian Tanja Miščević dhe ministrin e brendshëm Bratislav Gašić, për të diskutuar prioritetet e negociatave për anëtarësim, në veçanti në fushën e shtetit të së drejtës, bashkëpunimit në fushat e lidhjes së qëndrueshme, energjisë dhe migracionit.

 

Komisioneri do të diskutojë dhe mbështetjen e BE-së për Serbinë për t’u përballur me krizën aktuale të energjisë pas nënshkrimit kohëve të fundit prej buxhetit prej €165 milionë për të ndihmuar në zbutjen e çmimeve të energjisë për familjet e cenueshme dhe SME-të nën €1 miliardë  për Energy Support Package Ballkanin Perëndimor.

“Ndërlidhja e Perlave” – Ndërveprimi i komunave ndërkufitare përmes natyrës dhe turizmit

Me mbështetjen e BE-së, komunat ndërkufitare në Serbi dhe Maqedoni të Veriut kanë bashkuar forcat për të ndarë trashëgiminë e tyre me vizitorët.

Natyra dhe trashëgimia e pasur kulturore janë emëruesit e përbashkët të rajonit kufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Malet e Osogovës dhe masivi malor i Kukavicës në kufijtë e komunave të Kriva Palankas dhe Leskovacit kanë një peizazh të jashtëzakonshëm natyror. Moria e boronicave të egra, mjedrave, kërpudhave, bimëve mjekësore, dhe ushqimeve tradicionale, si: polenta me kačamak janë një tjetër arsye që i tërheq vizitorët drejt këtij rajoni.

Shumëllojshmëria e mundësive për të shijuar zonat natyrore, kulturore dhe historike sjell zhvillimin e formave të ndryshme të turizmit dhe shuan kureshtjen e çdo vizitori. Megjithatë, ky potencial turistik nuk ishte i mirënjohur as në rajon, as në botë. Komunat e Leskovacit dhe Kriva Palankas vendosën të bashkonin forcat dhe, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ta promovonin këtë destinacion si një zonë tërheqëse turistike, duke prezantuar një projekt bashkëpunimi ndërkufitar.

“Adhuruesit e maleve nga zona jonë e vizitojnë rajonin rregullisht. Megjithatë, është e qartë se mungon infrastruktura drejt disa prej zonave më të bukura, dhe pak njerëz jashtë rajonit e dinë që kjo bukuri natyrore ekziston në Leskovac dhe Kriva Palanka.”

Maja Kocić është menaxhere projekti nga qyteti i Leskovacit në Serbi. Si një nga krijueset e projektit, ajo shpjegon se nevoja për këtë nismë ishte e dukshme. “Adhuruesit e maleve nga zona jonë e vizitojnë rajonin rregullisht. Megjithatë, është e qartë se mungon infrastruktura drejt disa prej zonave më të bukura, dhe pak njerëz jashtë rajonit e dinë që kjo bukuri natyrore ekziston në Leskovac dhe Kriva Palanka.” – shprehet Maja.

Mjedisi që lidh rajonin ndërkufitar është i bukur si një perlë, ndaj qytetet vendosën ta emërtonin projektin “Ndërlidhja e perlave”. Projekti përfshin një sërë veprimtarish dhe ndërhyrjesh. Fillimisht, partnerët organizuan workshop-e për të lehtësuar bashkëpunimin midis organizatave turistike përtej kufirit. Në workshop-e morën pjesë dhjetë organizata nga të dyja anët e kufirit, të cilat më pas formuan një grup pune me palë interesi ndërkufitare.

Në vazhdën e këtij veprimi, projekti vijoi punën me ndërhyrjet e domosdoshme në shkallë të vogël. Në të dyja anët e kufirit, projekti kontribuoi duke shtruar rrugë dhe shtigje, duke ndërtuar sheshe lojërash për fëmijët dhe shtëpiza vere, si dhe duke instaluar stola, shtylla me ndriçim diellor, kënde informuese, si dhe kosha plehrash.

Krahas kësaj, projekti organizoi veprimtari promovuese, me emrin “Fundjava të gjelbra”, në të cilat morën pjesë qindra persona për të ndjekur muzikë live, për të shijuar ushqime tradicionale, dhe për të bërë ecje në natyrë.

“Si rrjedhojë e projektit “Ndërlidhja e perlave”, ne kemi dëshmuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve nga e gjithë Serbia, dhe presim që e njëjta gjë të ndodhë me vizitorët ndërkombëtarë.”

Lidhur me projektin

“Ndërlidhja e perlave” është një projekt bashkëpunimi ndërkufitar midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, që zbatohet me fonde për asistencën e paraanëtarësimit nga Bashkimi Evropian (IPA II), dhe zhvillohet nga qyteti i Leskovacit në Republikën e Serbisë në partneritet me komunën e Kriva Palankas në Maqedoninë e Veriut, si dhe me Qendrën për Zhvillim të distrikteve të Jablanicës dhe Pčinjës.

Qëllimi i projektit “Ndërlidhja e perlave” është të rritë dukshmërinë dhe cilësinë e ofertës turistike ndërkufitare rajonale përmes hartëzimit të trashëgimisë natyrore, kulturore dhe historike, si dhe të përmirësojë vendndodhjet nëpërmjet punimeve ndërtimore në Leskovac dhe Kriva Palanka.

Maja shpjegon se ndikimi i projektit është i dukshëm dhe i prekshëm, çka do të vërehet më tepër në muajt dhe vitet e ardhshme. “Si rrjedhojë e projektit “Ndërlidhja e perlave”, ne kemi dëshmuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve nga e gjithë Serbia, dhe presim që e njëjta gjë të ndodhë me vizitorët ndërkombëtarë.” – shprehet Maja.

Ajo gjithashtu shpjegon se projekti për bashkëpunimin ndërkufitar ka kontribuar shumë në cilësinë e ndikimit. “Ne kemi përfituar shumë nga shkëmbimi i ideve, pikëpamjeve, dhe aftësive menaxhuese me komunën e Kriva Palankas në Maqedoninë e Veriut, dhe së shpejti do të zhvillojmë një tjetër projekt të përbashkët.”

Shpalosja e kajmakut unik të Gackos përpara botës

Një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian po ndihmon një OJF në Bosnjë-Hercegovinë me markën dhe promovimin e kajmakut tradicional me një recetë unike.

Gacko është një komunë e vogël me rreth 8,000 banorë në juglindje të Bosnjë-Hercegovinës. Njihet kryesisht për minierën e qymyrit dhe termocentralin e saj, që ofron mundësitë më të shumta për vende pune në zonë. Megjithatë, Gacko ka edhe një mënyrë unike dhe karakteristike të prodhimit të kajmakut, një lloj kremi djathi që prodhohet dhe konsumohet në mbarë Ballkanin Perëndimor.

Metoda tradicionale e prodhimit të kajmakut është duke vluar qumështin ngadalë, dhe më pas duke e zierë për dy orë në zjarr shumë të ulët. Pasi hiqet nga zjarri, kremi skremohet dhe lihet të ftohet, si dhe të thartohet paksa, për disa orë ose ditë. Ndryshe nga kjo metodë tradicionale prodhimi, me recetën e Gackos, kajmaku maturohet për disa muaj në një cohë prej lëkurës së deles ose dhisë. Si rrjedhojë, kajmaku i Gackos ndryshon ngjyrë nga i bardhë në të verdhë, merr një trajtë të fortë, por jo të ngurtë, ka një shije paksa të kripur dhe një aromë karakteristike, që e përfton gjatë stazhionimit. Kur hiqet nga coha, djathi është i thatë dhe i thërrmueshëm.

“Kajmaku ynë është një produkt shumë i vyer dhe unik, ndaj ne dëshirojmë ta mbrojmë dhe ta promovojmë.”

Megjithatë, pak njerëz e kanë mundësinë ta shijojnë këtë produkt unik, pasi kryesisht shitet në tregjet ose restorantet e rajonit të Gackos. Duke e pasur parasysh këtë fakt, Shoqata e Prodhuesve të Kajmakut të Gackos ka filluar një nismë për të shpalosur kajmakun e Gackos përpara botës. Dragana Milović është kryetarja e Shoqatës së themeluar në vitin 2021. Në fillim, shoqata përbëhej nga nëntë anëtarë dhe tani ka 24, shumica prej të cilave janë gra nga rajonet rurale. Prodhimi i bulmetit, duke përfshirë kajmakun, është burimi kryesor i të ardhurave për 90% të tyre.

Sipas Draganës, objektivi i Shoqatës është që produkti i tyre të ketë markën e vet dhe të njihet në nivelin vendor dhe rajonal. Për ta arritur këtë objektiv, duhen ndjekur procedura specifike. Procedura e parë është ngritja e një sistemi për gjurmueshmërinë e prodhimit, i cili do të garantonte përcaktimin e markës së produktit nga institucionet kompetente. Shoqata beson se marka e kajmakut do ta bëjë më të njohur, si dhe do të rritë kërkesën dhe çmimin. Aspirata e anëtarëve të Shoqatës është të përmirësojnë situatën e tyre materiale duke prodhuar kajmak, veçanërisht në zona rurale. Rrjedhimisht, duhet të standardizohet prodhimi, e ndërkaq, duhet të ruhet tradita dhe shija e veçantë e kajmakut të rajonit. “Kajmaku ynë është një produkt shumë i vyer dhe unik, ndaj ne dëshirojmë ta mbrojmë dhe ta promovojmë.” – shprehet Dragana.

“Mbështetja që kemi marrë nga BE-ja dhe UNDP-ja përmes projektit ReLOaD2 kishte rëndësi madhore, pasi na ka mundësuar t’i afrohemi qëllimit të markës dhe promovimit të kajmakut të Gackos te më shumë njerëz.”

Lidhur me projektin

Programi Rajonal për Demokraci Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2) është vazhdim i nismave të mbështetura nga BE-ja, si: Projekti për Forcimin e Demokracisë Vendore (LOD 2009 – 2016) dhe Programi i zgjeruar Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD, 2017-2020). Objektivi i përgjithshëm i projektit është të forcojë demokracitë me pjesëmarrje dhe të nxitë integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke fuqizuar shoqërinë civile dhe duke nxitur rininë që të marrë pjesë aktive në proceset vendimmarrëse, si dhe duke përmirësuar mjedisin mbështetës ligjor dhe financiar për shoqërinë civile.

Së fundmi, Shoqata përfitoi mbështetje për nismën e tyre nga një projekt i financuar nga BE-ja. Programi Rajonal për Demokraci Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2) zbatohet në 63 qeveri vendore në Ballkanin Perëndimor dhe komuna e Gackos është një nga 13 njësitë partnere të qeverisjes vendore në Bosnjë-Hercegovinë, dhe financohet nga Bashkimi Evropian, nën zbatimin e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Mbështetja nga projekti përfshinte trajnimin për higjienën dhe cilësinë e qumështit, ushqyerjen e përshtatshme të bagëtive, si dhe ruajtjen e të dhënave mbi foragjeret për bagëtitë dhe sasinë e qumështit. Pjesëmarrësit u trajnuan gjithashtu për metodën e krijimit të një sistemi të gjurmueshmërisë së prodhimit në procesin e prodhimit të kajmakut të Gackos, si dhe për kërkesat e përcaktimit të markës. Krahas kësaj, projekti i ofroi Shoqatës pajisje për përpunimin dhe analizimin e qumështit, çka është një faktor kyç në kontrollin e cilësisë.

Zbatimi i këtij projekti është hapi i parë drejt përcaktimit të markës së kajmakut të Gackos. Është një çështje shumë e rëndësishme si për komunitetin vendas, ashtu edhe për rajonin, pasi blegtoria është burimi kryesor i të ardhurave në rajonin e Gackos. “Mbështetja që kemi marrë nga BE-ja dhe UNDP-ja përmes projektit ReLOaD2 kishte rëndësi madhore, pasi na ka mundësuar t’i afrohemi qëllimit të markës dhe promovimit të kajmakut të Gackos te më shumë njerëz.” – shprehet Dragana Milović.

BE-ja dhe Gjermania mbështetin tranzicionin digjital dhe kontribuojnë për krijimin e vendeve të punës në sektorin TI të Kosovës

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe Drejtoresha e Bashkëpunimit për Zhvillim në ambasadën gjermane, Vera Baumann, inauguruan Akademinë Innovemia të Inovacionit, më 14 Shkurt, në Prishtinë.

 

Akademia, në bashkëpunim me kompaninë e medias digjitale, MetDaan, dhe „Innovation and Training Park“, do t’u ofrojnë trajnime dhe ritrajnime për sipërmarrjen digjitale dhe teknike, median sociale dhe editimin e videove, punonjësve ekzistues ose personave të rinj që kërkojnë të punojnë në sektorin e TI-së, duke mbështetur, në veçanti, tranzicionin digjital të ndërmarrjeve të vogla dhe mikro.

 

Me financim 150.000 Euronga BE-ja dhe Gjermania, akademia do t’u ofrojë kurse trajnimi të paktën 210 personave të rinj, nën moshën 35-vjeçare, duke nxitur gjatë gjithë kohës pjesëmarrjen e grave.

 

“Krijimi i kësaj akademie është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të aftësive digjitale në Kosovë. Ajo do t’i ndihmojë të rinjtë që ta rritin mundësinë e tyre për t’u punësuar. Me tranzicionin digjital të ndërmarrjeve të vogla dhe mikro, akademia do të kontribuojë që ekonomia e Kosovës të jetë më konkurruese në përgjithësi,” tha Ambasadori Szunyog.

BE-ja dhe Gjermania janë ndër mbështetësit më në zë të tranzicionit digjital në Kosovë.

Rritja e punësueshmërisë së të kthyerve të cenueshëm në Maqedoninë e Veriut

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet riintegrimin e efektshëm të të kthyerve të cenueshëm nga BE-ja, duke iu kushtuar vëmendje të veçantë anëtarëve të komunitetit rom në Maqedoninë e Veriut.

Demir Demireli është një 38-vjeçar i kthyer nga Evropa, dhe kërkon një vend pune në sektorin e ndërtimit në qytetin e tij të lindjes në Maqedoninë e Veriut. Me përfundimin e sezonit të verës, kërkesa në këtë sektor po bie, duke e lënë Demirin me një pagë në rënie e sipër dhe muaj të gjatë dimri përpara, çka i shkakton vështirësi në kujdesin ndaj bashkëshortes së tij të sëmurë dhe katër fëmijëve të tyre. “Sigurisht që dua një punë me kohë të plotë, një punë të mirë… Dua që të kem një rrogë të rregullt… Por nuk di as të shkruaj, as të lexoj.” – shprehet Demiri.

Sipas UNDP-së, numri i personave me situata të ngjashme nuk është i vogël në Maqedoninë e Veriut. Shumica e të kthyerve janë romë, të cilët ishin larguar nga vendi për shkak të varfërisë, papunësisë, dhe diskriminimit. Sipas vlerësimeve të kryera nga UNDP-ja në vitin 2021, shumica e azilkërkuesve dhe të kthyerve i përkasin grupmoshës 30 – 44 vjeç dhe kanë nivel të ulët arsimor. Punësimi veçohet si sfida më e madhe e raportuar nga të kthyerit. Krahas kësaj, është një faktor i rëndësishëm që garanton mirëqenie ekonomike dhe sociale për qytetarët e cenueshëm.

 

“Duke folur me të kthyerit, ne kuptuar që gjashtë muaj e parë pas kthimit të tyre janë shumë të rëndësishëm, pasi përbëjnë periudhën kur vendosin të largohen sërish nëse përballen me sfida serioze. Ne gjithashtu kemi kuptuar që gjatë këtyre gjashtë muajve të parë, ata përfitojnë pak ose aspak mbështetje nga institucionet apo organet e tjera.”

Kjo është arsyeja përse UNDP-ja ka filluar një projekt me një qasje gjithëpërfshirëse, që iu garanton të kthyerve dhe romëve perspektivën për punësim. Projekti i mbështet institucionet me zgjidhje për riintegrimin ekonomik dhe social të të kthyerve të cenueshëm. Financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, dhe Serbi. Suzana Ahmeti nga UNDP në Maqedoninë e Veriut shpjegon se nevoja për këtë lloj projekti ishte e dukshme, pasi mënyra se si trajtohen të kthyerit aktualisht është shumë e posaçme dhe nuk ekziston një sistem, që përqendrohet te problemet dhe nevojat e tyre. Krahas kësaj, mbështetja e shtetit për riintegrim është thuajse e padukshme gjatë 6-12 muajve të parë.  “Duke folur me të kthyerit, ne kuptuar që gjashtë muaj e parë pas kthimit të tyre janë shumë të rëndësishëm, pasi përbëjnë periudhën kur vendosin të largohen sërish nëse përballen me sfida serioze. Ne gjithashtu kemi kuptuar që gjatë këtyre gjashtë muajve të parë, ata përfitojnë pak ose aspak mbështetje nga institucionet apo organet e tjera.” – shprehet Suzana.

Projekti i ka filluar tanimë ndërhyrjet për përmirësimin e situatës. Sikundër e shpjegon Suzana, së pari u ndërgjegjësuan institucionet vendore dhe qendrore rreth problemeve të të kthyerve. Në nivelin e qeverisë qendrore, ata filluan ngritjen e një organi specifik koordinimi, që do të trajtonte problemet e të kthyerve. Në nivelin vendor, u integrua tema e të kthyerve në strategjitë e zhvillimit vendor ekonomik, me një buxhet specifik të alokuar për mbështetjen e tyre. Arritjen më të madhe në këtë drejtim Suzana e konsideron masën e punësimit, sipas së cilës të kthyerit konsiderohen grup i cenueshëm specifik, që kërkon shërbime shtesë në kuadër të planit kombëtar të punësimit, i cili është një dokument i rëndësishëm strategjik në nivelin qendror. “Kjo është një ndërhyrje specifike dhe e prekshme, dhe së shpejti do të fillojmë me zbatimin konkret, që përfshin trajnimin mbi aftësitë joprofesionale dhe elemente të ngjashme.” – shprehet Suzana.

 “Të kthyerit përbëjnë kapital të vyer njerëzor për punëdhënësit. Nuk është e njëjta situatë si më parë, kur mijëra njerëz kërkonin një vend pune. Gjërat kanë ndryshuar paksa.”

Lidhur me projektin

Projekti për riintegrimin e të kthyerve në Ballkanin Perëndimor përqendrohet tek adresimi i barrierave institucionale kyç për riintegrimin e të kthyerve të cenueshëm, dhe faktorët shtytës të përjashtimit social dhe ekonomik dhe migracionit nga Ballkani Perëndimor, si: mundësitë e kufizuara të punësimit, punët me pagë të ulët, sektori i madh informal, si dhe cilësia e ulët e shërbimeve sociale. Projekti është pjesë e Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA) II për Veprime Shumëkombëshe, mbështetjes së BE-së për të Drejtat Themelore të Komunitetit Rom, si dhe Riintegrimit të të Kthyerve, zbatuar nga UNDP-ja, Banka Botërore, dhe Këshilli i Evropës.  Objektivi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në riintegrimin e efektshëm të të kthyerve të cenueshëm nga BE-ja, duke iu kushtuar vëmendje të veçantë anëtarëve të komunitetit rom. Mbështetja e të kthyerve romë do të kontribuojë edhe në zvogëlimin e hendekut ekzistues socioekonomik midis grave, burrave, dhe fëmijëve romë.

Të kthyerit dhe romët përballen me sfida edhe kur kanë ide të mira biznesi dhe frymën e sipërmarrjes për të ngritur bizneset e tyre.  Shpesh ata kanë kapital të kufizuar financiar dhe rrjete të pamjaftueshme biznesi, që janë të nevojshme për të ngritur një biznes. Krahas kësaj, atyre iu mungojnë edhe njohuritë dhe aftësitë menaxhuese në fushën e planifikimit të biznesit, menaxhimit financiar, legjislacionit, rregulloreve për taksat, etj.  Shumë ide të mira biznesi nga të kthyerit dhe romët mbeten joformale në mungesë të një mbështetjeje sistematike. Për t’i mbështetur, sidomos të kthyerit e rinj dhe risiprurës me ide që mund të sjellin të ardhura dhe vende pune, projekti ofron grante për start-up-e, me qëllim që të ndihmojë në hapjen e bizneseve të reja ose në formalizimin e atyre ekzistuese. Projekti gjithashtu ofron mbështetje të shënjestruar për të mbështetur aftësitë e menaxhimit të biznesit, njohuritë për të administruar një biznes formal, si dhe aksesin në rrjete sipërmarrësish.

Suzana shpjegon se për shkak të dinamikës së migracionit në rritje, shoqëritë tregtare po e vlerësojnë çdo ditë e më shumë disponueshmërinë e punonjësve të aftë. Për këtë arsye, projekti kërkon të investojë edhe më tepër në arsimin e të rriturve, sepse sipas Suzanës, shumica e të kthyerve nuk e kanë përfunduar arsimin fillor apo të mesëm. “Të kthyerit përbëjnë kapital të vyer njerëzor për punëdhënësit. Nuk është e njëjta situatë si më parë, kur mijëra njerëz kërkonin një vend pune. Gjërat kanë ndryshuar paksa.” – shprehet Suzana.

Nënshkrimi i kontratave të punës për masat për mbrojtjen nga përmbytja në Republikën Serbe, Bosnjë dhe Hercegovinë

Më 7 shkurt 2023, në një ceremoni në ambientet e ndërmarrjes publike Vode Srpska në Banja Lukë, u nënshkruan gjashtë kontrata pune të mbështetura nga grantet e ndihmës teknike të BE-së, për marrjen e masave për mbrojtjen nga përmbytja për dhjetë komuna të Republikës Serbe. Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave të Republikës Serbe, Banka Evropiane e Investimeve (EIB), Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë, Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), dhe disa grupe të tjera interesi, si dhe media.

 

Bashkimi Evropian, Nëpërmjet WBIF-së, ka siguruar gati 13.5 milionë Euro grante  për aktivitetet lidhur me menaxhimin e riskut për përmbytjet në BiH. “Projekti i Menaxhimit të Riskut për Përmbytjet në Republikën Serbe” me një vlerë totale investimi prej 104 milionë Eurosh, po vihet në zbatim me grantet e sipërpërmendura të BE-së, një kredi prej 74 milionë Eurosh nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB) dhe një kontribut Përfitimi prej 4 milionë Eurosh. 16 milionë Euro grante të tjera janë siguruar nëpërmjet fondeve të IBRD/IDA, GEF/UNDP dhe IPA 2014.

 

Vënia në zbatim e këtyre investimeve për mbrojtjen nga përmbytjet do të përmirësojë performancën dhe besueshmërinë e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet në Republikën Serbe dhe do të zvogëlojë riskun e përgjithshëm për përmbytjet dhe dëmet e lidhura me to. Ky projekt do të ndikojë pozitivisht për ekonominë, shoqërinë, mjedisin dhe shëndetin publik, ndërkohë që do të përmirësojë drejtpërdrejt cilësinë e jetës në 30 komuna me pothuajse 700,000 banorë në Republikën Serbe. Projekti do të ndihmojë gjithashtu dhe me transpozimin dhe vënien në zbatim të Acquis Communautaire të BE-së, veçanërisht të Rregullores së Përmbytjeve, që kërkon një strategji të koordinuar ndërkufitare.

2023 Thirrja e Universiteteve Evropiane Erasmus+ tërheq 65 propozime nga 500 institucione në të gjithë Evropën

Iniciativa e Universiteteve Evropiane mbështet institucionet e arsimit të lartë për arritjen e cilësisë, performancës, tërheqshmërisë dhe konkurrueshmërisë ndërkombëtare më të lartë. Ajo promovon vlerat e përbashkët evropiane dhe identitet më të fortë evropian. Iniciativa e realizon këtë nëpërmjet krijimit të modeleve inovative dhe të larmishme për bashkëpunim të qëndrueshëm e të institucionalizuar ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë (IAL) në të gjithë Evropën. Iniciativa vihet në zbatim nga Erasmus+ nëpërmjet një sërë thirrjesh për propozime.

 

Thirrja e 2023-shit tërhoqi gjithsej 65 propozime për dy temat: “Intensifikimi i bashkëpunimit të thellë paraprak institucional transnacional” dhe “Zhvillimi i bashkëpunimit të ri të thellë institucional transnacional”. Thirrja mblodhi rreth 500 institucione të arsimit të lartë si partnere të plota.

Thirrja përfshiu gjithsej 26 Shtete Anëtare të BE-së, pesë vende të treta të përfshira me programin Erasmus+ dhe katër vende nga Ballkani Perëndimor

Mbështetje e BE-së për energjinë, prej 165 milion Eurosh, për të ndihmuar familjet më të cenueshme dhe NVM-të në Serbi

Ambasadori i BE-së në Serbi Emanuele Giaufret dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić qenë sot dëshimtarë të nënshkrimit të një buxheti prej 165 milionë Eurosh për të luftuar krizën energjitike në Serbi. Familjet e cenueshme dhe NVM-të në Serbi do të paguajnë më pak për energjinë nëpërmjet kësaj ndihme të BE-së, të njoftuar nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen , në tetor 2022.  
Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja për Integrime Evropiane, Tanja Miščević,Tanja Miščević, dhe Zëvendës Shefja e Delegacionit të BE-së në Serbi, Plamena Halačeva. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ministri i Financave Siniša Mali, Ministrja e Minierave dhe Energjetikës Dubravka Djedović dhe Drejtoresha e Përgjithshme e “Elektromreža Srbije” Jelena Matejić. Kjo mbështetje e menjëhershme është transhi i parë i Paketës ambicioze të BE-së për Mbështetjen e Energjisë prej 1 miliardë Eurosh, për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor të përballet me krizën aktuale të energjisë dhe për të promovuar tranzicionin drejt energjisë së pastër.  
500 milionë Eurot për gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimordo të sigurojnë fonde të drejtpërdrejta për ekonomitë e rajonit nëpërmjet masave të mbështetjes buxhetore: Për balancimin e rritjes së çmimeve të energjisë për bizneset dhe sektorin e energjisë, për t’i mbajtur të përballueshme çmimet e energjisë, veçanërisht për familjet e cenueshme dhe për të mbështetur masa politikash për të përshpejtuar tranzicionin drejt energjisë së gjelbër.  
Pjesa e dytë e paketës – 500 milionë Euro të tjera– do të mbulojnë investimet pararojë prioritare për të diversifikuar furnizimin me energji, për të nxitur energjinë e rinovueshme dhe për të përmirësuar efiçencën energjitike. Ajo do të promovojë dhe tranzicionin drejt energjisë së pastër në rajon dhe do të ndërpresë varësinë ndaj karburanteve fosile ruse.

TEDxYouth@MarijinDvor, Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë

TEDxYouth@MarijinDvor është eventi më i madh TEDxYouth në Ballkanin perëndimor. Këtë herë, eventi u organizua nga Ambasadorët e Rinj Evropianë (YEA-të), Hadzera Selimovic dhe Ena Porca dhe përfshiu nëntë folës nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian. Emri zyrtar i edicionit të këtij viti është “Rishpikja e së ardhmes”.

 

Në eventin e këtij viti morën pjesë pesëmbëdhjetë Ambasadorë të Rinj Evropianë; gjashtë të tjerë kontribuan për organizimin. YEA -ja nga Mali i Zi, Ivana Sreckovic, ishte një nga folëset në event. Ajo foli për barazinë gjinore në biznes gjatë fjalës të saj “Wo(Men) in Business: Is it a Man’s world?”. (Gratë në biznes, a është e burrave bota?) Përveç fjalës së Ivanës, u mbajtën dhe dy të tjera nga YEA-të nga Bosnja dhe Hercegovina, Anastasija Djordja Bosancic dhe YEA-ja nga Kosova, Fatbardh Kabashi.

 

Temat e folësve të tjerë kishin të bënin me mjedisin, muzikën, ndërgjegjësimin për shëndetin mendor, hulumtimin dhe tema të ngjashme.

 

Në frymën e ideve që ia vlen të përhapen, TEDx është një program për evente lokale e të vetorganizuara ku njerëzit bashkohen për të ndarë përvoja TED. Në një event TEDx, kombinohen videot TEDTalks dhe folësit për të ndezur diskutime dhe lidhje të thella në një grup të vogël. Këto evente lokale dhe të vetorganizuara kanë markën TEDx, ku x= një event TED i organizuar në mënyrë të pavarur. Konferenca TED ofron orientime të përgjithshme për programin TEDx, por eventet individuale TEDx janë të vetorganizuara (u nënshtrohen rregullave dhe rregulloreve të veçanta).