Skip to main content

Area of Cooperation: Environment

BE-ja dhe EBRD-ja mbështesin valën e rinovimit në Serbi

Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po e ndihmojnë Serbinë të përmirësojë efikasitetin energjetik të ndërtesave të saj publike me një paketë financiare prej 14 milionë eurosh.  
Paketa, që përfshin një hua EBRD 12 milionë euro dhe një grant 2 milionë euro nga BE-ja, do të ndihmojë financimin e masave për përmirësimin e efektshëm të energjisë në 80 ndërtesa publike, përfshirë ndërtesat arsimore, shëndetësore, administrative, sportive dhe kulturore, në 20 komuna në Vojvodinë. Këto ndërtesa do të rinovohen me izolim termik, dritare të reja, ngrohje të përmirësuar, sisteme ventilimi dhe ftohjeje, dhe ndriçim me kursim energjie.  
Përmirësimet pritet të kontribuojnë 53% për uljen e shpenzimeve për energjinë dhe 56% për uljen e emetimit vjetor të CO2-shit.  
Përveç grantit 2 milionë euro nga BE-ja, projekti përfiton nga rreth 2 milionë euro grante të tjera për bashkëpunimin teknik, të ofruara nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillimin (SIDA) dhe Italia përmes Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI).  
Ndërtesat janë përgjegjëse për rreth 34% të konsumit të energjisë në Serbi. Rinovimet mund të ndihmojnë për uljen e konsumit të energjisë dhe të emetimit të CO2-shit, por nevojiten përpjekje domethënëse për t’i stimuluar dhe për t’u dhënë përparësi këtyre investimeve, sidomos në sektorin rezidencial të multi-apartamenteve. 

BE-ja dhe Gjermania ndihmojnë për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në Kosovë; investimi i 49 milionë eurove të tjera në sektor.

BE-ja në Kosovë, në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane, GIZ-in, Ministrinë e Mjedisit dhe Shoqatën e Bashkive të Kosovës, në 25 janar shënuan plotësimin e një projekti tre-vjeçar të dedikuar menaxhimit të mbetjeve të ngurta në Kosovë dhe prezantuan aktivitetet e nisura së fundmi në sektor.  
Projekti i finalizuar së fundmi me vlerë 7 milionë euro u financua bashkarisht nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe u zbatua nga GIZ-i. Kjo solli një rritje të mbledhjes së mbetjeve të ngurta në të 38 bashkitë e Kosovës, nga 57.8% deri në 90.2%, rritje të shërbimit të menaxhimit dhe mbledhjes së mbetjeve për 77,000 shtëpi të tjera dhe mbylljen e më shumë se 1,500 vendgrumbullimeve të paligjshme.  
BE-ja dhe Qeveria Gjermane po vijojnë të mbështetin reforma të qëndrueshme në sektorin e grumbullimit të mbetjeve në Kosovë.

Erëra ndryshimi për prodhimin e energjisë në Maqedoninë e Veriut

BE-ja mbështet revolucionin e gjelbër të vendit.

Bogdanci është një qytezë në Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Greqisë. Kjo zonë njihet për erërat e forta që fryjnë gjatë gjithë vitit. Erërat e vazhdueshme në Bogdanci njihen si Vardarec, që fryjnë përgjatë luginës së lumit Vardar, me shpejtësi mesatare prej 7.2 m/s, çka i bën erëra goxha të forta për këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja përse studimi i fizibilitetit, i financuar nga Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) e identifikoi Bogdancin si vendndodhjen ideale për parkun e parë eolik në Maqedoninë e Veriut.

“Të gjithë do të përfitojnë nga energjia e gjelbër e parqeve eolike, qofshin familjet apo industria; të gjithë do të përdorin energji të gjelbër.”

Parku eolik ndodhet në një zonë të përzgjedhur pas një analize të thellë të të dhënave dhe simulimit të rrjedhës së erës. Ndërtimi i Fazës I të parkut, financuar nga huat e KfW-së  dhe shoqëria e prodhimit të energjisë “ELEM”, përfundoi në vitin 2014, dhe ka një kapacitet prej 36.8 MW dhe prodhim vjetor mesatar prej rreth 112 gigavatë orë, çka iu ofron energji të gjelbër përafërsisht 16,000 familjeve në jug të vendit.

Në fazën e parë u instaluan 16 turbina ere dhe u ndërtua një linjë transmetimit 11 km e gjatë, 110 kV, krahas një nënstacioni dhe rrugëve hyrëse, që lidhin parkun eolik me rrjetin e energjisë. Faza II është në zhvillim e sipër dhe do të shtojë 14 MW në kapacitetin e prodhimit të energjisë të objekteve ekzistuese,për ta sjellë kapacitetin total në 50 MW, sipas planit fillestar.

“Maqedonia e Veriut ka përcaktuar objektiva klimatike shumë ambicioze. Së pari, nënshkroi Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe më pas u angazhua të reduktonte gazet serë me 52%. Në fund të këtij dhjetëvjeçari, vendi do të ketë mbyllur termocentralet që furnizohen me qymyr, çka e vendos në një situatë të vështirë. “Të gjithë do të përfitojnë nga energjia e gjelbër e parqeve eolike, qofshin familjet apo industria; të gjithë do të përdorin energji të gjelbër.” – shprehet Robert Sarlamanov nga Banka për Zhvillim KfW.

“Prodhimi vjetor mesatar do të jetë 112 gigavatë orë. Thënë më thjesht, do të mbulojë konsumin energjetik për rreth 16,000 familje, që do të ishte mesatarisht konsumi vjetor i energjisë për familjet që banojnë në qytezat fqinje të Gevgelija, Bogdanci, Valandovo dhe Dojran.”

Lidhur me projektin

Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) u prezantua në vitin 2009 nga Komisioni Evropian(Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Zgjerimin – ish-DG ELARG, tani DG NEAR), institucione financiare ndërkombëtare dhe donatorë dypalësh, për të rritur investimet në harmonizim dhe bashkëpunim për zhvillimin socioekonomik të Ballkanit Perëndimor. Së bashku me përfituesit e Ballkanit Perëndimor, WBIF-ja formon një partneritet unik, që përcakton prioritetet dhe paketat mbështetëse të investimeve strategjike dhe reformave institucionale. WBIF-ja kontributon në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor jo vetëm duke mbështetur projekte investimi, që përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe rritjen, por edhe duke përforcuar bashkëpunimin dhe ndërlidhjen rajonale.

Parku eolik ka një ndikim të ndjeshëm në furnizimin e rajonit me energji. “Prodhimi vjetor mesatar do të jetë 112 gigavatë orë. Thënë më thjesht, do të mbulojë konsumin energjetik për rreth 16,000 familje, që do të ishte mesatarisht konsumi vjetor i energjisë për familjet që banojnë në qytezat fqinje të Gevgelija, Bogdanci, Valandovo dhe Dojran.” – shprehet Goce Dzambalovski nga Centralet Energjetike në Maqedoninë e Veriut.

Së fundmi, Maqedonia e Veriut ka bërë goxha progres me tranzicionin energjetik në Ballkanin Perëndimor. Vendi kryen ankande të energjisë së rinovueshme, duke zëvendësuar qymyrin me energjinë diellore dhe gazin, si dhe duke nënshkruar marrëveshje strategjike investimi, jo vetëm për parqe të mëdha eolike, por edhe për centrale fotovoltaike. Sipas portalit të Energjisë së Gjelbër të Ballkanit Perëndimor, prodhimi i energjisë elektrike në centralet e energjisë së rinovueshme të Maqedonisë së Veriut, vitin e kaluar u rrit me 14.7% krahasuar me vitin 2020, ndërsa produkti i centraleve që furnizohen me qymyr ra me 17.1%. Përqindja e energjisë së rinovueshme në prodhimin e përgjithshëm të energjisë u rrit gjithashtu, nga 29.2% në 31.4%, falë projekteve madhore, si projekti i Parkut Eolik të Bogdancit.

BE dhe IFC nënshkruajnë të parin e një sërë projektesh të Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së

Më 19 dhjetor, Katarína Mathernová, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Negociatat për Fqinjësinë dhe Zgjerimin dhe Presidente e Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), dhe Alfonso Garcia Mora, Zëvendëspresident i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për Evropën, Amerikën Latine dhe Karaibet, nënshkruan projektin e Parqeve Eko-Industriale, projekti i parë i udhëhequr nga IFC-ja i zbatuar përmes WBIF-së.

 

Projekti i Parqeve Eko-Industriale, synon të ndihmojë në avancimin e dekarbonizimit dhe përmirësimin e efikasitetit të burimeve të parqeve industriale në Ballkanin Perëndimor. Diagnoza paraprake do të pasohet nga zbatimi i synuar i katër projekteve pilot në parqet industriale në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri.

 

IFC-ja, bashkë me Bankën Botërore, është institucioni më i fundit financiar ndërkombëtar që iu bashkua WBIF-së, duke krijuar një partneritet jetik për të mbështetur aktivitetin e sektorit privat në rajon, për të trajtuar çështjet urgjente të zhvillimit, për të krijuar vende pune dhe për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë. Projektet e tjera në linjën e projektit (Other projects in the pipeline), synojnë të mobilizojnë instrumente financiare të siguruara për klientët e agrobiznesit të denjë për kredi, duke mundësuar modernizimin e sektorit shumë të nevojshëm, transformimin digjital dhe ndihmën në përmirësimin e kapacitetit të ndërmjetësve financiarë të ndërlidhur me klimën, duke u mundësuar atyre të zgjerojnë aktivitetin e tyre në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM).

Sarajeva, pjesë e misionit 100 Net Zero Emission Cities: Nisja e koalicionit për projekte më të gjelbra

Pas përzgjedhjes së Sarajevo Functional Urban Area, si pjesë e misionit 100 Net Zero Emission Cities, Zyra e BE-së në BH dhe në kantonin e Sarajevës ndërmori misionin Net Zero Emission Coalition më 14 dhjetor. Partnerët e Koalicionit u angazhuan në koordinimin e aktiviteteve të tyre dhe orientimin e burimeve drejt projekteve për zero emetim në Sarajevë.

 

Prezantimi i koalicionit, që do të përfaqësojë një ndryshim themelor në mënyrën se si shpenzohen fondet, është një mundësi për ta lidhur financimin me objektivat e një ambienti më të pastër, veçanërisht në zonat e ndotura urbane si Sarajeva.

 

Pas përzgjedhjes së Sarajevo Functional Urban Area ndër “100 cities”, duhet të zhvillohet një Net Zero Action Plan dhjetë vjeçar, duke përfshirë këtu një plan për neutralitetin e klimës që të përfshijë të gjithë sektorët, si energjetikën, godinat, menaxhimin e mbetjeve dhe transportin, së bashku me plane të ngjashme investimi. Te ky proces do të përfshihen qytetarët, organizatat kërkimore dhe sektori privat. Net Zero Emission Coalition do të mblidhet rregullisht për takime praktike pune, që do të jenë një mundësi për të koordinuar aktivitetet dhe për të ndarë me të tjerët praktikat më të mira.

BE: Statusi i Kandidatit – Mesazh i Shefit të Delegacionit të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Përfaqësuesit Special të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, Ambasadorit Johann Sattler

Të nderuar shtetas të Bosnjës dhe Hercegovinës!

 

Jam i lumtur të ndaj me ju gëzimin që Bosnja dhe Hercegovina, ka fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE!

 

“Të bashkuar në diversitet” është parimi udhëheqës dhe vlera thelbësore e BE-së. Bosnja dhe Hercegovina dhe BE-ja, qëndrojnë mbi të njëjtat themele; parimi “të bashkuar në diversitet” është vlera, forca dhe thesari ynë i përbashkët.

 

Ky vend është plot energji dhe talent. Kudo që të shkoni, do të gjeni trashëgimi kulturore dhe bukuri natyrore, arritje në art dhe sporte, risi dhe traditë, dhe mbi të gjitha një shpirt të palëkundur.

 

Statusi i kandidatit është një shenjë se ne besojmë në këtë vend dhe se ndajmë shpresat tuaja për një të ardhme më të mirë. Mbrojtje më e fortë e të drejtave të njeriut, më shumë besim, luftë efektive kundër korrupsionit, institucione publike funksionale, ekonomi më e fortë, kujdes shëndetësor dhe arsim më i mirë.

 

Është një inkurajim për të gjithë qytetarët që e dinë se rruga drejt BE-së është rruga për një Bosnjë dhe Hercegovinë më të mirë. Por është gjithashtu një mesazh për liderët politikë që të kthejnë një faqe të re dhe të zbatojnë reformat e nevojshme për t’u sjellë të mira qytetarëve dhe për ta sjellë Bosnjën dhe Hercegovinën më afër BE-së.

 

Ne e dimë se ka shumë sfida përpara, por momenti i ri politik është këtu. Le ta përdorim!

 

Ne besojmë në këtë vend. Një vend që ka qenë gjithmonë në zemër të Evropës!

Shishja Numër Katër që fitoi çmim

BE-ja ndihmon një kantinë vere malazeze të zgjerojë biznesin e saj.

Goran Radević-i është një mjek me përvojë pune në katër kontinente. Ai e la atdheun e tij, Malin e Zi, në moshë të re dhe për 27 vite me radhë punoi në vende si Ishujt Kajman, Kinë, Oman, Afrikën e Jugut, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gorani gjithmonë ushqente idenë se një ditë do të kthehej në vendlindjen e tij dhe do të ndërtonte një kantinë vere. Prodhimi i verës ishte traditë në familjen e Goranit dhe dashuria e tij për prodhimin e verës filloi që para se të mbushte pesë vjeç. Gjyshi i tij nga nëna zotëronte një vresht dhe ishte ekspert për prodhimin e verës. “Mësova si të shartoja hardhitë para se të mësoja shkrim e këndim,” thotë Gorani.

Sidoqoftë, nuk ishte e lehtë të rriste vreshtin e tij, pasi për këtë nevojitej investim i madh. Megjithatë, teksa vitet kalonin, ideja u kthye në një nevojë dhe më në fund, së bashku me familjen e tij, Gorani mori vendimin e madh që të kthehej në Malin e Zi dhe të hapte kompaninë e ëndrrave të tij. Investimi financiar dhe pasioni nuk u kursyen, por kjo punë nuk do të ishte e lehtë për Goranin dhe bashkëshorten e tij.

“Pati shumë vështirësi: shishet e para u prodhuan në një garazh dhe pa asnjë lloj mbështetjeje nga ekspertët.”

Ata i mbollën hardhitë e para në vitin 2007, kurse në vitin 2009 morën të vjelat e para dhe nxorën shishen e parë. “Pati shumë sfida: shishet e para u prodhuan në një garazh dhe pa asnjë lloj mbështetjeje të duhur nga ekspertët,” thotë Gorani. Sidoqoftë, në mënyrë të mahnitshme, shija ishte e mrekullueshme dhe produkti premtonte sukses. Atë vit, Gorani arriti të dërgojë mostra të produkteve të tij fillestare në një konkurs për degustimin e verës në një restorant të mirënjohur në Manhattan. Pati shtatë konkurrues dhe shishja numër katër ishte e tyrja, kujton Gorani. “Të pestë anëtarët e jurisë, të cilët ishin pronarë resorantesh të mirënjohura, emëruan shishen numër katër si më të mirën. Besoj se ishte fati i fillestarit,” buzëqesh ai.

Në mënyrë të menjëhershme, ata filluan ta eksportonin verën e tyre në SHBA, por u përballën me disa probleme. Disa elemente – që nga cilësia e etiketës deri te cilësia e tapës së shishes – nuk i përmbushnin kriteret e standardeve ndërkombëtare dhe e  kuptuan se duhet t’u kushtonin më shumë vëmendje këtyre çështjeve. Bashkëshortja e Goranit, e cila ka origjinë amerikane, mori përsipër sektorin e marketingut të kompanisë. Ata filluan të përdornin tapa shishesh me cilësi të lartë që vinin nga Franca dhe letër etikete nga Gjermania. Suksesi u bë i dukshëm, shumë shpejt, duke qenë se kompania filloi të eksportonte në Gjermani, Skandinavi, Zvicër, madje dhe Japoni.

Teksa tregu zgjerohej, në vitin 2011, Gorani dhe bashkëshortja e tij vendosën të përfshinin konsulentë profesionistë për të siguruar zgjerimin e qëndrueshëm të biznesit të tyre. Ata lidhën kontratë me një agronom dhe teknolog më se të kualifikuar, që kishte vite përvoje kombëtare dhe ndërkombëtare. Me ndihmën e të dyve, kantina e verës u kthye në një markë të mirënjohur ndërkombëtare.

“Falë mbështetjes së BE-së, munda t’i përdor paratë e planifikuara për këto investime të domosdoshme në pjesë të tjera të veprimtarisë së biznesit.”

Lidhur me projektin

Një pjesë e “Instrument for Pre-accession Assistance” (IPA) është dizenjuar për të mbështetur reformat e vendeve në proces pranimi në BE, “Instrument for Pre-accession Assistance for Rural Development” (IPARD) përqendrohet te sektorët agro-ushqimorë dhe zonat rurale të këtyre vendeve. Nëpërmjet këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë financiare dhe teknike për ta bërë sektorin e tyre bujqësor dhe zonat e tyre rurale më të qëndrueshme, duke i përshtatur me politikat e përgjithshme bujqësore të BE-së.

Gjatë rrugëtimit të kantinës drejt suksesit, ata patën dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian. Në vitin 2018, aplikuan për programin “Instrument for Pre-accession Assistance for Rural Development” (IPARD), të financuar nga BE-ja dhe iu ofrua mbështetje për sigurimin e makinerive, si pirun, traktor, vibro-kultivues, parmendë për vreshta dhe lesa elektrike. Me rënien e biznesit gjatë pandemisë, kjo mbështetje erdhi pikërisht në kohën e duhur. “Falë mbështetjes së BE-së, munda t’i përdor paratë e planifikuara për këto investime të domosdoshme në pjesë të tjera të veprimtarisë së biznesit,” thotë Gorani.

Gorani ka katër fëmijë dhe djali i tij më i madh, Luka, po studion Teknologjinë e Verës në fakultetin bujqësor të Beogradit. “Kam 27 vite që ëndërroj për këtë kantinë vere dhe kam punuar pa u lodhur për të kursyer para për hapjen e saj. Djali im do ta trashëgojë kantinën dhe do ta vazhdojë traditën. Kjo më bën të ndihem shumë i lumtur dhe i përmbushur,” thotë Gorani.

Projekti Gjermani-BE ndihmon me zhvillimin e një sistemi të përbashkët për menaxhimin e mbetjeve në rajonin e Prishtinës

Më 12 dhjetor, si pjesë e projektit të financuar nga BE-ja dhe Gjermania, që po punojnë për të zhvilluar një sistem të përbashkët për menaxhimin e mbetjeve për rajonin e Prishtinës/Priština, kryebashkiakët e Fushë Kosovës/Kosovo, Polje, Gllogoc/Glogovac, Gračanica/Graçanicës, Obiliqit/Obilić, Podujevës/Podujevo, dhe Prishtinës/Priština nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për të nisur bashkëpunimin e tyre.

 

Në përputhje me direktivat përkatëse të BE-së dhe ligjet e Kosovës, bashkitë tanimë do të punojnë për zhvillimin e një Inter-municipal Integrated Waste Management Plan dhe një Inter-Municipal Cooperation Agreement për bashkëpunimin në sektorin e menaxhimit të mbetjeve. Zbatimi i Inter-municipal Integrated Waste Management Plan do të jetë hapi i mëtejshëm i themelimit të një sistemi të integruar për menaxhimin e mbetjeve, që filloi me projektin aktual, të financuar me 35 milionë euro nga BE-ja dhe Gjermania për ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e landfilleve dhe stacioneve të transferimit për mbetjet e ngurta në rajon.

 

Për të mbështetur reforma të lidhura me të në sektorin e menaxhimit të mbetjeve dhe së bashku me qeverinë gjermane, BE-ja po financon projektet të vëna në zbatim nga GIZ-i për 19 milionë euro, për zhvillimin e politikave dhe legjislacionit të duhur të menaxhimit të mbetjeve, planifikimin e integruar ndërbashkiak të menaxhimit të mbetjeve, marrëveshjet e bashkëpunimit, rritjen e kapacitetit në nivel qendror dhe lokal, prezantimin e ekonomisë rrethore dhe zbatimin e projekteve të investimeve prioritare.

MADE OF US: Një aventurë e pabesueshme do të nisë në pranverën e vitit 2023

Ne në WeBalkans jemi krenarë që hapim një thirrje për aplikime drejtuar vlogerevë nga Ballkani Perëndimor të cilët duhet të bëhen pjesë e udhëtimit “Made of Us” përmes Ballkanit Perëndimor. Kjo aventurë pritet të ndodhë në pranverën e vitit 2023. Ftojmë të gjithë vlogerët e talentuar nga Ballkani Perëndimor, 21 deri në 30 vjeç, të aplikojnë në portalin e dedikuar WeBalkans.eu.

 

Vlogerët e përzgjedhur do të vizitojnë projekte të mbështetura nga BE dhe takojnë personalitete interesante dhe frymëzuese, duke ekspozuar gjithashtu peizazhin natyror, objektet dhe vendet e jashtëzakonshme si dhe trashëgiminë kulturore unike që ka Ballkani Perëndimor. Udhëtarët e përzgjedhur do të regjistrojnë eksperiencat që do të kenë duke përdorur pajisjet e tyre dhe përkthyer udhëtimin në materiale të cilësisë së lartë për media sociale dhe ueb, foto dhe video të cilat do të shpërndahen përmes kanaleve të tyre dhe të WeBalkans.

 

Udhëtimi do të jetë edhe më shumë emocionues duke qenë se gjashtë fituesit nga Ballkani Perëndimor nuk do të udhëtojnë të vetëm. Në fillim të vitit 2023, ata do të bëhen bashkë me gjashtë krijues nga BE për të udhëtuar së bashku dhe bashkëpunuar për prodhimin e materialeve. Dy grupet BE-Ballkani Perëndimor me nga gjashtë persona secili do të kenë mundësi të eksplorojnë më të mirat e Ballkanit Perëndimor, duke ia treguar me fjalët e tyre pjesës tjetër të botës në Prill-Maj 2023!

 

I ftojmë të gjithë të interesuarit të vizitojnë faqen tonë të internetit webalkans.eu për më shumë informacion për procesin e përzgjedhjes, duke përfshirë afatet dhe kushtet për pjesëmarrje. Faza e aplikimit fillon në 7 Dhjetor dhe do të jetë e hapur deri në 7 Janar 2023. “Made of US” është fushata e tretë rajonale e ndërgjegjësimit qe prezantohet nga WeBalkans, një projekt që financohet nga Bashkimi Evropian.

Samiti BE- Ballkani Perëndimor në Tiranë riafirmon perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe partneritetin strategjik të BE-së me rajonin

Sot, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, përfaqësuesi i lartë/zëvendës presidenti Josep  Borrell Komisioneri Olivér Várhelyi, si dhe kryetarët e shteteve ose qeverive të shteteve anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor morën pjesë në  Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Organizimi i Samitit për herë të parë në këtë rajon është shenjë e qartë e angazhimit të fortë të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe në rrugëtimin e tij drejt BE-së.

 

Liderët e BE-së riafirmuarn angazhimin e plotë dhe të padiskutueshëm ndaj perspektivës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor . Ata kërkuan përshpejtimin e procesit të anëtarësimit bazuar në reforma të besueshme nga partnerët, kushtëzim të drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave vetjake.

 

Përshkallëzimi i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës e vendos në rrezik paqen dhe sigurinë globale. Ai thekson rëndësinë e partneritetit strategjik mes BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shpreh: “Ky Samit i mbajtur për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor, përcjell një mesazh të qartë për angazhimin tonë,unitetin tonë, dhe partneritetintonë të fortë. Bashkimi Evropian është më i angazhuar se kurrë për një të ardhme të përbashkët. Dhe ne po shfrytëzojmë çdo mundësi që të afrojmë rajonet dhe popujt tanë. Nga trajtimi i përbashkët i krizës energjitike në hapjen e më shumë mundësive për qytetarët dhe bizneset, duke përfshirë reduktimin e tarifave të roaming-ut. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme.”

 

Për më tepër, Samiti ishte një mundësi për të rishikuar përparimin në zbatimin e pothuajse €30 miliardë për  Economic and Investment Plan i fokusuar në projekte novatore në tranzicionin e gjelbër dhe digjital, transportin e qëndrueshëm, energjinë e pastër, mbështetjen në sektorin privat dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor për të ndihmuar në mbylljen e hendekut socio-ekonomik mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Deri më tani, BE-ja ka miratuar financimin për 40 projekte novatore në transport, ndërlidhje, tranzicionin e energjisë, agjendën e gjelbër, tranzicionin digjital dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, me mbështetje prej €1.8 miliardë nga BE-ja dhe një investim total prej €5.7 miliardë.

 

Kjo përfshin 12 projekte për investime të miratuara më 5 dhjetor, prej të cilëve 6 projekte në sektorin e energjisë janë përshpejtuar falë Energy Support Package prej €1 miliardë, e përbërë prej dy shtyllash:

  • €500 milionë në mbështetje të menjëhershme për të gjithë partnerët nga Ballkani Perëndimor për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë për bizneset dhe familjet e cenueshme, që është miratuar dhe do të jetë gati për disbursim në fillim të vitit 2023.
  • €500 milionë në mbështetje afatmesme nëpërmjet Western Balkans Investment Framework për të avancuar në tranzicionin e energjisë dhe sigurinë e energjisë. Paketa mbulon transferimin e Regional Energy Efficiency Programme për rinovimin me efikasitet energjitik për ndërtesat private dhe publike, gjashtë grante investimesh të reja për burimet e rinovueshme të energjisë, tre skema grantesh për tranzicionin e energjisë në sektorin privat dhe një sërë garancish për të mbështetur energjinë e rinovueshme dhe eficiencën energjitike. Pritet të mobilizohen deri në €2.5 miliardë investime në total në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.

Liderët dëshmuan edhe nënshkrimin e deklaratës mes përfaqësuesve të operatorëve të telekomunikacionit nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja për uljen e parë vullnetare të uljes së tarifave të roaming-ut, duke filluar nga tetori i vitit 2023, midis rajonit dhe BE-së që fillojnë në tetor të vitit 2023. Komisioni Evropian dhe Regional Cooperation Council lehtësuan negociatat për marrëveshjen dhe vendimet për reduktimet e mëtejshme që priten në maj të vitit 2023.

 

Së fundmi, Samiti ishte një mundësi për të diskutuar dhe zgjeruar bashkëpunimin e BE-së me rajonin në menaxhimin e migracionit, sigurinë kibernetike, arsimin dhe të rinjtë. Komisioni ka miratuar së fundmi €70 milionë financime për të ndihmuar në përmirësimin e aftësive të menaxhimit të kufiritdhe të shtojë luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor. BE-ja po përmirëson ndihmën dhe bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor për të forcuar reziliencën kibernetike në vijim të një sërë sulmesh kibernetike në shkallë të gjerë në rajon, duke përfshirë edhe nëpërmjet një programi të ri prej  €5 milionë në të gjithë rajonin i programuar të fillojë në fillim të vitit 2023. Universitetet e Ballkanit Perëndimor do të përfshihen në European Universities Initiative të Erasmus+ për përparim të barabartë me shtetet anëtare të BE-së, për të krijuar mundësi të mëtejshme për të rinjtë.