Skip to main content

Area of Cooperation: Environment

Mollët japoneze kthehen në “frutën tonë” në Malin e Zi

Një shoqëri malazeze gjen potencial rritjeje në bujqësi me mbështetjen e BE-së Mali i Zi është një importues neto i prodhimeve bujqësore dhe ushqimore. Megjithëse deficiti tregtar është reduktuar gjatë viteve të fundit, kërkimi nga Instituti për Studime Prospektive Teknologjike, i financuar nga BE-ja, tregon se një sërë elementesh vijojnë të ndikojnë te kjo situatë. Këtu përfshihen fermat e fragmentuara, vëllimet e ulëta të prodhimit parësor, një sektor përpunimi i pazhvilluar dhe nivelet e ulëta të aplikimit të teknologjive moderne të prodhimit. Potenciali për rritje në tregun bujqësor u pikas nga Veletex, një shoqëri malazeze që funksionon prej 30 vitesh dhe është e përfshirë në shpërndarjen ushqimore dhe shitjen me pakicë të produkteve të hortikulturës. Qendrat kopshtare Kalia të shoqërisë punësojnë mbi 40 agronomë.

“Nuk ekziston asnjë shoqëri apo institucion tjetër në Malin e Zi që punëson kaq shumë ekspertë në bujqësi. Kalia është edhe burimi i sigurimit të të gjitha lëndëve të para për prodhim bujqësor, çka ka ndihmuar”

Potencial për rritje Miloš Golubović është Menaxheri i Përgjithshëm i Veletex. Ai shpjegon se prodhimi bujqësor parësor ishte një përputhje e përshtatshme për biznesin e tyre. Sektori i shpërndarjes, që është sektori më i vjetër në këtë shoqëri, merret me shpërndarjen e ushqimeve, duke përfshirë frutat dhe zarzavatet, duke bërë që shoqëria të ketë partnerë dhe kontakte biznesi për shitjen e prodhimeve bujqësore. “Nuk ekziston asnjë shoqëri apo institucion tjetër në Malin e Zi që punëson kaq shumë ekspertë në bujqësi. Kalia është edhe burimi i sigurimit të të gjitha lëndëve të para për prodhim bujqësor, çka ka ndihmuar”. Kështu, Veletex ngriti një shoqëri të re, Naše Voće (“fruta jonë” në gjuhën malazeze), dhe bleu mbi 44 hektarë tokë bujqësore nga një ish-fermë shtetërore në zonën e Nikshiqit. Ndihmë për t’u zhvilluar Miloš shpjegon se të punuarit me teknologjitë moderne në rritjen e frutave kërkon hapësira më të mëdha pasi nevojitet një pjesë shumë e shtrenjtë infrastrukture, pavarësisht nëse ke një hektar apo 40 hektarë tokë. “E kam fjalën për sistemin qendror të vaditjes”. Investimi në këtë lloj teknologjie përbën sfidë të konsiderueshme, edhe për shoqëri të njohura si Veletex-i. Për këtë arsye, Naše Voće vendosi të aplikojë për mbështetje nga programi i BE-së, Instrumenti i Asistencës së Para – Aderimit për Zhvillim Rural (IPARD), që përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë në vendet në proces aderimi në BE. Përmes IPARD-it, shoqëria u mbështet për ngritjen dhe, më pas, zgjerimin e pemëtoreve me mollë dhe investimin në rrjetat kundër breshrit. Tashmë, me thirrjen e fundit për propozim, është nënshkruar një kontratë granti për ndërtimin e një stabilimenti për përpunimin dhe ruajtjen e frutave. “Me 2,500 metra katrorë, stabilimenti do të jetë një ndër më të mëdhenjtë në Malin e Zi”, thotë Miloš-i.

“Plani për zgjerim të mëtejshëm është për mollën e kuqe Red Delicious, por në katër hektarë do të kultivohet një varietet i ri – Fuji Japoneze – që është po ashtu një mollë e kuqe: një frutë e madhe, diçka krejtësisht e re për Malin e Zi”.

Rreth programit  Pjesë e Instrumentit të Asistencës së Para – Aderimit (IPA), i projektuar për të mbështetur reformat në vendet në proces aderimi në BE, Instrumenti i Asistencës së Para- Aderimit për Zhvillim Rural (IPARD) përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë në këto vende. Përmes këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë financiare dhe teknike për të bërë sektorin e tyre bujqësor dhe zonat rurale më të qëndrueshme dhe për t’i harmonizuar ato me politikën e përbashkët bujqësore të BE-së. Krahas kësaj, është nënshkruar dhe një kontratë granti për prodhim parësor me ndërtimin e një pemëtoreje shumëvjeçare me mollë. Investimi përfshin blerjen e fidanëve dhe një traktori. Mollët janë fruta kryesore me të cilën shoqëria po punon, për shkak se kushtet klimatike të luginës së Župa-s janë më të përshtatshme për rritjen e mollëve. Aktualisht, shoqëria rrit varietete të mollës së kuqe. “Plani për zgjerim të mëtejshëm është për mollën e kuqe Red Delicious, por në katër hektarë do të kultivohet një varietet i ri – Fuji Japoneze – që është po ashtu një mollë e kuqe: një frutë e madhe, diçka krejtësisht e re për Malin e Zi”, thotë Miloš-i.

Njihuni me Ariun e famshëm nga Mali i Zi

Habitati i vyer i ariut të murrmë shtrihet përgjatë Malit të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinës. Nëpërmjet të punuarit për një projekt ndërkufitar, shkencëtarët kanë arritur të mësojnë gjëra të reja rreth këtyre krijesave ikonike. Borko është vetëm pesë vjeç, por tashmë është i famshëm në Malin e Zi. Vitin e kaluar, ai u shfaq në mediat malazeze dhe ende ndiqet 24 orë në ditë, si të qe personazh televiziv i një reality show. Borko është një ari që po ndiqet dhe monitorohet për qëllime shkencore, si pjesë e projektit “Bear in Mind” të financuar nga BE-ja. Borko u kap një vit më parë dhe ekipi i shkencëtarëve të projektit i vendosi një qafore me gjurmues GPS dhe transmetues satelitor dhe e lëshuan menjëherë pas kësaj. Transmetuesi përfshin një kartë që dërgon deri në shtatë mesazhe në ditë në qendrën e kontrollit duke përcaktuar koordinatat e vendndodhjes së tij. Në këtë mënyrë, ekipi i projektit është në gjendje të mësojë më tepër rreth lëvizjeve, ushqyerjes dhe zakoneve të tjera të tij.

“Një ditë, ai notoi tetë herë përmes liqenit Piva, që është një liqen shumë i madh. Nuk e dinim se një ari në moshë të re do të ishte në gjendje për diçka të tillë”.

Jasmin Murić është koordinatori i projektit. Ai përshkruan të papriturat që kanë pasur prej lëvizjeve të Borko-s:“Një ditë, ai notoi tetë herë përmes liqenit Piva, që është një liqen shumë i madh. Ai është notar shumë i mirë. Nuk e dinim se një ari në moshë të re do të ishte në gjendje për diçka të tillë”, tha ai. Ai përshkruan një sjellje tjetër të veçantë të Borko-s: ai e kalon shumicën e kohës së tij në kanionet e thella të lumit Sushicë, ku ndoshta strehohet prej dimrave të ftohtë, pasi aty rryma e ajrit është më e dobët. Puna ndërkufitare  Numri i arinjve në zonën ku jeton Borko është shumë më i vogël se sa numri minimal për një popullatë të qëndrueshme dhe ata hasin një sërë kërcënimesh nga njerëzit. Kjo vjen për shkak të asaj që Jasmin e përshkruan si një perceptim i ekzagjeruar i rreziqeve të sulmeve nga arinjtë, humbjes së habitatit nga urbanizimi dhe ndryshimeve klimatike. Gjithashtu, menaxhimi i fragmentuar ndërkufitar ka qenë sfidë në të shkuarën. Megjithatë, arinjtë nuk njohin kufij, ndaj është e rëndësishme që të krijohet partneritet me organizatat në Bosnje dhe Hercegovinë, për ndarjen e përvojave dhe hartimin e planeve të përbashkëta. Duke punuar përtej kufijve për monitorimin e arinjve dhe menaxhimin e habitatit të tyre, Jasmin është e sigurt se Borko dhe familja e tij në tërësi do të jetojnë më mirë. Me ndihmën e të dhënave të përftuara nga gjurmuesi GPS i Borko-s, ekipi i Jasmin-ës po punon për hartimin e një plani të qëndrueshëm menaxhimi dhjetëvjeçar, që do të ofrojë një qasje strategjike për një mbrojtje më të mirë të kësaj specieje dhe mjedisit të saj. Për shembull, nëse Borko del rregullisht jashtë zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Durmitorit, ata mund të sugjerojnë zgjerimin e territorit të parkut. Nëse vërejnë se ai shkon në fshatra, atëherë mund të marrin masa për ndërgjegjësimin e banorëve vendas për të siguruar se arinjtë nuk do të kërcënohen nga kurthet. Duke punuar përtej kufijve për monitorimin e arinjve dhe menaxhimin e habitatit të tyre, unë besoj se Borko dhe familja e tij në tërësi do të jenë më të sigurt.

“Duke punuar përtej kufijve për monitorimin e arinjve dhe menaxhimin e habitatit të tyre, unë besoj se Borko dhe familja e tij në tërësi do të jenë më të sigurt”.

Rreth projektit  Projekti “Bear in Mind” zbatohet nga Qendra për Mbrojtjen dhe Vrojtimin e Zogjve nga Mali i Zi, në bashkëpunim me organizatat partnere nga Bosnje dhe Hercegovina. Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës – Malit të Zi 2014-2020.
Mbështetja te rezultatet e dobishme Projekti nuk ka të bëjë vetëm me Borko-n, apo me ariun e murrmë. Ekipi po planifikon edhe kapjen dhe shënjimin e dy specieve vendase të zogjve: thëllëzës së malit dhe gjelit të egër bishtlirë. Kjo duhet të ndihmojë po ashtu me zbulimin e informacioneve thelbësore për të kuptuar zakonet dhe lëvizjet e tyre. Aktualisht, Borko është në gjumë letargjik në një strofull. Jasmin dhe ekipi i tij presin që të zgjohet sërish nga fundi i muajit prill kur planifikojnë të vijojnë me ndjekjen e tij. Jasmin shpjegon se informacioni rreth llojit të habitatit që përdor ariu për gjumin letargjik dhe koha e nisjes së gjumit dimëror dhe e zgjimit janë gjithashtu të rëndësishme. “Këto të dhëna mund të na vlejnë që të arrijmë në disa përfundime rreth mënyrës se si ndryshimet klimatike lidhen me zakonet sezonale të ariut”.

Një valë lulëzimi

Nxjerrja e anijeve të mbytura në Luftën e Dytë Botërore mundëson lundrim më të sigurt në Danub dhe nxitje të ekonomisë së Serbisë. Danubi është lumi i dytë më i gjatë evropian dhe përshkon dhjetë shtete. E gjithë shtrirja e tij në Serbi (588 km) është e lundrueshme, por rrjedha ujore e Danubit është shumë më e ngushtë në grykën e Djerdap-it për shkak të numrit të madh të mjeteve lundruese që janë mbytur aty gjatë fundit të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë seksion të lumit Danub, në drejtim të rrjedhës së sipërme të portit Prahovo, rrjedha ujore është vetëm 180 metër e gjerë dhe 23 anijet e fundosura aty e ngushtojnë këtë seksion në 100 metra. Prandaj, një projekt i mbështetur nga Banka Evropiane e Investimeve për nxjerrjen e këtyre anijeve të fundosura është me rëndësi të madhe, sepse pengesat nën ujë pengojnë lundrimin, veçanërisht kur niveli i ujit është i ulët. Pjesa e parë e projektit përqendrohet në gjetjen e mënyrës së duhur për të hequr minat dhe lëndët e rrezikshme nga anijet, si dhe përcaktimin e vendndodhjeve të tyre të sakta.

“Investimi do të përmirësojë qarkullimin lumor në Serbi, pasi vendi humbet deri në 5 milionë euro në vit për shkak të lundrimit të pasigurt në këtë seksion të Danubit”.

Lundrim më i sigurt dhe i shpejtë në Danub Disa nga pjesët e anijeve që kanë qëndruar të fundosura në Danub për më shumë se shtatë dekada do të vendosen në ekspozitë, ndërsa pjesët e tjera do të rikthehen në Gjermani. Pastrimi i shtratit lumor do ta bëjë lundrimin në këtë pjesë të lumit shumë më të sigurt dhe të shpejtë, si dhe do të sjellë përmirësim mjedisor. Investimi do të përmirësojë qarkullimin lumor në Serbi, pasi vendi humbet deri në 5 milionë euro në vit për shkak të lundrimit të pasigurt në këtë seksion të Danubit, sipas ish-Ministrit të Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajlović. Projekti për nxjerrjen e anijeve do të financohet nëpërmjet një huaje nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB), me kushte shumë të favorshme, në bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë. “Rikthimi i sigurisë së lundrimit në Danub është ajo që duam të arrijmë: heqjen e pengesave dhe tejkalimin e barrierave të dukshme dhe të padukshme, në këtë rast, nën sipërfaqen e ujit”, tha Sem Fabrizi, Ambasadori i BE-së në Serbi. Integrimi në BE është para së gjithash një proces paqeje dhe bashkimi. Që prej themelimit, BE-ja është përqendruar te tejkalimi i vështirësive të së shkuarës dhe hapja e rrugës për integrimin të mëtejshëm. “Jemi përkushtuar ta bëjmë Serbinë dhe të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor pjesë të kësaj aventure të mrekullueshme”, tha Fabrizi.

“Të gjithë në këtë vend janë të lidhur emocionalisht me këtë lumë që shpalos histori të rëndësishme të së shkuarës”.

Dy fjalë rreth EIB-së Banka Evropiane e Investimeve është huadhënësja kryesore e Bashkimit Evropian. EIB-ja është institucioni financiar shumëpalësh më i madh në botë dhe një nga ofruesit më të mëdhenj për financimin e klimës, duke investuar për një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë. Banka Evropiane e Investimeve është aktive në Serbi që prej vitit 1977 dhe ka investuar mbi 6 miliardë Euro në projekte të ndryshme. Pjesa më e madhe e fondeve, thuajse 40% (2.1 miliardë Euro), është investuar në projekte transporti, nga të cilat 165 milionë Euro janë investuar në sektorin energjetik. Lumi përfaqëson një burim të vyer natyror për energji, ushqim dhe ujë të pijshëm, duke prodhuar 22% të furnizimit kombëtar me energji. Njëkohësisht, ai shtrihet përgjatë një itinerari të rëndësishëm lundrimi, duke mundësuar transport me kosto efektive në tregjet rajonale dhe të BE-së. Dubravka Negre, Drejtoresha e EIB-së në Ballkanin Perëndimor, shprehet se ky projekt është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Serbisë, por ka edhe domethënie të madhe historike. Të gjithë në këtë vend janë të lidhur emocionalisht me këtë lumë që shpalos histori të rëndësishme të së shkuarës”, thotë ajo. Negre shton se, nëpërmjet kontributit për zgjerimin e lidhjeve ekonomike ndërkombëtare, lumi rilidh popujt e Ballkanit që ndajnë një të shkuar të përbashkët. Sot, pas shumë dekadash, ata mund të takohen në të njëjtën rrugë drejt një tregu të ri të përbashkët me vlera dhe perspektiva evropiane për një të nesërme më të mirë.