Skip to main content

Autor: WeBalkans

Thirrje për aplikime: deri në 500 komuna nga i gjithë Ballkani Perëndimor do të përfitojnë Wi-Fi publik falas si pjesë e Planit të Rritjes së BE-së

28 mars 2025 – Komunat në Ballkanin Perëndimor mund të aplikojnë për të përfituar nga nisma WiFi4WB (Wi-Fi për Ballkanin Perëndimor), e cila do të ofrojë hotspote Wi-Fi falas për deri në 500 komuna në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Pikat e qasjes në Wi-Fi do të instalohen në hapësira publike si sheshe, parqe, biblioteka, muze dhe shkolla, duke ofruar qasje falas dhe të besueshëm në internet për banorët dhe vizitorët.

Komunat pjesëmarrëse do të marrin mbështetje gjithëpërfshirëse, përfshirë furnizimin dhe instalimin e pajisjeve për Wi-Fi, shërbimin e internetit dhe mirëmbajtjen. Në këmbim, komunave u kërkohet të angazhohen për ruajtjen e shërbimit përtej periudhës fillestare të financimit, duke siguruar qëndrueshmëri dhe ndikim afatgjatë.

Thirrja publike është e hapur për të gjitha komunat nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – dhe aplikimet duhet të dorëzohen nga shefi/kryetari i komunës, zyrtar i punësuar në komunë ose anëtar i këshillit komunal.

Wifi4WB është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar transformimin digjital si shtytës kyç për integrimin rajonal. Programi synon të kapërcejë ndarjen digjitale, të nxisë mundësitë ekonomike dhe të fuqizojë komunitetet lokale duke siguruar qasje universale në internet.

WiFi4WB është pjesë e EU4Digital Action, financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ). Frymëzuar nga nisma e suksesshme WiFi4EU, e cila ofroi Wi-Fi falas për gati 9,000 komuna në të gjithë Evropën, WiFi4WB e shtrin këtë vizion në Ballkanin Perëndimor, duke i pajisur komunat me mjetet për të përmirësuar infrastrukturën digjitale dhe për të pasuruar jetën e banorëve dhe vizitorëve.

 

Afati i fundit për aplikim: 28.04.2025

 

Për më shumë informacion se si të aplikoni dhe të merrni pjesë në WiFi4WB, vizitoni wifi4wb.eu.

Interreg dhe Green-Tex: Tekstile të ricikluara – Më pak ndotje

Nga 1 janar 2025, të gjitha vendet e BE-së duhet veçmas të mbledhin mbetjet e tekstilit. Megjithatë, shumë shteteve anëtare, si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, u mungon një sistem efikas për këtë qëllim. Për të adresuar këtë sfidë dhe për të zhvilluar zgjidhje të zbatueshme në të gjithë rajonin, 11 organizata nga 9 vende janë bashkuar në kuadër të projektit Green-Tex.

Organizatat partnere përfshijnë Agjencinë e Zhvillimit SERDA (Bosnjë dhe Hercegovinë); Komunën e Postojnës (Slloveni); Institutin për Rritje të Qëndrueshme Active Nativa (Slloveni); Shoqata Qytetare Eko Charity Sllovakia Për Sllovakinë (Sllovaki); Eurotex Ltd (Bullgari); Komunën e Majurit (Kroaci); Fakultetin e Teknologjisë së Tekstilit, Universitetin e Zagrebit (Kroaci); Universitetin “Donja Gorica” (Mali i Zi); Agjencinë për Zhvillim Rajonal Zlatibor (Serbi); Shoqatën për Zhvillim Ndërkomunitar “Zona Metropolitane e Bukureshtit” (Rumani); dhe Shoqatën Inovative “Hungarezi i Parë i Përgjegjshëm” (Hungari).

Prodhimi i tekstilit është një nga industritë më ndotëse, duke gjeneruar 20% të ujërave të zeza industriale, me emetim të sasive të mëdha të gazeve serrë. Për shembull, për të prodhuar një këmishë të vetme prej pambuku nevojiten 2700 litra ujë, ekuivalente me atë që pi një person gjatë 2,5 viteve. Në të njëjtën kohë, 86% e veshjeve përfundojnë në deponi ose digjen pas përdorimit, dhe vetëm 1% riciklohet.

Green-Tex synon të krijojë dhe testojë zgjidhje të reja në zinxhirin e prodhimit, nga dizajnimi i produkteve të reja deri te mbledhja e mbetjeve të tekstilit. Mjetet digjitale, si hartë interaktive me pika të caktuara grumbullimi, do të jenë pjesë përbërëse e Green-Tex platformës së mësimit dhe inovacionit. Për shembull, Komuna e Postojnës, në bashkëpunim me shoqatën Prostor, rrit ndërgjegjësimin për pasojat e konsumit të tepërt të tekstilit duke ofruar alternativa të qëndrueshme ndaj zakoneve tradicionale të blerjeve nëpërmjet punëtorive tërheqëse dhe ngjarjeve ku shkëmbehen veshjet.

Sllovenia, Sllovakia, Kroacia dhe pjesë të Hungarisë dhe Bullgarisë kanë zbatuar praktika të suksesshme që mund të përshtaten në vendet që ende janë duke zhvilluar sistemet e tyre të riciklimit të tekstilit, përfshirë Rumaninë dhe vendet kandidate për në BE, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë.

E themeluar në vitin 2003, Agjencia e Zhvillimit Rajonal të Sarajevës (SERDA) mbështet zhvillimin ekonomik në makro-rajonin e Sarajevës dhe në Bosnje-Hercegovinë. Zbaton projekte për inovacion, sipërmarrje, ekologji dhe zhvillim të qëndrueshëm, duke bashkëpunuar shpesh me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, përfshirë BE-në, për të forcuar konkurrencën ekonomike, për të tërhequr investime dhe për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

“Duke punuar me partnerët tanë nga Sllovenia, kuptuam se ballafaqohemi me çështjen e njëjtë me mbetjet e tekstilit dhe mund të kontribuojmë në reduktimin e tyre duke lehtësuar shkëmbimin e njohurive dhe përvojave midis vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve kandidate”, shpjegon Amela Ikiq Suljagiq, menaxhere e projektit në SERDA.

“Në Bosnje dhe Hercegovinë, SERDA mbledh mbetjet e tekstilit. Kemi blerë dhjetë kontejnerë inteligjentë të pajisur me sensorë dhe do të analizojmë konsumin lokal dhe modelet e mbetjeve, do të optimizojmë rrugët e grumbullimit dhe do të punojmë në gjetjen e zgjidhjeve më të mira për mbetjet e grumbulluara—qoftë nëpërmjet riciklimit, ripërdorimit ose riadaptimit,” thotë Ikiq Suljagiq. Ajo shton se partnerët e SERDA-s në këtë përpjekje përfshijnë kompaninë lokale të shërbimeve komunale dhe ministrinë përkatëse në qeverinë e Kantonit të Sarajevës.

Në Bullgari, në një fabrikë për riciklim mekanik, mostrat e mbetjeve të mbledhura nga Bukureshti do të përdoren për të zhvilluar prototipe të produkteve të reja të bëra nga fije të vjetruara. Në Kroaci, Serbi dhe Slloveni, projekti do të testojë zbatimin më të gjerë të fijeve natyrore me burim vendas në prodhimin e tekstilit dhe do të zhvillojë prototip të një produkti të ri jo të thurrur, duke kombinuar leshin e ricikluar me mbetjet e tekstilit të ricikluar që janë të papërshtatshme për ripërdorim. Nisma kërkon gjithashtu zgjidhje për përdorime të shumta të leshit, shumica e të cilave aktualisht përfundojnë në deponi ilegale. Në Mal të Zi dhe Slloveni, projekti do të hulumtojë zgjidhje inovative për dizajn të qëndrueshëm dhe të gjelbër të modës duke krijuar koleksione mode që janë miqësore për mjedisin.

Green-Tex do të prezantojë teknologji inovative të prodhimit si ngjyrosje pa ujë, rritje të përdorimit të materialeve të ricikluara, mbështetje për markat dhe prodhuesit e qëndrueshëm që përdorin metoda miqësore për mjedisin dhe zgjerim të riciklimit të tekstilit duke vendosur pika grumbullimi lehtësisht të qasshme në vende të dukshme, si qendra tregtare dhe shkolla. Stimujt për qytetarët, si zbritjet në dyqane ose programet e shkëmbimit të veshjeve, promovojnë modën vintage, shkëmbimet e veshjeve, dyqanet  të dorës së dytë dhe programe të riciklimit në dyqane.

Green-Tex ka buxhet prej 1.79 milionë €, 80% e të cilit sigurohet nga Programi Interreg. Aktualisht, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia, Hungaria dhe Bullgaria i kanë krijuar praktikat më të mira që mund të transferohen në vendet kandidate.

Interreg është instrument kyç i Bashkimit Evropian (BE) për forcimin e bashkëpunimit midis Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së. Për periudhën 2021–2027, programi fokusohet në adresimin e sfidave siç është ndryshimet klimatike, transformimi digjital dhe përfshirja sociale. Me buxhet prej 10 miliardë eurosh, një pjesë e fondeve ndahet për rajonet më të largëta të BE-së dhe vendet fqinje, si dhe zona specifike gjeografike me rëndësi strategjike për Evropën, si Gjiri i Guinesë, Oqeani Indian dhe Kanali i Mozambikut. Programi synon të përmirësojë politikën e kohezionit të BE-së, duke adresuar sfida specifike në të gjithë Evropën dhe më gjerë. Prioritetet deri në vitin 2027 përfshijnë rritjen e zgjuar, tranzicionin e gjelbër, përfshirjen sociale, zhvillimin territorial dhe infrastrukturën efikase dhe të qëndrueshme.

Së bashku më të fortë: Maqedonia e Veriut rrit sigurinë kundër armëve të paligjshme

Në fund të janarit të viti 2025, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut mori pajisje për të përmirësuar hetimet e vendit të krimit që përfshinë armë zjarri.

“Kjo pajisje do të shërbejë për të luftuar në mënyrë më efikase tregtinë e paligjshme dhe posedimin e armëve të zjarrit, për të siguruar kontroll të sigurt mbi ligjshmërinë e posedimit të armëve të vogla dhe për të rritur sigurinë e qytetarëve në mbarë Evropën”, thuhet në deklaratën e Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut.

Që nga konfliktet e armatosura të vitit 2001, shumë banorë në vend posedojmë armë të lehta paligjshëm. Raportet e policisë tregojnë shpesh se armë të tilla gjenden gjatë inspektimeve rutinë, shpesh krahas lëndëve narkotike, në përleshje, operacione kontrabande ose incidente të dhunës në familje. OSBE-ja, UNDP-ja dhe organizata tjera ndërkombëtare që drejtojnë projekte rajonale për të rritur ndërgjegjësimin mbi rreziqet e armëve të paligjshme dhe për të forcuar kontrollin mbi posedimin e tyre, paralajmërojnë se armë të tilla paraqesin “kërcënim për sigurinë e qytetarëve, sigurinë publike dhe luajnë rol të rëndësishëm në dhunën në familje, vrasjet dhe dhunën me bazë gjinore, duke kontribuar gjithashtu në krimin dhe paqëndrueshmërinë në mbarë botën”.

Maqedonia e Veriut shfaqet në raportet dhe analizat ndërkombëtare si “vend në rrugën e tregtisë së paligjshme të armëve”.

“Ka shumë armatim në Maqedoninë e Veriut. Nuk e di nëse është e ligjshme apo jo, por përdoret dhe kërcënon sigurinë publike. Njerëzit shpesh qëllojnë me armë në dasma, për shembull, kemi pasur të plagosur dhe viktima nga plumbat endacakë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të shtëna të vetme, por breshëri armësh që shqetësojnë qytete të tëra. Ministria e Punëve të Brendshme rregullisht organizon fushata dhe apele për qytetarët, por pa rezultat. Nuk mendoj se publiku është plotësisht i vetëdijshëm se sa armë të paligjshme ka në vend, por e dinë se ka shumë dhe se janë të rrezikshme!”, thotë Suzana Nikoliq, gazetare për Kumanovo News.

Rëndësia e kontrollit të armëve të paligjshme u bë edhe më e dukshme pas të shtënave masive në Mal të Zi në janar 2025, ku u vranë trembëdhjetë persona, përfshirë dy fëmijë.

Sipas vlerësimeve të Small Arms Survey nga 2018, ka mbi gjashtë milionë armë zjarri në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Kosovë – afërsisht 30 armë për 100 banorë. Gati 90% e tyre janë në duart e civilëve, duke tejkaluar mesataren globale prej rreth 75%. Besohet se midis 500,000 dhe 1.6 milion familje në rajon posedojnë armë zjarri.

Studim nga Qendra e Kontrollit të Armëve të Vogla dhe të Lehta të Evropës Juglindore (SEESAC) tregon se gati 30% e viktimave të armëve të paligjshme të zjarrit janë gra.

Rrjeti Ballkanik i Sigurisë raporton se “rruga kryesore tokësore për kontrabandën e armëve në rajon kalon përmes Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Austrisë, Hungarisë dhe Sllovakisë. Rruga detare për në Itali e ka origjinën nga Kroacia, Mali i Zi dhe Shqipëria, ndërsa ekziston edhe një rrugë hibride midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Rajoni shërben edhe si pikë tranziti për armët nga Turqia, me Bullgarinë si pikën kryesore hyrëse”.

Duke cituar hulumtim nga ekspertë të Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, të cilët paralajmërojnë se “pas përfundimit të luftës në Ukrainë, grupet kriminale ballkanike mund të shfrytëzojnë rrjetet dhe infrastrukturën e krijuar të kontrabandës për të shpërndarë armatim të freskët nga Lindja”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, pas marrjes së pajisjeve të dhuruara nga BE-ja, deklaroi se lufta kundër armëve të paligjshme është prioritet kryesor i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Zbatimi i këtij projekti është ka rëndësi të madhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme, pasi rikonfirmon angazhimin tonë për arritjen e objektivave të Udhërrëfyesit për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta. Në veçanti, mbështet miratimin e një kornize ligjore për kontrollin e armëve që do të jetë plotësisht në përputhje me kornizën legjislative të BE-së dhe kornizën e standardizuar rregullatore për kontrollin e eksplozivëve në rajon, si në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe më gjerë”, tha Toshkovski pas marrjes së donacionit.

Donacioni prej 200,000 dollarësh është pjesë e projektit “Përmirësimi i kapaciteteve mjeko-ligjore dhe hetimore në vendin e krimit për forcimin e kontrollit të drejtësisë penale mbi armët e vogla dhe të lehta” i zbatuar nga UNDP-j në kuadër të Udhërrëfyesit për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Ballkanin Perëndimor, nënshkrues i të cilit është edhe Maqedonia e Veriut. Projekti financohet nga Fondi Shumëpalësh i Mirëbesimit të Kombeve të Bashkuara për Armët e Vogla dhe Armët e Lehta në Ballkanin Perëndimor, i mbështetur nga Gjermania, Suedia, Holanda, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia, me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Projekti synon të modernizojë njësitë e hetimit të vendit të krimit (CSI) në Maqedoninë e Veriut për të përmirësuar përpunimin e vendit të krimit dhe mbledhjen e provave. Kjo do të përmirësojë hetimet, do të forcojë shkëmbimin ndërkombëtar të provave dhe do të rrisë efikasitetin e sistemit të drejtësisë penale. Projekti do të përmirësojë objektet dhe operacionet balistike brenda Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Ministrisë së Brendshme, si dhe do të përmirësojë aftësitë analitike, teknike dhe hetimore të njësive të CSI. Përveç kësaj, do të inkorporojë një perspektivë gjinore të fokusuar në parandalimin e dhunës me bazë gjinore duke sensibilizuar stafin e CSI-së dhe duke përmirësuar gjurmimin e rasteve të dhunës në familje që përfshijnë armë zjarri nëpërmjet një moduli të përkushtuar në Sistemin e Menaxhimit të Informacionit të Policisë së Maqedonisë së Veriut.

Donacioni përfshin komplete hetimi universale dhe të specializuara, kamera, kompjuterë dhe pajisje për analizën e skenës së krimit. Mjekësia ligjore dhe hetimet e vendit të krimit luajnë rol vendimtar në sistemin e drejtësisë penale kur trajtohen rastet e lidhura me armët e zjarrit. Nëpërmjet analizave balistike, ekzaminimeve të gjurmëve dhe gjurmëve të gishtave, ekipet mjeko-ligjore dhe hetimore ofrojnë prova kyçe që ndihmojnë në zgjidhjen e krimeve dhe parandalimin e dhunës në të ardhmen.

Urime Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në SEPA – Një hap më afër integrimit evropian

Maqedonia e Veriut ka avancuar në rrugën e saj drejt integrimit evropian duke iu bashkuar fushëveprimit gjeografik të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) pas vendimit pozitiv të Këshillit Evropian të Pagesave (EPC). Ky është një shembull praktik i ndikimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një nismë e BE-së për të përshpejtuar integrimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor në BE, duke përfshirë qasjen progresive në zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së bazuar në përafrimin me acquis communautaire të BE-së.

Si rezultat i vendimit të Këshillit Evropian të Pagesave, ofruesit e shërbimeve të pagesave të Maqedonisë së Veriut do të kenë mundësinë t’i përmbahen skemave të ndryshme të SEPA-s të cilat menaxhohen nga EPC-ja.

Ky hap i mundëson Maqedonisë së Veriut të lehtësojë transfertat financiare në euro dhe të zvogëlojë koston dhe kohën e përpunimit të këtyre transaksioneve ndërmjet qytetarëve të saj, si dhe bizneseve e anëtarëve të tjerë të SEPA-s. Andaj kontribuon në rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Komisioni Evropian do të vazhdojë të mbështesë përgatitjen e ofruesve të shërbimeve të pagesave të Maqedonisë së Veriut dhe përafrimin e mëtejshëm të vendit me acquis-in e BE-së në fushën e shërbimeve financiare.

 

Historiku

Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) është shoqatë e pavarur, jofitimprurëse ndërkombëtare e formuar nga 83 anëtarë të cilët janë ofrues të shërbimeve të pagesave (PSP) ose shoqata të PSP-ve. EPC është krijuar në vitin 2002 nga industria bankare evropiane për të zhvilluar instrumente evropiane për pagesat elektronike në euro. Sot, rreth 4,000 banka dhe ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave marrin pjesë në skemat e SEPA-s.

Në dialog të ngushtë me komunitetin e palëve të interesuara, EPC-ja ka zhvilluar, ndër të tjera, “skema” si Transferimi i Kreditit SEPA, Transferimi i Menjëhershëm i Kreditit SEPA dhe skema e Debitimit Direkt SEPA. Këto skema, të cilat lehtësuan mbi 50 miliardë transaksione në 36 vende vitin e kaluar, rregullisht përditësohen dhe përmirësohen nga EPC-ja për të ndihmuar në realizimin e pagesave të lehta ndërkufitare në euro.

 

Më shumë informata

Factsheet on the Growth Plan for the Western Balkans

EPC press release on Moldova & North Macedonia

BE-ja mbështet bashkëpunimin rajonal për zhvillim të qëndrueshëm

Thirrja e pestë e përbashkët e BE-së dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor për projekte për forcimin e bashkëpunimit dhe kohezionit rajonal në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me tre aspektet më të rëndësishme të ndërhyrjes, pra bashkëpunimin kulturor, arsimin dhe shkencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm, tregon rëndësinë e bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor në gjetjen e zgjidhjeve që do të ndihmojnë organizatat dhe individët të përmirësojnë jetën në rajon. 

 

Iniciativa të ndryshme morën mbështetje përmes kësaj thirrjeje, nga iniciativat për adresimin e problemeve urgjente mjedisore deri te iniciativat për të vendosur bashkëpunim dhe shkëmbim rajonal për promovimin dhe ruajtjen e produkteve artizanale tradicionale, duke përfshirë ndërhyrjet lokale të synuara, si dhe iniciativat për fuqizimin e grave.  

 

Me thirrjen e re të Fondit për Ballkanin Perëndimor dhe për BE-në e cila do të publikohet së shpejti, do të ndajmë historitë e suksesit të zbatimit të projekteve rajonale të shoqatës “Miqtë e Korçës” nga Shqipëria dhe organizatës “Barazia” nga Kosova. 

 

Energjia diellore për banorët e Ballkanit Perëndimor 

 

Disa organizata të shoqërisë civile nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë bashkuar me një mision: të punojnë së bashku për të zbutur pasojat e ndryshimeve klimatike në Ballkanin Perëndimor dhe për të promovuar përfitimet e përdorimit të energjisë diellore. Udhëhequr nga shoqata “Miqtë e Korçës” nga Shqipëria, ky projekt mblodhi së bashku partnerët, “Rrjetin e Ujit Ballkanik” nga Maqedonia e Veriut, “Qendrën për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Komunitetit” nga Maqedonia e Veriut, “Fondin e Inovacionit” të Malit të Zi dhe “MSJA” nga Mali i Zi, së bashku me ambasadorët ekologjik për Zhvillim të Qëndrueshëm nga Serbia, Universiteti Politeknik i Tiranës nga Shqipëria dhe Universiteti Politeknik i Korçës nga Shqipëria. Këta partnerë krijuan Rrjetin Solar-PV4Western Balkans, i cili synon të përfshijë palët e interesuara nga institucionet në nivelin e komunitetit lokal për të mbrojtur dhe promovuar praktikat më të mira të prodhuesve të pavarur të energjisë diellore. 

Shkëmbimi i informacionit dhe njohurive mbi legjislacionin, nismat dhe zgjidhjet inovative për energjinë diellore ishte kyç për të hedhur themelet për angazhimin dhe aktivitetet edukative në vendet që janë pjesë e rrjetit. 

 

“Sot, energjia diellore ofron mundësi të jashtëzakonshme për qytetarët, komunitetet dhe bizneset e vogla”. Bashkimi Evropian ka miratuar programe dhe ligje të rëndësishme për zhvillimin e energjisë diellore. Thjesht duhet t’i miratojmë këto ligje dhe t’i zbatojmë këto programe në vendet tona sa më shpejt që të jetë e mundur, për të siguruar energji të pastër dhe të përballueshme për qytetarët tanë, për punë dhe të ardhura për ekonominë vendase”, tha Gjergji Gjinko, kryetar i shoqatës Miqtë e Korçës, e cila drejtoi projektin “Energjia diellore për qytetarët e Ballkanit Perëndimor”. 

 

Ekspertët nga të gjitha organizatat partnere të përfshira në projekt kontribuan në projekt me ekspertizën e tyre, e cila varion nga përvoja në identifikimin dhe promovimin e praktikave të mira për lidershipin e grave në fushën e energjisë së qëndrueshme dhe shërbimeve të qëndrueshme gjinore energjetike për mjedise me të ardhura të ulëta, me çmime të ulëta, deri në shqyrtimin e çështjes së krizës klimatike në nivel akademik. 

 

Projekti rezultoi në raporte për katër vende (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) që do të informojnë qytetarët për ligjet, mundësitë dhe përfitimet e përdorimit të energjisë diellore, si dhe nevojën për të krijuar politika të reja. Ueb faqja e krijuar brenda projektit pasqyron ndjenjën e misionit të partnerëve dhe garanton rezultate afatgjata të projektit, një shtrirje më të gjerë dhe vazhdimësi të misionit dhe qëllimeve të partnerëve. 

 

Fuqizimi i grave përmes punimeve tradicionale të dorës 

 

“Ne jemi lidhur me organizatën “Pazarski Bazaar i Artizanatit” dhe qendrën “Gratë në Shërbime Publike” me qëllim që të promovojmë gratë nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia në rajonin tonë dhe të ofrojmë mbështetje për mbrojtjen dhe zhvillimin e zejeve tradicionale. “Donim të tregonim dhe ruanim nga harresa punën e grave punëtore të shoqërisë sonë dhe t’i prezantojmë rajonit të gjitha tiparet dhe detajet e traditave tona, të cilat do të mbijetojnë dhe do të jetojnë në të ardhmen”, thotë Ubejda Osmani nga OJQ-ja “Barazi” nga Prizreni, Kosovë, e përkushtuar ndaj promovimit të komunitetit boshnjak dhe rritjes së ndikimit të tij në formimin e formave të ndryshme edukative dhe kulturore të grave.  

 

Me qëllim të vendosjes së bashkëpunimit dhe dialogut rajonal për promovimin dhe ruajtjen e zejtarisë tradicionale, përfshirë ndërhyrjet e synuara lokale, duke promovuar fuqizimin ekonomik të grave, projekti filloi me vizita në terren në disa fshatra dhe komunitete në Prizren, si dhe vizita te gratë që bëjnë artizanat tradicional, kompanitë e udhëhequra nga gratë dhe gratë e vetëpunësuara. Kjo u pasua nga dy punëtori, të organizuara me pjesëmarrës nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova. Një nga këto punëtori kishte të bënte me promovimin dhe brendimin e artizanatit dhe e dyti iu përkushtua hartimit të një plani afarist dhe tërheqjes së investimeve. Konferenca rajonale e mbajtur në Durrës, Shqipëri me rreth 30 pjesëmarrës nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, u fokusua në promovimin rajonal të artizanatit dhe trashëgimisë kulturore jomateriale nga gratë. 

Fondi për Ballkanin Perëndimor (WBF) është organizatë ndërkombëtare me bazë në Tiranë, Shqipëri, e themeluar nga qeveritë e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës*, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë. Krijimi i këtij fondi, si një nismë gjithëpërfshirëse dhe rajonale, konsiderohet si një tregues i qartë se bashkëpunimi në Ballkan po ringjallet. Fondi i Ballkanit Perëndimor synon të promovojë bashkëpunimin dhe vlerat e përbashkëta midis qytetarëve, shoqërisë civile dhe individëve, duke financuar projekte të vogla dhe të mesme në fusha kyçe.

“Mbështetja nga Fondi i Ballkanit Perëndimor na ndihmoi të avancojmë dhe forcojmë bashkëpunimin rajonal”, tha zonja Osmani, duke theksuar pjesëmarrjen e grave të etnive dhe prejardhjeve të ndryshme nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia në projekt. “Në aktivitetet e projektit morën pjesë gra dhe vajza të përkatësive të ndryshme etnike, të moshës 20 deri në 65 vjeç, të afta në punimin e punimeve tradicionale të dorës, të cilat treguan interesim për start-up nismat dhe të vetëpunësimit, që ishin pjesë e aktiviteteve të projektit. Midis tyre kishte nëna të vetme, të veja, gra të martuara dhe gra që jetonin vetëm, me nivele dhe lloje të ndryshme arsimimi, profesione dhe interesa nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia dhe nga komunitete të ndryshme, duke përfshirë komunitetin shqiptar, serb, boshnjak, turk dhe rom, si dhe gra të moshuara”, shtoi ajo.  

 

Rrëfimet e grave që morën pjesë në projekt janë pjesë e dokumentarit të prodhuar nga OJQ “Barazi” dhe partnerët e saj. 

Duke sfiduar mënyrën se si angazhohemi me ndërtesat historike

Historia e projektit Sounding Spomenik (Monument Zëri) I rritur në Hungarinë Jugore në mesin e viteve ’80, Laszlo Juhasz, tani president, producent dhe botues i Institutit OnRizom, pushimet verore familjare i ka kaluar në bregdetin jugosllav.   Asokohe nuk e dinte se malet dhe gjërat nëpër të cilat kalonte me makinë do të bëheshin qendrore në jetën e tij profesionale.   Duke kaluar me shpejtësi në fillim të viteve 2010, Laszlo dhe Natasha Serec, si shumë të tjerë, lexuan tituj me fjalë si “futurist”, “brutalist”, “modernist”, “minimalist” duke marrë përsipër artet bashkëkohore dhe platformat mediatike. Këta tituj u shoqëruan me fotografi të vendeve dhe strukturave që Laszlo i kishte parë aq shumë si fëmijë, nga sedilja e pasme e makinës së familjes së tij në udhëtimet e tyre verore në bregdetin jugosllav.   Këta tituj të fillimit të viteve 2010 filluan të hedhin dritë të re mbi monumentet e Luftës së Dytë Botërore të shpërndara nëpër vendet e ish-Jugosllavisë. Këto struktura ikonike të rajonit filluan të tërheqin interes në nivel global. Një moment i tillë u pasua shpejt nga ekspozita e njohur e prodhimit MoMA “Drejt një utopie betoni: Arkitektura në Jugosllavi, 1948-1980” që u hap në Nju Jork në korrik të 2018. Pas ekspozitës, kishte shumë vëmendje nga publiku për këto monumente, duke rezultuar në botimin e shumë librave fotografikë mbi këtë temë. Këto botime dokumentuan kryesisht aspektin vizual të monumenteve, duke e parë atë ose nga pikëpamja historike ose nga rëndësia arkitekturore ose shoqërore e kësaj trashëgimie të pasur dhe shumështresore socialiste.   Megjithatë, themeluesit e OnRizom dhe projektit kërkimor Sounding Spomenik Natasha Serec dhe Laszlo Juhasz nuk i vizituan këto ndërtesa në vend deri në vitin e dytë të pandemisë COVID_19, kur bota mori një pushim dhe njerëzit u rilidhën me natyrën. Duke qenë se të dy ishin prodhues të muzikës, ishte e qartë se ata do të ishin të interesuar për aspektin e zërit të këtyre strukturave masive dhe komplekse që përkujtojnë Luftën e Dytë Botërore.   “Është për shkak të materialeve nga të cilat janë bërë: kryesisht beton, mermer, qelq dhe metal, si dhe vendndodhjet e tyre, që këto ndërtesa nxisin interes për t’u parë nga një aspekt i zërit”, thotë Perec, një nga themeluesit e OnRizom-it dhe projektit hulumtues Sounding Spomenik.   Me kufijtë e mbyllur gjatë pandemisë, në fillim, Serec dhe Juhasz vizitonin vetëm monumentet në Slloveni. “Pas kësaj përvoje fillestare, koncepti i Sounding Spomenik lindi pothuajse menjëherë: duhet të sjellim muzikantë për të luajtur instrumente akustike portative në solo brenda këtyre strukturave të betonit për të kapur tingujt me mikrofona dhe pajisje të denjë regjistrimi. Muzika e luajtur është vetëm gjysma e projektit, gjysma tjetër është një seri regjistrimesh të sinqerta të tingujve mjedisorë të këtyre vendndodhjeve që do të thotë regjistrime të thjeshta në terren pa asnjë manipulim” thotë Juhasz për fazat e hershme të projektit të tyre.  Monumentet e Luftës së Dytë Botërore janë të shpërndara në të gjithë shtetet e ish-Jugosllavisë, duke e bërë si hap të natyrshëm të ardhshëm për dy studiuesit dhe prodhuesit e muzikës të duan të zgjerojnë kërkimin dhe punën e tyre. Kjo mundësi erdhi nga programi i Goethe-s, i financuar nga BE-ja, Kultura Lëviz Evropën – Thirrje Mobiliteti për Artistët  Së shpejti u bashkuan me Studio6, të Serbisë, kolektiv muzikantësh interpretues, kompozitorë dhe studiuesish, të përkushtuar ndaj promovimit të muzikës bashkëkohore të sotme. Studio6 i priti për rezidencë artistike trevjeçare në Serbi, gjatë së cilës në bashkëpunim me artistë vendas, arritën të hulumtojnë dhe regjistrojnë në dy monumente të projektuara nga Bogdan Bogdanoviç, në Popina dhe Çaçak  Rezidenca 21-ditore e artistëve në Beograd, Serbi, e organizuar nga Studio6 – Kolektivi i Muzikës Bashkëkohore ishte udhëtimi i parë më i gjatë kërkimor i OnRizom, ku kishin kohë të mjaftueshme për t’u njohur me instrumentistët e tyre pjesëmarrëse, arkitektë vendas, stilistë dhe ekspertë të fushës. Përveç rrjetëzimit, hulumtimit, punës në terren, post-produksionit dhe prezantimit të një mbrëmjeje të projektit përmbyllës të rezidencës, qëllimi i tyre kryesor ishte të planifikonin dhe zhvillojnë me kujdes dy sesione regjistrimi në dy vende ikonike përkujtimore, të dyja të dizajnuara nga arkitekti Bogdan Bogdanoviq: në Popinë me violinisten serbe Manja Ristiq dhe në Çaçak me harpisten serbe Milana Zariq      
  Më 25 korrik, në fund të rezidencës së tyre, patën prezantim publik të projektit Sounding Spomenik në Beograd, të cilit iu bashkua historiani Nenad Lajbenshperger.   Kombinimi i muzikës, arkitekturës, dizajnit dhe kërkimit historik është themeli i projektit Sounding Spomenik që synon të rishqyrtojë memorialet e Luftës së Dytë Botërore të Jugosllavisë të njohur gjerësisht si “spomenik” përtej narativave të tyre dominuese politike dhe ideologjike, duke theksuar rëndësinë e tyre arkitekturore dhe më e rëndësishmja, tingullin e tyre. Nëpërmjet seancave të regjistrimit në vend dhe në terren dhe përfundimisht nëpërmjet performancave të gjalla, muzikantët angazhohen me këto struktura të ndërtuara, duke i dokumentuar cilësitë e tyre akustike si dhe tingujt mjedisorë përreth tyre, dhe kështu duke krijuar kështu arkiv të gjallë që zgjeron të kuptuarit tonë për historinë dhe trashëgiminë socialiste.  Në çdo vend, Serec dhe Juhasz ftojnë muzikantë vendas të angazhohen me këto struktura dhe në këto regjistrime. Deri tash, kanë punuar me disa artistë vendas në Slloveni dhe Serbi, dhe aktualisht janë duke u përgatitur për qëndrimin në Bosnje dhe Hercegovinë, ku do të zgjerojnë kërkimet e tyre. 

Solidariteti në Veprim: Përgjigja e BE-së ndaj përmbytjeve shkatërruese në Bosnje dhe Hercegovinë

“Zemrat dhe mendimet tona janë me popullin e Bosnjë-Hercegovinës, të goditur nga përmbytjet shkatërruese. Kemi aktivizuar Mekanizmin tonë të Mbrojtjes Civile të BE-së dhe dërgojmë ekipet e shpëtimit në terren. Ky është solidariteti i BE-së në veprim,” tha Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, duke siguruar praninë e ngushtë të BE-së për të ndihmuar popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës që të kalon kohët e vështira që u shfaqën pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve katastrofike të dheut që goditën vendin më 4 tetor, duke marrë 22 jetë dhe duke lënë shumë të zhdukur.  

Përmbytjet katastrofike dhe rrëshqitjet e dheut goditën Bosnjën dhe Hercegovinën në fillim të këtij viti, duke marrë 22 jetë dhe duke lënë shumë të zhdukur. Ngjarjet e tilla kërkojnë reagim të shpejtë dhe të koordinuar, si për të ndihmuar njerëzit në nevojë ashtu edhe për të menaxhuar fatkeqësinë. Bashkimi Evropian u përgjigj shpejt duke aktivizuar Mekanizmin e tij të Mbrojtjes Civile. Ekipet e kërkimit dhe shpëtimit u vendosën dhe Shërbimi i Menaxhimit të Emergjencave të BE-së Copernicus (EMS) siguroi të dhëna satelitore për të ndihmuar autoritetet lokale. Këto përpjekje ndihmuan në rivendosjen e infrastrukturës jetike dhe mbështetjen e komuniteteve të prekura, të cilat ndihmuan autoritetet lokale për të menaxhuar katastrofën dhe për të rivendosur infrastrukturën jetike. Vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut shkatërruan rajonet përreth Jabllanicës dhe Konjicit, shtëpitë u varrosën, rrugët dhe hekurudhat u shkatërruan dhe komunitete të tëra mbetën të izoluara. 

Angazhimi i BE-së për të qenë i pranishëm për popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës u përforcua më tej nga Janez Lenarçiç, i cili tha, “Reaguesit e parë të Bosnjës dhe Hercegovinës nuk përballen të vetëm me këtë fatkeqësi vdekjeprurëse. Nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, 12 vende kanë ofruar të dërgojnë ndihmë emergjente. Ekipet e kërkim-shpëtimit nga Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Serbia janë tashmë në terren, duke mbështetur reagimin lokal ndaj krizës. Kjo është një shprehje e fortë e solidaritetit të BE-së në një kohë me nevojë të madhe”. Ekipet nga këto vende mbërritën deri më 5 tetor për të kërkuar personat e zhdukur, për të hequr mbeturinat dhe për të rivendosur infrastrukturën kritike. Gjithashtu, furnizime emergjente si materiale strehimi u dërguan nga Shqipëria, Hungaria, Rumania, Mali i Zi dhe Turqia për të ndihmuar familjet e zhvendosura. Për më tepër, BE-ja koordinoi shpërndarjen e furnizimeve emergjente, duke përfshirë materiale strehimi nga Shqipëria, Hungaria, Rumania, Mali i Zi dhe Turqia, për të mbështetur familjet e zhvendosura. 

Shërbimi i Menaxhimit të Emergjencave Copernicus (EMS) luajti rol kyç në reagimin ndaj katastrofës. Ky shërbim siguroi imazhe satelitore për të vlerësuar dëmet, për të hartuar zonat e përmbytura dhe për të identifikuar rajonet më të prekura. Këto të dhëna u mundësuan ekipeve të shpëtimit t’u jepnin përparësinë e duhur përpjekjeve të tyre dhe të arrinin në mënyrë më efektive komunitetet e izoluara. Copernicus EMS u aktivizua gjithashtu në fillim të verës për të ndihmuar gjatë zjarreve të përhapura në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, duke treguar edhe një herë rolin e tij kritik në menaxhimin e fatkeqësive natyrore në të gjithë Ballkanin Perëndimor. 

Ndërsa reagimi ndaj përmbytjeve vazhdoi, rregullisht u siguruan imazhe satelitore me cilësi të lartë dhe vlerësime të dëmeve, duke ndihmuar në drejtimin e përpjekjeve të shpëtimit në terren. Veprimi i koordinuar i BE-së, nëpërmjet Mekanizmit të saj të Mbrojtjes Civile dhe Copernicus EMS, tregoi përkushtimin e palëkundur për të mbështetur Bosnjën dhe Hercegovinën në kohë krize. Deri më 11 tetor, pas disa ditësh pune të vazhdueshme shpëtimi dhe rikuperimi, shërbimet satelitore emergjente përfunduan me punë, duke shënuar fundin e fazës së reagimit të menjëhershëm të BE-së. 

Shans për miqësi të reja dhe përvoja për gjatë gjithë jetës – Programi SuperShkolla

“Besoj se të gjithë duhet të përjetojnë shkëmbimin e SuperShkollave. Kjo ishte gjëja më e rëndësishme që më ndodhi gjatë gjithë këtij viti shkollor,” tha Milica Drobnjak, nxënëse e shkollës së mesme profesionale në Bijelo Polje, Mal të Zi, për pjesëmarrjen e saj në një nga shkëmbimet e programit SuperShkolla (SuperSchools) për nxënës. 

 

Të përkushtuar mbështetjes së procesit të ndërtimit të paqes dhe pajtimit nëpërmjet të mësuarit ndërkulturor dhe dialogut ndërmjet shkollave, nxënësve dhe angazhimit të tyre, RYCO-ja bashkëpunoi me GIZ-in për të krijuar programin SuperShkolla. Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) mbështetën RYCO-n dhe GIZ-in në këtë mision nëpërmjet mbështetjes së tyre bujare financiare.  

 

Programi SuperShkolla është krijuar për të angazhuar të rinjtë, mësuesit dhe shkollat ​​si institucione. Shkollat ​​nga vende të ndryshme të BB6 mund të aplikojnë për t’u bërë SuperShkolla dhe të formojnë partneritete që krijojnë rrugën për të zbatuar shkëmbimet shkollore dhe për të marr pjesë në aktivitetet e programit kushtuar ndërtimit të kapaciteteve, rrjetëzimit dhe bashkëpunimit. 

 

Për të rinjtë, programi SuperShkolla ofron mundësi për të udhëtuar dhe njohur rajonin; Krijoni miqësi dhe aftësi ndërkulturore të reja. Programi u ofron mësuesve përvoja dhe këndvështrime të reja; Mundësitë për ngritje të kapaciteteve nëpërmjet fushave tematike të RYCO-s dhe trajnimeve për menaxhim të projekteve, si dhe mundësi për t’u lidhur me mësues tjerë me të njëjtin këndvështrim nga rajoni.  

Alma Deliu, mësuese në gjimnazin Sami Frashëri në Prishtinë, Kosovë e vërteton këtë kur u pyet për përvojën e saj, “Besojmë se së bashku nuk do të shkëmbejmë vetëm momente argëtuese, por edhe përvoja të frytshme për të ardhmen, duke pasur parasysh se edhe pse paraqesim dy kultura të ndryshme nga i njëjti rajon, ende kemi gjëra të përbashkëta që na bashkojnë në mënyrë paqësore dhe harmonike” 

Nga viti 2021 kur filloi projekti e deri në vitin 2024, gjatë dy thirrjeve të hapura RYCO-ja mbështeti 77 partneritete dypalëshe të shkollave të mesme nga rajoni WB6 dhe lehtësoi shkëmbimin e rreth 1800 nxënësve të shkollave të mesme me më shumë se 150 shkëmbime të organizuara. Gjatë gjithë programit, mbi 300 mësues të shkollave të mesme nga rajoni forcuan kapacitetet e tyre nëpërmjet fushave tematike të RYCO-s, aktiviteteve arsimore joformale dhe trajnimeve për menaxhimin e projekteve.  

 Në këtë kontekst – duke ndarë një ndjenjë të ngjashme me Alma Deliun nga Prishtina, Kosovë – Dushica Goluboviq, mësuese në Shkollën e Mesme Profesionale në Pirot, Serbi thekson mundësitë për rritje profesionale të zhvilluara nga pjesëmarrja e saj në aktivitetet e Programit SuperShkolla. “Ky projekt paraqet mundësi fantastike për përmirësim profesional për mua, por në të njëjtën kohë, gjithashtu edhe test i përmirësimeve të mia të mëparshme profesionale që kam pasur si pedagoge dhe mësuese në këtë shkollë”, thotë Goluboviq.  

 Që nga maji 2024, RYCO-ja ka filluar programin e ri kryesor që sjell mundësi për nxënësit e shkollave të mesme dhe mësuesit në Ballkanin Perëndimor për t’u lidhur dhe zbatuar aktivitete të përbashkëta nëpërmjet skemës unike të shkëmbimit. 90 shkollat ​​e mesme nga Ballkani Perëndimor që marrin pjesë në programin e tretë të shkëmbimit SuperShkolla, janë shpallur në gusht të 2024 dhe aktivitetet e tyre të shkëmbimit janë aktualisht në vazhdim. 

Duke theksuar bashkëpunimin me organet përfaqësuese të nxënësve si parlamentet e nxënësve – nëpërmjet ciklit të ri 2024-2026 – Programi i SuperShkollave do të vazhdojë t’u ofrojë të rinjve rol të mirëfilltë dhe me ndikim në formësimin e përvojës së tyre arsimore joformale përmes planifikimit të aktiviteteve dhe dizajnit të aplikimit. Vëmendje e veçantë në këtë cikël të ri do t’i kushtohet konceptit Homestay (Qëndrim në shtëpi) të fokusuar në qëndrimin në familjet e nxënësve të shkollës. Një përvojë që ka vërtetuar se krijon lidhje dhe mirëkuptim më të fortë mes të rinjve nga rajoni.  

Kosova siguron fonde për efikasitet energjetik të ndërtesave publike

Projekti për efiçiencën e energjisë në ndërtesat publike në Kosovë është rritur këtë muaj përmes një kredie deri në 50 milionë euro të ofruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Projekti është pjesë e Programit Rajonal të Efiçiencës së Energjisë (REEP), i mbështetur dhe financuar nga BE-ja në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Projekti do të përfshijë zbatimin e masave për efikasitet të energjisë dhe rinovim në deri 400 ndërtesa publike, përfshirë objektet e arsimit dhe të kujdesit shëndetësor. Kjo do të mundëson kursime mesatare të energjisë prej 30-50%, ndërkohë që do të reduktojë ndjeshëm emetimet e gazit serrë (GHG).

Masat përfshijnë instalimin e termoizolimit, përmirësimin ose zëvendësimin e sistemeve të ndryshme (ngrohje, ndriçim dhe elektrike), zëvendësimin e dyerve dhe dritareve dhe zbatimin e çdo mase tjetër të nevojshme strukturore dhe të komfortit.

Projekti ka vlerë totale prej 76 milionë euro: bashkëfinancuar me 12.6 milionë euro nga qeveria e Kosovës, 7 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian përmes Programit Rajonal të Efiçiencës së Energjisë për Ballkanin Perëndimor dhe 3 milionë euro nga Fondi Danez për Kosovën. Pjesa tjetër do të sigurohet nga fondet për bashkëpunim teknik.

Sergiy Maslichenko, Shefi i BERZH-it në Kosovë, tha: “Përmirësimi i efikasitetit energjetik të ndërtesave qëndron si prioritet jetik rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Bashkimin Evropian, duke reflektuar angazhimin tonë kolektiv për qëndrueshmëri. Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt reduktimit të emetimeve të gazrave serrë duke rritur cilësinë e jetës për qytetarët në Kosovë.”

Artane Rizvanolli, Ministrja e Ekonomisë, tha: “Jam e kënaqur që ky projekt jo vetëm që do të na ndihmojë në përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe cilësisë së 400 ndërtesave, por gjithashtu do të na ndihmojë të përditësojmë dhe përmirësojmë bazën tonë të të dhënave për gjendjen e të gjithë stokut të ndërtesave publike në Kosovë.”

Rinovimi i ndërtesave publike dhe private është jetik nëse Kosova dëshiron të përmirësojë efikasitetin dhe të përmbushë qëllimet e saj klimatike, pasi sektori i ndërtesave është konsumatori më i madh i energjisë në Evropë, që përbën më shumë se një të tretën e emetimeve të BE-së.

I nisur në vitin 2013, Programi Rajonal i Efiçiencës së Energjisë (REEP) për Ballkanin Perëndimor u zhvillua për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në dekarbonizimin e ekonomive të tyre duke promovuar investime në energjinë e rinovueshme dhe masat e efikasitetit të energjisë në sektorët e banimit, atë publik dhe privat.

I menaxhuar përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), programi kombinon një paketë gjithëpërfshirëse financimi nga BERZH dhe KfW, stimuj të BE-së dhe fonde shtesë të donatorëve për asistencë teknike dhe dialog politik.

Deri më tani ka pasur më shumë se 1 miliard euro investime të cilat kanë mundësuar rinovimin e 90 ndërtesave publike, mbështetjen e 1,500 NVM-ve dhe investimin e më shumë se 20,000 familjeve në efiçencën e energjisë. Kjo ka rezultuar në kursime energjie prej 732 GWh në vit, duke shmangur 522 kt CO2.

Aftësitë e gjelbra, e ardhmja e pastër: Si EU4Green transformon Ballkanin Perëndimor

Nisma EU4Green është më shumë se thjesht një projekt – është një lëvizje që transformon Ballkanin Perëndimor në qendër qëndrueshmërie dhe inovacioni. Nga trajtimi i ndotjes deri te nxitja e aftësive dhe edukimit të gjelbër, EU4Green hap rrugën për një të ardhme më të pastër dhe më të shëndetshme duke krijuar vende pune të gjelbra dhe duke forcuar lidhjet me BE-në. Ja se si kjo nismë e re bën ndryshim të prekshëm në të gjithë rajonin.  Nisma EU4Green bën hapa të rëndësishëm në promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Një shembull i tillë është “GreenCast-i i Ballkanit Perëndimor”, një seri podkastesh që hulumton çështje të rëndësishme mjedisore dhe strategjitë e tranzicionit të gjelbër në rajon dhe në BE. Kjo seri ka intervista me ekspertë, studime të rasteve të jetës reale dhe diskutime të thella që synojnë të frymëzojnë dhe edukojnë dëgjuesit mbi praktikat dhe zgjidhjet e qëndrueshme për një planet më të shëndetshëm.  Episodi i parë, “Uji: Nevoja e përditshme”, fokusohet në ruajtjen e ujit, një çështje kritike për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. Në të, profesoresha Dragana Tomasheviq Pilipoviq nga Universiteti i Novi Sadit dhe Harald Loishandl Weisz, ekspert i ç’ndotjes së ujit nga Agjencia e Mjedisit të Austrisë. Ata diskutojnë sfidat me ndotjen e ujit, pse është e rëndësishme të mbrohen burimet ujore dhe strategjitë për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme ujore. Nxjerrin në pah keqkuptimet e zakonshme, duke shpjeguar se çështjet e ujit kanë të bëjnë me cilësinë po aq sa me sasinë. Gjithashtu diskutojnë mbi nevojën për sisteme më të mira monitorimi, problemet me objektet e vjetëruara të trajtimit të ujërave të zeza dhe ndotjen e shkaktuar nga industria dhe bujqësia. Episodi nënvizon nevojën urgjente për bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal dhe zbatimin efektiv të rregulloreve mjedisore.  Kjo seri e podkasteve ilustron angazhimin e EU4Green për transparencë dhe angazhim publik, duke theksuar sukseset e prekshme mjedisore dhe duke nxitur optimizmin mes qytetarëve, ndërkohë që promovon llogaridhënien në qeverisje. Duke shfaqur arritjet nëpërmjet nismave si fushata #WeDidIt, EU4Green feston përparimin e përpjekjeve rajonale dhe lokale në zbatimin e masave dhe reformave sipas direktivave të Agjendës së Gjelbër. Kjo qasje jo vetëm që demonstron ndikimin pozitiv të përpjekjeve bashkëpunuese në mjedis dhe shoqëri, por gjithashtu lehtëson ndarjen e njohurive midis palëve të interesuara, duke frymëzuar ekonomitë e tjera për të përsëritur strategjitë e suksesshme.  Nëpërmjet nismave të tilla, EU4Green vazhdon të mbështesë Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin e tij drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të qëndrueshme, duke u përafruar me qëllimet më të gjera të Agjendës së Gjelbër të Bashkimit Evropian.  Për më shumë informacione, mund t’i shikoni episodet e para të GreenCast të Ballkanit Perëndimor këtu: EU4Green Transboundary Podcast    Rreth projektit:  Projekti EU4Green mbështet Ballkanin Perëndimor – Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën*, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – në zbatimin e “Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, në gjelbërimin e ekonomive të tyre në konsultim me të gjithë partnerët përkatës dhe në rritjen e monitorimit dhe raportimit.  EU4Green do të kontribuojë në rajon për: 
  • kalim në ekonomi rrethore; 
  • monitorimin dhe reduktimin e ndotësve në ajër, ujë dhe tokë; 
  • rritjen e qëndrueshmërisë dhe elasticitetit të bujqësisë ndaj klimës; 
  • ruajtjes së biodiversitetit; 
  • ofrimit të mbështetjes ad hoc të politikave të nivelit të lartë; 
  • forcimit të monitorimit dhe raportimit për Agjendën e Gjelbër; 
  • përmirësimin e të kuptuarit të Agjendës së Gjelbër nëpërmjet aktiviteteve të komunikimit; 
  • forcimin e edukimit të gjelbër; 
  • përfshirjen e shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë; 
  • nxitjen e financimit të tranzicionit të gjelbër.