Skip to main content

Area of Cooperation: Culture and youth

Të afrojmë të rinjtë me kulturën dhe artin

Mjetet ndërvepruese, novatore në një program pune për të rinjtë të financuar nga BE-ja afrojnë institucionet kulturore me të rinjtë në Serbi dhe më tej.

Galeria e Matica srpska në Novi Sad, e themeluar në vitin 1847, sot përfaqëson një nga muzetë e artit më të pasur në Serbi. Koleksioni i përhershëm shfaq punimet e rëndësishme të artit nga shekulli i tetëmbëdhjetë, nëntëmbëdhjetë dhe shekulli i njëzet dhe ilustron origjinën dhe zhvillimin e artit serb të Epokës së Re, duke treguar pozicionin e kulturës kombëtare serbe në kontekstin evropian. Përveç ekspozitës së përhershme, galeria është një vend ku zhvillohen ekspozita ndërkombëtare, monografike, tematike dhe shfaqje të tjera të përkohshme. Në galeri nuk mungojnë kurrë vizitorët, megjithatë numri i të rinjve mes tyre është zhgënjyes.

Mungesa e vizitorëve të rinj nuk është diçka specifike për këtë galeri. Problemi është vënë re dhe në vende të tjera në rajon dhe përtej. Për të trajtuar problemin në një kontekst më të gjerë dhe për të afruar të rinjtë në institucionet kulturore në përgjithësi, një shoqatë OJQ-sh nga Serbia të quajtura NAPOR lançuan projektin ‘Melting Pot’ me financim nga Bashkimi Evropian. Projekti u zbatua në tre vende, Kroaci, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

“Ideja e projektit është të afrojë të rinjtë me përmbajtjet kulturore në përgjithësi, por edhe të nxisë krijimin e programeve nga institucionet kulturore për të rinjtë.”

Nedeljka Ivošević është menaxherja e komunikimit në NAPOR. Ajo shpjegon se ideja e këtij projekti është bazuar në planin strategjik të organizatës që është të afrojë institucionet dhe të punëtorët e rinj me metodologjinë e punës së të rinjve.  “Ideja e projektit është të afrojë të rinjtë me përmbajtjet kulturore në përgjithësi, por edhe të nxisë krijimin e programeve nga institucionet kulturore për të rinjtë, shprehet Nedeljka”

Fillimisht projekti zhvilloi kërkime në tre vende rreth nevojave të grupeve të ndryshme të të rinjve të lidhura me kulturën. Zbulimet e kërkimit ishin se 60% e të rinjve që morën pjesë në anketë u shprehën se kultura është një pjesë e rëndësishme e jetës së tyre, port 90% e tyre pretendojnë se institucionet nuk konsultohen kurrë me ta për sa i përket përfshirjes në planifikimin e programit, duke i dhënë atyre rolin e konsumatorëve pasivë të përmbajtjes kulturore. Arsyeja tjetër kryesore se përse ata nuk marrin pjesë rregullisht në ngjarjet kulturore është mungesa e informacionit, përmbajtja jo interesante dhe mungesa e veprimtarive kulturore nga vendet nga vijnë.

Për të dhënë shembullin e mirë e lidhjes së të rinjve me institucionet kulturore dhe për të testuar këto shembuj të mirë, projekti zhvilloi dhe zbatoi gjashtë programe kulturore: dy për vend. Programi përfshi 20 të rinj për vend dhe secili zgjati rreth 4 muaj. Për shembull, në Serbi dhe në Matica srpsk galeria zhvilloi programin e quajtur “Le të luajmë: arti dhe shprehja e lirë” që lidh pikturat në galeri me informacionin ngjitur me pikturat si detaje për artistë të tjerë të shekullit gjatë kohës kur është bërë piktura. “Qëllimi ishte që të rinjtë ta ndiejnë hapësirën në galeri si diçka që nuk është vetëm për elitat,” shprehet Nedeljka.

“Ky ishte një projekt i madh dhe kompleks i zbatuar në tre vende. Mbështetja e BE-së është thelbësore duke qenë se pa fondet nuk do të mund të zbatonim projektin.”

Lidhur me projektin

Projekti ‘Melting pot’filloi më 21 mars dhe përfundoi në shtator 2022. Projekti i zbatua në tre vende – Kroaci, Maqedoni e Veriut dhe Serbi – nëpërmjet partneritetit me NAPOR, Galerija Matice srpskeMreža mladih HrvatskePogon – Zagrebački centar za nezavisnu kulturu i mladeSojuz za mladinska rabota Skopje dhe Opstinska ustanova Muzej na grad Negotino. Projekti u financua nga Fondacioni Tempus nëpërmjet programit ERASMUS+ të Bashkimit Evropian.

Projekti zhvilloi dhe një kurrikulë arsimore për zbatimin e qasjeve joformale me qëllimin për të shtuar kapacitetet e punëtorëve të rinj dhe punëtorët kulturorë për të kuptuar qasjet dhe parimet që mbështesin zhvillimin personal dhe social të të rinjve. Broshura e tyre, “Shkrirja e novacionit në punën rinore dhe institucionet kulturore” përmban një përmbledhje të punës dhe kulturës rinore në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Kroaci dhe vende të tjera të BE-së. Broshura jep shembuj të punës novatore dhe krijuese të të rinjve dhe liston më shumë se 50 platforma digjitale, instrumente dhe qasje.

Mbi 600 të rinj janë përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në veprimtaritë e projekti. Nedeljka shprehet se projekti pati një ndikim të rëndësishëm dhe se mbështetja e BE-së ishte thelbësore. “Ky ishte një projekt i madh dhe kompleks i zbatuar në tre vende. Mbështetja e BE-së është thelbësore duke qenë se pa fondet nuk do të mund të zbatonim projektin,” shprehet ajo.

Leximi READ kudo në Ballkanin Perëndimor

Një projekt i financuar nga BE-ja promovon zakonet dhe aftësitë e leximit dhe bashkëpunimin kulturor.

Një nga gjërat e para që vuri re ish-drejtori i institutit Goethe për Maqedoninë e Veriut, Tanja Krüger, kur mori detyrën ishte mungesa e zakonit të leximit midis të rinjve në vend. Kësisoj, ajo vendosi se gjatë misionit të saj, bashkë me ekipin e saj, do t’u jepte përparësi zakoneve të leximit mes të rinjve, në veçanti në zona rurale dhe të thella të vendit. Instituti Goethe kishte qysh atëherë projekte të lidhura me këtë temë që duheshin zbatuar në Maqedoninë e Veriut, por nevojitej të bëhej më shumë, kujton Marija Chorbeva Penovska nga Instituti në Shkup.

Mundësia erdhi me thirrjen për propozime për aktivitetet kulturore nga Ndihma për Shoqërinë Civile dhe Programi për Median i Bashkimit Evropian. Me mbështetjen e tyre, Instituti Goethe – bashkë me partnerë nga vende të tjera të rajonit nisi projektin Regional Network for Cultural Diversity (READ – Rrjeti Rajonal për Diversitetin Kulturor) që synon promovimin e aftësive ndërkulturore të leximit dhe të vlerave demokratike nëpërmjet kulturës së leximit dhe shfletimit të veprave letrare me cilësi të lartë dhe vlera mbi-rajonale.

„Fokusi i vizitave tona ishin komunitetet e vështira për t’u arritur: vende ku fëmijët nuk kishin pasur kurrë më parë mundësi të pjesëmerrnin në një event kulturor.“

Marija Chorbeva Penovska është menaxhere e projektit READ. Ajo na shpjegon se projekti përfshin katër programe të ndryshme, një prej të cilëve është „READ on wheels“ që është një librari e lëvizshme rajonale e pajisur me libra dhe përmbajtje të tjera nga vendet partnere të projektit. Libraria po lëviz përmes gjithë rajonit dhe Turqisë me fokus kryesor shkollat dhe libraritë, prej më shumë se tri vjetësh. Libraria e lëvizshme në një furgon me stafin shoqërues ka përshkuar tashmë Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, duke vizituar kryesisht fshatra të largëta ku kanë organizuar rrëfime historish, seminare ilustruese shkrimi krijues, prezantimin e shkrimtarëve të rinj, leksioneve dhe debateve, huadhënie dhe dhurime librash dhe evente të ngjashme kulturore me fëmijë dhe të rinj. „Fokusi i vizitave tona ishin komunitetet e vështira për t’u arritur: vende ku fëmijët nuk kishin pasur kurrë më parë mundësi të pjesëmerrnin në një event kulturor.“ thotë Marija.

Një përbërës tjetër i projektit është mbështetja për festivalet e letërsisë në pesë vendet e synuara, që është mjet kyç për promovimin e bashkëpunimit ndërkulturor në rajon. Projekti përfshin edhe një program rezidence që, nëpërmjet thirrjeve të hapura, u ofron autorëve nga pesë vendet një mundësi për të njohur skenën letrare, artistike dhe kulturore në rajon dhe për të mbështetur përhapjen rajonale të veprave letrare nga vendet e synuara. Në të njëjtën kohë, publikut vendas i jepet një mundësi unike për t’u njohur me punën e artistëve të përzgjedhur.

Përbërësi i katërt i projektit është mbështetja e kapaciteteve të shoqërisë civile nëpërmjet një skeme nën-grantesh që mbështet organizatat më të vogla në fushat e përkthimit, botimit dhe/ose promovimit të veprave për të zgjeruar aksesin dhe njohuritë për letërsinë edhe jashtë kufijve të një vendi. Ky përbërës përfshin dhe projekte shumëgjuhëshe dhe ndërkulturore novatore.

Marina Terpovska Stargo, koordinatore e granteve të projektit, shpjegon se deri më tani u kanë ofruar mbështetje me grante 54 organizatave nëpërmjet dy thirrjeve për propozime. Pritet të mbështeten gjithsej 90 organizata nëpërmjet granteve të projektit.

„Besoj se duke ndërtuar një rrjet të tillë të madh punonjësish kulturorë dhe OSHC-sh që punojnë në sektorin kulturor, do të mundësojmë qëndrueshmërinë e projektit.“

Lidhur me projektin

Rrjeti Rajonal për Diversitet Kulturor (READ) është një projekt kulturor rajonal katërvjeçar i financuar nga BE-ja dhe i vënë në zbatim nga Instituti Goethe në Shkup së bashku me organizatat partnere: Qendra për Bashkëpunim Ballkanik – Loja (Maqedonia e Veriut), Instituti i Librit dhe i Promocionit (Shqipëri), Shoqata Kulturore Kalem (Turqi), Krokodil (Serbi) dhe Qendra Multimedia (Kosovë). Projekti kontribuon për pajtimin dhe tolerancën ndërkulturore duke hapur kanale të reja komunikimi ndërmjet shoqërive të pavarura kulturore, duke u ofruar atyre mundësi rrjetëzimi larg skenës politike. Projekti synon promovimin e aftësive ndërkulturore të leximit dhe të vlerave demokratike nëpërmjet kulturës së leximit dhe shfletimit të veprave letrare me cilësi të lartë dhe vlera mbi-rajonale.

Marija Chorbeva Penovska thotë se deri tani janë shumë të kënaqur me rezultatet e projektit, në veçanti me performancën e nën-granteve. „Në krye ishim skeptikë për përfundimet e këtyre projekteve të vogla, pasi pesha financiare e këtyre granteve ishte simbolike. Megjithatë, çdo projekt i vogël u kthye në një histori suksesi të madh, falë përpjekjeve të këtyre organizatave më të vogla,“ thotë Marija.

Megjithatë, Marija beson se suksesi më domethënës i projektit është lehtësimi i bashkëpunimit ndërmjet organizatave kulturore dhe të rinjve në rajon. „Besoj se duke ndërtuar një rrjet të tillë të madh punonjësish kulturorë dhe OSHC-sh që punojnë në sektorin kulturor, do të mundësojmë qëndrueshmërinë e projektit.“ thotë ajo.

Presidentja von der Leyen në Ballkanin Perëndimor për të diskutuar mbështetjen e EU-së për trajtimin e krizës energjetike

Shantazhi energjetik i Rusisë dhe manipulimi i tregjeve nuk po e kursen as Ballkanin Perëndimor. EU-ja është e vendosur të mbështesë partnerët tanë për t’u përballur me çmimet e larta të energjisë dhe për të përmirësuar sigurinë e tyre energjetike në planin afatgjatë. Ky është konteksti i vizitës së Presidentes von der Leyen në Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj jave. Fillimisht, Presidentja vizitoi Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku  zhvilloi takime me Presidentin Stavo Pendarovski dhe Kryeministrin Dimitar Kovačevski. Mëngjesin e së enjtes, Presidentja von der Leyen  udhëtoi drejt Prishtinës, në Kosovë, ku u takua me Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu dhe Kryeministrin Albin Kurti. Pasdite, Presidentja udhëtoi drejt Tiranës, në Shqipëri, ku u takua me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama.

 

Mëngjesin e së premtes, ajo do të udhëtojë drejt Sarajevës, në Bosnjë-Hercegovinë. Atje, ajo do të takohet me anëtarët e sapozgjedhur të Presidencës së vendit, si dhe me anëtarët e zgjedhur të Asamblesë Parlamentare dhe me përfaqësuesit e përzgjedhur të shoqërisë. Pasdite, Presidentja von der Leyen do të udhëtojë drejt Beogradit, në Serbi, ku do të takohet me Presidentin Aleksandar Vučić dhe Kryeministren Ana Brnabić. Ajo do të vizitojë edhe Interkonjeksionin e Gazit Serbi-Bullgari në fshatin Jelašnica, së bashku me Presidentin Vučić. Së fundi, të shtunën, Presidentja do të jetë në Podgoricë, në Mal të Zi, ku do të takohet me Presidentin Milo Đukanović dhe Kryeministrin Dritan Abazović. Ajo do të vizitojë projektin ‘‘Trans-Balkan Electricity Corridor: Grid Section ne Mal te Zi.

Nxitja e adrenalinës në Shkup

Adventure Park në Shkup i zhvilluar me financimin e BE-së

Karpoš është komuna më urbane e Shkupit, kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut. Komuna ka mbi 70,000 banorë dhe pothuajse të gjithë jetojnë në ndërtesa të larta prej betoni. Robert Jankovski punon në komunën e Karpoš-it dhe 20 vjet më parë, ai dhe disa nga miqtë e tij diskutuan se komuna e tyre kishte nevojë për aktivitete ose atraksione ku njerëzit të mund të kalonin fundjavat ose të shkonin pas orarit të punës. Parqet rreth godinave të banimit nuk ishin të mjaftueshëm për të përmbushur këtë nevojë. “Unë mendoja se Shkupit i duhej një atraksion si në kryeqytetet e mëdha evropiane,” shprehet Roberti.

“Miqtë e mi dhe unë mendonim se Karpoš-it i nevojitej një atraksion që do ta bënte atë të famshëm: diçka të ngjashme me aventurat e Indiana Jones apo Tomb Rider, një vend për bërë sport dhe për t’u argëtuar. Kështu lindi ideja e parkut të aventurave.”

Gjatë diskutimeve me një mik, Roberti fillimisht mendoi të bënte një fushë golfi apo një park. Megjithatë, analiza që ai i bëri tregut tregoi që kjo do të ishte shumë e kushtueshme dhe që s’do të kishte mjaftueshëm interes. Më pas miku i tij nga Anglia sugjeroi ngritjen e diçkaje më aventureske. “Miqtë e mi dhe unë mendonim se Karpoš-it i nevojitej një atraksion që do ta bënte atë të famshëm: diçka të ngjashme me aventurat e Indiana Jones apo Tomb Rider, një vend për bërë sport dhe për t’u argëtuar. Kështu lindi ideja e parkut të aventurave.” shprehet Robert.

Robert shpjegoi se në vitin 2005 komuna ngriti një pistë patinazhi në Karpoš, që ishte i pari i llojit të tij në të gjithë vendin. Gjatë një rrahje mendimesh me kolegët nga komuna, erdhi ideja e përdorimit të vendndodhjes duke zgjeruar parkun dhe duke shtuar disa nga atraksionet aventureske si për shembull litarët në ajër. Me kalimin e kohës, ideja u zhvillua më tej, por mungonin fondet për t’i zbatuar ato tërësisht. Në komunë, Roberti ishte përgjegjës për bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare dhe jofitimprurëse dhe së bashku me Aleksandra Teova-ën – kryetaren e sektorit për zhvillimin vendor – ai zbuloi për projektin e financuar nga BE-ja për konkurrueshmërinë vendore dhe rajonale, që mbështeste komunat me problematikat e turizmit dhe ato të lidhura me mjedisin. “Kjo ishte një mundësi perfekte enkas për projektin tonë, kështu që vendosëm të zbatonim,” thotë ai.

“Nuk do t’ia kishim dalë dot pa mbështetjen e BE-së, sepse komuna jonë nuk është e pasur dhe kemi shumë prioritete të tjera si rrugët dhe ujësjellësit.”

Lidhur me projektin

‘Local and Regional Competitiveness Project’ (LRCP) është një projekt investimi katër-vjeçar, i financuar nga një grant i Bashkimit Evropian (Instrument for Pre-Accession Assistance – IPA II). Projekti ofron një qasje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e turizmit dhe menaxhimin e destinacionit. Do të dhurojë fonde investimi dhe do të rrisë kapacitetin për të mbështetur fuqizimin e sektorit, investimet për destinacione dhe mirëqenien e destinacionit specifik. Objektivi i LRCP-së është të rrisë kontributin e turizmit për zhvillimin ekonomik të zonës dhe kapacitetin e qeverisë dhe institucioneve publike për të nxitur zhvillimin e turizmit dhe lehtësuar menaxhimin e destinacioneve.

Pas disa raundesh vlerësimi, ideja e tyre u përzgjodh mes idesh të tjera të suksesshme dhe ëndrra e parkut të aventurave u bë e vërtetë. Tani, Adventure Park i financuar nga BE-ja përfshin një sektor për litarët në ajër dhe zip lines, por edhe zona për të luajtur futboll dhe volejboll në rërë dhe një seksion për fëmijët. Sikurse shpjegon dhe Roberti, parku tashmë vizitohet nga njerëz që pëlqejnë aventurën, por edhe nga familje dhe përdoret për evente si festa ditëlindjesh dhe retreat-e për kompani. Gjithashtu, ai tërheq edhe vizitorë ndërkombëtarë nga rajoni dhe përtej.

Duke parë pas në fillimet e idesë, Roberti shprehet “Nuk do t’ia kishim dalë dot pa mbështetjen e BE-së, sepse komuna jonë nuk është e pasur dhe kemi shumë prioritete të tjera si rrugët dhe ujësjellësit.”

Tani parku mbështetet tërësisht nga shitjet e biletave. Ai menaxhohet nga një kontraktor profesionist privat dhe komuna monitoron dhe inspekton rregullisht shërbimet duke përfshirë masat e sigurisë. Megjithatë, Roberti dhe kolegët e tij kanë plane për ta zgjeruar atë më tej. Duke qenë se parku është pranë lumit Vardar, ata po planifikojnë të ndërtojnë fillimisht një zip line përmes lumit dhe më pas një platformë për bungee jumping. “Këto janë plane afatgjata, por nëse zbatohen, parku mund të kthehet në një ndër simbolet kryesore të Shkupit,” thotë Roberti.

Enlargement Package 2022: Komisioni European vlerëson reformat në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi, dhe rekomandon statusin e vendit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën

Më 12 tetor 2022, European Commission miratoi Enlargement Package 2022, që ofron një vlerësim të detajuar të situatës dhe të progresit të shënuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia në rrugët e tyre përkatëse drejt European Union, me fokus të veçantë te zbatimi i reformave themelore, si dhe udhëzime të qarta për prioritetet e reformës në të ardhmen.

 

Çdo vit, Komisioni miraton “Enlargement Package”, e cila është një grup dokumentesh që shpjegojnë politikën e tij për zgjerim në EU. Baza e kësaj pakete është një Komunikatë për zgjerimin, e cila vlerëson zhvillimet gjatë vitit të fundit. Ajo shqyrton progresin e shënuar nga vendet kandidate dhe vendet kandidate potenciale, sfidat e hasura dhe reformat që duhen adresuar, dhe paraqet propozime për rrugën përpara. Krahas Komunikatës kryesore, paketa përfshin Raporte në të cilat shërbimet e Komisionit paraqesin vlerësimin e tyre vjetor të detajuar për situatën lidhur me progresin e reformës në secilin vend kandidat dhe vend kandidat potencial gjatë vitit të fundit. Këto vlerësime shoqërohen me rekomandime dhe udhëzime për prioritetet e reformës.

Veshjet tradicionale për dasmat moderne kosovare

Një projekt i financuar nga BE-ja ndihmon për rigjallërimin e artizanatit tradicional

Dollomaja është një petk uniseks, me gjatësi deri te gjuri ose kërciri, që vjen pas belit, me fund jo shumë të gjerë dhe me mëngë të gjata e të bollshme. Fjala dolloma, e prejardhur në turqisht nga “të mbështjellësh”, tregon se bëhet fjalë për një veshje të sipërme. Në perandorinë Otomane, kjo veshje përdorej nga jeniçerët. Ata ishin njësi elitare këmbësorie që shërbenin si trupë personale e sulltanëve otomanë dhe dalloheshin për disiplinën e rreptë, rregullin, egërsinë dhe kurajën në betejë. Veshja e tyre njihej si kaftan dolama.

 

Përgjatë shekujve, dollomaja u kthye në një veshje që vishej veçanërisht nga gratë e pasura. Sidoqoftë, edhe mes tyre, dollomaja ishte një veshje praktike. Dollomaja është një veshje e rëndësishme për raste dhe ceremoniale të veçanta në shumë komunitete të tjera, edhe në shumë territore të cilat bënin pjesë më parë në perandorinë Otomane, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

Në Kosovë, dollomaja është ruajtur si veshje ceremoniale; madje në rajone të caktuara, dasmat nuk përfytyrohen dot pa këtë rrobë të veçantë. Sot, vishet nga nuset dhe gratë e reja, në po aq variante sa dhe komunitetet që ekzistojnë në Kosovë.

“Para disa kohësh, veshjet tradicionale thuajse u harruan krejtësisht. Në njëfarë mënyre, të rinjtë u modernizuan dhe nuk po vishnin më veshje tradicionale si dollomatë në dasmat e tyre. Me kalimin e kohës, veshja tradicionale u kthye sërish në modë si veshje dasmash. Ditët e sotme, vajzat e reja po e kombinojnë edhe me fundet: dollomaja po modernizohet.”

Në Prizren, dollomatë e qëndisura me dorë kërkohen shumë, ndryshe nga versionet e prodhuara në fabrikë. Nevojiten javë të tëra– dhe sigurisht, shumë kujdes dhe dashuri – për të bërë një veshje të tillë dhe punimet e mrekullueshme artisitke, të bëra me dorë, shiten deri në 2000 euro. Teknika e krijimit të dollomasë është unike dhe nuk mësohet nëpër shkolla apo institucione të tjera zyrtare. Si rezultat, kjo mjeshtëri artizanale ka qenë në rrezik që të humbiste, pavarësisht kërkesës së lartë të tregut.

Për këtë arsye, një OJQ nga Prizreni, e quajtur “Ec ma ndryshe” ka filluar të punojë për të mbajtur traditën gjallë, që të ndihmojë ata që dëshirojnë të ruajnë dhe rigjallërojnë traditat, por me një nuancë disi moderne. Me mbështetjen e BE-së, ata kanë organizuar trajnime për t’u mësuar grave artizanatin tradicional të bërjes së dollomave.

Sebahate Kabashi është një artizane me përvojë e dollomasë, e cila ka kohë që trajnon gra të tjera për bërjen e dollomasë. “Para disa kohësh, veshjet tradicionale thuajse u harruan krejtësisht. Në njëfarë mënyre, të rinjtë u modernizuan dhe nuk po vishnin më veshje tradicionale si dollomatë në dasmat e tyre. Me kalimin e kohës, veshja tradicionale u kthye sërish në modë si veshje dasmash. Ditët e sotme, vajzat e reja po e kombinojnë edhe me fundet: dollomaja po modernizohet,” thotë ajo.

“E dija që pas përfundimit të këtij trajnimi do të më shtohej puna, por nuk mendoja kurrë se porositë do të vinin kaq shpejt.”

Lidhur me projektin

Trajnimi u zhvillua si pjesë e projektit “Women and youth for community development and cultural heritage”, vënë në zbatim nga OJQ-ja “Ec Ma Ndryshe”. Projekti është zbatuar me mbështetjen e një granti financiar të siguruar nga projekti “Cultural Heritage as a Driver for Intercommunity Dialogue and Social Cohesion”, i financuar nga European Union’s Instrument contributing to Stability and Peace (IcSP), dhe zbatuar nga UNDP Kosovo.

Pjesëmarrësit e kursit thonë se kjo është një mundësi e shkëlqyer për ta përvetësuar këtë art. Për ta, ky është një hap përpara në jetë sepse, duke përdorur talentin e tyre, mund të fitojnë të ardhura dhe të ndihmojnë familjet e tyre. Njëra nga kursantet është Mirlinda, 30 vjeç. Ajo thotë se tradita ka pasur gjithmonë rëndësi, por për bërjen e dollomasë ndikon dhe faktori ekonomik . “Ky artizanat është me fitim dhe të jep mundësinë të punosh nga shtëpia, gjë që është shumë e rëndësishme për ne shtëpiaket. Gjithashtu, ka kërkesë shumë të lartë në qytetin e Prizrenit,” thotë ajo.

Trajnerja, Sebahatja, shton se shumë prej kursantëve filluan nga puna ende pa e përfunduar kursin. Njëra nga këto kursante të suksesshme është Qamile Bytyqi. Pas përfundimit të kursit, ajo i bëri publike punimet e saj në Facebook dhe Instagram dhe porositë filluan të vinin menjëherë. “E dija që pas përfundimit të këtij trajnimi do të më shtohej puna, por nuk mendoja kurrë se porositë do të vinin kaq shpejt,” thotë ajo.

BE-ja dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshjen për programin e parë financiar vjetor IPA III

Më 13 shtator, Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan marrëveshjen e parë financiare vjetore, në kuadër të ‘Instrument for Pre-accession Assistance III’ (IPA III), me vlerë 63.96 milion euro. Pas nënshkrimit dhe hyrjes në fuqi të ‘Financial Framework Partnership Agreement’ ndërmjet BE-së dhe Kosovës, ky ishte një ndër hapat e fundit zyrtarë që do të sigurojnë disbursimin gradual të ndihmës financiare të BE-së për Kosovën, në kuadër të marrëveshjes kornizë të partneritetit IPA III për periudhën 2021-2027. Kuvendi i Kosovës gjithashtu duhet të ratifikojë marrëveshjen.

 

Nëpërmjet 14 programeve të njëpasnjëshme financiare vjetore nga viti 2007 deri në vitin 2020, në kuadër të IPA I dhe IPA II, BE-ja deri më tani ka siguruar ndihmë financiare prej 1.21 miliardë eurosh për Kosovën.

 

“63.96 milionë eurot e para nga IPA III do të përdoren për të nxitur konkurrencën në sektorin agro-ushqimor të Kosovës dhe për të ndihmuar përmbushjen e kritereve ekonomike të anëtarësimit në BE. Më pas, financimi do të orientohet drejt përmirësimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe përparimit të barazisë gjinore, si dhe përmirësimit të ofrimit të shërbimeve komunale dhe sigurisë publike në Kosovë,” tha ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

 

Financimi vjetor IPA III do të kombinohet me 16 milionë eurot shtesë nga qeveria e Kosovës dhe me financimin nga partnerët e tjerë me një shumë prej 3.8 milionë eurosh. BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar i Kosovës dhe ofruesi kryesor i ndihmës financiare.

BE-ja mbështet të parin ‘Talent Picnic Festival’ në BH

Rreth 3,000 të rinj nga e gjithë Bosnja dhe Hercegovina shijuan edicionin e parë të ‘Talent Picnic Festival’, që u zhvillua më 9-10 shtator në Sarajevë. Gjatë dy ditëve të para të festivalit, muzikantët e rinj, bandat muzikore, artistët dhe stilistët patën mundësinë të shpalosnin kreativitetin e tyre muzikor dhe artistik. Pas këtij edicioni të parë, festivali duhet të kthehet në një event që zhvillohet rregullisht.

 

Publiku shijoi për dy net radhazi koncerte nga muzikantë dhe grupe muzikore të mirënjohura rajonale dhe boshnjake. Mbrëmjen e së premtes, Post Rem-i, Muha, Grše-jadhe TBF-ja dhuruan një atmosferë të bukur, ndërsa mbrëmja e së shtunës u rezervua për Mustra Orchestra-n, Frenkie-n, Kontra-n, Indigo-n, Z ++, dhe Velahavle-n. Të gjitha shfaqjet dhe aktivitet e festivalit ishin falas, prandaj shumë vizitorë përfituan nga rasti për të takuar nga afër disa nga artistët e famshëm të rajonit.

 

Delegacioni i BE-së dhe ‘Special Representation’ në BH mbështetën ‘Talent Picnic Festival’, si pjesë e programit EU4All, që synon të rrisë ndërgjegjësimin pozitiv evropian te qytetarët, në mënyrë që të bëhen mbështetës të vazhdueshëm të procesit të integrimit të BE-së, nga i cili mund të përfitojnë komunitetet e tyre vendase. Programi promovon vlerat e përbashkëta evropiane,si dhe identitetin, barazinë, gjthëpërfshirjen sociale, diversitetin, qytetarinë aktive dhe mos-diskriminimin në BH.

Përmirësimi i punës së të rinjve në Serbi

Një projekt i financuar nga BE-ja mbështet një organizatë rinore për të rritur cilësinë e programeve lidhur me të rinjtë në Serbi.

N.A.P.O.R. – the National Association of Youth Workers (Shoqata Kombëtare e Punonjësve të Rinj) – është një organizatë qeveritare në Serbi, që u themelua në 2009-n nga organizatat e shoqërisë civile që punojnë me të rinjtë në Serbi. Ata u nxitën që ta nisnin Shoqatën nga nevoja për të rritur cilësinë e programeve lidhur me të rinjtë. Specifikisht, ishte e nevojshme të vendoseshin standarde për edukimin joformal të të rinjve, duke mbështetur ata që trajnojnë të rinjtë dhe që punojnë me institucionet publike që kontribuojnë për fushën. Pas më shumë se dhjetë vjetësh, NAPOR-i është bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm në fushën e programeve rinore në Serbi dhe aktualisht numëron 48 organizata nën ombrellën e saj.

NAPOR-i kontribuon për fuqizimin e të rinjve në një sërë mënyrash. Këto përfshijnë sigurimin e standardeve të cilësisë ndërmjet anëtarëve të tyre nëpërmjet monitorimit të rregullt dhe proceseve të akreditimit të standardeve bazë të performancës; programe arsimore për punëtorët dhe drejtuesit rinorë, duke përfshirë një sërë modulesh trajnimi, si dhe nëpërmjet promovimit të etikës në punën me të rinjtë. Ky i fundit është një përbërës veçanërisht i rëndësishëm duke pasur parasysh problematikat lidhur me komunikimin në hapësirën digjitale. Përveç kësaj, organizata është e përfshirë gjerësisht për advokimin e njohjes së punës rinore në përgjithësi, në veçanti te institucionet publike, si ministritë, bashkitë dhe aktorët e tjerë që janë të përfshirë në mbështetjen e punës rinore.

“Ne jemi shumë profesionistë në fushën tonë, veçanërisht në lidhje me punën me të rinjtë. Por kuptuam që kishim probleme serioze në fusha të tilla si mbledhja e fondeve, gjenerimi i sistemeve që sigurojnë qëndrueshmëri për programet tona, si dhe menaxhimi i zyrës dhe komunikimi profesional i ndikimit tonë tek audienca më e gjerë dhe palët e interesit.”

Nedeljka Ivošević, është menaxhere komunikimi në NAPOR. Ajo shpjegon se me rritjen e natyrshme të organizatës, filluan të shfaqen vështirësi dhe mangësi të mëdha, sidomos në lidhje me qëndrueshmërinë afatgjatë dhe aftësitë e komunikimit të korporatës. “Ne jemi shumë profesionistë në fushën tonë, veçanërisht në lidhje me punën me të rinjtë. Por kuptuam që në fusha të tilla, si mbledhja e fondeve, gjenerimi i sistemeve që sigurojnë qëndrueshmëri për programet tona, si dhe menaxhimi i zyrës dhe komunikimi profesional i ndikimit tonë tek audienca më e gjerë dhe palët e interesit kishim probleme serioze.” thotë Nedeljka.

Duke kërkuar mbështetje, NAPOR-i ra në kontakt me EU TACSO 3, projekt i financuar nga BE-ja që kontribuon për përmirësimin e kapaciteteve dhe forcimin e rolit të organizatave të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Projekti EU TACSO 3 e mbështeti NAPOR-in me trajnime dhe mentorim, që ndikuan për përmirësimin e mbledhjes së fondeve dhe strategjisë së përgjithshme të financimit. Që nga bashkëpunimi me EU TACSO-n ato janë përmirësuar ndjeshëm. Organizata thotë se kanë përmirësuar komunikimin e tyre edhe me publikun masiv, institucionet publike dhe donatorët.

“Çështja kryesore për ne ishte se si t’ia përkthenim temat specifike dhe terminologjinë profesionale të punës audiencave që nuk kanë njohuri kontekstuale për këtë temë. Përpara EU TACSO-s, përdornim gjuhën teknike dhe burokratike të projektit, por falë mentorimit të përshtatur të shoqatës sonë nëpërmjet projektit EU TACSO 3, morëm ndihmë për përkthimin e këtij komunikimi në gjuhë të thjeshtë, të drejtpërdrejtë dhe të përbashkët që është e kuptueshme nga të gjithë, përfshirë anëtarët tanë dhe komunitetin më të gjerë të të rinjve.  Bazuar te reagimet e përgjithshme, mund të them se mbështetja e EU TACSO 3, është një histori suksesi për ne,” thotë Nedeljka.

“Pa mbështetjen e projektit EU TACSO 3, nuk do të kishim qenë në gjendje të arrinim audienca të veçanta dhe të kishim një vizion të qartë për të ardhmen e shoqatës sonë.”

Lidhur me projektin

Asistenca Teknike e BE-së për Organizatat e Shoqërisë Civile në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi (BE TACSO) është një projekt rajonal, i financuar nga Bashkimi Evropian, që përmirëson kapacitetin dhe rolin e organizatave të shoqërisë civile (OSHC). Projekti ndihmon OSHC-të që të marrin pjesë aktive në proceset demokratike në rajon dhe stimulon një mjedis të favorshëm për shoqërinë civile dhe zhvillimin pluralist të medias.

Projekti po zhvillohet në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi dhe Turqi. Projekti EU TACSO është pjesë e mekanizmit të BE-së për Lehtësimin e Shoqërisë Civile që ofron mbështetje për OSHC-të në ato vende që nuk janë ende pjesë e BE-së. OShC-të luajnë rol të rëndësishëm për BE-në, si aktorë kryesorë për mbështetjen e procesit të anëtarësimit të vendeve të tyre.

Biljana Severinova, eksperte e komunikimit nga projekti EU TACSO 3, thotë se kanë vendosur ta mbështesin NAPOR-in për një sërë arsyesh. Një arsye është sepse NAPOR-i është organizatë që punon nga shumë afër me të rinjtë; shoqata punon për një koncept kombëtar të motivimit të të rinjve për të ndërmarrë iniciativa, duke u ofruar atyre aftësi dhe mjete që i fuqizojnë. Mbështetja e të rinjve është aktualisht në fokus të BE-së dhe do të vijojë të jetë për vitet në vijim. “Arsyeja tjetër është se NAPOR-i nuk është thjesht një organizatë, por edhe një shoqatë që jep inpute dhe ndihmë për shumë organizata të tjera. Ishte një model i mirë edukues për ne për zhvillimin e mëtejshëm të metodologjisë sonë të asistencës për të ardhmen,” thotë Biljana.

Nedeljka shpjegon se mbështetja e EU TACSO 3-shit ishte e rëndësishme për përmirësimin e performancës së përgjithshme të organizatës së tyre. Tani ata planifikojnë më mirë për të ardhmen dhe kanë një perspektivë më të mirë për zhvillimin. “Pa mbështetjen e projektit EU TACSO 3, nuk do të kishim qenë në gjendje të arrinim audienca të veçanta dhe të kishim një vizion të qartë për të ardhmen e shoqatës sonë.”

NAPOR-i planifikon të shtojë aktivitetet dhe mbështetjen për punën e të rinjve në Serbi. Organizata është aktualisht vetëm një shoqatë e organizatave për të rinjtë, por synon të zgjerohet dhe të transformohet më tej në një shoqatë profesionistësh të rinj, që synon individët që kanë ndikim dhe dije në fushën e punës së të rinjve.

Fjalimi për situatën e Unionit për vitin 2022 nga Presidentja Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të mbajë fjalimin e saj të tretë të ‘Situatës të Unionit’ para Parlamentit Evropian, më 14 shtator 2022. Si çdo vit, gjatë fjalimit do të rishikohen arritjet e deritanishme dhe do të shpaloset vizioni i saj për të ardhmen.  Fjalimi do të ndiqet nga një debat plenar.

 

Pas dy viteve të pandemisë dhe me luftën që vazhdon të zhvillohet në kontinentin evropian pas agresionit rus në Ukrainë, Presidentja e Komisionit Evropian do të bëjë njoftime të rëndësishme për t’i trajtuar këto sfida dhe do të shpalosë vizionin e saj për të ardhmen e Bashkimit Evropian. Duke marrë parasysh kontekstin e veçantë gjeopolitik, këtë vit, fjalimi i ‘Gjendjes së Bashkimit Evropian’ pritet të tërheqë vëmendje jashtë BE-së edhe më shumë se në të kaluarën.

 

SOTEU 2022 do të transmetohet Live edhe në Ebs, në platformat e mediave sociale të Komisionit: FacebookTwitterLinkedInYoutube dhe Telegram – si dhe në llogaritë personale të presidentes von der Leyen në TwitterInstagram dhe LinkedIn.