Skip to main content

Area of Cooperation: Culture and youth

Gladiatorët rikthehen në teatrin e Stobit

Financimi i BE-së i ka mundësuar një OJF-je nga Maqedonia e Veriut që të zhvillojë një mjet të realitetit virtual i cili të rikthen në dyluftimet e gladiatorëve të 1,500 viteve më parë. Stobi në Maqedoninë e Veriut ka qenë dikur një ndër qytetet më të rëndësishme në Evropë. Nga viti 200 p.e.s. dhe për shtatë shekujt në vijim, ai luajti një rol të rëndësishëm në perandorinë romake. I ndodhur në kryqëzimin e rrugëve tregtare, ai u kthye në një qytet me rëndësi, i cili kishte edhe monedhat e veta. Gjatë periudhës romake, Stobi ishte kryeqyteti i provincës romake e njohur si Macedonia Salutaris, dhe qytetarët e saj gëzonin të njëjtin status si qytetarët e Romës. Ashtu si në çdo qytet të rëndësishëm romak, dyluftimet e gladiatorëve ishin një pjesë e pandashme e kulturës urbane. Sot, Stobi është një sit i rëndësishëm arkeologjik me bazilika të krishtera, banjë publike, teatër, sinagogë, rrënojat e rrugëve dhe shtëpive të mëdha, madje edhe të një kazinoje. Edhe pse jeta e qytetit mund të mos gjallërohet më, gladiatorët e tij po rikthehen! Në Maqedoninë e Veriut, koncepti i përdorimit të siteve kulturore dhe historike si destinacione turistike është ende në fillesat e veta. Sitet arkeologjike shpesh nuk kanë panele të mira prezantuese dhe informuese; rrëfimi i historisë rrallëherë shkon përtej broshurave dhe posterave, dhe thuajse nuk ka aspak angazhim të publikut në sit. Por tregu tepër konkurrues turistik kërkon që sitet e trashëgimisë kulturore të zhvillojnë strategji dhe bashkëpunim me industritë krijuese për t’i ndihmuar sitet që të dallojnë nga të tjerat. Një opsion i tillë është përdorimi i zgjidhjeve novatore, i tillë si një aplikacion i një turi të realitetit virtual (VR) si një mjet për të eksploruar dhe ringjallur trashëgiminë kulturore. Teknologjia VR i ofron publikut një mundësi për t’u zhytur në një rindërtim realist të ngjarjeve dhe historive që përfaqësojnë më së miri një sit të caktuar të trashëgimisë kulturore.

“Mjedisi 3D paraqet brendësinë e arenës së gladiatorëve dhe projekton një ceremoni hapëse përpara zhvillimit të dyluftimit, si dhe një turmë të përgjithshme, duke u ngjallur vizitorëve ndjesinë se ata janë pjesë e audiencës.“

Virtualisht mes gladiatorëve Në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Stobit dhe me mbështetjen e financimit të BE-së, OJF-ja Center for Social Innovations Blink 42-21 zhvilloi një aplikacion të realitetit virtual që do t’u ofrojë vizitorëve të Stobit një shfaqje dyluftimi të gladiatorëve brenda teatrit të vjetër. Milan Tancheski, menaxher i projektit, shpjegon se aplikacioni VR përfshin vizualizimin 3D dhe rindërtimin e teatrit. Kjo u mundëson vizitorëve të fitojnë një kuptim më të thellë dhe më të plotë të hapësirës, me pamje të lirë të strukturave dhe monumenteve kryesore që nuk ekzistojnë më. “Mjedisi 3D paraqet brendësinë e arenës së gladiatorëve dhe projekton një ceremoni hapëse përpara zhvillimit të dyluftimit, si dhe një turmë të përgjithshme, duke u ngjallur vizitorëve ndjesinë se ata janë pjesë e audiencës”, shprehet Milan. Zhvillimi i këtij projekti ishte sfidues. Qyteti ka vetëm rrënoja, kështu që fillimisht përgatitëm skenarin dhe historinë si bazë për zhvillimin e modeleve 3D si për personazhet dhe arkitekturën përreth. Si pjesë e procesit, një arkitekt projektoi një plan të teatrit të vjetër dhe e ktheu atë në një model 3D. Si pjesë e fundit e aktivitetit, projekti duhej të zhvillonte modele 3D në madhësi reale për gladiatorët dhe për rreth 700 personazhe të audiencës. Për këtë qëllim, ata u konsultuan nga afër me ekspertë dhe përdorën të dhëna historike, në mënyrë që përvoja të ishte sa më realiste dhe e bazuar në fakte.

“Në kohët e tij të arta,  teatri kishte 7,000 vende, dhe arritëm të projektojmë dhe të sjellim në jetë 700 personazhe, shumica e tyre dinamikë: duke brohoritur ose në këmbë. Kështu ju shihni personin pranë, prapa ose përpara jush duke brohoritur, në këmbë ose ulur.”

Rreth projektit Projekti Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, ka vlerë 5 milionë euro. Ky projekt punon për zhvillimin dhe promovimin ndërkombëtar të ofertave të përbashkëta rajonale të turizmit kulturor dhe aventuresk, duke rritur numrin e turistëve që vizitojnë gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe duke zgjatur qëndrimin e turistëve në rajon. Blink 42-21 ishte ndër përfituesit e grantit në raundin e dytë të granteve, me vlerë deri në 54,000 euro secili, të dhëna në muajin tetor 2019. Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal është një kuadër bashkëpunimi gjithëpërfshirës, në pronësi dhe i udhëhequr nga rajoni me qëllim promovimin e bashkëpunimit, pajtimit dhe zhvillimit ekonomik dhe social të rajonit. Ai mbështetet financiarisht nga BE-ja. Nëse vizitoni Stobin tani, mund të kërkoni një set realiteti virtual, i përbërë nga një laptop dhe syze VR. Më pas, ju do të uleni në një vend të caktuar në teatër. Momentin që vendosni syzet dhe ndizni pajisjet, ju udhëtoni 1500 vjet prapa dhe gjeni veten të rrethuar nga një publik dhe mund të shijoni një ceremoni gladiatorësh që zhvillohet në skenën qendrore të teatrit. “Në kohët e tij të arta,  teatri kishte 7,000 vende, dhe arritëm të projektojmë dhe të sjellim në jetë 700 personazhe, shumica e tyre dinamikë: duke brohoritur ose në këmbë. Kështu ju shihni personin pranë, prapa ose përpara jush duke brohoritur, në këmbë ose ulur”, shprehet Milan.

Vlerësimi i krijueseve femra

Njihuni me Donikën, një artiste pamore nga Tirana, e cila po ruan kujtimin e një shtëpie të vjetër dhe pronarit të saj, që refuzoi t’i nënshtrohej valës së pandalshme të zhvillimit urban. Myslym Shyri është një nga rrugët më të ngarkuara në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë. Për dekada me radhë, ajo ishte një lagje e qetë rezidenciale, pa dyqane dhe bar-kafe. Por, kjo ndryshoi me rënien e komunizmit në vitet 1990, kur thuajse të gjitha shtëpitë dhe apartamentet i shndërruan katet përdhese në sipërmarrje tregtare. Të gjitha përveç njërës. Ky është një pallat si shumë të tjerë, por në këtë kat përdhes nuk ka asnjë dyqan apo bar kafe. Përpara tij kalonin njerëz të shumtë çdo ditë, një prej të cilëve ishte Donika Çina, një artiste pamore banuese në Tiranë. Ajo u frymëzua ta përfshinte apartamentin në shfaqjen e saj aristike.

“Për Bian ka pasur dhe ende ka shumë fjalë lidhur me jetën e saj, qëllimet dhe gjendjen e saj mendore. Vendimi i saj për të mos e shitur apo dhënë kurrë me qira shtëpinë për qëllime tregtare duket domethënës.”  

Kujtimi vazhdon  Donikës i bëri veçanërisht përshtypje një zonjë e moshuar, pronarja e shtëpisë, e cila e pastronte dhe lyente rregullisht pjesën e jashtme të banesës së saj në katin përdhes. Emri i kësaj zonje ishte Bia. “Për Bian ka pasur dhe ende ka shumë fjalë lidhur me jetën e saj, qëllimet dhe gjendjen e saj mendore. Vendimi i saj për të mos e shitur apo dhënë kurrë me qira shtëpinë për qëllime tregtare, sikurse kanë bërë shumë të tjerë në rrugën “Myslym Shyri”, duket domethënës”, thotë Donika. Në vitin 2017, kur Donika nisi të punojë me shfaqjen e saj, ajo mësoi se Bia kishte ndërruar jetë. Shtëpia ishte ende aty, por ajo nuk ishte e sigurt se për sa kohë do të vazhdonte të qëndronte e tillë. “Duhet të bëja diçka”, thotë ajo, “për të mbajtur gjallë kujtimin, përpara se shtëpia të kthehej në një tjetër kafene”. Si pjesë e shfaqjes së saj, Donika përsëriti zakonet e përditshme të pastrimit përpara shtëpisë, siç bënte Bia. Kjo shfaqje u filmua nga tri kamera sigurie dhe u transmetua në kohë reale në një monitor në hapësirën e ekspozitës Zeta në Tiranë. Shfaqja e saj synonte reflektimin mbi pyetjet lidhur me ritualin e përditshëm të Bias të pastrimit përpara shtëpisë: a po luftonte Bia neglizhencën e perceptuar të qytetit në shenjë proteste? A e konsideronte ajo hapësirën përpara shtëpisë së saj si pjesë të hapësirës së saj private? “Nuk mund t’ia drejtojmë këto pyetje asaj. Por mund të vijojmë të vëmë në pikëpyetje përfshirjen tonë në hapësirën publike; domethënien e veprimeve tona të vetëdijshme; ndikimin te ne të mureve tona, betonit dhe pemëve që mbulohen”, thotë Donika.

“Shfaqja do të ruajë kujtimin kulturor të qytetit dhe gjestin e Bias si një protestë individuale delikate, por domethënëse.”

Rreth projektit Këto programe rezidence u krijuan në kuadër të projektit afatgjatë Beyond Matter, që është një projekt kërkimor ndërkombëtar, bashkëpunues dhe i bazuar në praktikë, që sjell trashëgiminë kulturore dhe kulturën në pragun e realitetit virtual. Një prej qëllimeve të projektit është zhvillimi i zgjidhjeve të reja për dokumentimin e aksesueshëm digjital dhe paraqitjen e rrjetëzuar të ekspozitave që ekzistojnë aktualisht, apo që kanë ekzistuar më parë, në hapësirën fizike, duke përfshirë veprat e artit, artefaktet dhe materialet edukative. Projekti mbështetet nëpërmjet programit Creative Europe të Bashkimit Evropian. Rezistenca Pjesa e jashtme e shtëpisë së Bias është ende siç ka qenë, edhe tani, pesë vjet pas vdekjes së saj. Megjithatë, ka nevojë për pak punë shtesë për t’i rikthyer pamjen që kishte kur Bia ishte gjallë. Së fundmi, Donika ndërmori nismën të zgjeronte projektin e saj artistik duke punuar në pjesën e jashtme të banesës, dhe duke e filmuar pjesën e jashtme në 3D, përpara se banesa të shndërrohet në veprimtari biznesi, sikurse banesat në katet përdhese të kësaj lagjeje. Për punën vijuese të projektit të saj, Donika aplikoi për mbështetje nga një program rezidence artistësh i financuar nga BE-ja në Tiranë. “Shfaqja do të ruajë kujtimin kulturor të qytetit dhe gjestin e Bias si një protestë individuale delikate, por domethënëse”, thotë Donika. Thirrja për programin e rezidencës u hap nga Tirana Art Lab – Qendra për Artin Bashkëkohor, Tallinn Art Hall dhe Qendra ZKM I për Artin dhe Median, duke ftuar praktikuesit ose teoricienët evropianë të artit të aplikonin për një nga tri programet e rezidencës së produksionit që mbahen në Karlsruhe, Tallinn dhe Tiranë.  

Një revistë nga rinia serbe për rininë serbe

Themeluar nga profesionistë të rinj të medias të nervozuar nga mungesa e mundësive për punë të paguar në fushën e gazetarisë, Oblakoder po e ngurtëson me shpejtësi vendin e tij si zëri i të rinjve në Serbi.  Tri vite më parë, një grup gazetarësh të rinj në Serbi po hasnin vështirësi në depërtimin në tregun e punës pas përfundimit të studimeve. Pjesa më e madhe e portaleve mediatike në vend mund të ofronin vetëm stazhe të papaguara dhe punë vullnetare. Të nervozuar nga mungesa e mundësive, grupi vendosi të themelojë një revistë nga të rinjtë për të rinjtë, të cilën e quajtën Oblakoder, që do të thotë qiellgërvishtës në gjuhën serbe. Marina Zec, kryeredaktorja e Oblakoder e përzgjodhi emrin teksa ishte ulur në një kafene në Beograd me një tjetër themelues të revistës. “Pjesa tjetër e ekipit dhe unë e kishim menduar të gjithë projektin, gjëja e vetme që mungonte ishte emri,” kujton Zec. “Vendosëm të mos ngriheshim nga tavolina derisa të kishim gjetur një”. Zec shpjegojnë se fjala ‘oblakoder’ vjen nga fjala ‘oblak’ ose ‘re’ dhe krijon idenë e të pasurit ‘kokën në re’ dhe atë të një qyteti modern plot me qiellgërvishtës. Ideja frymëzoi edhe paraqitjen e faqes së internetit, që ka formën e një qiellgërvishtësi.

“Ne [të rinjtë] zakonisht portretizohemi ose si shenjtorë ose si djaj, nuk ka rrugë të mesme. Ne dëshironim të ofronim një perspektivë me më shumë ngjyra.“

Që nga ideimi, qëllimi kryesor i Oblakoder ka qenë të sfidojë mënyrën se si portretizohen të rinjtë në median serbe. “Ne zakonisht shihemi ose si shenjtorë ose si djaj, nuk ka rrugë të mesme. Ne dëshironim të ofronim një perspektivë me më shumë ngjyra,” shpjegon Zec, që ka punuar në fushën e gazetarisë dhe PR-it që në moshën 19 vjeçare. Përmbajtja e revistës sjell të rinj serbë të talentuar, artistë dhe aktivistë si mënyrë për të sfiduar këtë stereotip. Revista ka pasur sukses të menjëhershëm si mes lexuesve, por edhe mes kolegëve gazetarë Kështu u kthyem nga një ekip vullnetarësh në një mundësi të paguar për gazetarët e rinj “Kur filluam, nuk e dinim se çfarë po bënim,” pranon Zec. “Por, ishim të vendosur të tregoheshim profesionistë. Adoptuam vlerat e rrepta të gazetarisë si objektiviteti, profesionalizmi, kontrolli i vazhdueshëm i burimeve, por duke u përqendruar në prodhimin e përmbajtjeve interesante për një audiencë më të re.”

“Adoptuam vlerat e rrepta të gazetarisë si objektiviteti, profesionalizmi, kontrolli i vazhdueshëm i burimeve, por duke u përqendruar në prodhimin e përmbajtjeve interesante për një audiencë më të re.”

Dy fjalë për European Endowment for Democracy   European Endowment for Democracy (EED) është një organizatë e pavarur që ofron grante e ngritur në vitin 2013 nga Bashkimi Evropian (BE) dhe shtetet anëtare të BE-së për të nxitur demokracinë në Lagjen Evropiane, Ballkanin Perëndimor, Turqi dhe më tej. EED mbështet organizatat e shoqërisë civile, lëvizjet pro demokracisë, aktivistët civilë dhe politikë, platformat e pavarura mediatike dhe gazetarët që punojnë për një sistem politik pluralist dhe demokratik. Gjatë muajve të parë, nuk kishte shumë para dhe ekipi punonte në mënyrë vullnetare, pa u shkëputur nga puna gjatë ditës për të mbuluar shpenzimet, për t’i kushtuar kohë Oblakoder gjatë mbrëmjeve. “Mbështetja e EED-së [European Endowment for Democracy] gjatë marsit të kaluar ka qenë shpëtim për ne”, shprehet Zec, duke theksuar se si financimi i EED-së i ka mundësuar revistës së blejë pajisje të reja dhe të marrë me qira një hapësirë për zyra, duke i dhënë atyre stabilitetin financiar për të bërë plane për zhvillimin afatgjatë.  Oblakoder numëron tanimë një staf prej rreth 15 gazetarësh, një e treta e të cilëve punojnë me kohë të plotë. Revista që qëndron në kontakt me të rinjtë në Serbi Pjesa më e madhe e audiencës sëOblakoderështë e moshave 23 dhe 35 vjeç; këta janë brezi i mijëvjeçarit që po përpiqen të gjejnë vendin e tyre në botë dhe në Serbi ku shkalla e papunësisë midis të rinjve shkon deri në 30% dhe ku mundësitë e disponueshme për punë nuk përshtaten me nivelin e arsimimit për shumë të rinj. Tanimë Oblakoder  ka një bazë prej 40,000 dhe 50,000 lexuesish çdo muaj dhe 13,000 ndjekës në Instagram. “Nëpërmjet monitorimit kemi kuptuar edhe se njerëzit i lexojnë deri në fund artikujt tonë. Ndihemi krenarë që njerëzit nuk kalojnë kohën pa i kushtuar vëmendje faqes tonë, por janë vërtet të interesuar në çfarë kemi për të thënë,” shprehet Zec. Arsyeja pas këtij suksesi, sipas Zec është sepse ekipi shkruan për çështje të rëndësishme dhe jo për të marrë klikime. Ndonëse projekti nisi si një revistë për stilin e jetesës dhe artin, Oblakoder tanimë është zgjeruar për të përfshirë çështje si të drejtat e njeriut dhe përfshirjen e minoriteteve dhe personave me aftësi të kufizuara. “Jemi shumë krenarë që diçka që vetëm pak vite më parë ishte thjesht një ide tani është kthyer në një realitet,” thotë ajo.