Skip to main content

Area of Cooperation: Culture and youth

YEA-ja mbështet veprimin humanitar në Maqedoninë e Veriut

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup, ambasadori David Geer, Europe House, dhe FoodBank e Maqedonisë organizuan një nismë humanitare me rastin e Krishtlindjes Ortodokse në Maqedoninë e Veriut. Ata u dhuruan 30 pako ushqimore familjeve vulnerabël nga ana sociale në 4 dhe 5 janar.  Ambasadorët e Rinj Evropianë (YEA) nga Maqedonia e Veriut ndihmuan me paketimin dhe shpërndarjen e pakove ushqimore.

Dyqanet me një ndalesë shndërrojnë punësueshmërinë e të rinjve

Një qasje e re edukuese, e financuar nga BE-ja, po zbatohet në Ballkanin Perëndimor

Organizatat e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor kanë bashkuar forcat për të prezantuar një qasje të re në edukim, që synon të rrisë punësueshmërinë e të rinjve. Projekti ka një organizatë kryesore partnere në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, dhe Serbi. Në çdo vend, projekt adreson mungesat e asaj që ofrohet nga institucionet arsimore.

Nuk ka zgjidhje të shpejta për sfidat edukuese, sikundër e di shumë mirë Qendra për Punën e të Rinjve (Centar za omladinski rad – CZOR) nga Novi Sadi. Organizata punon prej vitesh me të rinjtë. Më parë ofronte kurse dhe punonte mbi advokacinë rinore, por punësueshmëria e të rinjve i tërhoqi vërtet vëmendjen.

“Na erdhi ideja e pilotimit të shërbimeve të integruara bazuar në një dyqan me një ndalesë, që ofronte shërbime për të rinjtë.”

CZOR vërejti se shërbimet që aksesoheshin nga të rinjtë ishin të shpërndara në organizata të ndryshme, çka nënkuptonte që përdoruesit duhet të kalonin nga një program te tjetri për të përvetësuar të gjitha aftësitë e nevojshme të punësueshmërisë. “Na erdhi ideja e pilotimit të shërbimeve të integruara bazuar në një dyqan me një ndalesë, që ofronte shërbime për të rinjtë.” – shprehet Vanja Kalaba nga CZOR. Qasja ishte e suksesshme dhe mbi gjysma e të rinjve të përfshirë u punësuan ose siguruan stazhin. Më pas, Kalaba u bind se ky model mund të zgjerohej në një projekt rajonal.

Shndërrimi i modelit në një projekt rajonal

CZOR arriti ta ngrinte këtë ndërhyrje mbi edukimin e të rinjve në një nivel rajonal me financimin e BE-së. Kjo qasje solli bashkë organizata nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, dhe Mali i Zi, për të rritur mundësinë e punësimit të të rinjve. “Ne duam të forcojmë organizatat, duke krijuar një rrjet që do t’i bëjë aktorët më të njohur dhe aktualë, si dhe duke e mbështetur ndërveprimin e tyre me qeverinë për të punësuar dhe për të depërtuar te të rinjtë,” – shprehet Kalaba nga CZOR. Depërtimi iu kushton vëmendje të veçantë të rinjve që nuk përfshihen në arsimim, punësim ose formim. Janë regjistruar qindra kandidatë, me shpresën që në fund të programit njëvjeçar, të kenë përftuar aftësitë e nevojshme, duke përfshirë aftësitë digjitale dhe sipërmarrëse.Partnerët që e ofrojnë këtë shërbim kanë përvojë të gjatë, duke përfshirë ekspertizën në këshillim karriere, sipërmarrje, aftësi digjitale, dhe media sociale. Tani organizatat po bashkojnë forcat dhe po iu ofrojnë kandidatëve çdo gjë, në një vend, duke nisur nga shkëmbimi i përvojave, e duke përfunduar me kontaktet e punëdhënësve të mundshëm.

“Regjistrimi në këtë format edukimi më bëri ta kuptoj sektorin e TI-së më mirë, si dhe t’i vë njohuritë e mia në zbatim në të ardhmen,”

Lidhur me projektin

Projekti i financuar nga BE-ja, “My Career from Zero to Hero” (02hero), synon të rrisë kapacitetet e shoqërisë civile, në mënyrë që të jetë më e efektshme, llogaridhënëse, dhe e pavarur, si dhe të ndërveprojë në mënyrë konstruktive me qeveritë rreth prioriteteve tematike të zgjidhjeve risiprurëse për punësueshmërinë e të rinjve në Strategjinë e Ballkanit Perëndimor. “02hero” është një model i integruar për të rinjtë NEET (që nuk përfshihen në arsimim, punësim ose formim), mbështetur në metodologjinë e dyqanit me një ndalesë, që parashikon ofrimin e të gjitha shërbimeve për punësueshmërinë e të rinjve në një vend, me qëllim zhvillimin e aftësive për vendet e ardhshme të punës në revolucionin digjital 4.0.

Sajra Hadžiarapović ka marrë pjesë në trajnimin e ofruar nga organizata partnere në Bosnjë-Hercegovinë, “Qendra për Edukimin e të Rinjve”, në qytezën e Travnikut. Ajo shprehet se kurset e personalizuara, që ofrohen nga lektorë të specializuar në programin dhe dizajn faqesh interneti, i kanë plotësuar njohuritë e saj. Një element që e ka vlerësuar edhe më shumë ishte pjesëmarrja e sipërmarrësve të suksesshëm, në rolin e lektorëve. “Regjistrimi në këtë format edukimi më bëri ta kuptoj sektorin e TI-së më mirë, si dhe t’i vë njohuritë e mia në zbatim në të ardhmen,” – shprehet Sajra, e cila shpreson që tani të ketë mundësi më të mira punësimi.

Konsorciumi i organizatave aktualisht përqendrohet te qëndrueshmëria e modelit, në mënyrë që të shndërrohet në një forcë shtytëse për punësueshmërinë e të rinjve.

Takimi i Ambasadores Popa me Ambasadorët e Rinj Evropianë

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Mal të Zi Oana Cristina Popa, u takua me Ambasadorët e Rinj Evropianë, në kuadër të nismës “Dialogu Rinor”, të nisur në fillim të këtij viti. Qëllimi i takimit ishte të diskutohej se çfarë është bërë deri më tani në kuadër të kësaj iniciative, por edhe cilat tema duhet të trajtohen më mirë në të ardhmen. Ambasadorët e Rinj Evropianë deklaruan problemet që i prekin, si sulmet ndaj komunitetit LGBT në Mal të Zi, mbulimi i njëanshëm mediatik dhe ndasitë kombëtare, një përqindje e madhe e të rinjve që duan të largohen nga vendi dhe roli i tyre i paqartë në shoqëri e shumë të tjera.

 

Ambasadorja Popa i njohu ata me projektet dhe aktivitetet që Bashkimi Evropian po kryen në Mal të Zi për tejkalimin e këtyre sfidave, por ftoi edhe të rinjtë që të jenë aktivë dhe të propozojnë nisma konkrete për përmirësimin e komunitetit të tyre.

 

Ambasadorët e Rinj Evropianë (YEA), është një nismë kushtuar të rinjve nga Ballkani Perëndimor, të cilën Bashkimi Evropian e nisi tre vjet më parë për t’u dhënë atyre mundësinë të njohin dhe të përjetojnë vlerat e BE-së, si dhe të promovojnë mundësitë që ofron ky komunitet.

 

Së fundmi në Mal të Zi u shpall gjenerata e tretë e YEA-s, duke përfshirë: Selda Jahjagić, Marija Blažević, Anđela Micić, Merita Dukaj, Edina Osmanović, Filip Jovetić, Lukas Junković, Milutin Radulović, Luka Vukotić, Andrej Bubanja, and Matia Prenkočević.

Efekti Maribor: përforcimi i aftësive profesionale jashtë vendit

Projekti Intervet, i financuar nga BE-ja, ndihmon me rritjen dhe krijimin e mundësive për lëvizshmërinë e të mësuarit në Ballkanin Perëndimor

Engjull Miftari është një gjimnazist 17-vjeçar nga Kosova. Ai është në vitin e fundit të shkollës profesionale “7 Shtatori” në Prishtinë. Engjulli thotë se e ka mahnitur biznesi i kateringut që në vegjëli. Ai shpjegon se arsyeja për këtë mund të jetë babai i tij: “Im atë ishte shef në një restorant për më shumë se 17 vite dhe ndonjëherë e shoqëroja për në punë; rashë në dashuri me këtë profesion,” thotë Engjulli. Duke qenë se nuk ishte e mundur të studionte kulinari në shkollë të mesme, zgjodhi të studiojë turizëm të përgjithshëm, duke përfshirë këtu menaxhimin e agjencive të turizmit dhe recepsionit dhe thotë se nuk është penduar për vendimin e tij – madje, edhe po të kishte zgjedhje më të shumta, as tani nuk do të zgjidhte shkollë tjetër profesionale.

“Përvoja e internship-it në Prishtinë ishte shumë e dobishme. Sidoqoftë, kisha ndjesinë se më nevojitej më shumë përvojë dhe larmi pune praktike.”

Engjulli ishte nxënës shumë i mirë, me nota të larta dhe lavdërime nga mësuesit e tij. Si rezultat, u caktua në një internship katër-mujor në Grand Hotel, një hotel historik në qendrën e Prishtinës. “Përvoja e internship-it në Prishtinë ishte shumë e dobishme. Sidoqoftë, kisha ndjesinë se më nevojitej më shumë përvojë dhe larmi pune praktike,” thotë Engjulli. Kjo mundësi erdhi shumë shpejt kur projekti Intervet, i financuar nga BE-ja, u bëri thirrje nxënësve të shkollave të mesme profesionale (VET) nga Kosova për internship-e ndërkombëtare.

Si nxënës i një shkolle VET, Engjulli u informua për këtë mundësi nga mësuesi tij i anglishtes dhe vendosi menjëherë të aplikonte. Ai i përmbushte kriteret sepse ishte nxënës i mirë dhe kishte njohuri të gjuhës angleze dhe u përzgjodh ndër nxënësit e rinj nga Kosova që do t’i bashkoheshin një programi internship-i një-mujor në një hotel malor në Maribor, Slloveni. “Isha shumë i emocionuar,” kujton Engjulli.

“Përvoja ime gjatë internship-it në Maribor ishte e shkëlqyer. Jo vetëm që përmirësova aftësitë e mia profesionale, por u njoha dhe me kulturën dhe zhvillova aftësitë e të folurit.”

Lidhur me projektin

Synimi i projektit Intervet Western Balkans, të financuar nga BE-ja, është të krijojë mundësi për lëvizshmërinë e të mësuarit në qendrat e trajnimit të Ballkanit Perëndimor, ndërkombëtarizimin e VET System-it dhe një kulturë të përmirësuar të lëvizshmërisë së të nxënit në fushën VET. Për t’i arritur këto, projekti po vë në zbatim aktivitete në dy nivele: nga njëra anë, lëvizshmëria e nxënësve VET dhe nga ana tjetër, rritja e kompetencave të stafit VET. Shoqëria e tyre përfshin biznese dhe shoqata arsimore, sipërmarrje të vogla dhe të mesme, qendra VET, dhoma tregtie dhe universitete nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor dhe tetë vende të BE-së, ndërkohë që Prishtina REA është partneri i projektit për shtetin e Kosovës. Pas përfundimit të tij, projekti synon të ketë vënë në zbatim 56 mobilitet PRO-type, të ketë hapur 360 vende të reja pune, 54 përvoja praktike profesionale, pjesëmarrjen e 36 mësuesve VET në shkolla verore – në Amsterdam, Bolonjë, Lion, Maribor dhe Seviljë dhe pjesëmarrjen e 72 mësuesve VET dhe menaxherëve në aktivitetet e mbajtura nga Malta College of Arts, Science & Technology (MCAST), ROC Da Vinci College (Hollandë) dhe SEPR (Francë)

Gjatë internship-it në Maribor, Engjulli i praktikoi aftësitë e tij në pozicione të ndryshme, që nga mbështetja administrative për sektorin e shërbimit të mirëmbajtjes së hotelit e deri te shërbimi i restorantit, recepsioni dhe spa-ja. Përveçse fitoi përvojë profesionale, në kohën e lirë, gjithashtu pati mundësinë të vizitonte qytetin me nxënësit e tjerë dhe të mësonte më shumë për kulturën e tij. Ata vizituan muzeun e qytetit dhe atraksionet kryesore, madje patën mundësinë të vizitonin dhe Lubjanën dhe qytetin e Gracit në Austri, që nuk ndodhet shumë larg nga Maribori.

Në përgjithësi, ishte një përvojë e mrekullueshme e të mësuarit për Engjullin dhe nxënësit e tjerë. “Përvoja ime gjatë internship-it në Marbor ishte e shkëlqyer. Jo vetëm që përmirësova aftësitë e mia profesionale, por gjithashtu mësova për kulturën dhe zhvillova aftësitë e të folurit,” thotë Engjulli.

Komisioni publikon raportin e ri mbi kulturën për zhvillim të qëndrueshëm në veprimet e BE-së

Komisioni Evropian publikoi më 9 dhjetor 2022 një raport mbi dimensionin kulturor të zhvillimit të qëndrueshëm në veprimet e BE-së.  
Raporti thekson rolin e domosdoshëm që luan kultura në zbatimin e politikave, programeve dhe iniciativave të BE-së në lidhje me Axhendën 2030 të OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm. (UN’s 2030 Agenda on sustainable development.) Komisioni identifikon fushat kryesore ku do të ishte strategjik përforcimi i bashkëpunimit me sektorët kulturorë dhe krijues për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm. Ai shpjegon nga këndvështrime dhe politika të ndryshme se sa të pozicionuar në mënyrë unike janë sektorët kulturorë dhe krijues për të interpretuar dhe vënë në zbatim dimensionet ekonomike, sociale dhe mjedisore të Axhendës 2030. Rishikimi Vullnetar i BE-së për zbatimin e synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, që do t’i paraqitet Forumit të nivelit të lartë të OKB-së në mesin e vitit 2023, mund të përfitojë nga sugjerimet e përfshira në raport.  
Raporti gjithashtu, plotëson dhe u përgjigjet disa rekomandimeve të grupit të punës të vendeve anëtare për Metodën e Hapur të Koordinimit (MHK) mbi dimensionin kulturor të zhvillimit të qëndrueshëm, i cili publikoi raportin ‘Stormy times. Nature and humans: cultural courage for change’ më 20 shtator 2022. Raporti gjithashtu ndjek rezultatet e konferencës MONDIACULT 2022 të UNESCO-s, e cila bëri thirrje për përfshirjen e kulturës si një objektiv specifik më vete midis Objektivave të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.

Dy qytete në listën e ngushtë për t’u bërë Kryeqyteti Kulturor Evropian 2028 në një vend kandidat

Budva (Mali i Zi) dhe Shkupi (Maqedonia e Veriut), janë përzgjedhur në listën e ngushtë të konkursit për titullin Kryeqytet i Kulturës Evropiane 2028 në një vend kandidat ose kandidat potencial të EFTA/KEE. Një panel prej 10 ekspertësh të pavarur rekomandoi listën e ngushtë në fund të një takimi digjital njëditor.  Komisioni ftoi qytetet e interesuara të aplikojnë në muajin dhjetor 2021. Budva (Mali i Zi) dhe Shkupi (Maqedonia e Veriut) dorëzuan aplikime deri në afatin përfundimtar të 11 nëntorit 2022.  
Përfshirja në listën e ngushtë për titullin, mund të rezultojë në përfitime të rëndësishme kulturore, ekonomike dhe sociale për qytetet në fjalë, me kusht që oferta e tyre të jetë pjesë e një strategjie afatgjatë të zhvillimit kulturor. Qytetet kanë afat deri në verën e vitit 2023 për të plotësuar aplikimet e tyre. Paneli do të mblidhet në muajin shtator 2023 për të rekomanduar një qytet, i cili do të bëhet në vitin 2028, Kryeqyteti i tretë Evropian i Kulturës në një vend kandidat apo kandidat potencial të EFTA/KEE, pas Novi Sadit (Serbi) në vitin 2022 dhe Bodos (Norvegji) në vitin 2024.
 
Në të njëjtin vit, do të ketë edhe dy Kryeqytete të tjera Kulturore Evropiane, një në Republikën Çeke (Bromouv dhe Budweis, u përzgjodhën në listën e ngushtë (short-listed) në muajin tetor 2022) dhe një në Francë (takimi para-përzgjedhës do të mbahet në fillim të muajit mars 2023).

BE: Statusi i Kandidatit – Mesazh i Shefit të Delegacionit të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Përfaqësuesit Special të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, Ambasadorit Johann Sattler

Të nderuar shtetas të Bosnjës dhe Hercegovinës!

 

Jam i lumtur të ndaj me ju gëzimin që Bosnja dhe Hercegovina, ka fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE!

 

“Të bashkuar në diversitet” është parimi udhëheqës dhe vlera thelbësore e BE-së. Bosnja dhe Hercegovina dhe BE-ja, qëndrojnë mbi të njëjtat themele; parimi “të bashkuar në diversitet” është vlera, forca dhe thesari ynë i përbashkët.

 

Ky vend është plot energji dhe talent. Kudo që të shkoni, do të gjeni trashëgimi kulturore dhe bukuri natyrore, arritje në art dhe sporte, risi dhe traditë, dhe mbi të gjitha një shpirt të palëkundur.

 

Statusi i kandidatit është një shenjë se ne besojmë në këtë vend dhe se ndajmë shpresat tuaja për një të ardhme më të mirë. Mbrojtje më e fortë e të drejtave të njeriut, më shumë besim, luftë efektive kundër korrupsionit, institucione publike funksionale, ekonomi më e fortë, kujdes shëndetësor dhe arsim më i mirë.

 

Është një inkurajim për të gjithë qytetarët që e dinë se rruga drejt BE-së është rruga për një Bosnjë dhe Hercegovinë më të mirë. Por është gjithashtu një mesazh për liderët politikë që të kthejnë një faqe të re dhe të zbatojnë reformat e nevojshme për t’u sjellë të mira qytetarëve dhe për ta sjellë Bosnjën dhe Hercegovinën më afër BE-së.

 

Ne e dimë se ka shumë sfida përpara, por momenti i ri politik është këtu. Le ta përdorim!

 

Ne besojmë në këtë vend. Një vend që ka qenë gjithmonë në zemër të Evropës!

Përzgjidhen grantmarrësit e parë për lëvizshmërinë e Culture Moves Europe

176 artistë dhe profesionistë kulturorë do të kenë mundësinë të fillojnë projektet e tyre të lëvizshmërisë kulturore duke udhëtuar drejt një shteti tjetër të Creative Europe. Grantmarrësja e parë, që udhëtoi më 23 nëntor të vitit 2022 nga Ukraina, e ka filluar tashmë në Lituani projektin e saj në lidhje me trashëgiminë kulturore. Shumë të tjerë do t’i fillojnë projektet e tyre në vitin 2022.

 

26 shtete të Creative Europe, veçanërisht Gjermania, Italia, Franca, Finlanda, Spanja, Belgjika dhe Ukraina dërguan aplikime të suksesshme, duke përfshirë këtu edhe një projekt virtual. Grantmarrësit përzgjodhën 29 shtete si destinacion dhe shtetet më të njohura si destinacione të lëvizshmërisë kulturore ishin Gjermania, Spanja, Islanda, Italia, Finlanda dhe Portugalia. Disa projekte do të zbatohen edhe në Ukrainë, Tunizi dhe Serbi.

 

Ndër 7 sektorët e pranueshëm, shumica e projekteve të përzgjedhura lidheshin me artet performuese dhe vizuale, si dhe me muzikën. Në periudhën e parë të vlerësimit nuk pati projekte të suksesshme në fushën e arkitekturës dhe u përzgjodhën vetëm disa prej tyre për përkthimin letrar. Pjesëmarrësit e 44 nga 111 projektet e përzgjedhura vendosën të udhëtojnë me mënyra udhëtimi që shfrytëzojnë energjinë e ripërtëritshme dhe kërkuan shtesë për udhëtimin e gjelbër. Ky i fundit vendoset në dispozicion të atyre që nuk udhëtojnë me avion. 25% e projekteve të përzgjedhura u dorëzuan nga grupe me deri në 5 persona.

Rivalët e përjetshëm bashkojnë forcat kundër dhunës

Të bashkuar kundër dhunës ndaj grave – ky është slogani i fushatës globale të këtij viti për 16 ditët e aktivizmit – Orange the World. Ngjyra portokalli bashkoi basketbollistët e Crvena zvezda dhe Partizanit, që u takuan për herë të parë këtë muaj për një derbi në garën më të mirë evropiane të basketbollit – Euroleague. Kapitenët e dy skuadrave të Beogradit filmuan një video-mesazh të përbashkët: “Dhuna ndaj grave duhet të marrë fund. Është detyra jonë të mbrojmë të gjitha gratë: nënat, motrat, bashkëshortet, shoqet… Raportojeni dhunën menjëherë – nuk ka justifikime! Le t’i ndihmojmë ata që vuajnë nga dhuna. Bullisti është frikacak – le të bëhemi trima. Le t’i mbrojmë viktimat.” Lojtarëve iu bashkua trajneri i  skuadrës kombëtare serbe, Svetislav Pešić-i, si dhe trajneri i Partizanit, Željko Obradović.

 

Një në tre gra në Bashkimin Evropian dhe kudo në botë ka përjetuar dhunë fizike, seksuale, socio-ekonomike dhe/ose verbale të paktën njëherë në jetë. Diskriminimi gjinor, ngacmimi seksual dhe dhuna gjinore janë problematika të të drejtave themelore të njeriut. Këtë vit, EU Delegation in Serbia i bashkohet fushatës globale të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës gjinore (global campaign of 16 days of activism against gender-based violence) duke promovuar fuqizimin e grave dhe nëpërmjet bashkëpunimit me komunitetin më të gjerë kundër dhunës fizike, verbale dhe socio-ekonomike.

 

Gjatë kësaj fushate globale, EU Delegation in Serbia lidhi partneritet me personalitete serbe në sferat e modës, artit, sportit, letërsisë dhe kinematografisë.

Shpallen fituesit e çmimeve të lojërave online për të drejtat e njeriut në Malin e Zi

Pas një gare nëntë-ditore dhe nisjes së 6,624 lojërave, janë shpallur fituesit e lojës online, të titulluar “Human rights in the palm of your hand”. Emro Feratović nga Plava, Maša Stojanović nga Cetinje dhe Matej Stijović nga Berane fituan secili nga një pako me materiale promocionale luksoze të BE-së.

 

Loja online, e organizuar me rastin e International Human Rights Day, në bashkëpunim me kompaninë Alicorn, zgjati nga data 1 deri më 9 dhjetor. Loja përbëhej nga fusha të ndryshme, dedikuar të drejtave të njeriut, ku konkurrentët lëviznin duke hedhur zara. Bazuar te komentet e lojtarëve, duket se e shijuan me të vërtetë lojën. Të gjithë ata që grumbulluan 50 pikë ose më shumë nga 81 pikët e mundshme, u kualifikuan për një çmim – një pako me materiale promocionale luksoze të BE-së, me autografet e stilistëve vendas të modës dhe bizhuterive. Tre fituesit u zgjodhën në mënyrë të rastësishme nga databaza e konkurrentëve të kualifikuar.

 

International Human Rights Day festohet më 10 dhjetor, në nder të ditës kur u miratua Universal Declaration of Human Rights, duke njohur kështu për të parën herë në histori të drejtat e jetës, lirisë dhe sigurisë së të gjithë njerëzve.