Skip to main content

Autor: WeBalkans

Më merr për dore

Me anë të mbështetjes së BE-së, një sipërmarrës fillestar ka krijuar një “dorezë-smart” për të rritur pavarësinë e njerëzve me dëmtime shikimi.

Nikola Krstić është një sipërmarrës i ri nga Serbia, shpikja e të cilit ka bërë bujë të madhe kohët e fundit në tregun ndërkombëtar. Në më pak se dy vjet, Nikola që ishte nxënës në shkollë të mesme arriti të bëhej CEO i një kompanie. Shpikja e tij është një “dorezë-smart”, nëpërmjet së cilës, njerëzit e verbër dhe pjesërisht të verbër mund të orientohen, të njohin ngjyrat, kartëmonedhat dhe objekte të tjera, si dhe të japin sinjale me anë të të cilave, miqtë apo gardianët mund të ndjekin lëvizjet e tyre.

Historia e kësaj shpikjeje nis në kohën kur Nikola ishte akoma në shkollë të mesme dhe mori pjesë në një konkurs ku të rinjtë mund të formulonin dhe të propozonin ide inovative biznesi. Shpikja e tij u frymëzua nga fakti që ai kishte dëmtim shikimi në një sy. “Ideja në vetvete ishte shumë spontane, pasi e kisha pasur këtë problem që nga lindja,”- thotë Nikola.

“Formulimi i idesë ishte vetëm fillimi. Kishim ende një rrugëtim të gjatë përpara”

Një mbështetje e domosdoshme

Sidoqoftë, në botën e startup-eve, nuk mjafton kurrë vetëm të kesh një ide rreth asaj që dëshiron të bësh dhe njohuri bazë se si ta bësh realitet. “Formulimi i idesë ishte vetëm fillimi. Kishim ende një rrugëtim të gjatë përpara,”- thotë Nikola. Ai dhe ekipi i tij kishin nevojë për mbështetje për sa i përket ekspertizës dhe financimit për ta zhvilluar më tej idenë.

Potenciali i idesë së Nikolës u vu re nga Fondi për Inovacion në Serbi që, nëpërmjet Programit për Zhvillim të Hershëm me financim nga Bashkimi Evropian, mbështeti zhvillimin e produktit novator, të cilin Nikola e titulloi Anora.

Nikola shpjegon se fondet janë përdorur kryesisht për të krijuar pjesët fizike të dorezës, pajisjet kompakte elektronike të së cilës ofrojnë të gjitha funksionet e nevojshme për përdorim të përditshëm nga një i verbër. Gjithashtu patën mundësi të investonin më shumë për modelimin e dorezës dhe si rezultat, tanimë kanë një model të thjeshtë, ndërtuar me një material cilësor, i cili, pavarësisht përdorimit të përditshëm, mund të rezistojë për shumë vjet. “Mjetet më të rëndësishme, si pjesët fizike dhe modeli i dorezës, u mundësuan nëpërmjet mbështetjes së BE-së,”- thotë ai.

Doreza përmban dhjetë funksione themelore. Ndër to  është identifikimi i objekteve në hapësirë dhe kthimi i sinjaleve me dridhje, bazuar në largësinë e objekteve, njësoj si një radar. Për më tepër, doreza identifikon ngjyrat, kartëmonedhat dhe të tregon datën e orën. Ajo gjithashtu ndihmon për orientimin dhe nëse personat që e kanë veshur humbasin rrugën, doreza u dërgon vendndodhjen e tyre miqve ose kujdestarëve.

“Mbështetja nga BE-ja ishte thelbësore, duke qenë se më parë isha thjesht një maturant, por tani jam drejtues i një kompanie që po krijon një produkt të domosdoshëm që do të njihet botërisht.”

Lidhur me projektin

Serbia është një ndër vendet e para në rajon që ka përqafuar të ashtuquajturën nevojë të domosdoshme për inovacion– idenë që pjesëmarrja e suksesshme në ekonominë botërore, bazuar te njohuria, ka nevojë për aftësinë për të përshtatur dhe përmirësuar kapacitetet teknologjike dhe studimore nëpërmjet bashkëpunimit të sektorit publik dhe atij privat. Fondi i saj për Inovacion, i cili ka qenë aktiv që nga viti 2011, është pioner për zbatimin institucional të kësaj nevoje, kryesisht duke rritur kapacitetin e startup-eve dhe të burimeve të disponueshme për rritjen e tyre.  Që kur Fondi nisi operimin në vitin 2011, Bashkimi Evropian i ka dhënë një shtysë të madhe financimit të inovacionit në Serbi dhe fuqizimit të lidhjeve ndërmjet sektorit privat dhe atij të kërkimit. Deri më tani, Instrumenti i Para-anëtarësimit (IPA) ka caktuar fonde me vlerë 17 milion euro për këto programe.

Kompania Anoris Technology, nën drejtimin e Nikolës ka lidhur marrëveshje për prodhimin dhe shpërndarjen e dorezës-smart Anora në ShBA dhe, së shpejti, po planifikojnë të hapin atje një filial të kompanisë. Gjithashtu, po zhvillohen komunikime dhe koordinime me partnerët në shtetet e BE-së.

Nikola shpjegon se strategjia e tyre është ofrimi falas i produktit për përdoruesit përfundimtarë, me shpenzime të mbuluara nga bizneset me përgjegjësi publike, organizatat e ndihmës, apo institucionet qeveritare. Me mbështetjen e qeverisë, në Serbi janë gati të shpërndajnë falas rreth 5,000 doreza. Sipas Nikolës, asgjë prej këtyre nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e Evropës. “Mbështetja nga BE-ja ishte thelbësore, duke qenë se më parë isha thjesht një maturant, por tani jam drejtues i një kompanie që po krijon një produkt të domosdoshëm që do të njihet botërisht,”- thotë ai.

Kompania e veshjeve të natës që zgjohet nga një përparim digjital

Një sipërmarrëse rome nga Serbia zgjeron biznesin e saj online me mbështetjen e BE-së.

Sladjana Vasić është një sipërmarrëse rome nga Kraljevo, një qytet në Serbinë Qendrore. Kompania e saj prodhon të brendshme prej pambuku dhe veshje nate të titulluara Arilje, emri i të cilave vjen nga një qytet i vogël në perëndim të vendit, ku prodhohen fije cilësore pambuku . Kompania e saj është një biznes familjar, të cilin ajo e drejton bashkë me dy djemtë dhe bashkëshortin.

Ata kanë tregtuar produkte pambuku për mbi 15 vite dhe, në vitin 2014, filluan të prodhonin të brendshme dhe veshje nate, të cilat i shisnin në dyqanin e familjes në qendër të qytetit. Megjithatë, dy vjet më parë, iu desh ta ndryshonin këtë strategji shitjesh.

“Nuk po nxirrnim të ardhura dhe nuk po arrinim t’i shisnim produktet tona, as me shumicë, as në dyqanin tonë.”

Ta shndërrojmë krizën në një mundësi

Me fillimin e pandemisë së COVID-19-ës, Sladjanës iu desh të mbyllte dyqanin, pa e ditur se kur mund ta rihapte. “Nuk po nxirrnim të ardhura dhe nuk po arrinim t’i shisnim produktet tona, as me shumicë, as në dyqanin tonë,”- thotë ajo.

Në atë periudhë, ajo u kontaktua nga Nisma për Zhvillimin e Sipërmarrjes Rome (REDI). Kjo nismë e financuar nga BE-ja, që vinte në zbatim programin e quajtur Përparimi Digjital Rom, punonte me komunitetet rome të Ballkanit Perëndimor, për të përforcuar aftësitë e tyre digjitale. Ata i ofruan ndihmë Sladjanës për ta kthyer strategjinë e saj të shitjes së produkteve në shitje online, gjë të cilën ajo pranoi ta provonte por me ngurrim. “Në fillim nuk isha e bindur se mund t’i shisja produktet online sepse këto nuk janë produkte luksi, por njerëzit e REDI-t më vërtetuan të kundërtën. Tani i bëjmë shitjet online dhe në të vërtetë, po shkojnë mjaft mirë,” thotë Sladjana.

REDI nisi programin Përparimi Digjital Rom për të ndihmuar kalimin online të bizneseve tradicionale, si dhe formalizimin e tyre. Programi i pajisi sipërmarrësit romë, si Sladjana, me mjete digjitale dhe aftësitë e duhura për t’i çuar bizneset e tyre një hap më para dhe për të nisur zhvillimin online të aktiviteteve sipërmarrëse. Sipërmarrësit që kaluan nëpërmjet këtij programi morën paketa digjitale, trajnime individuale dhe ndihmë mentoruese nga ekspertët e REDI-t.

“Romët nuk duhet të lihen mbrapa, kështu që shpresoj të shoh edhe më shumë programe të tilla.”

Lidhur me projektin

Projekti i 2020-s për Integrimin Rom, zbatuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur, synon të zvogëlojë hendekun socio-ekonomik ndërmjet popullsisë rome dhe jo-rome në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi.

Orhan Usein është Shef i Zyrës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për Projektin e Integrimit të Romëve. Ai shpjegon se është fuqizimi i komunitetit rom është shumë i rëndësishëm, në mënyrë që të përdorin aftësi digjitale dhe të ndjekin trendet më moderne të biznesit. Programet edukuese të tilla, si Përparimi Digjital Rom, i cili u mbështet nga nisma për Integrimin Rom financiarisht dhe me burime njerëzore, mund ta përshpejtojnë këtë proces dhe të rrisin përfshirjen e qytetarëve romë në promovimin, formimin dhe vënien në zbatim të Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor. “Romët nuk duhet të lihen mbrapa, kështu që shpresoj të shoh edhe më shumë programe të tilla.”

Pavarësisht faktit që pandemia e COVID-19-ës sa vjen e ngadalësohet dhe izolimet nuk praktikohen më, shitjet online të Sladjanës sa vijnë e rriten. Ajo ëndërron që ta zgjerojë kompaninë e saj edhe më shumë dhe ta kthejë në një markë të mirënjohur. Mesazhi i saj për të tjerët është frymëzues: “Dua t’u them të gjitha biznesmeneve rome se gratë mund të punojnë po aq sa burrat e madje edhe dhe më shumë. Kështu që vazhdoni, punoni. Punoni me gjithë zemër, jepni gjithë ç’mundni dhe është e sigurt që do të keni sukses.”

Fillon prodhimi i energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut nëpërmjet impianteve diellore të financuara nga BE.

Stacioni i parë i madh diellor në Maqedoninë e Veriut është lidhur me rrjetin energjetik dhe tashmë po prodhon energji të pastër. Fabrika është financuar me mbështetjen e donatorëve dypalësh Western Balkans Investment Framework (WBIF) dhe European Bank for Reconstruction and Development (EBRD).

 

Stacioni fotovoltaik 10MW u ndërtua nga kompania publike JSC Elektrani na Severna Makedonija (ESM) në vendin e ish-minierës së qymyrit të linjitit Oslomej. Fabrika është pjesë e një kauze më të madhe, për pastrimin e vendit dhe larmishmëri të burimeve të energjisë dhe për të mbështetur dekarbonizimin. Ajo pritet të prodhojë pothuajse 15 GWh energji elektrike dhe të kursejë 12.177-ton CO2 në vit.

 

Në përputhje me qasjen e Team Europe, EBRD-ja ka dhënë një hua prej €5.9 milionë, duke plotësuar një grant prej €1.6 milionë nga donatorët bilateralë të WBIF-së dhe një kontribut kombëtar prej €1.3 milionë. Përveç kësaj, edhe Italia e mbështeti projektin duke financuar vlerësimin e realizueshmërisë teknike.

 

Centrali fotovoltaik Oslomej 1 është një nga 21 projektet më të rëndësishme në rajonin e Ballkanit Perëndimor (21 flagship projects in the Western Balkan region) të përzgjedhur për financim nga BE përmes WBIF në vitin 2022. Projekti është identifikuar si Flagship 4, për energjinë e rinovueshme, në EU’s Economic and Investment Plan for the Western Balkans 2021-2027.

Western Balkans Fund shpall 30 projektet fituese

The Western Balkans Fund ka shpallur listën e 30 projekteve fituese nga thirrja e tyre e katërt për propozime, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet the Instrument for Pre-Accession Assistance.

 

Qëllimi i këtyre projekteve që do të zbatohen nën këtë thirrje për propozime është promovimi i pjesëmarrjes së organizatave të shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor dhe organizatave të reja në projektet rajonale. Këto janë mundësi për bashkëpunim në projekte me tema sociale, kulturore, shkencore dhe ekonomike, duke përfshirë barazinë gjinore dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara, për të forcuar marrëdhëniet me vendet fqinje dhe pajtimin.

 

 Mbi 800 organizata të shoqërisë civile nga i gjithë Ballkani Perëndimor paraqitën propozimet e tyre. Ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe workshop-et do të mbahen më 13 dhe 14 prill, në Tiranë.

Trajnimi i gazetarëve për raportimin e sigurt dhe etik në situata kritike

BIRN Kosova ka zhvilluar një trajnim për 18 gazetarë dhe studentë të degës së gazetarisë me qëllimin për të përmirësuar mënyrën se si gazetarët duhet të raportojnë në situata kritike, duke i pajisur ata me njohuritë e nevojshme dhe duke ofruar praktikat më të mira në rastet kur bëhen raportime nga protestat, me një fokus të veçantë te protestat e veçanta.

 

Trajnimi i financuar nga BE-ja ishte i ndarë në 2 pjesë – pjesa e parë, u krye nga Amir Gërguri, Komandanti i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, u përqëndrua në komunikimin me institucionet e sigurisë në situata kritike dhe pjesa e dytë, e kryer nga Kreshnik Gashi, redaktori kryesor i KALLXO.com, foli për raportimin e sigurt dhe etik në situata kritike. Pjesëmarrësve u dhanë shembuj në teori rreth se si duhej të vepronin në praktikë, gjithashtu paten mundësinë të bënin pyetje dhe të ndanin përvojat e tyre.

 

Trajnimi ishte i organizuar si pjesë e projektit “Providing a safe environment for journalists during protests”, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Një rikujtim për shëndetin

Një projekt i financuar nga BE-ja ndihmon për rritjen e nivelit të vaksinimit të fëmijëve në Bosnje dhe Hercegovinë

Emina Pleh nga Goražde i përfundoi të gjitha vaksinimet e vajzës së saj më të madhe, por kur erdhi koha për vaksinimin e djalit, kishte nisur pandemia e COVID-19-ës, kështu që vendosi të priste. Në fillim të vitit të shkuar, ajo mori një telefonatë nga Instituti Boshnjak i Shëndetit Publik të Kantonit Podrinje, ku i rikujtuan që djali kishte nevojë të imunizohej dhe e referuan te shërbimi i pediatrisë për më shumë informacion. “Ata thanë që duhet ta bënim para se të fillojë kopshtin, kështu që e bëmë,” thotë Emina.

Emina është një ndër rreth 500 prindërit e Kantonit Podrinje që u telefonuan nga Instituti Publik i Shëndetit për t’i kujtuar rreth vaksinimeve të pakryera. Kjo nismë është pjesë e Programit për Zbutjen e Ndikimit të Pandemisë së COVID-19-ës në Jetën e Fëmijëve dhe Familjeve të tyre në Turqi dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Prindërit janë më të prirur për ta kryer vaksinimin e fëmijëve të tyre, nëse i kujton. Ky komunikim mungonte.”

Shlyerja e mungesës së komunikimit

Fatima Čengić është një  Specialiste e Programit me Unicef-in në Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo shpjegon se

Unicef-i ka punuar për shumë vjet drejt përmirësimit të imunizimit në Bosnje dhe Hercegovinë dhe ka kryer studime dhe analiza për të kuptuar arsyet pse prindërit shmangin vaksinimin e fëmijëve të tyre. Arsyet kryesore për këtë fenomen ishin informimi i pamjaftueshëm nga profesionistët e shëndetit për përfitimet dhe rreziqet e vaksinimit, por edhe harresa nga prindërit. “Prindërit janë më të prirur për ta kryer vaksinimin e fëmijëve të tyre, nëse i kujton. Ky komunikim mungonte,” thotë Fatima.

Për këtë arsye, Unicef-i filloi të krijonte strategji komunikimi, duke përfshirë këtu edhe zhvillimin e nxjerrjen e një aplikacioni online, që u rikujton prindërve agjendat e vaksinimit. Sidoqoftë, kur filloi pandemia e COVID-19-ës, vendosën ta nxisnin stafin ndihmës të dedikuar të përdorte një qasje tjetër. Fillimisht, stafi rishikoi të gjitha kartelat shëndetësore të fëmijëve të lindur në periudhën 2014-2020 që ishin trajtuar në qendrat shëndetësore të Goražde-s, Prača-s dhe Ustikolina-s. U hartua një listë me gjithë ata që nuk kishin kryer ndonjë prej vaksinimeve të detyrueshme. Më pas, prindërit u morën në telefon, u këshilluan të kontaktonin pediatrit e tyre dhe, së fundmi, qendrat vendore shëndetësore u dhanë të gjithë informacionin e nevojshëm për imunizimin, si dhe mbi lënien e një takimi.

“Jam shumë e sigurt se qendrat shëndetësore nuk do t’u kishin dhënë prioritet vaksinimeve të fëmijëve po të mos kishte qenë nisma jonë me mbështetjen e BE-së.”

Lidhur me projektin

Programi për Zbutjen e Ndikimit të Pandemisë së COVID-19-ës në Jetën e Fëmijëve dhe Familjeve të tyre në Turqi dhe në Ballkanin Perëndimor është një nismë dy-vjeçare e nisur në vitin 2021 nga Unicef-i dhe Komisioni Evropian.

Qëllimi i kësaj nisme është fuqizimi i shëndetit kombëtar, arsimit, zhvillimit të fëmijërisë së hershme dhe sistemeve për mbrojtjen e fëmijëve për t’u siguruar shërbime parësore fëmijëve vulnerabël dhe familjeve të tyre në kuadër të rigjenerimit afatshkurtër apo afatgjatë nga COVID-19-a. Nëpërmjet këtij programi  me vlerë 5 milion euro, pritet që 490,000 fëmijë dhe prindër të kenë akses më të mirë te shërbimet publike që promovojnë zhvillimin e fëmijërisë së hershme, arsimit, shëndetit dhe mbrojtjes, si pjesë e procesit të rigjenerimit nga COVID-19-a.

Që atëherë, projekti është zgjeruar deri në Kantonin e Sarajevës, ku zbatohet në tetë qendra të tjera shëndetësore. Në nga vizitat e fundit nga programi vuri re se, nga 500 vaksinimet e zhvilluara në një qendër shëndetësore në dhjetor, 175 ishin bërë nëpërmjet këtij projekti. “Kjo nënkupton se rreth një e treta e vaksinimeve që u bënë për një muaj ishin rezultat i projektit tonë dhe ky është sukses i madh,” thotë Fatima.

Fatima shpjegon se vaksinimi ishte një problem kritik për sistemin shëndetësor në Bosnje dhe Hercegovinë, duke qenë se një nga aktivitetet e para të rregullta që u ndërpre gjatë periudhës së pandemisë ishte vaksinimi i fëmijëve. Ajo beson se projekti dhe mbështetja e BE-së kanë një ndikim thelbësor dhe shton:-“Jam shumë e sigurt se qendrat shëndetësore nuk do t’u kishin dhënë prioritet vaksinimeve të fëmijëve po të mos kishte qenë nisma jonë me mbështetjen e BE-së.”

Nis në Sarajevë fushata kundër gjuhës së urrejtjes, “Block the Hatred. Share the Love!”

Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës kanë nisur zyrtarisht fushatën “Block the Hatred. Share the Love!” në një event në Sarajevë, duke dhënë mesazhin se çdo qytetar i Bosnjës dhe Hercegovinës mund të luajë një rol të rëndësishëm në zëvendësimin e gjuhës së urrejtjes me gjuhë pozitive dhe respekt të ndërsjellë.

 

Gjatë eventit u theksua se kushdo mund të gjendet përballë gjuhës së urrejtjes, por se grupet e cenueshme janë ndoshta më të prekur. Parandalimi i gjuhës së urrejtjes është diçka që varet kryesisht nga individi, por çdo person mund të edukojë veten për pasojat e saj dhe të ndërmarrë veprime.

 

Zëvendës Kryetari i Delegacionit të BE-së, Jurgis Vilcinskas, tha se BE-ja nuk do të qëndrojë duarlidhur, por do të jetë e gatshme të mbështesë Bosnjën dhe Hercegovinën në luftën kundër gjuhës së urrejtjes. “Dhuna në rrjetet sociale nuk qëndron vetëm në rrjetet sociale; është dhunë e vërtetë, por rrjetet sociale na ofrojnë mënyra për ta sfiduar atë dhe për të nxitur tolerancën dhe mirëkuptimin e ndërsjellë në internet. Unë besoj se kjo fushatë do të na ndihmojë të përforcojmë mesazhet e paqes dhe diversitetit”, u shpreh Vilcinskas.

 

Fushata “Block the Hatred. Share the Love!” ka si qëllim të luftojë forma të ndryshme të gjuhës së urrejtjes që synojnë komunitete dhe individë të caktuar në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe të informojë publikun, veçanërisht brezat e rinj, duke shpërndarë përmbajtje kundër gjuhës së urrejtjes në mediat sociale dhe duke mbajtur evente publike. Këto aktivitete do të përfshijnë figura të shquara publike, institucione dhe aktivistë, të cilët do të promovojnë diversitetin dhe barazinë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në rajon, përmes tregimeve personale, dëshmive dhe shkëmbimit të praktikave të mira.

 

Fushata zbatohet në kuadër të projektit “Promotion of diversity and equality in Bosnia and Herzegovina” pjesë e Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës ‘Horizontal Facility for the Western Balkans and Turkey 2019-2022’.

RCC lançon “Butterfly Innovation Award”

The Regional Cooperation Council (RCC) ka lançuar nismën rajonale “Butterfly Innovation Award” për zgjidhje inovative, të shkallëzuara dhe të bazuara në treg nga Ballkani Perëndimor. Fondi “Butterfly Innovation Award” ka në total €30,000, me zgjidhjen më të mirë për secilën nga gjashtë kategoritë duke marrë një çmim prej €5,000.

Kandidatët mund të aplikojnë deri në dy nga kategoritë e:

 

-Inovacioni industrial duke përfshirë përpunimin e metaleve, industritë krijuese, agro-ushqimet, ekonominë e gjelbër dhe qarkulluese, turizmin, teknologjinë në financë, bioteknologjinë dhe teknologjinë në sektorët e arsimit dhe shëndetit;

-Inovacioni i gjelbër, p.sh. veprimet klimatike, energjia e qëndrueshme, lëvizshmëria dhe bujqësia, lufta kundër ndotjes, mbrojtja e natyrës dhe biodiversitetit;

-Inovacioni STEM (Shkenca, Teknologjia, Inxhinieria dhe Matematika);

-Inovacioni i të rinjve duke përfshirë studentët e universitetit ose të shkollës së mesme;

-Inovacioni Universitar duke njohur kulturën sipërmarrëse në universitete;

-Inovacioni i grave duke njohur gra novatore dhe sipërmarrëse.

 

Projekti “Butterfly Innovation Award” i parë rajonal është projektuar për të inkurajuar, promovuar dhe mbështetur inovacionet dhe inovatorët nga Ballkani Perëndimor. Aplikimet do të jenë të hapura deri më 13 maj. Fituesit do të shpallen më 27 qershor në një eveniment i cili do të transmetohet drejtpërdrejt në profilet e mediave sociale të RCC-së. Projekti është financuar nga Bashkimi Evropian dhe organizuar nga RCC-ja në kuadrin e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (Common Regional Market Action Plan) për Ballkanin Perëndimor.

Ballkani Perëndimor lidhet përmes Korridorit të Energjisë Trans-Ballkanike

Së bashku me partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, Serbia po ndërton dhe lidh Korridorin Elektrik Trans-Ballkanik (Trans-Balkan Electricity Corridor) prej 371.3 km, për të cilin Western Balkans Investment Framework (WBIF) po siguron 32.1 milionë euro fonde të pakthyeshme të BE-së.   
Danko Gavrilović, Koordinatori i WBIF për Serbinë, thekson rëndësinë e projektit për ekonominë, lidhshmërinë dhe qëndrueshmërinë e zhvillimit të energjisë së rinovueshme. “The Economic and Investment Plan for the Western Balkans 2021-2027 është një pasqyrë e përpjekjeve të Bashkimit Evropian për të inkurajuar rimëkëmbjen ekonomike afatgjatë të vendit dhe rajonit, me mbështetjen e të ashtuquajturës transformim i gjelbër dhe digjital dhe përshpejtimin e lidhjes rajonale dhe lidhjes me Bashkimin Evropian. Zhvillimi intensiv i kapaciteteve të qëndrueshme kërkon gjithashtu zhvillimin e rrjetit të transmetimit”, tha Gavrilović.   
Projekti është identifikuar si një themeltar për tranzicionin nga qymyri si edhe duke qënë brenda prioritetit të investimeve të energjisë së pastër, siç përcaktohet në Economic and Investment Plan for the Western Balkans 2021-2027. Projekti është pjesë e mbështetjes më të gjerë të BE-së për sektorin – BE-ja ka investuar më shumë se 830 milionë euro në sektorin e energjisë gjatë dy dekadave të fundit. Vetëm në vitin 2022, mbështetja e BE-së për sektorin energjetik të Serbisë vlerësohet në 100 milionë euro.   
Shumëllojshmëria e burimeve të energjisë, siguria e furnizimit, efikasiteti energjetik dhe dekarbonizimi i ekonomisë, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit, janë objektivat kryesore të mbështetjes së BE-së, e cila zbatohet në bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë. BE do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në përputhje me BE acquis dhe në krijimin e strukturave që do të lejojnë investime të mëtejshme në dekarbonizimin e sektorit të energjisë. 

Nis në Tiranë fushata kundër gjuhës së urrejtjes, “Block the Hatred. Share the Love!”

Fushata kundër gjuhës së urrejtjes, “Block the Hatred. Share the Love!” filloi në Tiranë më 25 mars. Hapja e fushatës mblodhi opinionistë të shquar, aktivistë dhe përfaqësues të lartë të autoriteteve publike, të cilët ngritën zërin kundër gjuhës së urrejtjes dhe u zotuan të promovojnë një shoqëri të barabartë, pa urrejtje dhe diskriminim.   
Kreu i Seksionit Politik në Delegacionin Evropian në Shqipëri, Alexis Hupin theksoi rëndësinë e zbatimit në luftën kundër gjuhës së urrejtjes. “Unë do të doja t’ju ftoja që të vazhdonim këtë luftë së bashku, të dënojmë rastet e gjuhës së urrejtjes, të raportojmë rastet e krimeve të urrejtjes dhe të mbështetemi tek njëri-tjetri për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë, pa diskriminim, pa urrejtje dhe me mundësi të barabarta për të gjithë.”   
Daniela Kortoçi, një Ambasadore e Re Evropiane (YEA) nga Shqipëria u shpreh “Si anëtare e YEA-së, një nga fushat tona kryesore të fokusit është të ndikojmë me qëllim në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Të ndikosh te të rinjtë do të thotë gjithashtu që ne duhet të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin dhe të ndajmë përvojat dhe historitë tona në lidhje me urrejtjen në internet dhe se si e kapërcyem atë. Pra, le të fillojmë këtë fushatë: “Block the Hatred. Share the Love!”   
Fushata “Block the Hatred. Share the Love!” është një lëvizje ndërgjegjësuese e prezantuar në Ballkanin Perëndimor vitin e kaluar për të informuar dhe angazhuar komunitetet lokale në luftën kundër formave të ndryshme të gjuhës së urrejtjes, duke synuar grupet dhe individët vulnerabël si personat LGBTI, emigrantët, njerëzit me nevoja të veçanta dhe pakicat etnike. Fushata do të vazhdojë në muajt e ardhshëm me një sërë ngjarjesh publike të promovuara përmes faqeve të internetit dhe mediat sociale, por edhe në mediat kryesore.   
Fushata zbatohet në kuadër të projektit “Promotion of diversity and equality in Albania”, pjesë e Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës “Horizontal Facility for the Western Balkans and Turkey 2019-2022”, që mbështet reformat në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, në përputhje me standardet evropiane dhe në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së.