Nga i pamjaftueshëm në të qëndrueshëm: si një projekt i mbështetur nga BE-ja e shpëtoi kryeqytetin e Kosovës nga mungesa e ujit.
Prej më se tri dekadash, Musa Hasani ka punuar si një operator telefonik në një shoqëri rajonale e ujësjellësit në Prishtinë. Puna e tij duket e thjeshtë: ai u përgjigjet telefonatave të klientëve dhe i përcjell ankesat në seksionet përkatëse të ujësjellësit. Por, rreth vitit 2000, kjo punë e thjeshtë u bë e tensionuar dhe stresuese. Musai kujton se merrte mbi 200 telefonata në ditë, shumica e të cilave ishin ankesat e pareshtura të klientëve lidhur me mungesën e ujit.
Pas luftës në vitin 1999, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, u përball me një migrim të madh të njerëzve të ardhur nga vende të tjera të Kosovës. Një infrastrukturë e shërbimeve publike që ishte projektuar për rreth 150,000 banorë, tashmë duhej të përballej me një popullsi prej mbi 300,000 banorësh. Gjatë dekadës në vijim, ndërprerjet e ujit mund të zgjasnin për më shumë se dhjetë orë në ditë në çdo lagje të Prishtinës. “Njerëzit ishin të zemëruar, pasi kjo kishte një ndikim të konsiderueshëm në cilësinë e jetës së tyre. Ata na e përcillnin këtë zemërim përmes telefonit”, kujton Musai.
“Në muajin mars 2014, liqeni i Badovcit kishte ujë të mjaftueshëm që mund të zgjaste për një muaj ndërsa Batllava për dy. Nëse nuk do të kishim një periudhë me reshje të dendura shiu gjatë muajit prill, Prishtina dhe komunat përreth do të kishin mbetur pa ujë të pijshëm”.
Një përrallë e dy liqeneve
Sokol Xhafa është Drejtor i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit të Prishtinës. Ai kujton se në vitin 2010 kompania ndërmori disa ndërhyrje që deri diku e përmirësuan situatën. Por nevojitej një zgjidhje afatgjatë. Në atë kohë, burimet e vetme të shpërndarjes së ujit ishin dy rezervuarë artificialë afër Prishtinës: Liqenet e Batllavës dhe Badovcit. Sasia e ujit në këto liqene varet nga reshjet e shiut. Dhe meqenëse ndryshimet klimatike kanë ndikuar në nivelet e ujit të liqeneve, furnizimi mund të luhatet ndjeshëm nga akumulimi i tepërt i ujit në nivelet e thatësirës.
Në vitin 2014, kosovarët përjetuan mungesën më të rëndë të ujit në tri dekada. “Në muajin mars 2014, liqeni i Badovcit kishte ujë të mjaftueshëm që mund të zgjaste për një muaj ndërsa Batllava për dy. Nëse nuk do të kishim një periudhë me reshje të dendura shiu gjatë muajit prill, Prishtina dhe komunat përreth do të kishin mbetur pa ujë të pijshëm”, shprehet Xhafa.
Por, situata ndryshoi për mirë me mbështetjen e projektit të Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës prej 35 milionë euro si dhe një grant prej 5 milionë eurosh nga BE-ja. Falë këtij investimi dhe financimi, të kanalizuar përmes Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor, projekti e shpëtoi Prishtinën nga problemet e mungesës së ujit për vite me radhë dhe siguroi një furnizim të qëndrueshëm me ujë për rajonin përreth. Projekti përfshinte zhvillimin e një burimi të ri uji nga Liqeni i Ujmanit.Infrastruktura mundëson që uji të kanalizohet nga Kanali i Ibrës drejt impiantit të sapondërtuar të trajtimit të ujit në Shkabaj. Impianti i ri përfshin një laborator, një dhomë operacioni dhe zyra, seminare dhe hapësira sociale.
“Nëse nuk do të kishim impiantin e ri, do të duhej të kishim shpallur gjendjen e emergjencës, dhe si rrjedhojë, Prishtina dhe komunat përreth do të përballeshin çdo ditë me ndërprerje të rregullta të ujit deri në 12 orë përgjatë dy viteve të fundit.”
Rreth projektit
Projekti i Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës ka përfituar nga një investim i kombinuar i granteve dhe kredive të kanalizuara përmes Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Investimi përfshinte 5 milion euro mbështetje granti nga Bashkimi Evropian, një hua prej 20 milion euro nga Banka për Zhvillim KfW në emër të Ministrisë Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe një kontribut prej 10 milion euro nga Kompania Rajonale e Ujit.
Rreth WBIFKuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) është një platformë koordinimi i donatorëve që mbledh fonde nga burime të ndryshme, duke përfshirë Komisionin Evropian. WBIF ofron financim dhe asistencë teknike për investimet strategjike në sektorët e energjisë, mjedisit, social, transportit, dhe infrastrukturës digjitale. Ai gjithashtu mbështet nismat për zhvillimin e sektorit privat. WBIF është një nismë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve dypalësh dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor.
“Vitet 2019 dhe 2020 ishin vitet me sezonin më të gjatë të thatësirës prej kohësh. “Nëse nuk do të kishim impiantin e ri, do të duhej të kishim shpallur gjendjen e emergjencës, dhe si rrjedhojë, Prishtina dhe komunat përreth do të përballeshin çdo ditë me ndërprerje të rregullta të ujit deri në 12 orë përgjatë dy viteve të fundit”, shprehet Sokol Xhafa.
Furnizimi me kosto efikase dhe i qëndrueshëm
Uji nxirret nga burimi natyror dhe kanalizohet përmes një tubacioni ku uji qarkullon lirshëm drejt një stacioni ku pompohet në impiantin e ujit për t’u trajtuar, përpunuar dhe filtruar. Ujësjellësi në Shkabaj ka një kapacitet prej 700 l/s: mjaftueshëm për të siguruar furnizim me ujë me kosto efikase dhe të qëndrueshëm për komunat e Prishtinës, Obiliqit, Fushë Kosovës, Graçanicës dhe Podujevës.
Musa Hasani pa dyshim e ka vënë re ndryshimin e bërë nga ky projekt, me më shumë kënaqshmëri të konsumatorëve dhe cilësi më të madhe të jetesës për banorët e Prishtinës dhe rajonit të saj, si dhe më pak telefonata zemërimi për të menaxhuar. Infrastruktura e re ka sjellë gjithashtu përparime teknologjike, të cilat u mundësojnë autoriteteve të monitorojnë nivelet e ujit të Liqeneve të Badovcit dhe Batllavës, duke siguruar kështu qëndrueshmërinë e burimeve ujore të rajonit.
Me mbështetjen e BE-së, një organizatë pioniere LGBTI marshon në mbrojtje të komunitetit në Kosovë.
Si do t’i karakterizonit anëtarët e komunitetit LGBTI (lesbike, homoseksualë, biseksualë, transgjinorë dhe interseks)? Përgjigja e kosovarit të zakonshëm për këtë pyetje përfshin ekstravagancën, flamurin e ylberit dhe Paradën e Krenarisë. Këta stereotipa janë kryesisht rezultat i informacionit të kufizuar të ofruar nga media masive, kombinuar me kufizimet tradicionale që ngadalësojnë procesin e hapjes së shoqërisë. Por, komuniteti LGBTI i Kosovës karakterizohet nga shumë më tepër se sa thjesht Parada e Krenarisë, dhe situata nuk është aq shumëngjyrëshe sa paraqitet në imazhe.
“E organizojmë Paradën e Krenarisë për të rritur ndërgjegjësimin rreth të drejtave të komunitetit LGBTI, por kryesisht për të shprehur shqetësimet tona për shkeljen e këtyre të drejtave. Praktikisht, është një marshim proteste”, thotë Arbër Nuhiu nga CSGD-ja, Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore.
Organizata është një nga organet më të rëndësishme të shoqërisë civile, që punon për përmirësimin e pozitës së komunitetit, dhe është organizatorja kryesore e të gjitha aktiviteteve që zhvillohen për Paradën e Krenarisë. Vitet e fundit, tematika e aktivitetit ka qenë martesa me të njëjtin seks, një e drejtë ligjore e mohuar nga institucionet e Kosovës, megjithëse garantohet në Kushtetutë. CSGD-ja dhe organizata të tjera të të drejtave të LGBTI-së dhe të njeriut kanë lobuar për vite me radhë për përfshirjen e kësaj dispozite në Kodin e ri Civil, por thirrjet e tyre janë injoruar.
“E organizojmë Paradën e Krenarisë për të rritur ndërgjegjësimin rreth të drejtave të komunitetit LGBTI, por kryesisht për të shprehur shqetësimet tona për shkeljen e këtyre të drejtave. Praktikisht, është një marshim proteste.”
“Qasja jonë ka qenë sistematike për arritjen e objektivit tonë. Ne e dimë se çfarë duam dhe si ta arrijmë”, thotë Nuhiu, duke iu referuar punës së advokacisë për komunitetin. Ai falënderon Bashkimin Evropian për mbështetjen e ofruar kur kishin më shumë nevojë. CSGD-ja përfitoi një grant operacional nga BE-ja për të përmirësuar kapacitetet e organizatës, duke i bërë të mundur që t’i shërbente komunitetit më mirë.
Së fundmi, komuniteti LGBTI në Kosovë festoi arritjen e parë kur ja dolën të përfshinin dispozita që zgjerojnë mbrojtjen ligjore të personave LGBTI në Kodin e ri Penal. Ky ishte një sukses i drejtpërdrejtë i advokacisë strategjike. Megjithatë, vazhdon të ketë vështirësi për zbatimin e kuadrit ligjor. Rastet e krimeve të urrejtjes kundër individëve LGBTI zakonisht nuk hetohen siç duhet apo çohen në gjykatë. Komuniteti beson se përmirësimi i radhës duhet të ndodhë tek organet shtetërore që ndjekin, hetojnë dhe ekzekutojnë vendimet. Kjo është arsyeja përse organizatat LGBTI aktivizohen edhe për trajnimin e policisë, prokurorëve dhe gjyqtarëve rreth praktikave më të mira.
Përqendrimi i shërbimit te problemet
Përvoja e CSGD-së përfshin thuajse dy dekada ndërveprimi dhe mbështetjeje ndaj komunitetit. Kjo përvojë tregon se në Kosovë ekzistojnë dy realitete të LGBTI-së: njëri është jeta në kryeqytetin e Prishtinës dhe tjetri është ai në pjesën tjetër të vendit ku situata është e zymtë. Kryeqyteti është vendi ku personat LGBTI kanë fituar një farë lirie, por pandemia e koronavirusit, për arsye që variojnë nga ndërprerja e arsimit deri te humbja e punës, i ka detyruar të kthehen në qytetet e tyre.
“Frika më e madhe e personave LGBTI është mospranimi, së pari nga familjet e tyre. Nuk mund ta imagjinojmë trysninë që përjetojnë në shtëpitë e tyre. Çdo ditë. Së dyti, është frika e mospranimit nga shoqëria”.
Rreth programit
Bashkimi Evropian financoi organizatën Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore dhe veprimtaritë themelore të saj në kuadër të Instrumentit kombëtar të Shoqërisë Civile 2015. Objektivi i grantit operacional ishte përmirësimi i veprimtarive të advokacisë, profilizimit, rrjetëzimit dhe ndërtimit të koalicioneve. Objektivi global ishte mundësimi dhe stimulimi i demokracisë pjesëmarrëse në Kosovë nëpërmjet krijimit të një mjedisi që promovon partneritetin dhe dialogun ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve publike, dhe nëpërmjet ngritjes së kapacitetit të OSHC-ve për të qenë aktorë të pavarur efektivë dhe llogaridhënës.
“Frika më e madhe e personave LGBTI është mospranimi, së pari nga familjet e tyre. Nuk mund ta imagjinojmë trysninë që përjetojnë në shtëpitë e tyre. Çdo ditë. Së dyti, është frika e mospranimit nga shoqëria”, thotë Nuhiu.
Si rrjedhojë, që prej nisjes së pandemisë, numri i personave që kërkojnë mbështetje këshilluese dhe numri i rasteve të dhunës është rritur. Reagimi i CSGD-së ishte në zhvillim e sipër: një platformë online që ofron këshillim dhe mbështetje juridike profesionale dhe pa pagesë për këdo. Platforma është arritja më e fundit e misionit të CSGD-së që sjell fuqizim të mëtejshëm të komunitetit. Tanimë, organizata është e disponueshme në formë digjitale për çdo kosovar LGBTI në nevojë, kudo që jeton.
Një bibliotekë me lodra në Bosnje dhe Hercegovinë, u jep fëmijëve të cenueshëm mundësinë të luajnë dhe nxënë edhe gjatë pandemisë.
Denisi* pesëvjeçar e sheh veten si mjek dhe dëshiron të bëhet i tillë kur të rritet. Çdo ditë, Denisi vizaton njerëz me veshje mjekësore dhe luan si shërues i fëmijëve të tjerë, të cilëve u referohet si pacientët e tij. E gjithë kjo krijimtari do të kishte mbetur e pazbuluar nëse nuk do të ishte për bibliotekën novatore me lodra të krijuar në qendrën Romalen për mbështetjen e romëve në qytezën e Denisit, Kakanj, në Bosnje dhe Hercegovinën qendrore. Lodrat dhe librat me tregime të cilësisë së lartë të bibliotekës e kanë bërë atë shumë të suksesshme në komunitet, ku rreth 84 fëmijë, shumica e tyre nga komuniteti rom, e vizitojnë këtë bibliotekë.
Romët janë një nga grupet minoritare më të mëdha dhe të disavantazhuara të Evropës. Diskriminimi ndaj komuniteteve rome është diçka e zakonshme, çka thellon përjashtimin e tyre. Problemet me të cilat përballen fëmijët romë mund të nisin herët dhe të kenë ndikim gjatë gjithë jetës. Një pjesë e vogël merr pjesë në arsimin në fëmijërinë e hershme dhe vetëm 50% përfundojnë arsimin e detyrueshëm. Prandaj, përkrahja e zhvillimit në fëmijërinë e hershme është thelbësore për ta ndryshuar këtë situatë.
“Biblioteka me lodra është vendi ku ndodh magjia e edukimit. Fëmijët luajnë dhe krijojnë universin e tyre dhe, njëkohësisht, zbulojnë botën”.
Nisma e mbështetur nga BE-ja zhvillohet nga Fondi për Arsimin e Romëve (REF). Që prej vitit 2017, REF-ja ka ngritur 64 biblioteka me lodra në 13 vende në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, ku kanë marrë pjesë mijëra fëmijë. “Ne jemi angazhuar për ngritjen e hapësirave të tilla për fëmijët romë, të synuara për të nxënë dhe luajtur”, thotë Ioan Tănase, Menaxher Projekti i REF-së. “Biblioteka me lodra është vendi ku ndodh magjia e edukimit. Fëmijët luajnë dhe krijojnë universin e tyre dhe, njëkohësisht, zbulojnë botën. Është lojë dhe edukim njëkohësisht, është magjike”.
Të qenët të lidhur duke ruajtur distancën
Sikurse shumë veprimtari të tjera në mbarë botën, veprimtaritë në bibliotekën me lodra në Kakanj u ndërprenë nga pandemia e koronavirusit në vitin 2020. Qendra u mbyll në fillim të pranverës, por koncepti vijoi kryesisht falë dy faktorëve thelbësorë. Së pari, fëmijët vazhduan të kishin mundësinë të huazonin lodra, lojëra formuese dhe libra. Së dyti, koncepti i bibliotekës me lodra kishte inkurajuar përfshirjen e të gjithë komunitetit, veçanërisht për krijimin e marrëdhënieve ndërmjet fëmijëve, familjes dhe stafit të bibliotekës. Prindërit ishin të vetëdijshëm se biblioteka ofronte një zgjidhje për ndërprerjen e menjëhershme të edukimit të fëmijëve të tyre si pasojë e pandemisë.
“Bibliotekat me lodra ofrojnë një mundësi për prindërit që nuk janë në gjendje t’i dërgojnë fëmijët e tyre në kopsht”.
Rreth projektit
Projekti “Veprimi Rajonal i BE-së për Arsimin e Romëve: Mundësi arsimimi të rritura për studentët dhe të rinjtë romë në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi” (RARE) bashkëfinancohet nga Programi Vjetor i Veprimit Shumëvendësh IPA II 2017 dhe Fondi për Arsimin e Romëve, që gjithashtu zbaton projektin.
“Bibliotekat me lodra ofrojnë një mundësi për prindërit që nuk janë në gjendje t’i dërgojnë fëmijët e tyre në kopsht dhe kjo është një mundësi e përditshme për të kaluar kohë në një vend ku fëmijët mund të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të rrisin ndjeshëm shkallën e përfshirjes”, thotë Tănase.
Qendrës Romalen për përkrahjen e romëve iu desh të gjente zgjidhje të shpejta për fëmijët e tyre.
Ajo krijoi një program edukativ online duke përdorur aplikacionet e komunikimit me video ku fëmijët mund të lidheshin. Nuk kishte asnjë siguri se ky sistem do të funksiononte, aq më tepër të ishte i suksesshëm, por rezultatet kanë qenë të jashtëzakonshme. Të frymëzuar nga ecuria përpara pandemisë, dhe vendosmëria për të ruajtur marrëdhëniet ndërmjet qendrës e familjeve dhe fëmijëve, numri i pjesëmarrësve mbeti i ngjashëm me numrin përpara pandemisë së COVID-19-ës.
Për sa i përket Denisit të vogël, ai u përshtat lehtësisht me formatin e ri të komunikimit të kushtëzuar nga pandemia dhe, brenda një kohe të shkurtër, u kthye në drejtuesin e pakundërshtueshëm të komunitetit të tij digjital. Tashmë, ai është edhe më i vendosur për t’u bërë një mjek që ofron ndihmë mjekësore ndaj komunitetit të tij dhe personave në nevojë.
*Emri i fëmijës është ndryshuar për të ruajtur identitetin e tij.
We use cookies and similar technologies to improve your experience on our website.
Read our Privacy Policy.