Skip to main content

Area of Cooperation: Education and training

Një grua në krye të zhvillimeve të shpejta të shërbimeve TIK në Kosovë

Zvogëlimi i hendekut digjital gjinor: përfaqësimi më i madh i femrave në TIK është thelbësor për këtë sektor të dominuar nga eksportet

Sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Kosovë po ndryshon me hapa të shpejtë, kryesisht për shkak të kërkesës gjithmonë e më në rritje dhe zgjidhjeve që po ofrojnë kompanitë. Nivelet e larta të përdorimit të internetit po japin rezultate për Kosovën, veçanërisht për rininë e saj dhe bizneset në zhvillim (TIK).

Në vitin 2021, Eurostat-i raportoi se 96% e grupmoshës 16-74 vjeç së popullsisë në Kosovë , kishte përdorur internetin në tre muajt në vazhdim, gjë që e rendit Kosovën ndër të parat në rajon për përdorimin e internetit, madje disa pikë më lart se mesatarja e Bashkimit Evropian. Ky kontekst është një parakusht për përparimin e transformimit digjital të shumë shërbimeve në shoqëri, por jo domosdoshmërisht vetëm në Kosovë. Shumë kompani të vendosura në kryeqytetin e Prishtinës po ofrojnë shërbime TIK në distancë për Evropën dhe Amerikën e Veriut. Në fakt, shumë prej tyre nuk kanë fare klientë vendas, një tipar ky që reflektohet te një studimi i Shoqatës së Informatikës STIKK,  që konfirmon faktin se mbi 90% e këtyre shërbimeve eksportohen.

“Më parë, TIK-u konsiderohej si punë burrash, por tanimë kjo gjë po ndryshon me ritme të shpejta.”

Zvogëlimi i hendekut digjital gjinor

Një efekt i rritjes të tij të mirëpritur është fakti që po ofron punësim për një shoqëri të goditur nga papunësia dhe se këto punë po ndalojnë emigrimin e të rinjve nga Kosova. Sektori po bëhet gjithmonë e më shumë gjithëpërfshirës.

Gratë po e gjejnë veten në qendër të sektorit, duke filluar që nga pozicionet teknike të zhvillimit e deri tek menaxhimi dhe politikë-bërja në TIK. Një shembull është edhe Iliriana Ibraj, e cila drejton sektorin e rritjes të biznesit të LinkPlus-it, një ndër kompanitë pionere, që eksporton shërbime prej thuajse një dekade.

“Më parë, TIK-u konsiderohej si punë burrash, por tanimë kjo gjë po ndryshon me ritme të shpejta,” thotë Ibraj, e cila shton se ndihet mirë në këtë sektor, nga ku mund të ofrojë një këndvështrim tjetër. Gratë përbëjnë më shumë se një të tretën e pesëdhjetë punëtorëve në biznesin e saj. “Numri në rritje i grave në TIK po ndryshon mentalitetin dhe stereotipat në vendin e punës, por edhe në lidhje me klientët, ku një pikëpamje që nuk vjen nga burrat mund të sjellë ndryshim.”

Mundësitë për të ndryshuar raportin e femrave që marrin pjesë në sektor fillojnë me edukimin, ku lëndët e STEM-it (Shkenca, Teknologjia, Energjia dhe Matematika) po rikthehen sërish si profesione që ofrojnë mundësi punësimi. Përveç universiteteve tradicionale, ekzistojnë edhe qendra inovacioni, nisma private dhe donatorë ndërkombëtarë që po sjellin sërish edukimin STEM te rinia. Një ndër to është edhe projekti i financuar nga BE-ja, që nxit konkurrencën e sektorit TIK në Kosovë dhe që ka trajnuar rreth 100 mësues dhe 1,000 studentë. Shumica e pjesëmarrësve janë certifikuar për zhvillimin e faqeve të internetit, sigurinë kibernetike dhe gjuhët e programuara, të cilat nevojiten për t’u punësuar në vendet e lira të punës në TIK.

Elementi tjetër i punës së projektit me sektorin është fuqizimi i lidhjeve me kompanitë me qendër në Bashkimin Evropian.

“Një nga strategjitë tona të rritjes vjen nga besimi se mund të zgjerohemi së bashku me partnerët e ardhshëm brenda BE-së.”

Lidhur me projektin

Qëllimi kryesor i projektit të Mbështetjes së BE-së për Konkurrencën e Sektorit të TIK-ut në Kosovë është të nxisë konkurrencën e bizneseve digjitale dhe tradicionale të Kosovës, duke ndihmuar zgjerimin e sektorit TIK të Kosovës që do të sjellë rritje dhe hapje vendesh të reja pune.

Projekti gjithashtu synon të jetë ura lidhëse midis aftësive të biznesit digjital dhe tradicional në një mënyrë të qëndrueshme që plotëson nevojat e tregut dhe nxit konkurrencën mes tregjeve digjitale dhe tradicionale të Kosovës, si dhe të rrisë eksportin e bizneseve të TIK-ut dhe bizneseve tradicionale në Kosovë, nëpërmjet përdorimit të TIK-ut.

TIK-u eliminon kufijtë

Shërbimet më popullore të eksportit të kompanive të vendosura në Kosovë përfshijnë konsultime rreth Teknologjisë së Informacionit, zhvillimin e dizajnit të faqeve të internetit, shërbimet celulare dhe e-tregtinë. LinkPlus ua ofron këto shërbime klientëve që operojnë brenda BE-së, por edhe atyre në tregjet e Amerikës së Veriut. E ardhmja e kompanisë, që po kërkon të bashkëpunojë me kompanitë e tjera që kohët e fundit kanë marrë pjesë në mbledhjet biznes-biznes, duket e sigurt.

“Një nga strategjitë tona të rritjes vjen nga besimi se mund të zgjerohemi së bashku me partnerët e ardhshëm brenda BE-së,” shpjegon ajo. “Kemi përcaktuar kontaktet fillestare, duke u përqendruar te sektorët ku jemi specializuar dhe tanimë zotërojmë më shumë njohuri për tregjet dhe pjesëmarrësit kryesorë.” Ajo thotë se është e kënaqur me prezantimet fillestare të mundësisë për investime në Kosovë, ku përfshin edhe rininë e Kosovës, klimën e të bërit biznes, afërsinë me vendet e BE-së, përdorimin e euros si monedhë dhe marrëdhëniet miqësore me klientët, të cilët i sheh si tiparet përcaktuese të shoqërisë së saj.

Ajo gjithashtu tha se angazhohet edhe për përmirësimin e pozicionit të grave, si mision personal, dhe se përdor nismën “DigiWomen”, ku është anëtareje bordi, si një platformë që bashkon gratë në Teknologjinë e Informacionit e që funksionon si model për t’u ndjekur. “Nëse duam të arrijmë barazinë gjinore, gjëja më e rëndësishme është të jemi shembulli i  frymëzimit të brezave të rinj: ndryshimi duhet të burojë nga ne në mënyrë që të përmirësohet shoqëria.”

Ndryshon zbatica për artizanatin tradicional

Ndërtimi i anijeve malazeze prej druri kthehet në një markë të njohur botërisht

Për një kohë, Petar Bokovac ishte njeriu i vetëm në brigjet malazeze që përdorte teknikat e lashta të ndërtimit të anijeve prej druri. Ai nuk  ishte trajnuar profesionalisht për ndërtimin e anijeve por, që prej viteve ‘60, kryente shërbime riparimi duke përdorur mjeshtërinë tradicional të ndërtimit të varkave prej druri në punishten e tij Bokovac Calafat, në Tivar.

Riparimi i varkave nuk kishte ndonjë përfitim të madh, por  njëzet vjet më parë, Petar dhe djali i tij, Nenad-i, ndërtuan anijen e tyre të parë të peshkimit 30-tonëshe. Më pas, gruaja e Nenadit, Miroslavka, vendosi t’i bashkohej kompanisë dhe ta çonte biznesin në një nivel tjetër, duke e kthyer kështu Punishten Bokovac Calafat në një markë botërore . Miroslavka mori përsipër reklamimin e anijeve prej druri, të ndërtuara nga bashkëshorti i saj dhe babai i tij, gjë që e promovoi mjeshtërinë e tyre – një element i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe potencialit turistik – te komuniteti vendas, autoritetet dhe tregu ndërkombëtar.

“Ajo që mund të ofronim ishte qasja jonë unike.”

Paraqitja e mjeshtërisë vendase për botën

Miroslavka shpjegon se kur hodhi për herë të parë idenë e reklamimit të prodhimit të anijeve prej druri sipas mënyrës tradicionale, komuniteti vendas pati dyshime serioze për të. “Ata pyetën se kush do të interesohej për anijet tona prej druri në këto kohë, ku shikojmë vetëm jahte moderne dhe teknologji të avancuar,”- thotë ajo.

Sidoqoftë, ajo nuk u dorëzua. “Mendova se ajo që mund të ofronim ishte qasja jonë unike.”

Për të ruajtur ekskluzivitetin e markës, familja Bokovac duhet të përmbushë kushtin e përdorimit të materialeve me origjinë malazeze për më shumë se 80% të materialit të përdorur për ndërtimin e anijes. Druri që përdoret për ndërtim është kryesisht ai i manit, i cili njihet mjaft mirë në brigjet malazeze dhe të cilin, familja Bokovac e quan “tiku Malazez”(teak). Është jashtëzakonisht i lehtë në peshë, por edhe shumë i fortë, tipar thelbësor për cilësinë e produktit përfundimtar, duke qenë se druri duhet të kalojë nëpër disa faza të rëndësishme përpunimi para se të përdoret në anije. Miroslavka thotë: “Nuk është gjithmonë e lehtë të blesh dru mani, por duke qenë se gjithmonë e më shumë njerëz në zonën tonë po mësojnë se nevojiten këto materiale, po rritet edhe numri i telefonatave nga pronarët që rrisin pemë mani në tokat e tyre dhe ofrojnë t’i shesin.”

Gjatë viteve të fundit, eventi i ndërtimit të anijeve që tërhoqi vëmendjen e shumicës së mediave në Mal të Zi dhe në rajon, ishte lajmi se Punishtja Bokovac Calafat ishte vlerësuar nga familja mbretërore e Abu Dabit nëpërmjet një porosie për tri anije: një e vogël me një motor, një tjetër vetëm një metër më e gjatë se e para dhe një e tretë 10 metra e gjatë. Nenad-i dhe Petar-i punuan shumë me ekipin e tyre për t’i përmbushur të gjitha kriteret dhe që arritën t’i mbaronin të gjitha mjetet lundruese në kohë. Me mbërritjen e varkave në Emiratet, familja Bokovac u bë një markë e njohur në rang botëror.

“Projekti ReLOaD na ndihmoi me reklamimin e mëtejshëm të këtij zanati në sytë e komunitetit tonë dhe gjithë botës. Ç’është më e rëndësishmja, na ndihmoi t’ua trashëgonim këtë mjeshtëri brezave më të rinj.“

Lidhur me programin

Programi Rajonal për Demokraci Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) financohet nga Bashkimi Evropian dhe vihet në zbatim nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim. ReLOaD tanimë ndodhet në fazën e tij të dytë, e cila do të zgjasë deri në vitin 2024.

Kohët e fundit, punishtja Calafat ka bashkuar forcat me projektin ReLOaD, të financuar nga BE-ja dhe ka nisur misionin për promovimin e kësaj tradite përgjatë gjithë bregut malazez. Projekti Cattaro Sail ofroi trajnim për të rinjtë për ndërtimin e anijeve dhe promovimin e lundrimit me anë të lajmërimeve dhe rrjeteve sociale. Finalja e madhe ishte eventi “Ditë Lundrimi” dhe Regata e Kotorit. Ky projekt i dhuroi varka lundrimi Muzeut Detar dhe kështu u hodh një hap i madh drejt ruajtjes së kësaj zejeje historike dhe vlerës së saj për turizmin. Mirovlaska thotë për punishten Calafat: “Projekti ReLOaD na ndihmoi me reklamimin e mëtejshëm të këtij zanati në sytë e komunitetit tonë dhe të të gjithë botës. Ç’është më e rëndësishmja, na ndihmoi t’ua trashëgonim këtë mjeshtëri brezave më të rinj.“

Fjala calafat mund të gjendet në Greqisht dhe Arabisht dhe që prej kohëve të lashta, i është referuar zejtarit të mjeteve lundruese, të specializuar për mirëmbajtjen e një skeleti druri. Më vonë, ky term filloi t’u referohej ndërtuesve më me përvojë dhe më të respektuar të anijeve. Punishtja Bokovac është e vetmja në botë që ka të drejtë të përdorë emrin “Calafat”. Për ta, ashtu si edhe për Malin e Zi, është një nder ta mbajnë këtë traditë gjallë.

‘Udhë’ gjen një mënyrë për të ofruar udhëtime të përbashkëta me makinë në Kosovë

Një grup novatorësh të rinj kanë nisur një aplikacion transporti të përbashkët me makinë, me mbështetjen e BE-së.

Kur ishte student në Prishtinë, Eroll Gorçit i duhej të udhëtonte disa herë në javë nga qyteti i tij i lindjes, Peja, që ndodhet rreth 80 km larg. Taksitë ishin shumë të shtrenjta, ndërsa autobusët nuk ishin edhe aq të shpeshtë. Për këtë arsye, si shumë persona të tjerë që duhet të bëjnë rrugë të gjatë për në punë, ai kërkoi zgjidhje alternative, duke parë nëse ndonjë nga miqtë apo të afërmit e tij do të udhëtonin për në kryeqytet, që të mund të shkonte bashkë me ta.

Erolli ishte student teknologjie e shkencash kompjuterike. Teksa zhvillonte aftësitë e tij prej IT-je, ai kuptoi se mbushja e zbrazëtisë në transportin inter-urban me një platformë për transport të përbashkët me makinë mund të ishte me interes si biznes. Dhe kështu filloi “Udhë”, aplikacioni i parë për transport të përbashkët me makinënë pjesën jugore të Ballkanit që lidh shoferët me pasagjerët.

 “Para se të krijonim aplikacionin, donim ta testonim metodën nëpërmjet mediave sociale dhe kjo pati sukses.”

Erolli dhe miqtë e tij e diskutuan fillimisht këtë ide disa vite më parë, ku ranë dakord që të krijonin një faqe në media sociale, ku të interesuarit të mund të komunikonin dhe të planifikonin për të ndarë udhëtimin. “Para se të krijonim aplikacionin, donim ta testonim metodën nëpërmjet mediave sociale dhe kjo pati sukses,”- thotë Erolli.

Brenda një periudhe shumë të shkurtër, grupi i transportit të përbashkët në Facebook grumbulloi rreth 10,000 anëtarë. Kjo vërtetoi se njerëzit kishin interes, kështu që ekipi u bind për mundësinë e zhvillimit të një shërbimi profesional.  Ata filluan të krijojnë aplikacionin për shoferët dhe pasagjerët në fillim të vitit 2020. Meqenëse kishin shumë pak përvojë në këtë lloj sipërmarrjeje, ata aplikuan për projektin VentureUP të financuar nga BE-ja për ndihmë teknike të përqendruar te krijimi i prototipave. Erolli dhe ekipi i tij nxorën përfitime nga webinar-et, instrumentet e marketingut, modelimet e biznesit dhe financimet, të cilat ndihmuan shumë për krijimin e njohurive të tyre në këtë fushë. Për më tepër, ata u fokusuan te grumbullimi sistematik i të të dhënave, gjë që u dha një pikënisje të mirë dhe siguri te modeli i tyre i biznesit dhe për krijimin e aplikacionit.

“Mbështetja e dhënë nga Bashkimi Evropian ishte thelbësore për zhvillimin dhe realizimin e idesë sonë.”

Mbi projektin

VentureUP, Projekti Inkubator i Sipërmarrjes i Universitetit të Prishtinës në Kosovë, mbështetur nga Bashkimi Evropian, u jep mundësinë studentëve dhe startup-eve të ndërtojnë biznese punëdhënëse dhe të rrisin shanset për punësim të suksesshëm në Kosovë. Gjatë programit të parë inkubator në vitin 2019, përfunduan programin shtatë startup-e, me një total prej 23 anëtarësh ekipi. Ndër to, katër startup-e u regjistruan si biznese ligjore që gjenerojnë të ardhura, duke punësuar gjithsej 15 persona. Në vitin 2020 pati rreth 12 startup-e me 31 anëtarë ekipi që përfunduan programin e dytë inkubator. Si rezultat, janë regjistruar pesë biznese ligjore, duke gjeneruar kështu të ardhura dhe duke punësuar një total prej 18 personash.

Aplikacioni u hodh në treg me anë të Google Play dhe Apple Store që në janar të vitit 2021. Komuniteti online tashmë ka mbi 30,000 ndjekës në mediat sociale dhe rreth 15,000 përdorues të aplikacionit për celular. Çdo ditë, ata zgjidhin probleme transporti për qindra pasagjerë. Ekipi prej katër personash tanimë kërkon të shtojë fitimet dhe të sigurojë ndihmën e një investitori engjëll për zgjerimin e biznesit. Ata po planifikojnë të nisin shërbimin në Shqipëri dhe në tregjet e Ballkanit, ku platforma më e madhe e transportit të përbashkët nga BE-ja ka dështuar.

Erolli shpjegon se në sistemin arsimor të Kosovës mungon mësimi për sipërmarrjen, mënyrat e shndërrimit të një ideje në produkt, si dhe për monetarizimin e ideve. Për të, projektet inkubatore janë shumë të rëndësishme për të hedhur hapat e parë të biznesit dhe të sipërmarrjes. “Mbështetja e dhënë nga Bashkimi Evropian ishte thelbësore për zhvillimin dhe realizimin e idesë sonë,”- thotë ai.

Arsimi për të gjithë në Kosovë

Projekti i BE-së për arsimin gjithëpërfshirës në Kosovë ofron mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta dhe nga komunitete të cenueshme. Arti është një 12 vjeçar që është shumë kokëfortë për sa i përket pavarësisë së tij. Ai ka sindromën Down, një çrregullim gjenetikqë përgjithësisht lidhet me vështirësitë e të nxënit. Ligji kosovar ka ndryshuar së fundmi për t’i lejuar fëmijët me sindromën Down dhe fëmijë të tjerë me nevoja të veçanta të nxënë në shkolla të zakonshme. Tashmë nxënësit si Arti janë duke nxënë në një epokë të re. Përfshirja e nxënësve me nevoja të veçanta në shkolla të zakonshme pa një mësues ndihmës mund të jetë sfidues. Duke qenë se shkolla nuk mund të ofrojë një, në rastin e Artit roli i mësueses ndihmëse është marrë përsipër nga nëna e tij. Kjo zgjati për disa vite derisa projekti i financuar nga BE-ja, Arsim për të gjithë, ndërmori hapa për t’i siguruar Artit dhe fëmijëve të tjerë me nevoja të veçanta në shkollën e tij një mësuese ndihmëse. “Me ndihmën e mësueses së përkushtuar ndihmëse, Arti ia doli të ishte plotësisht i pavarur nga unë dhe të zhvillonte aftësitë e tij duke përmbushur pjesën më të madhe të objektivave në planin e tij individual të të nxënit,” shprehet nëna e Artit, Florentina.

 “Fëmijët me nevoja të veçanta përballen me sfida të ndryshme: disa mund të kenë vështirësi me leximin, disa me matematikën ose lëndët e tjera. Kështu që si rrjedhojë ne hartojmë dhe zbatojmë një plan individual të nxëni për çdo fëmijë me nevoja të veçanta.”

Në aktivitetet e përditshme shkollore Artin e ndihmon Xhenneta Shabani, një e diplomuar nga fakulteti i pedagogjisë e cila iu bashkua ekipit si praktikante. Sapo filloi punë, ajo u takua me mësuesen e klasës për të hartuar një plan mësimor individual për Artin dhe filloi zbatimin e tij. “Fëmijët me nevoja të veçanta përballen me sfida të ndryshme: disa mund të kenë vështirësi me leximin, disa me matematikën ose lëndët e tjera. Kështu që si rrjedhojë ne hartojmë dhe zbatojmë një plan individual të nxëni për çdo fëmijë me nevoja të veçanta,” shprehet Xhenneta. Xhenneta e ndihmon Artin gjatë mësimit edhe është e pranishme gjatë gjithë kohës në klasë me mësuesen e zakonshme. Përveç punës me Artin, ajo ndihmon edhe fëmijë të tjerë. Plani i saj profesional afatgjatë është të punojë si këshilltare e shkollës, kështu që përvoja e përftuar në këtë projekt është jashtëzakonisht e vlefshme. “Ndoshta pjesa më e mirë e angazhimit tim në këtë projekt është që kur të filloj të punoj si këshilltare shkolle, të mund të transferoj të gjitha njohuritë nga ky projekt në shkollën në të cilën po punoj, në mënyrë që edhe mësues e nxënës të tjerë të përfitojnë prej tyre,” shprehet ajo. Projekti ‘Arsim për të gjithë’ po zbatohet nga një organizata jofitimprurëse (OJQ) çeke ‘People in Need’ dhe partnerë nga Kosova Njomza Emini nga ‘People in Need’ shpjegon se sa i domosdoshëm është projekti për fëmijët me nevoja të veçanta në Kosovë. “Kemi pasur raste kur shkollat ngurronin të pranonin fëmijë me nevoja të veçanta, duke qenë se ata kanë nevojë për vëmendje të veçantë dhe shkollave iu mungonte stafi mbështetës. Edhe sikur të kishin kohë për të punuar me të, mësuesve të zakonshëm iu mungon trajnimi për të trajtuar nevojat e këtyre fëmijëve,” shprehet Njomza. Si rrjedhojë projekti drejton një program që angazhon 42 praktikantë që mbështesin 250 fëmijë si Arti që kanë nevoja të veçanta ose që vijnë nga komunitete të cenueshëm. Projekti ofron edhe trajnim për mësuesit e zakonshëm rreth mësimit gjithëpërfshirës të fëmijëve me nevoja të veçanta. Deri tani projekti ka trajnuar mbi 150 mësues edhe ata planifikojë të trajnojnë deri në 225 mësues deri në përfundim të projektit. Trajnimi përfshin tema si parimet e gjithëpërfshirjes, komunikimit me fëmijët me nevoja të veçanta dhe identifikimin dhe menaxhimin e rasteve të bullizmit. “Trajnimi i prit shumë mirë nga administratorët e shkollave dhe mësuesit që morën pjesë,” shprehet Njomza.

 “Ekzistojnë hendeqe të konsiderueshme në arsimin gjithëpërfshirës në Kosove dhe derisa institucionet tona të mund të mbyllin këto hendeqe mbështetja nga BE-ja dhe donatorët e tjerë është shumë e rëndësishme.”

Rreth projektit Projekti ‘Arsim për të gjithë’ i financuar nga BE-ja u lançua në vitin 2018 dhe bazohet në të drejtën për arsim të barabartë për fëmijët dhe adoleshentët me nevoja të veçanta si dhe ata nga komunitete të cenueshme si komuniteti Rom. I financuar ngaInstrumenti Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut (EIDHR)projekti po zbatohet nga OJQ-ja çeke ‘People in Need’ në partneritet me OJQ-të kosovare ‘Autizmi Flet’ dhe ‘The Ideas Partnership’ Për hartimin e trajnimit të mësuesve, projekti përfitoi nga përvoja e departamentit të arsimit ‘Varianty’ i ‘People in Need’ në Republikën Çeke dhe mënyra se si ata kanë përdorur udhëzimet e Agjencisë Evropiane për Arsimin Gjithëpërfshirës. “Ekzistojnë hendeqe të konsiderueshme në arsimin gjithëpërfshirës në Kosove dhe derisa institucionet tona të mund të mbyllin këto hendeqe mbështetja nga BE-ja dhe donatorët e tjerë është shumë e rëndësishme,” shprehet Njomza. Projekti ka edhe një tjetër element të përqendruar në përmirësimin e arsimit gjithëpërfshirës në nivelin institucional. Platformat e arsimit gjithëpërfshirës janë ngritur në të gjitha vendndodhjet e projektit duke përfshirë grupet vendore të interesit, organizatat e të drejtave të njeriut dhe prindërit. Platforma gjithëpërfshirëse e arsimit në qytetin e Janjevës/Janjevo ka arritur të sigurojë qëndrueshmërinë e programit të stazhit duke e përfshirë atë në buxhetin e bashkitë edhe pas përfundimit të projektit. Në Obiliq/ć ata arritën të rinovonin klasat e dedikuara fëmijëve me nevoja të veçanta me mbështetjen e bashkisë.

Udhëtim në kohë: si kaloi në epokën digjitale një shkollë në Shkup

Mënyra se si mundësuan burimet për të financuar mjete mësimore moderne dhe digjitale në një shkollë të Maqedonisë së Veriut investimet infrastrukturore në shkallë të gjerë. Njëra nga shkollat më të vjetra në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, është shkolla “25 maji”. E ndërtuar në vitin 1967, aktualisht ajo ndiqet nga 1,500 nxënës. Për thuajse 50 vite nuk ishte kryer asnjë veprimtari domethënëse rinovimi. Dritaret, tualetet, çatia dhe, madje, karriget dhe bankat ishin të njëjtat që prej viteve 1970, duke bërë që shkolla të dukej thuajse si një muze. Fadil Murtezani kish studiuar në këtë shkollë kur ishte fëmijë, në vitet 1970. Ai mban mend se, në atë kohë, shkolla konsiderohej si një nga më luksozet në qytet. Dyzet vite më vonë, në vitin 2011, ai u emërua Drejtor i shkollës. “Çatia pikonte, kishim probleme me të ftohtin në dimër dhe karrigia dhe banka ku ulesha unë ishin ende aty. Pashë emrin tim mbi të,” shprehet ai me nostalgji. Bashkë me ekipin e ri të menaxhimit, Fadili u bë nismëtar për ta përmirësuar situatën sa më parë.

“Investimet infrastrukturore mundësuan burimet për të financuar mjete mësimore moderne dhe digjitale.”

Kursimi i energjisë dhe investimi në mjete digjitale Fillimisht, punimet e rinovimit filluan si një nismë e prindërve. Së pari, u kryen rinovime të vogla, duke lyer gardhin e shkollës dhe duke pastruar oborrin. Megjithatë, këto nuk mjaftonin. Shkollës kishte nevojë për më shumë punime, por nuk kishte fonde. Megjithatë, nxitja dhe entuziazmi i komunitetit vendas tërhoqi vëmendjen e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, që miratoi pa vonesë kërkesën për rinovimin dhe rikonstruksionin e shkollës, financuar me mbështetjen e Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF). WBIF-ja është një platformë e mundësuar nga BE-ja, që mbledh fonde nga burime të ndryshme, ku përfshihet Komisioni Evropian, donatorë dypalësh dhe institucione financiare ndërkombëtare. Si rezultat, shkolla “25 maji” rinovoi çatinë dhe fasadat e godinës së shkollës, ndërroi dritaret dhe rregulloi sipërfaqet e dyshemesë, si dhe sistemet e ngrohjes dhe ato elektrike. Kjo përpjekje modernizimi ka përmirësuar veçanërisht efikasitetin energjetik të shkollës, duke i bërë të mundur kursimin e energjisë dhe përmirësimin e kushteve të mësimdhënies. Kursimet e energjisë, prej më shumë sesa 100% në vit, të ardhura nga këto investime, kanë mundësuar lirimin e burimeve financiare, që u caktuan për qëllime të tjera.

“Tashmë, klasat tona janë më interesante dhe argëtohemi më shumë; e konsiderojmë veten fatlumë dhe ndihemi krenarë për shkollën tonë.”

Rreth projektit Rinovimi i shkollës “25 maji” është pjesë e një projekti në shkallë të gjerë, që përfshin ndërtimin e 70 godinave të reja të edukimit fizik në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe rinovimin e 60 shkollave fillore dhe të mesme në mbarë Maqedoninë e Veriut. Projekti ka përfituar nga një investim i kombinuar i granteve dhe kredive të kanalizuara përmes Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor, të mundësuar nga BE-ja. Në të përfshihen dy grante të mundësuara nga kontributet e donatorëve dypalësh të WBIF-së, si dhe dy kredi në shumën totale 42.5 milionë euro nga Banka për zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB).   Rreth WBIF-së Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) është një platformë koordinimi e donatorëve që mbledh fonde nga burime të ndryshme, duke përfshirë Komisionin Evropian. WBIF-ja ofron financim dhe asistencë teknike për investimet strategjike në sektorët e energjisë, mjedisitsocialtransportit, dhe infrastrukturës digjitale. Ai gjithashtu mbështet nismat për zhvillimin e sektorit privat.  WBIF-ja është një nismë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve dypalësh dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor. Akses më i mirë për të gjithë Tashmë, mësuesit dhe nxënësit e shkollës kanë mobilie dhe pajisje mësimore të reja, si dërrasa të bardha interaktive dhe videoprojektorë në çdo klasë, duke bërë të mundur përmirësimin e aftësive digjitale të nxënësve. “Tashmë, klasat tona janë më interesante dhe argëtohemi më shumë; e konsiderojmë veten fatlumë dhe ndihemi krenarë për shkollën tonë”, thotë Anila Ibishi, nxënëse e klasës së nëntë në këtë shkollë. Krahas ofrimit të një aksesi digjital më të mirë, rinovimet kanë përmirësuar edhe aksesin për nxënësit me aftësi të kufizuara. Shkolla është kthyer në shembull dhe institucione të tjera arsimore në Maqedoninë e Veriut po e përdorin si pikë referimi për aksesin në infrastrukturë arsimore të përshtatshme.  Arritja e standardeve arsimore evropiane në shkollën “25 maji” ka tërhequr vëmendjen e nxënësve të rinj, duke rritur numrin e regjistrimeve. Fadili thotë me krenari se “Përqindja e regjistrimit është rritur ndjeshëm pas rinovimit, pasi po aplikojnë dhe banorë nga bashki të tjera”.

Vajzat projektojnë të ardhmen e tyre në TIK

Mundësi të shtuara për të rinjtë në një sektor në rritje: Programi i mbështetur nga BE-ja ndihmon nisjen e karrierave të Kosovës në teknologji. Në Kosovë, papunësia e lartë përbën një sfidë të vazhdueshme, por ky realitet prek veçanërisht të rinjtë: thuajse gjysma e të rinjve nën moshën 24 vjeç janë të papunë dhe shumë prej tyre synojnë për mundësi jashtë vendit. Megjithatë, një dizajnuese grafike 20 vjeçe refuzoi t’i nënshtrohej këtij realiteti të zymtë dhe iu fut punës sapo iu dha mundësia. “Punoja në një punë të zakonshme kur më njoftuan nga një shoqëri e re TIK për t’u përfshirë në një projekt afatshkurtër. Kur projekti u realizua me sukses brenda afatit përkatës, u krijua mundësia të punësohesha me kohë të plotë, ku dhe punoj aktualisht”, thotë Arbra Shala, një punonjëse e kënaqur e AmamStudio në Prishtinë.

“Më pëlqen mjedisi krijues, që më mundëson ta ilustroj botën siç e shoh”.

Mentorim profesional i orientuar nga tregu në shkolla Për Arbrën, procesi i përvetësimit të aftësive të reja është përshpejtuar në dy vitet e fundit, gjatë të cilave ajo ka ndjekur universitetin për dizajn grafik dhe njëkohësisht ka punuar për klientët në studio. Vendosmëria e saj u pikas gjatë një programi trajnimi, në të cilin punëdhënësi i saj aktual ishte mentor. Krahas nxënësve të tjerë të shkollës së mesme, Arbra mori pjesë në një trajnim njëmujor të posaçëm rreth aftësive të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), ku përfshihej dizajni grafik, dizajni lëvizës, media sociale dhe multimedia. Shkolla nga e cila vinte ishte një nga dy shkollat e mesme të arsimit dhe formimit profesional të përzgjedhura për të përfituar nga një program i financuar nga BE-ja, që zbatohej nga Innovation Centre Kosovo (ICK). Pas përfundimit të suksesshëm të trajnimit, nxënësit u caktuan të fitonin përvojë pune përmes stazheve, ku një pjesë e madhe e tyre u punësuan më pas në shoqëri të njohura. “Këtu, më pëlqen mjedisi krijues, që më mundëson ta ilustroj botën siç e shoh. Në çdo dizajnim ose ilustrim, gjenden elemente ekzagjerimi që më karakterizojnë”, thotë Arbra për punën e saj. Angazhimi i më shumë grave Në një sektor tradicionalisht mashkullor, rritja e numrit të grave në TIK është e rëndësishme, pasi larmia e fuqisë punëtore është e dobishme për biznesin, por ky sektor ofron edhe shumë mundësi. TIK-u është një nga sektorët më premtues për rritjen ekonomike në Kosovë. Programet e trajnimit të ofruara nga ICK-ja janë shumë të vlefshme dhe të kërkuara, me rezultate mbresëlënëse deri më tani. Gjashtëdhjetë e një vajza nga 205 nxënës gjithsej dhe 30 mësues nga dy shkolla të mesme të arsimit dhe formimit profesional në Prishtinë dhe Prizren morën pjesë në programin e trajnimit. Ky program bëri të mundur punësimin e 51 të rinjve në TIK, një sektor që po shfaqet si një dritë shprese për brezat e rinj, për të shpalosur potencialin e tyre në vendlindje dhe për të kontribuar drejt një të ardhmeje të ndritur për vendin. Krahas zhvillimit të aftësive, projekti kontribuoi në përmirësimin e ekosistemit të sipërmarrjes, duke mbështetur 70 biznese të reja dhe shoqëri me shërbime konsultimi të posaçme dhe shërbime inkubimi në qendër.

“Besoj vërtet se dizajni grafik mund të jetë profesioni im”.

Rreth projektit Projekti ‘Formimi dhe arsimimi me aftësi TIK për tregun për punësim dhe vetëpunësim në Kosovë’ i zhvilluar nga Innovation Centre Kosovo, u krijua nëpërmjet financimit të IPA-së së BE-së. Synimi i projektit ishte krijimi i vendeve të reja të punës dhe lulëzimi i biznesit në Kosovë përmes zhvillimit të aftësive dhe novacionit, si dhe mbështetjes për sipërmarrësit, bizneset e reja dhe ato ekzistuese. Aftësi shumë të kërkuara “Ky program ka pasur një ndikim të madh, pasi këto aftësi janë shumë të kërkuara”, thotë Dorina Grezda nga ICK-ja. “U kemi bërë të mundur të rinjve të përvetësojnë aftësitë e nevojshme dhe t’i përdorin ato në praktikë gjatë stazheve. Si rrjedhojë, gjasat e tyre të punësimit dhe vetëpunësimit janë rritur dhe të rinjve u është dhënë mundësia ta konsiderojnë TIK-un si karrierë të mundshme”. Kombinimi i aftësive ka rezultuar i suksesshëm për krijimin e mundësive për të rinjtë, që janë duke përcaktuar drejtimin e karrierës së tyre. I tillë është dhe rasti i Arbrës, së cilës trajnimi i dha mundësinë të zbulonte se dizajni grafik është ajo çka di të bëjë më mirë. Ajo synon të përmirësojë themelet krijuese aktuale dhe të konsolidojë profesionin e saj si dizajnuese grafike profesioniste. “Besoj vërtet se dizajni grafik mund të jetë profesioni im”, thotë ajo me vetëbesim.

Shkollat Serbe përgatiten për epokën digjitale

Shkollat në Serbi kalojnë në arsimin digjital me mbështetjen e Bankës Evropiane të Investimeve. Mbylljet e shkollave dhe universiteteve për shkak të koronavirusit kanë prekur mbi 90% të popullatës botërore të studentëve dhe nxënësve në 194 vende. Qeverive u është dashur të reagojnë me shpejtësi dhe të organizojnë mësimin në distancë; një pjesë e madhe kanë zbatuar edhe programe të mësimit online. Kështu, kriza ka vënë në dukje ndarjen digjitale, si ndërmjet vendeve, dhe brenda tyre, si dhe nevojën botërore për transformimin digjital të infrastrukturës së arsimit. Banka Evropiane e Investimeve (EIB) ka mbështetur zellshëm Serbinë në këtë drejtim dhe ndihma e Bankës do të thotë se të gjitha shkollat në Serbi do të jenë digjitale deri në fund të vitit 2021.

“Një infrastrukturë digjitale më e mirë përmirëson efektshmërinë e shkollës në rast emergjencash”. 

Një projekt që përmbush nevojat në kohë  Kur Serbia u karantinua në mars të vitit 2020, mësimi u zhvendos nga klasa në televizion. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik filloi transmetimin e përmbajtjes arsimore për nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme në kanalet e televizioneve publike kombëtare të Serbisë. Sikurse shumë vendeve të tjera, Serbisë iu desh të gjente një zgjidhje të shpejtë dhe të përshtatej me këtë “normalitet të ri” duke krijuar përmbajtje të specializuara për një sërë klasash. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, Serbia kishte qenë duke përgatitur përmbajtjen e arsimit digjital, pasi Ministria e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik filluan zbatimin e projektit “Shkolla të Lidhura” në vitin 2019, me kosto të përgjithshme të parashikuar 111 milionë Euro. Përpara këtij projekti, në Serbi ishin 2,000 klasa të pajisura me infrastrukturë digjitale, por, në vitin 2019, ky numër shkoi në mbi 10,000. Sipas Eurostat-it, niveli i aftësive digjitale individuale në Serbi u rrit nga 32% në vitin 2015, në 46% në vitin 2019.

“Deri në fund të vitit tjetër, më shumë se 1,800 shkolla të mëdha do të mbulohen plotësisht me akses në internet wireless me shpejtësi të lartë.”

Dy fjalë rreth EIB-së Banka Evropiane e Investimeve është huadhënësja kryesore e Bashkimit Evropian. EIB-ja është institucioni financiar shumëpalësh më i madh në botë dhe një nga ofruesit më të mëdhenj për financimin e klimës, duke investuar për një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë. Në nëntor të vitit të kaluar, EIB-ja ra dakord ta mbështesë këtë projekt me një hua prej 65 milionë Eurosh. Projekti është duke modernizuar shkollat fillore dhe të mesme në Serbi me pajisje të reja dhe lidhje digjitale. Në këtë mënyrë, investimi i EIB-së do të mbështesë strategjinë kombëtare të arsimit të Serbisë dhe do të kontribuojë për rritjen ekonomike dhe të prodhimtarisë, punësimin e të rinjve dhe zhvillimin e kapacitetit të vendit për novacion. “Pandemia e COVID-19-ës dhe kufizimet sociale shkaktuan ndërprerje të theksuar të sistemeve dhe proceseve arsimore. Këto rrethana të paprecedenta treguan se një infrastrukturë digjitale më e mirë përmirëson efektshmërinë e shkollës në raste emergjence”, tha Isabelle Stoffel, Përgjegjësja e Lartë e Huave e EIB-së, e cila punoi për marrëveshjen. Milan Dobrijević drejton departamentin e axhendës digjitale në Ministrinë serbe të Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit dhe ka punuar në këtë projekt që prej fillimit të tij. “Deri në përfundim të vitit tjetër, më shumë se 1,800 shkolla të mëdha do të mbulohen plotësisht me akses në internet wireless me shpejtësi të lartë, ndërsa shkollat e tjera të largëta do të lidhen nëpërmjet njësive mobile broadband”, tha ai. Krahas infrastrukturës digjitale, projekti po investon për trajnimin e mësuesve në nivel kombëtar. Gjithsej, rreth 50,000 mësues nga i gjithë vendi do të përmirësojnë aftësitë e tyre digjitale nëpërmjet këtij trajnimi. Duke nisur nga ky vit shkollor, shkenca kompjuterike do të jetë lëndë e detyrueshme për nxënësit e klasës së parë, ndërsa lënda e programimit do të përfshihet në klasën e tretë. 

Gjeni punën e ëndrrave në Cloud

Modeli i ri i trajnimit digjital adreson mospërputhjen e aftësive dhe papunësinë tek të rinjtë. Përqindja e papunësisë tek të rinjtë në Ballkanin Perëndimor është ndër më të lartat në Evropë, nga 28.3% në Shqipëri në 55.4% në Kosovë (Eurostat 2018). Megjithatë, nga ana tjetër shumë vende pune mbeten bosh. Një zgjidhje parashikon aftësimin e të rinjve përmes kurseve të trajnimit, që përqendrohen tek aftësitë specifike të kërkuara. Këtë qasje ndoqi organizata rinore serbe, “RES POLIS” (Qendra për të Rinjtë dhe Zhvillimin Social), e specializuar në hapjen e mundësive të arsimit joformal për të fuqizuar të rinjtë.   “Në Serbi po përballeshim me një paradoks.” – shpjegon Boris Negeli nga RES POLIS. “Nga njëra anë kishim përqindje të lartë papunësie, ndërsa nga ana tjetër, në sektorin e TI-së mungonin punonjës me aftësitë e duhura. Zgjidhja ishte e thjeshtë për ne: programet arsimore të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, përgjegjës për trajnimin e personave të papunësuar, duhet të përfshinin trajnimin në TIK.”Kjo ishte ajo që e frymëzoi nismën “Ideo Punën Tënde”, nga RES POLIS në vitin 2009. Objektivi ishte zhvillimi dhe testimi i programeve arsimore në TIK, në fushat ku mungojnë punonjës me aftësitë e duhura. Që prej asaj kohe, “Ideo Punën Tënde” është rritur ditë pas dite. Kjo nismë mbështetet nga programi ERASMUS+ i Bashkimit Evropian, që promovon bashkëpunimin në arsimin, trajnimin dhe punën e të rinjve, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Projekti përfshin organizata partnere nga Franca, Italia, Shqipëria dhe Qiproja, të cilat sjellin ekspertizë të shumëllojshme. Duke qenë se shumë vende në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë përballen me sfida të ngjashme, ndarja e përvojave është jetike. Janë zhvilluar kurse trajnimi në fusha të shumëllojshme, si: dizenjimi grafik, dizenjimi i faqeve të internetit, programimi, modelimi 3D, dhe animimi i lojërave. Në këto kurse pranohen personat e grupmoshës 18 – 30 vjeç, në veçanti të rinjtë nga grupe të pafavorizuara. Kandidatët e suksesshëm i kryejnë trajnimet në një prej vendeve partnere në mënyrë që të përftojnë përvojë ndërkombëtare.

“Nga njëra anë kishim përqindje të lartë papunësie, ndërsa nga ana tjetër, në sektorin e TI-së mungonin punonjës me aftësitë e duhura. Zgjidhja ishte e thjeshtë për ne: programet arsimore të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, përgjegjës për trajnimin e personave të papunësuar, duhet të përfshinin trajnimin në TIK.”

Thyerja e rrethit vicioz Eriseldi, një 26-vjeçar nga Shqipëria, është një nga të rinjtë që kanë aplikuar për një kurs trajnimi. “Ndonëse jam diplomuar në Teknologji Informacioni, në vend që të ushtroja profesionin tim, më është dashur të punoj në fabrikë.” – shprehet ai. Eriseldi shpjegon se kurrikula universitare përfshinte shumë teori, por nuk i ofronte mjaftueshëm aftësi praktike.

“Synimet e mia profesionale ndryshuan pasi dëgjova për “Ideo Punën Tënde”. Ishte pikërisht ajo që kërkoja.”

Motivim për të ardhmen Me kërkesat në rritje, RES POLIS gjithnjë shikon drejt së ardhmes. Programet vlerësohen rregullisht për të garantuar se adresojnë sfidat e sektorit të TIK-ut në planin afatgjatë. Qëllimi përfundimtar është që programet arsimore të TIK-ut të bëhen pjesë e portofolit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit për trajnimin e personave të papunësuar. Kjo gjë e futi Eriseldin në një rreth vicioz, ku i duhej përvojë për të filluar karrierën e tij, por nuk kishte asnjë mënyrë për të përftuar përvojë pa u punësuar fillimisht. “Megjithatë, synimet e mia profesionale ndryshuan pasi dëgjova për “Ideo Punën Tënde”. Ishte pikërisht ajo që kërkoja.” – shprehet Eriseldi. Eriseldi ndoqi trajnimin 10-ditor, pjesë e nismës “Ideo Punën Tënde” në Serbi dhe në Itali, që e pajisi me aftësi dhe pikëpamje të reja të nivelit ndërkombëtar. Shumë shpejt, ai mori një ofertë pune nga InTech, një kompani TI-je me seli në Tiranë, ku realizoi trajnimin praktik gjatë projektit. Pasi përvetësoi përvojën e punës, Eriseldi vendosi të ushtronte profesionin e tij në mënyrë të pavarur duke ofruar shërbime TI-je për klientë vendas dhe ndërkombëtarë. Planet e tij për të ardhmen përfshijnë ngritjen e një biznesi, ku do të punësojë edhe persona të tjerë.