Skip to main content

Area of Cooperation: Education and training

EDUINO: Si lindi Biblioteka më e madhe e Arsimit Digjital në Maqedoninë e Veriut

Nga zgjidhja afatshkurtër te Burimi Kombëtar: Rrugëtimi i EDUINO-s në Edukimin Digjital

Në fillimin e pandemisë COVID-19, kur shkollat u mbyllën dhe mësimi në distancë u bë i domosdoshëm, u bë e qartë se Maqedonia e Veriut nuk ishte e pajisur mirë për të përballuar kalimin nga arsimi tradicional në mësimin digjital në distancë. Nuk kishte burime të mjaftueshme digjitale për ta mbështetur këtë dhe mësuesit në përgjithësi ishin të papërgatitur për arsimin digjital. Ashtu si dhe në pjesët e tjera të rajonit, autoritetet u përballën me vështirësi për të përballuar sfidën dhe patën nevojë për ndihmë.

Organizata joqeveritare SmartUp – Social Innovation Lab, së bashku me UNICEF-in, BDE-n dhe ministritë kyç të arsimit në vend, kanë punuar për 3-4 vitet e fundit para pandemisë për të mbështetur inovacionin dhe bashkë-krijimin brenda sektorit të arsimit. Ata kishin arritur të trajnonin një grup bindës bashkëpunëtorësh dhe kishin zhvilluar disa platforma fillestare, të cilat mund t’i ristrukturonin me shpejtësi për të trajtuar këto sfida. Ata e pranuan sfidën dhe filluan të krijojnë atë që tani njihet si biblioteka më e madhe e arsimit digjital në Maqedoninë e Veriut.

“Ne në fillim prisnim të merrnim ndoshta 100 deri në 200 video mësimesh. Megjithatë, në dy ose tre ditët e para, ne kishim mbi 600 video mësimesh të dorëzuara nga mësuesit në mbarë vendin. Ishte emocionuese.”

Aleksander Lazovski, bashkëthemeluesi i SmartUp-it, ka zbuluar se organizata ka shpallur menjëherë një thirrje për mësuesit që të dorëzojnë video të shkurtra mësimesh për platformën EDUINO-s, pasi ata morën përsipër detyrën për të ofruar burime digjitale për të mbështetur mësimin në distancë në Maqedoninë e Veriut. “Ne në fillim prisnim të merrnim ndoshta 100 deri në 200 video mësimesh. Megjithatë, në dy ose tre ditët e para, ne kishim mbi 600 video mësimesh të dorëzuara nga mësuesit në mbarë vendin. Ishte emocionuese,“ u shpreh Aleksandar.

Ky sukses fillestar i bëri themeluesit të shohin potencialin e EDUINO-s si një zgjidhje kombëtare afatgjatë për arsimin digjital në Maqedoninë e Veriut. Platforma u zhvendos drejt këtij qëllimi pas periudhës së krizës, duke u kthyer në atë që themeluesit e quajnë “Portali kolektiv për zgjidhje arsimore digjitale.“ Platforma është ndërtuar mbi idenë e bashkë-krijimit dhe veprimit në komunitet, duke ofruar burime për mësuesit, prindërit dhe nxënësit në arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm.

Tani EDUINO përfshin tre seksione kryesore: EDUINO Schooling, EDUINO ECD, dhe EDUINO Laboratory. EDUINO Schooling përmban një bibliotekë video mësimesh, video udhëzuese mbi aftësitë digjitale të shekullit 21-të për edukatorët, lojëra digjitale dhe burime mësimore. EDUINO ECD ofron aktivitete të bazuara në lojëra dhe mundësi për zhvillimin profesional. Së fundi, EDUINO Laboratory është një laborator shkencor virtual 2D që ofron mësime eksperimentale rreth koncepteve shkencore dhe ndryshimeve klimatike.

“Këto seri webinar-esh të financuara nga BE-ja kanë mbështetur drejtpërdrejt zhvillimin profesional të të paktën 5000 arsimtarëvenë Maqedoninë e Veriut.”

Rreth projektit

EDUINO, platforma e Maqedonisë së Veriut për mësim digjital, nxiti një bashkësi praktikash dhe grumbulloi me sukses një sasi të madhe përmbajtjesh edukative nga mësues dhe arsimtarë anembanë vendit brenda disa javësh nga fillimi i pandemisë COVID-19.

Projekti ka arritur sukses të konsiderueshëm për sa i përket numrave dhe rezultateve. Disa arritje të dukshme përfshijnë krijimin e mbi 4500 video mësimore, të cilat kanë marrë rreth shtatë milionë shikime, si dhe zhvillimin e rreth 800 aktiviteteve të bazuara në lojëra që synojnë të ndihmojnë fëmijët e moshës 3-10 vjeç të mësojnë koncepte komplekse edukative duke përmirësuar aftësitë e tyre socio-emocionale. Projekti ka tërhequr gjithashtu mbi 25.000 anëtarë të regjistruar të komunitetit EDUINO.

Bashkimi Evropian ka njohur ndikimin dhe potencialin e EDUINO-s dhe ka mbështetur projektin duke u bërë partner. BE-ja ka financuar seritë e EDUINO Webinar, e cila ofron ngjarje interaktive për pjesëmarrësit që ndjekin leksione 60-90 minuta mbi tema novatore dhe të avancuara në fushën e arsimit përmes shembujve të praktikave të mira dhe këshillave nga praktikuesit ose ekspertët. Sipas Aleksandrit, seritë e EDUINO Webinar kanë qenë një sukses i madh, me 42 webinarë të zhvilluar gjithsej deri më tani dhe mesatarisht 1800 pjesëmarrës për çdo ngjarje. “Këto seri webinarësh të financuar nga BE-ja kanë mbështetur drejtpërdrejt zhvillimin profesional të të paktën 5000 arsimtarëve në Maqedoninë e Veriut”, shton ai.

Webinarët janë krijuar në mënyrë të tillë që t’i mundësojnë pjesëmarrësve të bëjnë pyetje dhe të konsultohen me ligjëruesit në lidhje me forma, metoda, teknika dhe instrumente të ndryshme për zbatimin e procesit të të nxënit dhe mësimdhënies në mësimdhënien moderne. Sot, seritë e EDUINO Webinar janë një nga burimet më të njohura online për përvetësimin e aftësive në fushën e arsimit dhe sipas statistikave të SmartUp-it, webinarët online më të shikuar në vend.

 

Godina e Fakultetit të Shkencave Organizative në Universitetin e Beogradit bëhet me një krah të ri modern

Kapërcimi i sfidave dhe përqafimi i së ardhmes me anë të strukturës së re dhe moderne dhe kurseve të akredituara në TI dhe IA.

Fakulteti i Shkencave Organizative në Universitetin e Beogradit u themelua 53 vite më parë në vitin 1969. Fakulteti u themelua fillimisht për t’u ofruar arsim punonjësve që ishin të punësuar në sektorin e ekonomisë në institucione të ndryshme shtetërore dhe ndërmarrje të cilët nuk zotëronin një diplomë të arsimit të lartë. Me kalimin e kohës, fakulteti u shqua dhe u bë një nga fakultetet më të njohur në Beograd. Në fakultet pranohen afërsisht 900 studentë të rinj çdo vit, por vitin e kaluar pati mbi 2000 aplikime për regjistrim, që është pothuajse dyfishi i kapaciteteve në dispozicion për studentët. Pavarësisht suksesit të tij, fakulteti ka hasur sfida të konsiderueshme gjatë viteve, ku më e ngutshme ishte mungesa e hapësirës fizike. Deri në vitin 1982 fakulteti ndodhej në periferi të Beogradit dhe më pas u zhvendos në një vendndodhje të re në qendër, e cila kishte qenë më parë një shkollë fillore.

‘’Ne kishim në dispozicion vetëm 900 metra katrorë, që është një hapësirë e vogël edhe për një shkollë fillore, jo më për një fakultet. Ne kishim vetëm 5 klasa, asnjë amfiteatër dhe asnjë kabinet studimi profesional.’’

Profesori Aleksandar Markovic nga fakulteti shpjegon se puna në këtë hapësirë të kufizuar ishte shumë sfiduese. ‘’Ne kishim në dispozicion vetëm 900 metra katrorë, që është një hapësirë e vogël edhe për një shkollë fillore, jo më për një fakultet. Ne kishim vetëm 5 klasa, asnjë amfiteatër dhe asnjë kabinet studimi profesional,’’ deklaron Profesori Markovic. Gjatë vitit, fakulteti zgjeroi hapësirën e punës duke i shtuar një kat më shumë godinës ekzistuese, si dhe një amfiteatër nëntokësor dhe një aneks, duke e çuar hapësirën totale në mbi 5000 metra katrorë, që ishte një përmirësim i konsiderueshëm, por akoma i pamjaftueshëm. Fakulteti duhej të zgjeronte më tej kapacitetet e tij ekzistuese, të prezantonte kurrikula të përditësuara dhe të ofronte kushte më të mira për 6,000 studentët dhe 270 punonjësit e tij.

 Situata ndryshoi në mënyrë drastike për më mirë në prill të vitit të kaluar, kur godina e fakultetit u bë me një krah të ri modern me një sipërfaqe prej 6,056 metra katrorë. Kjo shënoi një hap kuptimplotë në modernizmin e arsimit në Serbi. Investimi total prej 9.3 milionë euro u financua nga qeveria dhe European Investment Bank (EIB), e cila ka qenë një partner afatgjatë në sektorët e arsimit, kërkimit dhe zhvillimit të Serbisë. Struktura e re përfshin dy auditorë me 200 vende, një sallë leximi me një bibliotekë, një laborator, sallën e TI-së, dhe klasa shumëfunksionale, të gjitha të pajisura me kompjuterë dhe tabela të bardha ndërvepruese. Falë këtyre përmirësimeve, fakulteti do të jetë në gjendje të rrisë numrin vjetor të studentëve me 25-30%.

‘’Me më shumë se 11,000 metra katrorë hapësirë, ne tani kemi mjaftueshëm hapësirë për të kryer aktivitetet tona mësimore dhe kërkimore në mënyrën më të mirë të mundshme. Falë kësaj, ne tani mund të planifikojmë orë të reja mësimore dhe mund të zgjerojmë më tej dhe të sjellim risi në kurrikulat tona me ndihmën e mjeteve dhe pajisjeve të reja.”

Rreth projektit

The European Investment Bank (EIB) është krahu huadhënës i Bashkimit Evropian. Si institucioni shumëpalësh më i madh në botë, EIB ka qenë aktive në Serbi që nga viti 1977, duke ofruar financim për të mbështetur projekte kyç të infrastrukturës, NVM-të, industritë, shërbimet dhe autoritetet vendore, duke ofruar një total prej 7.2 miliardë euro investime deri sot.

Profesori Markovic shpjegon se struktura e re i ka mundësuar fakultetit të miratojë një strategji të re zhvillimi dhe një vizion të përmirësuar për të ardhmen. ‘’Me mbi 11, 000 metra katrorë hapësirë, ne tani kemi më shumë se një sallë për të kryer aktivitetet tona mësimore dhe kërkimore në mënyrën më të mirë të mundshme. Falë kësaj, ne tani mund të planifikojmë orë të reja mësimore dhe mund të zgjerojmë më tej dhe të sjellim risi në kurrikulat tona me ndihmën e mjeteve dhe pajisjeve të reja,’’ deklaron Profesori Markovic.

Së fundmi fakulteti ka marrë akreditim nga ministria për kurse të reja, duke përfshirë inxhinierinë e informacionit dhe softuerit, si dhe inteligjencën artificiale. Ky është një zhvillim i rëndësishëm që do të kontribuojë në rritjen e sektorit të novacionit të TI-së në Serbi. Për më tepër, fakulteti ka arritur një sukses të madh duke fituar çmimin e parë në konkursin prestigjioz ndërkombëtar CBS Global Case Competition 2022, duke tejkaluar 300 ekipe studentore nga universitetet në mbarë botën.

BE-ja dhe Gjermania mbështetin tranzicionin digjital dhe kontribuojnë për krijimin e vendeve të punës në sektorin TI të Kosovës

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe Drejtoresha e Bashkëpunimit për Zhvillim në ambasadën gjermane, Vera Baumann, inauguruan Akademinë Innovemia të Inovacionit, më 14 Shkurt, në Prishtinë.

 

Akademia, në bashkëpunim me kompaninë e medias digjitale, MetDaan, dhe „Innovation and Training Park“, do t’u ofrojnë trajnime dhe ritrajnime për sipërmarrjen digjitale dhe teknike, median sociale dhe editimin e videove, punonjësve ekzistues ose personave të rinj që kërkojnë të punojnë në sektorin e TI-së, duke mbështetur, në veçanti, tranzicionin digjital të ndërmarrjeve të vogla dhe mikro.

 

Me financim 150.000 Euronga BE-ja dhe Gjermania, akademia do t’u ofrojë kurse trajnimi të paktën 210 personave të rinj, nën moshën 35-vjeçare, duke nxitur gjatë gjithë kohës pjesëmarrjen e grave.

 

“Krijimi i kësaj akademie është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të aftësive digjitale në Kosovë. Ajo do t’i ndihmojë të rinjtë që ta rritin mundësinë e tyre për t’u punësuar. Me tranzicionin digjital të ndërmarrjeve të vogla dhe mikro, akademia do të kontribuojë që ekonomia e Kosovës të jetë më konkurruese në përgjithësi,” tha Ambasadori Szunyog.

BE-ja dhe Gjermania janë ndër mbështetësit më në zë të tranzicionit digjital në Kosovë.

EU4Schools risjell shpresën në Shqipëri

Një program i financuar nga BE-ja ndihmon në rinovimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.

Mëngjesi i 26 nëntorit 2019 e gjeti Shqipërinë në agoni, pas një tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës Richter. Ky tërmet vrau 51 njerëz dhe mijëra pasgoditjet e tij dëmtuan shtëpi, institucione arsimore, si dhe godina publike dhe private. Ai i la qytetet e paralizuara dhe komunitetet e pashpresa. Rrënoi mjediset arsimore, duke lënë mijëra fëmijë të traumatizuar dhe të pasigurt për arsimimin e tyre në të ardhmen.

Por kishte ende një rreze shprese. Më 17 shkurt 2020, Bashkimi Evropian organizoi Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve, me titull “Bashkë për Shqipërinë”, në Bruksel, me anë të së cilës synoheshin përpjekjet për rindërtim pas tërmetit. Bashkimi Evropian, Qeveria e Shqipërisë, Organizata e Kombeve të Bashkuara, dhe Banka Botërore zhvilluan një vlerësim nevojash pas fatkeqësisë, si një instrument udhëzues për konferencën dhe një bazë për rindërtimin dhe riparimin. Komisioni Evropian premtoi 115 milionë euro nga buxheti i BE-së për të rindërtuar dhe për të riparuar me shpejtësi godinat më të rëndësishme publike.

“Kërkesa për mbështetje ishte e lartë, pasi shkollat dhe kopshtet ishin shkatërruar, duke i lënë nxënësit dhe fëmijët pa mjedise të përshtatshme të nxëni. Disa nga këto institucione arsimore kishin qenë kaherë në kushte të vështira, dhe tërmeti thjesht e përkeqësoi situatën.”

Nisma #EU4Schools, me vlerën 75 milionë euro, u prezantua shumë shpejt, duke iu sjellë shpresë nxënësve dhe mësuesve në 11 bashkitë më të prekura. Nora Kushti është specialiste komunikimi pranë UNDP në Shqipëri, dhe shprehet: “Kërkesa për mbështetje ishte e lartë, pasi shkollat dhe kopshtet ishin shkatërruar, duke i lënë nxënësit dhe fëmijët pa mjedise të përshtatshme të nxëni. Disa nga këto institucione arsimore kishin qenë kaherë në kushte të vështira, dhe tërmeti thjesht e përkeqësoi situatën.”

Gjatë procesit të rindërtimit, UNDP-ja ndërthuri dy parime kyç: #RindërtojmëMëMirë dhe #RindërtojmëSëBashku. “Rindërtojmë më mirë” nënkupton krijimin e strukturave më të forta, që mund t’iu bëjnë ballë tërmeteve dhe fatkeqësive natyrore, duke përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë. 63 institucionet arsimore, që iu ofrojnë shërbime 24,000 nxënësve dhe mësuesve, do të jenë plotësisht të aksesueshme për nxënësit me aftësi të kufizuara dhe do të kenë hapësira të dedikuara për kujdes mjekësor dhe mbështetje psikologjike.

Nga ana tjetër, “Rindërtojmë së bashku” ka ofruar një mundësi unike për të përfshirë përfituesit në rindërtimin e institucioneve arsimore dhe personalizimin e projektit sipas nevojave të tyre. Janë zhvilluar 58 takime konsultuese dhe janë organizuar 16 aktivitete të tjera, që kanë bërë bashkë rreth 1,900 nxënës, prindër, përfaqësues të qeverisë vendore dhe institucioneve vendore, duke promovuar përkatësinë dhe duke siguruar qëndrueshmërinë e investimeve.

“Shkollat e reja janë fantastike dhe përfshijnë mjediset ultra-moderne, si: palestra, biblioteka bashkëkohore, laboratorë modernë, sisteme ngrohjeje dhe ftohjeje me eficiencë energjetike, si dhe aksesueshmëri të plotë për nxënësit me aftësi të kufizuara, duke përfshirë ashensorë dhe dalje emergjence: këto shkolla janë vërtet të shkëlqyera.”

Lidhur me projektin

“EU4Schools” është një program i financuar nga Bashkimi Evropian në përgjigje të tërmetit të 26 nëntorit 2019. Programi zbatohet nga UNDP-ja në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Synon të mbështetë qytetarët në njëmbëdhjetë bashkitë e prekura: Durrës, Kamëz, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Rrogozhinë, Shijak, Tiranë, dhe Vorë. Programi është pjesë e angazhimit financiar të Bashkimit Evropian gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve, organizuar në Bruksel, më 17 shkurt 2020. Objektivi i përgjithshëm i kësaj nisme është mbështetja e mëtejshme e qeverive vendore dhe kombëtare në zvogëlimin e humbjeve sociale dhe ekonomike, si dhe përshpejtimi i procesit të rimëkëmbjes përmes riparimit dhe rindërtimit të institucioneve arsimore.

Deri tani kanë përfunduar 38 shkolla, ndaj rreth 10,000 fëmijë mësojnë në mjedise moderne, njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. “Shkollat e reja janë fantastike dhe përfshijnë mjediset ultra-moderne, si: palestra, biblioteka bashkëkohore, laboratorë modernë, sisteme ngrohjeje dhe ftohjeje me eficiencë energjetike, si dhe aksesueshmëri të plotë për nxënësit me aftësi të kufizuara, duke përfshirë ashensorë dhe dalje emergjence: këto shkolla janë vërtet të shkëlqyera.” – shprehet Nora.

Portali i Transparencës është një aspekt unik i këtij projekti. Ofron përditësime në kohë reale rreth ecurisë së rindërtimit dhe forcon angazhimin e EU4Schools për të dhëna të hapura dhe transparencë. Portali ofron akses të hapur dhe gjithëpërfshirës në procesin e rindërtimit, duke nxitur besimin mes përfituesve dhe publikut.

Projekti ka zhvilluar edhe një fushatë ndërgjegjësimi publik, me titull “E dua shkollën time”. Nëpërmjet kësaj fushate, fëmijët mblidhen dhe diskutojnë tema në lidhje me shkollat e tyre, duke përfshirë barazinë gjinore, mbrojtjen mjedisore, veprimet për klimën, dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE. Është e qartë se projekti ka sjellë një ndjesi shprese në komunitet, pasi shkollat e reja dhe shumëngjyrëshe përbëjnë investime të prekshme në arsim. Sikundër thotë edhe Nora: “Ky është një investim afatgjatë i BE-së në kapitalin social dhe njerëzor, që do të sjellë përfitime të jashtëzakonshme.”

Efekti Maribor: përforcimi i aftësive profesionale jashtë vendit

Projekti Intervet, i financuar nga BE-ja, ndihmon me rritjen dhe krijimin e mundësive për lëvizshmërinë e të mësuarit në Ballkanin Perëndimor

Engjull Miftari është një gjimnazist 17-vjeçar nga Kosova. Ai është në vitin e fundit të shkollës profesionale “7 Shtatori” në Prishtinë. Engjulli thotë se e ka mahnitur biznesi i kateringut që në vegjëli. Ai shpjegon se arsyeja për këtë mund të jetë babai i tij: “Im atë ishte shef në një restorant për më shumë se 17 vite dhe ndonjëherë e shoqëroja për në punë; rashë në dashuri me këtë profesion,” thotë Engjulli. Duke qenë se nuk ishte e mundur të studionte kulinari në shkollë të mesme, zgjodhi të studiojë turizëm të përgjithshëm, duke përfshirë këtu menaxhimin e agjencive të turizmit dhe recepsionit dhe thotë se nuk është penduar për vendimin e tij – madje, edhe po të kishte zgjedhje më të shumta, as tani nuk do të zgjidhte shkollë tjetër profesionale.

“Përvoja e internship-it në Prishtinë ishte shumë e dobishme. Sidoqoftë, kisha ndjesinë se më nevojitej më shumë përvojë dhe larmi pune praktike.”

Engjulli ishte nxënës shumë i mirë, me nota të larta dhe lavdërime nga mësuesit e tij. Si rezultat, u caktua në një internship katër-mujor në Grand Hotel, një hotel historik në qendrën e Prishtinës. “Përvoja e internship-it në Prishtinë ishte shumë e dobishme. Sidoqoftë, kisha ndjesinë se më nevojitej më shumë përvojë dhe larmi pune praktike,” thotë Engjulli. Kjo mundësi erdhi shumë shpejt kur projekti Intervet, i financuar nga BE-ja, u bëri thirrje nxënësve të shkollave të mesme profesionale (VET) nga Kosova për internship-e ndërkombëtare.

Si nxënës i një shkolle VET, Engjulli u informua për këtë mundësi nga mësuesi tij i anglishtes dhe vendosi menjëherë të aplikonte. Ai i përmbushte kriteret sepse ishte nxënës i mirë dhe kishte njohuri të gjuhës angleze dhe u përzgjodh ndër nxënësit e rinj nga Kosova që do t’i bashkoheshin një programi internship-i një-mujor në një hotel malor në Maribor, Slloveni. “Isha shumë i emocionuar,” kujton Engjulli.

“Përvoja ime gjatë internship-it në Maribor ishte e shkëlqyer. Jo vetëm që përmirësova aftësitë e mia profesionale, por u njoha dhe me kulturën dhe zhvillova aftësitë e të folurit.”

Lidhur me projektin

Synimi i projektit Intervet Western Balkans, të financuar nga BE-ja, është të krijojë mundësi për lëvizshmërinë e të mësuarit në qendrat e trajnimit të Ballkanit Perëndimor, ndërkombëtarizimin e VET System-it dhe një kulturë të përmirësuar të lëvizshmërisë së të nxënit në fushën VET. Për t’i arritur këto, projekti po vë në zbatim aktivitete në dy nivele: nga njëra anë, lëvizshmëria e nxënësve VET dhe nga ana tjetër, rritja e kompetencave të stafit VET. Shoqëria e tyre përfshin biznese dhe shoqata arsimore, sipërmarrje të vogla dhe të mesme, qendra VET, dhoma tregtie dhe universitete nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor dhe tetë vende të BE-së, ndërkohë që Prishtina REA është partneri i projektit për shtetin e Kosovës. Pas përfundimit të tij, projekti synon të ketë vënë në zbatim 56 mobilitet PRO-type, të ketë hapur 360 vende të reja pune, 54 përvoja praktike profesionale, pjesëmarrjen e 36 mësuesve VET në shkolla verore – në Amsterdam, Bolonjë, Lion, Maribor dhe Seviljë dhe pjesëmarrjen e 72 mësuesve VET dhe menaxherëve në aktivitetet e mbajtura nga Malta College of Arts, Science & Technology (MCAST), ROC Da Vinci College (Hollandë) dhe SEPR (Francë)

Gjatë internship-it në Maribor, Engjulli i praktikoi aftësitë e tij në pozicione të ndryshme, që nga mbështetja administrative për sektorin e shërbimit të mirëmbajtjes së hotelit e deri te shërbimi i restorantit, recepsioni dhe spa-ja. Përveçse fitoi përvojë profesionale, në kohën e lirë, gjithashtu pati mundësinë të vizitonte qytetin me nxënësit e tjerë dhe të mësonte më shumë për kulturën e tij. Ata vizituan muzeun e qytetit dhe atraksionet kryesore, madje patën mundësinë të vizitonin dhe Lubjanën dhe qytetin e Gracit në Austri, që nuk ndodhet shumë larg nga Maribori.

Në përgjithësi, ishte një përvojë e mrekullueshme e të mësuarit për Engjullin dhe nxënësit e tjerë. “Përvoja ime gjatë internship-it në Marbor ishte e shkëlqyer. Jo vetëm që përmirësova aftësitë e mia profesionale, por gjithashtu mësova për kulturën dhe zhvillova aftësitë e të folurit,” thotë Engjulli.

Arsim gjithëpërfshirës për fëmijët e Shqipërisë

BE-ja mbështet mësuesit parashkollorë shqiptarë me praktikë inovative në klasa

Viola është edukatore për fëmijërinë e hershme. Për shumë vite me radhë, ajo ka menaxhuar klasa me një numër të madh fëmijësh me prejardhje dhe aftësi të ndryshme. Ajo thotë se vështirësitë ishin të mëdha. “Ishte e vështirë për mua që të plotësoja nevojat e shumëllojshme të të gjithë fëmijëve në klasë. E mbështes idenë e gjithëpërfshirjes parashkollore dhe jam në dijeni të përfitimeve që sjell, por më mungonin njohuritë dhe aftësitë për praktikën gjithëpërfshirëse.” Pavarësisht përmirësimeve në sistemin arsimor në Shqipëri, filozofia e gjithëpërfshirjes, veçanërisht në arsimin parashkollor, nuk promovohej sa duhej. Shpesh, mësuesit liheshin të merreshin me fëmijë me një diapazon të gjerë aftësish të të mësuarit pa u ofruar trajnim i mjaftueshëm dhe të izoluar.

“Pati disa ndërhyrje të vogla e të shpërndara nga OJQ-të, por nuk kishte një qasje tërësore për mënyrën e trajtimit të arsimit gjithëpërfshirës në kopshte e çerdhe.”

“Arsimi gjithëpërfshirës është një realitet pothuajse i ri në sistemin arsimor shqiptar, veçanërisht për kopshtet e çerdhet,” thotë Mirlinda Bushati, Specialiste Arsimi në UNICEF Albania. Ajo shpjegon se UNICEF-i ka punuar nga afër me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri për zhvillimin e një strategjie kombëtare arsimi, që përfshin një element të rëndësishëm në arsimin gjithëpërfshirës, si dhe në standardet për mësuesit parashkollorë. Sidoqoftë, pavarësisht punës së palodhur për strategjinë dhe standardet, UNICEF-i vuri re se kishte një zbrazëti të madhe te zbatimi i strategjisë. “Pati disa ndërhyrje të vogla e të shpërndara nga OJQ-të, por nuk kishte një qasje tërësore për mënyrën e trajtimit të arsimit gjithëpërfshirës në kopshte e çerdhe,” thotë Mirlinda.

Mësuesve u nevojiteshin programe praktike për trajnimin e tyre që inkurajonin sjelljet pozitive dhe metodat më të mira për gjithëpërfshirje të suksesshme parashkollore. Nevojiteshin ndërhyrje për të siguruar ritmin e duhur mësimor për ata/ato që përballen me vështirësi më të mëdha gjatë procesit të të nxënit. Me mbështetjen e BE-së, UNICEF-i e ndihmoi Ministrinë e Arsimit dhe Agency for Assuring Quality in Preuniversity Education (AAQPE) në Shqipëri të zhvillonte metodologji të arsimit gjithëpërfshirës për ambientet parashkollore.

UNICEF-i krijoi dhe një manual trajnimi dhe, së bashku me AAQPE-në, u ofroi trajnim për zbatimin praktik të metodologjive 582 mësuesish dhe drejtorësh shkollash. Viola ishte një ndër mësueset që mori pjesë në trajnim. “Instrumentet e reja që u prezantuan në trajnim më ndihmuan të formoj qasje inovative dhe ta përmirësoj mësimdhënien time. Me kalimin e kohës, fillova të përdor stile të reja mësimdhënie që përfshijnë metoda të ndryshme të nxëni. Nëse duam që fëmijët të ndihmojnë njëri-tjetrin – të pranojnë, ndërveprojnë dhe të jenë miqësorë ndaj njëri-tjetrit – duhet që t’ua mësojmë këtë,” thotë ajo.

“Përveç financimit nga BE-ja, fakti që çdo pjesë e kësaj iniciative ishte dhe në përputhje me kriteret e pranimit në BE, e bëri mbështetjen e BE-së edhe më të rëndësishme, për sa i përket bashkëpunimit me qeverinë dhe institucionet.”

Lidhur me projektin

Promovimi i arsimit gjithëpërfshirës është pjesë e programit “Mitigation of the impact of COVID-19 on the lives of children and parents in the Western Balkans and Turkey”, vënë në zbatim nga UNICEF-i dhe financuar nga BE-ja nëpërmjet European Commission’s Directorate-General for Neighbourhood Policy and Enlargement Negotiations (DG NEAR). Nëpërmjet këtij programi me vlerë 5 milionë euro, pritet që 490,000 fëmijë dhe prindër të zonës së programit të kenë akses më të mirë te shërbimet publike që promovojnë zhvillimin e fëmijërisë së hershme, arsimin, shëndetin dhe mbrojtjen, si pjesë e rimëkëmbjes nga COVID-19-a.

Këtë vit, metodologjia për të nxënit parashkollor gjithëpërfshirës u akreditua nga Ministria e Arsimit në Shqipëri. Sipas Mirlindës, ky është një hap i madh përpara: “Kjo nënkupton që tanimë të gjithë mësuesit parashkollorë mund ta përdorin këtë metodologji që siguron arsim gjithëpërfshirës cilësor,” thotë ajo.

Mbështetja e projektit nga Bashkimi Evropian pati domethënie të madhe në këtë kontekst. “Përveç financimit nga BE-ja, fakti që çdo pjesë e kësaj iniciative ishte dhe në përputhje me kriteret e pranimit në BE, e bëri mbështetjen e BE-së edhe më të rëndësishme, për sa i përket bashkëpunimit me qeverinë dhe institucionet,” thotë Mirlinda.

Të kthesh pasionin e fëmijërisë në profesion

Një projekt i financuar nga BE-ja që ndihmon të rinjtë në Kosovë të arrijnë ambiciet e tyre profesionale në sektorin e TIK-ut dhe sektorin digjital.

Detjon Qoqaj është një 21 vjeçar nga Prizreni i Kosovës dhe është një nga shumë të rinjtë që vitet e fundit e kanë konsideruar teknologjinë e informacionit si një sektor tërheqës për jetën e tyre profesionale. Vendimi për të ndërmarrë një udhëtim profesional në TIK nuk ishte një vendim teknik për Dejtonin: ai filloi si një pasion kur ai ishte vetëm 10 vjeç. Aty Dejtoni pati përvojën e tij të parë me kompjuterin që e zotëronte shoku i tij. “Është një fushë ku mund të eksplorosh pafund informacion të ri: ishte dashuri me shikim të parë,” shprehet ai. Përvoja e tij e parë në kompjuter bëri që t’i lutej prindërve që t’i blinin një kompjuter. Ata e bënë këtë dhe si rrjedhojë filloi një udhëtim emocionues për Detjonin.

“Ndonëse universiteti që unë frekuentoj është shumë i përditësuar, ata sërish nuk mund të mbajnë plotësisht ritmin me zhvillimet e shpejta në TIK. Kurset profesionale mbeten gjithmonë një mundësi e mirë për të mbyllur hendekun.”

Detjoni zhvilloi më tej aftësitë e tij në TIK dhe ato digjitale dhe kur erdhi momenti për studimet universitare, ai nuk kishte dyshime për lëndën që do të studionte. Ai i nisi studimet e tij në vitin 2020, po ishte i etur të mësonte më shumë dhe më shpejt. Si rrjedhojë ai filloi të kërkonte mundësi të tjera për të shtuar aftësitë e tij dhe u gjend përballë me një lajmërim për një projekt të financuar nga BE-ja që ofron kurse për aftësitë në TIK për të rinjtë nga Kosova. “Ndonëse universiteti që unë frekuentoj është shumë i përditësuar, ata sërish nuk mund të mbajnë plotësisht ritmin me zhvillimet e shpejta në TIK. Kurset profesionale mbeten gjithmonë një mundësi e mirë për të mbyllur hendekun,” shprehjet Detjoni.

Mbështetja e BE-së për projektin e Konkurrueshmërisë së Sektorit të TIK-ut në Kosovë u përqendrua në ofrimin e trajnimit për TIK-un, aftësitë digjitale dhe menaxhimin e biznesit duke përfshirë zhvillimin e uebit, programimin Java, sigurinë kibernetike, Python, big data, të nxënit e makinerive, menaxhimin e projektit të TI-së dhe aftësitë plotësuese. Për më tepër, projekti ka ofruar kurse trajnuese biznesi për menaxhimin dhe drejtimin në sektorin e TIK-ut. Detjoni mori pjesë në dy nga modulet e kursit: Zhvillimi i Java-ës dhe Android-it dhe zhvillimi i uebit.

“Njohuritë e përfituara nga kursi më kanë ndihmuar shumë. Për shembull, kishte disa pyetje teknike në intervistën time të punës, përgjigjet e të cilave i mësova në kurs, që patën ndikim në suksesin tim në intervistë.“

Lidhur me projektin

Mbështetja e BE-së për Konkurrueshmërinë e sektorit të TIK-ut në Kosovë, i njohur si “TIK-u për përmirësimin e Kosovës synon të përmirësojë konkurrueshmërinë e bizneseve digjitale dhe tradicionale duke mbështetur zgjerimin e sektorit të TIK-ut në Kosovë që çon në krijimin e punëve të reja”, Për më tepër, projekti synon të mbyllë hendekun në aftësitë digjitale të biznesit në mënyrë të qëndrueshme që plotëson nevojat e tregut dhe rrit eksportin e bizneseve të Kosovës në TIK si dhe të ndërtojë konkurrueshmërinë e bizneseve digjitale dhe tradicionale nëpërmjet përdorimit të TIK-ut.

Gjithashtu, projekti menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga WeGlobal në partneritet me European Projects Management Ltd dhe Prishtina REA. Ai do të zgjasë për 42 muaj, nga janari 2020 deri në korrik 2023.

Si rezultat i kësaj pune të rëndësishme, njohuritë e marra nga studimet e tij universitare dhe veçanërisht njohuritë e marra nga kurset e financuara nga projekti i BE-së, Detjoni fitoi një punë në Bottomline Technologies, një kompani që operon në më shumë se 90 vende në të gjithë botën. “Njohuritë e përfituara nga kursi më kanë ndihmuar shumë. Për shembull, kishte disa pyetje teknike në intervistën time të punë, përgjigjet e të cilave i mësova në kurs, që patën ndikim në suksesin tim në intervistë,“ shprehet ai.

Detjoni ka ambicie të mëdha për të ardhmen e tij në sektorin e TIK-ut dhe sektorin digjital. “Në të ardhmen e shoh veten si pronar të një produkti ose drejtorin ekzekutiv të një kompanie të rëndësishme TIK-u që punëson dhe krijon perspektiva pozitive për të rinjtë e tjerë,” shprehet ai.

Ushqim i shëndetshëm dhe me çmim të përballueshëm për të rinjtë

Një projekt i BE-së mbështet shkollat e mesme profesionale që të prodhojnë ushqim të shëndetshëm dhe pa alergjenë.

Obeziteti është një fenomen që po shtohet gjithmonë e më shumë te rinia e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë. Sipas artikujve shkencorë, të publikuara në të dyja vendet, gati 15% e të rinjve vuajnë nga obeziteti dhe mbi 35% e tyre ndodhen në një gjendje ‘para-obeziteti’. Nga ana tjetër, deri në 10% e popullsisë nuk toleron ushqime të caktuara dhe shfaq reaksione alergjike që dëmtojnë shëndetin. Studimi shkencor doli në përfundimin se shkaku kryesor i këtyre të fundit është konsumi në rritje i ushqimeve të yndyrshme, prandaj anëtarët e organizatës jo-qeveritare Limitless Association nga Serbia kanë marrë përsipër të kontribuojnë për përmirësimin e kësaj situate.

Së bashku me dy shkolla të mesme profesionale të qyteteve ndërkufitare të Rumës në Serbi dhe Zvornikut në Bosnjë dhe Hercegovinë, Limitless Association ka nisur një projekt që synon nxitjen e punësimit të të rinjve në zonën ndërkufitare, duke ofruar produkte të reja ushqimore. Krahas punësimit, projekti gjithashtu synon të krijojë një shumëllojshmëri ushqimesh të shëndetshme dhe të sigurta për të rinjtë dhe grupet vulnerabël, me çmime të përballueshme dhe brenda mundësive të tyre.

“Fatkeqësisht, në zonën ndërkufitare, ushqimi i shëndetshëm dhe pa alergjenë thuajse nuk ekziston, kështu që na u desh të merrnim masa.”

Aventura të reja, plot me vlera ushqyese

Jovan Jovanović-i është menaxheri i projektit te Limitless Association. Ai shpjegon se patën idenë të kombinonin objektivin e rritjes së punësimit për të rinjtë e rajonit ndërkufitar me misionin për të ofruar ushqim të shëndetshëm për rininë, veçanërisht për të rinjtë e grupeve vulnerabël që përballen me sfida financiare. “Fatkeqësisht, në zonën ndërkufitare, ushqimi i shëndetshëm dhe pa alergjenë thuajse nuk ekziston, kështu që na u desh të merrnim masa.”

Shkolla e Mesme Profesionale “Branko Radičević” nga Ruma dhe Shkolla e Mesme Profesionale “Petar Kočić” nga Zvorniku janë të dyja pjesë e projektit dhe ofrojnë trajnime kateringu, si dhe një përvojë të fituar prej dekadash në punën me të rinjtë. Pavarësisht kësaj, u mungojnë pajisjet dhe ekspertiza më e fundit për t’u mësuar nxënësve si të përgatisin ushqim të shëndetshëm. Fillimisht, projekti i ndihmoi të rinovonin kuzhinat e tyre, duke i pajisur me aparatura bashkëkohore. Më pas, projekti nisi dy programe trajnimi dhe ndihme profesionale rreth ushqyerjes së shëndetshme dhe ushqimeve pa alergjenë, si për mësuesit, ashtu dhe për nxënësit.

Ushqimi i shëndetshëm, i prodhuar në shkolla nga nxënësit, do të ofrohet në restorantet e shkollave me çmime të përballueshme. Jovani shpjegon se këto restorante do të regjistrohen si ndërmarrje sociale, gjë që do të sigurojë edhe qëndrueshmërinë e tyre. Restorantet do të jenë jofitimprurëse, por, me të ardhurat që do të nxjerrin, do të jenë në gjendje të blejnë lëndë të para cilësore për përgatitjen e ushqimit. Njëkohësisht, nxënësit do të fitojnë mjaft përvojë, kështu që, kur të diplomohen, do të jenë të përgatitur për tregun e punës.

“Mbështetja nga BE-ja ishte thelbësore për marrjen përsipër të këtij projekti, duke qenë se asnjëra prej shkollave apo qeverive vendore nuk do të kishte arritur ta vinte atë në zbatim me mënyra të tjera.”

Lidhur me projektin

“Healthy and safe gastronomic products as potential for new employment”, e financuar nga BE-ja, është mbështetur si pjesë e Cross-border Programme Serbia – Bosnia and Herzegovina 2014- 2020, për alokimet e Instrument for Pre-accession Assistance (IPA II), për vitet 2016, 2017 dhe 2018. Projekti filloi në maj 2022 dhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2022.

Limitless Association ka vënë re mungesën e ushqimit organik, të shëndetshëm dhe pa alergjenë në shkollat në rajonin ndërkufitar, prandaj projekti do të marrë përsipër edhe aktivitete që promovojnë njohuritë specifike të të diplomuarve nga këto shkolla në tregun e punës. Projekti do të nxjerrë një portal uebi të tregut për hotelierët, që do t’u mundësojë punonjësve të lidhen drejtpërdrejt me nxënës të kualifikuar, ekspertiza e të cilëve do të garantohet nga shkolla.

Ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian me mbi 250,000 euro. Jovani shpjegon se asgjë prej këtyre nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e BE-së. “Mbështetja nga BE-ja ishte thelbësore për marrjen përsipër të këtij projekti, duke qenë se asnjëra prej shkollave apo qeverive vendore nuk do të kishte arritur ta vinte atë në zbatim me mënyra të tjera,” thotë ai. Ai shpreson se aktivitetet e marra përsipër si pjesë e projektit do të shërbejnë si shembull për shkollat në qytetet e tjera të Serbisë dhe se qeveria do t’i përdorë këto shembuj për ta shumëfishuar këtë projekt.

Sipërmarrësit e rinj në lulëzim zhvillojnë aftësi përtej kufijve

Gjimnazistët e zonës së kufirit ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut rrisin mundësitë për karrierë me përkrahjen e BE-së.

Marina Djorić sapo është diplomuar në shkollën e mesme të ekonomisë dhe tregtisë në Vranjë, Serbi. Ndër opsionet e shumta të studimit, ajo zgjodhi turizmin. “Që nga viti i parë e në vazhdim, kuptova se ky ishte profesioni i së ardhmes që po më thërriste,” thotë Marina. Gjatë studimeve të tyre për turizmin, Marina dhe bashkëmoshatarët e saj mësuan për tema si menaxhimi i turizmit, marketingu dhe sipërmarrja, por, sidoqoftë, mungonte një element i rëndësishëm edukativ: një mundësi për t’i vënë këto aftësi në praktikë në jetën e përditshme. Kjo mundësi u ofrua nëpërmjet një projekti të financuar nga BE-ja gjatë vitit të fundit të studimeve, pikërisht në kohën kur Marinës dhe miqve të saj u nevojitej kjo përkrahje.

Një tjetër mangësi në dispozitat edukative ishin edhe pajisjet e vjetra IT të shkollës, të cilat nuk punonin siç duhet. Për këtë arsye, projekti gjithashtu e ndihmoi shkollën me pajisjet. Sidoqoftë, Marina thekson se përfitimi më i rëndësishëm për të ishte përvoja praktike e punës.

“Për shembull, ne kishim një punishte të përbashkët, kështu që nisëm një garë me nxënësit e shkollave të tjera, për të zhvilluar ide për bizneset start-up dhe për të paraqitur një propozim për biznes, si dhe një film të shkurtër rreth ideve tona.  Mua dhe një kolegut tim na erdhi një ide për një shitore ëmbëlsirash. Na u desh të bënim kërkime dhe të vizitonim shitoret e ëmbëlsirave të zonës për të kuptuar se si funksionojnë bizneset e tyre, për të identifikuar shembujt më të mirë dhe për t’i futur ato në propozimin tonë. Kjo na ndihmoi të kuptonim shumë më qartë se si funksionojnë idetë e zhvillimit të biznesit,” thotë Marina.

“Për shkak të mungesës së pajisjeve apo mundësive për përvojë praktike në shkolla, nxënësve iu desh të qëndronin edhe një vit apo më tepër pas diplomimit, që nëpërmjet internship-eve, të përmirësonin aftësitë e tyre para se të fillonin punë. Ne donim të jepnim kontributin tonë për ta kapërcyer këtë problem.”

Aftësitë praktike dhe njohuritë për një fillim më të mbarë në karrierë

Jovan Jovanović-i është menaxheri i projektit për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, të financuar nga BE-ja, me titullin “Qendrat për zhvillimin inovativ të sipërmarrjes sociale: perspektivat bashkëkohore për integrimin social të të rinjve”. Ideja e projektit u shfaq për të kapërcyer sfidat lidhur me mungesën e pajisjeve dhe mundësitë për punë praktike dhe internship-e për nxënësit e shkollës së mesme, të pranishme në të dyja anët e kufirit. “Për shkak të mungesës së pajisjeve apo mundësive për përvojë praktike në shkolla, nxënësit duhet të qëndronin edhe një vit apo më tepër pas diplomimit, që nëpërmjet internship-eve, të përmirësonin aftësitë e tyre para se të fillonin punë. Ne donim të jepnim kontributin tonë për ta kapërcyer këtë problem,” thotë Jovani.

Përveç shkollës së mesme në Vranjë, projekti mbulon edhe shkollën e mesme Pero Nakov në Kumanovë, në Maqedoninë e Veriut. Në të dyja shkollat, projekti i ka bazat në një qendër për zhvillimin inovativ të sipërmarrjes sociale. Ai i pajisi këto qendra me teknologji moderne, duke u ofruar kështu mësuesve trajnim shtesë për të nxënin rreth sipërmarrjes sociale dhe moderne. Projekti gjithashtu ofroi mbështetje specifike për profilet e edukimit ekonomik që mësoheshin në këto shkolla. Në të dyja shkollat, projekti nisi sipërmarrje sociale që mund të gjenerojnë të ardhura dhe njëkohësisht t’i ndihmojnë nxënësit të marrin përvojë të mjaftueshme praktike para se të diplomohen.

Për shembull, shkolla në Kumanovë ka një seksion për dizajn grafik, por nuk ka asnjë lloj printeri profesional, ku studentët të mund të shohin realizimin e veprave të tyre. Projekti e furnizoi këtë shkollë me makineri printimi që mund të printojnë edhe në filxhanë, tekstile apo materiale të tjera. Modelet e krijuara nga studentët tanimë do të printohen dhe do të nxirren në treg. Po ashtu, shkolla në Vranjë ka një seksion kulinarie, të cilin projekti e furnizoi me pajisje gatimi moderne e profesionale. Kjo shkollë do të nxjerrë së shpejti në treg edhe produktet e saj ushqimore të shijshme. “Seksione të tjera, si ai i shitjeve, i financave apo i reklamave do të jenë pjesë e këtyre sipërmarrjeve sociale, ku studentët do të mund t’i përdorin aftësitë e tyre në situata të jetës së përditshme dhe do të gjenerojnë të ardhura për shkollat,” thotë Jovani.

“Përkrahja nga BE-ja është thelbësore për sa i përket kontributit financiar por edhe për qëndrueshmërinë afatgjatë.”

Lidhur me projektin

Objektivi i përgjithshëm i projektit “Qendrat për zhvillimin inovativ të sipërmarrjes sociale: perspektivat bashkëkohore për integrimin social të të rinjve”, i financuar nga BE-ja, është të mbështesë të rinjtë me mundësi për t’i vënë idetë e tyre në praktikë dhe t’i nxisë që të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të nisin sipërmarrje sociale. Projekti synon ta përmbushë këtë qëllim nëpërmjet aktiviteteve, si ngritja e qendrave për sipërmarrjen në shkolla, trajnimi i mësuesve, vënia në zbatim e vizitave studimore të nxënësve dhe pajisja e shkollave me aparatura moderne. Vlera totale financiare e projektit arrin mbi 170,000 euro dhe financohet nëpërmjet Programit për Bashkëpunimin Ndërkufitar mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut (IPA).

Së fundmi, projekti do të nxjerrë një platformë uebi, ku, përveç studentëve, do të përfitojnë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të). Portali do të përfshijë baza të dhënash nga NVM-të e rajonit, ku do të jenë në gjendje të paraqesin produktet e tyre. Për më tepër, faqja do të ketë një hapësirë, ku nxënësit do të mund të prezantojnë veten dhe aftësitë e tyre nëpërmjet videove të shkurtra. “Në këtë mënyrë, do të jemi në gjendje të nxisim bashkëpunimin ekonomik në rajonin ndër-kufitar dhe njëkohësisht të rrisim mundësitë për punësimin e nxënësve,” thotë Jovani.

Jovani thotë se mbështetja financiare nga BE-ja ishte hapi thelbësor për sjelljen e këtij projekti në jetë, duke qenë se, zakonisht, këto shkolla marrin fonde nga qeveritë përkatëse vetëm për nevoja emergjente, të tilla si rregullimi i çative që pikojnë. Ai shton se, vetë fakti që projekti përkrahet nga BE-ja, ndihmon për qëndrueshmërinë e tij – ‘vula aprovuese’ e financimit të BE-së jep një lloj garancie që projekti bazohet mbi analiza të detajuara dhe standarde të larta, gjë që nënkupton se autoritetet vendore, qendrore dhe organizatat e tjera e marrin projektin më seriozisht.

“Përkrahja nga BE-ja është thelbësore për sa i përket kontributit financiar, por edhe për qëndrueshmërinë afatgjatë,” thotë Jovani.

Zhvillohet java e dytë e Open Days për YEA-të në Ballkanin Perëndimor

Edhe javën e kaluar u zhvilluan disa Open Days për promovimin e thirrjes së re për Young European Ambassadors (YEA), ku YEA-të prezantuan rrjetin e tyre në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

 

Më 9 qershor, YEA-të nga Bosnja dhe Hercegovina organizuan YEA Open Days në Europe House në Sarajevë. Nëpërmjet një bashkëpunimi të suksesshëm me Delegacionin e BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, eventi përfshiu prezantimin e YEA-ve, kremtimin e 35 vjetorit të programit Erasmus, por edhe një diskutim të gjallë me Ambasadorin Johann Sattler. Për më tepër, rreth 50 të rinj fituan çmime në provimin për YEA-të dhe kaluan bukur duke takuar miq të rinj.

 

Më 10 qershor, YEA-të nga Kosova organizuan ditët e hapura të YEA-ve në Europe House në Prishtinë. Me këtë rast, YEA-të dhe Delegacioni i BE-së organizuan një diskutim të hapur për Ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, YEA-të dhe të rinjtë që ishin mbledhur. Java përfundoi me Stumica and Niš Open Days, ku YEA-të u takuan me kolegët e tyre dhe i ftuan ata t’i bashkohen rrjetit duke u bërë gjenerata e tretë e YEA-ve 2022.

 

Platforma YEA është një rrjet krijues i aktivistëve të rinj nga i gjithë Ballkani Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia). YEA-të kanë formime të ndryshme, por të gjithë ndajnë një vizion të përbashkët: bashkimin e Ballkanit Perëndimor  në diversitet. Ata mësojnë për njëri-tjetrin dhe BE-në së bashku, ndjekin projekte krijuese, fitojnë aftësi të reja, lidhen përmes rrjeteve sociale dhe organizojnë veprimtari frymëzuese – gjithmonë të shtyrë nga ideja se aktivizmi tek të rinjtë është forca më e fuqishme e ndryshimit social.

 

Qëllimet e rrjetit përfshijnë: ndarjen e vlerave të BE-së; shtimin e ndërgjegjësimit për bashkëpunimin e BE-së me partnerët e saj të Ballkanit Perëndimor; paraqitjen e rezultateve konkrete të këtij bashkëpunimi; kontributin në dialogun politik mbi tema të ndryshme dhe shtimin e aktivizmit civil.