Skip to main content

Area of Cooperation: Climate action

Një ish-minierë qymyri kthehet në centralin e parë gjigand diellor në Maqedoninë e Veriut

Mbështetja e BE-së për diversifikimin e burimeve të energjisë.

Në Kičevo të Maqedonisë së Veriut ngrihet një oxhak i stërmadh e i vjetër i një termocentrali që u bën hije ferrave dhe kaçubave të luginës,. Ky termocentral me qymyrguri, i quajtur Oslomej, u ndërtua në fillim të viteve ‘80 dhe ishte krenaria e Republikës së Maqedonisë së asaj kohe. Në dekadat pasuese, centrali mori të tatëpjetën, derisa në fund mbetën vetëm disa punëtorë veteranë që largoheshin me autobus pas mbarimit të turnit. Centrali 125 MW-ësh mbahej aktiv mbi bazën e aktivitetit të reduktuar, kryesisht si alternativë në raste problemesh diku tjetër në sistem. Megjithatë, shkurrnajat në rrethinat e saj janë transformuar nëpërmjet një zhvillimi entuziazmues që do ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut të ecë përpara me vendosmëri për sa i përket dekarbonizimit.

Vendet e Ballkanit Perëndimor varen akoma kryesisht nga qymyri, veçanërisht nga linjiti. Në vitin 2016, 16 termocentrale qymyri në Ballkanin Perëndimor lëshuan po aq sulfur dioksidi sa 250 termocentrale në Bashkimin Evropian. Deri në vitin 2018, pothuajse gjysma e energjisë së Maqedonisë së Veriut vinte nga qymyri dhe vendi varej kryesisht nga lëndët e djegshme fosile. Në atë periudhë kishte dy termocentrale që punonin me linjit – REK Oslomej-i në Kičevo, REK Bitola – dhe Shkupi u shpall qyteti më i ndotur në Europë.

“Ky termocentral është shembull dekarbonizimi dhe kalimi te burimet e ripërtërishme të energjisë në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon. Ky është termocentrali i parë, i ngritur mbi rrënojat e mëparshme të një miniere qymyri në Ballkanin Perëndimor.”

Sidoqoftë, Maqedonia e Veriut ishte e gatshme t’i diversifikonte burimet e saj të energjisë dhe ta pastronte ajrin e saj dhe, tanimë, kjo ambicie po kthehet në realitet. Centrali i parë diellor në shkallë të gjerë në vend, Oslomej 1, u financua me mbështetjen e Bashkimit Evropian, donatorëve dypalësh të Western Balkans Investment Framework (WBIF) dhe European Bank for Reconstruction and Development (EBRD) dhe tashmë është i lidhur me rrjetin dhe po prodhon energji elektrike të pastër.

Godina 10 MW-ëshe u ndërtua në minierën e mëparshme të linjitit, Oslomej. EBRD-ja ofroi një hua prej 5.9 milionë eurosh dhe projekti 8.7 milionë euro përfshin një grant prej 1.6 milionë eurosh nga Western Balkans Investment Framework. “Ky termocentral është shembull dekarbonizimi dhe kalimi te burimet e ripërtërishme të energjisë në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon. Ky është termocentrali i parë, i ngritur mbi rrënojat e mëparshme të një miniere qymyri në Ballkanin Perëndimor,” thotë Aleksandar Stefanovski, inxhinier për teknologjitë e reja në Power Plants North Macedonia.

“Energjia e gjelbër e ka të ardhmen përpara. Ne shohim anën pozitive sepse duhet të sigurojë punësim të përhershëm e të sigurt për punonjësit, duke qenë se ato godina kanë jetëgjatësi nga 25 deri në 35 vite. Është një ambient shumë i rehatshëm për një person që dëshiron të shijojë sigurinë e punës derisa të arrijë moshën e pensionit.“

Lidhur me projektin

Në shkurt të vitit 2022, Komisioni Evropian shpalosi një pako investimi prej 3.2 miliardë eurosh për të mbështetur 21 projekte transporti, digjitale, klime dhe të lidhshmërisë së energjisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është pakoja e parë madhore e projekteve në kuadër të Planit ambicioz Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor të BE-së, të cilin Komisioni e miratoi në tetor të vitit 2020 dhe projektet janë dizenjuar për të sjellë përfitime të prekshme për të gjashtë partnerët në rajon. Centrali diellor Oslomej 1 është një ndër 21 projektet më të rëndësishme (21 flagship projects), të përzgjedhur për financimin nga BE-ja nëpërmjet WBIF-së në vitin 2022. Projekti është emëruar “Flagship 4 – Renewable energy” në Economic and Investment Plan for the Western Balkans 2021-2027, të BE-së.

Projekti planifikon të ndërtojë një central të dytë fotovoltaik, Oslomej 2-shin, si vazhdimësi e të parit. Ai do të ketë një kapacitet prej 10 megavatësh. Së bashku, dy centralet do të prodhojnë energji të mjaftueshme për 5,000 banesa në Kičevo dhe në rajon.  “Energjia e gjelbër e ka të ardhmen përpara. Ne shohim anën pozitive sepse duhet të sigurojë punësim të përhershëm e të sigurt për punonjësit, duke qenë se ato godina kanë jetëgjatësi nga 25 deri në 35 vite. Është një ambient shumë i rehatshëm për një person që dëshiron të shijojë sigurinë e punës derisa të arrijë moshën e pensionit,“ thotë Čedornir Arsovski, kreu i zhvillimit dhe investimeve në kompaninë Oslomej Energy and Mining.

Për centralet diellore në Maqedoninë e Veriut planifikohen investime të tjera. WBIF-ja tashmë e ka miratuar financimin e zgjerimit të centralit në Oslomej 2 dhe ndërtimin e një centrali të ri në Bitolë me një kapacitet total të kombinuar prej 30 MW-sh. BE-ja po e mbështet këtë investim me një grant investimi prej 5.1 milionë eurosh.

YEA-të u bashkohen aktiviteteve të pastrimit nga BE-ja në Kosovë

Më 16 shtator, Young European Ambassadors (YEAs) iu bashkuan Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe GIZ Kosovo-s, që organizuan pastrimin e liqenit Badovç/ Badovaç, si pjesë e ‘EU Beach Clean-up Day’ për këtë vit. Partnerë të tjerë zyrtarë të pastrimit ishin PAMKOS-i (Association for Environmental Protection and Clean-up of Kosovo) dhe Pastrimi Regional Waste Company. Si pjesë e nismës, u mblodhën më shumë se 200 qese me mbeturina. Duke marrë parasysh që qytetarët kosovarë i japin vlerë të madhe liqenit të Badovaçit, si burimin e tyre kryesor të ujit të pijshëm, ishte e rëndësishme të dërgonim një mesazh ku të shpjegohej si të mbahej liqeni i pastër nga mbeturinat, ndërkohë që kalohej aty koha e lirë.

 

Aktivitetet e ‘EU Beach Clean-Up Day’ vazhduan më pas në ‘Europe House Kosovo’, ku, rreth 30 Young European Ambassadors nga Ballkani Perëndimor zhvilluan një debat të nxehtë rreth problemeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor me specialistë mjedisi dhe Mrika Nikqin, një ambientaliste dhe influencuese e re nga Kosova. Young European Ambassadors nga i gjithë Ballkani Perëndimor ndanë idetë e tyre personale rreth hapave të vegjël, por domethënës, që mund të merren për të bërë një ndryshim pozitiv dhe për të mbështetur një mjedis të pastër. Shembujt përfshinë pastrimin dhe reduktimin e mbetjeve në komunitetet tona, krijimin e videove të shkurtra ndërgjegjësuese për mbrojtjen mjedisore dhe promovimin e metodave alternative të transportit.

 

Fushata ‘EU Beach Clean-Up’ është një nismë globale për mbrojtjen e oqeaneve, e bashkë-organizuar nga BE-ja dhe OKB-ja, së bashku me Smurfs-at. Eventi zhvillohet çdo shtator gjatë ‘World Coastal Clean-Up Day’ dhe është i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin për problemet mjedisore. Në vitin 2022, edicioni i pestë i fushatës ‘EU Beach Clean-Up’ synon të rinjtë, nën kujdesin e ‘European Year of Youth’. Me temën gjithëpërfshirëse “United against marine litter”, brezi i ardhshëm po punon krah për krah me organizatat ndërkombëtare, liderët kombëtarë dhe OJQ-të për ta luftuar këtë problem.

Energjia diellore ndrit të ardhmen e një kompanie Boshnjake

Për të plotësuar nevojat e një kompanie për energji, një kompani ushqimore në Bosnjë dhe Hercegovinë ka instaluar një nga centralet me energji diellore më të mëdha të rajonit, me ndihmën e BE-së.

Madi, me bazë në Teshanj, është një nga të paktat kompani që mund të eksportojnë mish të freskët pule në Bashkimin Evropian. Kompania u themelua në 1989 dhe në 2000-n, nisën fabrikën e tyre të parë të përpunimit të mishit të pulës. Në 2015, kishin krijuar thertoren më të madhedhe më moderne të shpendëve në rajon, me kapacitet përpunimi për 6000 zogj në një orë, dhe 24 milionë në vit. Sot njihet si kryesuesja e tregut në Bosnjë dhe Hercegovinë

Megjithatë, pandemia e KOVID-19-ës, pati ndikim negative te Madi, pavarësisht se ishte një nga kompanitë më të suksesshme në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kompania vuajti nga probleme me furnizimin dhe iu desh të rishikonte shpenzimet, duke kursyer sa më shumë të mundte. Për të përballuar problemet, menaxhimi vendosi të krijonte një ekip veprimi për të optimizuar shpenzimet.

“Kishim qenë përherë të ndërgjegjshëm se shpenzimi ynë kryesor ishte elektriciteti. Gjëja e parë që shqyrtuam ishte ulja e shpenzimeve për energjinë. Pas një studimi të hollësishëm, dolëm në përfundimin se një nga zgjidhjet më të mira do të ishte instalimi i një centrali energjie diellore.“

Mirel Dedukiç u caktua si kreu i këtij ekipi veprimi. Ai shpjegon se vunë re se një nga zërat kryesorë të shpenzimit ishte energjia elektrike. “Kishim qenë përherë të ndërgjegjshëm se shpenzimi ynë kryesor ishte elektriciteti. Gjëja e parë që shqyrtuam ishte ulja e shpenzimeve për energjinë.“

Ai e dinte se nevoja më e madhe për energji e Madi-t ishte gjatë verës, kur panelet diellore do të kishin dhe kapacitetin e tyre më të madh të prodhimit. Pas një studimi të hollësishëm, dolëm në përfundimin se një nga zgjidhjet më të mira do të ishte instalimi i një centrali energjie diellore.“ Atë herë, kompania i hyri një investimi unik për Bosnjë dhe Hercegovinën.

Ndërsa Madi po bënte një studim realizueshmërie për investimin te centrali i energjisë diellore, programi i financuar nga BE-ja, EU4AGRI, nisi një thirrje për propozime. Thirrja përfshinte kompanitë e industrisë së mishit. „Projekti ynë ishte pothuajse gati dhe e patëm të lehtë që të aplikonim,“ thotë Mireli.

Me bashkë-financim nga EU4AGRI, Madi instaloi një central energjie diellore me kapacitet 1,000 kë. Centrali i energjisë u instalua në tri salla prodhimi dhe zuri 5500 m2. Kapaciteti i përgjithshëm vjetor i prodhimit është 1,147 MWh, që mbulon 15% të konsumit të elektricitetit nga kompania. Veç kësaj, në 2021, instaluan dhe central energjie diellore tjetër me kapacitet 1,000 kë, kështu që 30% e energjisë së tyre elektrike vjen nga burime të rinovueshme.

„Jemi shumë krenarë që kemi ndihmuar për ruajtjen e mjedisit me këtë projekt. Veç kësaj, kemi ulur kostot tona dhe kemi arritur vetë-qëndrueshmëri lidhur me furnizimin me energji elektrike.”

Lidhur me projektin

Projekti EU4AGRI është një iniciativë katër-vjeçare (2020 – 2024) që synon të modernizojë sektorin agro-ushqimor në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke krijuar vende pune të reja, ndërkohë që ruhen vendet ekzistuese të punës dhe ndihmohet ripërtëritja nga kriza e KOVID-19-ës. Vlera totale e projektit është 20.25 milionë Euro, të financuara kryesisht nga Bashkimi Evropian, por zbatohet dhe bashkëfinancohet në bashkëpunim me Agjencinë Çeke të Zhvillimit dhe Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Projekti EU4AGRI ka mbështetur deri tani fermerë dhe ndërmarrje në Bosnjë dhe Hercegovinë me 45 investime me vlerë gati 5.5 milionë Euro, nga të cilat, 3.2 milionë Euro u financuan nga Bashkimi Evropian.

Sipas Mirelit, energjia e prodhuar nga centrali i tyre i energjisë diellore përfaqëson reduktimin e ndotjes me pak më shumë se 1,800,000 kg CO2, që është e barazvlershme me 600,000 litra karburant ose 800 tonë qymyr. „Jemi shumë krenarë që kemi ndihmuar për ruajtjen e mjedisit me këtë projekt. Veç kësaj, kemi ulur kostot tona dhe kemi arritur vetë-qëndrueshmëri lidhur me furnizimin me energji elektrike,“ thotë Mireli.

Plani për të ardhmen është që Madi të vijojë të jetë kompania më e madhe e industrisë së mishit në Bosnjë dhe Hercegovinë, nëpërmjet investimit të vijueshëm te burimet njerëzore dhe teknologjisë moderne. Për më tepër, kanë themeluar një kompani të re „Mipower d.o.o.“, që do t’i përkushtohet plotësisht prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike. Planifikojnë të instalojnë të paktën dhe 10Më panele diellore.

Prodhimi i ushqimeve të lehta me energji diellore

Një kompani nga BH-ja ka fituar pavarësi energjitike thuajse të plotë duke instaluar panele diellore me mbështetjen e BE-së.

Kompania Voćar nga Brčko u themelua mbi 30 vjet më parë. Në gjuhën boshnjake, emri i kompanisë do të thotë “kultivues frutash” dhe farat e kompanisë u mbollën nga Avdo Musić-i shumë dekada më parë. Ai ishte një ndër prodhuesit më me famë të kumbullave në rajon dhe shiste kumbulla natyrale dhe të thata në tregjet vendase. Në vitin 1989, kur Jugosllavia socialiste filloi të liberalizohej ekonomikisht dhe qytetarët lejoheshin të hapnin kompani private, djali i tij Meho vendosi ta çonte biznesin një hap më tej duke regjistruar dhe hapur zyrtarisht kompaninë Voćar. Voćar-i tanimë prodhon një gamë të gjerë ushqimesh të lehta, që nga vaferët e kokoshkat e deri tek gjalpi i kikirikut. Slogani i kompanisë është “Për një shije më të mirë jete!”.

Tani, kompania drejtohet nga nipi i Avdos, Esed Musić-i. Esedi shpjegon se rrugëtimi nga rritja e kumbullave deri tek prodhimi i ushqimeve të lehta ishte mjaft i vështirë. Si shumë familje të tjera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, edhe e tyrja humbi thuajse gjithçka dhe, kur mbaroi lufta, iu desh të niste çdo gjë nga fillimi. Pikërisht gjatë kohës që rinisën punën, u erdhi ideja të provonin të zgjeronin gamën e produkteve të tyre. “Në atë kohë nuk kishte thuajse fare prodhim në Bosnjë dhe Hercegovinë: gjithçka vinte nga jashtë shtetit. Papritmas, u krijua një treg i madh, kështu që vendosëm ta shfrytëzonim këtë mundësi dhe të përqendroheshim tek zëvendësimi i produkteve të importuara,” thotë Esedi.

“Po të kishim instaluar vetë një sistem panelesh diellore, do të kishim një barrë shumë të madhe financiare mbi supe. Mbështetja nga Bashkimi Evropian ishte vërtet thelbësore: na dha shtysën që na nevojitej për të vazhduar me planifikimin e punës tonë dhe zhvillimit afatgjatë.”

Pas luftës, Voćar-i nisi punën me pesë punonjës, ndërsa tani ka 60 punonjës me orar të plotë dhe shumë bashkëpunëtorë të jashtëm që përfitojnë nga bashkëpunimi me kompaninë. Pas 30 vjetësh, kompania prodhon mbi 100 produkte të ndryshme që u ofrohen klientëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe atyre në Shtetet e Bashkuara, Australi, shtetet e Bashkimit Evropian, etj.

Sidoqoftë, pandemia ndikoi tek operacionet e kompanisë njëlloj si tek ekonomia globale. Esedi thotë se gjatë krizës filluan të mendonin si të shkurtonin shpenzimet që të mund të ruanin qëndrueshmërinë financiare. Shpenzimi i parë që u erdhi ndërmend ishte fatura e energjisë elektrike, por çdo investim kishte kosto dhe nuk dukej shumë praktike tentimi i investimit në një kohë të atillë.

Megjithatë, në vitin 2021, me ndihmën e projektit EU4AGRI, të financuar nga BE-ja, një ëndërr e vjetër e parealizuar e kompanisë Voćar u bë realitet, duke qenë se arritën të investonin për një sistem panelesh diellore që u dha mundësinë të plotësonin rreth 65% të nevojave totale të energjisë elektrike. “Po të kishim instaluar vetë një sistem panelesh diellore, do të kishim një barrë shumë të madhe financiare mbi supe. Mbështetja nga Bashkimi Evropian ishte vërtet thelbësore: na dha shtysën që na nevojitej për të vazhduar me planifikimin e punës tonë dhe zhvillimit afatgjatë,” thotë Esedi.

“Produktet tona prodhohen me ndihmën e energjisë së gjelbër dhe për këtë jemi shumë krenarë.”

Lidhur me projektin

Projekti EU4AGRI është një nismë katër-vjeçare (2020-2024) që synon modernizimin e sektorit agro-ushqimor, hapjen e vendeve të reja të punës bashkë me ruajtjen e vendeve aktuale dhe mbështetjen e rimëkëmbjes nga kriza e COVID-19-ës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Vlera totale e projektit të financuar nga BE-ja është mbi 20.25 milion euro dhe është vënë në zbatim me bashkëpunimin dhe bashkë- financimin e Agjencisë Çeke të Zhvillimit dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në BH.

Deri më tani, projekti EU4AGRI ka mbështetur fermerët dhe ndërmarrjet e BH-së me 45 investime me vlerë rreth 5,5 milion euro, mbi 3,2 milion euro prej të cilave u financuan nga Bashkimi Evropian.

“U vendosën panele diellore në çatitë e godinave tona të prodhimit dhe magazinave, që ishin ideale për shkak tëvendndodhjes dhe formës së çative,” shpjegon Esedi. “Centrali ynë fotovoltaik zë një hapësirë prej 1000 m2 dhe prodhon 150 KW energji elektrike, gjë që na jep shumë dorë për pavarësinë tonë energjitike. Shpenzimet e ngritjes së centralit fotovoltaik arrinin rreth 83,000 euro, nga të cilat 54,000 euro u mundësuan nga projekti EU4AGRI dhe 29,000 euro nga Voćar-i.

Një vlerë tjetër e këtij projekti ishte reduktimi i emetimit të dioksidit të karbonit (CO2) me rreth 76%, duke ulur kështu edhe ndikimin negativ në mjedis. Siç thotë Esedi, “Produktet tona prodhohen me ndihmën e energjisë së gjelbër dhe për këtë jemi shumë krenarë.”

Rezultatet e deritanishme e kanë nxitur Voćar-in të plotësojë nevojat e energjisë elektrike ekskluzivisht nga burimet e ripërtërishme edhe në të ardhmen. Esedi shpjegon, “Kemi edhe çati të tjera të pashfrytëzura që plotësojnë kriteret për instalimin e një centrali fotovoltaik dhe duam të arrijmë 100%pavarësi energjitike. Në këtë mënyrë, do të mund të kontribuojmë edhe më tepër për mbrojtjen mjedisore”.

Të luftojmë ndotjen përtej kufirit

Bashkitë ndërkufitare në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi bashkojnë forcat për luftën kundër ndotjes

Zonat kufitare të Likovës në Maqedoninë e Veriut dhe të Preshevës në Serbi janë të dyja bashki me popullsi të vogël: Likova ka 13,000 banorë, ndërsa Presheva 27,000. Duke qenë se shumica e banorëve të tyre jetojnë në zona rurale, ata kanë kulturë, tradita e sistem ekonomik të ngjashëm dhe lidhje të forta familjare e miqësie. Sidoqoftë, kanë edhe të njëjtin problem të rëndësishëm: një nivel të lartë ndotjeje që vjen nga vend-grumbullimet e paligjshme të mbeturinave.  Në bashkinë e Preshevës gjenden 11 vend-grumbullime të paligjshme mbeturinash dhe shtatë të tilla në Likovë.

Të dyja bashkitë kanë një sistem për grumbullimin e mbetjeve, që është organizuar nëpërmjet kompanive të shërbimit publik. Sidoqoftë, këto kompani nuk i mbulojnë krejtësisht bashkitë e tyre përkatëse. Kompania Pisha në Likovë mirëmban dhjetë fshatra nga 22 fshatrat e banuara në zonën ku është rënë dakord të grumbullohen mbetje, ndërsa kompania Moravica në anën serbe të kufirit mbulon 11 fshatra nga 34 të tilla të banuara në bashki. Problemi në rritje i fshatrave, të cilave nuk u është ofruar shërbim, nuk u arrit të shqyrtohej në nivel bashkiak për shkak të mungesës së fondeve dhe koordinimit dhe për këtë arsye, dy bashkitë vendosën të kërkonin mbështetje të jashtme për të menaxhuar problemin.

“Duke marrë parasysh përmasat relativisht të vogla të bashkive, numri i njerëzve me sëmundje ngjitëse ishte shumë i lartë dhe për ne ishte e dukshme që një ndër arsyet kryesore për këtë ishin vend-grumbullimet e paligjshme të mbeturinave dhe mjedisi i ndotur.”

Të bashkojmë forcat për një mjedis më të mirë

Aleksandar Gumberovski është menaxher projekti me bashkinë e Likovës. Ai shpjegon se, në bazë të të dhënave zyrtare, të marra nga Spitali Rajonal në Vranjë, numri i personave me sëmundje ngjitëse në bashkinë e Preshevës ishte 20 në vitin 2017, 30 në vitin 2018 dhe 35 vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019. Në anën e tij të kufirit, në Likovë, numri i njerëzve me sëmundje ngjitëse ishte 23 në vitin 2017, 38 në vitin 2018 dhe 42 vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019, gjë që dëshmon për rritje të vazhdueshme të infektimit edhe atje. “Duke marrë parasysh përmasat relativisht të vogla të bashkive, numri i njerëzve me sëmundje ngjitëse ishte shumë i lartë dhe për ne ishte e dukshme që një ndër arsyet kryesore për këtë ishin vend-grumbullimet e paligjshme të mbeturinave dhe mjedisi i ndotur,” thotë Aleksandar-i.

Për shkak të madhësive të tyre dhe ekonomisë kryesisht rurale, asnjëra prej bashkive nuk zotëron fonde të mjaftueshme për të mbuluar në mënyrën e duhur të gjitha shërbimet për banorët dhe kjo është arsyeja pse nuk arritën të ofronin shërbime për grumbullimin e mbetjeve për të gjithë qytetarët . Sidoqoftë, duke qenë se në bashkinë e Likovës pati një përvojë të mirë mbështetjeje nga donatorët, ata bashkuan forcat me bashkinë fqinje të Preshevës në anën serbe të kufirit dhe vendosën të aplikonin për financim nga BE-ja, që t’i ndihmonte me këtë problem.

Ata krijuan bashkarisht një projekt të titulluar “Më Pak Mbeturina, Më Pak Rrezik, Më Shumë Shëndet” dhe morën mbështetje nga programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Maqedoni e Veriut – Serbi, të financuar nga BE-ja. Nëpërmjet projektit, ata blenë dy kamionë të mëdhenj për grumbullimin e mbetjeve, 20 kontejnerë më të mëdhenj për grumbullimin e mbetjeve dhe mbi 1700 kazanë të vegjël për t’i shpërndarë në familjet e rajonit.

“Këto bashki janë të pazhvilluara dhe ka mungesë fondesh për thuajse çdo sektor. Për këtë arsye, mbështetja e BE-së luan rol shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve tona, madje ndonjëherë edhe për ato më të thjeshtat.”

Lidhur me projektin

Projekti i bashkëpunimit ndërkufitar “Më Pak Mbeturina, Më Pak Rrezik, Më Shumë Shëndet”, i financuar nga BE-ja, nisi në fillim të vitit 2021 dhe do të vazhdojë deri në fund të vitit 2022. Vlera e përgjithshme e projektit arrin mbi 250,000 euro, rreth 85% prej të cilave janë financuar nga BE-ja. Objektivat specifikë të këtij projekti përfshijnë:

rritjen e kapacitetit për të menaxhuar rreziqet e krijuara nga njeriu dhe ato të lidhura me asgjësimin e mbetjeve të ngurta dhe me mbrojtjen e mjedisit; rritjen e kapacitetit dhe përmirësimin e qasjes së institucioneve ndaj shërbimeve për organizimin e mbetjeve; rritjen e ndërgjegjësimit tek banorët vendas për pasojat e ndotjes; dhe uljen e sëmundjeve ngjitëse.

Përveç mbështetjes me pajisje, projekti do të nisë gjithashtu edhe një fushatë ndërgjegjësimi me fletëpalosje dhe video, për të ndryshuar zakonet e qytetarëve që lidhen me mjedisin, duke i inkurajuar të përdorin kazanët e sapo-blerë për mbetjet e tyre.

Ky nuk është projekti i parë i financuar nga BE-ja nga i cili ka përfituar bashkia e Likovës. Aleksandar-i shpjegon se, bashkia është në kufi edhe me Bullgarinë dhe Kosovën dhe për këtë arsye, ata kanë qenë pjesë e programeve të tjera për bashkëpunim ndërkufitar. “Këto bashki janë të pazhvilluara dhe ka mungesë fondesh për thuajse çdo sektor. Për këtë arsye, mbështetja e BE-së luan rol shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve tona, madje ndonjëherë edhe për ato më të thjeshtat,” thotë ai.

Një përvojë në jetën e kafshëve të egra hapet për biznes

Me anë të mbështetjes së BE-së, zona ndërkufitare mes Malit të Zi dhe Serbisë është gati të mirëpresë turistët që adhurojnë natyrën.

Para pandemisë, Mali i Zi kishte rreth dy milionë vizitorë të përvitshëm dhe mbi shtatë milionë qëndrime gjatë natës në vit. Ky mund të konsiderohet një sukses i madh për një shtet me një popullsi prej vetëm 600,000 personash. Këta vizitorë përqendrohen kryesisht te rajonet e mrekullueshme bregdetare për pushime verore ose te vendpushimet e skive në veri. Sidoqoftë, Mali i Zi ofron edhe shumë mundësi të tjera emocionuese për turizmin e kafshëve të egra, veçanërisht në rajonin verilindor në kufi me Serbinë, i cili është pak i njohur. OJQ-ja Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve (CZIP) nga Podgorica, së bashku me partnerët nga Mali i Zi dhe Serbia, po punon për hapjen e zonës si një destinacion për adhuruesit e kafshëve të egra.

Kudo në botë, jeta e kafshëve të egra dhe vëzhgimi i shpendëve janë kthyer në aktivitete turistike gjithmonë e më popullore dhe rëndësia e tyre po njihet në të njëjtën shkallë sa dhe tregje të tjera të sigurta të turizmit. Sidoqoftë, për shkak të zonës relativisht të izoluar dhe rrjetit të dobët të transportit, infrastruktura e turizmit është e pazhvilluar këtu, pavarësisht se aty ndodhen katër parqe natyrore.

“Duke qenë se kishte mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit, por edhe nevojë për mbështetje, vendosëm të vepronim që ta hapnim këtë peizazh përrallor për vizitorët.”

Plotësimi i nevojës për zhvillimin e turizmit

Lejla Abdić është ambientaliste dhe menaxhere projekti në Qendrën për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve. Ajo shpjegon se, bashkë me kolegët e saj, e dinin shumë mirë që rajoni ishte i pazhvilluar për nga infrastruktura e turizmit dhe aktivitetet në natyrë. “Duke qenë se kishte mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit, por edhe nevojë për mbështetje, vendosëm të vepronim që ta hapnim këtë peizazh përrallor për vizitorët,” thotë Lejla.

Me këtë synim në mendje, ata aplikuan për thirrjen ndërkufitare për bashkëpunim të Malit të Zi/ Serbisë, “Projekti Hoo – Krijimi i Përvojave me Bufët dhe Kafshët e Tjera të Egra”, financuar nga BE-ja.  Meqenëse popullata e shpendëve të rajonit është shumë e pasur, fokusi kryesor i projektit të tyre ishte tek aktivitetet e lidhura me vëzhgimin e shpendëve, nëpërmjet krijimit të hartave dhe sinjalistikave të shtigjeve ku shihen shpendët. Ata gjithashtu po punojnë për trajnimin dhe motivimin e vendasve që të përfshihen në bizneset e lidhura me turizmin e kafshëve të egra, si dhe për krijimin e markave dhe promovimin e produkteve të turizmit, të cilat u zhvilluan si pjesë e projektit.

“Rajoni ka pasuri unike turizmi të kafshëve të egra, që nuk janë shfrytëzuar ende, por së shpejti ato do të promovohen në nivel vendor dhe ndërkombëtar, në mënyrë që vizitorët të mund t’i shijojnë.”

Lidhur me projektin

“Projekti Hoo: Krijimi i Përvojave me Bufët dhe Kafshët e Tjera të Egra” filloi në shkurt 2021. Qëllimi kryesor i projektit është të inkurajojë turizmin e kafshëve të egra, të bazuar te trashëgimia natyrore në zonën ndërkufitare mes Serbisë dhe Malit të Zi. Vlera totale e projektit është 262,029 euro dhe planifikohet të zgjasë 24 muaj. Përveç shumë gjërave të tjera, projekti parashikon të krijojë dy itinerare turizmi të kafshëve të egra, trajnimin e guidave turistike për kafshët e egra, vizita studimore dhe vëzhgimi të shpendëve dhe ngritjen e një platforme digjitale për të promovuar turizmin e kafshëve të egra në rajon.

Lejla shpjegon se zona e projektit mund t’u ofrojë shumë turistëve që adhurojnë natyrën. Për shembull, bufët kanë forcën e nevojshme tërheqëse për një përvojë të bukur turistike. Kjo zonë shërben si banesë edhe për shumë shpendë të tjerë po aq tërheqës, të tillë si shqiponjat e arta dhe perandorake, shkabat grifonë, fajkonjtë pelegrinë, thëllëzat e malit, thëllëzat e fushës, si dhe specie të rralla shpendësh, që kanë nevojë për komplekse më të mëdha pyjore natyrore si habitatet e tyre. “Rajoni ka pasuri unike të turizmit të kafshëve të egra, që nuk janë shfrytëzuar ende, por së shpejti ato do të promovohen në nivel vendor dhe ndërkombëtar, në mënyrë që vizitorët të mund t’i shijojnë.”

Lejla shpjegon më tej se, projekti po korr një sukses të madh nga pikëpamja e bashkëpunimit ndërkufitar. Organizatat partnere do të zhvillojnë guida studimi dhe aktivitete koordinimi, për të lidhur komunitetet, bizneset dhe operatorët turistikë në të dyja anët e kufirit. “Në fund të ditës, zhvillimi i rajonit lidhet ngushtë me bashkëpunimin ndërkufitar,” thotë ajo.

Energji e ripërtërishme për Kosovën

BE-ja mbështet ngritjen e një impianti ngrohjeje qendrore në Gjakovë, me energji të ripërtërishme

Në vitin 1980, kur u ndërtua, impianti i ngrohjes qendrore Ngrohtorja SHA ishte krenaria e qytetit të Gjakovës. Ky ishte qyteti i vetëm në Kosovë, përveç kryeqytetit, me një sistem modern ngrohjeje qendrore që punonte me karburante të rënda. Sidoqoftë, ngrohja me naftë u bë gjithmonë e më pak e leverdisshme dhe u rrit ndërgjegjësimi për ndotjen që shkaktonte. Si rezultat, në vitet në vazhdim, menjëherë pas luftës së Kosovës në vitin 1999, Ngrohtorja e ndaloi thuajse krejtësisht ngrohjen për qytetarët e Gjakovës, ndërsa më vonë e siguronte vetëm disa orë në ditë.

Në fillimin e dekadës së fundit, lindi një grimcë shprese që kompania mund të ofronte edhe njëherë ngrohje të qëndrueshme, kur, me mbështetjen e BE-së, kompania e ngrohjes qendrore Ngrohtorja nisi një studim realizueshmërie për ofrimin e energjisë cilësore dhe ekologjike të ngrohjes për banorët vendas.

“Kur ideja u bë publike për herë të parë, ishim shumë të entuziazmuar por, në të njëjtën kohë, ndjenim dhe njëfarë skepticizmi, meqenëse për shumë vite kompania nuk kishte ofruar ngrohje cilësore.”

Albana Skivjani është menaxherja e përgjithshme e kompanisë. Gjatë kohës që nisi studimi paraprak, ajo nuk ishte menaxhere akoma, por si qytetare e Gjakovës dhe si kliente e kompanisë së ngrohjes qendrore, ajo e mban mend mirë entuziazmin që shihej te populli. “Kur ideja u bë publike për herë të parë, ishim shumë të entuziazmuar, por në të njëjtën kohë, shikonim dhe njëfarë skepticizmi, meqenëse për shumë vite kompania nuk kishte ofruar ngrohje cilësore,”- thotë Albana.

Studimi paraprak vërtetoi se ekzistonte një mundësi e vërtetë që të rivendosej një sistem ngrohjeje qendrore në Gjakovë dhe në të njëjtën kohë, të përdorej një burim energjie ekologjik.

Fjala magjike ishte biomasa!

Ngrohja me biomasë përdor lëndë organike, si karburanti, për stacione energjie për ngrohje apo për prodhim elektriciteti. Në rastin e Gjakovës, plani ishte të përdoreshin mbetje druri (copa druri) dhe mbetje të përftuara nga krasitja e hardhive, të cilat gjenden me bollëk në këtë zonë. Sidoqoftë, pavarësisht disponueshmërisë së biomasës në zonë, e cila mund të përdorej si karburant, projekti nuk ishte i lehtë për t’u realizuar. Shpenzimet për teknologjinë ishin shumë të larta dhe nevojitej edhe një nivel i lartë ekspertize që të funksiononte kjo teknologji. Bashkimi Evropian ndërhyri dhe mbështeti projektin me rreth 15 milion euro.

Impianti i ri, i cili prodhon nxehtësi dhe energji elektrike, u inaugurua në vjeshtën e vitit 2021, duke u bërë kështu një pionier i së ardhmes së energjisë dhe një prej të paktave sisteme bashkëkohore që punojnë me biomasë në Ballkanin Perëndimor. Këtë dimër, energjia e prodhuar nga impianti ka mundësuar ngrohje 24-orë për shumicën e klientëve të kompanisë së ngrohjes qendrore Ngrohtorja SHA.

“Personalisht dhe në emër të gjithë banorëve të qytetit tonë, shpreh mirënjohjen e madhe për BE-në, që nëpërmjet këtij projekti, na siguroi ngrohje për dekadat e ardhshme, duke dhënë kështu një shembull të mirë për qytetet e tjera.”

Lidhur me projektin

Me anë të programit të Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit (IPA), të vitit 2015, Bashkimi Evropian investoi mbi 15 milion euro për aktivitete përgatitore dhe për ngritjen e impiantit të ngrohjes me biomasë në qytetin e Gjakovës . Projekti do të ketë një ndikim të madh ekonomik dhe mjedisor në qytet: kostot vjetore të operimit për Ngrohtoren SHA pritet të ulen me 35%-50%, ndërkohë që niveli i përgjithshëm i ndotjes së zonës do të ulet me mbi 90%.

Sipas Albanës, një nga sfidat kryesore ishte të mësohej si të përdorej teknologjia e re, duke qenë se shumica e punonjësve nuk kishin pasur përvoja të mëparshme me të. Sidoqoftë, kjo pengesë u kapërcye me mbështetjen e projektit të financuar nga BE-ja, që ofroi trajnim të specializuar për stafin, që të përdornin këtë teknologji. Albana shpjegon se këtë dimër, për herë të parë pas shumë vitesh, ishin në gjendje të ofronin energji 24-orë për klientët e tyre. “Klientët tanë, bashkë me të gjithë të tjerët në qytet, janë shumë të entuziazmuar, sepse përveç pajisjes me ngrohje, qyteti nuk është më i ndotur si më parë,”- thotë Albana. Ngrohja e vazhdueshme që vjen nga impianti pati rëndësi të madhe veçanërisht këtë vit, për shkak të krizës globale të energjisë, ku çmimet e energjisë u rritën dhe pati ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.

“Personalisht dhe në emër të të gjithë banorëve të qytetit tonë, shpreh mirënjohjen e madhe për BE-në, që nëpërmjet këtij projekti, na siguroi ngrohje për dekadat e ardhshme, duke dhënë kështu një shembull të mirë për qytetet e tjera,”- thotë Albana.

‘Udhë’ gjen një mënyrë për të ofruar udhëtime të përbashkëta me makinë në Kosovë

Një grup novatorësh të rinj kanë nisur një aplikacion transporti të përbashkët me makinë, me mbështetjen e BE-së.

Kur ishte student në Prishtinë, Eroll Gorçit i duhej të udhëtonte disa herë në javë nga qyteti i tij i lindjes, Peja, që ndodhet rreth 80 km larg. Taksitë ishin shumë të shtrenjta, ndërsa autobusët nuk ishin edhe aq të shpeshtë. Për këtë arsye, si shumë persona të tjerë që duhet të bëjnë rrugë të gjatë për në punë, ai kërkoi zgjidhje alternative, duke parë nëse ndonjë nga miqtë apo të afërmit e tij do të udhëtonin për në kryeqytet, që të mund të shkonte bashkë me ta.

Erolli ishte student teknologjie e shkencash kompjuterike. Teksa zhvillonte aftësitë e tij prej IT-je, ai kuptoi se mbushja e zbrazëtisë në transportin inter-urban me një platformë për transport të përbashkët me makinë mund të ishte me interes si biznes. Dhe kështu filloi “Udhë”, aplikacioni i parë për transport të përbashkët me makinënë pjesën jugore të Ballkanit që lidh shoferët me pasagjerët.

 “Para se të krijonim aplikacionin, donim ta testonim metodën nëpërmjet mediave sociale dhe kjo pati sukses.”

Erolli dhe miqtë e tij e diskutuan fillimisht këtë ide disa vite më parë, ku ranë dakord që të krijonin një faqe në media sociale, ku të interesuarit të mund të komunikonin dhe të planifikonin për të ndarë udhëtimin. “Para se të krijonim aplikacionin, donim ta testonim metodën nëpërmjet mediave sociale dhe kjo pati sukses,”- thotë Erolli.

Brenda një periudhe shumë të shkurtër, grupi i transportit të përbashkët në Facebook grumbulloi rreth 10,000 anëtarë. Kjo vërtetoi se njerëzit kishin interes, kështu që ekipi u bind për mundësinë e zhvillimit të një shërbimi profesional.  Ata filluan të krijojnë aplikacionin për shoferët dhe pasagjerët në fillim të vitit 2020. Meqenëse kishin shumë pak përvojë në këtë lloj sipërmarrjeje, ata aplikuan për projektin VentureUP të financuar nga BE-ja për ndihmë teknike të përqendruar te krijimi i prototipave. Erolli dhe ekipi i tij nxorën përfitime nga webinar-et, instrumentet e marketingut, modelimet e biznesit dhe financimet, të cilat ndihmuan shumë për krijimin e njohurive të tyre në këtë fushë. Për më tepër, ata u fokusuan te grumbullimi sistematik i të të dhënave, gjë që u dha një pikënisje të mirë dhe siguri te modeli i tyre i biznesit dhe për krijimin e aplikacionit.

“Mbështetja e dhënë nga Bashkimi Evropian ishte thelbësore për zhvillimin dhe realizimin e idesë sonë.”

Mbi projektin

VentureUP, Projekti Inkubator i Sipërmarrjes i Universitetit të Prishtinës në Kosovë, mbështetur nga Bashkimi Evropian, u jep mundësinë studentëve dhe startup-eve të ndërtojnë biznese punëdhënëse dhe të rrisin shanset për punësim të suksesshëm në Kosovë. Gjatë programit të parë inkubator në vitin 2019, përfunduan programin shtatë startup-e, me një total prej 23 anëtarësh ekipi. Ndër to, katër startup-e u regjistruan si biznese ligjore që gjenerojnë të ardhura, duke punësuar gjithsej 15 persona. Në vitin 2020 pati rreth 12 startup-e me 31 anëtarë ekipi që përfunduan programin e dytë inkubator. Si rezultat, janë regjistruar pesë biznese ligjore, duke gjeneruar kështu të ardhura dhe duke punësuar një total prej 18 personash.

Aplikacioni u hodh në treg me anë të Google Play dhe Apple Store që në janar të vitit 2021. Komuniteti online tashmë ka mbi 30,000 ndjekës në mediat sociale dhe rreth 15,000 përdorues të aplikacionit për celular. Çdo ditë, ata zgjidhin probleme transporti për qindra pasagjerë. Ekipi prej katër personash tanimë kërkon të shtojë fitimet dhe të sigurojë ndihmën e një investitori engjëll për zgjerimin e biznesit. Ata po planifikojnë të nisin shërbimin në Shqipëri dhe në tregjet e Ballkanit, ku platforma më e madhe e transportit të përbashkët nga BE-ja ka dështuar.

Erolli shpjegon se në sistemin arsimor të Kosovës mungon mësimi për sipërmarrjen, mënyrat e shndërrimit të një ideje në produkt, si dhe për monetarizimin e ideve. Për të, projektet inkubatore janë shumë të rëndësishme për të hedhur hapat e parë të biznesit dhe të sipërmarrjes. “Mbështetja e dhënë nga Bashkimi Evropian ishte thelbësore për zhvillimin dhe realizimin e idesë sonë,”- thotë ai.

Dimra më të ngrohtë për nxënësit e shkollave të Prishtinës

Një projekt i financuar nga BE-ja nxit zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore që kursen energji në qytetin e Prishtinës, në Kosovë.

Shkolla fillore dhe nëntë-vjeçare Naim Frashëri është një ndër shkollat më të mëdha në kryeqytetin e Kosovës. Shkolla ka më shumë se 1,000 nxënës dhe sipërfaqe prej rreth 5,000 m2. Shqipe Vllasalija Mehmedi është drejtoresha në krye të këtij institucioni të stërmadh. Shumëkush do të mendonte se sfida madhore me të cilën përballet ajo në pozicionin e saj do të ishte e lidhur me arsimin, por në fakt është diçka krejt tjetër: “Kishim probleme të mëdha gjatë dimrit dhe nganjëherë na duhej të ndërpritnim mësimin për shkak të problemeve me sistemin e ngrohjes,”- thotë Shqipja.

Në vitin 2018, kur ajo u vendos në krye të shkollës, godina funksiononte me një sistem ngrohjeje me naftë që furnizohej njëherë në muaj. Autoritetet bashkiake qenë ato që organizonin furnizimin, si për shkollën në fjalë, dhe për shkolla të tjera. Shqipja shpjegon se ngrohja me naftë shkaktonte probleme të ndryshme, si p.sh.: kur temperaturat ishin të ulëta nafta mbaronte para se të arrinte furnizimi i radhës, si dhe dëmtime serioze ndaj mjedisit përreth shkollës. “Më kujtohet se si në vitin 2018, si mësuesit, ashtu dhe nxënësit i kishin palltot veshur gjatë mësimit, sepse nuk ishte ngrohtë sa duhej,”- thotë Shqipja.

“Nga pikëpamja ekonomike, Termokos-i ka nxjerrë përfitime të mëdha duke qenë se përveç reduktimit të humbjeve në rrjet, ka fituar edhe 3,000 klientë të rinj, përfshirë këtu edhe institucione publike si: dy kopshte, pesë shkolla, komisariate, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës.”

 

Rritja e cilësisë së ngrohjes dhe mbrojtja më e mirë e mjedisit

Problemet me ngrohjen dhe ndotjen në Prishtinë nuk janë të pranishme vetëm në shkollën Naim Frashëri. Shumica e banorëve të Prishtinës përdorin për ngrohje qymyr ose energji elektrike nga termocentralet e Kosovës A dhe B që ndodhen aty afër, ndonëse disa prej tyre përdorin në fakt ngrohje më të efektshme nga sistemi i ngrohjes qendrore Termokos. Ngrohja krijohet nëpërmjet avullit që shpërndahet nga tubacionet e termocentralit. Sidoqoftë, një numër i konsiderueshëm godinash publike dhe private, përfshirë këtu edhe shkollën fillore Naim Frashëri, nuk ishin të lidhura me sistemin e ngrohjes qendrore, duke qenë se Termokos kishte probleme me sistemin e tij të vjetër dhe jo-të efektshëm të shpërndarjes.

Për të ndihmuar me trajtimin e këtij problemi, në vitin 2019, Zyra e BE-së në Kosovë nisi një projekt për rinovimin e sistemit të ngrohjes qendrore të Prishtinës. Qëllimi i projektit ishte lidhja e klientëve të rinj publikë dhe privatë me sistemin e ngrohjes qendrore dhe përmirësimi i furnizimit me ngrohje për klientët aktualë. Si rezultat i këtij projekti, për një periudhë dy-vjeçare, janë rinovuar 120 nënstacione të vjetra, janë instaluar 50 nënstacione të reja dhe janë zëvendësuar shtatë kilometra tubacionesh nëntokësore me tubacione të reja, të izoluara paraprakisht. Kjo ka sjellë rritjen e efektshmërisë dhe ulje domethënëse të humbjeve të ujit dhe nxehtësisë.

Si përfaqësues i Termokos-it, Naim Bytyqi, drejtor i departamentit të shitjeve dhe njëkohësisht menaxher i projektit, thotë se ky projekt ka qenë shumë i suksesshëm. “Nga pikëpamja ekonomike, Termokos-i ka nxjerrë përfitime të mëdha, duke qenë se përveç uljes së humbjeve në rrjet, ka fituar edhe më se 3,000 klientë të rinj, përfshirë këtu edhe institucione publike si: dy kopshte, pesë shkolla, komisariate, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës.”

“I jemi shumë mirënjohës Bashkimit Evropian, duke qenë se me anë të mbështetjes së tyre tanimë jemi pajisur me ngrohje të cilësisë së lartë dhe nxënësit e mësuesit mund të mësojnë në një ambient të ngrohtë e të këndshëm dhe të përqendrohen plotësisht te edukimi i tyre.”

Lidhur me projektin

Projekti i Rehabilitimit të Sistemit të Ngrohjes Qendrore në Prishtinë përfundoi në prill të vitit 2021 dhe u financua nga Bashkimi Evropian me programin e Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit.

Ambiente të ngrohta dhe të këndshme në shkollë

Sipas Bytyqit, shumë i rëndësishëm është dhe fakti që këta klientë të rinj nuk kanë më nevojë të përdorin karburante fosile për t’u ngrohur. “Para lidhjes me sistemin e ngrohjes qendrore, të gjitha institucionet publike përdornin naftë për ngrohje. Përveç faktit që duhet të përballonin shpenzime të mëdha financiare për shkak të çmimeve të larta të naftës, këto institucione ishin edhe burim ndotjeje, sidomos për faktin që shumica e tyre ndodhen në qendër të qytetit.

“Banorët që tani janë të lidhur me rrjetin Termokos, nuk përdorin më as energji elektrike për ngrohje. Kjo ndikon pozitivisht tek ekonomia shtëpiake, sepse ul kërkesën për konsumin e energjisë elektrike dhe përmirëson cilësinë e ajrit,”- përfundon Bytyqi.

Tanimë, pas realizimit të projektit, shkolla Naim Frashëri është ka ngrohje 24 orëshe në të gjithë hapësirën e saj, duke përfshirë klasat, korridoret dhe tualetet. Sikurse thotë drejtoresha: I jemi shumë mirënjohës Bashkimit Evropian, duke qenë se me anë të mbështetjes së tyre tanimë jemi pajisur me ngrohje të cilësisë së lartë dhe nxënësit e mësuesit mund të mësojnë në një ambient të ngrohtë e të këndshëm dhe të përqendrohen plotësisht tek edukimi i tyre.”

Art tradicional me tapa shishesh plastike

Një OJQ nga Sarajeva krijon vepra të mahnitshme arti, duke përdorur tapa shishesh plastike

Në rrethinat e Sarajevës, në Ciglanë, është është ekspozuar në një vend të dukshëm një qilim i mrekullueshëm. Sidoqoftë, ky ‘Čepoćilim’ ka diçka të veçantë: është i bërë nga 25,000 tapa shishesh plastike. Emri i tij në shqip mund të përkthehet si ‘qilim tapash’. Ai u dizenjua dhe u krijua si pjesë e një projekti nga Shoqata e Artit të Gjelbër, një OJQ nga Sarajeva, në Bosnjë & Hercegovinë. Presidentja e shoqatës, Alma Hrasnica Dervišević, shpjegon se e gjithë kjo filloi rreth dhjetë vite më parë, në momentin kur i erdhi një ide për të krijuar art me anë të tapave të shisheve si pjesë e aktiviteteve për Javën Evropiane për Reduktimin e Mbetjeve në Sarajevë. “Në atë kohë, ky konsiderohej si një projekt mjaft ambicioz për ne, meqenëse nuk e dinim me siguri nëse njerëzit do ta vlerësonin këtë nismë dhe gjithashtu ishim të shqetësuar për reagimin e tyre,”- thotë Alma.

Sfida fillestare ishte mbledhja e tapave të shisheve. Alma caktoi një vend për mbledhjen e tapave të shisheve dhe kontaktoi shkollat, kompanitë dhe institucione të tjera, duke i pyetur nëse kishin dëshirë të kontribuonin për këtë projekt duke grumbulluar dhe shpërndarë tapat e shisheve plastike të hedhura. “Për çudinë time, përgjigja ishte shumë pozitive dhe brenda një kohe të shkurtër arritëm të mblidhnim një sasi të konsiderueshme tapash. Ja se si nisi trendi i Čepoćilim-it,”-thotë Alma.

“Čepoćilim-i është kombinimi perfekt i artit, trashëgimisë kulturore dhe ekologjisë. Qëllimi i këtij projekti është rritja e ndërgjegjësimit për mbledhjen e paketimeve të hedhura tutje dhe besoj se kemi treguar qartësisht se ekziston një mënyrë për t’i ripërdorur këto mbetje.”

Të krijojmë një qilim me tapa shishesh çdo vit

Pas suksesit dhe vlerësimit të qilimit të parë me tapa shishesh, Alma dhe kolegët e saj nga Shoqata e Artit të Gjelbër vendosën ta kthejnë këtë në një aktivitet të përvitshëm, ku të dizenjojnë dhe të krijojnë të paktën një tapet me tapa shishesh plastike. Për modelin, vendosën të bazoheshin te qilimi tradicional boshnjak, meqenëse kjo do të shërbente si një atraksion artistik por edhe turistik, duke kontribuar kështu për promovimin e trashëgimisë kulturore.

“Čepoćilim-i është kombinimi perfekt i artit, trashëgimisë kulturore dhe ekologjisë. Qëllimi i këtij projekti është rritja e ndërgjegjësimit për mbledhjen e paketimeve të hedhura tutje dhe unë besoj se kemi treguar qartësisht se ekziston një mënyrë për t’i ripërdorur këto mbetje,”- thotë Alma.

Duke përfshirë të rinjtë, Alma beson se arritën ta rrisin  në mënyrë domethënëse ndërgjegjësimin tek grupet që mund të kontribuojnë për mbrojtjen mjedisore në të ardhmen, nëpërmjet reduktimit dhe menaxhimit të mbetjeve.

Kohët e fundit, Shoqata e Artit të Gjelbër pati shumë mbështetje nga programi ReLOaD (Regional Programme on Local Democracy – Programi Rajonal për Demokracinë Vendore) . Programi i ndihmoi me projektin më të fundit, duke dizenjuar dhe duke krijuar stola me tapa shishesh, me një model vizual të bazuar te qilimat tradicionale boshnjake. Në aktivitetin më të fundit, përfshinë fëmijë nga shkolla  fillore Vladislav Skarić, nga shkolla Mjedenica për fëmijë me vështirësi në të nxënë dhe nga jetimorja Bjelave. Si pjesë e projektit, ngritën 30 punishte të artit ekologjik, për shndërrimin e mbetjeve në art të gjelbër. Në këto punishte, ata përdorën materiale të tilla, si shishet plastike dhe kanoçet. Në projektin e tyre përfundimtar, përdorën rreth 15,000 tapa shishesh për të ndërtuar stolat.

“Falë këtij projekti, qemë në gjendje të përfshinim më shumë fëmijë dhe të rinj në aktivitetin tonë dhe të rrisnim ndërgjegjësimin e tyre për problematikat ekologjike dhe për këtë, u jemi shumë mirënjohës programit ReLOaD dhe BE-së.”

Lidhur me programin

Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) financohet nga Bashkimi Evropian dhe vihet në zbatim nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim. ReLOaD është tani në fazën e dytë, e cila do të zgjasë deri në vitin 2024.

Projekti krijoi një ambient, në të cilin fëmijët dhe të rinjtë ishin në gjendje të zhvillonin nisma kulturore ekologjike dhe në të njëjtën kohë të miqësoheshin nëpërmjet aktiviteteve artistike. “Falë këtij projekti, qemë në gjendje të përfshinim më shumë fëmijë dhe të rinj në aktivitetin tonë dhe të rrisnim ndërgjegjësimin e tyre për problematikat ekologjike dhe për këtë, u jemi shumë mirënjohës programit ReLOaD dhe BE-së,”- thotë Alma.

Stoli me tapa shishesh ndodhet tanimë pikërisht në qendër të Sarajevës, në rrugën Gimnazijska, i rrethuar nga shkolla fillore dhe të mesme. Alma është shumë krenare për këtë vepër. Të gjithë fëmijët që punuan për të, bashkë me bashkëmoshatarët e tyre mund ta shohin çdo ditë dhe të kujtohen për rëndësinë e pakësimit dhe menaxhimit të mbetjeve.