Skip to main content

‘Green for Growth Fund’ do të rrisë efikasitetin e energjisë dhe burimeve për bizneset dhe familjet në Kosovë

‘Green for Growth Fund’ (GGF) ka siguruar një hua të varur prej 7 milion eurosh për partnerin e tij, BKT Kosovo. Të ardhurat do të fuqizojnë bazën e kapitalit të bankës dhe do të bëjnë të mundur që BKT Kosovo të rrisë efikasitetin e energjisë dhe burimeve, duke u dhënë hua ndërmarrjeve mikro, të vogla e të mesme (MSME-ve), individëve privatë, si dhe projekteve të energjisë së ripërtërishme në zonat urbane dhe gjysmë-urbane të Kosovës.

 

Instrumenti synon të rrisë kapacitetet e bankës për të çuar përpara financimin e gjelbër afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Investimi pritet të reduktojë 4,800 tonë emetimi të CO2-shit në vit dhe të kursejë 21,800 megavat-orë energji primare në vit. Kjo korrespondon me shmangien e emetimit të gazrave serë për një vit nga mbi 1000 automjete pasagjerësh që punojnë me benzinë. Në bazë të instrumentit, BKT Kosovo do të përfitojë nga ndihma teknike, në përputhje me nismën “Deep Greening” të fondit, që synon të krijojë qëndrueshmëri në veprimtaritë themelore të biznesit të BKT-së, të përmirësojë sistemin e tyre të menaxhimit mjedisor dhe social dhe të rrisë kapacitetin për dhënien e kredive të gjelbra.

Financimi nga BE-ja i infrastrukturës për një seksion të ri autostrade në Republikën Serbe

Seksioni i parë i autostradës që do të përfundohet përgjatë korridorit Vc në Republikën Serbe (RS), nga Johovaci në Rudanka, u përurua në një ceremoni ku morën pjesë anëtari serb i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës (BH), Milorad Dodik, Presidenti i RS-së, Željka Cvijanović, dhe përfaqësuesit e qeverisë së RS-së, Autoputevit të RS-së(Ndërmarrja Publike e Autostradave të RS-së), përfaqësuesit e European Bank for Reconstruction and Development (EBRD) dhe Zyrës së BE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë.  
Seksioni me gjatësi 6.1 km u përfundua falë një granti të BE-së me vlerë 15 milion euro, që lehtësoi financimin e mëtejshëm në formën e kredive të favorshme nga EBRD-ja me vlerë rreth 70 milion euro. Seksioni nga Johovaci në Rudanka siguron një lidhje të drejtpërdrejtë me autostradën Banja Luka – Doboj dhe me rrugën kryesore aktuale M17 në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ai plotëson seksionet Vukosavlje – Johovac dhe Rudanka – Putnikovo Brdo, që janë ndërtuar nga Autoputevi i RS-së. Shpejtësia e udhëtimit të pasagjerëve dhe mallrave në seksion do të rritet nga 60 km/orë në 100 -120 km/orë.  
Projektet e autostradave të përkrahura nga BE-ja përgjatë korridorit Vc sjellin, jo vetëm udhëtime më të shpejta e më të sigurta, por dhe përfitime ekonomike, duke ndihmuar ngritjen e urave të komunikimit në Ballkanin Perëndimor, si dhe midis këtij të fundit dhe Tregut të Vetëm të BE-së, që është zona më e madhe ekonomike në botë. Qeveritë dhe taksapaguesit vazhdojnë të përfitojnë nga kushtet tepër të favorshme financiare që janë ofruar për këto projekte infrastrukturore të mbështetura nga BE-ja në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Shpallen fituesit e Balkathon 3.0

Regional Cooperation Council (RCC) prezantoi fituesit e Balkathon 3.0, konkursit të tretë online për zgjidhjet më të mira digjitale në Ballkanin Perëndimor. Fituesit përfshijnë pjesëmarrës nga të gjashta ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Këtë vit, konkursi pati rreth 60 aplikime, të bëra nga ekipe prej të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. 12 skuadrat finaliste, shtatë prej të cilave drejtoheshin nga vajza, përbëheshin nga 37 anëtarë, ndër të cilët 18 ishin vajza.

 

Në ceremoninë e çmimeve të organizuar në Prishtinë, Johannes Stenbaek-Madsen, Shefi i Bashkëpunimit të Bashkimit Evropian në Kosovë, tha:-“Balkathon-i është një nga gjërat e shumta që mbështet BE-ja, me vizionin e bukur që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian një ditë”.

 

Gjatë dy viteve të fundit, gati 250 aplikues kanë qenë pjesë e magjisë së Balkathon-it, duke konkurruar, duke hapur horizonte të reja dhe duke gjetur zgjidhje të pazakonta. Tashmë janë zhvilluar dhe hedhur në treg nëntë produkte të fituesve të mëparshëm të Balkathon-it dhe së shpejti, numri do të shkojë 15.

Bëhet një thirrje e re publike për EU4AGRI-Recovery

Si pjesë e projektit EU4AGRI-Recovery, të financuar nga BE-ja, është bërë një thirrje publike për grante, me qëllim nxitjen e përmirësimit të efikasitetit të burimeve industriale dhe zinxhirëve të vlerës rrethore në sektorin agro-ushqimor.

 

Nëpërmjet kësaj thirrjeje publike, Bashkimi Evropian do të mbështesë bizneset agro-ushqimore që dëshirojnë ta orientojnë prodhimin e tyre drejt pastërtisë dhe efikasitetit të burimeve nëpërmjet modeleve ekologjike, digjitale dhe rrethore të biznesit, për të arritur bujqësi të qëndrueshme, përdorim të kontrolluar të burimeve natyrale dhe prezantim të praktikave të duhura. Mund të aplikojnë zejtarët, sipërmarrësit privatë, kooperativat dhe ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, që përpunojnë produkte bujqësore apo prodhojnë produkte primare bujqësore, që janë regjistruar të paktën një vit para datës së kësaj thirrjeje publike.

 

Totali i fondeve në dispozicion për këtë thirrje është 2.8 milion BAM dhe granti për secilin aplikim do të variojë midis 20,000 BAM dhe 80,000 BAM. Kërkohet që aplikantët të bashkë-financojnë 15% të vlerës totale të shpenzimeve të pranueshme të projektit.

 

“Mbështetja e Bashkimit Evropian ndaj Rigjenerimit dhe Ripërtëritjes së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Bosnjë dhe Hercegovinë”, EU4AGRI-Recovery, është një nismë që prej më shumë se dy vitesh e gjysmë synon të ndihmojë Bosnjën dhe Hercegovinën për zbutjen e pasojave ekonomike që ka sjellë pandemia e COVID-19-ës te bizneset agro-ushqimore dhe operatorët e turizmit rural, si dhe të sigurojë vazhdimësinë e proceseve të tyre.

 

BE-ja nis fushatën për të inkurajuar pjesëmarrje më të lartë të votuesve në zgjedhjet e ardhshme të BH-së

Bashkimi Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë nisi një fushatë të titulluar “Everything starts with a choice”, e cila synon të inkurajojë dhe motivojë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike duke votuar në zgjedhjet e ardhshme në tetor.

 

Fushata u hap me aktivitete në rrugë, me sloganin “Choosing is Easy”, në qendrën BBI në Sarajevë, në parkun Petar Kočić në Banja Luka dhe në qendrën tregtare Mepas në Mostar. Në të tria qytetet, kalimtarët u ftuan të bëheshin pjesë e një shorteu çmimesh, duke u futur në një kabinë votimi dhe duke bërë një zgjedhje të thjeshtë, për shembull ndërmjet aksesorëve të modës, destinacioneve të udhëtimit në BH apo muzikantëve premtues. Duke theksuar sa e lehtë është të votosh për një çmim të vogël, nisma synoi të nxirrte në pah vlerën e të votuarit për diçka shumë më të çmueshme – për një përpjekje për të ardhmen e vendit.

 

Fushata gjithashtu do të paraqesë dëshmi për rëndësinë e të votuarit. Këto të fundit do të jepen nga qytetarë të shquar, si ylli i basketbollit Jusuf Nurkić, dhe do të shoqërohen nga nisma të tjera që janë projektuar për të rritur pjesëmarrjen e publikut dhe ndërgjegjësimin për vlerën e ushtrimit të të drejtave demokratike.

 

Fushata (campaign) do të vazhdojë deri në përfundimin e zgjedhjeve në tetor.

Bosnja dhe Hercegovina i bashkohet EU Civil Protection Mechanism

Më 6 shtator, Bosnja dhe Hercegovina u bë anëtare me të drejta të plota e EU Civil Protection Mechanism – kuadrit të solidaritetit evropian që ndihmon shtetet në rastet kur tronditen nga katastrofat. Komisioneri për Menaxhimin e Krizës, Janez Lenarčič, erdhi në Sarajevë si përfaqësues i Bashkimit Evropian për të firmosur marrëveshjen e anëtarësisë.

 

Si shtet pritës, Bosnja dhe Hercegovina kishte kohë që përfitonte nga EU Civil Protection Mechanism, por duke qenë një anëtare me të drejta të plota, tani do të jetë në gjendje të ofrojë edhe asistencë në mënyrë aktive, nëpërmjet Mekanizmit, kudo ku të jetë e nevojshme.

 

EU Civil Protection Mechanism synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet 27 shteteve anëtare të BE-së dhe shtatë shteteve pjesëmarrëse (Islanda, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Serbia, Turqia dhe tashmë Bosnja dhe Hercegovina) për mbrojtjen civile, që të përmirësohet parandalimi, gatishmëria dhe reagimi ndaj katastrofave. Anëtarësia e Bosnjës dhe Hercegovinës te Mekanizmi do të rrisë kapacitetet e Evropës të gatishmërisë rajonale për emergjenca dhe shpëtim .

Mbështetje nga BE-ja për Guitar Art Summer Fest-in e 16-të në Malin e Zi

Një nga kitaristët akustikë më të mirë në botë, Tommy Emmanuel dhe kitaristi më i mirë në Ballkan, Vlatko Stefanosvski, hapi Guitar Art Summer Fest-in e 16-të këtë muaj në Kanli Kula, në Herceg Novi. Tommy Emmanuel nuk e fshehu kënaqësinë e të performuarit në skenën e mrekullueshme të Kanli Kula-s dhe theksoi sa i lumtur ishte të performonte sërish në ambiente të jashtme pas pushimit të gjatë, të shkaktuar nga pandemia e korona-virusit. Ndërkohë, kitaristi legjendar Vlatko Stefanovski, i cili po merrte pjesë për herë të dytë në festival, tha se e adhuronte Herceg Novi-n, ku edhe performonte shpesh.

 

Gjatë festivalit, u organizuan shtatë koncerte falas në Sheshin e Muzikës, në Qytetin e Vjetër dhe u mbajt një ekspozitë për Artin Vizual të Kitarës në galerinë Sue Ryder në Belavista. Spektakli pesë-ditor i kitarës u mbështet nga Bashkimi Evropian në Mal të Zi, së bashku me sponsorë të tjerë, duke përfshirë këtu Ministrinë e Kulturës dhe Medias, Bashkinë e Herceg Novi-t, dhe School for Basic Music Education.

Klara Šovagović dhe Josip Lukić fitojnë çmimin Zemra e Sarajevës për filmin më të mirë studentor

Regjisorët e rinj kroatë Klara Šovagović dhe Josip Lukić fituan çmimin Zemra e Sarajevës për Filmin më të Mirë Studentor në Festivalin e 28-të të Filmit në Sarajevë, me filmin e tyre Nuk Është Ftohtë për Mushkonjat. Çmimi, pajtori i së cilit ishte Regional Cooperation Council (RCC), u prezantua gjatë ceremonisë mbyllëse të festivalit.

 

Zemra e Sarajevës për Filmin më të Mirë Studentor, e përkrahur nga RCC-ja, synon të promovojë filma të krijuar nga studentët që vijnë nga shkollat rajonale të filmit, fakultetet dhe akademitë e arteve. Me këtë seksion të programit të konkursit, Festivali i Filmit në Sarajevë ofron një platformë të re për trajnimin e profesionistëve të talentuar të filmit, që në hapat e parë të karrierës së tyre. Fokusi është te filmat artistikë, dokumentarët dhe filmat e animuar me kohëzgjatje deri në 60 minuta, që janë krijuar gjatë procesit të mësimit në shkollat rajonale të filmit.

 

Që nga prezantimi i tij në vitin 2017, RCC-ja ka sponsorizuar çmimin Zemra e Sarajevës për Filmin më të Mirë Studentor të Festivalit të Filmit në Sarajevë. Laureatët e mëparshëm të çmimit janë: Alexandru Mironescu (Rumani) për Summer Planning në vitin 2021; Zeynep Dilan Süren (Turqi) për The Great Istanbul Depression në vitin2020; Nikola Stojanović, (Serbi) për Sherbet në vitin 2019; Hajni Kis (Hungari) për Last call në vitin 2018l; dhe Neven Samardžić (Bosnja dhe Herzegovina) për Clean në vitin 2017.

Ambasadorët e Rinj Evropianë marrin pjesë në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Në gusht, Sarajeva ishte qendra e rajonit, në sajë të edicionit të 28-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë. Për herë të parë, këtë vit, morën pjesë në event edhe Ambasadorët e Rinj Evropianë (YEAs), si pjesë e programit Dita e të Drejtave të Njeriut.

 

Në program morën pjesë edhe 11 YEA të tjerë, së bashku me vullnetarë nga Institute for Youth Development, KULT, nga Bosnja dhe Herzegovina. Ata panë filma të përzgjedhur posaçërisht, morën pjesë në leksione, u futën në punishte të drejtuara nga ekspertë në fushën e të drejtave të njeriut dhe artit ndërveprues, vizituan institucionet përkatëse dhe morën pjesë në panele me pjesëmarrës të programit rinor që kanë të bëjnë me të kaluarën.

 

Gjatë këtyre pesë ditëve, YEA-t patën mundësinë të shikonin filma nga kineastë me famë, si Ari Folman dhe Joseph Pierson, të dëgjonin historitë dhe përvojat e gazetares së luftës më të famshme boshnjake, Aida Čerkez ose të lideres së OJQ-së Forgotten Children of War, Ajna Jusić, por gjithashtu të flisnin me Ambasadorin e BE-së, Johann Sattler dhe me Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës, Jan Waltmans. Programi përdori një kombinim të artit– filmit artistik – dhe punës aktiviste e akademike për të ngritur pyetjen: kujt i përkasin të drejtat e njeriut sot?

YEA-të luajnë një rol kryesor në festivalin EXIT

Në festivalin EXIT të këtij viti në Novi Sad, Serbi, Young European Ambassadors (YEAs) organizuan dhe morën pjesë në një sërë aktivitetesh me qëllimin për të promovuar vlerat e BE-së, për të njohur kultura të reja dhe për të marrë pjesë në diskutimin e temave aktuale.

 

Dita e parë e festivalit ishte e dedikuar për njohjen e bashkëmoshatarëve nga Ballkani Perëndimor dhe nga pjesa tjetër e Evropës, për shkëmbimin e ideve dhe ndarjen e eksperiencave dhe qëndrimet. Shërbeu si një mundësi për YEA-të të informonin njerëzit rreth çfarë ofron BE-ja  dhe politikat që ajo ka. Vizitorët që u intervistuan ishin pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistë të tjerë, për çështje sociale dhe mjedisore.

 

Sipas vizitorëve, çështjet kyç që BE-ja duhet të advokojë janë riciklimi, më shumë mundësi punësimi për të diplomuarit, lufta kundër ngrohjes globale dhe përdorimi i energjisë bërthamore, të drejtat e imigrantëve, rëndësia e birësimit të fëmijëve në martesat gay, mjedisi, veçanërisht gjurmët e karbonit të BE-së dhe sponsorizimi i shpikjeve që krijojnë energji të ripërtëritshme. Opinioni i përgjithshëm ishte që qytetarët mund dhe duhen të trajtojnë këto çështje të rëndësishme si dhe të ndihmojnë në rritjen e përfshirjes së grupeve të cënueshme në shoqëri, diskutime rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të jenë më aktiv në çështje sociale.

 

Vizitorët ndanë gjithashtu nisma nga jeta e përditshme, por gjithashtu dhe gjatë festivalit EXIT.  Disa nga aktivitetet që përmendën ishin vullnetarë në pastrimin e parqeve dhe të lagjeve dhe të mësonin fëmijët në shkolla si të riciklonin.

 

Shoqatat e para me BE-në përfshinin politikat e demokracisë, paqes, barazisë, drejtësisë, të drejtat e njeriut dhe fondet e BE-së për artistët. Pjesa më e madhe e njerëzve të intervistuar kishin marrë pjesë në programet edukative të BE-së ose njihnin dikë që kishte marrë pjesë. Këto përfshinin seanca të European Youth Parliament duke diskutuar probleme me të cilat përballen të rinjtë në Evropë, projekte të Erasmus+ dhe projekte të tjera në fushën e artit dhe kulturës që financohen nga BE-ja.

 

Në fund të intervistave, pjesëmarrësit u përcollën mesazhe të rinjve nga Ballkani Perëndimor për të ardhmen e BE-së. Tre më të rëndësishmet ishin:

 “Tregohu i mirë me natyrën, të moshuarit dhe fëmijët sepse të gjithë i vlerësojnë gjestet dashamirëse”

“Bashkimi Evropian është krijuar për të mbajtur paqen në Evropë, sidomos midis Francës dhe Gjermanisë. E ardhmja e Bashkimit Evropian është të parandalojë të ndodhin luftëra, si ajo në Ukrainë.”

“BE-ja dhuron një shumë të madhe parash, shfrytëzojini ato.”

 

Gjatë katër ditëve të tyre të kaluara në kalanë Petrovaradin, duke dëgjuar muzikë të mirë dhe të shumëllojshme, YEA-të treguan më së miri se vlerat e BE-së janë vlerat morale, që kultura e Ballkanit Perëndimor është pjesë e kulturës së BE-së dhe që BE-ja nuk është vetëm e ardhmja e rajonit por dhe e së tashmes gjithashtu.