Gladiatorët rikthehen në teatrin e Stobit | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Gladiatorët rikthehen në teatrin e Stobit

Financimi i BE-së i ka mundësuar një OJF-je nga Maqedonia e Veriut që të zhvillojë një mjet të realitetit virtual i cili të rikthen në dyluftimet e gladiatorëve të 1,500 viteve më parë.

SCROLL DOWN

Stobi në Maqedoninë e Veriut ka qenë dikur një ndër qytetet më të rëndësishme në Evropë. Nga viti 200 p.e.s. dhe për shtatë shekujt në vijim, ai luajti një rol të rëndësishëm në perandorinë romake. I ndodhur në kryqëzimin e rrugëve tregtare, ai u kthye në një qytet me rëndësi, i cili kishte edhe monedhat e veta. Gjatë periudhës romake, Stobi ishte kryeqyteti i provincës romake e njohur si Macedonia Salutaris, dhe qytetarët e saj gëzonin të njëjtin status si qytetarët e Romës. Ashtu si në çdo qytet të rëndësishëm romak, dyluftimet e gladiatorëve ishin një pjesë e pandashme e kulturës urbane. Sot, Stobi është një sit i rëndësishëm arkeologjik me bazilika të krishtera, banjë publike, teatër, sinagogë, rrënojat e rrugëve dhe shtëpive të mëdha, madje edhe të një kazinoje. Edhe pse jeta e qytetit mund të mos gjallërohet më, gladiatorët e tij po rikthehen!

Në Maqedoninë e Veriut, koncepti i përdorimit të siteve kulturore dhe historike si destinacione turistike është ende në fillesat e veta. Sitet arkeologjike shpesh nuk kanë panele të mira prezantuese dhe informuese; rrëfimi i historisë rrallëherë shkon përtej broshurave dhe posterave, dhe thuajse nuk ka aspak angazhim të publikut në sit. Por tregu tepër konkurrues turistik kërkon që sitet e trashëgimisë kulturore të zhvillojnë strategji dhe bashkëpunim me industritë krijuese për t’i ndihmuar sitet që të dallojnë nga të tjerat. Një opsion i tillë është përdorimi i zgjidhjeve novatore, i tillë si një aplikacion i një turi të realitetit virtual (VR) si një mjet për të eksploruar dhe ringjallur trashëgiminë kulturore. Teknologjia VR i ofron publikut një mundësi për t’u zhytur në një rindërtim realist të ngjarjeve dhe historive që përfaqësojnë më së miri një sit të caktuar të trashëgimisë kulturore.

“Mjedisi 3D paraqet brendësinë e arenës së gladiatorëve dhe projekton një ceremoni hapëse përpara zhvillimit të dyluftimit, si dhe një turmë të përgjithshme, duke u ngjallur vizitorëve ndjesinë se ata janë pjesë e audiencës.“

Milan Tancheski, Menaxher Projekti, Center for Social Innovations Blink 42-21

Virtualisht mes gladiatorëve

Në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Stobit dhe me mbështetjen e financimit të BE-së, OJF-ja Center for Social Innovations Blink 42-21 zhvilloi një aplikacion të realitetit virtual që do t’u ofrojë vizitorëve të Stobit një shfaqje dyluftimi të gladiatorëve brenda teatrit të vjetër. Milan Tancheski, menaxher i projektit, shpjegon se aplikacioni VR përfshin vizualizimin 3D dhe rindërtimin e teatrit.

Kjo u mundëson vizitorëve të fitojnë një kuptim më të thellë dhe më të plotë të hapësirës, me pamje të lirë të strukturave dhe monumenteve kryesore që nuk ekzistojnë më. “Mjedisi 3D paraqet brendësinë e arenës së gladiatorëve dhe projekton një ceremoni hapëse përpara zhvillimit të dyluftimit, si dhe një turmë të përgjithshme, duke u ngjallur vizitorëve ndjesinë se ata janë pjesë e audiencës”, shprehet Milan.

Zhvillimi i këtij projekti ishte sfidues. Qyteti ka vetëm rrënoja, kështu që fillimisht përgatitëm skenarin dhe historinë si bazë për zhvillimin e modeleve 3D si për personazhet dhe arkitekturën përreth. Si pjesë e procesit, një arkitekt projektoi një plan të teatrit të vjetër dhe e ktheu atë në një model 3D. Si pjesë e fundit e aktivitetit, projekti duhej të zhvillonte modele 3D në madhësi reale për gladiatorët dhe për rreth 700 personazhe të audiencës. Për këtë qëllim, ata u konsultuan nga afër me ekspertë dhe përdorën të dhëna historike, në mënyrë që përvoja të ishte sa më realiste dhe e bazuar në fakte.

“Në kohët e tij të arta,  teatri kishte 7,000 vende, dhe arritëm të projektojmë dhe të sjellim në jetë 700 personazhe, shumica e tyre dinamikë: duke brohoritur ose në këmbë. Kështu ju shihni personin pranë, prapa ose përpara jush duke brohoritur, në këmbë ose ulur.”

Milan Tancheski, Menaxher Projekti, Center for Social Innovations Blink 42-21

Nëse vizitoni Stobin tani, mund të kërkoni një set realiteti virtual, i përbërë nga një laptop dhe syze VR. Më pas, ju do të uleni në një vend të caktuar në teatër. Momentin që vendosni syzet dhe ndizni pajisjet, ju udhëtoni 1500 vjet prapa dhe gjeni veten të rrethuar nga një publik dhe mund të shijoni një ceremoni gladiatorësh që zhvillohet në skenën qendrore të teatrit.

“Në kohët e tij të arta,  teatri kishte 7,000 vende, dhe arritëm të projektojmë dhe të sjellim në jetë 700 personazhe, shumica e tyre dinamikë: duke brohoritur ose në këmbë. Kështu ju shihni personin pranë, prapa ose përpara jush duke brohoritur, në këmbë ose ulur”, shprehet Milan.

Rreth projektit

Projekti Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, ka vlerë 5 milionë euro. Ky projekt punon për zhvillimin dhe promovimin ndërkombëtar të ofertave të përbashkëta rajonale të turizmit kulturor dhe aventuresk, duke rritur numrin e turistëve që vizitojnë gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe duke zgjatur qëndrimin e turistëve në rajon. Blink 42-21 ishte ndër përfituesit e grantit në raundin e dytë të granteve, me vlerë deri në 54,000 euro secili, të dhëna në muajin tetor 2019. Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal është një kuadër bashkëpunimi gjithëpërfshirës, në pronësi dhe i udhëhequr nga rajoni me qëllim promovimin e bashkëpunimit, pajtimit dhe zhvillimit ekonomik dhe social të rajonit. Ai mbështetet financiarisht nga BE-ja.

Photo credits: Blink 42-21

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.