
Gjeni punën e ëndrrave në Cloud
Modeli i ri i trajnimit digjital adreson mospërputhjen e aftësive dhe papunësinë tek të rinjtë.
Përqindja e papunësisë tek të rinjtë në Ballkanin Perëndimor është ndër më të lartat në Evropë, nga 28.3% në Shqipëri në 55.4% në Kosovë (Eurostat 2018). Megjithatë, nga ana tjetër shumë vende pune mbeten bosh. Një zgjidhje parashikon aftësimin e të rinjve përmes kurseve të trajnimit, që përqendrohen tek aftësitë specifike të kërkuara. Këtë qasje ndoqi organizata rinore serbe, “RES POLIS” (Qendra për të Rinjtë dhe Zhvillimin Social), e specializuar në hapjen e mundësive të arsimit joformal për të fuqizuar të rinjtë.
“Në Serbi po përballeshim me një paradoks.” – shpjegon Boris Negeli nga RES POLIS. “Nga njëra anë kishim përqindje të lartë papunësie, ndërsa nga ana tjetër, në sektorin e TI-së mungonin punonjës me aftësitë e duhura. Zgjidhja ishte e thjeshtë për ne: programet arsimore të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, përgjegjës për trajnimin e personave të papunësuar, duhet të përfshinin trajnimin në TIK.”Kjo ishte ajo që e frymëzoi nismën “Ideo Punën Tënde”, nga RES POLIS në vitin 2009. Objektivi ishte zhvillimi dhe testimi i programeve arsimore në TIK, në fushat ku mungojnë punonjës me aftësitë e duhura.
Që prej asaj kohe, “Ideo Punën Tënde” është rritur ditë pas dite. Kjo nismë mbështetet nga programi ERASMUS+ i Bashkimit Evropian, që promovon bashkëpunimin në arsimin, trajnimin dhe punën e të rinjve, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Projekti përfshin organizata partnere nga Franca, Italia, Shqipëria dhe Qiproja, të cilat sjellin ekspertizë të shumëllojshme. Duke qenë se shumë vende në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë përballen me sfida të ngjashme, ndarja e përvojave është jetike.
Janë zhvilluar kurse trajnimi në fusha të shumëllojshme, si: dizenjimi grafik, dizenjimi i faqeve të internetit, programimi, modelimi 3D, dhe animimi i lojërave. Në këto kurse pranohen personat e grupmoshës 18 – 30 vjeç, në veçanti të rinjtë nga grupe të pafavorizuara. Kandidatët e suksesshëm i kryejnë trajnimet në një prej vendeve partnere në mënyrë që të përftojnë përvojë ndërkombëtare.