Bogdanci është një qytezë në Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Greqisë. Kjo zonë njihet për erërat e forta që fryjnë gjatë gjithë vitit. Erërat e vazhdueshme në Bogdanci njihen si Vardarec, që fryjnë përgjatë luginës së lumit Vardar, me shpejtësi mesatare prej 7.2 m/s, çka i bën erëra goxha të forta për këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja përse studimi i fizibilitetit, i financuar nga Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) e identifikoi Bogdancin si vendndodhjen ideale për parkun e parë eolik në Maqedoninë e Veriut.
Parku eolik ndodhet në një zonë të përzgjedhur pas një analize të thellë të të dhënave dhe simulimit të rrjedhës së erës. Ndërtimi i Fazës I të parkut, financuar nga huat e KfW-së dhe shoqëria e prodhimit të energjisë “ELEM”, përfundoi në vitin 2014, dhe ka një kapacitet prej 36.8 MW dhe prodhim vjetor mesatar prej rreth 112 gigavatë orë, çka iu ofron energji të gjelbër përafërsisht 16,000 familjeve në jug të vendit.
Në fazën e parë u instaluan 16 turbina ere dhe u ndërtua një linjë transmetimit 11 km e gjatë, 110 kV, krahas një nënstacioni dhe rrugëve hyrëse, që lidhin parkun eolik me rrjetin e energjisë. Faza II është në zhvillim e sipër dhe do të shtojë 14 MW në kapacitetin e prodhimit të energjisë të objekteve ekzistuese,për ta sjellë kapacitetin total në 50 MW, sipas planit fillestar.
“Maqedonia e Veriut ka përcaktuar objektiva klimatike shumë ambicioze. Së pari, nënshkroi Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe më pas u angazhua të reduktonte gazet serë me 52%. Në fund të këtij dhjetëvjeçari, vendi do të ketë mbyllur termocentralet që furnizohen me qymyr, çka e vendos në një situatë të vështirë. “Të gjithë do të përfitojnë nga energjia e gjelbër e parqeve eolike, qofshin familjet apo industria; të gjithë do të përdorin energji të gjelbër.” – shprehet Robert Sarlamanov nga Banka për Zhvillim KfW.
Parku eolik ka një ndikim të ndjeshëm në furnizimin e rajonit me energji. “Prodhimi vjetor mesatar do të jetë 112 gigavatë orë. Thënë më thjesht, do të mbulojë konsumin energjetik për rreth 16,000 familje, që do të ishte mesatarisht konsumi vjetor i energjisë për familjet që banojnë në qytezat fqinje të Gevgelija, Bogdanci, Valandovo dhe Dojran.” – shprehet Goce Dzambalovski nga Centralet Energjetike në Maqedoninë e Veriut.
Së fundmi, Maqedonia e Veriut ka bërë goxha progres me tranzicionin energjetik në Ballkanin Perëndimor. Vendi kryen ankande të energjisë së rinovueshme, duke zëvendësuar qymyrin me energjinë diellore dhe gazin, si dhe duke nënshkruar marrëveshje strategjike investimi, jo vetëm për parqe të mëdha eolike, por edhe për centrale fotovoltaike. Sipas portalit të Energjisë së Gjelbër të Ballkanit Perëndimor, prodhimi i energjisë elektrike në centralet e energjisë së rinovueshme të Maqedonisë së Veriut, vitin e kaluar u rrit me 14.7% krahasuar me vitin 2020, ndërsa produkti i centraleve që furnizohen me qymyr ra me 17.1%. Përqindja e energjisë së rinovueshme në prodhimin e përgjithshëm të energjisë u rrit gjithashtu, nga 29.2% në 31.4%, falë projekteve madhore, si projekti i Parkut Eolik të Bogdancit.
Lidhur me projektin
Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) u prezantua në vitin 2009 nga Komisioni Evropian(Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Zgjerimin – ish-DG ELARG, tani DG NEAR), institucione financiare ndërkombëtare dhe donatorë dypalësh, për të rritur investimet në harmonizim dhe bashkëpunim për zhvillimin socioekonomik të Ballkanit Perëndimor. Së bashku me përfituesit e Ballkanit Perëndimor, WBIF-ja formon një partneritet unik, që përcakton prioritetet dhe paketat mbështetëse të investimeve strategjike dhe reformave institucionale. WBIF-ja kontributon në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor jo vetëm duke mbështetur projekte investimi, që përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe rritjen, por edhe duke përforcuar bashkëpunimin dhe ndërlidhjen rajonale.
Photo credits: WBIF
Please wait while your video is being uploaded...
Don't close this window!