Urime Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në SEPA – Një hap më afër integrimit evropian

Urime Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në SEPA – Një hap më afër integrimit evropian
Maqedonia e Veriut ka avancuar në rrugën e saj drejt integrimit evropian duke iu bashkuar fushëveprimit gjeografik të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) pas vendimit pozitiv të Këshillit Evropian të Pagesave (EPC). Ky është një shembull praktik i ndikimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një nismë e BE-së për të përshpejtuar integrimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor në BE, duke përfshirë qasjen progresive në zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së bazuar në përafrimin me acquis communautaire të BE-së.
Si rezultat i vendimit të Këshillit Evropian të Pagesave, ofruesit e shërbimeve të pagesave të Maqedonisë së Veriut do të kenë mundësinë t’i përmbahen skemave të ndryshme të SEPA-s të cilat menaxhohen nga EPC-ja.
Ky hap i mundëson Maqedonisë së Veriut të lehtësojë transfertat financiare në euro dhe të zvogëlojë koston dhe kohën e përpunimit të këtyre transaksioneve ndërmjet qytetarëve të saj, si dhe bizneseve e anëtarëve të tjerë të SEPA-s. Andaj kontribuon në rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Komisioni Evropian do të vazhdojë të mbështesë përgatitjen e ofruesve të shërbimeve të pagesave të Maqedonisë së Veriut dhe përafrimin e mëtejshëm të vendit me acquis-in e BE-së në fushën e shërbimeve financiare.
Historiku
Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) është shoqatë e pavarur, jofitimprurëse ndërkombëtare e formuar nga 83 anëtarë të cilët janë ofrues të shërbimeve të pagesave (PSP) ose shoqata të PSP-ve. EPC është krijuar në vitin 2002 nga industria bankare evropiane për të zhvilluar instrumente evropiane për pagesat elektronike në euro. Sot, rreth 4,000 banka dhe ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave marrin pjesë në skemat e SEPA-s.
Në dialog të ngushtë me komunitetin e palëve të interesuara, EPC-ja ka zhvilluar, ndër të tjera, “skema” si Transferimi i Kreditit SEPA, Transferimi i Menjëhershëm i Kreditit SEPA dhe skema e Debitimit Direkt SEPA. Këto skema, të cilat lehtësuan mbi 50 miliardë transaksione në 36 vende vitin e kaluar, rregullisht përditësohen dhe përmirësohen nga EPC-ja për të ndihmuar në realizimin e pagesave të lehta ndërkufitare në euro.
Më shumë informata