Proton Cable: Pioner për prodhimin e kabllove të qëndrueshme dhe novatore në Kosovë | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Proton Cable: Pioner për prodhimin e kabllove të qëndrueshme dhe novatore në Kosovë

03 Mar 2023

Proton Cable, kompani e specializuar për telat dhe kabllot elektrikë në Kosovë, ka zënë vend shpejt si lojtar kyç në Ballkanin Perëndimor, që nga themelimi në 2010-n. Deri më tani, rrugëtimi ka pasur vështirësi, por ka qenë i suksesshëm falë mbështetjes nga Bashkimi Evropian. Besim Dida, partneri menaxhues në Proton Cable, shpjegon se vizioni i kompanisë ka qenë që në krye të herës prezantimi i risive në tregun e kabllove.“ Para se të nisnim prodhimin, kabllot në treg nuk kishin ndonjë markë. Të gjithë e dinin që ishte kabllo, por nuk kishin të shënuara tipin apo emrin e markës dhe kabllot nuk shpërndaheshin me paketimin e markës,“ thotë Besimi.

“Zbuluam edhe se në rajonin tonë nuk kishte prodhues kabllosh pa halogjenë, dhe kostoja e teknologjisë për prodhimin e tyre ishte relativisht e lartë.“

Besim Dida, partner menaxhues, Proton Cable

Në 2017-n, kompania krijoi seksionin për përpunimin e telit të bakrit duke e rritur pavarësinë e saj nga prodhuesit e lëndëve të para dhe qëndrueshmërinë e tyre në treg. Si kompani e përqendruar te risia dhe ecja në një hap me zhvillimet në tregun ndërkombëtar, ata zbuluan se Bashkimi Evropian kishte prezantuar një direktivë të re që kërkonte që kabllot e përdorur në hapësirat publike duhet të ishin pa halogjenë. Këto kabllo, kur bien në kontakt me zjarrin, nuk lëshojnë gaze të dëmshme që do të dëmtonin mjedisin ose shëndetin e njerëzve. „Po ashtu, zbuluam edhe se nuk kishte prodhues kabllosh pa halogjenë në rajonin tonë, dhe se kostoja e teknologjisë për prodhimin e tyre ishte relativisht e lartë,“ thotë Besimi.

Proton Cable vendosi të bëhej kompania e parë e rajonit që do të fuste në treg kabllo pa halogjenë në përputhje me standardet e BE-së. Kompania e kishte nisur tashmë me sukses fabrikën e kabllos dhe telit të bakrit, por duke qenë se nisma e fundit ishte shumë e vështirë nga pikëpamja financiare, ata kërkuan ndihmë dhe u erdhi mbështetje nga Bashkimi Evropian. BE-ja i mbështet për blerjen e teknologjisë për linjën e prodhimit të kabllove pa halogjenë dhe për linjën e mbështjelljes së përbërë kokrrizore.

Për më tepër, kompania pati mundësi të shfrytëzonte mundësinë që u paraqit për shkak të mungesave të prodhuesve të mbështjelljes kokrrizore të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. „Duke qenë se tashmë e kishim teknologjinë e blerë me mbështetjen e BE-së dhe e kishim vënë në punë, vendosëm ta përdornim këtë mundësi dhe ta zgjeronim tregun tonë,“ thotë Besimi. Proton Cable nisi të eksportonte në vendet fqinje dhe tashmë e ka zgjeruar tregun e vet më tej, duke përfshirë dhe Austrinë dhe Kroacinë.

„Ky grant nga BE-ja ishte pika e kthesës për ne. Jemi prodhuesit e parë të kabllos pa halogjenë në rajon dhe tani po eksportojmë dhe në vendet e BE-së.“

Besim Dida, partner menaxhues, Proton Cable

Proton-i po shpreson ta zgjerojë më tej tregun e vet dhe po lobon me institucionet që të pranojnë direktivën e BE-së për përdorimin e kabllove elektrike në hapësirat publike në Kosovë.“ Ky grant nga BE-ja ishte pika e kthesës për ne. Jemi prodhuesit e parë të kabllos pa halogjenë në rajon dhe tani po eksportojmë dhe në vendet e BE-së,“ thotë Besimi.

Falë mbështetjes së marrë, Proton-i ka rritur dhe numrin e punonjësve të vet. U trajnuan 129 persona për bazat e instalimit elektrik dhe përdorimin e kabllove pa halogjenë dhe 17 prej tyre u punësuan menjëherë në Fabrikën e Proton Cable. Pesëdhjetë të tjerë përfunduan stazhin, ndërsa 58 të tjerët i shtuan aftësitë e tyre dhe gjetën punë në kompani të tjera.

Lidhur me projektin

Projekti i financuar nga BE-ja Nxitja e punësimit të grupeve të disavantazhuara dhe rritja e konkurrencës globale të industrisë së instalimeve elektrike në Kosovë në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës social” u nis në vitin 2020. Qëllimi i projektit ishte nxitja e punësimit, rritja e gjithëpërfshirjes sociale dhe krijimi i modeleve të qëndrueshme sipërmarrëse në Kosovë.

Mëso më shumë

Photo credits: Proton

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.