Shishja Numër Katër që fitoi çmim | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Shishja Numër Katër që fitoi çmim

16 Dec 2022

Goran Radević-i është një mjek me përvojë pune në katër kontinente. Ai e la atdheun e tij, Malin e Zi, në moshë të re dhe për 27 vite me radhë punoi në vende si Ishujt Kajman, Kinë, Oman, Afrikën e Jugut, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gorani gjithmonë ushqente idenë se një ditë do të kthehej në vendlindjen e tij dhe do të ndërtonte një kantinë vere. Prodhimi i verës ishte traditë në familjen e Goranit dhe dashuria e tij për prodhimin e verës filloi që para se të mbushte pesë vjeç. Gjyshi i tij nga nëna zotëronte një vresht dhe ishte ekspert për prodhimin e verës. “Mësova si të shartoja hardhitë para se të mësoja shkrim e këndim,” thotë Gorani.

Sidoqoftë, nuk ishte e lehtë të rriste vreshtin e tij, pasi për këtë nevojitej investim i madh. Megjithatë, teksa vitet kalonin, ideja u kthye në një nevojë dhe më në fund, së bashku me familjen e tij, Gorani mori vendimin e madh që të kthehej në Malin e Zi dhe të hapte kompaninë e ëndrrave të tij. Investimi financiar dhe pasioni nuk u kursyen, por kjo punë nuk do të ishte e lehtë për Goranin dhe bashkëshorten e tij.

“Pati shumë vështirësi: shishet e para u prodhuan në një garazh dhe pa asnjë lloj mbështetjeje nga ekspertët.”

Goran Radević, Radević Estate Wines

Ata i mbollën hardhitë e para në vitin 2007, kurse në vitin 2009 morën të vjelat e para dhe nxorën shishen e parë. “Pati shumë sfida: shishet e para u prodhuan në një garazh dhe pa asnjë lloj mbështetjeje të duhur nga ekspertët,” thotë Gorani. Sidoqoftë, në mënyrë të mahnitshme, shija ishte e mrekullueshme dhe produkti premtonte sukses. Atë vit, Gorani arriti të dërgojë mostra të produkteve të tij fillestare në një konkurs për degustimin e verës në një restorant të mirënjohur në Manhattan. Pati shtatë konkurrues dhe shishja numër katër ishte e tyrja, kujton Gorani. “Të pestë anëtarët e jurisë, të cilët ishin pronarë resorantesh të mirënjohura, emëruan shishen numër katër si më të mirën. Besoj se ishte fati i fillestarit,” buzëqesh ai.

Në mënyrë të menjëhershme, ata filluan ta eksportonin verën e tyre në SHBA, por u përballën me disa probleme. Disa elemente – që nga cilësia e etiketës deri te cilësia e tapës së shishes – nuk i përmbushnin kriteret e standardeve ndërkombëtare dhe e  kuptuan se duhet t’u kushtonin më shumë vëmendje këtyre çështjeve. Bashkëshortja e Goranit, e cila ka origjinë amerikane, mori përsipër sektorin e marketingut të kompanisë. Ata filluan të përdornin tapa shishesh me cilësi të lartë që vinin nga Franca dhe letër etikete nga Gjermania. Suksesi u bë i dukshëm, shumë shpejt, duke qenë se kompania filloi të eksportonte në Gjermani, Skandinavi, Zvicër, madje dhe Japoni.

Teksa tregu zgjerohej, në vitin 2011, Gorani dhe bashkëshortja e tij vendosën të përfshinin konsulentë profesionistë për të siguruar zgjerimin e qëndrueshëm të biznesit të tyre. Ata lidhën kontratë me një agronom dhe teknolog më se të kualifikuar, që kishte vite përvoje kombëtare dhe ndërkombëtare. Me ndihmën e të dyve, kantina e verës u kthye në një markë të mirënjohur ndërkombëtare.

“Falë mbështetjes së BE-së, munda t’i përdor paratë e planifikuara për këto investime të domosdoshme në pjesë të tjera të veprimtarisë së biznesit.”

Goran Radević, Radević Estate Wines

Gjatë rrugëtimit të kantinës drejt suksesit, ata patën dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian. Në vitin 2018, aplikuan për programin “Instrument for Pre-accession Assistance for Rural Development” (IPARD), të financuar nga BE-ja dhe iu ofrua mbështetje për sigurimin e makinerive, si pirun, traktor, vibro-kultivues, parmendë për vreshta dhe lesa elektrike. Me rënien e biznesit gjatë pandemisë, kjo mbështetje erdhi pikërisht në kohën e duhur. “Falë mbështetjes së BE-së, munda t’i përdor paratë e planifikuara për këto investime të domosdoshme në pjesë të tjera të veprimtarisë së biznesit,” thotë Gorani.

Gorani ka katër fëmijë dhe djali i tij më i madh, Luka, po studion Teknologjinë e Verës në fakultetin bujqësor të Beogradit. “Kam 27 vite që ëndërroj për këtë kantinë vere dhe kam punuar pa u lodhur për të kursyer para për hapjen e saj. Djali im do ta trashëgojë kantinën dhe do ta vazhdojë traditën. Kjo më bën të ndihem shumë i lumtur dhe i përmbushur,” thotë Gorani.

Lidhur me projektin

Një pjesë e “Instrument for Pre-accession Assistance” (IPA) është dizenjuar për të mbështetur reformat e vendeve në proces pranimi në BE, “Instrument for Pre-accession Assistance for Rural Development” (IPARD) përqendrohet te sektorët agro-ushqimorë dhe zonat rurale të këtyre vendeve. Nëpërmjet këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë financiare dhe teknike për ta bërë sektorin e tyre bujqësor dhe zonat e tyre rurale më të qëndrueshme, duke i përshtatur me politikat e përgjithshme bujqësore të BE-së.

Mëso më shumë

Photo credits: Radevic Estate Vines

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.