Të jetosh një jetë të ndotur urbane | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Të jetosh një jetë të ndotur urbane

05 Jun 2021

Tirana është një qytet plot gjallëri, ku jeton një e treta e popullsisë së vendit. Me 0.85 milionë banorë, e në rritje, Tirana është një qytet ku shkrihen kulturat dhe ku çdokush kërkon një mundësi për t’u arsimuar dhe bërë biznes. Por kryeqyteti ka një infrastrukturë të kufizuar të transportit publik që i shtyn njerëzit të përdorin më shumë automjete, dhe kërkesa për banesa ka rritur ndjeshëm industrinë e ndërtimit në këto tri dekadat e fundit. E gjithë kjo ndikon ndjeshëm në cilësinë e jetës si rrjedhojë e niveleve të përhershme të ndotjes së ajrit.

Në një vend me shumë pak monitorë, shqiptarëve u ngelet vetëm të hamendësojnë rreth cilësisë së ajrit që thithin. Por një organizatë e mirëfilltë mjedisore, Milieukontakt, dëshironte ta ndryshonte këtë. Ajo synonte të maste ndotjen në një shkallë të gjerë: pesëqind vendndodhje. Njëkohësisht, dëshironte të përfshinte sa më shumë njerëz me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të këtij problemi të fshehur, por të qartë mjedisor.

“Çdokush që jeton në Tiranë është i ndërgjegjshëm për cilësinë e dobët të ajrit, por tashmë ne kemi të dhënat për të mbështetur saktësisht se sa rëndë është.”

Arion Sauku, Project Coordinator of the Green Lungs project

“Çdokush që jeton në Tiranë është i ndërgjegjshëm për cilësinë e dobët të ajrit, por tashmë ne kemi të dhënat për të mbështetur saktësisht se sa rëndë është,” shprehet Arion Sauku, Koordinator projekti për projektin Mushkëri të Gjelbra, i cili ishte i pari në llojin e tij që ofronte këto të dhëna gjithëpërfshirëse për problematikën. Duke përdorur teknika alternative monitorimi, projekti mati ndotjen me pajisje matëse të lëvizshme në qindra vendndodhje në kryeqytet. Këto përfshinin qendrën me gjallëri të qytetit, zonat gumëzhitëse pranë shkollave, si dhe stacionet e autobusëve në linjat më të gjata të Tiranës. Projekti Mushkëri të Gjelbra mori parasysh tetë parametra të ndryshëm për matjen e ndotësve. “Ndotësit më të mëdhenj të ajrit janë industritë e transportit dhe ndërtimit. Nivelet e matura rregullisht i tejkalojnë normat e BE-së, dhe në disa raste, ato janë tre ose katër herë më të larta”, shprehet Sauku.

Përgjatë një periudhe trevjeçare, projekti “Mushkëri të Gjelbra”, i financuar nga BE-ja, e zgjeroi monitorimin e tij në tre qytetet e tjera më të mëdha: Durrës, Elbasan dhe Shkodër. Rezultati: të njëjtit ndotës të nxitur nga ato që kërkohen më shumë: banesa dhe automjete. Industria e ndërtimit nuk zbaton standarde mjedisore, duke çuar në nivele të larta të grimcave të pluhurit përgjatë të gjithë vitit. Ndërkohë, ndotës të përhershëm janë edhe automjetet jashtë standardeve, të cilat shkarkojnë grimca të rrezikshme gjatë djegies së karburantit. Të dhënat tregojnë se në vend përdoren rreth 700 mijë automjete.

 “Vendimmarrësit kanë në dispozicion një tepri informacionesh rreth të tre komponentëve për të vepruar; ne kemi gjeneruar të dhëna, harta të ilustruara dhe përshkrime që përcaktojnë pikat e nxehta.”

Arion Sauku, Koordinator Projekti për projektin “Mushkëri të Gjelbra”

Këta sektorë kërkojnë ndërhyrje të shpejtë dhe të vazhdueshme për të reduktuar ndotjen e ajrit, tashmë që problemi mund të mbështetet me të dhëna të shumta dhe gjithëpërfshirëse. Por me sa duket ky problem është përhapur edhe në zona të tjera urbane të rajonit. Niveli i ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor është një ndër më të lartit në Evropë, me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve. Ndaj, Bashkimi Evropian ka përcaktuar eliminim e ndotjes, duke përfshirë të ujit dhe tokës, ndër fushat kryesore që duhet të trajtohen në kuadër të Agjendës së Gjelbër. Është një strategji e re e rritjes që aspiron të kalojë nga modeli tradicional ekonomik në një ekonomi të qëndrueshme, në përputhje me Paktin e Gjelbër Evropian.

Krahas matjeve të cilësisë së ajrit, platforma alternative e ngritur nga “Mushkëri të Gjelbra” monitoroi edhe ndotjen e zhurmës së shkaktuar nga aktivitetet njerëzore, si dhe ekosistemin e gjelbërimit urban. “Vendimmarrësit kanë në dispozicion një tepri informacionesh rreth të tre komponentëve për të vepruar; ne kemi gjeneruar të dhëna, harta të ilustruara dhe përshkrime që përcaktojnë pikat e nxehta,” shprehet Sauku, i cili beson se politikat duhet të jenë shumëplanëshe me qëllim përmirësimin e jetës së njerëzve në qytetet kryesore të Shqipërisë.

Ndërkohë, puna e madhe e vizualizimit të problemit të cilësisë së ajrit është kryer. Njëkohësisht, gjatë zbatimit të projektit, “Mushkëri të Gjelbra” ka arritur të edukojë të rinjtë rreth kësaj problematike përreth shkollave të tyre dhe në rrugën e tyre të përditshme për në shkollë. Së bashku me kalimtarët kureshtarë, të cilët vunë re matësit e shumtë në lagjet e tyre, projekti ka lënë një bazë të pazëvendësueshme të dhënash online për këdo që dëshiron të lokalizojë pikat e nxehta të cilësisë së ajrit në qytetin ku ata jetojnë.

Rreth programit

Projekti “Mushkëri të Gjelbra” ka projektuar dhe zbatuar një platformë alternative dhe gjithëpërfshirëse për monitorimin e cilësisë së ajrit, ndotjes së zhurmës dhe vlerësimit të shërbimeve të ofruara nga ekosistemi urban i gjelbërimit. Kjo u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërsektorial ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile dhe zhvillimin e kapaciteteve të Organizatave të Shoqërisë Civile.

 

Mëso më shumë

Photo credits: Green Lungs / MilieuKontakt

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.