Sjellim magjinë e filmit të animuar në një qytet në Kosovë | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Sjellim magjinë e filmit të animuar në një qytet në Kosovë

Njëmbëdhjetë vite më parë, pesë adoleshentë në Kosovë nisën një festival filmash të animuar. Sot, ANIBAR është një një festivalet kryesore të llojit të tij në Evropë.

SCROLL DOWN

Në vitin 2005, pesë adoleshentë admirues të filmave të animuar ishin në kërkim të mënyrave për të mësuar si bëhet animimi. Ata jetonin në qytetin e Pejës në Kosovë dhe në atë kohë nuk kishte asnjë shkollë animacioni në Kosovë dhe ata nuk kishin burimet për të udhëtuar jashtë vendit për të mësuar. Kështu që vendosën të sillnin mundësinë për të mësuar animacionin në qytetin e tyre. Sapo mbushën 18 vjeç, ata regjistruan një OJQ dhe filluan punën për të nisur atë që do të bëhej një nga festivalet më të njohura të filmave të animuar në Evropë – ANIBAR.

“Zakonisht festivalet zhvillohen anasjelltas,” shprehet Arba Hatashi, drejtoresha aktuale e festivalit. “Fillimisht duhet të ketë një shkollë animacioni ku mësohet si bëhen filmat e animuar dhe më pas themelohet festivali ku mund t’i shfaqin ata. Ne bëmë të kundërtën: themeluam festivalin në mënyrë që të sillnin filma dhe mentorë ndërkombëtarë në Pejë dhe të mësonim si të bënim filma të animuar.”

Pas 11 vitesh, arsimi mbetet një aspekt i rëndësishëm i festivalit. Fillimisht, themeluesit e festivalit dhe të rinj të tjerë përfituan nga masterklasat dhe workshop-et e ofruara nga trajnuesit që vizituan Pejën gjatë javës së festivalit. Në vitin 2016, ata themeluan Akademinë e Animacionit në Pejë dhe Prishtinë si një kurs animacioni që ofrohet gjatë gjithë vitit.

“Ideja origjinale e festivalit ishte t’i mësonim brezave të rinj mjeshtërinë e animacionit. Ky mbetet misioni ynë më i rëndësishëm.”

Arba Hatashi-ANIBAR

Tashmë Akademia po mëson brezin e katërt të nxënësve, teksa shumë të rinj nga brezat e kaluar po punojmë në sektorin e filmave të animuar në Kosovë dhe katër prej tyre po studiojnë në vende të Evropës. Akademia financohet nëpërmjet festivalit dhe mbështetësve të organizatës. “Ideja origjinale e festivalit ishte t’i mësonim brezave të rinj mjeshtërinë e animacionit. Ky mbetet misioni ynë më i rëndësishëm,” shprehet Arba.

Suksesi erdhi me hapa galopantë

Festivali ANIBAR ka shfaqur qindra filma të shkurtër dhe ka mirëpritur profesionistë ikonikë të animacionit si Koji Yamamura dhe të tjerë nga produksione të filmave të animuar të njohur në të gjithë botën duke përfshirë, The Simposons, BoJack Horseman dhe Rick and Morty.

“Vitin e kaluar kemi shfaqur rreth 300 filma të animuar me metrazh të shkurtër dhe kemi pasur një sërë workshop-e dhe masterklasa. Festivali është tashmë një eveniment i domosdoshëm për të rinjtë dhe ekonominë e qytetit.”

Arba Hatashi-ANIBAR

ANIBAR ka kontribuar edhe në ekonominë e Pejës. Vitin e kaluar 11,000 njerëz vizituan qytetin gjatë javës së festivalit. Kjo është një shifër e konsiderueshme për një qytet prej 49,000 banorësh. “Vitin e kaluar kemi shfaqur rreth 300 filma të shkurtër të animuar dhe kemi pasur një sërë workshop-e dhe masterklasa. Festivali është tashmë një eveniment i domosdoshëm për të rinjtë dhe ekonominë e qytetit,” shprehet Arba.

Ky ndikim nuk do të ishte arritur pa ndihmën e donatorëve dhe Bashkimi Evropian ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të Festivalit gjatë viteve. Arba shprehet se që në fillimet e tij, stafi i festivalit përfitoi nga trajnime përmes veprimtarive të ndryshme të lidhura me ERASMUS+. Mbështetja e drejtpërdrejtë nga BE-ja ka nisur në vitin 2014 dhe nuk ka reshtur që atëherë.

“Kjo mbështetje është shumë e mirëpritur duke qenë se festivali përfshin shpenzime të shumta si kostot e udhëtimit dhe akomodimit të vizitorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë si dhe kostot e shfaqjeve,” shprehet Arba. Ajo shpreson se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë festivalin në të ardhmen, duke qenë se është një investim për ekonominë, artin dhe të rinjtë.

Zhvillimi personal dhe profesional
Arba iu bashkua festivalit si vullnetare në vitin 2013, kur ishte vetëm 14 vjeç. Që atëherë ajo ka mësuar shumë aftësi dhe është rritur si person si pjesë e ANIBAR. “Kur iu bashkova festivalit nuk dija as si të shkruaja një email. Pjesëmarrja në ANIBAR kontribuoi shumë në zhvillimin tim personal dhe profesional,” shprehet ajo. Vitin e kaluar ajo u caktua drejtoreshë e Festivalit, duke u bërë një nga drejtorët më të rinj të festivaleve në Evropë.

Ajo thotë se e di që do të vazhdojë të mbetet pjesë e festivalit në një mënyrë apo një tjetër në vitet që do të vijnë. “Ju mund të mendoni se do ta humbnin pasionin fillestar për festivalin,” shprehet Arba. “Por sinqerisht, çdo ditë që punojmë për festivalin mahnitemi dhe rigjejmë pasionin e ditës së parë, teksa festivali vazhdon të na ushqejë me energji dhe dashuri.”

Photo credits: Arba Hatashi

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.