Teran Mušinovič është një shofer kamioni nga Bosnje dhe Hercegovina. Ai ka vite që udhëton shpesh drejt Kroacisë dhe vendeve të tjera të BE-së për transportimin e mallrave. Ai shprehet se një nga vështirësitë më të mëdha të punës së tij është pritja në kufi. Pika më e vështirë e kalimit kufitar të Bosnje dhe Hercegovinës është në Gradiška. “Na duhet të presim pesë, gjashtë, shtatë, madje në disa raste edhe tetë orë në Gradiška,” thotë Teran-i.
Gradiška është një qytezë në veriperëndim të Bosnje dhe Hercegovinës, në krahun e djathtë të Lumit Sava, përballë një qyteze tjetër të vogël, Stara Gradiška, që ndodhet në Kroaci. Gradiška ka qenë një vend i vogël, i qetë, me vizitorë të rrallë. Megjithatë, kur Bosnje dhe Hercegovina dhe Kroacia fituan pavarësinë e tyre, qyteza u kthye në pikën kryesore të kalimit kufitar ndërmjet dy vendeve. Tashmë, radhët e gjata të mjeteve dhe shoferëve të irrituar janë një pamje e zakonshme në Gradiška pasi rruga drejt kufirit përshkon qytezën për rreth dy kilometra, duke shkaktuar bllokim trafiku, vështirësi kalimi dhe ndotje të ajrit.
Një urë ndërmjet njerëzve dhe ekonomive
Davor Vučković punon si koordinator në ndërmarrjen publike JP Autoputevi, shoqëria e autostradave në Republika Srpska të Bosnjës. Ai shpjegon se ura e vjetër, që tani lidh dy vendet në pikën kufitare Gradiška, është ndërtuar në vitet 1970. “Në të shkuarën, ura ishte ndërtuar për të lidhur dy qyteza të vogla. Por tashmë është një pikë kalimi kufitar, çka ka sjellë probleme me radhët e gjata të mjeteve në kufi dhe trafik në qytezën e Gradiška-s”, thotë Davor-i.
Situata po ndryshon falë mbështetjes së Bashkimit Evropian. Si pjesë e projektit të investimit të Korridorit Vc, projekti më i madh infrastrukturor në historinë e vendit, një urë e re bashkërisht me objekte ndërkufitare janë ndërtuar jashtë qendrës urbane. E lidhur zyrtarisht në muajin tetor të vitit 2021, ura 430 metra e gjatë mbi Lumin Sava lidh jo vetëm Bosnje dhe Hercegovinën me Kroacinë, por edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Objektet moderne dhe infrastruktura e përmirësuar, parashikohet të shkurtojnë kohët e pritjes në kufi në Autostradën 2a, e cila ka një gjatësi thuajse 240 km nga Lasva (Zenica) në Bosnje dhe Hercegovinë përmes Banja Lukës, deri në Okučani në Kroaci. Gjithsej, ura, objektet kufitare dhe një seksion i Autostradës 2a ndërmjet Banja Lukës dhe Gradiška-s të përfunduar në vitin 2011, morën një grant prej 3,2 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian dhe një hua prej 65 milionë eurosh nga Banka Evropiane e Investimeve, krahu huadhënës i BE-së.
Sikurse sqaron dhe Davor-i, falë këtij investimi, qarkullimi i mallrave dhe njerëzve do të rritet ndjeshëm, me qarkullim të përmirësuar dhe lidhje cilësore, që kontribuojnë në përmirësimin e sigurisë. “Me 105 km të ndërtuara në Republika Srpska dhe rreth 115 km në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, me mbështetjen e BE-së, Bosnje dhe Hercegovina ka më shumë sesa 200 km rrjet shumë të avancuar autostradash, me standardet më të larta të sigurisë për të gjithë përdoruesit në rrugë”.
Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me lidhje më të mira ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kroacisë. Pika e re e kalimit kufitar do të ofrojë dhe një lidhje në rrjetin më të gjerë të transportit Trans-Evropian, çka do të ndihmojë ndjeshëm ekonominë vendase. Për Teran-in dhe shumë prej kolegëve të tij, kjo nënkupton se kalimi i kamionëve në BE në të ardhmen do të jetë më i shpejtë. Pika e kalimit ndërkufitar do të ketë dhe një ndikim më të gjerë, duke krijuar vende të reja pune, si dhe duke sjellë mundësi për ‘ndërtimin e urave’ konkrete dhe metaforike ndërmjet komuniteteve dhe kulturave ndërkufitare.
Rreth projektit
Korridori pan-evropian Vc në Bosnje dhe Hercegovinë është autostrada e parë madhore dhe projekti më i madh infrastrukturor në historinë e vendit. Deri më sot, Bashkimi Evropian ka investuar mbi 225 milionë euro në grante, bashkërisht me thuajse 1 miliardë euro hua përmes Bankës Evropiane të Investimeve, për ndërtimin e 12 seksioneve të autostradës së Korridorit Vc në Bosnje dhe Hercegovinë dhe një ure ndërkufitare.
Ky financim është kanalizuar përmes Kuadrit të Investimit të Ballkanit Perëndimor, një platformë investimesh nga donatorët, e drejtuar nga BE-ja, që bën bashkë grantet me financimin nga partnerët zbatues për të mbështetur zgjerimin e BE-së dhe zhvillimin socio-ekonomik në rajon.
Photo credits:WBIF
Please wait while your video is being uploaded...
Don't close this window!