Kthimi i një lumi nga rrezik në kënaqësi | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Kthimi i një lumi nga rrezik në kënaqësi

Si një projekt i BE-së dhe bashkëpunimi i komunitetit kanë ndihmuar me kontrollimin e përmbytjeve dhe përmirësimin e jetesës së banorëve në rajonin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

SCROLL DOWN

Cërnica është një fshat me rreth 600 banorë në anën e Kosovës, në kufirin me Maqedoninë e Veriut. Lumi me të njëjtin emër, që përshkon qendrën e fshatit, e bën këtë zonë një ndër më të bukurat në rajon, por edhe një ndër më të prekurat nga përmbytjet. Fatlum Mehmeti nga Cërnica ndihet krenar për bukurinë natyrore dhe njerëzit punëtorë të fshatit të tij, por shprehet se jetesa e tyre mund të ishte më e mirë nëse do të mund të eliminohej aroma e rëndë që vjen nga lumi për shkak të shkarkimit të ujërave të ndotura, si dhe dëmi i shkaktuar nga përmbytjet. “Çdo vjeshtë dhe dimër kemi jetuar në ankth nga dëmet e mundshme të shkaktuara nga përmbytjet ndaj shtëpive, arave dhe jetëve tona”, thotë ai.

 

Problemi me përmbytjet nuk është i pranishëm vetëm në Cërnicë. I gjithë rajoni kufitar e ka pasur këtë problem për dekada dhe, me ndryshimet klimatike, shpeshtësia e përmbytjeve është rritur. Vetëm gjatë kësaj vere, mbi 60 familje të rajonit janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre si pasojë e përmbytjes. Nuk pati humbje jete, por dëmi material ishte i konsiderueshëm. Sipas përllogaritjeve të Komunës së Gjilanit, dëmi nga përmbytjet e këtij viti arrin vlerën 1,5 milionë euro. Mbi 30 shtëpi u kthyen në të pabanueshme, pesë ura u shkatërruan dhe hektarë të tërë toke të lërueshme u dëmtuan.

“Prej disa vitesh, fshatarët kanë kërkuar ndihmë nga autoritetet lokale dhe menaxhimin tonë për riparimin e shtratit të lumit, me qëllim reduktimin e ndikimit të përmbytjeve”.

Besim Haziri, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava”

Ndalimi i përmbytjeve

Besim Haziri nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” në Kosovë shpjegon se përmbytjet vijnë nga shkaqe natyrore, megjithëse kanë pasur ndikim të konsiderueshëm njerëzor si pasojë e ndryshimeve klimatike. Megjithatë, në rastin e Cërnicës dhe këtij rajoni, përmbytjet shkaktohen edhe nga mungesa e infrastrukturës së përshtatshme. “Prej disa vitesh, fshatarët kanë kërkuar ndihmë nga autoritetet lokale dhe menaxhimin tonë për riparimin e shtratit të lumit, me qëllim reduktimin e ndikimit të përmbytjeve”, thotë Besimi.

Pavarësisht gatishmërisë për të ndihmuar, kompanisë dhe autoriteteve lokale u mungonin mundësitë financiare dhe ekspertiza për këtë projekt të rëndësishëm. Në vitin 2019, u shfaq një mundësi kur mësuan se mund të merrnin mbështetje nga programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar (BNK) për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, i financuar nga BE-ja. Kompania “Hidromorava” aplikoi me sukses bashkërisht me ndërmarrjen publike Vodovod Kumanovo, nga qyteti i Kumanovës përtej kufirit. Ky ishte fillimi i një projekti të titulluar “Përfitime të konsiderueshme shëndetësore dhe mjedisore në zonën ndërkufitare”, që do të sillte ndikim afatgjatë pozitiv në jetët e banorëve vendas.

Përgjatë dy viteve, projekti realizoi një sërë ndërhyrjesh infrastrukturore të konsiderueshme. Ndërhyrjet përfshinë ripozicionimin e shtratit të lumit dhe reduktimin e kontaminimit të dherave duke ndarë ujërat e ndotura dhe ujërat e reshjeve, çka do të thotë se ujërat e ndotura nuk shkarkohen më drejtpërdrejt në lumë, duke eliminuar kështu dhe aromën e rëndë. Krahas kësaj, projekti bëri dhe disa ndryshime estetike duke krijuar një shëtitore përgjatë lumit, si dhe hapësira ndenjjeje dhe rekreacioni. Ndryshime të ngjashme u kryen dhe në anën tjetër të kufirit, në komunën e Kumanovës.

“Falë mbështetjes së BE-së, tashmë nuk na duhet të shqetësohemi më për rrezikun ndaj jetës dhe pronës sonë nga përmbytjet gjatë dimrit”.

Fatlum Mehmeti, banor i Cërnicës

Për të siguruar qëndrueshmëri, projekti krijoi dhe zhvilloi edhe një fushatë për ndërgjegjësim mjedisor sa i përket mbajtjes pastër të lumit dhe zonës përreth. Besimi thekson se, krahas financimit nga BE-ja, shkëmbimi ndërkufitar i ekspertizës dhe ideve me kolegët nga Vodovod Kumanovo ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në suksesin e projektit.

Fatlumi shpjegon se ky projekt ka pasur një ndikim të rëndësishëm në jetët e tyre. “Falë mbështetjes së BE-së, tashmë nuk na duhet të shqetësohemi më për rrezikun ndaj jetës dhe pronës sonë nga përmbytjet gjatë dimrit”, thotë ai.

Rreth projektit

Projekti BNK “Përfitime të konsiderueshme shëndetësore dhe mjedisore në zonën ndërkufitare” i financuar nga BE-ja filloi në shkurt të vitit 2020 dhe përfundoi në muajin tetor të vitit 2021. Vlera e përgjithshme e projektit ishte mbi gjysmë milioni euro.

Photo credits: Hidromorava public water company

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.