Roaming-i i internetit më i përballueshëm: Kapërcimi i hendekut midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Roaming-i i internetit më i përballueshëm: Kapërcimi i hendekut midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

15 Dec 2023

Në dhjetor 2022, 38 operator telekomunikacioni nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor ranë dakord të ulnin tarifat roaming të internetit. Kjo marrëveshje midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së ka hyrë në fuqi nga 1 tetori 2023, që do të thotë se roaming-i i internetit është bërë më i përballueshëm si për shtetasit ashtu edhe bizneset në këto rajone.  Këta operator u angazhuan vullnetarisht për të zvogëluar hendekun midis tarifave brenda vendit dhe roaming-ut për përdorimin e internetit, kur udhëtoni në të dyja drejtimet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Uljet fillestare të çmime janë duke u zbatuar aktualisht nga operatorët pjesëmarrës të telekomunikacionit. Shumë prej tyre ofrojnë paketa me çmime nën kufijtë maksimalë të përcaktuar, duke i bërë ato të aksesueshme për një gamë të gjerë konsumatorësh. Ulje të mëtejshme janë planifikuar për vitin 2026, duke ndjekur kështu rrugën e përcaktuar, me synimin për t’i bërë tarifat roaming më afër çmimeve të vendeve, deri në vitin 2028.

 

Virtyt Gacaferri, është një biznesmen kosovar që udhëton rregullisht në vendet e BE-së. Z. Gacaferri ka një pjesë të konsiderueshme të aksioneve dhe shërben si partner menaxhues në një nga kompanitë më të suksesshme të operatorëve turistikë në Kosovë, të njohur si Balkan Natural Adventure. Çdo vit, kompania e tij mirëpret qindra vizitorë nga e gjithë bota, përfshirë këtu vendet e BE-së, të cilët eksplorojnë atraksionet e Kosovës. Ai shërben edhe si kryetar i bordit të kompanisë së parë të teknologjisë financiare (fintech) në Kosovë, franchise i kompanisë Paysera me qendër në Lituani. Për shkak të profesionit të tij, z. Gacaferri udhëton shpesh në vendet e BE-së për të marrë pjesë në ekspozita turistike dhe për të bashkëpunuar me partnerët e tij në BE. Virtyti do ta vlerësonte shumë marrëveshjen për uljen roaming të internetit. “Si një person që udhëtoj shpesh për shkak të biznesit, kjo marrëveshje do të ketë ndikim pozitiv në koston e udhëtimit dhe në biznesit tonë në përgjithësi,” thotë Virtyti.

“Pas zbatimit të RLAH-së rajonale, komisioneri Várhelyi bëri një takim inaugurues me operatorët e telekomit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ky takim çoi më tej procesin, duke theksuar mbështetjen politike dhe rëndësinë e hapave të ardhshëm”.

Adrienn Király DG NEAR

Adrienn Király nga DG NEAR, hedh dritë mbi gjenezën e kësaj përpjekjeje. Nisi pas miratimit të suksesshëm të një marrëveshjeje rajonale Roam Like at Home, midis gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga 1 korriku 2021. Kjo arritje shërbeu si hap paraprak për diskutimet lidhur me uljen e tarifave roaming që lidhin Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. Ajo pohon: “Pas zbatimit të RLAH-së rajonale, komisioneri Várhelyi bëri një takim inaugurues për operatorët e telekomit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ky takim çoi më tej procesin, duke theksuar mbështetjen politike dhe rëndësinë e hapave të ardhshëm”.

Në vitin 2018, u përcaktua se shtrirja e Roam Like at Home në Ballkanin Perëndimor nuk ishte ligjërisht e realizueshme. Për rrjedhojë, ulja e tarifave roaming midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së duhej të mbështetej nga Marrëveshjet Vullnetare Tregtare, duke pasur parasysh modelet e biznesit të operatorëve, interesat komerciale dhe pajtueshmërinë me rregullat përkatëse të konkurrencës dhe tregtisë. Procesi i negociatave u mbikëqyr nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe DG NEAR, me kontributin e këshillave nga DG CNECT. Raunde të shumta negociatash u zhvilluan midis BE-së dhe operatorëve të Ballkanit Perëndimor përpara se të miratohej dhe të nënshkruhej deklarata përfundimtare e roaming-ut vullnetar më 6 dhjetor 2022, gjatë Samitit BE-Ballkan Perëndimor.

Pas nënshkrimit të deklaratës, negociatat rifilluan duke përcaktuar kufijtë e saktë të çmimeve për uljen e tarifave roaming, për shërbimet roaming të internetit. Deri më 1 maj 2023, gjithsej 36 operatorë, përfshirë këtu grupet e njohura të BE-së si DT, Orange, A1, United Group dhe 4IG, si dhe operatorët e Ballkanit Perëndimor, kishin nënshkruar marrëveshjen përfundimtare. Ata ranë dakord për të ndjekur hapat si më poshtë: Duke filluar nga 1 tetori 2023, kufiri i çmimit të internetit do të jetë 18 EUR/GB, nga 1 janari 2026 do të jetë 14 EUR/GB dhe nga 1 janari 2028 do të jetë 9 EUR/GB.

“Ky proces rrit nivelin e parashikueshmërisë dhe, më e rëndësishmja, ndihmon në parandalimin e tronditjes së klientëve nga faturat.”

Sara Meić, DG NEAR

Sara Meić nga DG NEAR thekson rëndësinë e deklaratës, si iniciativa që rrit nivelin e para shikueshmërisë dhe ndihmon në parandalimin e tronditjes së klientëve nga faturat. Gjithashtu tregon qëllimin e mirë të tregut. Në fazat e ardhshme, Komisioni Evropian synon ta zgjerojë këtë iniciativë, duke përfshirë operatorët e telekomit që aktualisht nuk janë pjesë e procesit. Për më tepër, ata do të përpiqen të ulin më tej kufijtë e çmimeve nëpërmjet procesit të rishikimit vjetor. Sara shprehet: “Në hapat vijues do të donim të trajtonim çështjen e tarifave roaming me shumicë, të cilat do të kishin efekt pozitiv në uljen e mëvonshme të tarifave roaming me pakicë.”

Rreth projektit

38 operatorë telekomunikacioni nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë rënë dakord për ta bërë roaming midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së më të përballueshëm për qytetarët dhe bizneset në të dyja rajonet, në një proces që mbështetet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Komisioni Evropian. Kjo marrëveshje përputhet me Deklaratën Roaming të nënshkruar në Samitin e dhjetorit midis BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.

Si rezultat i marrëveshjes vullnetare, operatorët u angazhuan që ta zvogëlonin hendekun midis tarifave brenda vendit dhe roming-ut për përdorimin e internetit në të dyja drejtimet, midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Nivelet maksimale të çmimeve të shitjes me pakicë (“kufijtë e çmimeve”) për 1 gigabajt do të ulen nga tetori 2023 në 2028 si më poshtë: 18 euro nga 1 tetori 2023, 14 euro nga 2026 dhe 9 euro nga 2028. Parashikohen rishikime vjetore për vlerësimin e ndikimit dhe për hapat pasues

Photo credits: Virtyt Gacaferi, EU

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.