Një rikujtim për shëndetin | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Një rikujtim për shëndetin

07 Apr 2022

Emina Pleh nga Goražde i përfundoi të gjitha vaksinimet e vajzës së saj më të madhe, por kur erdhi koha për vaksinimin e djalit, kishte nisur pandemia e COVID-19-ës, kështu që vendosi të priste. Në fillim të vitit të shkuar, ajo mori një telefonatë nga Instituti Boshnjak i Shëndetit Publik të Kantonit Podrinje, ku i rikujtuan që djali kishte nevojë të imunizohej dhe e referuan te shërbimi i pediatrisë për më shumë informacion. “Ata thanë që duhet ta bënim para se të fillojë kopshtin, kështu që e bëmë,” thotë Emina.

Emina është një ndër rreth 500 prindërit e Kantonit Podrinje që u telefonuan nga Instituti Publik i Shëndetit për t’i kujtuar rreth vaksinimeve të pakryera. Kjo nismë është pjesë e Programit për Zbutjen e Ndikimit të Pandemisë së COVID-19-ës në Jetën e Fëmijëve dhe Familjeve të tyre në Turqi dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Prindërit janë më të prirur për ta kryer vaksinimin e fëmijëve të tyre, nëse i kujton. Ky komunikim mungonte.”

Fatima Čengić, Specialiste e Programit me Unicef-in në Bosnje dhe Hercegovinë

Shlyerja e mungesës së komunikimit

Fatima Čengić është një  Specialiste e Programit me Unicef-in në Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo shpjegon se

Unicef-i ka punuar për shumë vjet drejt përmirësimit të imunizimit në Bosnje dhe Hercegovinë dhe ka kryer studime dhe analiza për të kuptuar arsyet pse prindërit shmangin vaksinimin e fëmijëve të tyre. Arsyet kryesore për këtë fenomen ishin informimi i pamjaftueshëm nga profesionistët e shëndetit për përfitimet dhe rreziqet e vaksinimit, por edhe harresa nga prindërit. “Prindërit janë më të prirur për ta kryer vaksinimin e fëmijëve të tyre, nëse i kujton. Ky komunikim mungonte,” thotë Fatima.

Për këtë arsye, Unicef-i filloi të krijonte strategji komunikimi, duke përfshirë këtu edhe zhvillimin e nxjerrjen e një aplikacioni online, që u rikujton prindërve agjendat e vaksinimit. Sidoqoftë, kur filloi pandemia e COVID-19-ës, vendosën ta nxisnin stafin ndihmës të dedikuar të përdorte një qasje tjetër. Fillimisht, stafi rishikoi të gjitha kartelat shëndetësore të fëmijëve të lindur në periudhën 2014-2020 që ishin trajtuar në qendrat shëndetësore të Goražde-s, Prača-s dhe Ustikolina-s. U hartua një listë me gjithë ata që nuk kishin kryer ndonjë prej vaksinimeve të detyrueshme. Më pas, prindërit u morën në telefon, u këshilluan të kontaktonin pediatrit e tyre dhe, së fundmi, qendrat vendore shëndetësore u dhanë të gjithë informacionin e nevojshëm për imunizimin, si dhe mbi lënien e një takimi.

“Jam shumë e sigurt se qendrat shëndetësore nuk do t’u kishin dhënë prioritet vaksinimeve të fëmijëve po të mos kishte qenë nisma jonë me mbështetjen e BE-së.”

Fatima Čengić, Specialiste e Programit me Unicef-in në Bosnje dhe Hercegovinë

Që atëherë, projekti është zgjeruar deri në Kantonin e Sarajevës, ku zbatohet në tetë qendra të tjera shëndetësore. Në nga vizitat e fundit nga programi vuri re se, nga 500 vaksinimet e zhvilluara në një qendër shëndetësore në dhjetor, 175 ishin bërë nëpërmjet këtij projekti. “Kjo nënkupton se rreth një e treta e vaksinimeve që u bënë për një muaj ishin rezultat i projektit tonë dhe ky është sukses i madh,” thotë Fatima.

Fatima shpjegon se vaksinimi ishte një problem kritik për sistemin shëndetësor në Bosnje dhe Hercegovinë, duke qenë se një nga aktivitetet e para të rregullta që u ndërpre gjatë periudhës së pandemisë ishte vaksinimi i fëmijëve. Ajo beson se projekti dhe mbështetja e BE-së kanë një ndikim thelbësor dhe shton:-“Jam shumë e sigurt se qendrat shëndetësore nuk do t’u kishin dhënë prioritet vaksinimeve të fëmijëve po të mos kishte qenë nisma jonë me mbështetjen e BE-së.”

Lidhur me projektin

Programi për Zbutjen e Ndikimit të Pandemisë së COVID-19-ës në Jetën e Fëmijëve dhe Familjeve të tyre në Turqi dhe në Ballkanin Perëndimor është një nismë dy-vjeçare e nisur në vitin 2021 nga Unicef-i dhe Komisioni Evropian.

Qëllimi i kësaj nisme është fuqizimi i shëndetit kombëtar, arsimit, zhvillimit të fëmijërisë së hershme dhe sistemeve për mbrojtjen e fëmijëve për t’u siguruar shërbime parësore fëmijëve vulnerabël dhe familjeve të tyre në kuadër të rigjenerimit afatshkurtër apo afatgjatë nga COVID-19-a. Nëpërmjet këtij programi  me vlerë 5 milion euro, pritet që 490,000 fëmijë dhe prindër të kenë akses më të mirë te shërbimet publike që promovojnë zhvillimin e fëmijërisë së hershme, arsimit, shëndetit dhe mbrojtjes, si pjesë e procesit të rigjenerimit nga COVID-19-a.

Mëso më shumë

Photo credits: Unicef

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.