
Gazetarëve u jepet më shumë kohë për të thënë të vërtetën
Gazetaria investigative është një instrument me vlerë për të cilin BE-ja mendon se ja vlen të investohet.
Në Kosovë, konsumi i lajmeve digjitale përjetoi rritje para disa vitesh. Për shkak se pandemia i detyroi njerëzit të kalonin më tepër kohë brenda, fuqia e platformave digjitale është rritur dhe këto platforma janë burimet më të zakonshme të informacioneve të rreme ose ngatërruese.
Numri i portaleve të lajmeve online në Kosovë u rrit gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, sipas Arta Berishës, një gazetare e njohur, e cila ka mbuluar fenomenin e lajmeve të rreme. Në atë periudhë, ajo sapo kishte filluar të jepte mësim në gazetari. “Si gazetare, më shqetësonte mungesa e standardeve në këto portale”, thotë ajo.
“Dëshironim të ofronim një platformë për gazetarët që nuk janë në gjendje të krijojnë materiale në mënyrë të pavarur; duke u mundësuar të punojnë pa u ndikuar nga reklamuesit apo presioni i përditshëm i krijimit të përmbajtjeve në redaksitë e tyre”.
Krahasuar me tregun e SHBA-së, ku përmbajtja e lajmeve të rreme u krijua për përfitim financiar, informacioni ngatërrues në Kosovë synon kryesisht përfitime politike. “Përmbajtjet e pajisura me tituj interesantë dhe informacione të anshme dhe të paverifikuara janë të shumta dhe prodhohen thjesht për interesa politike nga përfaqësues të medias me lidhje në mbarë spektrin politik në Kosovë”, thotë Berisha, e cila ka shkruar gjerësisht për këtë temë që prej vitit 2017. Kjo situatë konfirmohet në një studim të Parlamentit Evropian ku referohet dhe puna e Berishës, dhe ku arrihet në përfundimin se keqinformimi në Ballkanin Perëndimor krijohet dhe shpërndahet nga aktorët vendas për qëllime të brendshme. Ky studim rreth keqinformimit, i kryer në periudhën 2018 – 2020, paraqet tri sfida kryesore të keqinformimit: sfidat e jashtme ndaj besueshmërisë së BE-së; keqinformim lidhur me pandeminë e COVID-19-ës; dhe ndikimin e keqinformimit te zgjedhjet dhe referendumet.
Një grup prej 12 artikujsh të shkruar nga Berisha hedhin dritë mbi këtë fenomen të përhapur gjerësisht në median digjitale, ku mbulohen një sërë temash, duke filluar nga zgjedhjet deri te verifikimi i fakteve dhe financimi i pajustifikuar qeveritar i mediave të caktuara me potencial për të ndikuar politikat e tyre editoriale. Në artikujt e saj, ajo përqendrohet te portalet e lajmeve, që janë anëtarë të Këshillit të Shtypit dhe që kanë publikuar vazhdimisht ngjarje me përmbajtje informacionesh të rreme me potencial për të dëmtuar reputacionin e një individi ose subjekti. Transmetuesi publik, RTK, nuk bënte përjashtim.