Krahu robotik që arrin mirë-ushqyerjen e peshqve | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Krahu robotik që arrin mirë-ushqyerjen e peshqve

Një laborator i mbështetur nga BE-ja u dha mundësinë vëllezërve nga Mali i Zi të krijojnë një pajisje për menaxhimin e sasisë dhe cilësisë së ushqimeve për peshqit.

SCROLL DOWN

Bogdan dhe Goran Maksimović janë vëllezër nga Nikshiqi, në Malin e Zi. Më i riu, Bogdani, është ekspert IT-je, ndërkohë që vëllai i tij më i madh, Gorani, është elektricist dhe peshkatar i apasionuar pas punës së tij. Në momentin që bashkuan forcat, ata krijuan një ushqyes peshku modern. “Procesi i sotëm i ushqyerjes së peshkut është paksa i vjetruar, njëlloj siç ka qenë 50 vite më parë. Njerëzit nuk dinë as sa peshq kanë në pellg, e jo më për sa ushqim kanë nevojë, prandaj ndërtuam një sistem, i cili ndihmon për kursimin e ushqimit dhe, rrjedhimisht, edhe të parave,” thotë Gorani.

Gorani shpjegon më tej se, kur nuk ke dijeni se sa ushqim u nevojitet peshqve, mund të shkaktosh probleme të tjera. Për shembull, ushqimi i tepërt mund të ndotë ujin dhe të shkaktojë ngordhjen e peshqve. “Tanimë, të gjitha këto probleme janë zgjidhur,” thotë Gorani. Pajisja e ushqyerjes së peshqve, të cilën ai e modeloi me vëllain e tij, mund të përdoret për të programuar dhe monitoruar sasinë e ushqimit që u jepet peshqve. Bazuar mbi këtë informacion, pajisja mund të llogarisë edhe sasinë e ushqimit që u nevojitet në ditë. Makineria punon me panele diellore, prandaj kursen energji, është e lëvizshme dhe mund të përdoret në pellgje në vende të largëta, si malësitë.

“Na u desh të prezantonim dhe shpjegonim nga fillimi koncepte të tilla si risia, start-up-et dhe teknologjia. Gjithsesi, arritëm të krijonim një lloj epiqendre për energjinë pozitive, idetë, projektet e aftësitë dhe jemi shumë të kënaqur nga kjo.”

Đorđije Brkuljan, Tehnopolis

Një vend për risi

Pajisja për ushqyerjen e peshkut u krijua dhe u testua në Qendrën Tehnopolis për Risi dhe Sipërmarrje në Nikshiq, qendër për zhvillimin e kompanive start-up dhe sipërmarrjes. Kohët e fundit, projekti i financuar nga BE-ja me titullin “Të përmirësojmë infrastrukturën për kërkimet dhe risinë, që mund të përdoren për të nxitur zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM-të)” e përkrahu Tehnopolis-in, duke ngritur një laborator të ri modelimi industrial, një laborator bioteknologjik dhe një qendër të dhënash. Modeli 3D për ushqyesin e peshqve u krijua në laboratorin e modelimit industrial, i cili është i pajisur me printerët më modernë 3D, makineri CNC dhe një krah robotik.

Đorđije Brkuljan-i drejton Qendrën për Aktivitetet e Programit, Kërkimet dhe Zhvillimin në Tehnopolis, e cila u themelua në vitin 2014 nga qeveria e Malit të Zi, si një kompani jofitimprurëse me përgjegjësi të limituar, e zotëruar nga qeveria. Đorđije shpjegon se fillimi ishte shumë i vështirë për shkak të vendosjes në Nikshiq, ku nuk kishte pasur asnjë lloj aktiviteti në lidhje me teknologjinë para nisjes së Tehnopolis-it. “Na u desh të prezantonim dhe shpjegonim nga fillimi koncepte të tilla si risia, start-up-et dhe teknologjia. Gjithsesi, arritëm të krijonim një lloj epiqendre për energjinë pozitive, idetë, projektet e aftësitë dhe jemi shumë të kënaqur nga kjo,” thotë Đorđije.

Đorđije shpjegon se grupi i synuar është shumë i gjerë dhe përfshin fëmijë të vegjël, të rritur të moshës së mesme dhe të vonë, nxënës, start-up-e, sipërmarrës, ekipe zhvillimi, ndërmarrje mikro, të vogla, e të mesme, prodhues bujqësorë, institucione, investitorë, partnerë vendas dhe rajonalë, e të tjerë.

“Aktualisht, qendrën e të dhënave, laboratorin bioteknologjik dhe laboratorin e modelimit industrial në qendrën tonë e përdorin rreth 40 novatorë. Të gjitha këto janë të financuara nga BE-ja.”

Đorđije Brkuljan, Tehnopolis

Deri më tani, Tehnopolis-i ka vënë në zbatim rreth 30 projekte, nga të cilat 16 janë akoma në proces e sipër. Mbi 90% e fondeve për këtë projekt janë mundësuar nga BE-ja, e cila e ka mbështetur Tehnopolis-in me rreth 4 milion euro nëpërmjet programeve të ndryshme gjatë këtyre pesë viteve të fundit. “Aktualisht, qendrën e të dhënave, laboratorin bioteknologjik dhe laboratorin e modelimit industrial në qendrën tonë e përdorin rreth 40 novatorë. Të gjitha këto janë të financuara nga BE-ja,” thotë Đorđije.

“Ne po zhvillojmë edhe burimet tona njerëzore, për t’u siguruar që të kemi njerëz me aftësitë e duhura për të punuar me këto pajisje. Kjo do të thotë se, në të ardhmen e afërt, do të jemi në gjendje t’u ofrojmë përkrahje edhe më të madhe fermerëve, novatorëve dhe NVM-ve që duan të përmirësojnë procesin e tyre të prodhimit dhe të konkurrojnë në treg,” përfundon ai.

Lidhur me projektin

Projekti “Të përmirësojmë infrastrukturën për kërkimet dhe risinë, që mund të përdoren për të nxitur zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM-të), i financuar nga BE-ja, mbështeti Tehnopolis-in me rritjen e kapacitetit të infrastrukturës së laboratorit biokimik, laboratorit për modelim industrial dhe qendrën e të dhënave. Si rezultat, projekti arriti të krijojë një platformë inovative për të mbështetur shërbimet dhe produktet e reja në Malin e Zi, si dhe për të nxitur konkurrencën e NVM-ve aktuale, duke ndihmuar njëkohësisht edhe me zhvillimin e NVM-ve krejtësisht të reja me orientim teknologjik. Buxheti total i projektit arrin 818,000 euro.

Photo credits: Tehnopolis

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.