Prezantimi hudhrës hercegovinase në botë | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Prezantimi hudhrës hercegovinase në botë

Nëpërmjet një projekti të financuar nga BE-ja, një kompani nga Bosnja dhe Hercegovina është kthyer në lider të tregut rajonal për prodhimin e hudhrës.

SCROLL DOWN

Mbi 300 ditë me diell në vit dhe toka e pasur me gëlqerorë janë vetëm disa prej tipareve që e shquajnë nga të tjerët terrenin përreth qytetit të Ljubinje-s në jug të Bosnjës dhe Hercegovinës. Shumë dekada më parë, fushat në Ljubinje ishin të mbjella me duhan hercegovinas, cilësia e të cilit siguronte një jetesë të përshtatshme për popullin e këtij rajoni. Megjithatë, për shkak të rënies së investimeve për industrinë vendase të duhanit, fermerëve iu desh ta diversifikonin produktin e tyre.

Kjo nuk ishte shumë e vështirë, duke qenë se toka është shumë pjellore. Ata u përqendruan te hudhra, e cila prej shekujsh, është prodhuar dhe përdorur në rajon, si për gatim, edhe për të luftuar sëmundjet. Mundësia për biznesin e hudhrës u vu re nga Farmavit-a, një kompani nga rajoni i Ljubinje-s që vendosi të provojë jo vetëm rritjen, por edhe përpunimin e këtij produkti, për ta shpërndarë më pas në tregje më të gjera.

“Analizat e kryera nga institucionet me famë botërore kanë treguar se, për nga vetitë dhe ndikimi që ka te shëndeti, hudhra hercegovinase renditet në pesë më të mirat në botë.”

Stefan Šalvarica, Menaxher, kompania Farmavit

Teknologji moderne për përmirësimin e prodhimit

Stefan Šalvarica është menaxheri përgjegjës për prodhimin dhe përpunimin e hudhrës në kompani, së cilës iu bashkua në vitin 2020. Kompania u themelua në vitin 2000 dhe në fillim, prodhonin kryesisht ushqim për gjedhët. Por, pasi panë mundësinë e prodhimit të një game më të gjerë kulturash, vendosën të provonin diçka më interesante dhe të përshtatshme për tregje më të mëdha. “Analizat e kryera nga institucionet me famë botërore kanë treguar se, për nga vetitë dhe ndikimi që ka te shëndeti, hudhra hercegovinase renditet në pesë më të mirat në botë,” thotë Stefani.

Sot, Farmavit-a është kompani lider për prodhimin e hudhrës në Bosnje dhe Hercegovinë. ata prodhojnë më së shumti për eksport, edhe në BE. Gjatë rrugëtimit të tyre drejt suksesit të arritur, ata u mbështetën edhe nga nisma EU4 Business, e financuar nga BE-ja dhe e vënë në zbatim nga PKBZh-ja. Nëpërmjet kësaj mbështetjeje, kompania i dha zgjidhje një problemi madhor me burimet e ngrohjes, si dhe me problemin me avullin e formuar në procesin e trajtimit termal të hudhrës, që e kishte vështirësuar prodhimin. “Falë ventilimit dhe ajrit të kondicionuar në ambientet tona, tanimë arrijmë ta largojmë avullin brenda pak minutave. Gjithashtu, në të shkuarën, një pjesë e madhe e punës bëhej me dorë, por tani, me ndihmën e makinerive të reja, proceset e mbushjes, etiketimit dhe mbylljes së kavanozave janë përmirësuar dhe përshpejtuar,” shpjegon Stefani.

Kompania zotëron plantacionet e veta të hudhrës, por në të njëjtën kohë blen sasi të caktuara nga nën-kontraktorët e saj në Hercegovinë.  Pas blerjes, hudhra dërgohet për analiza para se të kthehet në produkt të gatshëm për klientët në raftet e supermarketeve në Bosnje dhe Hercegovinë, me markën “Aromë Hercegovine”.

“Falë projektit EU4Business, ia kemi dalë të përmirësojmë kushtet e punës dhe prodhimin, të ulim shpenzimet dhe të ofrojmë produkte unike për klientët tanë. Duke qenë se kemi përmirësuar prodhimin e hudhrës, sasia jonë vjetore e prodhimit është rritur me 10 tonë.”

Stefan Šalvarica, Menaxher, kompania Farmavit

Stefan shpjegon më tej se, prodhojnë gjithashtu edhe puré dhe marinada që përmbajnë hudhër me erëza, vaj ulliri dhe vaj luledielli. Për më tepër, falë projektit EU4Business, tanimë ata prodhojnë të ashtuquajturën hudhër të zezë. Hudhra e zezë është rezultat i fermentimit të hudhrës së freskët. Në këtë proces të përshpejtuar vjetrimi, hudhra ndryshon ngjyrën, karamelizohet dhe vetitë e saj theksohen. Kjo lloj hudhre vlerësohet shumë në tregun botëror dhe me blerjen e makinerisë së fermentimit falë mbështetjes së BE-së, kompania Farmavit u bë prodhuesi i vetëm i kësaj lloj hudhre në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Falë projektit EU4Business, ia kemi dalë të përmirësojmë kushtet e punës dhe prodhimin, të ulim shpenzimet dhe të ofrojmë produkte unike për klientët tanë. Duke qenë se kemi përmirësuar prodhimin e hudhrës, sasia jonë vjetore e prodhimit është rritur me 10 tonë,” thotë Stefani.

Përveç planeve për marinada të reja dhe futjen e hudhrës së zezë dhe asaj të freskët në tregun ndërkombëtar, kompania Farmavit  vijon të investojë për plane madhore, për të ruajtur pozicionin e tyre si lider i tregut. “Kemi investuar fonde tona shtesë për të blerë pajisje që do të na ndihmojnë për prodhimin e kapsulave të xhelatinës, të mbushura me ekstrakt hudhre. Do të bëhemi kompania e parë në rajon që prodhon suplemente dietike të këtij lloji,” thotë Stefani, i kënaqur.

Kompania Farmavit  u mbështet nëpërmjet projektit EU4Business me 150,000 BAM, ndërkohë që vlera e investimit arriti një total prej 300,000 BAM.

Lidhur me projektin

EU4Business është një projekt i BE-së që synon të rrisë kapacitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës për të fuqizuar ekonominë dhe punësimin, duke përqafuar konkurrencën dhe risinë në sektorët e përzgjedhur. Ka një buxhet prej 16.1 milionë eurosh: 15 milion euro, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe 1.1 milion euro nga Republika Federale e Gjermanisë.

EU4Business është pjesë e Strategjive për Zhvillim Vendor – Vetëqeverisje Vendore dhe Zhvillim Ekonomik në Bosnje dhe Hercegovinë të Programit të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ).

Photo credits: Farmavit

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.