Ndihma për mjedrat e shijshme të Bosnje dhe Hercegovinës që po pushtojnë tregun e BE-së | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Ndihma për mjedrat e shijshme të Bosnje dhe Hercegovinës që po pushtojnë tregun e BE-së

Një ndërmarrje bujqësore në Bosnje dhe Hercegovinë ka rritur kapacitetin e saj të prodhimit me anë të mbështetjes nga BE-ja.

SCROLL DOWN

Për më shumë se dy dekada, Nebojša Radović nga Bratunac-i i Bosnje dhe Hercegovinës është marrë me rritjen e mjedrave. Sot, bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij e ndihmojnë në plantacionin e mjedrave. Për shkak të të ardhurave shtesë që ato sjellin, Nebojša shpjegon se: “Mjedrat janë shumë të rëndësishme për ne. Bashkëshortja ime nuk ka profesion tjetër, ndërsa profesioni im i parë nuk mjafton për të mbuluar të gjithë shpenzimet e jetesës. I kemi mësuar edhe fëmijët si të rrisin mjedra.”

Nebojša është një prej shumë nënkontraktorëve të ndërmarrjes së familjes, Herbos Nature, e cila është marrë me mbledhjen e frutave të pyllit që prej vitit 2006. Që nga viti 2012, është marrë gjithashtu edhe me blerjen, përpunimin dhe shitjen me shumicë të mjedrave, kërpudhave dhe erëzave. Sot, ka një rrjet me më shumë se 1,000 nënkontraktorë nga i gjithë vendi.

“Teksa ndërmarrja jonë zmadhohej gjithmonë e më shumë, natyrisht që kishim probleme, por me hyrjen e pandemisë, vështirësitë u shtuan mjaft, sidomos për nënkontraktorët tanë.”

Maida Hadžiavdić nga Herbos Nature

Nxitja e zhvillimit në kohë krize

Maida Hadžiavdić nga Herbos Nature shpjegon se ndërmarrja ka vite që zmadhohet me hapa të sigurt, por si të gjitha bizneset e tjera, edhe ata u përballën me vështirësi në vitin 2020, kur filloi pandemia e COVID-19-ës. “Teksa ndërmarrja jonë zmadhohej gjithmonë e më shumë, natyrisht që kishim probleme, por me hyrjen e pandemisë, vështirësitë u shtuan mjaft, sidomos për nënkontraktorët tanë,”- thotë Maida.

Pikërisht në atë periudhë, pati një thirrje për propozime rreth mbështetjes së ndërmarrjeve bujqësore në Bosnje dhe Hercegovinë, nismë nga projekti EU4AGRI, i financuar nga BE-ja. Herbos Nature aplikoi dhe përfitoi mbështetje, duke përfshirë këtu blerjen e pajisjeve për ndërmarrjen dhe nënkontraktorët e tyre, apo ndihma të tjera të kësaj natyre, për përmirësimin e kushteve të punës, duke arritur kështu një total prej 114,000 eurosh.

Si një prej nënkontraktorëve të Nature, Nebojša-s iu dhanë në dorëzim pajisje të vlefshme, të financuara nga BE-ja, për të lehtësuar sadopak punën e familjes dhe për ta bërë atë më efikase. “Që prej kohës që EU4AGRI më dhuroi një plug të motorizuar, shpenzimet e mia janë ulur,”- shpjegon Nebojša.

“EU4AGRI na ka ndihmuar ta zgjerojmë tregun tonë. Përveç filialeve në Ustikolina dhe Bratunac, tanimë kemi hapur edhe një tjetër në Travnik. Kemi futur në punë më shumë punonjës dhe kemi filluar të bashkëpunojmë me nënkontraktorë të tjerë.”

Maida Hadžiavdić nga Herbos Nature

Projekti i dha gjithashtu mundësinë ndërmarrjes të përfitonte nga pajisjet e reja dhe ndihmesave të tjera. “Mbështetja nga EU4AGRI na ka ndihmuar të zgjerojmë tregun tonë. Përveç filialeve në Ustikolina dhe Bratunac, tanimë kemi hapur edhe një tjetër në Travnik. Kemi futur në punë më shumë punonjës dhe kemi filluar të bashkëpunojmë me nënkontraktorë të tjerë,”- thotë Maida. Me anë të pajisjeve dhuruar nga programi EU4AGRI, ndërmarrja ka modernizuar edhe proceset e prodhimit.

Njësoj si Maida 23-vjeçare, shumica e punonjësve të ndërmarrjes janë profesionistë të rinj të trajnuar, të cilët kanë për detyrë të sigurohen që të gjitha proceset e punës të zhvillohen në standardet më të larta. Mbi 95% e prodhimit është i destinuar për eksport në vende si: Franca, Gjermania, Polonia, Serbia, Sllovenia, Zvicra dhe Turqia. “Pajisjet e reja kanë përmirësuar kushtet e prodhimit dhe na kanë ndihmuar të përmbushim kriteret e klientëve tanë,”- thotë Maida. “Jemi të lumtur që kemi marrë pjesë në projektin EU4AGRI dhe që kemi kontribuar për qëndrueshmërinë e sektorit të ushqimit dhe bujqësisë në BH.”

Lidhur me projektin

Projekti EU4AGRI është një nismë katër-vjeçare (2020-2024) që synon modernizimin e sektorit agro-ushqimor, hapjen e vendeve të reja të punës bashkë me mbajtjen e vendeve aktuale dhe mbështetjen e rigjenerimit nga kriza e COVID-19-ës në Bosnje dhe Hercegovinë. Vlera totale e projektit të financuar nga BE-ja arrin mbi 20 milion euro dhe është vënë në zbatim me anë të bashkëpunimit dhe bashkë-financimit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Agjencisë Çeke të Zhvillimit.

 

Some of the content in this story has been re-used with permission from an article published by EU4AGRI

Photo credits: EU4 AGRI

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.